E marte, 19.10.2021, 03:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Ramë Smajlaj: Malli

E enjte, 13.11.2014, 07:22 PM


Ramë Smajlaj

(Gjermani)

 

MALLI

 

Malli dhe mërzia

më përcjellin si hije

unë lundroj buzë një liqeni

me një varkë me vela

si ndonjë zog shtegtar

duke kërkuar çerdhe

Eh, sa shtegtarë

ka si unë

kontinenteve të botës

që kërkojnë strehim

për të ngrohur shpirtin tim.

Qe sa kohë

më gufon zemra

t’i them lamtumirë këtij vendi

t’i ve gishtat kah i kam vënë thembrat.

Po prehem në udhëkryq

nuk di kah të shkoj

të punoj në tokë të huaj

apo në atdhe të këndoj!

Jetoj në këtë tokë

por nuk shoh asnjë verë

lulet këtu çelin

por nuk lëshojnë erë

Zogjtë ndoshta këndojnë

por unë s’i dëgjoj

kam ardhur në tokë të huaj

shpejt në timen do të përfundoj.

 

(Kehl, 01.11.2014)

 

 

ADOLESHENT...

 

Adoleshent në atë kohë isha

të mesmen sapo filluar e kisha

për dije nga dhjetë km. kalonim,

malesh në rrugë dhishë udhëtonim.

 

Rrugës shushuriste mali

dhe ne vraponim me nxitim,

mungesa të paarësyeshme nuk bënim

se mësimin e kishim të vetmin betim.

 

Ngjiste shpeshherë të takonim

male, lëndina, kodra e bregore,

zë bilbili na shoqëronte

dhe fluturat mbi kokë hedhnin valle.

 

Mëngjesi agonte me vallen e drenushës,

valle e shkuar shtojzavalle

rrugës recitonim dhe vjershat

se detyra e shtëpisë ishte e madhe .

 

Lufta për dije në kokë kishte hyrë,

acari dhe vranësirat nuk ishin pengesë,

detyrat e shtëpiseëduheshin kryer,

dhe zemra ziente duke u çuar peshë .

 

Dhe fundi i vitit ofronte

dhe ne duhej të dëshmoheshim për urtësi

por dhe prindërit kënaqeshin nga suksesi

se dijen e fitonim në rini.

 

(8.11. 2014)

 

 

KUR DIELLI LARGON MJEGULLAT

 

Sot Dielli ka larguar mjegullat

e strukura në kujtesën time të fshehur

mos harro se të puthurat e para

tek unë mbesin shpresa të magjepsura.

 

E ti vuajtja e dashurisë sime

dashuri e shpirtit tim të trazuar

më ndjek si hije hap pas hapi

një ditë brohorisje o sa të dua.

 

Ndjenjat e mia më zgjojnë peshë

dhe lëngu i syrit më është tharë

ike largë, largë pas shtatë bjeshkësh

e syri im prap do më të parë.

 

Unë valixhen e kujtimeve e mbajë të hapur

siç ishin aty të hapura zemrat tona

mbeteshim mbrëmjeve studentore

në shëtitje janë ditët e bukura të jetës që kalova.

 

Me flokët e gjata si mëndafshi

më pushtojë herë-herë ndesheshim me thumba

pa helm eh, sa shpejt kalonte grindja si tek fëmijët

lojëra të paharruara kujtimet i mbajlë si relikte shpirti.

 

Ajo më fliste për tufën me grixha që kishte

e unë përherë "qëllimthi" e ngacmoja

ngjiste nganjëherë të kalonte durimi

por kurrë fjalë vrastare s’i dilte nga goja.

 

Kur vetëm Hëna e buzëqeshur

na shoqëronte se qiellin e kaltër

kishim shtëpi banimi dhe agu i mëngjesit

së bashku s´na ndante ajo me zërin kanarinë,

zemrën ma pushtonte një mallëngjim.

 

(Kehl, 04.11.2014)

 

 

PROFESORËT

 

Ndihem mirë sot në këto ditë

kur rinia dhe studentët shkojnë në rritë

por sa më shumë vitet kalojnë

nostalgjia s´ka të tretur si gjithmonë.

 

Sa me ndjenjë e admirim

rikujtoj profesorët n´ligjërim

në leksione sa të çiltërt

teorinë dhe praktikën dëshifronin.

 

Sa me pedantëri veshur n´kollare

zhdukej errësira me të mësuar

jepnin mësime pa abetare

se në kokë i kishim të ngulitur.

 

Kishim rregull të ndërgjegjësuar

me vullnet çdo mësim kalohej

ligjëronte profesori si zogu në beharë

dhe indeksi stolisej me margaritarë.

 

(Kehl, 03.11.2014)

 

 

POETI NUK VDES

(Naim Frashërit)

 

Me zemër të madhe

me të pashtershmin frymëzim

shkroi për bukuritë

e popullit tim

Erërat e akullta

e përplasen brigjeve të pafund

të gjithave iu bëri ballë

në Janin e Anadoll

nuk u tremb askund

Malli që e brente

nuk ishte pengesë

të shkruajë për ato vuajtje

për luadhet me vesë

Edhe nga mërgimi

atdheut borxh s’i mbeti

shkroi edhe për korijet

që i donte poeti

Kahdo që shkoi Naimi

vetëm dritë kërkoi

sepse i dukej kahdo

se errësira e verboi

Shkroi pa pritesë

edhe nga mërgimi

që është shumë i ftohtë

sa të ze trishtimi

Ky poet i joni

shkroi pa pritesë

ka lënë mbrapa shumë vepra

prandaj ai kurrë s'do të vdesë

 

(Kehl, 30.10.2014)

 

 

MOS IK

 

U nise për të ikur

në pikë dite

trupin selvi

duke përdredhur.

 

Mos harro

se dita ka sy

ndërsa nata

ka veshë.

 

U nise

diku të ikësh

për t’u fshehur

në cep të ndonjë ylli

ndoshta mua

të më presish.

 

Të pashë në hyrje mali

sepse kaçubat

nuk të fshehnin

ndoshta u mundove

të më bësh lakadredha.

 

Ndoshta dëshirove

në mes të fushës

të vallëzosh

me qengja e drenusha

por pse më harrove mua!

 

Më prit moja zanë

aty në cep ylli

se jam duke ardhur

të t’i përkëdhel

ato flokë të mëndafshta

me këto butka të gishtave.

 

Aty do të lozim lojën

e hënës lozonjare

e trupat tanë të njomë

do t’i bëjmë një...

 

Aty do të shijoj

aromën e trëndafilit

të trupit tend të brishtë.

 

Kot e ke sygjelbërt

unë të përcjell çdo çast

në zemër të kam mbyllur

engjëllushë e bekuar

dhuratë nga ky rast.

 

Eja zemra ime

unazat t’i ndërrojmë

në qiellin e kaltërt

edhe yjet na shikojnë.

 

(Kehl, 27.10,2014)

 

 

KOMBËTARES SIME

 

U nisëm si lojë në Sport ,

botës t’i tregoj,

për ura miqësie,

por qakajt qimen e ndrrojnë

por zanatin e trashëgojnë.

 

U nisëm si dikurë,

me njëmijë e nëntëqind e dymbëdhjetë,

une vetë me bacin Isë,

krenarë në kokë plis.

 

Edhe sot si para pesëmbëdhjetë vitesh,

masakrën kishin kurdisë,

e në vend të pikave dhuratë

boksin e Luanit t´Shqypnisë.

 

Se jemi bashkë, unë Ismajli

me bacin Isë, me fluturake

shqiponjën e lavdisë valëvisë

e të bardhë në kokë me plisë.

 

Dhe desha që Europës me Sport

t’i tregojë,

se serbi nuk ka vend në Europë

të shkojë.

 

(Kehl,16,10.2014)

 

 

SHEMBJA E MURIT TË BERLINIT

 

Në këtë natë të vetmisë sime

qetësi shpirtërore nuk po gjej

kërkoj rreze prej ndriçimi

për Ty Kosovë-Dardania ime.

 

Berlin u shembën muret

muret tona vijnë duke u ritur

dialogun disa here e provuam

por me sllavin ende s’u pajtuam.

 

Më dhjetë nëntor para 25 vitesh,

gjithë gjermanët u ngritën në këmbë

me trimëri e me shumë guxim

rënuan Murin për bashkim.

 

Një Bashkim të Madh Kombëtar

kërkon Shqiponja  jonë,

të rroj miqësia me Europën

Amerika e bën ate që e thotë.

 

Rnoftë Klintoni e Amerika mike

me miqtë tanë që i njeh çdo kush

na e japin shansin siç e kërkon drejtësia,

ua mbyllin gojën sorrateve bolshevike.

 

S’do të vonojë e do të vijë Bashkimi

dhe Liria e Mëmëdheut të bashkuar,

të vetëdijshëm e përjetë të bashkuar

me porositë e Skënderbeut të bekuar.

 

(Kehl, 0.11.2014)

 

 

SHOQATËS HUMANITARE "HASI"

(me seli në Zvicër)

 

U linda pas luftës së imponuar

për popullin tim të martirizuar

për nëna e fëmijë të pa strehë

për Hasin dhe tokën që kam fole.

 

Varferia dhe skamja me ka rëndu jetën,

qëndroj i varfër në vatrat stërgjyshore

nga loti im buken do ta gatuaj,

se vendelindjen e dua si një ëndërr shekullore.

 

Me Shoqatën "Hasi" në shtetin helvetian

mburrem e s´mburrem me urata e lavdata,

vepron aty ku e kërkon nevoja

që në fshat e qytet të bëjë mbuloja ,

ah sa gëzim lotin e nënave e perthaj n’këto troje.

 

S’kam kursyer as për studentin,

që hapëron pas drite ,

as për fëmijët jetimë e të pa strehë

t’u ndihmoj kam të vetmin qëllim.

 

Ndihmoj dhe Shoqatat si motra

qëllim kam mirësinë

kudo që të jetë nevoja

plagët i kam shërrim.

 

Kam ndihmuar

edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës,

në Pashtrik e në Koshare,

sot ndihem krenar

për atë që për Lirinë ti ma solle.

 

Dhash edhe për ty shkrimtar,

studentë e shkollar

dhe për ju o arsimtarë

që shperndani rreze drite me ditarë.

 

E në Akademi dëshmorësh,

tubohemi pa nxitim,

në çdo kohë jemi të gatshëm

të ndihmojë dhe vendin tim.

 

(Kehl, 19.10.2014)

 

 

TE URA EUROPIANE

(Mbi lumin Rajna)

 

Ti, Ura Europjane

që bashkon dy qytete

Shtrasburgun e lashtë

dhe Kehlin, qytet të vjetër.

 

Alzaci flet dy gjuhë

si në proporcion

asnjëra s’ka prioritet

të barabarta janë.

 

Ura Europjane

shtrinë shtatin n´gjatësi

dje ishim armiq

sot krijojmë miqësi.

 

Dikurë ishim armiq

të njohur me emër

sot jemi miqësuar

bota të merr shëmbull.

 

Me ujë të kulluar

furnizoj hidrocentrale

përshkoj shumë qytete e shtete

burimin e kam në Malet e zeza.*

 

Kultivoj dhe peshkun

bëj tregëti kombëtare

të gjithë ma kanë zili

armiqësinë e kthej në miqësi.

 

(Kehl, 19.10.2014)

*Shwarzvald

 

 

SHTEGËTIME MËRGIMTARE

 

Eh, kjo natë helmuar më ishte

sa e drishtë zemrën ma griste

i vetmuar me Jetë dhe hënën

i pa nxënë me rreze dielli.

Sikur shkëmbi tretë n´mendime

si valë deti i trazon shpirtin

ty mëmëdhe o dritë shpirti

aq sa largë më afër të kam.

Gjethe pemësh këput shtatori

me pastaj i acartë Janari

ngrihet zemra nga shtërngata

ah sa e dhimbeshme ësht’mërgata .

Është mëmëdheu im bekim

krenari e shpirtit tim

është gjuha ime amtare

ëndërr e imja sekulare.

 

(Kehl, Gjermani, 08.09.2014)

 

 

PLAGË LIRIE

(Elegji për Antigona Fazliu)

 

Të thurim një varg për Ty, apo elegji

është pak, se gjaku ujë nuk behet

por për Atdhe dhe për Liri

një jetë e jap hak e pa merak.

 

Nëna më dha këshllë: Bija ime

mëso të shërosh plagë, për lotin tim

vaj i nënave të bëhet mjekimi plagëve

ringjall jetëra dhe lotin e shuan vajtim.

 

Me syrin shqiponjë të nisa në shkollë

atdheu më ishte më i dashuri ideal

dhe komandanti lëshon kushtrim

Ilaz Kodra e bacë Ademi trim

me bacin Isë në kokë me plis,

n’brez koburja xhamadanin ia stolis.

 

Pushtuesi serbofil kosit lule Kosove

as nënat si kursen se i pangirë me gjak

është kanibal i Karpateve që s’ka shpirt .

 

Me motrën krenare Antigonë

trimat marrin jehonë

zog i shqipes jam në trollin tim

barbarët nuk ngihen me gjak,

Në ball’plumbi i pretë për hak.

 

Ty Antigonë bijë e kombit, Lavdi

si dhe shumë motrave X hevë e Fehmi Lladrovci

në vend të fustanit të nusërisë

të stolisem me xhamadanin me plumba të lirisë.

 

Më fale amanet ditarin e luftës, çantën me barëra

e fasha të shëroni plagët e mëmëdheut

armikut plumba, mu në lule të ballit!

 

Sa lulëkuqe që rrit toka Kosovë

barbarinë e pengon lindja ime

se n’zemër ka urrejtje shoveniste

të j’u shfaros mordja e furtuna deti.

 

Antigona mes shumë trimash e trimëreshash

shpirtin dhe dyfekun si vetëtima

me këngën: Përpara –Përpara,

briste e mizorët përdhe i palonte.

 

E shqipja me zërin e komandantit

Ilaz Kodra me shpirtin Hyjni: u nisa për liri

të bëjme një histori Kosove

të mbesë lëgjendë në përjetesi.

 

Në vend të çantës së mjeksisë

ti mbushë plumbat e lirisë

që për vëllezër të marrë hak

trimave t’u lidhë plagë, të të ndalojë gjak.

 

Gradica të lindi shqiponjë

për kombin pak është e ime jetë

në Verboc qave rrethimin

për liri dhe bashkim.

 

Hyjnitë i krijon vetëm zoti

dhe lirinë s´ta falë qafiri

ai vet është shpirt grisuri

katil shkuar katili.

 

Se unë kam të vetmin qëllim

bashkim dhe vetëm bashkim

është i qëllimi im, qëndrim në beteja

Kosova godiste kanibalët

me breshërimë plumbash porsi rrufeja .

 

Mësoheni të hani e të mos kafshoni

si zogjët e shqipes të bashkuar

se fjala Liri ka një qëllim

jo urrejtje, se atdheu do bashkim.

 

Mos harroni lotin e nënave në faqe

stuhinë e uraganit të lisave

me britmën e fëmijëve e pleqve në lojë

mos nëpërkëmbni gjakun e heronjve

por qëndroni me emrin Liri në gojë.

 

E ti vetëm buzëqeshje me buzëqeshjen e hënës

dhe Dielli të fali rreze drite

dhe nëna hallall qumshtin bijë

së kështu fitohet lirija dhe kështu u shndërrove

në përjetësi për aktin sublim - Antigona Lavdi!

 

(Kehl, Gjermani, 11.10.2014)

 

 

SONTE

 

Sonte të qava

Sonte u bëra vetë loti

U bëra krua

Burim plagësh

Ah,edhe s’di çfarë u bëra

Varg e laps u bëra

U bëra edhe Mbretëri

Agron e Teutë

U bëra

Ah, ç’u bëra melodi

Zogjësh

Edhe shqipe

Edhe zana

U bëra

Unë poeti -

Ramë Smajlaj

 

 

LOTI I MËRGIMTARIT

 

Janë dhimbje e vuajte të zemrës së nënës

dhe lot i kristaltë i mërgimtarit.

Është vendi im i ndarë në shumë pjesë

nga Malësia, Ulqini , Presheva, Arta e Preveza.

Me shkronja të arta skalite mëmëdheun

histori të freskëta dhe klasike të dhimbjes.

Të preku në zemër hartë e Dardanisë

atdheu i shpërndarë, verë e Çamërisë.

 

Dhe vargu Yt rrjedhë si një ujëvarë

shëron plagë të luftës me lotin e patharë

me kushtrimin e trimave në beteja

fitore ke një zemër ëngjëlli,shpirt, paqë e dashuri.

S’të ndalojnë furtunat në kërkim të mirësisë

poet si ju me vlerë të Dardanisë

me lapsin në dorë si "armë në vetëmbrojtje"

bëhesh aromë luleje dhe falë dashuri.

 

Deti s´të ndalon as Purgatori i Dantes

kërkon shkëlqimin e Diellit e jo errësirën e djallit.

Kujtim i bukur ëngjëjsh në vargun tuaj

fjalë e rradhitur, bukur shumë e gëdhendur.

Si mëmëdheu i lashtë Iliro-dardan

në zemër loti jo veç Çamëria

që na e vodhën zotnat e huaj me tradhëti,

do të bëhet e bekuar e gjithë Shqipëria.

 

(Kehl, 09.09.2014)

 

 

DASHURI DHURONI

 

E çuditshme kjo jetë e jona

ku cunamët çdo ditë godasin

ku ca njerëz të lartë

i përplasin poshtë si me lojë

ndërsa ata të ultit

i ngrisin aq lartë

sa në qiell i dërgojnë

 

Ah kjo jetë luadhe me lule

por ku gjenden edhe ca therra

herë më e ëmbël se mjalti

herë me e hidhët se pelini

 

Jeta e jonë plot lakadredha

veç një drejtimi nuk të çon

të bart duke të mahnitur

deri në amshim kur të dërgon

 

Jetë bën edhe shehtari

që buzën në gaz kurrë s’e çon

ju merr erë luleve në kopshtije

por aromë nuk shijon

 

Ah moj botë moj hileqare

jetën tonë gjithnjë ftoje

të largojë urrejtjen nga çdokush

mbjell dashuri në të gjitha trojet

 

O njerëz të mi

përse djallëzisë u dorëzohuni

kahdo që ecni e kahdo që shkoni

vetëm dashuri ju dhuroni

 

(Kehl, 24.10.2014

 

 

ZËRIT QË S´MËDËGJON

 

O Zoti im dhe i gjithë njerëzisë

që mbulon Globin

i falë dhuratë mirësisë

ktheje shikimin kah syri

i një mërgimtari që lëngon

prej motesh nën qiellin hapur.

 

Për shpirtin tim të gjallë

e në mjerim më mëshiro

me mëshirën tënde fisnike

prej zemrës sate me vlerë

një strehë për zogun pa fole

ktheja buzëqeshjen e vjeshtën me shi!

 

Ku të gjej një strehë o Zot i bekuar

dikush në pallate e unë as në tende

të jetë dhe burg i bërë me grilë

do ndihet e gëzuar kjo zemra ime.

 

U bëra viktimë stuhishë pa srehë

e mbulesë as shpirti kujt t’i kërkojë

pak mëshirë vetëm më Ty

Zoti im kam mbetur.

 

Më beko për token time Dardane

Edhe unë jam bir i kësaj nane

Jam shqipja që dikurë fluturoja pa lodhje

e sot endem andej-këndej

nuk gjej as vetëm pak mëshirë.

 

Më mëshiro vetëm ti, o Zoti im!

 

(Kehl, Gjermani, 21.10. 2014)

 

 

MBESËS SIME MELISA

 

Me zërin e kanarinës zgjohesh

me vesën e mëngjesit të bekuar,

melankoli e shpirtit tim

Melissa si rreze drite në agim.

 

Ende nuk din gjuhën e bëlbëzimit

mimikat vetë rrëfejnë se te don gjyshi

engjëll i pritur prej shumë vitesh

prehërin që t´më ngrohë.

 

Kur ti flen me engjëjt

lotin ma ndalon,

gjyshi´të kupton

gjuhën zemrën i gëzon.

 

Nga zemra shkruaj vargun

me cicërimën e kanarinës ,

kur ndjehem më së ngushti

mallin ma largon, dashurinë ma shton.

 

Kur gjyshi im më fliste:

nipi e mbesa kanë dashuri

më shumë se djali,

atëherë qesh fëmijë s’e kuptova ,

ëndrrat i puthe dhe i rikujtoj.

 

Një ditë do të rritesh të mësosh

gjuhën amtare , gjuhë e ëmbël ilire

o sa të bënë krenare!

 

E vogël engjëll Melissa,

ende s´din të flasë,

nga prehër i nënës,

gjyshin pranë e thërret...

 

Kur ti gudulisesh në shtrat

apo djep druri gjyshi të falë uratë,

ëmbëlsi engjëllore

kur ai bëri pesëdhjetë e shtatë.

 

(Kehl, 14.10. 2014)



(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora