E hene, 25.10.2021, 11:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: ''Të jenë fajtorë pa faj''

E merkure, 12.11.2014, 08:05 PM


‘TË JENE FAJTORË PA FAJ...!?’

tregim

NGA KRISTAQ TURTULLI

- Ju a thashë zotëri, një fill i hollë, tmerrësisht padukshëm, ndan pafajësinë prej fajësisë...Ju lutem, mos qeshni,- Pano ndërpreu fjalën në mes dhe fshiu me nervozizëm lagështirën në gropëzën poshtë syrit të majtë.

Doja ti thosha, s’ qeshet me një bisedë kaq delikate, por heshta. Pano qëndroi një hop i tendosur, në përgjim, të zbulonte te unë ndonjë bezdisje, dyshim, rritim apo nënqeshje ironike. Qëndrova pa lëvizur, i mbërthyer në stolin e drunjtë. Përgjimi i tij ish ngjitës si tutkall, aq sa s’më bëhej të merrja prej tavolinës gotën me lëng limonade. Ai fërkoi qafën si patok pas jakës së këmishës dhe picërroi sytë. Balli me rrudha iu mbush me djersë,e fshiu me pecetë e pistë. Vështroi i pasigurt rreth e rrotull dhe mërmëriti:

-Kam nevojë të shpjegohem.

-Shpjegohu,- i thashë.

Gjeta rastin dhe piva një gllënjkë të madhe me lëng limonade. E njihja prej vitesh Pano Vorbullën, si vendas i qytetit juglindor. Përshëndesnim njëri tjetrin në rrugë me lëvizje të shpejtë të kokës, por nuk qenë miq. Ai qe më i madh se unë në moshë dhe s’dija shumë gjëra për të. Kishim vite që nuk ishim parë. Përgjatë oscilacioneve të ndryshimeve, shumë përrenj rrodhën në mëmëdhe. Një ditë më morri në telefon dhe kërkoi të takoheshe dhe të bisedonte me mua. Befas mu shfaq përpara syve, i rrudhur, i kërrusur, i fishkur.

Pano më vështroi me pendesë dhe tha:

- Jeni më i ri se unë dhe shkrimtar. E dini mirë se jeta është një djall e gjysmë, e korkolepsur, lidhet, ngërdheshet  me hallka të dukshme dhe të padukshme. Të gjallët kanë hallkat e lidhjeve të ndërsjella, të varura dhe të ndërvarura. Të vdekurit kanë hallkat e padallueshme të shpirtrave, të cilët janë bërë një me erën...

Pano piu limonadën me neps, fshiu buzët me shpinën e dorës, mori frymë thellë pastaj vazhdoi:

- Në vitet e para të pas luftës së dytë zbritëm në qytet prej fshatrave të thella të Oparit. Babai bleu tokë dhe ndërtoi shtëpi rrëzë kodrave të Buçimës. Përfundova dy vjeçarin e profilizuar dhe më caktuan të punoja në fshat. Prindërit më vdiqën herët. Mbas disa vjet pune në fshatrat e fushës, më në fund u caktova ekonomist në ndërmarrjen e grumbullimit. Jeta rrodhi në monotoni, rutinë; shtëpi, punë, gjumë. Rrallë ndonjë kafe me shokët në lokalin e Tikut dhe shumë rrallë birrë, vetëm kur vapa të zhuriste dhe gjuha të thahej.

S’ka laraskë pa bisht dhe s’ka burrë që të mos ngjitë pas një femre. Lorenën e njoha rastësisht në një mbrëmje vallëzimi. Trupi i saj i butë, i bëshëm, me erë të këndshme mu ngjit mbas trupit, më ndezi. Kërcyem gjithë natën së bashku. Kur e përcolla për në shtëpi ishte ftohtë, mes dhjetori dhe ne bëmë seks të zjarrtë në shkallët e pista të pallatit. Mu tipos në mëndje se Lorena qe femra më e ngrohtë në botë. U martuam, por ime shoqe ishte e shtënë pas prindërve të saj pleq dhe më së shumti pasditen e kalonte me ta. Kur kthehej në shtëpi më dukej si e fryrë prej mllefit dhe fillonte grindej për një fletë presh. Nuk i ktheja përgjigje, për të mos e acaruar situatën merresha me macen qimebardhë, Pisika. Macja shtriqej kur kruaja kokën, rrëzë veshit.

Lorena qëlloi barkthatë, s’më dhuroi fëmijë. Por ajo tok me prindërit dhe gjithë armata e krushkave dhe krushqve, ma hidhnin mua fajin për mos mbarsjen e gruas. Hëm, kur vetë Lorena më kish thënë se kur ish e vogël vuajti rëndë nga sëmundja e lisë së verdhë. Nuk ish vetëm kjo, ta themi midis nesh, gruaja më tradhtonte fshehtazi në muzg, me Viktorin, shefin e kuadrit. Këtë ma shtiri në vesh Takja shitësi i karameleve, i cili gjoja si me shaka, më tha se Lorena hutohet shpesh, pakujdesish ngatërron rrugën e shtëpisë sime me rrugën që çon në shtëpinë e Viktorit.  U ktheva vrulltas nga Takja e pashë me inat dhe i bërtita: ‘Mbylle grykën Take fenda se ti bëra hundët përshesh.’ Ai qeshi, e dinte mirë, nuk isha nga ata që bëja hundët përshesh.

Dyshoja edhe më parë në pabesinë e Lorenës. E përgjova  dhe e zbulova, shtëpia e Viktorit ish strofull seksit e saj. Kafshova buzën dhe u drodha prej marazit. Lorena e kërkonte me ngulm hakmarrjen e mbarsjen. E vinte veten në provë. Viktori qe feminist i madh dhe beqar i stacionuar. Vite më parë e akuzuan për marrëdhënie seksuale me bardhoshen Sanie, kosovaren e bukur, të cilën e përlau, qysh kur ajo ish pesëmbëdhjetë vjeçe, fill pas futjes së Halitit, babait të saj në burg, Unë e dija mirë që isha burrë dhe për inat iu qepa pastrueses të zyrave arixhofkën Xixe, gruas së karrocierit të komunales, çakërrit Remi.  Nuk gjeta tjetër dhe ajo s’ta mbushte syrin, trupin e kish të shqyer si patë. Ish e pistë dreqi, por në seks të përlante, të bënte pestil. Bëra disa kacafytje të rrëmbyera me të, më fuste mes këmbëve dhe më pëshpëriste, ‘kolopuçi i Xixës, ke nevojë për pelë mbarsë.’ Vonë më tha, se fara ime ishte ngjitëse dhe po të kisha gjetur një arë pjellore do të kisha bërë një rreth me kalamaj. Sa fëmijë ke ti Xixe? E pyeta. Katër, më tha ajo, dhe të pestin e kam këtu në bark. Ajo më shkeli syrin, por unë nuk guxoja ta pyesja në e kish me mua apo me Remi çakërrin. Fillova ti shmangesha, ajo më dilte përpara me barkun si tullumbace. Me mua e ke Xixe, të drejtën më thuaj, i pëshpërita një ditë kur hyra në banjë. Gjeje, ma priti ajo, por mos u tremb, Xixe e ka një burrë, Remin dhe nuk jam nga ato që marr më qafë të tjerët. Gruaja e fut shejtanin në shishe, por  jo unë, Xixe, jam e shtruar, jo si arixhofkat e tjera, që të vënë kazmanë. Të jesh i qetë, ta lashë dhe të shkriva se më dhimbseshe. Dhe dëgjo, nuk kemi më punë bashkë. Nuk mora vesh se çfarë lindi, djalë a vajzë, sa morri lejen e barrës nuk u kthye në ndërmarrje. Xixe iku andej nga bregdeti dhe nuk u pamë më.

Pano buzëqeshi si me turp dhe kroi çaçkën e kokës.

Eh! Ç’ti bësh! Koha të qullën dhe të bën helaq! Tashmë të gjitha këto të duken hollësira banale, sa të vjen pështirë. Tani unë dhe Lorena jemi pleq me huqe dhe me shumë vështirësi i ngrohim këmbët te njëri tjetrit ngaqë na qëndrojnë gjithnjë të ftohta.

Të jem i sinqertë nuk mund te ndahesha prej Lorenës. Më trembte hakmarrja primitive e familjes dhe rrethit të gjerë fisnor dhe shoqëror. Le të vazhdonte rrëkeja e jetës, hiq e mos e këput. U mësova me këtë mënyrë jetese, ndjehesha komod. Macja qimebardhë më çlodhte, dhe së bashku ndiqnim në kohë të lirë filmat vizatimore: Tomi dhe Xheri. Maces i pëlqenin filmat vizatimorë, shastisej dhe lëvizte me shpejtësi veshët e mustaqet. Ke parë ti, një herë më doli Xixe në ëndërr duke zbardhur dhëmbët dhe mbajtur në krahë një burrë. Xixe ç’e ke atë mashkull në krahë? E pyeta. Ajo hapi këmbët dhe zbardhi dhembët. Është shëmbëlltyra jote, më tha. Mos u tall Xixe, shko gremisu! Jo nuk tallem, këmbënguli ajo. I thashë të afrohej më pranë për të dalluar më mirë. Xixe nuk dëgjoi, iku dhe unë u solla vërdallë nëpër mjegull. E kërkova edhe herë tjetër Xixen të më vinte në ëndërr, me siguri ishte e zënë shumë me mashkullin që mbante në krahë. Duhej të më kish harruar. Kurbatka vithe dalë më la vragë në shpirt...

Si për dreq qetësia rutinë mu prish një pasdite vjeshte me shi. Pikat e shiut pikonin në strehë me zhurmë monotone. Qëndroja shtirë në divan, më vinte për gjumë, ndërsa macja gërhiste në pëqi. Dëgjova trokitje të lehta në derë. Vështrova një hop piklat mëdha të shiut që rridhnin në xhamin e dritares dhe nuk më bëhej të ngrihesha. Lorena si zakonisht qëndronte tek ‘prindërit,’ të atin e kishte zënë përdhesi. Ishim bërë të huaj për njëri tjetrin. Ajo vinte, zhvishej dhe hynte në shtroja. Unë përpiqesha ti kryqëzoja këmbët me të por ajo më shtynte me mërzi. Isha gati ti bërtisja në fytyrë:

’Buçë e dreqit, je ngopur me Viktorin pa më shtyn kështu.’ Flakja mbulesën, ngrihesha prej shtratit,  ulesha në divan, macja më kërcente në pëqi. Hapja televizorin dhe ndiqja emisionet e mërzitshme televizive për Kongreset, të mbjellat, të korrat, aksionet dhe çetat vullnetare. Kërkoja me ngulm Tomin dhe Xherin, kur më lodheshin sytë mbyllja dritën dhe flija në divan.

Postieri më zgjati një zarf të verdhë me katër vula katrore dhe dy pulla të mëdha. Nuk isha mësuar me këto salltanete vulash të njoma dhe aq më shumë katrore. E mbajta zarfin e verdhë një copë herë në duar pa guxuar ta hapja. Lashë mendimet  të bridhnin në shtegun e enigmës. Me përtesë e hapa. Letra vinte prej Katër Pallacinat e famshme të Degës së Punëve të Brendshme. Nga foleja e grerëzave. Një tjetër e quante rrethi i nëntë i ferrit të  Dantes. Letra kërciti në gishtat e mi, shkau dhe ra përdhe. Përnjëherësh pësova pështjellim dhe hutim. E ngrita me nxitim dhe vështrova përreth, mos më kish parë kush. Qesha me trishtim. Isha vetëm në dhomë dhe macja qe mbledhur kutullaç në qoshe të divanit. Përse vallë më kërkojnë në atë ngrehinë të tmerrit? Vetëm sa të afrohesh aty pranë, apo ta parakalosh atë Bllok të zymtë, hijerëndë të krijohet ankth dhe frikë dhe jo më të hysh brenda, me çfarëdo arsyeje. Të duket sikur aty gjen mister dhe ankth. Nuk u besoja syve. Mos ish lajthitje e postierit dhe trokiti gabimisht në derën time? Emri dhe mbiemri im ish shtypur me germa të mëdha, me makinë shkrimi. Në fund të letrës gjoja si rastësisht shkruhej:

’Mos paraqitja në datën dhe në orën e caktuar të vë përpara përgjegjësisë dhe ligjit.’

Jeta modeste pa pretendime më shtynte të hamendësoja në monopatin e errët të hutimit. Nga e gjetën emrin tim. Unë nuk jam dalluar asnjëherë për bamirësi por e as për keq. Nëpunës shteti, ekonomist me pagë mesatare, rrogëtar i rëndomtë. Një herë në vit marr ftesa për mbrëmjen e vitit të ri. Lorena vjen me bezdi, kërcen pa e pasur mendjen dhe më duket sikur i vështron meshkujt sikur do ti pijë. Një herë u pi. U detyrova ta mbaja në krahë deri në shtëpi. Gjatë rrugës më pëshpëriste në vesh. Pano, keq më vjen, por duhet ta them, nuk je burrë për të qenë, shtrydhe tullumbin, shiko si jam, hamshore, të gjithë mua më shikonin aty në mbrëmje. Më vinte ta plasja në rrugë dhe t’ja mbathja. E përmbaja veten, si ktheja përgjigje. Vajtëm në shtëpi. Më thirri të bënim seks në shtrat, por më volli në gjoks dhe në dyshek. Nuk i kam bërë keq as mizës që zhuzhuritën nëpër dhomë dhe miut që hyn tinëzish nga një vrimë e vogël krijuar në cep të murit. Më kanë hyrë në pjesë Viktori, e ndonjë tjetër që nuk e di. Eh, lere mos e nga!

Gjumi mu arratis prej ankthit. Kujt ti hapesha, ti tregoja për letrën mynxyrë, Lorenës, hëm, më mirë të vija një mikrofon në krye të rrugicës, ta merrte vesh e gjithë mëhalla. Ajo do më ulërinte në fytyrë dhe si gjithnjë do ikte. Ajo ishte si e verbër, nuk dallonte ndryshime në veprimet e mia të çakorduara. Isha i vetmuari i botës së madhe, ndërsa thirrja, paraqitja e papritur në Degë më kërcënonte.

Oficeri i shërbimit, një hundëmadh, me puçrra në fytyrë, më vështroi me dyshim që nga koka deri në këmbët dhe me ton të ashpër, aspak miqësor, më tha të prisja. U rrëqetha. U ula në fund të stolit në cep, mblodha gjunjët dhe kryqëzova duart. Tëmthat më rrihnin me vrull prej frikës së pritshme. Duhej të duroja dhe të mos nxirja gjysmë fjale. Zemra më kërcente në gjoks. Nuk kisha bërë asgjë të ligë.

Solla nëpër mend aktivitetin e përditshëm, bisedat e zakonshme, asgjë për të dyshuar dhe të pamenduar. Shtëpi, punë, gjumë. Leximin e gazetës: ‘Zëri i Popullit.’ Ju e dini. Komentet e përditshme për ndeshjet e futbollit, diskutimet për kooperativat e tipit të lartë, rezultatet e larta në misër dhe grurë dhe asgjë më tepër për të shënuar. I matur, i kujdesshëm deri në robotëri, mungonte vetëm kurdisja pas shpine. Nuk mund të dilja prej lëkurës sime dhe është gjë e mirë. Vetëtimthi më shkoi mendja tek të afërmit të mi, mos kishin llapur dhe bërë ndonjë budallallëk.

Prej thellësive të nëntokës dëgjoja të bërtitura dhe rënkime rrëqethëse. Më ngjetheshin mishtë. Nga ma gjetën emrin dreqi ta hante, kur nën dhe kufomat ulërinin. Mos e bënin kastën për të më kallur datën? Muret shkundeshin, oficerët dhe punonjësit civilë të sigurimit të shtetit hynin dhe dilnin. Ndaleshin një moment më hidhnin vështrime zhbiruese, vendosnin duart në brez ku gjendej arma, e tundnin e shkundnin, përplasnin derën dhe iknin. Sa shumë oficerë dhe punonjës civilë kishin Pallacinat e degës së punëve të brendshme! Më qullej shpina prej djersëve. Në krahun e majtë dëgjohej ritmika cingëritëse të makinës së shkrimit. Numrat metalike të makinës së shkrimit godisnin jo mbi letër por mbi trurin tim të lodhur.

Vonë, oficeri i shërbimit, hundëmadhi me zë autoritar më thirri emrin. U ngrita menjëherë si me sustë. Oficeri më pa edhe njëherë që nga koka deri në këmbët, rregulloi koburen, e tundi e shkundi, më kontrolloi edhe njëherë dokumentet. U kollit rëndë. Hapi derën dhe më bëri me shenjë të hyja brenda. Një tjetër më priste, ky ish kockëmadh, ezmer si një gorillë, mëngë përveshur, më shoqëroi duke gromësirë në një korridor të ngushtë. Nuk dëgjoja ulërima, korridori i lagësht dergjej në heshtje e nderë. Gorilla më shtynte si pa mendje me bërryl dhe unë përplasesha pas mureve. Ecja dhe dëgjoja hapat e mia. Sa korridor i gjatë! Gorilla ma shpifi, më shtypte hija e tij. Më kontrolloi edhe njëherë dokumentet. Goja i mbante erë të rëndë.

-Uluni,- dëgjova.

U përmenda prej topitjes dhe vështrova rreth e rrotull. Më kishin futur në një dhomë trekëndore dhe unë qëndroja akoma i ngujuar tek dera e trashë, veshur me shtresë metalike. O Zot, çfarë të kem bërë që më futën në skëterrën metalike! Mos Lorenës i kish rënë në vesh mëndje shkrepja ime me Xixen dhe vendosi pa ceremoni të më hiqte qafe duke më raportuar në ferr? Po unë isha ombrellë e mirë për të dhe Xixe po tretej në mugëtirën e viteve.

-Uluni,- dëgjova përsëri.

Nuk mundesha, më dukej sikur gjendesha në mesin e një ure lëvizëse, që lidhte dy brigje të thepisura dhe poshtë në humnerë rridhte rrëmbyeshëm një lumë i turbullt. Lëkundja e urës së ndehur në katër litarë dhe dërrasat e lagështa më shkaktuan të dridhura në trup. Duhej të vendosja, të shkëputesha prej qendrës së urës, ku dërrasat kërcisnin dhe kish rrezik të thërrmoheshin prej peshës sime. Ata flisnin, unë s’dëgjoja gjë.

-Ne presim, - dëgjova zërin e trashë:- Është detyrë qytetarie...

Detyrë qytetarie, murmurita me vete. Detyrë muti. Sa gjëra thuhen dhe bëhen me fjalët standarde, detyrë qytetarie.

Lëviza qafën, dëgjova përsëri kërcitje. Ktheva kokën andej nga erdhi zëri. Mu  duk mjegullinë. Menjëherë e mblodha qafën si breshkë, por kokën nuk mund ta fshihja. Me pendesë lashë kokën të më ftohej prej rrymave të ftohta që turreshin prej dritareve të hapura. Dy duar të mëdha më kapën butësish prej krahëve dhe më ulën në stol. Prej erës së rëndë të gojës së tij më erdhi për të vjellë. Isha gati ti thosha, çfarë rrëke halesh derdhen aty. Kafshova gjuhën. Gorilla mezi priste të vinte në lëvizje panxhat e mëdha mbi trupin tim. Por edhe aty mu bë sikur nuk isha ulur në stol, gjendesha akoma në mesin e urës lëvizëse dhe gorilla më tundte mbi krye një topuz të madh. Ndër veshë dëgjoja zhaurimën e lumit të rrëmbyer që rridhte, dredhonte nëpër shkëmbinj me potere.

Ta marrë dreqi, përse nuk kishin ndërtuar një urë metalike, me kollonata betoni të qëndrueshme, të lehta për të kaluar dhe ta lejonin pikërisht në këtë birucë trekëndore, por një palo urë të tillë të shpifur, me litarë të ngrënë nga koha dhe dërrasa të kalbura. Ç’mund të bëjnë katër litarë të ronitur, të tendosur forcërisht deri në çmenduri dhe të lidhura me nyje në cepat e shkëmbinjve. Ja edhe litarët ndërmjetës janë të lidhura si hallka, ku nëpër to janë vendosur dërrasat gjysmë të kalbura. Dreq! Të pështira janë hallkat e litarëve edhe pse janë të domosdoshme e shërbejnë si nyje lidhëse mes dy brigjeve të thepisura..!  Hallkat e litarëve shërbejnë për varje, mjet i hershëm asgjësues. Nga u gjenda në mes të urës lëvizëse dhe topuzi i gorillës, i ndehur kërcënueshëm mbi kryet e mia. Të gjitha urat dridhen, si fatet e njerëzve, por kjo urë lëkundet për tmerr...

-Ne kemi besim, partia ka besim..,- dëgjova.

‘Ah!’ më foli zëri brenda vetes. ‘Kush thirret në folenë e grerëzave, besimi është nevojtore.’

-Vëzhgimi, vrojtimi, përgjimi, analizimi dhe raportimi janë pjesë përbërëse e përgjegjësisë dhe detyrës së qytetarisë.- Dëgjova të fliste i njëjti zë.

Ndërsa me vete shtova:’ Ndershmëritë janë në banalitete të pështira. Shkërdhatërira.’

Zëri monoton vazhdonte të fliste: me besueshmëri të lartë u përzgjodha prej listës më të mirëve dhe të besuarve. Vetë shteti, partia dhe qeveria mbështetet kryesisht në supet e njerëzve të përzgjedhur dhe të besuar.

Doja të flisja, të kundërshtoja, tu thosha: ‘Më lini në hallet e mija. Litarët e urës u lëkundën. Unë u dalldisa dhe zëri pranë veshit buçiti:

-Nuk duhet të kalosh kohën me macen dhe mendime bajate për tradhti bashkëshortore, dëgjove? Dije mirë, problemet shtetit dhe partisë janë shumë të mëdha.

Doja ti kundërshtoja, nuk keni të drejtë të hyni në çështjet intime. Ai si ti kish blerë mendimet e mia më foli thatë.

- Macja nuk është për tu mbajtur në prehër por për të zënë minj.

Mblodha shpatullat, i futa mes supeve, i kisha të zbuluara. Ai vazhdoi:

-Personi që mendohet ta mbani në përgjim, ka një dosje të plotë, të detajuar. Mos beso ajo që duket, por ajo që kërkohet, që fshihet...

-Unë nuk thashë se pranova,- mërmërita.

- Pyetjet në fund,- ma preu zëri ashpër dhe vazhdoi.- Siç ju thamë, personi ka aktivitet të dyshimtë dhe duhet të vihet nën mbikëqyrje. Duhet të vëzhgohet, vrojtohet, përgjohet, analizohet dhe në fund raportohet për çdo kafshatë që ha dhe për çdo hap që hedh.

Gjuha mu tha, kërkova ujë. Dikush me buzëqeshje standarde më afroji një gotë me ujë të freskët. Çfarë dreq liste ishte kjo që kish shënuar emrin tim! Ata më lanë një copë herë të shijoja ujin e freskët. Kisha frikë se mi blinin mendimet ndaj nuk duhej të mendoja. Kërkova përsëri ujë. Ata më vunë përpara një brokë të madhe me ujë.

-Pi ujë të freskët, - më thanë,- ngopu.

-Do pi ujë të freskët,- u thashë,- deri sa të ngopem.

-Nuk po pyet se kë duhet të përgjosh?- më pyetën ata.

Ngrita supet. Isha krejt pasiv. Nuk ma mbante të thosha jo. Tashmë emri im ishte shënuar në listat e zymta të Katër Pallacinave.

-Është fqinji yt, Musa Jaku.

U drodha, shpina mu ftoh, mu bë akull. Mu bë sikur më hodhën në trup një kovë të madhe me copëra akuj. Musa Jaku. Përnjëherësh më doli përpara syve trupi i imët i Musajt, me pardesynë e zbardhur, të zhubrosur, të gjatë deri në fund të këmbëve. Musa me pesë qime të grunjta në kokë, fytyrë ligur, rrethuar me një tufë kalamaj, të cilët i shoqëron çdo mëngjes në kopsht dhe në shkollë. Me thënë të drejtën, në një farë mënyre ia kisha zilinë Musës, disave iu mbin shumë shpejt fara. Tak- fak dhe pëlltump fëmijët njëri pas tjetrit.  Ara e Lorenës mbeti e shterpët, sado që u eksperimentuan në të dhe fara të tjera. Ndërsa ara e Xixes nuk e dija ku gjendej. Fqinji Musa Jaku rridhte prej një familje të pasur të rënë nga vakti. Kishte studiuar në një shtet të Evropës për filozofi dhe shkenca shoqërore. Dikur jepte mësime private gjuhe, në shtëpinë e tij përdhese hynin dhe dilnin vajza dhe djem, por me thellimin e luftës së klasave iu ndalua mësimdhënia e gjuhës. Lagja i dha punë transportues lëkurësh në ndërmarrjen e lëkur- këpucës.

-Bytha e Musa Jakut merret me përkthime, me filozofi dhe shkruan poezi,- e thanë  me përbuzje.- Kërkohet një analizë e kujdesshme edhe për poezitë e personit në fjalë, që duket sikur fshin me pardesy rrugët e qytetit...

S’fola. U kapërdiva me vështirësi. Çfarë faji kisha që Musa Jakut shkruante poezi, merrej me përkthime dhe filozofi. Ndërsa e shoqja të pillte fëmijë njëri pas tjetrit. Musa fshika rrugicat e qytetit me pardesynë e gjatë të zhubravitur.

I trembesha jetës dhe gjendesha mes rrokopujës, pështirosjes dhe mizeries.

Musa Jaku blinte tek qoshku i vjetër gazetat zyrtare’ Zëri i Popullit,’ ‘Bashkimi,’ si dhe veprat e të madhit të partisë dhe të popullit. Ecte me ceremoni në rrugët e qytetit duke mbajtur ato të palosura në sqetull, ulej në stolat e lulishtes ‘Rinia’, aty ku kish më shumë lëvizje për tu treguar bashkëqytetarëve se ai Musa Jaku, bir kulaku a borgjezi, qe i përkushtuari dhe besniku i aspiratave të mëdha. Hipokriti. Befas ndërpriste leximin, shkundte kryet dhe përshëndeste majtas- djathtas. Fliste me zë të ulët dhe nuk jepte asnjëherë shkak për keqkuptime dhe provokime.

Hëm! Musa Jaku durimmadhi i botës së vogël, lexonte dhe mbante shënime, me siguri për keqinterpretime. Shpesh ulej në stolin e ngurtë të pragut të shtëpisë dhe i vinte syrin diellit, domethënë tallej me ato që kish lexuar pak më parë. E shoqja Lola, kuqalashe, një cironkë e thatë, gjoks dërrasë, gjithë ditën e ditës lante dhe shpëlante teshat, shtytkat e fëmijëve në postafin e ronitur të tullumbit. Kur lodhej drejtonte trupin, ngjante si degë e thyer dhe zë holluar i fliste Musës të kontrollonte fëmijët.

Kaq të tmerrshëm dhe të rrezikshëm ishin këta njerëz, që shteti e partia i vendosi në përgjim dhe përndjekje të vazhdueshme?

Përnjëmend besova se tek e përditshmja dhe e rëndomta fshihet tinëzia dhe ligësia e llahtarshme. Armiku s’ka brirë, fshihet dhe në bythën e buallit. Vallë sa e madhe mund të jetë poshtërsia e njerëzve që fshihen pas përuljes dhe gojëkyçjes?

I ngarkuari me detyre prej Katër Pallacineve fliste me zë monoton:

-Është koha të hapen zemrat dhe të nxirren në dritën e diellit të vërtetat e pakundërshtueshme. Prandaj ndjehet e nevojshme të bëhen lavash e mendjeve të njerëzve...

Gjithçka më ngjante me urithët qorrë  të ardhur rastësisht në këtë botë, rend dhe përgjo nëpër labirinte. Ndoshta nuk është krahasim i goditur. Pështjellim bastard. Koka më buçiste. Më duhej të bëhesha i afërt me Musa Jakun dhe familjen e tij. Ti hapja biseda të ndryshme, të çiltra, por me tema të mprehta, për të çarë gardhin e rëndë të heshtjes. Derisa ti kapja si minjtë, të binin në çark. Këta më thanë se macja është krijuar për të kapur minj! Por edhe çargjet, leqet kapin minj, lepuj, dhelpra. Pjesë e një hallke të një zinxhiri të pafund. Bëëërrr, sa e pështirë është hallka e litarit!

Një moment hezitova, ndjeva pendesë kur pashë vajzën e vogël të Musa Jakut që dergjej në një karrocë me rrota, e pafuqishme për të bërë ndonjë veprim. Ajo ish e paralizuar. Lola e zbehtë e ushqente, i bënte shërbim, fëmija përplaste kokën sa majtas djathtas. Prandaj ajo lante dhe shpëlante tesha gjithë ditën e ditës në postafin e tullumbit dhe prej lodhjes i fliste të shoqit me zë të holluar...

E përgjova natë e ditë Musa Jaku, e provokova, shava qeverinë.  Ai më vështronte me përdëllim dhe nuk fliste. Ikte, unë i shkoja pas pa u mërzitur. I hyja si gjoja rastësisht në shtëpi. Aty ishte rrëmujë,  e sëmura dërdëlliste. Musa Jaku studionte, mbante shënime për kumtesën e ardhshme i përkulur në cep të shtëpisë dhe fëmijët i kacavirreshin mbi shpinë. Nuk gjeta asgjë të dyshimtë. Mu shtua ankthi. Në mendje më vinin dhe shkonin gjithfarëlloj marrëzirash. Lorena indiferente si gjithnjë, vinte- ikte, e ftohtë, nuk më linte të bëja asgjë me të, të provoja një çlodhje të përkohshme. Nuk donte të shihte tallazin tim. Në qytet bëri bujë një ngjarje, Viktorin e kapën flagrancë me një vajzë të re. Lorena u bë si e tërbuar, shante, bërtiste:

‘Pushti, prandaj s’më dilte në takim.’ Theu pasqyrën dhe më vështroi e egërsuar sikur isha unë shkaktari që Viktori u kap në flagrancë me një vajzë të re.

Dola jashtë, pas meje në derë u përplas një këpucë. Ndoshta i thashë diçka pa vetëdije, por në realitet më mundonte prej kohësh e mos folura. Tërbimi i tradhtisë së dashnorit ia zbrazi barkun Lorenës. Por unë sa duhej ta gëlltisja në vite nënvleftësimin e saj të poshtër, prandaj nuk durova më dhe ia zbraza. Hyra në lokalin më të parë dhe në kundërshtim me dëshirën time porosita birrë. Mu duk e athët, pa shije. Ndjehesha bosh nuk isha i gëzuar dhe as i trishtuar. Lorena mund të gjente një tjetër Viktor. Përsëri do isha humbës. Në tavolinën time u ul i dërguari i Katër Pallacinave dhe më ton të rëndë me tha:

- Merru me poezitë e personit në fjalë. Poetët lajthitin e zbulojnë shpejt veten. Edhe ti ke shkruar dikur poezi, vazhdoi i dërguari.

Luajta kryet pa e pasur plotësisht mendjen. Shkarravitja ndonjë vjershë sa herë me kapte tërbimi i xhelozisë. E kisha shpirtin plagë prej lumit të hidhët të Lorenës, përse e përmendi emrin e atij pushti, Viktor, dhe ky më duhej tani. Përse nuk ikte, më linte të qetë. Për një moment u mata ti thosha: Më vini të përgjoj Viktorin? Por kodoshi e ka kripën e thatë, do dalë pa lagur, ai është bythë e brekë me kalesat e Katër Pallacinave.

Vazhdova përgjimin, Lola si deçkë e këputur ankohej, lante shpërlante njëmijë shtytka dhe pelena. Musa Jaku pa fjalë tundte fëmijët, e mundonte një vjershë dhe jashtë frynte erë e fortë.

Qëndroja poshtë dritares, brenda në dhomë shamatë e madhe shkaktuar nga fëmijët dhe unë kafshoja gishtërinjtë. Përse pikërisht ky dhe jo Viktori? Musa nuk i hyn kujt në pjesë. Viktori po. Ai ma shkërdhen gruan...

Ja kështu është jeta, veç një pështjellë. Hallka dhe shorte marramendëse. Dikush duhet të përgjohet dhe të dënohet, tjetri me dhimbje të thellë do të jetë përgjues, zbatues i ligjit, i më të fortit. Dikush punon, rropatet për bukën e gojës, tjetri, më i shkathëti pasurohet. Dikush ka shumë fëmijë, një tjetri, të pafati i është tharë tullumbi dhe zjarri në vatër po i shuhet. Më thoni ju lutem a nuk ka pafajësi çarmatosëse në këtë mes?  Përse mes dhembjesh Krishti tha:

‘Fali o Zot se nuk dinë se ç’bëjnë!

Pafajësi, apo jo?

Sigurisht ju nuk e pranoni, por secili prej nesh ka dritë dhe hijet e veta. Dikush mbart errësirën mbi shpinë, si një hamall i vonuar, paçka se fytyra i qesh, ndoshta i zgërdhihet. Një iks tërheq zvarrë gjysmë hijen e tjetrit dhe me gishtërinj skifteri i rreh shpatullat. Ipsiloni ka hedhur mbi supe si pelerinë të shqyer çerek hijen e tjetrit dhe vështron me përdëllimin e një asketi. A nuk jemi fajtorë pa faj, në  korkolepsjen e mallkuar të ngarendjes së tërbuar për të mbijetuar? Jemi pjesë e mekanizmit të urës së shkalafitur. Ndoshta jemi si fëmijët shkatarraqë, të pandërgjegjshëm që kapeshim në faj, ngaqë nuk kuptojmë se duhet të veprojmë ndryshe...

Ai më afroi kokën shume pranë, nxitimthi u tërhoqa pas.

-Ju lutem mos qeshni,- mërmëriti i lodhur dhe fshiu djersët që i binin çurg.

Nuk e kuptoja përse  Pano kujtonte se qeshja, kur në realitet ndjeja rrëqethje.

Më falni, - foli Pano me zë të trishtuar:- Por të gjithë jemi hallka të një zinxhiri të pafund, të cilat mund të këputen vetëm kur vdesim, edhe atëherë janë të tjera nyje lidhëse dhe që i përkasin botës së përtejme, të shpirtrave dhe që shpesh dirigjojnë botën e të gjallëve.

Ju thoni se a ndjej pendesë? Sigurisht, paçka se pendesa është diçka abstrakte. Vetëm duhet ta dish mirë se, kur të del emri në listë, nuk ka burrë nëne ta ndalë.  Keni dëgjuar për dhjetëshen romake? Lindi si domosdoshmëri, ishte e pakthyeshme, paçka se ish e pamëshirshme, gjakësore brenda vetë radhëve të ushtrisë romake. Atyre që u binte shorti në dhjetëshe, pa një pa dy duhej të ekzekutoheshin.  Dalja e emrit në listë mbart mynxyrë. Nuk mund ti shmangesh, je i mbërthyer prej hallkave pazgjidhshme të litarit ose të zinxhirit. Më pas jeta ime u zvarrit si në jerm, në makth. Muja Jukes iu fshi numri prej listës, e të tjerëve pas tij. Befas i doli emri dhe Viktorit. Gëzohesh? Më pyetëm. Hakmarrja është syri i djallit. S’u ktheva përgjigje. Truri im ishte shndërruar në një lëmashk moçali.

Mundohem ti harroj, ti lë pas. Jam fajtor pa faj, më kuptoni. Në mos unë do ishte dikush tjetër. Pendesa të ndjek pas së bashku me pështjellimin. Jam plak. Lorena, plaka ime nevrikoset, mallkon. Këmbët i kemi të ftohta dhe nuk mund të ngrohim njëri tjetrin. Nuk e di kë mallkon Lorena, por gjithnjë mallkon me zë të zvargur dhe është tërësisht pa faj. Ne tashmë jemi si fëmijë të humbur në një moçalishte...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora