E marte, 23.04.2024, 01:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Artistët injorantë!

E diele, 02.11.2014, 09:35 PM


Artistët  injorantë!

Nga Dr. Ilir Muharremi

Ata artistë  që ndjejnë kryengritje në vetvete refuzojnë të gjitha rahatitë, në radhë të parë shpirtërore, por shpirti gjen masën me të cilën izolon egoizmin e brishtë të këtij individi artist mediokër. Këta kryengritës pajtohen me ata njerëz të cilët koincidojnë me egoizmin e tyre. Jeta e tyre e vërtetë është në vetmi, kënaq mllefin, urinë për të qenë, dhe kjo është qenia e tyre e vetme. Ata nuk e dinë se në art janë dy unitete: një të dish dhe një të mos mendosh. Para se të dish duhet të mos mendosh, të jesh në rrethana të vetes. Të dyja flenë në shtratin unik, ekzistojnë për ta sfiduar realitetin e vetes, atë cilin askush nuk mund ta tejkaloj. Realiteti tjetërsohet me artin, dhe arti nuk i ik totalisht, fytyra neveritëse kalkuluese e reales bëhet më e bukur dhe rikrijohet me fillim vital, tërheqës dhe pa moral.

Është për mos tu besuar injoranca e artistëve kosovar të cilët aplikojnë artin mediokër duke u distancuar nga të tjerët për ekspozim. Mendjemadhësia e këtyre injorantëve të cilët fshehin idolët e tyre besojnë në atë refuzim për t’u ndjerë më të lartë. Këta krijues besojnë në atë se për të qenë i veçantë duhet të jesh shkatërrues t’i thyesh të tjerët dhe kështu e keqja e tyre po bëhet supreme. Këta vrasës të marrosur të cilët mendojnë se kanë futur unitetin e botës, egoizmin e pandërprerë nga i cili nuk mund të braktisen, jetojnë në mashtrim të përkohshëm sepse nuk mbretëron dekreti i sinqeritetit, pafajësia e drejtësisë, por fati i vrasjes ideale artistike duke asgjësuar gjithçka për të qenë i veçantë. Sekuencat e veçanta mashtrojnë arsyen e artistëve mediokër të cilët me imponimin e medieve kanë arritur “famën” propaganduese, mashtruese, tërthorazi me afshin e pushtimit. “Kjo botë është vullneti për pushtet dhe asgjë tjetër”, klith i revoltuar Nietzsche. Pushtimi bëhet si kënaqësi dhe si “art’, për të qenë mbi veçantinë, dhe para kësaj ky artist egoistë trashëgon të keqen i zhytur thellë në errësirën e mendimit dhe pretendimi është ta sheh botën në apokalips. Bota dhe arti nuk e durojnë injorantin dhe egoistin, egoistin ndoshta po i cili sakrifikon veten për të tjerët. Injoranca, si një term, mund të definohet si një person, të cilit i mungon dituria, një person i paditur.  Por, arti dhe injoranca ndaj të tjerëve nuk përputhen në zhvillim dhe këtyre piktorëve u fiket drita dhe liria bëhet burg i vullnetshëm. Ata metodikisht shtyjnë egoizmin duke degraduar artistët e sinqertë të cilët socialisht ndjejnë mirëseardhje edhe për këta mashtrues të artit.

Në fillim njeriu i drejtë nisë çdo gjë nga vetja nuk i bënë bisht askujt. Ai përgjigjet dhe përgjigjet shpesh qenë të rrezikshme. Ky njeri beson në enigmën e disa piktorëve të cilëve u ofrohet çdo gjë, madje në maksimum për tu prezantuar me të tjerët. Artisti mediokër refuzon, refuzimi bëhet me tendencë të madhështisë, madhështia qëndron në iluzion, sepse nuk ka madhështi më të madhe se modestia, sinqeriteti dhe mos mënjanimi i askujt. Mungesa e modestisë, respektit, e shpie  artistin injorant të fitoj zakonin e dominuarit para atij të menduarit dhe kjo garë këtij artisti ja ofron tatëpjetën dhe në vdekje nga brendësia e thellë këta injorantë klithin për drejtësinë. Në momentet e fundit vuajtja harxhon shpresën dhe besimin duke mbetur pa shpjegim, në të gjallë në garë me artistët tjerë duhet pozojnë me vepra duke zënë vend në çdo cep. Vetëm para shumë piktorëve matet niveli i cilësisë, jo në vetmi. Veprat e mëdha nisen nga një fillim i thjeshtë, nga rrugica të ngushta, kthina të restaurantëve, revoltë në të cilën i revoltuari bënë prapakthim. Andaj, në sytë e mi arti nuk është vetëm një galdim vetmitar, është ngacmim, tërheqje e një numri të madh të njerëzve duke ofruar imazhe të privilegjuara të vuajtjeve dhe harreve të përbashkëta. Nga kjo na del se arti e detyron krijuesin të mos ndahet dhe e shtyn drejt të vërtetës së thjeshtë deri në të përgjithshme. Njeriu i cili ka zgjedhë fatin e artistit, apo ka qenë i paracaktuar të jetë artist sepse ndihej ndryshe, shumë shpejt duhet kuptuar shëmbëllim me të gjithë sepse nuk ka për ta ushqyer ndryshimin dhe artin pa këtë të vërtetë. Farkëtimi i ecjakës së përhershme nga vetja ndaj të tjerëve, ku dyzohet rruga estetike, vazhdohet bashkërisht sepse rreziku është te shkulja. Prandaj, artistët e sinqertë nuk përbuzin asgjë, ata sëpari kuptojnë në vend që të gjykojnë. Te në Kosovë sëpari gjykojnë, nuk përpiqen të kuptojnë dhe këta shpallen si artistë të fortë e në esencë janë idiotë përbuzës, vetjak të pamasë, ofendues ndaj artistëve tjerë.  Hapësirat ekspozuese i kërkojnë vetëm me supozues të fortë, sepse prania e artistëve ta panjohur ju pengon për shkak se këta vetmitar ndjehen të mëdhenj në vetvete. Personalisht jam ballafaquar me këtë pjesë mediokre të artistëve të cilët në radhë të parë shohin konkurrentët e pastaj veprat e tyre. Këta injorantë nuk kanë asnjë punim në ndonjë muze të njohur në botë për ta lartësuar veten. Madje, ekspozitat i hapin nëpër kafiteri të rrugëve te Evropës, pastaj pohojnë nën kthetrat e gënjeshtrës së gjoja kanë ekspozuar nëpër Galeri të njohura. Kjo mbeturinë e këtyre artistëve shërben vetëm për riciklim nëse kam drejtë kështu t’i quaj. Ky grup i vogël injorantësh, i padijshëm supozon ta luaj edhe rolin e kritikut të artit duke shkruar për vete, duke imponuar veprat, lartësuar nga gabimet gjuhësore, sintaksore kinse vetëm ata janë të denjë ta rishkruajnë artin e tyre. Kritiku shkarkon artistin, por artisti duhet të jetë i mirëfilltë për kritikun. Këta pseudoartistë supozojnë publikun me forcën e refuzimit dhe kujtojnë se bien në sy duke u kundërvënë. Artisti gjen ekzistencën në fytyrën e të tjerëve. Pasqyra janë të tjerët. Errësimi i pasqyrës është i shpejtë sepse kapaciteti i njeriut është i kufizuar. Këta mediokër luajnë artin dhe jetën sepse s’munden ta jetojnë.

Vepra lind nga krijuesi dhe nga jeta e tij, aksidentalisht në pavetëdije mund të lind një fisnikëri që vije nga puna e përditshme e që përbuzët për shkak se ky artist nuk ka emër në opinion. Krijuesi i sinqertë nuk ka tituj tjerë përveç atyre që ndanë me shokët e tij, është shumë i prekshëm, këmbëngulës, i pasionuar pas drejtësisë. Vepra e tij ndërtohet pa fije turpi e pa lavdi në sy të të gjithëve. Përherë i qëndron ballë dhimbjes dhe bukurisë i gatshëm të zgjidhë moralin dhe ta ngritë të bukurën, injoranca është gjëja më e vogël që njeh ky krijues, dhe të gjithë shokët që ekspozojnë kanë një veçanti dhe estetikë në vete, nuk duhet injoruar për tu ringritur. Kjo i takon vetëm artistëve mediokër të cilët imponoheshin medieve dhe u ngritën në bazë të tyre. Ata vrapojnë pas medieve për të arritur popullaritet të rrejshëm dekadent. Kush mandej mund të presë nga këta artistë zgjidhje të gatshme dhe bukuri? Vullneti për pushtet, imponimi, aftësia e të kujtuarit të veçantë gjithmonë mbetet e zaptuar nga këta. Janë të rrezikshëm dhe të vështirë për shoqërinë e sinqertë. Ne nuk duhet të ecim drejt këtyre qëllimeve sepse mungesa e ndërgjegjes dhe pajisja me të keqen shtypin forcën e së bukurës.

I thjeshtuar në atë çka është vërtetë, në kufizimet e tij, ashtu edhe në besimin e tij qoftë i vështirë, artisti i drejtë sëpari me veten, pastaj me të tjerët, ofron hapësirë, liri për të gjithë pa dallim nivelizimi sepse kjo shpie në rënie, çdo ngritje ka një rënie dhe rënia e fortë pengon zhvillimin. Nëse refuzohet të ekspozohet me një artist, te i refuzuari heqja dorë nga çdo vlerë bëhet e pranuar, atëherë ai bëhet perandor i skllavërisë. Nuk do të thotë se ai që refuzon qëndron më lartë ndaj robit të shtypur, vetëm se artisti mendjemadh i ngjan një majmuni ideal  përzgjedhës. Puna e pandërprerë, dhembja e pandalshme, lufta e përhershme e artistit me veten dhe me realitetin, por duke i pranuar të tjerët, sjellin momentin e perandorisë totale dhe mrekullinë e bukurisë. Pseudoartistët mendojnë se duhet vrarë formulën e tjetrit  për të pushtuar dhe u veçuar. Totaliteti është një rrugë e vjetër e cila nuk është ëndërr, por e vërteta e kësaj bote. Sikur të gjithë artistët, të cilët ndjejnë nga thellësia obligim për artin, të ekspozojnë në hapësira të përbashkëta, vetvetiu në sy të tjerëve do të lind veçimi, ngaqë shkalla e përzgjedhjes vjen nga pavetëdija për të bukurën e cila ka rrënjët e veta në pavetëdije. Pastaj pushton e përhumbura në iluzion të panjohur që në realen është e njohur. Nëse kalkulohet për zgjedhje të ekspozimit, egoizmi forca shtypëse bëhet dominonte. Realisht artisti poshtërohet dhe shprehet ana e dobët e tij. “Numri më i madh i njerëzve nuk ka të drejtë as të ekzistojë, dhe përbënë një fatkeqësi për njerëzit superior” thotë Nietzsche. E keqja të cilën përpiqet ta lartësoj Nietzchsche përmes arsyes superiore, tregon egoizmin e sëmurë duke u ngritur me vrasjen e të tjerëve. Suksesi qëndron jo në pushtimin e turmës, por me bashkëpunimin e saj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora