E premte, 29.03.2024, 01:38 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: SHBA, triumfojnë Republikanët

E premte, 07.11.2014, 07:12 PM


REPUBLIKANËT TRIUMFOJNË ANË E MBANË SHTETEVE TË BASHKUARA

Nga Frank Shkreli

Të marten, më 4 nëntor në Shtetet e Bashkuara u mbajtën zgjedhjet gjysëm-mandat për 36 vende nga 100-anëtarët që ka Senati Amerikan dhe për të gjithë ligjvensit në Dhomën e Përfaqsuesve të Kongresit amerikan.  Anëtarët e Senatit zgjidhen çdo gjashtë vjetë dhe kandidatët për anëtarë të Dhomës së Përfaqsuesve të Kongresit amerikan përballen me votuesit çdo dy vjetë.  Përveç zgjedhjeve për anëtarët e legjislaturës kombëtare amerikane që është Kongresi, u zhvilluan gjithashtu zgjedhje edhe për governatorë shtetesh, si dhe për mandate të ndryshme në nivele të pushtetit vendor dhe shtetëror në mbarë Amerikën.  Votuesit amerikanë -- të pakënaqur mbi shumë çështje të rëndësishme të mbrendshme, përfshirë gjëndjen ekonomike, dhe sfida me të cilat përballen amerikanët çdo ditë por edhe të shqetësuar edhe mbi situatën aktuale ndërkombëtare dhe për rolin amerikan në botë  -- vendosën të martën që të votonin në mënyrë dërmuese kundër një numri zyrtarësh të Partisë Demokrate në të gjitha nivelet dhe në favor të kandidatëve të Partisë Republikane opozitare.  Ishte gjithashtu një shfaqje e pakënaqësisë së votuesve me politikat e Presidentit Obama, përfshirë ligjin mbi përkujdesjen shëndetsore, ligj ky i cili gjithnjë kundërshtohet nga shumica e amerikanëve, por që Presidenti Obama insiston se nuk do ta ndryshojë.  Analistët thonë se humbja e demokratëve u pa ç’prej fillimit dhe se problemi ishte vet Presidenti Obama, pasi sipas tyre, sado të zotët të jenë kandidatët si individë, ata nuk mund të artikulojnë politika ekonomike dhe financiare dhe as nuk mund të përpilojnë një vizion për politikën e jashtme. Është presidenti dhe adminstrata e tij ata që duhet të përcaktojnë një vizion të përgjithëshëm për tonin dhe qëndrimet politike të partisë së tyre për zgjidhjen e problemeve mbrenda dhe jashtë vendit, gjë që sipas ekspertëve ata nuk e bënë.

Votuesit amerikanë jo vetëm që ndëshkuan shumicën demokrate në Senat duke i siguruar Partisë Republikane mbi shumicën e nevojshme në atë dhomë, por republikanët ndonëse nga zgjedhjet e dy viteve më parë ata gëzonin shumicën në Dhomën e Përfaqsuesve, në zgjedhjet e kësaj jave ata shënuan një fitore dërmuese që mund të konsiderohet historike – sepse sipas analistëve, një shumicë të tillë dësmuese në Dhomën e Përfaqsuesve,  republikanët nuk e kanë patur ç'prej kohës kur në Shtëpinë e Bardhë ishte Presidenti Truman.  Pothuaj në çdo rajon të Shteteve të Bashkuara, nga lindja në perëndim dhe nga veriu në jug, republikanët shënuan fitore në pothuaj të gjitha nivelet e pushtetit federal dhe në nivelet shtetërore.  Fitorja ishte aq e madhe dhe aq gjithëpërfshirse sa që habiti edhe vet republikanët.  Përveç fitores së madhe të Partisë Republikane në të dy dhomat legjislative të Kongresit, republikanët tani udhëheqin edhe 32 nga 50-shtetet e Amerikës.  Domethënja e fitores së governatorëve republikanë në 32 shtete anë e mbanë vendit, pasqyron më së miri thellësinë e humbjes së Partisë Demokrate edhe në nivel shtetëror, pasi governatorët republikanë siguruan fitore në shtetet që historikisht janë dominuar nga Partia Demokrate, shtete liberale siç janë Mariland, Masaçusets dhe madje edhe  shteti Illionois nga vjen presidenti Obama.

Por megjithë entuziazmin e merituar të republikanëve për fitoren e partisë së tyre në zgjedhjet e kësaj jave, Sarah Palin, ish-governatore e shtetit Alaska dhe ish-kandidate për zëvendës presidente e Partisë Republikane, paralajmëroi republikanët se votuesit të martën hodhën votën e tyre kundër mosfunksionimit të qeverisjes në Washington dhe jo medoemos në favor të Partisë Republikane. Me fjalë të tjera, Palin thotë se vota e djeshme mund të ketë qenë më shumë një votë proteste kundër politikave të mbrendshme dhe të jashtme që ka ndjekur administrata e Presidentit Obama gjatë 6 viteve të kaluara, se sa një votë në favor të republikanëve.

Sidoqoftë, zgjedhjet e së martës hynë histori si një ndër fitoret më të suksesshme të Partisë Republikane dhe tani të dy partitë dhe udhëheqsit e tyre kanë filluar të vlerësojnë efektet dhe të shqyrtojnë rezultatet e këtyre zgjedhjeve duke përpiluar planet e tyre për të ardhmen, përfshirë edhe Presidentin Obama të cilit i mbeten edhe dy vjetë në mandatin e tij.  Një ditë pasi republikanët siguruan shumicën në Kongresin amerikan dhe pas fitores dramatike anë e mbanë vendit dhe në të gjitha nivelet e psoteve politike, përfshirë edhe governatorët në 32 shtete, filluan reagimet e para zyrtare.  Pas pas një mbrëmjeje demoralizuese dhe disfate për Partinë e tij Demokrate, Presidenti Obama mbajti një konferencë shtypi të mërkurën dhe pranoi se  “Mbrëmë, për republikanët ishte një natë e mirë dhe se ata meritojnë kredi për zhvillimin e një fushate të mirë.”  Gjatë sesjonit me gazetarët, Presidenti u pyet nëse pas humbjes së Partisë Demokrate ai do të ndryshojë agjenden e tij politike gjatë dy viteve të ardhëshëm, kryedemokrati u përgjegj duke thënë se ndonëse kishte “dëgjuar” zërin e votuesve, ai do të vazhdojë politikën e tij, por  shtoi se njëkohsisht do të përpiqet të bashkpunojë me republikanët për të identifikuar fushë ku mund të punojnë së bashku. Po megjithë shprehjet për bashkpunim, Z. Obama, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari mbi imigracionin,  sfidoi Kongresin e ri të dominuar nga republikanët duke thënë se ai do të veprojë në mënyrë të njëanshme në lidhje me reformën e ligjeve të imigracionit, duke kërcënuar se do të nënshkruaj një urdhër ekzekutiv, që merret me mendë se do të jetë një urdhër për amnisti për imigrantët ilegalë në këtë vend – nëqoftse Kongresi nuk propozon një plan të gjithanshëm për reforma në fushën e imigracionit.  Analistët thonë se kjo kërkesë e Presidentit Obama mbi imigracionin, mund të përbëjë konfliktin e parë të tij me Kongresin e ri republikan, pasi ai sipas tyre, po kërkon diçka që nuk është e mundur të arrihet deri në fund të këtij viti, ashtu siç kërkoi dje presidenti. Për më tepër, kur të dy palët kanë qëndrime krejtë të ndryshme mbi këtë çështje, do të nevojitej më shumë kohë që të dy palët të arrijnë në një marrveshje të pranueshme për të dy palët. Ekspertët theksojnë gjithashtu se një kërkesë e tillë nga Presidenti Obama nuk është reale pasi megjithë këmbënguljen e tij në të shkuarën për një ligj mbi imigracionin, ai nuk e arriti këtë qëllim as gjatë gjashtë viteve të kaluara të mandatit të tij, ndonëse gjatë mandatit të parë të tij, Partia e Demokrate që ai kryeson ka kontrolluar të dy dhomat e Kongresit.

Ndërsa Kryetari i ri i shumicës Republikane në Senat, Senatori Mitch McConnell, në reagimin e parë pas zgjedhjeve u tha gazetarëve të mërkurën se zgjedhësit amerikanë, në votimet të martën që kaloi, dërguan një mesazh të qartë se të dy partitë duhet të qeverisin së bashku.  Ai shtoi se megjithëse amerikanët kanë zgjedhur një qeverisje ku Shtëpia e Bardhë kontrollohet nga presidenti demokrat ndërsa dy dhomat e Kongresi të ri kontrollohen nga republikanët, nuk do të thotë shtoi ai, se amerikanët, “duan që ne të mos bëjmë asgjë”.  Përkundrazi, tha ai, “Unë mendoj se votuesit amerikanë duan që ne të përpiqemi të identifikojmë fusha bashkpunimi”, për zgjidhjen e problemeve të vendit.  Senatori McConnell tha se ka disa fushë në të cilat të dy palët mund të bien dakort dhe se detyra e parë e tij është që t’a bëjë Senatin të funksionojë përsëri, pasi sipas tij, nga pikpamja institucionale, “Senati, gjatë disa viteve të fundit, pothuaj nuk ka bërë asgjë, hiç.” Senatori McConnell u tha gjithashtu gazetarëve se pas verdiktit të votueseve, Presidenti Obama i telefonoi atij për ta uruar për fitoren e madhe të republikanëve, duke u thënë gazetarve se “zhvilluam një bisedë të mirë dhe miqësore me të”. Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi bashkpunimin e palëve në Washington, Senatori McConnell u tha gazetarve se shumica e senatorëve të ri republikanë nuk mendojnë se janë zgjedhur për të zhvilluar luftë politike me njëri tjetrin dhe se mezi presin të shkojnë në Washington për të bërë diçka për zgjedhësit e tyre.

Megjithëse gjatë takimeve me përfaqsues të medias Presidenti Obama dhe Senatori  republikan McConnell premtuan se do të bashkpunojnë për të mirën e vendit,   Presidenti Obama, gjatë konferencës me shtypin të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, theksoi se ai do ndjekë idetë e veta gjatë dy viteve të ardhëshme, madje edhe nëqoftse ato nuk u pëlqejnë republikanëve në Kongres.  Ndërkaq, Presidenti Obama njoftoi se kishte ftuar udhëheqsit e lartë të Kongresit për një takim në Shtëpinë e Bardhë të premtën për të biseduar mbi planet e ardhëshme legjislative, përfshirë ndër të tjera edhe çështjen e imigracionit.  Ndërsa ata u angazhuan për bashkpunim me njëri tjetrin -- nga deklaratat e kryetarve të dy partive të mërkurën -- duket se Presidenti Obama dhe udhëheqsi i ri i republikanëve në Senat, Senatori Mitch MccConnell, megjithkëtë do të ndjekin politikat e tyre dhe do të mbajnë qëndrimet që i dallojnë ata.  Ndaj, mbetet për t’u parë gjatë dy viteve të ardhëshme se sa seriozë janë ata për bashkpunimin e deklaruar me njëri tjetrin për zgjidhjen e problemeve të mëdha me të cilat përballet Amerika dhe bota.  Zgjedhësit amerikanë bënë detyrën e vet duke u dërguar të dy partive  një mesazh të qartë të këtë javë, se ata presin,   që megjithë dallimet politike midis tyre, të punojnë së bashku për të mirën e vendit.

Anëtarët e Kongresit të ri bëjnë betimin në fillim të vitit që vjen.

---------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

ROLI I KONGRESIT:  Anëtarët e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqsuesve të Shteteve të Bashkuara përfaqësojnë shtetet dhe zgjedhësit në degën legjislative, njerës prej tri degëve të qeverisë federale.  Dy të tjerat janë, Dega Ekzekutive (Presidenti) dhe Dega Juridike (Gjykatat).  Secila prej këtyre degëve qeveritare luan rolin dhe ka funksionin e saj të posaçëm në bazë të artikujve 1,2 dhe 3 të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.  Dega legjislative përbëhet nga Senati dhe nga Dhoma e Përfaqsuesve dhe të dyja së bashku njihen si Kongresi i Shteteteve të Bashkuara.  Senati përbëhet nga 100 anëtarë, dy senatorë nga secili prej 50-shteteve të Amerikës.  Ndërkohë që përsa u përket anëtarve të Dhomës së Përafqsuesve, numri i ligjvensëve në këtë dhomë ndryshon nga shteti në shtet, varësisht nga popullësia e secilit shtet.  Dhoma e Përfaqsuesve ka gjithsejt 435 anëtarë. Për shembull, shtetet New York, Kalifornia, Teksas dhe Florida kanë numrin më të madh të liigjvensve në Dhomën e Përfaqsuesve, sepse janë edhe shtetet me popullësitë më të mëdha.  Arsyeja se pse themeluesit e këtij kombi vendosën për një qeverisje me tre degë ishte se ata donin që  asnjë person ose parti të mos ketë mundësi të monopolizonte pushtetin dhe të vendoste një sistem totalitar qeverisjeje. Kështu, ata vendosën sistemin e  ashtuquajtur "checks and balances", që do të thotë se veprimtaria e secilës degë të qeverisë kontrollohet dhe frenohet nga tjetra. Si rrjedhim, pushteti dhe kompetencat e Presidentit kontrollohen nga Kongresi, i cili ndër të tjera mund të refuzojë miratimin e emërimeve të tija dhe kushtetuta i njeh Kongresit të drejtën  -- që në rast se ai shkelë kushtetutën -- për ta korigjuar presidentin, madje edhe për ta detyruar të largohet nga detyra në rast të abuzimit dhe të shkeljeve të rënda të detyrës nga ekzekutivi. Nga ana tjetër, Kongresi miraton ligjet, por presidentit i jep kushtetuta të drejtën e vetos, nëqoftse nuk pajtohet me ligjet që i dërgon Kongresi për aprovimin e tij. Në një rast të tillë, atëherë Kongresi me shumicë dërmuese votash, prej dy të tretën e votave, hedhë poshtë veton e presidentit.  Ndërsa dega juridike, që është Gjykata e Lartë mund të vendos nëse një ligj është në përputhje me kushtetutën ose jo, dhe kushtetuta amerikane i jep Kongresit të drejtën -- që me miratimin e dy të tretës së shteteve amerikane -- mund të ndryshojë kushtetutën.

Të dy dhomat e Kongresit  luajnë rolin e tyre të posaçëm sipas kushtetutës, por Senati dhe Dhoma e Përfaqsuesve kryejnë disa funskione të përbashkëta, siç është rregullimi i tregëtisë, transportit  dhe i komunikacionit ndërshtetëror dhe  nevojitet miratimi të dy dhomave  në rast të shpalljes së luftës kundër ndonjë vendi të huaj.

Por, detyra kryesore e anëtarve të dy dhomave të Kongresit është miratimi i ligjeve.  Ky është një proces i ndërlikuar i cili nevojitë pjesëmarrjen e përkushtuar të ligjvensve.  Senatorët, si individë ose si grup, sponsorizojnë një projektligj nga përpilimi i tij e deri tek në fund kur të miratohet si ligj, me shumicë votash.  Procesi i miratimit të ligjeve fillon me përpilimin e projektligjit, i cili pastaj i paraqitet për shqyrtim komisionit përshtatës nga një senator ose më shumë. Pasi komisioni ta ketë shqyrtuar projektligjin, Senati debaton meritat e tij dhe senatorët gjatë debatit propozojnë amandamente.  Atëherë, Dhoma e plotë e Senatit voton projektligjin dhe amandamentet e miratuara dhe i dërgohet Dhomës së plotë të Përfaqsuesve.  Nëse edhe Dhoma e Përfaqsuesve e aprovon projektligjin, atëherë i këthehet përsëri Senatit dhe nëqoftse projketligji nuk ndryshohet në Dhomën e Përfaqsuesve, atëherë Senati nënshkruan projektligjin dhe i dërgohet Shtëpisë së Bardhë (presidentit) për aprovim dhe nënshkrim.  Kështuqë në fund të fundit,   është në dorë të presidentit që ta aprovojë projektligjin me nënshkrimin e tij për ta bërë ligj ose të përdor veton kundër projektligjit.  Një ndër rolet kryesore të Senatit është përcaktimi i taksave dhe miratimi i buxhetit dhe i shpenzimeve të qeverisë federale. Në fushën e politikës së jashtme, Dhoma e Senatit miraton gjithashtu traktatet ndërkombëtare të qeverisë së Shteteve të Bashkuara me shtete të tjera dhe luan një rol kyç në këtë fushë, pasi sipas kushtetutës, Senati duhet të aprovojë të gjitha emërimet në postet e larta të diplomacisë dhe të politikës së jashtme amerikane, përfshirë ambasadorët dhe si të tillë pra senatorët ushtrojnë një influencë të madhe mbi politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Megjithëse jo sa Senati, edhe Dhoma e Përfaqsuesve luan një rol të konsiderueshëm në politikën e jashtme të Amerikës nepërmjet procesit të aprovimit të buxhetit për Departamentin e Shtetit  agjencitë e tjera që merren me punët ndërkombëtare.  Si pjesë e përgjegjsive të tyre në lidhje me politikën e jashtme, shpeshherë anëtarët e Kongresit amerikan, nga koha në kohë, vizitojnë vende dhe rajone që mendohet se janë të rëndësishme për interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Ligjvensit amerikanë gjithashtu përfaqësojnë shtetin e tyre në debatin mbi çështjet kombëtare dhe shërbejnë si ndërmjetës midis qeverisë federale dhe shtetit ose zgjedhësve të cilët ata përfqësojnë. Dhe i konsiderojnë si pjesë të detyrës së tyre kontaktet e vazhdueshme me zgjedhsit që ata përfaqësojnë, për të dëgjuar hallet dhe problemet me të cilat ata përballen, por edhe për të mësuar se cilat janë çështjet që votuesit i konsiderojnë të rëndësishme për veten e tyre, për shtetin ku jetojnë dhe për interesat e vendit në përgjithësi.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora