Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Saro: Kodi i vjetër i patetizmit

| E enjte, 13.11.2014, 10:00 PM |


Kodi i vjetër i patetizmit

Nga Vangjush Saro

Ndonjëherë, qasja në disa tema sociale delikate, është më shumë se e domosdoshme. Kohët e fundit, na duket se jo vetëm mendjemadhësia, kapadaillëku, gjaknxehtësia dhe provincializmi - të meta që i kemi analizuar edhe më parë - janë të vetmet dukuri e cilësi që për fat të keq i “frymëzojnë” dhe iu kaplojnë mendjen dhe zemrën vend e pa vend një pjese të mirë të qytetarëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit. Vihet re, e sidomos kohët e fundit, se edhe patetizmi po shfaqet si një prej dukurive më negative e deri diku shenjë prapambetjeje, që dukshëm u ka kapur ditën e çastin njerëzve tanë: qytetarëve të thjeshtë, nëpunësve të administratës, politikanëve, jo më pak edhe njerëzve të kulturës. Patetizmi është ngutje, klithmë, mburrje, kanosje, mungesë ekuilibri; të gjitha këto në kurriz të mendimit, që do të duhej të prevalonte në tema të vështira e në trajtime të përgjegjshme.

Koha është që të kuptojmë mirë pozicionin tonë qytetar, si njerëz të lirë, por njëherësh aspak (dhe s’ka pse) si anarkistë. Por ja që detaje të panumërta na shpien te terma të tillë. Kështu, nuk është e vështirë të konstatojmë se për çdo ngjarje, një shumicë njerëzish, për fat të keq edhe gazetarë e publicistë të njohur, hidhen menjëherë përpjetë si të ndërkryer dhe janë gati të thonë fjalën e fundit: kundër atyre që drejtojnë sot administratën shqiptare, kundër intelektualëve që përpiqen të gjejnë një ekuilibër për të mos i rënë “fyellit në një vrimë”, më në fund edhe ndaj fqinjëve, me të cilët natyrshëm duhet të takohemi, të flasim, të themi mendimet tona, të shprehim pikëpamjet perëndimore që duket se janë mbizotëruese tashmë në mjedisin shqiptar.

Me shqetësim, po shohim se si nga koha në kohë gjërat përkeqësohen pikërisht për shkak të përdorimit të kodit të vjetër të patetizmit: sjellje armiqësore ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj emrave e shtresave të caktuara (si dikur); thirrje gjojanacionaliste duke ofruar në publik ca dokumente të rastësishme e të paverifikuara e ndonjëherë harta të vjetra e nostalgjike, deri edhe shkrime gjithë prepotencë, me çka po bëjmë një figurë të keqe në disa rrjete e media, etj. Perëndimi dhe Evropa e Bashkuar nuk kanë nevojë për ekstremistë; pra, le të përmbahemi. Sidomos në atmosferën politike, kodi i patetizmit vepron sheshit; në këtë fushë, edhe sot e gjithë ditën, ka ulërima me shumicë. Askujt në fillim të viteve ‘90 nuk ia priste mendja se edhe pas një çerek shekulli nga ndërrimi i rendit, ne do të vazhdonim të artikulonim vend e pa vend fraza të vjetra bolshevike e do të bërtisnim për protesta e revolucione, shprehje që në të vërtetë na ndajnë nga bota e qytetëruar.

Po përpiqemi të cekim më mirë terren. Në një shkrim të mëparshëm, jemi përpjekur të analizojmë disa deklarata e thënie pa kripë të kryetarit aktual të opozitës, z. L. Basha në zhvillimet ekonomike në vend. Me atë vëzhgim, përpiqeshim të sillnim në vëmendje të lexuesve faktin që të njëjtat shifra mund të interpretohen në mënyra të ndryshme. Opozita ka në gjirin e vet jo pak ekspertë të ekonomisë, madje me përvojë në administratë dhe në Parlament e në luftën politike, si R. Bode, G. Ruli, Gj. Bojaxhi, Gj. Uldedaj, S. Hida, etj. Pra, përpara se të flasë në një fushë ku nuk ndjehet shumë komod, kryetari i opozitës duhet të shkëmbejë mendime me ekspertë të tillë, përndryshe ai përsërit slogane të thëna qindra herë, kohë e pa kohë, edhe kur ishte vetë në pushtet; por assesi nuk sjell në skenë ndonjë gjë të re. Përkundrazi, ofron vetëm demagogji dhe njëlloj zemërimi fals, sa për të mbajtur ngrehur të vetët; shikoni se unë po e sulmoj qeverinë. Më në fund, sjell njëfarësoj revolucionin… përderisa ngul shkul, flet për protesta. Ky qëndrim, është thjesht patetizëm; nuk i ndihmon shqiptarët, as edhe vetë opozitën.

Po në këtë vështrim, vijnë e formëzohen si patetike dhe aspak të mbështetura në qytetari, një sërë qëndrime të shkruesve të ndryshëm dhe politikanëve për ngjarjet më korente. Z. A. Bumçi do të deklaronte përpara vizitës së kryeministrit E. Rama në Beograd: “Rama të mos flasë në emër të të gjithë shqiptarëve.” Më e pakta, në këtë rast do të kujtonim thënien e një personazhi të U. Shekspirit: “Ky djalë s’dika pikat se ku vihen...” Nuk ka asnjë kuptim që një politikan pak a shumë me përvojë, sadoqë në vështrimin tonë i pasuksesshëm dhe gjithnjë nën hijen e të tjerëve, të nxjerrë goje deklarata të tilla të papërgjegjshme. Natyrisht, nuk ka pse të bëjmë ditirambe për atë vizitë, sikundër duhet vlerësuar për aq sa ajo mbërriti. Por, me lejë, në cilin shekull jemi që vazhdojmë të frymëzohemi prej armiqësish të paqena! Në emër të kujt duhej të fliste kryeministri? Në emër të partisë së vet? Në emrin e tij personal? Kjo do të vinte në kundërshtim me Kushtetutën. Kujt i hyn në punë zilia, urrejtja, padija, ç’të jetë, e një zotërie që përfaqëson opozitën? Pra, ka ardhur koha të mos flitet më kështu, në mënyrë patetike, pa përgjegjësi, fundja edhe pa qytetari.

Që të mos i biem anës e anës, ka megjithatë, edhe në opozitë, njëlloj përpjekje për më shumë ekuilibër e realizëm. Na ka bërë përshtypje së fundi qëndrimi i z. A. Patozi në disa nga temat e vështira që janë shfaqur përpara opozitës së sotme. (Nuk e di çfarë po pret ajo për të reflektuar.) Fjala e A. Patozit në lidhje me dorëheqjen e deputetes socialiste L. Xhuvani, pas përfshirjes së të birit, për të dytën herë, në një krim ekstrem, ishte e përmbajtur dhe e drejtë. Duke respektuar hallin e madh të koleges, ai analizonte fenomenin e përzgjedhjes së deputetëve me anësi, sipas njohjeve vetiake të kreut të partisë, si dhe duke i përsëritur mandatet pa qenë nevoja dhe pa u ballafaquar me vlerat reale dhe me kontributin real politik; në tërësi dhe veçmas për protagonisten në fjalë. Në rastin e dytë, atë të vizitës së kryeministrit E. Rama në Beograd, sërish opinioni i opozitarit A. Patozi ishte i ekuilibruar, duke folur si një njeri me këmbë në tokë, pa patetikë dhe zemërim partiak.

Rruga më e mirë për t’i ikur patetikës, është zgjerimi i vështrimit mbi problematikat e sotme shqiptare dhe ballkanike. Duke thirrur pareshtur për më shumë mirëkuptim, le të kujtojmë vargjet e mrekullueshme të poetit dhe patriotit të madh Gjergj Fishta: “Pse shqyptarëve asht tue m’u ba,/ s’u vjen gjuha tjetër gja,/ veç me pshtjellë e me ngatrrue, për shoshojn veç me shprrallue, punët e mbara me i shkatrrue...” (Nakdomonicipedija). Nëse shumë syresh frymëzohen nga të tjera motive jashtë halleve që përjeton Shqipëria, atëherë opinioni publik dhe mediat duhet të jenë aq në gjendje sa t’iu tregojnë kufirin te thana. Gjithsesi, realitetit shqiptar i lipsen sot qëndrime të ekuilibruara dhe mendje të ftohta, e jo individë të shtirur, që bëjnë sikur “paskan vdekur” për atdhe e për vatan, por në shumicën e rasteve vijnë nga një e shkuar e turpshme; dhe për më tepër “mendimet e tyre zor se ngrihen më lart se laureshat” (siç thotë diku një personazh i Ç. Dikens). Nuk na vjen për mbarë të përdorim tani terma si komunist e ku di ç’tjetër; por shpesh shohim se si ata më pedantët dhe Lej Fenët e së shkuarës, përpiqen të duken modernë e demokratë, duke përdorur një mjet e kod dalëboje tashmë si patetizmi qesharak.