E premte, 29.03.2024, 11:47 AM (GMT)

Kulturë

Kujtim Mateli: Intervistë me z. Muçi Fezga

E enjte, 13.11.2014, 07:45 PM


Gjithçka që mund të bëjmë, të jetë për të mirën e brezave që na pasojnë

Intervistë me z. Muçi Fezga

Më 5 tetor 2014, në një nga lokalet e qytetit Reichenau , në jug të Vjenës, në një mjedis tepër miqësor ku merrnin pjesë të ftuarit e shoqatës “Dëshnica”,  znj. Hana Këlcyra, si dhe pjesëtarët e familjes së z. Muçi Fezga, u shtrua një drekë, gjatë së cilës do t`i dorëzohej z. Muçi Fezga titulli “Qytetar Nderi’’ akorduar nga Këshilli Bashkiak i qytetit të Përmetit

Z. Muçi ka qenë i njohur në të gjithë vendin për shkak të punës së tij në katedrën e matematikës në Universitetin e Tiranës, ku u dallua për përkushtimin e tij ndaj profesionit. Duke parë tek z. Muçi këto cilësi tepër të larta, emërohet në Përmet në krye të Seksionit të Arsimit. Edhe këtu, në vendlindjen e tij, u dallua si organizator e drejtues i aftë, i cili i dha një shtysë të fortë zhvillimit të arsimit duke hapur kopshte e shkolla deri në skajet më të largëta të rrethit të Përmetit dhe duke rritur ndjeshëm procesin e mësimdhënies. Më pas, në institucionin e Ministrisë së Arsimit ku punoi për disa vite rresht, u dallua për korrektesë e profesionalizëm. Kjo është ana më e njohur e tij dhe për të cilën i jepet dhe ky titull.
Po lexuesi i gazetës “Dëshnica” dhe ai i letërsisë artistike e njohin atë si shkrimtar të talentuar nëpërmjet romanit “Financieri rebel i Përmetit”.  Është një roman që tregon aftësinë e autorit për të depërtuar në thellësi të jetës shoqërore duke krijuar karaktere të realizuara artistikisht. Dëshnica, por dhe gjithë Qarku i Gjirokastër, është përjetësuar në një vepër artistike, ku gjejnë pasqyrin realitete, që mjeshtëria artistike e autorit u ka dhënë përmasa përjetësie.
 Po Muçi ka krijuar për lexuesin e vet një galeri personazhesh, ta cilat qëndrojnë ende të pabotuara. Mund të përmendim tregimet: “Nëse vërtet s’të kujtohet …”, “Aratisja e kadetit”, “24 orët e para”, dhe “Vija e trëndafilave”. Novelat “Mësuesi i Gorumit”, “Aksioma e pestë” dhe  “Abasi, dëshnicari pa varr”   Tek të gjitha këto tregime dhe novela laboratori krijues i shkrimtarit ka krijuar një thesar të vërtetë.

Ndërsa para  viteve `90 ne e njihnim Muç Fezgën si matematikanin që kishte zbritur në thellësi të shkencave të natyrës, pas viteve `90 dhe sidomos gjatë viteve të qëndrimit të tij në Baden të Austrisë, ne njohim shkrimtarin që ka zbritur në thellësi të jetës shoqërore duke gjetur aty tipa dhe karaktere si përfaqësues të shoqërisë shqiptare në një segment të caktuar të saj. Për Përmetin deri më sot është folur dhe shkruar shumë, jo vetëm nga përmetarët, por edhe nga të tjerë që me Përmetin kanë krijuar një lidhje shpirtërore sikur të ishin banorë të saj. Po skalitja që i bëri Muç Fezga në një vepër artistike, në gjininë e romanit, Përmetit dhe përmetarëve është i një rëndësie të veçantë, duke e vendosur autorin në piedestalin e atyre njerëzve të shquar që pa zhurmë e pa bujë ka dhënë maksimumin që mund të japë një bir dëshnice për vendlindjen e tij.
Muçi Fezga, në vargmalin e letërsisë shqipe, është kuotuar në një pikë të dukshme të tij.
Po procesi krijues i Muç Fezgës ende nuk ka ndalur, mund të themi se është në një fazë ku priten prej tij vepra të arrira. Cila është lartësia e kuotës së tij në letërsinë shqipe? Përgjigjia do të vijë, kur të botohen disa nga tregimet dhe novelat e tij më të rëndësishme. Ajo që mund të themi është se ne krenohemi dhe do të krenohemi akoma më tepër me shkrimtarin e talentuar Muçi Fezga.
Pas mbarimit të drekës, të asaj dite të 5 tetorit 2014, në  një nga lokalet e qytetit Reichenau të Austrisë, gjeta kohën dhe mundësinë të realizoj këtë intervistë.

Pyetja e parë
:  Ju morët në dorë titullin “ Qytetar Nderi” i qytetit të Përmetit, dorëzuar nga Kryetari i Shoqatës “Dëshnica”, zoti Gëzim Voda. Si  ndiheni  tani që e keni në dorë këtë vlerësim?

Kryesorja është se nuk kam menduar ndonjëherë se mund të kem bërë ndonjë gjë të veçantë, ndryshe apo më mirë se të tjerët. Kudo dhe kurdoherë kam ulur kokën në punë duke u përpjekur të bëj sa më mirë ato që më kishin ngarkuar ata sipër meje dhe që unë kisha pranuar t’i bëja.

Nga ana tjetër mendoj se është thuajse e pamundur që njeriu të vlerësojë realisht veten për gjithçka ka bërë, sepse nuk shpëton dot nga subjektivizmi. Ndaj mendoj se janë të tjerët ata që gjykojnë më realisht. E thënë në mënyrë figurative, çdo veprimtari ka gjyqtarët e vet. Pastaj, le ta them akoma më thjesht, çfarë mund të bëja unë më tepër se ty, për shembull, që po më pyet, apo më shumë se Gëzimi, Nuriu apo Luani? Ç’mund të bëja unë më shumë se shokët e mi të punës: Ylli, Et`hemi, Vaska, Minakoja, Violeta, Kosta e shumë e shumë të tjerë. Të gjithë ishim të përkushtuar dhe të gjithë po aq të gatshëm e të aftë për ta drejtuar suksesshëm arsimin, kulturën e sportin në rreth.

Ju falenderoj me gjithë shpirt Ju, ekipit të nderuar, profesional e tepër pasionant të gazetës “Dëshnica”, e cila tashmë ka fituar respektin që meriton jo vetëm në krahinën e madhe që mban këtë emër, por dhe të gjithë dëshnicarëve që jetojnë tashmë në gjithë vendin, këtu në Austri dhe në shumë shtete të tjera të Evropës e të botës. Ju falenderoj për nderimin që më keni bërë duke më propozuar për këtë këtë titull. Falënderoj gjithashtu Bashkinë e qytetit të Përmetit, në veçanti kryetarin e saj zotin Gilberto Jaçe, që e bëri realitet propozimin tuaj. Falënderoj, gjithashtu në mënyrë të veçantë, zonjën e nderuar Hëna Këlcyra për organizimin e gjithë aktiviteteve gjatë ditëve të qëndrimit të stafit tuaj në Austri, si dhe për drekën aq të bukur, aq të pasur dhe aq të këndshme që zgjati tej normave të një dreke pritjeje duke e shdërruar atë në një festë të vërtetë.

Pyetja e dytë: Në vendimin e Bashkisë së Përmetit flitet për aktivitetin tuaj gjatë viteve 60-70. A mund të na specifikoni pak më konkretisht periudhën e punës në shërbim të rrethit të Përmetit.

Natyrisht, është periudha ime e punës që nuk do të më dalë kurrë nga kujtesa. Kam ardhur në Përmet drejt e nga puna në katedrat e matematikës së Universitetit të Tiranës, më 31 gusht të vitit 1967, një ditë para fillimit të vitit të ri shkollor dhe jam larguar më 30 korrik të vitit 1974, plot 7 vjet punë në drejtimin e arsimit dhe të kulturës së rrethit.

Pyetja e tretë: Ka qenë një kohë mjaft e gjatë, afër 20% e gjithë kohës së punës suaj. Tani që jeni në pension, cilat nga veprimtaritë mund t’i cilësoni si më prezantuese në shërbim të rrethit?

Njeriu i vetëm nuk mund të bëjë asgjë. Ju kujtohen besoj vargjet e famshme të Majakovskit. Por ju më bëtë të kthej kokën prapa dhe të kujtoj, duke i parë me tjetër sy e me ngjyra më të qarta, gjithçka që u arrit gjatë atyre shtatë viteve që unë shërbeva për të drejtuar, së bashku me shokët e mi, arsimin, kulturën dhe sportet.

Unë vija nga Tirana, nga Universiteti, dhe pavarësisht nga shkaqet e trasferimit, unë e ndieja si detyrën time të parë të sillja diçka të re, diçka konkrete, që mundësisht të ndikonte përveçse në shkollë edhe në jetën e qytetit. Bëra skenarin dhe ndërtuam me shokët gjithë platformën e një konkursi mësimor mes shkollave 8-vjecare, i cili atëherë bëhej në shkallë kombëtare vetëm nga Radio-Televizioni. Konkursin do ta bënim duke vënë përballë njëra-tjetrës dy ekipe nga dy shkolla të ndryshme, çdo të diel, në skenën e shtëpisë së kulturës, me një juri specialistësh e me sallën e mbushur plot e përplot. Unë, personalisht, me asnjë përvojë artistike, mora përsipër, si punë moderatori, të ngjitesha në skenë e ta drejtoja gjithë këtë aktivitet, duke e transmetuar atë me disa altoparlantë edhe për dëgjuesit në sheshin para turizmit e në rrugë para pallatit të kulturës. Doli gjë e bukur dhe na vinin përditë fjalë shumë të mira jo vetëm nga mësuesit e nxënësit, por dhe nga qytetarët. Natyrisht pati edhe ndonjë vërejtje e kritikë, por thjesht nga tifozë herë të njërës e herë të tjetrës shkollë.

Aktivitete të tilla i shtrimë pas kësaj në tërë rrethin edhe për kulturën e sportin. Para çdo festivali folklorik në Gjirokastër, ne zhvillonim festvalin folklorik në të gjitha zonat e rrethit. U aktivizuan shumë këngëtarë dhe valltarë popullorë, disa prej tyre u bënë shumë të njohur jo vetëm në shkallë rrethi, por edhe më gjerë.

Tani më vjen vërtet keq që në Shqipëri i janë largur së tepërmi folkut, veçanërisht kur e krahasoj me suksesin tepër të madh që kanë koncertet folk që jepen çdo të shtunë me eurovizion për të gjithë vendet gjermanofolëse (Gjermani, Austri e Zvicër).

Kujtoj, natyrisht, jo pa nostalgji, zhvillimin e vrullshëm që mori arsimi 8-vjecar, duke e shtrirë atë kudo ku ndihej e nevojshme, për t’ua bërë më të lehtë fëmijëve ta vazhdonin atë pa stërmundimet e shumta që u krijonte terreni tepër i thyer. Në mungesë të fondeve, nuk mund të mos e kujtoj punën e jashtëzakonshme të kooperativave bujqësore për ndërtimin e godinave të bukura të shkollave të reja dhe të shtëpive të kulturës, të cilat qëndrojnë edhe sot si monumente. Janë të shumtë emrat e kryetarëve, brigadierëve, traktoristëve e muratorëve, që e mbyllnin punën me natë dhe e fillonin të nesërmen pagdhirë pranë objekteve të rinj të arsim-kulturës. Nuk do ta harroj kurrë punën vetmohuese që u bë atëherë në Sukë, Ballaban, Ball, Frashër, Kajcë, Rodenj, Carshovë, Iljarë etj. dhe emrat e Ramos, Belulit, Et`hemit, Duros e shumë të tjerëve.

Zgjerimi i arsimit u pasua me shqetësime lidhur me nivelin profesional të mësuesve, sepse u morën në punë shumë persona pa arsimin e duhur. Ne shtruam para tyre nevojën e ngutshme të mësimit individual nga ana e tyre dhe shtimin e kontrollit nga ana jonë. Dhe përcaktuam masa konkrete. Por, me syrin që e shoh tani, diku edhe e tepëruam. Mësuesit ranë dakord pa asnjë mëdyshje me disa ide të miat, të diskutuara në mbledhjet metodike me ta, por me sa dukej, nuk mendonin se ato që thuheshin do t’i merrnim seriozisht. Kërkesat me shkrim që dërgonin ata në formë lutjesh për transferime, ngritje page e probleme të tjera, shoku ynë i seksionit, i korrigjonte me laps të kuq, nxirrte të gjitha gabimet drejtshkrimore dhe ne ia kthenim mbrapsh, zyrtarisht, kërkesën e shkruar prej tyre për ta rishkruar tashmë pa gabime. Ne e bënim shumë shoqërisht këtë, me kujdesin më të madh që të mos ofendonim asnjë prej tyre, sepse, siç kishim rënë dakord, mësuesit nuk duhet të bënin kurrë gabime drejtshkrimore, se kjo ishte alfa e zanatit të tyre. Ndërsa tani, lexoni ju lutem në rrjetet e shumta sociale se si shkruajnë njerëzit, si shkruajnë nxënësit, mësuesit, pedagogët e deri te ministrat e kreu i shtetit, kur këmbejnë sms me njëri-tjetrin. Kjo që shkruhet prej tyre, është shumë larg gjuhës shqipe e ndoshta po të vazhdohet kështu mund të marrë tjetër emër. Për albanologjinë, ky vulgarizim duhet të klasifikohet si krimi më i madh. Pastaj, në vazhdim, të njëjtën gjë bëmë edhe me provimet që zhvillonim në shkolla, sidomos në gjuhë dhe matematikë. Por në të gjitha rastet ne patëm mirëkuptim me mësuesit dhe kjo, mendoj, i forcoi më shumë marrëdhëniet e sinqerta mes nesh, të cilat i vë re me kënaqësi edhe sot. Përmeti ka qenë, është dhe do të mbetet vendi më arsimdashës i Shqipërisë. Unë e ndjej veten mjaft krenar që jam bir i atij vendi të mrekullueshëm e i kam shërbyer me shpirt atij.

Arsimi parashkollor në Përmet në ato vite, për nga cilësia dhe zhvillimi, u mbajt gjatë gjithë kohës si njëri ndër tre rrethet e parë në nivelin kombëtar. Dhe kjo, në esencën e vet i dedikohet zonjës Violeta Tole, e cili i kushtoi tërë jetën e vet zhvillimit të sukseshëm të kësaj hallke të rëndësishme të sistemit arsimor.

Rrethi i Përmetit ishte në atë periudhë qendër e rëndësishme përvoje për gjithë rrethet e tjera, të cilët dërgonin vazhdimisht, grupe edukatoresh me inspektoren përkatëse për të marrë përvojën e përmetarëve. Disa zona, veçanërisht Dëshnica pati ndryshim rrënjësor në zgjerimin dhe cilësinë e kopshteve të fëmijëve. Vetë Violeta u bë thuajse inspektore e jashtme e ministrisë së arsimit dhe kulturës. Ministria zhvilloi në ato vite dy seminare kombëtare, u vizituan shumica e kopshteve të fëmijëve jo vetëm në qytet, por edhe në shumë fshatra të zonave të thella. Përmeti u bë për disa vite radhazi vend peligrinazhi.

Ministira e vlerësoi Përmetin me flamurin e kuq dhe me vendin e parë në fillimin e viteve 70 për nivelin e arritur në zhvillimin cilësor të arsimit.

Unë personalisht, jam ndjerë gjithnjë e në çdo moment në punë, edhe në punët e mia krijuese. Në Përmet gjeta frymëzimin. Arrita të shkruaja tekstin e ri të gjeometrisë analitike për të gjitha llojet e shkollave të mesme, duke zgjedhur për bashkautor shokun tim të ngushtë, pedagogun e shquar dhe të paharruar, profesorin Spiro Makoçi. Teksti ynë i rezistoi kohës mbi 20 vjet dhe në një vlerësim kombëtar u klasifikua si teksti më i mirë matematik.

Mund të ndalesha shumë edhe në punën që u bë për ngritjen e cilësisë së mësimit, veçanërisht për namin e mirë që kishin thuajse të gjithë maturantët e Përmetit në të gjitha shkollat e larta të vendit.


Pyetja e katërt:
Po ndonjë moment të vështirë a keni pasur gjatë punës suaj në Përmet?

Unë i besoj shumë idesë se çdo njeri i rregullt në këtë botë do të ketë doemos dashamirës, por edhe jo dashamirës. E rëndësishme është që dashamirësit të jenë shumica. Nuk mund të pretendoj se të gjithë të duan, sepse nuk mund t’u jepje dot zgjidhje të gjitha halleve të shumta që kishin familjet e shumta në rrethin që numëronte atëherë mbi 30 mijë banorë.

Por kur mungesa e dashamirësisë lidhej me një tjetër sfond, atëherë natyrisht që gjendeshe në vështirësi. Ja, shembulli më i thjeshtë. Rodenji ishte fshati ndoshta i vetëm në Dëshnicë, me një numër të madh nxënësish që ndiqnin shkollën në Sukë, duke ecur në një terren të thyer, të rrezikshëm e tepër larg për moshën e tyre. Fshati kërkoi me insistim të ngrinte vullnetarisht godinën e shkollës 8-vjeçare, duke kërkuar nga ne vetëm fonde për bazën materiale. Kur shkolla e bukur dykatëshe mbaroi, kish kaluar andej sekretari i parë dhe në vend të urimit, që fshati ta gëzonte shkollën, kish thënë: “Shefi ynë ia paska bërë pallatin dajos”. Ja pra, ky ishte vlerësimi... vlerësimi i atij që dy vite më vonë do të ishte anëtar i Byrosë Politike.

Pyetja e pestë:  Po ju, a ishit atëherë anëtar i partisë?

Nuk isha, megjithëse babai im më lutej gjithnjë të bëhesha komunist si ai. Asnjë nga shokët e mi të punës në universitet nuk ishte në parti. Secili vinte re dallimin mes atyre që ishin dhe atyre që nuk ishin në parti. Por, të them të drejtën, pas disa viteve në Përmet, mendova të bëja lutjen për pranim. Arsyeja ishte thjesht pragmatike. Sepse dihej që puna jote mund të diskutohej e të vlerësohej në organizatë e ti, në rastin më të mirë, mund ta merrje vesh në mirëbesim nga ndonjë shok, duke i dhënë besën atij se nuk do t’ia nxirrje emrin. Vërejtjet që mund të bëheshin atje shkruheshin nëpër dosje si karakteristika pune dhe të ndiqnin nga pas kudo që të shkoje. Po të ishe anëtar, nuk mund të lije asgjë të kalonte pa u sqaruar. Ja ta konkretizoj. Isha ulur një ditë në shkallët e stadiumit të basketbollit pranë konviktit, për të parë fëmijët që luanin në fushë. Më afrohet një nga shokët e mi dhe më pyeti se kush ishte ajo vajza me flokë aq të gjata, me bluzë të verdhë e me kordele të bardhë. Pse, e pyeta, ti nuk e njeh djalin tim? Dëgjo, më tha, sapo je diskutuar në organizatë për manifestim të hapur të shfaqjeve të huaja në qytetin tonë, se po jep shembull shumë të keq si kuadër i komitetit ekzekutiv dhe se djali yt paraqet rrezik të molepsë edhe fëmijët e tjerë të kopështit. Erdha me vrap të ta them. Nëse e dëgjove mirë, mendo seriozisht që unë nuk të kam thënë asnjë fjalë sot. Ika,- më tha. Faleminderit,- i thashë.

Pyetja e gjashtë: Po lutjen për t’u pranuar në parti a e bëre?

Natyrisht, gjeta edhe dy garantët që duheshin, por pasi u bë mbledhja, njëri prej tyre më tha se në mbledhjen e organizatës e kishin vënë edhe atë para përgjegjësisë, si komunist të mefshtë, që dobësonte luftën e klasave. Unë nuk mund të pranohesha në parti. Garanti më tha arsyet, që lidheshin përsëri me dajon, por m’u lut ta kuptoja mirë që nuk më kishte thënë asgjë më shumë sesa përgjigjen negative të lutjes që kisha bërë.

Pyetja e shtatë:  Të shkuara, të harruara, por ndonjë urim për lexuesit, çfarë do të na thoni?

Harresa e të këqijave nuk është e mirë, nëse nuk ke nxjerrë mësimin e duhur prej tyre dhe nuk i lejon të përsëriten. Këtë ende nuk e kemi bërë si duhet. Me një fjalë, nuk jemi pastruar plotësisht e të vihemi të gjithë, krahë për krah, në një front, në frontin e punës së ndershme dhe të jemi tepër rrigorozë, pa asnjë tolerancë e pa pikë subjektivizmi në zbatimin e ligjit.

Lexuesve u uroj të bëjnë të tyren gjithçka të mirë që ua dëshiron zemra, me punë dhe vetëm me punë të ndershme, në të mirë të së ardhmes së brezave që na pasojnë.

Intervistoi Kujtim Mateli.
Reichenau, 5 tetor 2014



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora