E marte, 30.11.2021, 06:59 AM (GMT)

Kulturë

Andrej Zaniewski: Rrëfimet e poetit të paepur

E diele, 09.11.2014, 05:02 PM


RRËFIMET E POETIT TË PAEPUR

(Mazllum Saneja: “Listy do Ewy”(Letra Evës),SHB “Komograf”, Varshavë, 2014)

Nga Andrej Zaniewski

Të shkruaj Ty/ mbi mëngjesin/ a thua pe ndonjë ëndërr/ hape dritaret

mbi botën/ përshëndeti dallëndyshet! (Letra Evës)

Molibden – element metalik, që përdoret në aliazh të hekurit për prodhimin e çelikut, që ka një fortësi të dukshme. Gjithashtu në kombinim me kobaltin, kromin, volframin marrin veçori të jashtëzakonshme. Në Kosovë ky mineral gjendet në gur gëlqereje, granit dhe shtresa kallaji. Kosova shtrihet në molibden, ndaj, në burime minerale që janë të domosdoshme në prodhimin e materialeve kozmike, strategjike, aq shume të kërkuara e të domosdoshme në kohën e tashme.  Së këtejmi ai interesimi dhe ndjeshmëria e superfuqive, interesimi i tyre dhe pjesëmarrja në veprimet të lidhura me hapësirën jo fort madhe gjeografike të Kosovës, që ka një sipërfaqe prej 11 mijë kilometra katrorë.

A thua toka ka një koherencë apo lidhshmëri me ata, që lindin në të ? Sipas mendimit tim, me siguri. Grimcat e kësaj toke dhe të ajritmegjithatë bëhen grimca të gjakut, të trupit, të eshtrave... A thua këto mikroelemente përcaktojnë ndjenjat, sjelljet, mënyrën e jetesës... Nuk di, po, më thotë mendja se kanë ndikim madje edhe vendimtar. Mazllum Saneja u lind pikërisht në Kosovë, në qytetin e Gjakovës më 1945, një qytet me zulmë, që shtrihet në vetë zemrën e Gadishullit Ballkanik, rrethuar nga Bjeshkët e Nemura. Shqiptarët si një popull i vetëm – askurrë nuk u bashkuan vullnetarisht në shtetin jugosllav, as në vitin 1918, ashtu edhe në vitin 1945. Shqiptarët gjithmonë janë konsideruar nga sllavët si një racë më e ulët: “Fajtor është Shqiptari që merr frymë / ec në dy këmbë / që flet shqip / që ha shqip / që dhihet shqip ‘/ Ali Podrimja:‘Fajtor është Shqiptari’/.

Mazllum Saneja shkruan në gjuhën shqipe, në një gjuhë që përbën grupin e veçantë në mes të gjuhëve indoevropiane dhe, nuk ngjason me asnjë gjuhë tjetër. Gjuha shqipe ka mbijetuar dhe, është ruajtur falë gjenisë së popullit shqiptar, duke kaluar nga njëri brez tek tjetri, me gojë a me të treguar gojë pas goje, falë këngës, legjendës. Po, Mazllum Saneja shkruan edhe ne gjuhën polake, të cilën e mësoi si autodidakt, ku më vonë ndjek kurset e gjuhës polake në Universitetet e Varshavës, Vrocllavit dhe të Krakovit. Sot Mazllum Saneja është emigrant në atdheun e tij të dytë –Poloni, i cili si një poet i shkëlqyer, outsider përshkon botën e vet – botën tonë, qarkullon në mes të Prishtinës, Gjakovës dhe Varshavës e Krakovit, duke u përpjekur të na bind se vlen të ëndërrosh, të lektisësh, të mbrosh të drejtat e tua morale, të luftosh për vlerat universale përtej kohore, të drejtat njerëzore për liri, besim, mëvetësi, besnikëri, t’ I qëndrosh besnik idealeve të tua karshi vetvetes dhe botës.

Konceptet sot të zmbrapsura, të harruara dhe të flakura mënjanë çfarë janë – dinjiteti, nderi, ambicia, respekti, krenaria, virtyti, lavdia, ndërgjegjja – gjithnjë për të janë më rëndësore, të gjalla, vendimtare në çdo hap, mbi vendimet e marra shpeshherë edhe karshi vdekjes, dëshpërimit, dhembjes, vuajtjes, hidhërimit: Të shkruaj Ty/ se udhëtimi im po merr fund/  në jetë pata shumë humbje/   bëra një jetë endacaku dhe qiraxhiu/ askurrë jeta nuk më përkëdheli/  e di se ditët e mia i kam të numëruara/  ndaj shpirti im është i pikëlluar/  asnjë pikë loti për mua/ jeta e njeriut qenka vetëm një udhëtim i pambarim/  ndjej madje edhe vdekjen do ta kem të vetmuar/  të shkruaj ty që të mbahesh si trime (Të shkruaj Ty)

Duke i rrëfyer Evës, mikes besnike, poeti shfryn tërë dufin e mllefin, tërë vuajtjen e dhembjen, sepse vetëm Asaj i rrëfen sekretet e shpirtit të vet të sfilitur, sepse vetëm Ajo e kupton thellësisht tipin e personalitetit të tij të ndërlikuar, ia kupton çdo gjest, shprehjen e fytyrës, mënyrën e të folurit, të shkruarit, mënyrën e të veshurit e të ecurit. Femra. Femrat zaten gjithnjë i kanë mbështetur, frymëzuar, mësuar dhe pëshpëritur si të jetojnë dhe gjëja më e rëndësishme: janë përpjekur që t’i kuptojnë. Dhe madje në çaste të humbjes, të disfatës, të dëshpërimit, të poshtërimit, që të qëndrojnë stoik, të mos dorëzohen karshi te papriturave të jetës... Demoni i vetmisë, demoni tërë ankth e frikë, demoni kryengritës përplot zemërim dhe revoltë zë të zbutet, të qetësohet, të fashitet, dhe zbrazëtinë e vetmisë së poetit e zëvendëson mirëkuptimi dhe dashuria e femrës, e Evës: Mbaj mend sonetet e Petrarkës, Letrat Elzës të Aragonit e deri te rrëfimet e Paul Eluard-it, deri te frazat subtile të Federico Garcia Lorkës..., e deri te „Letra Evës” të Mazllum Sanejës.

Me Mazllum Sanejën gjithnjë takohem ndërmjet udhëtimeve të pareshtura tij. Ose është kthyer ose ka shkuar. Emigrant, refugjat, poet shtegtar i përjetshëm, udhëtar me valixhe në dorë në mes te Kosovës dhe Polonisë, apo mbase qytetar i botës ? Jo! Mazllum Saneja na kujton shkëmbinjtë e përhimë të përkulur mbi rrjedhën e rrëmbyer të Drinit të Bardhë, dhe atëbotë kur kthehet në Gjakovë –rrëzë Pashtrikut e përgjatë Erenikut ëndërron me mall për Varshavën, Evën, për fushat e gjera të Mazovshes. Dhe prapë nga Polonia për Kosovë, dhe nga Kosova për Poloni... Në të vërtetë atdheu i tij u bë udhëtimi – shtegtimi i përjetshëm. Shtrohet pyetja: a thua ai e zgjodhi këtë fat? Apom fati atë? Ai – poeti, gjithnjë kthehet duke parë se do të udhëtojë. Udhëton duke parë se do të kthehet. Le të dëgjojmë autorin e vargjeve tronditëse, duke kujtuar se kjo është rrëfim i një dashurie që askurrë nuk vdes, që është më e fort se vdekja:

Asgjë nuk do të na ndajë sepse kemi një tokë një ajër një qiell/ një diell sepse ti je krejt ç’ndodh në kozmos/ sepse ti je Ervehe Penelopë Maria Valevska/ një ditë do shkojmë në Domastion Itakë Krakov/ ngado edhe te Kepi Shpresës së Mirë /do të kërkojmë hapësira të reja toka të reja/ ku do të ketë më shumë dritë/ më shumë ajër më shumë diell/ do të zbulojmë njerëz të mire/ njerëz të kuptueshëm mbi gërmadhat e botës së vjetër/ do të ngremë një të re botë të simbiozës së shpirtit/ arsyes e dashurisë një horizont të ri/ pa çelësa pa dryë/ oh Eva asgjë nuk do të na ndajë/ ti ke hyrë në dridhmat e shpirtit tim/ si në shpirtin e vjershave simbioze (Nuk ndahet simbioza).

Jo, këto nuk janë rrëfime të një dashurie rinore, po janë rrëfime të një dashurie të pjekur, të vetëdijshme. Mazllumi është gjithnjë në kërkim të së vërtetës për vetveten. Ai ndien nevojën e rrëfimit, të pëshpëritjes, të përshkrimit të ndjenjave të veta. Ai jeton në bredhëritje në mes vendeve, të cilat e kanë zgjedhur. Apo ndoshta ndërmjet atdheve, në të cilat është i diktuar përmes fatit, situatës dhe gjithashtu përmes mbrojtjes së dashurisë. Për një moment mendohem se mos poeti i revoltuar nga realiteti i pasigurt dhe i ankthshëm këtu do të braktis vendbanimin e qiraxhiut të pakënaqur në një vend tjetër, sepse tashmë një kohë të gjatë e ka molisur ai fati i emigrantit të zhgënjyer në vetminë e mërgimit, duke dëgjuar nganjëherë ato fjalë të tmerrshme: këtu je i tepërt, i padëshirueshëm, ekziston në fusha të huaja të shahut. Ky model i jetës së hidhur gjithnjë I ka intriguar dhe tërhequr botën e njerëzve të pangopur dhe përbuzës, duke vëzhguar me ironi dhe arrogancë botën e ...vegjëlisë.

Thuamë e bukura Eva/ kur do të përfundojë udhëtimi ynë i pambarim/ me ujqër udhëtimi i pambarim i poetit pa atdhe/ udhëtimi i purpurt kur nga çdo anë shoh tortura rreth e përqark shtëpisë sonë/ se ujqërit monstrumë sa vijnë e shumëzohen (Ngritja e mendjes). Monstrumë të tillë – demonë – hiena, i njohim, i dimë nga përditshmëria e realitetit tonë polak. Ajo Indiferenca – Përqeshja – Inati –Mosdashja – Ironia – Përbuzja – Poshtërimi ... Ndjeshmëria e madhe e poetit – e përkthyesit të përkryer e brilant të poezisë çfarë është Mazllum Saneja – i cili gjithnjë në situate të vështira jetësore është gjendur para shumë provave dhe sfidave të llojllojshme, para miqësive të zhgënjyera dhe grackave të fshehura e të kurdis- ura, premtimeve të gënjeshtërta, e kushedi para sa e sa sjelljeve poshtëruese dhe të prapëta, të cilat poeti i mbarti në shpirtin e vet të vrarë me një stoicizëm. Tronditës është ai besimi dhe karakteri i tij i pathyeshëm në fuqinë e fjalës, që është më e fuqishme se muret, grilat, burgjet, terrori, shfarosja.

Dhe me fjalën poetike, Mazllumi shkruan dhe lëron vargun poetik me një mjeshtëri të rrallë. Me forcën biblike të profetëve dhe me përulësinë e poetit, duke shkruar gjithnjë i vetmuar fillikat në grumbull njerëzish – tingëllojnë strofat e kësaj poezie, të destinuara për të gjithë ata që kanë mbijetuar ose mbijetojnë sikur autori. Dhe dashuria, një dashuri e thellë e një njeriu me përvojë dhe të thekur – e kredhur në zhgënjime është e përshkuar me plot frikë, shqetësime, çaste pasigurie dhe, si e tillë duhet të jetë. Eva, heroina lirike e ‘Letrave’ e shikon poetin e vet-rebel, me një ndjeshmëri dhe mirëkuptim... Ajo dëshiron të jetë njëkohësisht grua e vërtetë, mike besnike në përditshmërinë monotone, mbrojtëse, një engjëll – mbrojtës...

Bota rreth e përqark shtyp, këmbëngul, rrethon. Po kjo botë është edhe false, e gënjeshtërt, e pabesë, hipokrite, dhe e pamëshirë në gjykimet e veta, e verbër dhe e shurdhër në padrejtësitë gjithfarëshe – dhe tërë ky imazh e tmerron poetin e rraskapitur nga sprovat e jetës së vështirë, poetin gjithnjë më të moshuar, I cili nganjëherë është i pafuqishëm... Vetëm dashuria dhe besnikëria e gruas së dashur i lejon atij të mbijetoi çastet më të hidhura dhe më të vështira në jetë. ‘Letra Evës’ janë një dëshmi e hidhur e kohës, reflektim I dilemave tona qytetëruese, të goditura e të ngjeshura me ndjenjën e vërtete e të madhe njerëzore. Lexuesi i vëmendshëm me siguri ia shtron vetvetes pyetjen: Kush është Eva? Nga e ka prejardhjen? Ku banon? Ndaj, gjurmët janë të dukshme... Ai qytet i blertë/ Otvocki im/ ai qytet i kaltër/ Otvocki im/ amebë e dashurisë/ Gjithnjë në ëndrrën time/ Përse Otvocki më është aq i afërt (Otvocki). Përgjigjja duket e qartë. Lidhshmëritë e padukshme ndërlidhin botën, në këtë rast, vendverimin turistik afër Varshavës me Kosovën, Prishtinën, Mitrovicën Gjakovën... Lidhje të tilla paraqiten gjithnjë më shumë: figura e Evës bëhet gjithnjë më e afërt dhe e qartë: “Të shkruaj Ty/ i brengosur/ si ndiheshte së fundit/  ke hallet tua të jetës./ Si po ia del me vetveten  Ndaj si të mbrohesh para jetës që të shpëtosh jetën  sepse vetë jeta hallemadhe është ( Të shkruaj Ty )

Me fuqinë dhe saktësinë e fjalës poetike Mazllum Saneja na përkujton Rafael Albertin. Në letrat e tij poeti damkos, stigmatizon turpin e botës së përdhosur çfarë janë luftërat, uria, dëshpërimi, spastrimet etnike, indiferenca dhe mospërfillja e të pasurve karshi të varfërve.  Krenar, i paepur, poeti içiltër shqiptar nga Kosova,  me emrin e Evës në gojë, shkon përmes realitetit tim, banon, shkon, kthehet, një mik dhe mbrojtës, poet e më shumë se poet. Njeri, që duke e kuptuar thellë njerëzimin si një mision të pareshtur në mes të humburve, të shastisurve, të pasigurtëve, të frikësuarve për të ardhmen. Poezia është po ashtu një armë e fuqishme, bashkëkohëse, e saktë, për të goditur thellë në zemër, jo për të goditur, përkundrazi duke lënë një shkëndijë shprese. Nuk është lehtë të shohësh botën në tërë tmerrin dhe lakminë e vet, dhe të ruash qetësinë, pamjen dhe fytyrën e qetë dhe të gurtë. Ca teoricienë thonë se, sa më shumë vuajtje, dhembje, aq më të thella janë fjalët e poetit, aq më të bukura dhe kuptimplote. A thua, ndaj, bukuria të jetë varur nga vdekja , fatkeqësia, vuajtja? Poezia e Mazllum Sanejës, ndonëse i kushtohet dashurisë, mbart në vetvete dhe këto damka. Poeti i revoltuar dhe i mbyllur në vetvete, nganjëherë i inatosur dhe i zemëruar vështron kohën si një materie e veçantë eksplozive, kupton kërcënimet e kufijve të lënduar dhe të brishtë, në të cilat ne veprojmë me guxim dhe indiferencë po më shumë në mënyre absurde.

Dashuria, dashuria e vërtetë është azil, një strehim i vërtetë, liman i qetë. Duhet t’I dorëzohemi dashurisë që të kuptojmë më mirë botën, që të mos i frikësohemi, që të mos ikim në panik , po të mbetemi...  Të shkruaj Ty Këngë mbi Këngët  emri yt vaj dëllinje i derdhur  kopsht i dendësuar  lumë i rrëmbyer  burim drite  e bukur si Jerusalemi  të shkruaj ty mikja ime ( Të shkruaj ty )  Shpesh herë bisedojmë me Mazllum Sanejën për poezinë, për jetën, për të ardhmen... Për dashurinë poeti hesht, dashurinë e përmbushin poezitë e tij, duke mbetur një botë intime...    Le të kthehemi tek molibdeni – minerali, i cili do ta bënte Kosovën një vend të pasur dhe të gëzueshëm. Kjo ndodhi ndryshe dhe, nuk dimë se çfarë do të sjell dita e nesërme, dita e pasnesërme , për një dekadë apo fundi i shekullit të tanishëm... Megjithatë bota nuk bëhet gjithnjë më e mirë, derisa njerëzit nuk e përfitojnë mençurinë paralelisht me zhvillimin dhe përparimin teknik, kompjuterizimin, internetin...

Megjithatë është vështirë t’i rezistosh krahasimeve sugjestive. Ngurtësia dhe fortësia e kompozimeve të molibdenit, fortësia e çelikut dhe fortësia e njeriut, e shkrimtarit, qëndrueshmëria dhe pathyeshmëria e poetit i pa kompromis... A thua mos është vetëm një koherencë e rastësishme? (Varshavë, 31 gush 2014)

BOX

Autori është poet, romancier dhe kritik i njohur letrar. Ky shkrim është botuar në numrin e fundit te revistes së njohur letrare “Noweksiążki”. Përktheu nga polonishtja: M.S.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora