Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Reshat Kripa: Teatri Kombëtar, Çensura...

| E marte, 11.11.2014, 08:01 PM |


Teatri Kombëtar, censura e djeshme zyrtare është zëvendësuar sot me një censurë të fshehtë

Nga Reshat Kripa

Qysh i vogël kam patur dëshirën për të shkruar. Lexoja shumë, madje edhe libra që nuk ishin për moshën time, sidomos klasikët e letërsisë botërore, Homerin, Danten, Balzakun, Shekspirin, Servantesin, Tolstoin, Dikensin, Londonin, Drajzerin e plot te tjerë, librat e te cilëve mund t’i gjeja në libraritë e vendit. Adhuroja gjithashtu veprat e autorëve tanë, Naimit, Çajupit, Ali Asllanit, Asdrenit, Mjedës, Foqion Postolit, Migjenit, Nolit. Këto bënë që të shquhesha në lëndën e letërsisë në shkollë. Hartimet e mia, sipas mësuesve,  ishin nga më të arrirat e klasës.

Ishte tetori i vitit 1957. Kisha disa muaj që isha liruar nga burgu. Ishte ora e korigjimit të hartimeve.  Profesori i letërsisë, i nderuari Milo Duni, kishte shkruar me laps blu në fund të hartimt tim:

Gjuhë dhe stil i sigurt.  Vazhdo të shkruash tregime”

Ndërsa më poshtë vazhdonte me një laps të kuq shprehjen e vendosur në thonjëza:

Po të kesh kohë të lirë”

Vrisja mendjen për të kuptuar se ç’donte të thoshte profesori me shprehjen me laps të kuq. Së fundi e kuptova qëllimin e tij. Megjithatë vendosa ta provoja. Shkrova një tregim ku personazhi i vetëm ishte një jetim, prindërit e të cilit ishin vrarë gjatë një bombardimi në kohën e Luftës. Fëmija kishte mbetur pa asnjë përkrahje. Së fundi gjendet i vdekur në hyrje të një pylli. Tregimi kishte si titull një fjalë të urtë popullore: “Njeriu pa nënë si nata pa hënë”.

E  dërgova shkrimin në gazetën “Letrari i Ri” që botohej në atë kohë. Nuk vonoi dhe erdhi përgjigja:

Shkrimi juaj nuk mund të botohet pasi ai nuk paraqet gjendjen reale të të rinjve në vendin tonë. Personazhi juaj nuk është i riu i sotëm socialist. Tregimi juaj u ngjan tregimeve dekadente të Perëndimit.”

Për të thënë të vërtetën përgjigjja më vuri në pozitë të vështirë. Prisja ditë-ditës rikthimin tim në ferrin, nga i cili kisha pak kohë që kisha dalë. Por kjo nuk ndodhi. Atëherë heshta. Qysh atë ditë nuk guxova të shkruaj më. I ruhesha një kontrolli në shtëpi. Një gjë e tillë vazhdoi deri sa ndodhi përmbysja e diktaturës. Atëherë u zgjova. Fillova përsëri të shkruaja. Tregimet i botoja në gazetat e kohës. Botova, gjithashtu, edhe dy romane dhe një libër me kujtime nga mosha e rinisë.

Ngjarjet e romaneve i kisha marrë nga realitetet që kisha jetuar vetë ose miqtë e mi. Një nga këto subjekte ishte edhe ai i romanit “Shkallët e Ferrit”. Subjekti i këtij romani, me pak fjalë është ky:

Agron Canaj, biri i një dëshmori të Luftës Nacionalçlirimtare, i kishte mbaruar studimet e larta për inxhinieri elektrike në Pragë të Çekosllovakisë, ishte kryeinxhinier i ndërmarrjes elektrike të qytetit, shoqërohej me dy inxhinierë të rinj, por me një prejardhje nga shtresa që kishte humbur luftën. Kjo bie në sy të Sigurimit të Shtetit që i kërkon me këmbëngulje bashkëpunimin për demaskimin e shokëve të tij. Agroni nuk pranon. Arrestohet dhe torturohet për të pranuar akuzën, por nuk përulet. Para syve të tij operativi i Sigurimit dhe hetuesi i nxjerrin gruan dhe vajzën 15 vjeçare. Tentojnë t’i përdhunojnë. Detyrohet të pranojë dhe të nënshkruaj. Shokët arresohen dhe dënohen. Njeri prej tyre ekzekutohet. Gjatë viteve të burgut provon braktisjen që i bënë shoqëria për shkak të tradhtisë që kishte bërë duke denoncuar shokët. Ndërkohë gruaja dhe vajza, pasi ai nënshkruan deklaratën, përdhunohen nga kriminelët.  Vajza pëson çregullime mendore dhe  hidhet nga ballkoni. Gruaja, kur kupton se ka mbetur  shtatazanë,

helmon veten. E ëma, në çastin e  vdekjes, i jep një letër që ia kishte shkruar e shoqja në çastin e fundit. Pas dy vitesh ndërron jetë edhe ai. Një tragjedi e trefishtë. Tragjedia personale, ajo e familjes dhe tragjedia e shoqërisë.

E kisha bërë zakon që për romanet e mia këshillohesha edhe me motrën time, një figurë e njohur në artin skenik. Ajo më sugjeroi që me motivet e këtij romani të shkruaja një monodramë. Iu vura punës. E përfundova. Motra e lexoi dhe më bëri vërejtjet e saj. E ripunova. Ia tregova një dramaturgu dhe dy aktorëve të njohur të Teatrit Kombëtar. Prita vlerësimin e tyre, por ai nuk erdhi. Ua dhashë edhe tre regjizorëve të tjerë. E njëjta gjë. Asnjë përgjigje. Ia dërgova ish-drejtorit të Teatrit Kombëtar. Ai e dërgoi në konkursin kombëtar për 100 Vjetorin e Pavarësisë. Në përfundimet e konkursit monodrama ime nuk u përmend as për mirë dhe as për keq. Atëherë ia dërgova një të njohurit tim,  një regjizori tjetër  që jetonte jashtë Shqipërisë. Së fundi prej tij erdhi përgjigjja e mëposhtme:

“I dashur z. Reshat

Kjo vonese eshte vetem ne kthimin e pergjigjes, por nuk qe aspak ne leximin e vepres qe me derguat. E lexova qe ate mbremje. Se pari ju falenderoj qe me zgjodhet mua t'ju jap gjykim per të dhe, posibilisht, te merrem me fatin e metejshem te saj. Nuk njoh librin tuaj qe nga e keni nxjerre por me mjaftoi vete monodrama e cila kishte energji artistike te brendeshme, pathos ndjenje dhe kthjellesi goditje. Per nga ana e te ndjerit dhe te kuptuarit ju e dini qe une ndaj me ju te njejtet emocione. Nga pikepamja artistike me la nje pershtypje te bukur forma, permbajtja, ritmi skenik. Subjekti nuk eshte fare i virgjer, por thene me autoritet dhe besueshmeri. M'u duk se ju zoteroni dhe nje vizion mjaft te pelqyeshem skenik, pervec kultures qe rrezaton, fraza, shkrimi, gjuha dhe bukuria e logjikes. Pra ju pergezoj sinqerisht dhe jo formalisht, sic eshte bere zakon i peshtire ne rrethet tona. Persa i perket realizimit ne skene, une nuk pergjigjem dot me po aq entuziazem, sepse jam larg. E kam ne konsiderate ta inicioj projektin edhe ketu, packa se edhe ketu nuk jane lehtesirat qe mendohen. Per atje, flasim kur te vij nga tetori, nese nuk keni rene nderkohe ne kontakt me ndonje artist tjeter (qe une jua miratoj pa zili). Ne tetor do t'ju takoj pa tjeter. Dhe nderkohe ju uroj shendet dhe rinovoj edhe nje here pergezimet qe ju shfaqa. Te fala”

Së fundi mendova se kishte ardhur koha që monodrama ime mund të vihej në skenë. Por kjo nuk ndodhi. Regjizori në fjalë erdhi në Shqipëri, por me mua nuk mori kontakt. Arsyen e di ai vetë.

Motra ime bisedoi, madje ua dha edhe tekstin e monodramës, me një aktor dhe një regjizor të njohur. Ata e lexuan dhe u treguan të gatshëm për ta venë në skenë, por nevojiteshin fondet. Teatri Kombëtar nuk u tregua i gatshëm. Mendova të kërkoja një sponsorizim nga ndonjë biznesmen  i përndjekur politik. I kërkova takim një të tilli, por ai as që denjoi të më priste. Atëherë u tërhoqa. M’u duk vetja sikur isha kthyer në një lipës.

Në muaji prill të këtij viti, papritmas, më vjen një ftesë:

“Teatri Kombëtar, për të sensibilizuar dhe promovuar dramaturgjinë shqipe, zhvillon debatin “Sfidat e dramaturgjisë shqiptare në kontekstin e zhvillimeve bashkohore”.

Takimi do të mbahet në Teatrin Kombëtar, në datë 15 Prill 2014, duke filluar me pritjen në orën orën 16:30.

Vlerësojmë se pjesëmarrja dhe përfshirja juaj në zhvillimin e këtij debati me rëndësi mbi dramaturgjinë tonë kombëtare do të kontribuonin në punimet e këtij takimi. Bashkëlidhur me ftesën do të gjeni dhe programin.”

Ishte një tubim mjaft i dobishëm. Shkova, madje edhe diskutova. Shpreha mendimet e mia për teatrin shqiptar. Mbështetur    vendimet  e  këtij  tubimi  dërgova    konkurim  monodramën  time,    cilën  e ripunova edhe një herë    parë.  Prisja  rezultatin  e   këtij  konkurimi. Dy  regjizorët  dhe  tre aktorët e njohur të komisionit të vlerësimit i lexuan dhe i vlerësuan veprat. U zhvilluan tre faza vlerësimi. U lexuan shumë prej tyre në prani të një publiku. Çuditërisht monodrama ime përsëri as që u përmend fare. Unë, autori i saj, nuk mora asnjë përgjigje për vlerësimin e saj nga juria e mësipërme. Unë mendoj se një juri vlerësimi, e përbërë nga figura kompetente të njohura, duhet t’iu kthente një përgjigje secilit prej konkurentëve.

Do të doja të kisha një përgjigje nga të gjithë ata që u njohën me mondramën time. Do ta doja edhe në rast se ndonjë prej tyre do të kishte kurajon të më shkruante se monodrama nuk vlen fare. Kjo ishte prova ime e parë në dramaturgji dhe nuk çuditem fare nëse ndokush do të më shkruante se nuk jam për këtë profil. Por, duke marrë parasysh se kjo monodramë ka marrë vlerësim pozitiv nga një regjizor i njohur si ai që jeton jashtë Shqipërisë, se një vlerësim pozitiv ka dhënë edhe ime motër, specialiste e kësaj fushe, dhe aktori e regjizori që morën përsipër vënien e saj në skenë, si dhe dërgimin e saj në konkursin e 100 Vjetorit të Pavarësisë nga ish-drejtori i Teatrit Kombëtar, pa kërkesën time, më bëjnë të mendoj se monodrama, po të kishin vullnetin e mirë dhe po të mos ishin arsye të tjera si druajtja nga ndonjë person i së kaluarës që ende është në pushtet, me një regjizor të aftë, do të ishte vënë në skenë dhe besoj do të kishte pasur sukses për vete subjektin që trajton.

Meqënëse përmenda subjektin, kam mendimin se është pikërisht ky shkaku i heshtjes së individëve të përmendur më sipër. Përse do të thoni ju? I shtyrë nga riciklimi i disa figurave të përlyera në krimet e kryera në kohën e diktaturës komuniste në jetën politike të sotme, vendosa të avancoja në sublektin e romanit. Monodramën e solla në ditët tona. Ku shihet ky avancim?

Në monodramë Agron Canajn e ftojnë të ngrihet nga varri dhe të tregojë krimet që kishte pësuar. Ai ngrihet dhe del në skenë por, çuditërisht, ndeshet me ish-operativin e Sigurimit dhe me ish-hetuesin e tij, duke mbajtur leksione rreth demokracisë perëndimore. Sheh miun e birucave  tashmë kryetar shoqate të përndjekurish dhe thotë:

“Si thatë? Dy sigurimsat  po flitkan për drejtësinë? Për cilën drejtësi? Mos vallë për atë që duhet t’i dënojë ata? Po miu i  birucave? Kryetar i një shoqate të përndjekurish? Jo, jo nuk ka mundësi. Nuk mund të jenë ata. Ato janë vetëm hijet e tyre.”

Dhe, së fundi, largohet se nuk mund të jetonte më së bashku me hijet dhe u bënë thirrje bashkëqytetarëve të tij të mos harrojnë të kaluarën.

Monodrama mban pikërisht tirullin “Mos harroni!”

Mendoj se teatri shqiptar duhet të shkëputet me më shumë guxim nga ndikimet partiake që ndërrohen çdo katër apo tetë vjet  dhe të ketë më shumë pavarësi për të arritur nivelin që kërkon koha dhe për rritur në mënyrë të konsiderueshme numrin e spektatorëve. Historia botërore ka treguar se dramaturgë të shquar kanë ngritur në veprat e krijuara zërin e protestës kundër padrejtësive shoqërore që sundonin në vendet e tyre, megjithatë ato vepra kanë gjetur rrugën e vënies në skenë në teatrot me zë të botës. Mund të japim vetëm një shembull, atë të dramaturgut të mirënjohur amerikan,  Artur Miller që, megjithse i ndjekur nga i famshmi ligj i mbiquajtur “Mak Karti” , gjeti rrugët për shfaqjen e kryeveprave të tij “Pamje nga Ura”, “Shtrigat e Salemit” e të tjera. Unë mendoj se këtë rrugë duhet të ndjekin edhe teatrot shqiptare.

Rri edhe mendoj për të shkuarën dhe të tashmen time. Mirë në të shkuarën që për mua ishin të mbyllura të gjitha rrugët e të shkruarit dhe të botuarit, pasi isha shpallur person i padëshërueshëm për regjimin, po sot kush më pengon për të shkruar atë që mendoj? Kush e pengon monodramën time? Çensura zyrtare që zhvillohej dje është zëvendësuar me një çensurë të fshehtë që zbatohet sot. Unë e kam shprehur më lart mendimin tim për këtë. Po lexuesit? Ju drejtohem të gjithë atyre që e kanë lexuar të shfaqin një vlerësim për të, qoftë pozitiv ose negativ. Ju siguroj se, sido që të jetë,  do t’ju jem mirënjohës pasi kështu ata do të kenë kurajon ta shprehin mendimin e tyre ashtu siç e mendojnë. A do të ketë në Shqipëri një individ që do të guxojë të shfaqë këtë monodramë në këto kushte? Unë jam në pritje.

Monodramën e kam ripunuar disa herë. E lexoj dhe rilexoj. Duke lexuar më dalin parasysh vargjet e mrekullueshme të Migjenit:

 

O kangët që fleni, reliket e mia,

Q’ende s’keni prekun asnji zemën t’huej,

Vetëm unë me ju  po knaqem si fëmija,,

Unë djepi juej, ndoshta vorri juej!”

 

 

Botuar ne gazetën “Nacional” Nr. 275 datë 9 nëntor 2014