E enjte, 25.04.2024, 12:45 PM (GMT+1)

Mendime

Begzad Baliu: Marrëdhëniet Shqiptare-serbe-maqedone ndërmjet krimit dhe ndëshkimit

E diele, 06.07.2008, 07:54 PM


Begzad Baliu
MARRËDHËNIET SHQIPTARE-SERBE-MAQEDONE NDËRMJET KRIMIT DHE NDËSHKIMIT

Shkruan: Begzad Baliu

Dëshiroj që marrëdhëniet shqiptare-maqedonase në këtë sesion shkencor, e në kontekst të tyre edhe ndikimin e pashmangshëm serb, t’i shikoj në dy linja: në kontekstin historik të trashëgimisë së këtyre marrëdhënieve dhe sipas gjendjes së sotme në kontekst të reflektimit të saj si një praktikë e re e politikës moderne maqedonase. Në linjën e parë dua të sjellë sintezën historike të kësaj trashëgimie, ndërsa në linjën e dytë reflektimin në institucionet akademike dhe pasqyrimit të saj në rrethana të reja.
Kriza e këtyre marrëdhënieve fillon me Krizën Lindore të gjysmën e dytë të shekullit XIX, në Motin e Madh të mbrapsht të gadishulli tonë të vogël, kur Serbia, e ndihmuar nga Rusia, gjoja në emër të hakmarrjes kundër Perandorisë Osmane, ndëshkon shqiptarët e Sanxhakut të Nishit, ndërsa hapësira lindore e tokës maqedonase, kryesisht rreth Vardarit, bëhet hapësira e përndjekjes së shqiptarëve drejt portit të Selanikut dhe qendrës së Perandorisë.
Cili është roli i Maqedonisë këtu? Analizat mungojnë plotësisht, sigurisht për arsye se maqedonasit gjendeshin ndërmjet identitetit të tyre, ndikimit bullgar dhe kërcënimeve serbe. Krize e këtyre marrëdhënieve dhe muri i gjakut lartësohet me pushtimin e tërësishëm të Kosovës nga Serbia në fillimin e dekadës së dytë të shekullit XX. Ndëshkimi dhe gjenocidi serb mbi shqiptarët, në emër të kinse luftës kundër mbeturinave turkofile në Kosovë dhe Maqedoni, është i tmerrshëm jo vetëm në Kosovë por edhe në Maqedoni. Hapësira maqedonase identifikohet kryesisht me zonën ushtarake serbe .
Në marrëdhëniet shqiptare-maqedonase, roli maqedonas i pjesëmarrjes së strukturave ushtarake identifikohet ashpër kur forcat ushtarake maqedonase nën tutelën serbe ndëshkojnë shqiptarët në emër të mbeturinave fashiste. Në dimrin e vitit 1944-1945 ata bëjnë krime të njëpasnjëshme në qytetet dhe në fshatrat etnike shqiptare të Maqedonisë e të Kosovës dhe këtë e bëjnë në emër të ndëshkimit të grupeve antikomuniste, që në të vërtetë ishin grupe proevropiane shqiptare dhe luftën e bënin në emër të parullës “Inglizi te thana” .
Është koha kur në politikën jugosllave nxitet nacionalizmi slloven dhe maqedonas, frenohet nacionalizimi kroat dhe serb, ndalohet nacionalizimi shqiptar, shikohet me indiferencë nacionalizimi malazez dhe punohet në shkallë ndërkombëtare për formimin me kujdes të jugosllavizmit boshnjak.
Le të theksojmë se pjesëmarrja e ushtrisë maqedonase është evidente edhe në brigadat partizane, të cilat marrin pjesë në krimin në Tivar, po në emër të likuidimit të mbeturinave antipopullore të Luftës së Dytë Botërore.
Kujtojmë këtu kthimin e Shkupit në një pikë reference për të mos thënë në një laborator serb për të përpunuar idetë dhe për të realizuar veprimet maqedonase: likuidimin e grupeve dhe individëve të NDSH-së, shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi 1952-1956, mbledhjen e armëve, burgosjen e mësuesve (1963), mbylljen e shkollave shqipe, ndalimin e librave, praninë e njërit prej burgjeve më të ashpra në rajon: Burgun e Idrizovës, ndërrimin dhe ndalimin e toponimisë dhe antroponimisë, përbuzjen e shqiptarëve, ndalimin e përdorimit publik të gjuhës shqipe, vrasjen e ushtarëve etj.
Pasi e shikojnë me indiferentizëm gjenocidin serb mbi shqiptarët, i cili si edhe në fund të shekullit XIX bëhej në emër të ndëshkimit të shqiptarëve për identifikimin e tyre si proevropian dhe proamerikan, strukturat politike dhe ushtarake e pse jo edhe akademike maqedonase bëjnë një gabim të cilin mbase nuk do ta bënin mësuesit e tyre: strukturat shtetërore dhe intelektuale serbe. Në emër te proevropianizimit dhe amerikanizmit, në fillim të shekullit XXI, provuan të shtypin kryengritjen shqiptare me mekanizma ushtarake te ish-republikave ruse.
Pra, sikur mund të shihet prej të dhënave mjaft të përgjithësuara, pas Luftës së Dytë Botërore, pjesëmarrja maqedonase në krimin serb mbi shqiptarët, që zakonisht identifikohet si ndëshkim, pothuajse institucionalizohet, pavarësisht se është plotësisht nën tutelën ideologjike, komanduese dhe mbrojtëse serbe, gjë që kuptohet më së miri me mungesën e plotë të pjesëmarrjes masive popullore maqedonase kundër shqiptarëve, një veçori kjo e pranishme dendur në opinionin serbe dhe qëndrimin homogjen të tyre në të gjitha lëvizjes antishqiptare. Mungesa e këtij homogjeniteti antishqiptar të popullit maqedonas mendoj se e bën të mundur rindërtimin e urave mes tyre, por me vjen keq që këtë rindërtim, të cilin në shikim të parë duket sikur po përpiqen ta ndihmojnë strukturat politike shtetërore, vazhdojnë ta pengojnë qarqet çuditërisht akademike.
Si e bëjnë këtë akademikët maqedonas? Kohë më parë, Akademia e Shkencave e Maqedonisë filloi një fushatë të gjerë kundër gjuhës dhe kulturës shqiptare. Fjala është për kundërshtimin e saj rreth barazisë së gjuhës shqipe në strukturat qeveritare të shtetit të ri: ish- Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Ndonëse ky angazhim duket i mbështetur vetëm nga disa pjesëtarë të saj dhe përkrahet gjithashtu nga disa parti politike, organizata joqeveritare dhe madje fetare, për shkak të heshtjes së pjesëtarëve të tjerë të saj, mund të thuhet se në gjithë këtë fushatë Akademia ka qenë dhe ka mbetur vetë boshti dhe rrezatuesi i kundërshtimit të pranisë së vlerave kulturore shqiptare në institucionet më të larta shtetërore të Maqedonisë, duke filluar me gjuhën shqipe dhe rrjedhojat e saj.
Nuk është hera e parë dhe nuk është hera e vetme e sjelljes së këtillë të disa akademikëve maqe¬do¬¬nas ndaj gjuhës shqipe dhe gjithë trashëgimisë së saj, të cilët zakonisht thirren në emër të kësaj akademie. Pasqyra e ‘kontributeve’ të saj në këtë drejtim historikisht është e gjerë dhe vëllimisht e madhe, aq sa është vetë historia e saj dhe e atyre që e kanë themeluar.
Radhitja e këtyre ‘kontributeve’ do të na merrte shumë hapësirë dhe do të na nxirrte nga qëllimi i tekstit tonë, por disa nga këto duhet shënuar:
• Koncepti politik në vend të konceptit shkencor për prejardhjen e popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe;
• Koncepti ekstrashkencor për histo¬rinë e shqiptarëve në trojet e tyre etnike shqiptare sot nën Maqedoni, tezë e bartur drejtpërdrejt nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë;
• Përpjekja dhe përkrahja dhënë institucioneve shtetërore për eliminimin e gjurmëve kulturo - historike shqiptare në Maqedoninë Perëndimore;
• Satanizimi i antroponimeve etnike me bazë në leksikun shqiptar;
• Përjashtimi i vlerave kulturore shqiptare të pranuara në universin kulturor kudo në botë;
• Veprimi i saj si një laborator i dikurshëm i Akademisë Mbretërore Serbe me qendër në Shkup etj.
Nuk e dimë a është e rëndësishme të thuhet se në këtë Akademi, si kudo në ish-Jugosllavi dhe madje në ish-shtetet komuniste, kanë hyrë më shumë politikanë sesa shkencëtarë. Akademia e Maqedonisë është një shembull par excellens, prej së cilës ka dalë madje edhe ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë. Në përbërjen e saj nuk ka pasur asnjë anëtar të deklaruar ‘shqiptar‘, apo të ndonjë etnie tjetër, pavarësisht se disa nga ata, në pleqërinë e thellë kanë guxuar që nga ndërdija dhe kujtesa e fëmijërisë, të theksojnë prejardhjen ‘tjetër’ të tyre.
Në këtë tekst duam të shtrojmë disa premisa të komunikimit të institucioneve tona shkencore me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë. Ky komunikim natyrisht do të duhej mbështetur mbi një komunikim jo vetëm institucional, shkencor e pragmatik, por edhe mbi disa premisa të natyrës largëvajtëse historike dhe etnike.
Së paku, dekadën e fundit kemi besuar se Akademia maqedonase, në parim do të heqë dorë nga konceptet e saj antishqiptare, por kjo nuk ndodhi, përkundrazi. Ajo, për një kohë të gjatë mbeti zëdhënësja dhe bartësja e prirjeve më destruktive të individëve, grupeve, partive dhe lëvizjeve politike të frymës antishqiptare në Maqedoni dhe madje jo vetëm atje. Duke i njohur këto sjellje të saj në ish-Jugosllavi dhe pas shpërbërjes së saj, institucionet kulturore, arsimore dhe shkencore në Kosovë janë kujdesur shumë për mënyrën se si do të komunikojnë me institucionet omonime në Maqedoni, ndërsa po këto institucione në Tiranë, në komunikimin e tyre me Shkupin, çështjen shqiptare përgjithësisht, jo njëherë e kanë shikuar mes gishtave. Madje, nëse në komunikimin mes dy akademive Tiranë - Prishtinë, kur e kur janë shprehur fërkime ‘për prirje paternalizmi’, ‘imponimi’ e madje ‘arrogance’, komunikimin i Tiranës me Shk! upin duket shumë më stabil. Në këtë rrjedhë Akademia e Shkencave e Tiranës vazhdon të udhëheqë ‘marrëdhënie të mira dhe stabile’, sikur këto të ishin marrëdhënie diplomatike të ndërtuara mbi premisat e diplomacisë ndërkombëtare e jo marrëdhënie të ndërtuara mbi koncepte intelektuale të një vetëdijeje historike për të kaluarën dhe të ardhmen e dy popujve fqinjë.
Për këtë arsye, mendojmë se krijimi i një strategjie mbi parimet me të cilat do të duhej të komunikohej me Akademinë maqedonase, e madje jo vetëm me të, janë të një rëndësie bazë, jo vetëm për nivelin e barabartë të këtij komunikimi, por edhe të një rëndësie nacionale për komunikimin kulturor, arsimor, shkencor dhe ndëretnik në rajon.
Le t’i theksojmë disa nga këto:
• Akademia e Maqedonisë është insti¬tucion nacional, me një trashëgimi tipike të vendeve të ish-sistemit komunist dhe me rezultate modeste shkencore, të cilat nuk paraqesin ndonjë rëndësi të veçantë për kërkimet shkencore shqiptare të kohës sonë.
• Akademia e Maqedonisë në shumë aspekte ka përkrahur më parë dhe vazhdon të përkrahë edhe më tej ide, të cilat kanë shkaktuar luftëra dhe gjenocid në Ballkanin e shqetësuar.
• Akademia e Maqedonisë ende nuk është liruar nga shtimungu i ngushtë nacional, me premisa ultraortodokse.
Ndonëse ajo është përfshirë në gjeografinë e Ballkanit Perëndimor dhe bën përpjekje të përfshihet në Bashkësinë e Shteteve të Evropës Perëndimore, akademikët e saj vazhdojnë të kundë¬rshtojnë gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj latin, e kjo do të thotë vazhdojnë të kundërshtojnë komunikimin perëndimor, me të cilin i lidh kultura shqiptare dhe ajo greke.
Maqedonaasit kundërshtojnë bashkë¬shte¬¬tësinë me popullin shqiptar, por në esencë ata ende nuk paraqesin një njësi homogjene nacionale. Ndonëse, në dukje të parë kanë krijuar etnikumin e tyre nacional-vendor apo pro-bullgar, në disa institucione të larta shkencore sikur është Akademia e Shkencave, politikisht, intele¬ktua¬lisht dhe ideologjikisht, vazhdojnë të drejtohen nga personalitete dhe grupe të proviniencës serbo-ko¬muniste. Nuk ka dyshim se ky klan i stërforcuar gjatë, për më shumë se një gjysmë shekulli, paraqet rrezikun më të madh për popullin maqedonas dhe Maqedoninë. Për më shumë se një dekadë pas rënies së sistemit komunist, ky ishte klani më i rrezikshëm, në kurthet e të cilit kanë rënë shumë intelektualë shqiptarë të Kosovës dhe të Maqedonisë. Prandaj, përpjekja e disa individëve dhe klaneve të Kosovës për të ‘ndërmjetësuar’ afrimin e institucioneve kulturore, arsimore dhe shkencore të Sh! kupit dhe të Tiranës, duke prezantuar kryesisht krijues, intelektualë dhe vlera shpirtërore të krijuesve që kanë dhënë shembullin e bashkim-vëllazërimit në ish-Jugosllavi, ka mbetur pa asnjë rezultat. Është dashur më shumë se një dekadë për të kuptuar pabesinë e tyre. Është dashur të ndodhë një luftë për të nxjerrë nga tryeza e bashkëbi¬se¬dimeve konvertuesit e përditshëm të shkollës serbe në Maqedoni. Sado ‘shoven’ (pro-bullgar apo ultramaqedonas) të ishin bashkëbiseduesit tanë nga radhët e intelektualëve dhe politikanëve maqedonas, që nuk ishin prekur nga virusi serb, komunikimi ynë do të ishte më i drejtë, më i sinqertë dhe më i sigurt.
Komunikimin ynë kulturor, arsimor dhe shkencor, pra komunikimi ynë nacional nuk ka pse të bëhet me mbetje të byrove e laboratorëve komuniste të Beogradit. Por edhe nacionalistët më të përbetuar maqedonas e dinë se në këto rrethana, si edhe më parë gjatë historisë, vetëm shqiptarët dhe kultura e tyre kanë paraqitur dhe vazhdojnë të mbeten një portë e hapur për rrugëtimin e tyre drejt perëndimit. Shqiptarët nuk vuajnë nga kompleksi i rrezikimit të kulturës së tyre nga ajo maqedonase. Së pari, sepse atë kompleks nuk e kanë trashëguar nga periudha e romantizmit nacional dhe së dyti, sepse kulturën e tyre e konsiderojnë si një nga shtresat më të rëndësishme të kulturës ballkanike, të cilën nuk kanë mundur ta tëhollojnë edhe popujt me kultura shumë më të mëdha, prandaj nuk do të mund ta bëjnë këtë as popujt minorë dhe të pahomogjenizuar ende në përmasat e sotme nacionale, sikur është populli maqedonas.
Më në fund, të kthyer me fytyrë kah Evropa, shqiptarët nuk kanë pse të imitojnë asgjë nga akademitë e popujve fqinjë: maqedonase, serbe a malazeze. Ata kanë nevojë të dëshmojnë kulturën e tyre të lashtë perëndimore (simotër të helenëve e romakëve të vjetër) dhe të komunikojnë me të gjithë pa përulje, natyrisht edhe akademike.
Në këtë kontekst dhe madje brenda këtyre kushteve duhet parë dhe vlerësuar edhe marrëdhëniet tona me fqinjët, e kjo domethënë edhe me serbët e maqedonasit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora