E marte, 23.04.2024, 09:09 AM (GMT+1)

Mendime

Kim Berisha: Mërzia nuk e heq mërzinë!

E enjte, 13.11.2014, 08:06 PM


Mërzia nuk e heq mërzinë!

Nga Kimete Berisha

Kur mbetesh i vetmuar, pa shokë, pa mbështetje, pa pare, i braktisur ose i lënë, i refuzuar o i dëbuar, i pashpresë e i pafuqishëm, të gjithë presin nga ti të rrëzohesh, të biesh në dëshpërim, të kalosh ditën në gjumë, natën ta kalosh rrugëve, o i mbyllur në shtëpi e i vdekur në mendime, i dehur e i humbur, i dëshpëruar e i pashpresë.

Po, koha më e mirë për t'i lënë veset e këqija është koha kur ti je më së keqi, dhe bash atëherë kur të gjithë të shohin të 'mundur' ti vendos të mbijetosh dhe e privon veten edhe nga 'ngushëllimi' që kujton se e gjen në cigare.

Kur mund të jetosh pa dashuri, mund të jetosh pa të gjitha 'sëmundjet' e tjera të varësisë. Se edhe nevoja për të qenë i dashuruar është një lloj 'sëmundje' shpirtërore e varësisë nga dashuria, vet fakti se dashuria na plakë duke na lënë me mend të fëmijëve.

U bë një vit kur e kam ndezur cigaren e fundit.

Cigaren e fundit e kam pirë në varreza.

E kam zgjedhur këtë vend për ta fikur cigaren e fundit, jo si simbolikë e një fundi, por si simbolikë e një premtimi që e kam dhënë.

E kam pasur më lehtë ta lë duhanin, për shkak se kam premtuar se do ta lë, dhe këtë premtim e kam realizuar para varrit të atij që i kam premtuar.

Manuali im për lënien e cigares:

1. E bën njet për hir të dashurisë, për hir të atij që më së shumti e do. Ata që janë prindër e kanë më lehtë, se mund ta bëjnë njet për fëmiun e tyre!

2. Pasi që e bën njet, e mendon një datë kur do ta lësh cigaren. Është me rëndësi që kjo datë të ketë një domethënie të madhe për ty; Nëse e zgjedh datën që e kujton për të keq, atëherë ky është rasti që ta bësh atë datë të ta kujtoj edhe një vendim të mirë. Unë e kam zgjedhur datën 29, si numër që ma ndryshoi jetën pergjithmonë.

3. Rregull e artë është që të mos i bësh vetes presion, pra ta lësh duhanin në proces, duke reduktuar ditë për ditë numrin e cigareve.

Çdo vendim është proces, prandaj edhe ty të nevojitet kohë që ta kuptosh vendimin që do ta marrësh dhe është me rëndësi të të duket se vullnetarisht po heq dorë nga një ves i keq, sesa që je i shtyrë nga shkaqe të tjera.

4. Duke pirë cigare pas cigares, dhe i vetëdijshëm se së shpejti do ta lësh cigaren, ti preukupohesh se si do të kalosh kohën pa 'shokun' e vjetër. Pyet veten e të afërmit: a pihet kafeja pa cigare! Pas ushqimit si do të duroj pa cigare! E në gishta, në vend cigares, çfarë do të mbajë!

Më vjen gjynah prej vetes tani kur e kujtoj se sa seriozisht e merrja dilemën 'qysh do t'ia bëjë pa mbajtur diçka në dorë'.

5. Të ndihmon nëse i analizon njerëzit që e pinë duhanin. Ashtu siç hanë bukë njerëzit e ndershëm dhe kriminelët, ashtu e pinë duhanin edhe njerëz të ndershëm e të suksesshëm, edhe kriminelë, vrasës, të droguar e të dëshpëruar.

6. Përhape mes miqsh lajmin për datën që ke vendosur ta lësh duhanin. Nëse ke fat të të bashkangjiten edhe miq apo familjarë tjerë, atëherë kjo luftë e madhe kthehet në lojë, bëhet interesante, fillon gara mes jush për të parë se cili është më i vendosur dhe cili e ka karakterin më të fortë.

Unë e kam përjetuar këtë garë për ta realizuar betimin e dhënë dhe në fund, në të njejtën ditë e kemi lënë duhanin disa miq e familjarë së bashku, përnjëherë.

Ata ta besojnë ty-ti ua beson atyre dhe gjatë muajve në vijim rrini vazhdimisht duke e pyetur njëri-tjetrin se 'sa po duron pa duhan'.

7. I thyen të gjitha shpuzoret, e pin cigaren e fundit dhe fillon një rrugë ku të gjithë dyshojnë në ty dhe s'të mendojnë dot pa cigare në gojë. Shumica nisen nga vetja dhe janë të bindur se do të durosh sa të durosh dhe pastaj sikur shumë veta do t'i kthehesh vesit të vjetër.

8. Të ndihmon shumë kokëfortësia dhe inati. Dhjetë ditët e para prej kafesë së mëngjesit e deri te çaji i gjumit më rrinte mendja te cigaret. Nuk ndjeja nevojë për tym, por për ndjeja nevojë të isha ajo që kam qenë para disa ditëve.

9. Të merr malli të pish duhan aty ku e ke pirë më së shpeshti, si mua, në veturë dhe nëpër kafiteri e restorante. Por mua më ndodhi të më binte në mend për cigare edhe gjatë pushimit jashtë vendit. Në bjeshkë apo në det, dita e parë e pushimit më kalonte duke menduar edhe për cigare, e pastaj të nesërmen çdo gjë dukej normale, edhe pa cigare.

10. Shumë duhanpirës dhe shkenca thotë se pasi e lë duhanin gjkthkush shton peshë, për shkak se nga stresi han e pin pa kontroll. Mua më ka ndodhur e kundërta. Kam humbur kilogram dhe e kam arritur peshën e shkollës së mesme, pa dietë dhe pa dashje.

11. Duhani ta fryen barkun, sikurse përtypja e çamçakëzit, sepse duke thithur cigaren fut ajër të tepër në trupin tënd, prandaj kur e lë duhanin mahnitesh me barkun tënd të rrafshët.

12. Muajt kalojnë, pastaj të duket vetja sikur nuk ke pirë kurrë duhan. Ndjehesh superior ndaj atyre që e pinë. Askush s'ta thotë por në vendimin tënd për ta lënë duhanin të gjithë duhanpirësit ta kanë lakmi.

Kur herët në mëngjes dhe gjatë ditës në pauzë sheh punëtorët burra e gra duke pirë cigare para dyrve të bankave, postave e institucioneve, në ajër të ftohët e me do filxhana të plastikës në dorë, të duket pamje e mjerë, dhe mburresh me veten që nuk je pjesë e atyre njerëzve që nuk dinë dhe nuk mund ta lënë duhanin, siç ke ditur dhe ke mundur ti.

13. Mos u bë i mërzitshëm ndaj atyre që e pinë duhanin. Mos u komplekso, shikoje drejt në sy atë që përballë teje e ka ndezur cigaren.

Mua më ka ndodhur që prej se nuk e pi duhanin, të neveritem nga kafiteritë dhe restorantet. Për 1 vit s'di a kam qëndruar 3-4 herë nëpër kafiteri, edhe atë nga 20 min.

Njëherë s'e heton, por pas një viti të pengon jashtëzakonisht shumë kur dikush e ndez cigaren në praninë tënde edhe në natyrë, ku të duket se tymi i një cigareje e mund dhe e fëlliq edhe qiellin.

14. Mos prano, në asnjë mënyrë të ndezësh asnjë cigare nga miku që ta ofron 'vetëm një' cigare, sa për të thënë. Në fakt, miku i vërtetë e respekton vendimin tënd dhe nuk të ofron cigare e as nuk e pi në praninë tënde.

15. Sa më përket mua, unë ndjehem sikur kurrë s'kam ndezur cigare në jetë. Kam mëkatuar me vetveten. Unë e kisha harruar se buka ka aromë, se molla ka aromë, se kafeja ka aromë. Se, dheut i vjen era.

Para bukatores, ndalem disa çaste veç për të marrë aromën e bukës, që është aromë që të bën të ndihesh i ri dhe i lumtur. Aromë që ta kujton mallin për nanën, gjyshen për shtëpinë e vjetër të fëmijërisë.

Atë që ka menduar ta lë duhanin e siguroj se kurgjë s'të gjen kur e lë duhanin.

Veç e kupton se duhani s'ta heq mërzinë.

Se varësia është dashuri që shndërrohet në urrejtje dhe në neveri!

E sheh se qetësia shpirtërore arrihet me vendimin tënd për t'u qetësuar.

E kupton se cigarja nuk të ka qetësuar kurrë. Përkundrazi, të ka bërë të dukesh dhe të jesh nervoz. Ata që pinë duhan ne i shikojmë si njerëz të shqetësuar e me probleme!

Mbi të gjitha, pasi e lë duhanin e kupton se

Mërzia nuk heqet me mërzi.



(Vota: 2 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora