E premte, 29.03.2024, 01:37 PM (GMT)

Kulturë

Remzi Salihu: Poezia erotike franceze

E premte, 31.10.2014, 07:47 PM


POEZIA EROTIKE FRANCEZE -

PISHTAR I EMOCIONEVE TË SHUMTA

Nga Remzi Salihu

Kur flasim për kulturën franceze padyshim se mendimin e përqendrojmë mu në krijimin  e artit të mirëfilltë. Franca me praninë e krijuesve dhe artistëve të vet zë një vend të merituar në tërësinë e kulturës botërore. Poezia erotike franceze është përgjigjja më e devotshme e frymës ndikuese nëpër të gjitha letërsitë e popujve të këtij kozmosi. Ajo është fenomeni më tipik refleksiv që me frymën e saj hynë nëpër të gjitha poret e ndjeshme të individit. Padyshim se Franca me autorët e saj të shumtë është bërë vendi më i njohur i artit të mirfilltë. Kështu edhe letërsia me të gjitha zhanret e saj, të emancipimit kreativ njerëzor, ia ka hapur shtigjet e shumta civilizimit. Shumë drejtime letrare e kanë edhe prejardhjen e vet nga ky vend i ndritur. Mbase edhe poezia lirike si forma më e vjetër  e shkrimit letrar artikulon shijen e veçantë të ndjeshmërisë. Ajo ka filluar shumë herët të kultivohet atje. Lirizmi si forma më e dalluar letrare jep sublimimin e intimitetit dhe gjithnjë nxitë kërshërinë e përhershme te lexuesit. Të gjithë poetët nga Kristine de Pizan e deri te Jacques –François Dussottier sjellin dallgë dashurie, me një elegancë të zjarrtë intimiteti. Madje secili poet me performansat artistike provokon dhe përmbush shpirtin ledhatues të lexuesit, dhe secili në mënyrën e vet ngjall emocione që nuk harrohen kurrë në jetë. Pra, lirika franceze është një thesar i çmuar që bën kureshtarë të gjithë lexuesit, të cilët duan të shijojnë veçantinë dhe vokabularin letrar të autorëve të të gjitha kohërave. Këto vargje e ngazëllejnë me mesazhe erotike lexuesin dhe e stimulojnë ndjenjën e jashtëzakonshme të intimitetit individual. Nuk është tepër të themi se, ky lirizëm i këtyre poetëve francezë, bëhet motiv senzacional erotik për çdo njeri. Nëse themi se dashuria është një pëshpëritje e theksuar prej zemre në zemër, gjithsesi se këtë mrekulli komunikimi shpirtëror të përjetuar nga shumë njerëz, poetët francezë kanë ditur ta shkruajnë recentin artistik më ndikues për veten dhe të tjerët, prandaj poetët për dashurinë e tyre kanë përdorur fjalët më magjike, për të përfituar gjininë e kundërt, duke bashkëdyzuar frymën dhe aromën kimike me anë të fjalëve të veçanta, latuese për personin që ia dedikon tundimin erotik imagjinativ të këndshëm.

Antologjia e lirikës erotike franceze “Kjo dashuri” sjell një mozaik autorësh të shumtë që nga shekulli pesëmbëdhjetë e këtej. Hartuesi i kësaj antologjie na shpie në horizontin erotik poetik francez me një përzgjedhje autorësh që vijnë nga të gjitha kohërat e veprimit të tyre artistik. Përmes kësaj tërësie figurash stilistike e vargjesh të përzgjedhura, lexuesi zbulon shtegun erotik të lirikës së përgjithshme të letërsisë botërore. Në këtë prirje të ndjeshme janë të përfshirë autorët më të njohur që janë përkthyer në gjuhën shqipe. Personalisht disa përkthime nuk më kanë lënë përshtypje të posaçme, ngase u ka munguar përshtatja dhe bartja artistike nga gjuha franceze në shqipe. Përkthyesit duhet të kishin pasur kujdes më të madh gjatë bartjes së saj në gjuhën shqipe. Përkthimi i mirë kërkon përgjegjësi të dyfishtë. Sepse përkthimi nganjëherë na del si rikrijim. Përkthimi ngandonjëherë mund të na duket si ndonjë batanije e kthyer nga prapa. Por ka përkthime që shkëlqejnë edhe më bukur se origjinali. Përkthyesi duhet të ketë shumë kujdes ndaj origjinalit. Por gjithsesi se në këtë tërësi kemi edhe vargje të përkthyera kujdesshëm. Pos këtyre poezive të përkthyera, përpiluesi për të thyer monotoninë e vargjeve ka futur edhe poezi erotike origjinale. Përmes këtyre vargjeve lexuesi të duket se shpalos lirinë e vet intime, sikur ky arsenal lirik t’i kushtohet atij, ngase erotizmi është dritë që të mundëson çlirimin e individit nga errësira e vetmisë. Në këtë mendim poezia erotike franceze është pishtari i emocioneve shumta. Ajo është ndjenjë e sofistikuar sublime në stilin francez, e cila me lirizmin e saj të shpie këndshëm në teatrin e sforcuar të ndjenjës dhe mallit.

Kozmosi me lirikën erotike e përmbush parajsën e ndjenjës së përjetshme. Kjo formë e përjetuar e lirikës është shumë e afërt me individin, sikur ajo t’i dedikohet atij, sepse dashuria nuk është vetëm etje e njëanshme, personale,  por është edhe një etje e përgjithshme sublime përjetuese, kur lejon që kjo poezi të duket, sikur gjithçka merr formën e dritares së hapur që përndjek një shikimin erotik në çdo çast të jetës. Të duket se përmes kësaj poezie intime dashuria e individit bëhet më e plotë. Përmes kësaj ndjenje erotike të largësisë dhe afrisë gjejmë gjurmët e mallit të pa shuar individual. Këto vargje janë imazhe erotike të ndërtuara me stile të veçanta franceze. Ajo çka e tërheq autorin Hashim Baftiari është arti poetik  dhe vlerat estetike të këtyre poezive të përkthyera nga shumë autorë shqiptarë, madje e tërheq bukuria e shumëllojshme e lirikave, si dhe muzikaliteti, gjetja metaforike, ekspresiviteti i vargut, dhe sidomos të atyre vargjeve që shpalojnë ndjenja të forta për ta shijuar të bukurën estetike të rrallë. Kjo antologji mund të jetë një mirëseardhje për lexuesin e kohës sonë, ngase lexuesit të interesuar për këtë letërsi të madhe franceze, i ka munguar një mundësi e tillë. Besoj se kjo përmbledhje sado pak do të gjejë lexuesin e vet shqiptar, për t’i shijuar fjalët e bukura të autorëve dedikuar dashurisë, e cila si e tillë mund të përmbushet vetëm duke përvetësuar përvoja të ndryshme. Ne si lexues mbetemi t’i shijojmë këto vargje kur ta kemi në duar këtë antologji. Andaj secili do të ketë mundësinë të krijojë në vete gjykimin dhe vlerësimin e këtyre vargjeve të autorëve të përfshirë në këtë antologji.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora