E marte, 15.10.2019, 12:02 AM (GMT+1)

Komente » Fetahu

Adil Fetahu: ''Përmasat e ndërgjegjes''

E diele, 09.11.2014, 05:43 PM


“Më mirë le të qajë vetëm nëna ime,

sesa të qajnë qindra nëna shqiptare”

(Shefqet Kapiteni)

(Ramadan Haziri: PËRMASAT E NDËRGJEGJES, roman, botoi “SAGA”,Prishtinë 2014, fq.145)

Nga Adil FETAHU

Janë të rrallë shkrimtarët që të jenë kaq produktiv si Ramadan Haziri, i cili vetëm në pesëmbëdhjetë vjetët e fundit (prej 1999 deri më 2014) ka botuar 30 vepra letrare: romane, publicistikë, tregime, drama. Si historian që është me profesion, e që një pjesë të historinë së jetës së vet e ka vuajtur në procese gjyqësore dhe në burgjet serbe, Ramadani është i preokupuar me historinë e popullit shqiptar, plisbardhëve siç i quan ai, prandaj shumica prej 23 romaneve të tij, kanë tematikë historinë dhe personalitetet historike. I tillë është edhe romani Përmasat e ndërgjegjes. Është ky një roman historik, kushtuar një personaliteti emblematik të njohur, nga Bajinca e Drenicës, Shefqet Bylykbashi, i cili karrierën ushtarake e përfundoi me gradën major i Ushtrisë (Gardës) Mbretërore Shqiptare, por që në popull i njohur dhe gjithmonë i quajtur Shefqet Kapetani. Ky epitet, me gradë ushtarake më të ulët se atë që e kishte arritur me shkollë e me luftë, na kujton metaforën sipas të  cilës ushtarët dhe populli e quanin Napoleon Bonapartën: “Tetari i vogël”, ndërsa dihet  se çfarë strategu ushtarak ka qenë e çfarë luftëra ka udhëhequr ai.

Lajtmotivi i roman në fjalë është ndërgjegja e njeriut, ushtarakut, luftëtarit, pjesëtarit të Ushtrisë Mbretërore, atdhetarit, shqiptarit.

Shefqet Bylykbashi e provoi dhe tregoi ndërgjegjen që nga fëmijëria, kur e braktisi medresen dhe u përcaktuar për të vijuar shkollën shqipe e pastaj akademine ushtarake, për t’i shërbyer mbrojtjes së atdheut dhe popullit të vet. Ndërgjegjen atdhetare e kishte trashëguar edhe nga i ati, Fetahu, i cili për dyzet vjet ishte me pushkë në krah, në luftërat kundër pushtuesit otoman. Derisa ishte në luftë kundër ushtrisë së Shefqet Turgut Pashës, i erdhi haberi se i kishte lindur një djalë. Pasi e shkrepi martinën, nga gëzimi se i lindi një pushkë më tepër për mbrojtjen e atdheut, në prani të shokëve, thirri me zë: “Shefqet Turgut Pasha, djalli ta marrtë shpirtin, kurse unë po ta marr emrin”. Kështu i kishte mbetur emri  ushtarit e oficerit të ardhshëm të Ushtrisë Mbretërore Shqiptare, Shefqet Kapitenit. Shkollën për oficer e mbaroi në Tiranë e në Romë, si nxënës e kadet i dalluar. Ndërgjegjën e tregoi dhe zbatoi gjatë gjithë shërbimit, luftës dhe jetës. Kur e deshi puna, me njësinë e tij ushtarake, erdhi për të mbrojtur atdheun në frontin lindor në Kosovë, kundër depërtimit të çetnikëve serbë të maskuar si partizanë, në Luftën e Dytë Botërore. Shefqet Kapiteni njësinë e vet ushtarake e koordinoi me luftëtarët vullnetarë të prirë nga Mulla Idriz Gjilani, me të cilin Kapiteni bashkëpunoi ngushtë dhe pati marrëdhënie vëllazërore, sepse i kishte lidhur situata historike dhe ndërgjegja kombtare.

Regjimenti IV i Ushtrisë Shqiptare, që gjendej në Prishtinë (në vitin 1944), mori urdhër nga Komanda në Tiranë, që të çvendosej nga Prishtina, në kufirin lindor. Regjimenti komandohej nga kolonel Fuat Dibra, por forcën kryesore lëvizëse të kësaj ushtrie e përbënin bateritë këmbësorike dhe artilerike të komanduara nga Shefqet Kapiteni, ndërsa vullnetarët i komandonte Mulla Idrizi. Kapiteni  një javë e vëzhgoi dhe hulumtoi terrenin rreth kufirit me Serbinë,  dhe topin e vetëm që kishte, e vendosi në një pozitë shumë të përshtatshme, në Kodrën e Kishës, në fshatin Tugjefc prej nga bënte kërdi në forcat e armikut përtej kufirit. Prej se gjëmoi topi në atë kodër, nuk quhej më Kodra e Kishës, por Kodra e Topit.  Ai top, aq shumë u popullarizua te ushtarët, vullnetarët dhe banorët e vendit, sa që një bari do t’ia jepte komandantit (Shefqet Kapitenit) një kec më të mirin, vetëm që ta lejonte ta prekte e ta përkëdhelë me dorën e tij topin, për të cilin dikush i paska thënë se vret edhe pas kodre! Kapiteni e lejoi ta prekte topin, por kecin nuk ia mori. Shefqet Kapiteni ishte strateg  i luftës, krijoi njësinë e vëzhguesve, të cilët u shërbenin edhe vullnetarëve si një shërbim inteligjence. Kolonel Fuat Dibra dhe Shefqet Kapiteni mrekulloheshin me përkushtimin dhe energjinë e Mulla Idriz Gjilanit, i cili komandonte vullnetarët dhe kujdesej për vijën e gjatë të frontit lindor.

Shefqet Kapitenin tërë kohën e shoqëroi edhe në front bashkëshortja (Hanka) dhe vëllai Bajrami, poashtu i zgjuar, trim dhe modest. Shefqet Kapiteni, familja dhe ushtarët e tij të disiplinuar fituan  simpati e miq të shumtë në fshat. Ai kujdesej që ushtarët ose njerëz të pandërgjegjshëm të mos i bënin keq askujt në fshat a rrethinë, as atyre pak serbëve që ishin në atë zonë. Madje, një fshatare serbe, me një shportë me artikuj të ndryshëm ushqimor, i kishte trokitur në derën e familjes, për ta uruar e falënderuar për sjelljen tejet korrekte, që ushtarët as banorët shqiptarë nuk i shqetësonin ata, në ato kohë të liga. Por Kapiteni nuk i mori shportën, pa ia paguar hakun, sepse atë e paguante shteti shqiptar.

Fashistët gjermanë po tërhiqeshin, që të mos mbeteshin të rrethuar e të zënë rob nga partizanët, kurse fashistët bullgarë iu bashkuan çetave partizane ashtu që forcat e armikut po shtoheshin.  Partizanëve u bënin qëndresë vetëm ushtarët dhe vullnetarët shqiptarë, të cilët mbetën pa përkrahjen dhe armatimin e premtuar (gjerman).  Lufta në vijën e gjatë të kufirit bëhej gjithnjë e më e vështirë e vrastare.  Një betejë e suksesshme e forcave vullnetare të Mulla Idrizit dhe ushtrisë së Shefqet Kapitenit në Velegllavë, mbahet mend dhe njihet në popull si Lufta e Bajramit të Madh (nëntor 1944). Por, të kurajuar nga tërheqja e gjermanëve,  partizanët e Ali Shukriut, shtuan agresivitetin dhe me agjentët e tyre, me mashtrime, premtime e dredhi bënin përpjekje të përçanin popullin dhe ta bindin që  t’iu bashkohej partizanëve. Veçmas ishin të interesuar ta përvetësonin Kapiten Shefqetin, por ai në asnjë moment nuk kishte dilema në luftën e tij të drejtë. Nga propaganda komuniste, nëpër çetat partizane po hynin me dhunë apo të mashtruar, partizanë shqiptarë. Armiku po korrte fitore  dhe po bënte masakra në Ferizaj, Gjilan e gjetkë. Qëndresa e vullnetarëve dhe Ushtrisë Mbretërore nuk kishte gjasa të zgjaste. Madje, nuk kishte kuptim të vriteshin mes veti vëllezërit shqiptarë në dy  taborre të kundërta. Duhej ruajtur substanca kombëtare për kohë më të mira, sepse robërisë do t’i vie fundi një ditë. Në kushte të tilla, Komanda Supreme e Ushtrisë Mbretërore urdhëroi tërheqjen e ushtrisë shqiptare. Pasi u shpjegoi ushtarëve gjendjen, Kapiteni i këshilloi ushtarët të veprojnë sipas ndërgjegjes së tyre, ndërsa vet i shoqëruar nga bashkëluftëtarët më të ngushtë dhe armatimin që mund ta merrte, u kthye në fshatin e tij, në Baincë.

Pas pushtimit të Kosovës, OZN-a famëkeqe kërkonte luftëtarët e lirisë, atdhetarët dhe maltretonte popullin. Shefqet Kapiteni u strehua në një bunker në fshatin Karaçicë, te Ajet Godeni. Aty ishin strehuar edhe shumë luftëtarë e patriotë tjerë, si: prof.Ymer Berisha, Ukë Sadiku me çetën e tij, Islam Damaneku nga Graca e Lijanit, Smajl Gorani nga Davidofci i Shtimjes, Alush Smajli nga Llazica e Malishevës,  Bajram, Sherif e Brahim Bylykbashi, Ibrahim Lutfiu, Rrustem Tërni nga rrethi i Ferizajt, Adem Dushi nga Dushi i Klinës, kapiten Sata Ahmeti nga Peshkopia, Ismail Mati nga Mati, e atdhetarë tjerë (fq.108). Të gjithë ata, dhe të tjerë i kërkonte OZN-a, ua bastiste shtëpitë e tyre e të afërmve, dhe i maltretonte njerëzit Për të shpëtuar familjen, miqtë e dashamirët nga torturat, Shefqet Kapiteni me të vëllanë Bajramin vendosën të dorëzohen. Dashamirët e Kapitenit thoshin: “vdekja s’e mori në front, e do ta merr duarlidhur”. Dhe kur e pyesnin, përse po dorëzohej, ai përgjigjej: “Më mirë të qajë vetëm nëna ime, sesa të qajnë qindra nëna shqiptare” (fq.113; 118). Kjo përgjigje ishte në pajtim me ndërgjegjen e Kapitenit. Ai dhe Bajrami u dorëzuan  te  postëkomandanti i milicisë në Komoran, Arif Shala, i njohur si Hoxhë Avdiu, e që ishte shok i fëmijërisë dhe rinisë së Kapitenit, dhe ishte një burrë e atdhetar si rrallëkush; edhe i angazhuar në pushtet por edhe në organizatën NDSh. Ai i gëzohej qëndrimit dinjitoz të Kapitenit para oficerëve të OZN-ës. Hoxhë Avdiu i tha: “Ta kam njohur zgjuarsinë e trimërinë me duar të lira, e sot po ta njoh edhe me duar të lidhura”. Gjatë procesit në hetuesi, Kapiteni e pa ferrin komunist nga hetuesit serbë e malazezë dhe nga ndonjë shqiptar i mjerë. Tek pas një takimi me Fadil Hoxhën, atij iu ndërprenë torturat.

Në procesin gjyqësor të mbajtur në Prishtinë, asnjë dëshmitar nuk shkonte në favor të aktakuzës. Përkundrazi. Gruaja serbe e cila gjatë luftës ia kishte dërguar shportën me artikuj ushqimor, në shenjë falënderimi që askush nuk po ia shqetësonte fëmijët as fqinjët, në gjykatë deklaroi se falë kujdesit të Kapitenit, asnjë serbi në zonën e tij të luftës nuk i ka munguar asgjë. Kjo dëshmi e të tjera, e gjindosën prokurorin dhe trupin gjykues që nuk kishin pritur dëshmi të tilla. Ata e provokonin Kapitenin me pyetje të ndryshme: sa veta ke vrarë me atë topin tënd, ndërsa Kapiteni u thoshte: unë nuk kam parë sa ka vrarë topi,  pyeteni topin. Unë jam shkolluar dhe shteti më ka paguar të luftoj, por duke respektuar me rigorozitet ligjet e luftës, traditën e kombit dhe ndërgjegjen time. Pas gjykimit, e dërgojnë në Burgun e Nishit për të vuajtur dënimin, ku e takon Mulla Hysen Statofcin, nje burrë e patriot i shquar.

Pas vuajtjes së dënimit, Shefqet Kapiteni u tërhoq në punët e përditshme dhe përkujdesjen për familjen. Nuk vonoi shumë dhe i vdiq vëllau Bajrami.  Për vete thoshte se nuk dëshironte të vdiste në prani të grave e fëmijëve, dhe vërtetë ashtu i ndodhi: vdiq në kraharorin e nipit Fetah, më 16 korrik 1969, rrugës për në spital. Sa qe gjallë, Shefqet Kapiteni veproi, luftoi e punoi me arsye, mençuri, moral, përgjegjësi,  ndërgjegje e  disiplinë prej ushtaraku.  Me sjelljen e vet, krijoi emër dhe fitoi simpatinë dhe respektin e të gjithëve, madje edhe të kundërshtarëve.

*  *  *

Autori i romanit, me njohuritë profesional dhe përvojën jetësore, njohjen e mentalitetit të popullit tonë,  nuk e ka pasur të vështirë ta bëjë një roman historik për Shefqet Kapitenin, dhe  një galeri të tërë personazhesh tjera reale ose të imagjinuara. Romani është shkruar me një stil të thjeshtë e gjuhë të kuptueshme, që përmban edhe metafora dhe urti popullore. Si njeri që edhe vet ka përjetuar katrahura e vuajtur dënime, Ramadan Haziri ka ditur me mjeshtri e sens te portretizojë e paraqet   karakteret e personazheve dhe të jep porosi për lexuesit Është ky një rrëfim për një personalitet të veçantë, një roman i vogël përkah vëllimi, por i madh përkah porosia, me titull simbolik që i shkon karakterit të kryepersonazhit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT