Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Kalaja e lashtë në Qafë të Sulovës

| E hene, 10.11.2014, 10:03 PM |


BANESE QE KA SHERBYER PER LUFTETARET E KALASE

KALAJA E LASHTË NË QAFË TË SULOVËS

NGA PËLLUMB GORICA

Kalaja e Qafës në Sulovë, është një ndër objektet e rëndësishme arkeologjike në trevën e Elbasanit.  Kjo kala datohet si ndërtim i shekullit të VI, të erës sonë,  si një ndër kalatë e ndërtuara  në periudhën e perandorit bizantin Justiniani (526-565). Ajo dominon në një lartësitë shkëmbore të kodrave të Sulovës, 624 m. Teknika e ndërtimit, sistemi i fortifikimit, qëndrueshmëria e mureve, pozicioni ku është ngritur po të marrim parasysh mjetet e sulmit të asaj kohe, dëshmojnë se ishte e fortifikuar mirë. Kalaja e Qafës ishte shëndërruar shekuj më parë në një fortesë ushtarake për popullsinë dhe në ruajtje të nëndegës së rrugës Egnatia. Aty janë zhvilluar luftëra të pandalshme. Me copëtimin e perandorisë bizantine në shekullin XIII, të feudalëve në shekujt XI – XII,  kalaja kaloi dora-dorës në duart e të huajve. Dy shekuj më vonë ajo zotërohej nga princa feudale të familjes së Muzakajve, të cilët nuk rezistuan dhe kalaja pësoi shkatërrim pjesërisht prej pushtuesve osmanë dhe u zhduk si njësi mbrojtëse. Qarkullojnë legjenda dhe histori gojore, për rezistencën ndaj pushtuesëve, sidomos atyre osmane. Duke vijuar më tej, të paraqesim se ç’dëshmohet nga historitë gojore e ç’farë shkruhet për këtë kala nga historianë,  e studius të arkeologë.

PJESË E STUDIMEVE ARKEOLOGJIKE

Si barrikadë luftërash ndër shekuj, me sistemin fortifikues e të ruajtur që nga lashtësia deri në ditët tona, Kalaja e Qafës ka tërhequr vëmendjen e historianëve të njohur dhe studiues të fushës arkeologjike, të cilët e kanë shprehur mendimin e tyre. Aty janë kryer ekspedita arkeologjike të shoqëruara me gërmime dhe studime. Neritan Ceka një ndër arkeologët më të mirë në Shqipëri në studimet e tij e hedh fjalën shpesh tek kjo kala. Studiusi Aleksandër Meksi në fillim të viteve ’60 ishte hulumtues i territorit arkeologjik të Sulovës. Historiani elbasanas, Dr. Shyqyri Demiri nën shoqërinë e mësuesit normalist sulovar Riza Cërriku,  po ashtu kishte vëzhguarhistorinë e territorit të kalasë së Qafës. Në vitin 1987 u kryen gërmime arkeologjike të detajuara nga arkeologët Ylli Cerova, Riza Hasa e Ardjan Papajani. Studiusi Aleksandër Meksi shkruante se ishte një ndër kalatë e rralla të kohës së perandorit bizantin Justiniani (526-565) në Shqipëri. Arkeologu Neritan Ceka në librin “Ilirët’’, faqe 245, citon: “ Ajo në atë kohë shërbente për të kontrolluar lëvizjet e ushtrisë armike në luginën e Devollit në Sulovë e më tej për të mbrojtur banorët nga sulmet e papritura të hunëve, gotëve, sllavëve të cilët shkatërruan shumë vendbanime. Nga kalaja në raste rreziku shkëmbeheshin sinjale me kala të tjera se siç dihet Iliria ka qënë e mbushur me një rrjet kalash mbrojtëse. Nga pozicioni ku ndodhej kalaja vështroheshin një sistem kalash malore si ajo e Mengëlit, Gracenit, Valshit, Galigatit, Antipatraeas (Berati), asaj fushore të Skampinit (Elbasani i sotëm) etj dhe sigurisht formonin pjesën lindore të zinxhirit fortifikues për Durrahun (Durrësin e sotëm) si një bazë e fortë e perandorisë bizantine në atë kohë”.  Si rezultat i gërmimeve arkeologjike, në këtë kala janë zbuluar objekte që hedhin dritë mbi aspekte të lashtësisë së saj. Janë gjetur një arsenal me vegla pune, shigjeta, mburoja, shpata, stoli,enë prej balte, qeramikë, amfora, pitosa. Fakti më i dritësuar arkeologjik që vërtetohet se “ Kalaja i përket shekullit VI të erës sonë janë gjetja e 7 monedhave nga të cilat 3 janë të lexueshme. Këto monedha i përkasin  periudhës së sundimit të perandorit bizantin Justiniani” (Ylli Cerova “ Iliria ” Nr 2 viti 1987, faqe, 165.) Ato i përkasin shekujve VI, që janë një tregues i zhvillimit ekonomik, duke hedhur dritë mbi aspekte të ndryshme për lashtësinë e saj. Brenda mureve rrethues ka pasur edhe banesa që kanë shërbyer për luftëtarët e kalasë, familjet e tyre e në raste sulmesh për mbrojtjen e popullsisë. Vendi ku ngrihet kalaja ka formën e një lëndine të vogël. Për historianët ishte një fortesë e fuqishme me pozicion tejet të mbrojtur, e kështu nuk ka pasur nevojë për fortifikim të shumtë, pasi shkëmbinjtë e saj të thepisur e bënin të pamundur ti afroheshin asaj e kështu te mbrojtur një pjesë terreni. Në lindje e veri kalaja ishte e mbrojtur nga dy rrethime, njeri me një rreth të vogël e muri tjetër i përforcuar me një seri kullash. Arkeologu Ylli Cerova një nga studiusit dhe gërmuesit e saj, në botimin “ Iliria ”, nr 2, viti 1987, faqe157 shkruan: “ Me gjithë pozitën e favorshme strategjike me mure që shkojnë 2. 30- 2. 50 m të trasha, gjatësinë 220 m dhe dy kthesa në kënd të drejtë, të pajisura me kulla, nga ndërtuesit është parë e arsyeshme që për të arritur më tej aftësinë mbrojtëse të kalasë në anën perëndimore dhe veriore është ngritur një protekizëm, (mur mbrojtës ) ky është larg murit rrethues 10-12 m dhe i trashë 1. 4 m i ndërtuar me gurë të vegjël e mezetar. Ajo është jo më shumë se 110 m gjatësi ”. Studiuesi Aleksandër Meksi në botimin “ Arkitektura mesjetare në Shqipëri ’’, faqe 36 shkruan: “ Mbrojtja e një kalaje ishte në varësi të fortësisë së kullave dhe të mureve të saj ashtu edhe nga vendndodhja e saj dhe nga forma e terrenit. Zgjedhja e vendit me mbrojtje natyrale ka qenë një nga kërkesat bazë ’’. Muret janë ndërtuar me gurë gëlqeror të nxjerrë në vend nga shtresat shkëmbore në trajtë rrasash gjë që aty gjenden lehtë. Muret e kalasë në përgjithësi sot janë të dëmtuara, të rrëzuara dhe nuk ruhen të plota, me përjashtim të një fragmenti që ruhet mirë me një gjerësi 2. 30 m dhe i gjatë 30 m. Lartësia mesatare në këtë fragment është 2, 5 m. “ llaçi që është përdorur ka një cilësi të mirë. Muret që dikur arrinin lartësinë 5 m” (Neritan Ceka,  “ Monumentet “ 7-8, viti 1974, faqe 84). “ Me gjithë pozitën e favorshme strategjike me mure që shkojnë 2. 30- 2. 50 m të trasha, gjatësinë 220 m dhe dy kthesa në kënd të drejtë, të pajisura me kulla, nga ndërtuesit është parë e arsyeshme që për të arritur më tej aftësinë mbrojtëse të kalasë në anën perëndimore dhe veriore është ngritur një protekizëm, (mur mbrojtës ). Ky është larg murit rrethues 10-12 m dhe i trashë 1. 4 m i ndërtuar me gurë të vegjël e mezetar. Ajo është jo më shumë se 110 m gjatësi.” Ylli Cerova Iliria”, nr 2, viti 1987, faqe157). Të pesë kullat shquheshin për forma të ndryshme planimetrike. Kulla Nr 1 kishte formën katërkëmbëshe dhe ndodhej në anën juglindore të kalasë. Kullat Nr 2, 3, 4 forma e tyre ishin trekëndëshe me kulm të prerë që ndodheshin në anën lindore. “ Këto kulla kanë qenë me majë të mprehtë, trekëndëshe me kulm të prerë të cilat rrallë janë në kala të tjera në Shqipëri ’’, shkruan arkeologu Gjerak Karaiskaj në librin e tij “ 5000 vjet fortifikime ne Shqipëri ’’, faqe 121. Kulla Nr 5 ndodhej në anën perëndimore me formën e shkronjës U. Ndërtimi i kullave në këtë mënyrë nga studiuesit është shpjeguar me goditjen më të madhe që mund të përballonin ato gjatë luftimit. Kalaja ka një hyrje që gjendet në skajin juglindor të saj. Ajo është krijuar si rezultat i ndërprerjes së murit rrethues dhe mbrohet nga kulla Nr1 që ndodhet pranë saj. Element me interes i murit rrethues është një shkallë ngjitje e vendosur 6. 5 m përpara kullës nr 2.Rreth kalasë shtrihej një vendbanim i vjetër dhe i madh, Klosi i Vjetër, gjurmët e të cilit i gjejmë edhe sot. Historinë e këtij qyteti dhe kalasë e ka përshkruar historiani elbasanas, Shyqyri Demiri, në librin “Histori e shkutër e trevës së Elbasanit”, faqe 27 ku shkruan: “ … është shfaqur mendimi se këtu kemi të bëjmë ndofta me një qytet mesjetar nën sundimin e Muzakajve, që u shkatërrua më vonë prej turqve, siç thotë edhe legjenda popullore, me qirinjtë e ndezur mbi brinjt e dhive ”… . Për këtë vendbanim qarkullojnë edhe histori të tilla sa keci kalonte nga njëra çati në  tjetrën pa zbritur në tokë deri në kala dhe kjo prej dëndësisë së ndërtimeve.

ATY KU HISTORITË TROKASIN AKOMA

Si një kala e vjetër rreth saj qarkullojnë histori të shumta gojore për rezistencën  e luftëtarëve ndaj pushtuesëve. Një histori  e njohur tregon qëndresën për të mbrojtur kalanë, kur Arbëria u pushtua nga turqit, e si shumë kala e fortifkime të tjera u pushtua dhe shkatërrua. “ Hordhitë turke vijnë me mijëra ushtarë për të pushtuar kalanë. Betejë që u vazhdoi ditë e netë me radhë derisa një natë me dredhi ushtarët turq me të gjitha forcat arritën të thyejnë qëndresën e luftëtarëve që e mbronin. Hyrja e ushtrisë së pushtuesëve osman e marrja e kalasë u mundësua nga pjesa e përparme e saj, se pjesa para është shkëmbore. Natën maskuan një tufë të madhe dhish, duke u vendosur në brirët e tyre qirinjë të ndezur dhe i nisën nga perëndimi i saj. Luftëtarët u përqëndruan nga ky krah. Ndërkohë turqit sulmuan nga lindja me forca të shumta, që ishte lënë e lirë nga luftëtarët dhe mësynë në kala, duke bërë gjakderdhje ndër luftëtarët. Pas shkatërrimit luftëtarët dhe banorët u tërhoqën nga kalaja e vendbanimi afër saj, Klosi i Vjetër. Nuk i rezistuan barbarizmave dhe sëmundjes së kolerës, që mori shumë jetë njerëzish, duke e lenë atë në dorë të pushtuesve.” Le të tregojmë  edhe këtë legjendë  interesante: Një legjendë e mbetur në kujtesën e kohës tregon për princeshën e kalasë, që për të mos rënë në duart e ushtarëve turq u hodh nga shkëmbi i kalasë. “Në kohën e pushtimit turk, një pasha turk u nis me taborrin e tij nga Stambolli për të pushtuar toka e midis tyre pushtoi edhe kalanë e Qafës. Princesha e kalasë, Çobanka për ti shpëtuar turqëve kur e pa se nuk ishte në gjëndje të mbronte kalanë para armikut të madh në numër, që e kishin rrethuar “fluturon” sëbashku me mushkën mbi të cilën kishte hipur nga kalaja në një pllakë të gjërë shkëmbore gur (toponim) Gjurma e Mushkës, dhe mandej në një hurdhë (gropë të madhe). Edhe sot këtë vend e quajnë “Hurdha e Çobankës.” Thuhet gjithashtu se për të vërtetuar se ky “fluturim” nuk ishte përrallë dëshmonte gjurma që ka lënë mushka mbi pllakën shkëmbore në fjalë. Një histori tjetër gojore tregon: ‘‘Prej Ponepthi afër Goricës së Çalës, toponime në lartësitë shkëmbore të Sulovës, çohej uji me qyngje në kala. Kur rrethohej kalaja  sigurohej  dalja ndërmjet një tuneli të nëndheshëm, që përdorej për sigurimin e ujit, ushqimeve, armatimeve në raste sulmesh e luftërash të gjata banorët e luftëtarët e saj shpëtonin"

NË ROJE TË RRUGËS “EGNATIA”

Afër kalasë së Qafës, në shpatin shkembor kalonte një rrugë, që lidhej me nëndegën jugore të rrugës Egnatia, e cila njihet edhe sot si Rruga e Kaurrit. Rruga “Egnatia” kishte një degëzim në luginën e Devollit në Sulovë, duke ardhur nga qyteti antik i Apolonisë për në Scampini (Elbasani i sotëm). Ky degëzim ka lënë gjurmë në hartat dhe dokumente e kohës. “Mbrojtja e rrugës Egnatia përveç fortifikimeve të qyteteve u sigurua edhe ndërmjet ndërtimit të kalave të cilat kontrollonin rrugët. Për të kontrolluar daljen e rrugëve natyrore nga lugina e Devollit në fushën bregdetare u ndërtua kalaja e Qafës...” (Neritan Ceka “Ilirët”, faqe 244). Lidhur me itinerarin e saj studiuesi i rrugëve dhe urave të vjetra në Shqipëri Valter Shtylla në librin e tij “Rrugët dhe urat më të vjetra në Shqipëri”, faqe 10 shkruan: “Kjo rrugë që vinte nga Apolonia, pas urës së Kuçit, duke ndjekur anën e majtë të rrjedhës së lumit Eurodakis, (emri i lumit Devoll në antikitet) kalonte luginës së lumit Devoll.

Kjo degëzim e rrugës antike Egnatia përfaqësonte një shkurtim, por që nuk duhet të ketë pasur ndonjë rëndësi të madhe dhe përdorim në stinën e dimrit veçanërisht në kohë shirash nga vërshimet e rrëkeve dhe përrenjve, gërryerjet, të cilat e shndrronin në të pakalueshme në mjaft pjesë të saj.

***

Kalaja e Qafës, si dëshmitare e lashtësisë dhe historisë  në trevën e Elbasanit, pas viteve ‘90, është lënë në harresë për t’u shëndërruar në rrënojë. Kjo nën veprimin e agjentëve atmosferike, përpos dëmtimeve nga njerëzit, të ngjall një zymti shpirtërore.


FRAGMENT I NENDEGES SE RRUGES  ''EGNATIA''


HURDHA  E BANKES


KALAJA E QAFES NE SULOVE


PLANIMETRIA E KALASE SE QAFES


SHESH I  SHTRUAR ME PLLAKA GURI  AFER KALASE


SHPELLA E KALASE