Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ksenofon Dilo: Shoku dhe vëllai i shpirtit tim

| E hene, 03.11.2014, 08:21 PM |


SHOKU DHE VËLLAI I SHPIRTIT TIM

Nga Foni Male DILO

Kisha shtangur ! Dukej sikur këmbët kishin lëshuar rrënjë e nuk mund të lëvizja.përpara si në një film më doli gjithë jeta ime dhe kudo e kurdoherë isha me ‘të , në lodrat e fëminisë sime, në sokaket e Sheperit të dashur, nëpër rrugët e Tiranës, në bankat e shkollës.... Gjithë fëminia ime e edhe adoleshenca e më pas rinia ime ishte jo vetëm e imja. Nuk mund ta mendoja kurrë vehten time vetëm, sepse gjithmonë ne ishim të dy.

Vangjeli, nuk ishte shoku, nuk ishte kushëriri, nuk ishte vëllai im, Vangjeli ishte vetja ime e dytë dhe si një kërkesë jetësore më qëndronte pranë në çdo hap, jo si shoqërues por si një lidhje e fortë e shpirtit , e mendimeve dhe e gjithë rrjedhës së jetës . Kishte midis nesh diçka të rrallë por shumë të fortë , e cila vinte duke u rritur e gërshetuar në vite duke na brumosur me dashurinë që kemi brenda nesh në kuptimin e një dashurie që e kanë njerzit rrallë sepse ishte një miqësi, një ndërthurje e fuqishme idealesh dhe   mendimesh që duke u bashkuar e duke u përplasur shpesh na formoi logjikën e shëndoshë dhe na kaliti e na bëri më të fortë për të rezistuar terrorizmin e asaj kohe.

Sa shumë kemi kaluar bashkë!

Dhimbje   e edhe gëzime, mall e edhe dëshira e ëndrra që duke i kontrolluar gjithmonë e duke i përshtatur në kushtet në të cilat jetonim .Shpesh , ëndrra e dëshira së bashku të guximshme na çonin në Shqipërinë e lirë ashtu si do ta dëshironte të ishte Ajo çdo shqiptar i vërtetë patriot. Sepse ashtu ishim mësuar të mendojmë qyshse ishim të vegjël! Sepse ëndrrat tona ishin të lidhura me Shqipërinë dhe për Shqipërinë as jetën nuk do ta kursenim ashtu si nuk e kishin kursyer edhe të parët tanë...

Vangjeli , ishte një mbështetje për mua ashtu si isha edhe unë për ‘të. Por unë e shihja të rritej e mendimi dhe inteligjenca e tij më jepnin edhe mua frymëzim e forcë të mos mbetem prapa. Shkruante me një lirshmëri e rrjedhshmëri të rrallë. Nuk mund të harroj që një nga profesorët e tij-Meksi- , me përgjegjësi por edhe i mahnitur e i mrekulluar prej vullnetit të Vangjelit pat thënë –“Vangjeli është hambar!”Brenda tij futet dhe merr vendt çdo gjë që mëson e nuk merr vetëm vend por edhe vlerë. Dhe kjo ishte më se e vërtetë.!

Vangjeli, vëllai i shpirtit dhe i mendimeve  e idealeve më fisnike, punonte pa u lodhur , me një vullnet të çeliktë, dhe gjithmonë puna e tij kishteinteligjence, forcë e shkëlqim. Ai e kishte quajtur Shqipërinë e shtrenjtë një diell për Europën. Sepse po!Shqipëria , sikur të mos ishte nën thundrën çnjerëzore të terrorizmit do të ishte me të vërtetë një perlë”Parajsea e Ballkanit” që do të zbukuronte jo vetëm Ballkanin, Jo vetëm Europën , por Botën të tërë!!

Kështu e shihnim ne Shqipërinë e dashur!

Kështu e kishte përshkruar edhe Vangjeli në shkrimet e tij të dlira, kështu do të donim të ishte ajo sepse një vend si shqipëria me një histori legjendare dhe buçimtare vendin e nderit duhet të kishte, dhe prej atij froni me krenari të ligjshme të jepte prezencën e saj në botën mbarë.

Këto mendime të rrufeshme më erdhën ndërsa në dhe të huaj mora mandatën se Vangjeli, pjesa e pandarë e jetës sime nuk ishte më midis të gjallëve. U mundova të ripërsërit ato që dëgjova e të bind vehten që ato nuk ishin të vërteta, por vetë ngrurja e gjakut në remba, vetë dridhja e shpirtuit më vërtetonin pa mëshirë se Vangjeli , duke marrë me vete gjithçka të përbashkët kishte ikur...

Nuk e di sa qëndrova i ngrirë si një statujë me këmbët të ngulura e të rrënjëzuara në tokë si të doja nëpërmjet atij rrënjëzimi t’i dërgoja me dhimbjen më të thellë edhe dërmimin që ndjeva.         Po pse o vëlla, ti që gjithmonë më kishe dhënë forcë e gëzim, pse më dhe këtë goditje, e nuk mendove se do të më qëlloje thellë në zemër duke më hapur plagën që nuk do të mbyllet më kurrë!

Për herë të parë ula kokën dhe me forcë të mbinatyrshme u shkëputa prej tokës, e vetë shpirti yt më tha atëhere me atë zë që vetëm unë e dëgjoja , sepse vetëm mua më fliste, më tha pra të duroja edhe këtë dhimbje e të mendoja me krenari se edhe një hero u shtua në radhët e të rënëve për atdhe e se me punën e tij të palodhur ai do të ishte gjithmonë i gjallë mes nesh, në kujtimet tona , në zemrat dhe mendjet tona.

Preu i qetë vëlla e shok i paharruar!

Je i gjallë dhe gjithmonë i mirë e i dashur mes nesh të gjithëve dhe të kujtojmë me dashuri dhe mall të papërshkruar. Gjithmonë!!!