Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: A kemi sociologë në Shqipëri?

| E diele, 02.11.2014, 09:59 PM |


A kemi sociologë në Shqipëri?

Nga Entela Binjaku

Shumë prej shkrimeve nisin të nxitura prej një pyetjeje të caktuar.  Në këtë rast pyetja është:  “a kemi komunitet sociologësh në Shqipëri”?

Nëse do të përdornim kriterin emëror shkrimi mund të mbyllej këtu, po të përdornim kriterin  e  diplomës  apo fushës    aktivitetit  ky komunitet  natyrisht që ekziston.   Por bindja nis të ndryshojë po të kemi parasysh kriterin e ndjenjës së  përkatësisë në grup;  Dyshimi për ekzistencën e grupit përforcohet po të njohim kriterin e organizimit të  dobët; ai thellohet më tej  nisur nga ndërveprimet e  reduktuara mes anëtarëve të tij etj. Vlerësuar mbi këto kritere komuniteti i sociologëve shqiptarë  rrudhet mjaft dhe katandiset siç thotë populli  “kokoshi një thelë”.

Si pasojë e kësaj mungese organizimi aktualisht kemi fare pak nga ajo që mund të ishte arritur nga puna e sociologëve shqiptarë në këto dy dekada.  Bashkëpunimi dhe  bashkëveprimi brenda vendit, shkëmbimet me kolegët evropianë e më gjerë,  do të kishin ndihmuar shumë zhvillimin e aktivitetit profesional të tyre.

Udhëtimin bashkëkohor sociologjia shqiptare  e nisi sëbashku me shkencat e tjera shoqërore të “inkorporuara” brenda Fakultetit të Shkencave Sociale.   Mbështetur  mbi  një sfond të kufizuar dijesh e njohurish  që krijon izolimi dhe  mungesa e shkëmbimit,  ajo nisi kuptimin e ri mbi  kontributin e të diplomuarve  në një regjim të vjetër, mbi një shkollë ku mungonte ballafaqimi me arritjet perëndimore të fushës apo mbi të diplomuarit në fusha të ndryshme njohurish nga ajo që po ndërmerrnin. Kontributi i tyre është i vlerësuar nga shoqëria për aq kohë sa ende janë në pozitat fillestare të “gurit të themelit”.

21 vjet më vonë nga nisja e këtij udhëtimi bashkëkohor nuk kemi asnjë studim mbi çfarë ka ndodhur me sociologët shqiptarë në këto vite, nuk kemi as të dhëna statistikore mbi  çfarë kanë prodhuar universitetet shqiptare në sociologji.  Ajo që dimë është  se në tregun e punës ka me mijra djem e vajza të diplomuar në sociologji, e ndoshta po kaq edhe me master të kryer pranë departamentit të sociologjisë.   Por se  çfarë ndodh me ta, ku janë e me se merren, sa i ka ndihmuar kjo diplomë në tregun e punës, për këtë nuk kemi asnjë studim, së paku në dijeninë time.

Në fillimet e viteve 2000 e sapodiplomuar  pyetja që më drejtohej më dendur ishte : “ku mund të punosh ti”? “Ç’mund të bësh me sociologji në Shqipëri?”.

Edhe pse ka kaluar më shumë se një dekadë nga ajo kohë, kësaj pyetjeje i nënshtrohen ende të tjerë që diplomohen në këto vitet e fundit. Ndryshimi i vetëm është  se së paku këto vite profesioni i sociologut është më i artikuluar, shoqëria i ka pranuar nevojën por ende nuk i ka njohur dobishmërinë.

Duke ju rikthyer pyetjes fillestare, po të përqëndrohemi vetëm tek sociologët që kanë një diplomë në sociologji, sipas statusit të tyre profesional mund t’i kategorizojmë në:

1.         Sociologë që merren  tërësisht me  tjetër gjë.

2.         Sociologë    e praktikojnë  sociologjinë herë pas here;

3.         Sociologë që punojnë në fushën e projekteve të aktivizmit civil;

4.         Sociologë që punojnë  në mësimdhënie.

Nëse do të pohonim në aspektin sasior për shembull se,  në periudhën prej vitit 2001 deri në 2011 në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, kanë nisur studimet në fushën e sociologjisë 835 studentë, e kemi shumë  të vështirë të pohojmë se si janë të shpërndarë në kategoritë  e sipërpërmendura  të diplomuarit në radhët e tyre. Pa folur më tej për një shtrirje tjetër në kohë dhe në hapësirë.

Në këtë arsyetim nuk po diskutohet niveli i profesionalizmit që duhet  të ketë një i diplomuar në sociologji, i cili duhet t’i përgjigjet kërkesave të kohës, mendësisë së re, njohjes së zhvillimit të sociologjisë saj në arenën ndërkombëtare dhe kurajos së  ballafaqimit me të.

Profesionalizmi  thoshte Weberi kërkon  “vokacionin  e  dijetarit” me anë të të  cilit ai nënkuptonte  trupëzimin e pasionit dhe frymëzimit apo ndërthurjen e  inteligjencës me  intuitën.   Sa këto elementë gjenden tek profesionistët shqiptarë, kjo mbetet për t’u parë. Por në përgjithësi kriteret që dominuan  tek “profesionistët” shqiptarë të të gjitha fushave ishin kryesisht nepotizmi dhe përdorimi partiak.   Nga këto kritere,  të ndryshme dhe të largëta nga ato që përcaktonte Weberi,  nuk bënë  përjashtim as sociologët. Mjaft të pohojmë se edhe aktualisht raporti “baba dekan-bijë pedagoge” është i dukshëm dhe i pranishëm edhe në Fakultetin e Shkencave Sociale. Sa i takon përdorimit partiak, dëshmitë  për të verifikohen lehtësisht.

Por në të njëjtën kohë që nuk kemi studime sasiore po ashtu e kemi shumë të vështirë të kryejmë  vlerësime për aspektin cilësor të të diplomuarve në sociologji.  Kjo do të mbesë në përgjegjësinë e brezave që do të vijnë. Ata do të na gjykojnë pa pasur problemet që kemi ne sot me kujdesin që tregojmë  për të mos lënduar krenarinë e disave.  Ata do të vendosin nëse aktiviteti ynë  aktual  do t’ju shërbejë si burim frymëzimi dhe vazhdimësie për punën e tyre në fushën e sociologjisë.

Disa nga tiparet e sociologjisë shqiptare aktualisht janë:

1.         Studimet e botuara deri më tani ndërtohen kryesisht mbi parime empirike ku referencat e huaja janë të pakta.

2.         Pasqyrim ndërkombëtar i  dobët, i  pakrahasueshëm me sociologjinë e vendeve të tjera post-komuniste. Pjesëmarrjet  e munguara të profesorëve shqiptarë  si të ftuar në universitete prestigjoze, pjesëmarrjet e ulëta në bordet e revistave ndërkombëtare apo në komitetet drejtuese të këtyre, pjesëmarrje e ulët  në projektet ndërkombëtare, etj.

3.         Në këto 21 vjet janë kryer  pak projekte kërkimore të rëndësisë kombëtare prej të cilave të burojnë të dhëna me vlerë të gjerë dhe përfaqësuese për vendin.

4.         Sociologët shqiptarë kanë mungesë njohjeje për punët e njëri-tjetrit, sidomos kur ato kryhen në mënyrë individuale.  Debati mes tyre në nivel të paradigmave mungon,  gjë e cila vjen si rezultat i mungesës së shkollës së mendimit sociologjik  bashkëkohor shqiptar.

Një ndër shembujt më të mirë që flet për efektet që ka krijuar mungesa e mendimit sociologjik lidhet me konsolidimin e etnocentrizmit tek shqiptarët. Në kushtet e shoqërive të hapura, në kushtet e ndërtimit të mendësisë evropiane, izolimi prej të tjerëve, ndjenja e superioritetit, paaftësia jonë për të kuptuar dallimet kulturore mes shoqërive dhe mes njerëzve, nuk po na dëmton vetëm ne si popull por edhe ne si individë.

Shqipëria sot jeton një periudhë post komunisto-totalitare ku indoktrinimi komunist u përvetësua shpejt nga një shoqëri e cila para kësaj periudhe ishte kryesisht  fshatare dhe  analfabete. Në kushtet  e  izolimit  shqiptarëve ju dhuruan skema të gatshme të arsyetimit, duke ju ndrydhyr shpirti i kritikës, i  iniciativës dhe të bashkëpunimit nën parimet e demokracisë, për të cilën shoqëria  nuk kishte  asnjë  formim.

Sot gjen sjellje dhe qëndrime në Shqipëri që flasin për trashëgimi të mendësisë  komuniste  dhe ndryshimi i tyre nuk arrihet lehtë. Sociologjia mund të kishte ndihmuar shumë në këtë ndryshim sepse për shpjegimin e dukurive shoqërore ajo i bën thirrje racionalitetit duke i dhënë vlerë mendimit kritik.   Në vend të kësaj  sociologjia shqiptare u izolua brenda mendësisë  së vjetër të përvetësuar në kushtet e izolimit, ku mendimi kritik mungon dhe ku kulti i individit është ende udhërrëfyes.

Duke ju rikthyer pyetjes fillestare do të ishte e udhës  të bënim së fundmi një vlerësim të raportit që kanë sociologët shqiptarë me realitetin që jetojmë.

Falë  këtij raporti disa kontribuojnë me ndërhyrjet në media, disa veprojnë si këshilltarë politikë, disa si vlerësues të programeve politike,  aktivitete të cilat mbajnë një peshë të rëndësishme të shqetësimeve shoqërore.  Por,  sfida më e madhe që ka sociologjia shqiptare sot është t’i trajtojë problemet shoqërore të vendit si probleme sociologjike. E për këtë duhet t’ja nisë nga çfarë ka prodhuar vetë...