Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hazir Mehmeti: Sokrat Dodbiba la gjurmë në Vjenë

| E merkure, 12.11.2014, 08:00 PM |


Dr. Sokrat Dodbiba, intelektual patriot që la gjurmë edhe në Vjenë

Njeriu që dha shumë për vendin, ktheu thesarin shqiptar nga Roma në Tiranë, si shpërblim nga kriminelët komunist, mori burgun, dhunën, përbuzjen. Shkëlqimi i figurës së tij verbon sot grabitësit e thesarit nga atdheu i varfër për jetë në luks jashtë vendit kryeministra, ministra e lakenj ndyrësira kohe.

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Vjena, kryeqyteti i Austrisë, luajti një rol me rëndësi në kulturën e shumë popujve që ishin në përbërjen e monarkisë Austro-Hungareze, por edhe të popujve të tjerë të kontinentit.  Këtu hyjnë edhe shqiptarët. si popull i vogël me kulturë të lashtë. Shqiptarët dhe trojet e tyre në Gadishullin Ilirik, ishin pikë interesimi e shumë shkencëtarëve evropianë, ku  dallohen në veçanti ata  nga hapësira gjermano-folëse. Këto raporte të lidhura shekujve, shqiptarët i forcuan duke lënë gjurmë në fusha të ndryshme brenda hapësirave evropiane si në: art, kulturë, shkencë, artin luftarak, etj.

Ndjenja e miqësisë, e shprehur nga vendoret ndaj kulturës e historisë shqiptare, bëri që Vjena të jetë një qendër  me peshë në historinë e kulturën tonë më të re. Këtu gjetën mundësinë e shkollimit dhe veprimit shumë nga intelektualët më zë e peshë në rrjedhat e progresit tonë kombëtar e shoqëror. Kjo lidhet detyrimisht me miqtë vendor që dhanë një ndihmesë të madhe në shumë fusha hulumtuese rreth gjuhës, kulturës dhe etnisë shqiptare.

Në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të kaluar, nga studentët e intelektualët atdhetarë të ardhur në Austri, u themeluan shoqëri të organizuara ku ushtronin aktivitetin e tyre në të mirën e kombit shqiptar.

Njëri nga ata shqiptarë intelektualë të fuqishëm dhe burrë kombi, pa dyshim, ishte edhe Dr. Sokrat Dodbiba. Ai pasi merr bakaloriatin në Robert Kolexhin Amerikan të Stambollit dërgohet në Vjenë për studimet të  larta universitare. Ishte viti 1921 kur Sokrati arrin në Vjenë ku vepronin disa nga figurat e njohura të kulturës sonë si: Dr. Gjergj Pekmezi, Jani Basho, Xhevat Korça, Nush Bushati, Kolë Mirëdita- N. Helenau, Safet Butka, Fuad Asllani, Lasgush Poradeci, Regjep Mitrovica, Kristë Maliki (mos është Maloki, ndoshta është tetër, shikoje edhe njëherë), Rrok Maliki, Skënder Luarasi, Muharrem Villa e disa të tjerë, të bashkuar kryesisht rreth shoqatës studentore “Albania” e themeluar në vitin 1918. Shoqëri kjo e cila nxori organin e saj, revistën “Dialeria” (1920v) ku botuan shkrimet e tyre studiuesit shqiptarë, në mes tyre edhe Dr. Dodbiba.

Duke trashëguar një edukatë familje të arsimuar dhe arsimdashëse, ai u interesua për lëmin e arsimit e edukimit, si hallka më e rëndësishme për civilizim. Këtë ai e shprehu me shkrimin e tij të parë në numrin e revistës 20/22 gusht-shtator-tetor, 1922 dhe në numrin 24, viti 1924 ia kushton filologut e filozofit, Postalezi, i cili njihet si pedagogu më i madh  në shekullin nëntëmbëdhjetë.

Ja një konstatim i tij faqe 13-të:“Sa më thellë me e studiua këtë njeri, aq më shumë bindemi se shkrimet e tij kanë vu themelet e arsimit të sotëm”. Më tutje në shkrim jepet mendimi shumë i përparuar i tij lidhur me arsimin. “...lyp një arsim të bollshëm për qytetarin dhe katundarin”.  Përveç hapësirës nga profesioni prej një ekonomisti të shkëlqyer botoj shkrime analitike për rrjedhat aktuale në veçanti shkollimi si nevojë e ngutshme për kombin shqiptar të robëruar e i prapambetur.
         Në shkrimin e tij më tutje, ai jep biografinë e shkurtër të Postalecit, të cilin si duket i kishte lënë përshtypje të veçantë. Intelektualit  të përgatitur me njohuri të shumta, Dr. Dodbiba  s’ka se si të mos i dhemb zemra për gjendjen e rëndë të kombit të tij në të gjitha fushat; ekonomi, shkencë, art, arsim e kulturë. Ai aktivitetin e tij prej veprimtari e ushtroi në shoqërinë shqiptare “
Albania”, një vazhdim i veprave të intelektualëve shqiptarë që nga shoqëria paraprijëse “Dija” e themeluar nga Dr. Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi,  vit kur ishte themeluar edhe “Komiteti Shqiptar i Austrisë” me seli në Vjenë.

Dr. Sokrat Dodbiba, jo vetëm që ishte vetë aktiv, por ndikoi në rrethin e tij në ngritjen e aktiviteteve të shoqërisë studentore. Ata duke qenë për studime universitare në Austri kishin qëllim organizimin e veprimtarive patriotike, kulturore e arsimore. Krejt kjo të vihet në shërbim të zhvillim të kombit e shtetit shqiptar.   Ai ishte shembulli më tipik i një intelektuale të gjithanshëm, me një përgatitje profesionale të lartë të kohës, si doktor i shkencave ekonomike. Duke qenë i vetëdijshëm për nevojat e mëdha që kishte atdheu vendosi që të kthehet në atdhe në vitin 1928 kur edhe i përfundon me sukses studimet, duke marr gradën më të lartë shkencore, doktor i Ekonomisë Politike në Universitetin e Vjenës.  Shembulli i tij ishte shprehje e pjekurisë së tij, edukatës së tij patriotike për t’i shërbyer atdheut. Në ndërgjegjen e tij ndjeu thellë detyrimet që kishte ndaj gjithë atyre bashkëkombëseve që e financuan shkollimin e tij duke ua shpërblyer me  shërbimin e tij ndaj shtetit e kombin. I edukuar me pastërtinë shpirtërore e kombëtare, në vënien e interesit kombëtar mbi çdo gjë tjetër mbajti qëndrimin parimor e të pa luhatshëm deri në rrezikim të jetës në mbrojtje të thesarit kombëtar, kthimin e tij nga Roma në Tiranë e shumë shembuj të tjerë.

Nuk ishin të rralla vizitat e tij dhe të shoqërisë studentore, që i bëheshin përkrenares dhe shpatës së heroit kombëtar, Gjegj Kastrioti- Skënderbeu në Belvedere. Kjo ua zgjonte krenarinë kombëtare, u shtonte dëshirën e vullnetin për punë këmbëngulëse krahas shkencës edhe në çështjet kombëtare. E ndejshme kjo  gjithkund në shkrimet e tij në revistat e kohës, si “Djalëria” e shoqërisë Studentore “Albania” e më vonë në shkrimet analitike në disa revista të kohës. “S.K.S.K.S –Sa kam shpirt, kam shpresë”. Ishte moto e fuqishme e grupit studentor të vyer, sot figura të ndritshme në antologjinë e formimit dhe zhvillimit kombëtar.

Aty ishte edhe Dr. Sokrat Dodbiba. Paraprijës ishte optimizmi, humanizmi njerëzor i vjelë nga leximet e rilindësve, i cili kishte zënë vend thellë në shpirtin e shumë veprimtarëve shqiptarë e shoqërisë studentore në Vjenë. Këtej kishte kaluar pesëdhjetëvjetë më parë Naim Frashëri i Madh duke lënë poezinë, emblemë kushtuar përkrenares dhe shpatës së Kryeheroit kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Kishte ardhur, më 1886,  me ndihmën e disa miqve për të shëruar mushkëritë e copëtuara posi atdheu i robëruar në vendkurmin e njohur ku tani kriminelët jetojnë në vila luksoze të paguara me lekë të vjedhur nga thesari i shtetit më të varfër në Evropë. Ata që e vranë Dr. Sokrat Dodbibën dhe familjen e tij, i cili mbrojti dhe ktheu thesarin kombëtar, tani vodhën dhe nxorën jashtë atdheut. Me gjuhën e “Strehëzave” miku i shqiptarëve, këtej, do zbulonte edhe një “ekstrem shqiptar” në historinë e tij. Dhe ndoshta ka të drejtë!

Një shkrim të rrallë e të drejtë rehabilitues për figurën madhore të Dr.Sokrat Dodbiba e hasim në gazetën “Bulevard” i shkruar nga Bashkim Kadiu, ku pos tjerash thuhet: “Vetëdija  kombëtare ka sjellë si rezultat  një lëvizje me përmasa madhore, ku njohja e  realitetit  shqiptar solli si produkt të saj  një koncept të brumosur, të trashëguar nga rilindësit tanë. Madhështia dhe personaliteti i këtyre burrave arriti të dallojë rrezikun që i kanosej kombit nga një ideal fantazmë komunist i importuar. Ky importim  brutal duhej goditur, duhet të çirrte maskën e të nxirrte në shesh synime  djallëzore. Kjo pjellë  të shëmtuar duhej të ndalej  nga burra mëmëdhetarë, të cilët shkuan gjer në flijim për nderin dhe çështjen kombëtare”.

Dr. Sokrat Dodbiba do të kujtohet në gjenerata si njeri që ktheu thesarin kombëtar dhe ruajtjen e tij. Do të kujtohet për pathyeshmërinë e tij para falangës komuniste, njeriu që vdiq urie në burg. “ të më sillni një pjatë gjellë” të cilën nuk e pa kurrë.

Padyshim, vepra e veprimtarëve intelektual të pastër siç ishte Dr. Sokrat Dodbiba nuk i le të harrohen edhe pse komunistët e shërbyesit e tyre akoma janë aktiv në jetën shqiptare. Të mbështjellë me petkun e dhelprës ata i ke gjithandej grabitës për pikë dite të thesarit kombëtar pa dhënë llogari askujt.

Figura e Dr. Sokrat Dodbibës e meriton rehabilitimin e plotë nga shteti e shoqëria shqiptare. Ai padyshim është shembulli i sakrificës në çjerrjen e maskës kuçedër komuniste e komunizmit. Intelektual, i cili mund ta bënte jetën e tij prej burrështetasi kudo në një vend normal, u martirizua bashkë me familjen e tij, pasurinë e tij për të vërtetën e progresin kombëtar. Një ditë mëngjesi në liri, do shndritë përmendorja e tij në hyrje të Thesarit Kombëtar, ku do gjejnë mallkimin në mote hajdutë e tradhtarë.

Dr.Sokrat DODBIBA (1889-1956). Lindi në Elbasan. Mbaroi shkollën e mesme amerikane “Robert Kollege” në Stamboll. Doktoroi në UN-e Vjenës në Ekonominë Politike (1928). Punoi në Ministrinë e Financave të Shqipërisë që nga viti 1928. Ishte Ministër i Financave. Dr. Dodbiba njihet me veprën e tij të guximshme e patriotike  të kthimit të thesarit shqiptar nga Roma në Tiranë. Themeloi dhe udhëhoqi revistën shkencore “Ekonomisti Shqiptar”. U arrestua (1944) kurse u dënua me 30 vjet burgim nga komunistët. Vdiq në burgun e Burrelit, në vitin 1956.