Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hamit Taka: Vdekja e studentit

| E premte, 31.10.2014, 08:45 PM |


VDEKJA E STUDENTIT

Tregim nga Hamit Taka

Në fillim të studimeve universitare Vasjar Marko Bregu ishte i heshtur, i qetë, shumë i kursyer në fjalë. Po ashtu dhe në veprime. Hynte e dilte në dhomën tonë pa u ndier, si një vajzë e ndrojtur. Edhe në mencë ishte fjalëpak, syulur dhe në të grënë ishte i përkorë si një grua aristokrate. Pasditeve sistemonte leksionet, dispensat, projektonte çfarë do të përgatiste për të nesërmen, qetësohej ose merrte një sy gjumë, pastaj lexonte deri vonë me një vullnet të admirueshëm. Me një fjalë kishte një stereotip të formuar dhe të gjitha veprimet i kryente me orar shumë të precizuar. Nga bisedat e tij në dhomë apo në lokale, ku pinim ndonjë arançatë e hanim ndonjë pastë, fliste shumë pak për veten. Edhe kur dilnim shëtitje, ecte trotuareve kokulur, shkëmbente me ne përshtypje e mbresa pa vështruar majtas e djathtas. Më vinte habi si nuk ua kthente sytë fare as bukurosheve kryeqytetase, të cilave u lbyreshin sytë dhe u vlonte gjaku nga bukuria magjepsëse e tij. Me gjithë maturinë, rregullin dhe edukatën e kultivuar, unë mendoja se Vasjar Marko Bregu nuk qe ende djalë aq i zhvilluar, mëndja e tij nuk e kishte arritur akoma fuqinë e vëzhgimit dhe analizës. Ama, kur vëreja me vëmëndje sytë e tij, ata shndrisnin nga inteligjenca.

Një mbrëmje të bukur vjeshte, pasi u ndava me një shoqen time, të njohur rishtaz në fakultet, të cilën e ndala pak çaste para Ministrisë së Mbrojtjes, Vasjar Marko Bregu ma përshkroi me hollësi. E quajti “ një vajzë shumë e ëmbël e joshëse”. Bile i kishte vërejtur jo vetëm ngjyrën e syve, por edhe se “sytë e saj të lëvizshëm përçonin butësi”. Nuk ishte se provova ndonjë ndjesi xhelozie, por fjalët e tij më bënë përshtypje. Bile gjykova se kisha krijuar një perceptim të gabuar për shokun tim të dhomës. Kuptova se ai nuk ishte aq indifferent, se nuk e kishte të dobët fuqinë e vëzhgimit dhe analizës.

Shumë shpejt u miqësova me Vasjar Marko Bregun sikur të ishim rritur bashkë. Por ai ishte nga ata tipa, që i hapte dritaret e zemrës e të shpirtit ngadalë e me kujdes. E me gjithë atë, erdhi dita që ato dritare u hapën për mua kanat më kanat. Dhe unë zbuloja çdo ditë e çdo orë thesare të çmuara njerëzore. Natyrisht nuk mund të ishte as ëngjëll as perëndi. Zbulova dhe “mallra demodé”, siç ishte paragjykimi për origjinën shoqërore. I dukej sikur e kishte të damkosur në ballë me hekur të skuqur statusin fshatar. Këtu kemi të gjithë një status, jemi studentë. Nesër do të jemi intelektualë, i thoshja. Në çdo statistikë që plotësojmë, ma kthente, shkruhet: origjina shoqërore- fshatar.

Djaloshi simpatik, Vasjar Marko Bregu, gjithmonë i matur dhe i përmbajtur në fjalë dhe veprime, aq i lakmuar nga bukuroshet studente dhe jo studente në vendet publike, dashuria e të cilave e ndiqte nga prapa si manare, kishte synime dhe objektiva shumë të qarta. Kisha konstatuar se edhe pasionet më të forta të tij ia nënshtronte arsyes. Shigjeta e arsyes së tij ishte drejtuar vetëm nga dija. E vetmja gjë, që shprehte hapur me ne shokët e dhomës, ishte ambicia, për të mbaruar studimet e larta sa më mirë, me ëndërrën për të mbetur në Tiranë. Duke parë trajektoren e përparimit të tij, gjithnjë në ngjitje, ne shokët e dhomës ndiheshim krenarë që e kishim dhe na mundonte frika se mos na ikte. Se është gjë e madhe shoqëria e dhomës në Qytetin Studenti. Por ai qëndroi besnik deri në fund.

Kuarteti studentor i dhomës numër 28, godina 17, për katër vjet rresht, përbëhej nga Kingu, Masazheri, Peshkopi dhe Poeti, që siç e kuptuat nga rrëfimi, jam unë, dora vetë. Masazheri ishte Petraqi, “pej Korçe”. Shkurt Taqi. Na bënte masazh të gjithëve sa herë merrnim ndonjë ftohje muskulare. Peshkopi ishte Joani, nga Drropulli, shkurt Joni. E pagëzuam kështu, jo vetëm se mbetej mbi libra, duke lënë pas dore rininë e tij studentore, por edhe sepse besonte dhe zbatonte mekanikisht një fjalë latine, të cilën ua përmendëte herë pas here një profesor i shkolluar në Perëndim, për t’u tërhequr vëmendjen, që t’i shkruanin të plota e të sakta leksionet. Sipas shqiptimit dhe përkthimit të vetë Peshkopit: Uno skruno, truo xuno. Në shqip: një e shkruar, tri të lexuara. Unë jam Hekuran Shkoza, shokët e dhomës më pagëzuan Poet. Jo se isha ndonjë vjershëtor kushedi, por diku botoja ndonjë poezi te “Zëri i rinisë”, “Drita” dhe gazeta jonë “Studenti”. Kingu ishte Vasjar Bregu. Ai i kishte të gjitha: bukuria po bukuri; shtati po shtat prej atleti; mirësjellja po mirësjellje; maturia po maturi; bujaria po bujari. Në fund të muajit të gjithë shokët e kursit mbeteshin pa një qindarkë në xhep. Kingu u falte qindarkën dhe cigaren e fundit. Ama edhe sqima po sqimë. Sa mund të thoje se sqimën e kishte tiparin spikatës, jo në kuptimin e keq të fjalës. Megjithatë, egon i quaja unë tiparin karakteristik e udhëheqës të tij.

Në dhomë nuk kishim ndarë detyra. Secili bënte atë që i jepej. Taqi ishte masazheri i dhomës. Na bënte masazhe, kur nuk ndiheshim mirë. Mua pothuajse përditë, pasi pësoja ftohje muskulare. Sa herë mbaronte më thoshte: hera e fundit sot, Poet i dashur, harroje më masazhin nga Taqi “pej Korçe”. Ama, kur i dhimbte koka, behej si ari i tërbuar. Unë i kapja damarët e qafës deri sa më thoshte: lere se ma hoqe dhimbjen me dorë, të kam borxh një javë masazh. Duke qënë se koka i dhimbte pothuajse çdo javë, unë siguroja masazhin e përditshëm. Dhe, kur fillonte, harronte të largohej. Ia dija pikën e dobët. Donte të tregonte vazhdimisht për fëmininë e tij. Ishte biri i një oficeri kufiri dhe kishte mbresa të thella nga vendet kufitare, ku kishte shërbyer i ati. Unë, jo pa djallëzi, sa herë më bënte masazh, e çoja në ato vise… Peshkopi bënte edhe detyrën e kujdestarit të dhomës, pa ia kërkuar njeri. E ajroste, e pastronte, e lante dhe, kur dikush nga ne ishte pa qejf, i ndreqte edhe shtratin. Ishte shumë i përpiktë në ato që bënte. Trupvogël, por kishte energji të pashtershme. Nuk i dalloje dot ndonjë veçori të spikatur. Ishte tip extra. Pak nga të gjitha, thoshte Taqi. Një herë të vetme, jo në praninë e tij, Kingu e kishte quajtur, shejtan-budalla. E morëm si shaka.

Ripagëzimin e Vasjar Marko Bregut “King”, tamam-tamam “Kingo”, nuk e kishim bërë ne. Them ripagëzim, pasi në fillim e pagëzuam “Sqimatari”. Nga fundi i vitit të parë, autori i monumentit skulpturor “5 Heronjtë e Vigut”në Shkodër, e mori djaloshin shtatderdhur si model. Bile ai qëndroi gati një javë në Shkodrën loce, për të pozuar. Shpejt piedestali, ku filloi të ngrihej monumenti, në qendër të sheshit kryesor të qytetit verior, u bë si vend pelegrinazhi. Jo vetëm për veteranët e luftës e qytetarët kureshtarë, por më tepër për bukuroshet shkodrane, të cilat i magjepste hijeshia e djaloshit pozues. Ditën e fundit të qëndrimit drekoi me tri çapkëne në hotel-turizmin “Rozafa”. Duke ngrënë, kur Vasjar Marko Bregu kishte ulur kokën dhe hante si i babëzitur, pasi ishte shumë i lodhur nga qëndrimi i ngurtësuar gjatë pozimit, njëra prej vajzave e ngacmoi: Or kingo! Me e pas bukrinë dhe elegancën tate një djalë shkodran, kishte me u ba Don Zhuan. Vasjarit i hypi një kuqëlim i ngrohtë, por, si një kavalier i vërtetë, ngriti kokën ngadalë, i buzëqeshi shkodranes, duke i dhënë fytyrës një pamje thjesht prej miku: Si me ia ba që nuk jam shkodran? Fare lehtë: Ose qëndro në Shkodër ose merr njanën prej nesh me vedi, ia ktheu shkodrania. Kam shumë dëshirë me ju marrë të tria, por ligji i shtetit tonë nuk e lejon. Ju jeni aq të mira, sa nuk mundem me zgjedhë, prandaj, ju lutem, bajeni me short, iu përgjigj kavalieri. Vajzat qeshëm me të madhe. Qënke jo vetëm i bukur, por edhe i squt, kingo, i tha shkodrania. Ndihem mirë, që e fitova testin e bukurisë dhe të inteligjencës në Shkodrën sovrane, e mbylli bisedën Vasjari. Që nga ajo ditë, kur na tregoi në dhomë, ne e ripagëzuam “Kingo”. Kështu do ta quaj dhe më poshtë.

* * * * * *

Me kalimin e kohës Kingut filloi t’i zbehej paragjykimi për origjinën shoqërore. Dhe, kur filloi të hapej pa ndroje, doli në pah një spikatje tjetër i tij, takti i jashtëzakonshëm në komunikimin me femrat. Ndërsa atyre u mbeteshin sytë mbi të, për shkak të bukurisë, shtatit të derdhur, veshjeve të shtrenjta dhe elegante, dhuratë nga gjyshi në Amerikë, ai i shikonte më të rrallë. Edhe kur i vështronte, këtë e bënte me një dritë të butë në sy, pa shprehur asgjë tjetër veç një qëndrimi dashamir e shoqëror. Dinte ta fshihte mirë atë ndriçimin erotik, duke e zëvendësuar me një pamje entusiazmi të sinqertë. Dikush mund të mendonte se, me atë trup sportisti, me atë portret piktoresk, me ato rroba të pazakonshme dhe me atë shëndet të lulëzuar, Vasjar Marko Bregu duhej të ishte si një flutur nate e shkujdesur. Por, duke qënë aq i përmbajtur, aq i matur dhe aq xhentil me femrat, sa, duke ia njohur edhe dëshirën e brendëshme instinktive, që e shtynte drejt tyre, si kënaqësia më e madhe e jetës dhe se ia kishte ënda t’i bënte ta pëlqenin, mund të mendoje se ishte ndonjë maskara gjakftohtë e me qëllime të errëta. Por unë isha i sigurtë se nuk bëhej fjalë për mendime dhelparake apo lakmitare. Nuk mund të mohoje se kishte ndonjë gjurmë të njërës apo tjetrës, por ato ishin fare të papërfillshme. Ai ishte nga një familje e kamur, falë gjyshit në Amerikë, emigrant i hershëm, i vetëdijshëm për anën estetike të tij dhe kishte shumë ëndërra, të cilat ia dëbonin lakminë, siç ishte ajo për t’u bërë me meritë intelektual kryeqyteti. Vajzat mendonin se shoqëria e tyre i sillte atij një kënaqësi të madhe. Pra, i bënte që të ndjenin se ai kishte një mendim shumë të mirë për to. Bile dhe ato, më pretendueset e më lakmitaret, e justifikonin adhurimin e tyre për të me fraza romantike, se ai paskësh sjellë në ajrin e ndotur të kryeqytetit freskinë e ajrit të fshatit, se në sytë e tij shkëlqenin ende rrezet diellore të natyrës.

Si gjithë njerëzit edhe Kingu ynë, donte s’donte, e kishte atë instiktin e bukur për të rënë herë pas here në pusin me mjaltë e helm të dashurisë, nevojën për ta lënë veten në dorën e saj, që ta ëmbëlsonte e lëmonte ca. Mbase ky është një qëllim fisnik i natyrës, për ta bërë specien njeri pak më të formuar e më të mirë pas kësaj përvoje të papërsëritshme. Ai ishte i lakmuar nga vajzat më të bukura të universitetit dhe gjithë Tiranës, të cilave shoqërimi me të u ishte kthyer në mani. Në ballin e tij të gjerë nuk kishte më gjurmë nga ajo “vraga”, që kishte lënë hekuri i skuqur për origjinën fshatare. Ama shpesh për paragjykimet e tij, ishte vënë në situata komike. Në një situatë të tillë ishte vënë edhe gjatë prezantimit me Elsën, e adhuruara e fundit, që më vonë u bë Ylli Polar i tij. Domethënë atëherë kur shigjeta e arsyes ra në pusin e mjaltit.

Kjo ndodhi nga fundi i vitit të tretë universitar. Saktësisht në një mbrëmje tematiko-dëfrimi, që organizohej nga Ndërmarrja e Punimeve Artistike “Migjeni”, e cila ishte shpallur fituesja e Dekadës së Majit. Komisioni i festës kishte ftuar edhe pjesëmarrës nga grupet e tjera. Midis të ftuarve s’kishte si të mos ishte edhe Vasjar Marko Bregu, i cili e kishte vitin e dytë që merrte pjesë në këtë festival të ansambeleve të ndërmarrjeve me grupin e Universitetit. Atë vit kishte kënduar një këngë të bukur melo-ritmike me motive jugore. Një kritik kishte thënë se zëri i tij i kthjellët dhe i ëmbël pasqyronte kthjelltësinë e transparencën mesdhetare.

Sapo drejtuesi i mbrëmjes prezantoi vallëzimin e dytë, ende pa filluar mirë muzika, një bukuroshe sygjelbër, që nga bukuria e linte prapa edhe vetë diellin mesdhetar, u gjënd para tij dhe e ftoi për vallzim. Ndonëse vajza dukej shumë e ndrojtur, gjë që mund ta bënte krenar dhe fudull Vasjar Marko Bregun, siç ndodh rëndom me të rinjtë fshatarë, kur korrin suksese me femrat në qytete, atij i buçiti gjaku i nxehtë në vena. Pastaj, befas, nisi t’i rrihte si çekan në tru dilemma: cila pyetje do të vinte e para: “Nga jeni?” apo “Si ju quajnë?”. Pas një heshtje të bezdisëshme për të dy, kur, veç ritmit të vallzimit, as fryma nuk u ndihej, vajza e pyeti për emrin. Kingu iu përgjigj si rrobot:

-Nga Fshati i Diellit.

- Si, si?, -pyeti si e habitur vajza.

-Nga F-sh-a-t-i i D-i-e-ll-i-t!

-Emër i çuditshëm!

-Pse?

Si vajzë e kulturuar ajo u zu ngushtë, pasi e ndjeu se kavalieri i saj u vu në siklet dhe i tha me politesë, duke e vështruar pa ndroje drejt në sy:

-Të pyeta për emrin, jo për fshatin.

Ai u përgjigja sërish si robot:

- Vasjar Marko Bregu.

Ajo nuk u përmbajt dot dhe nga buzët e saj gurgulloi një e qeshur e hareshme. Kingu u bë lulëkuq në fytyrë. Po vajza e përdori situatën si të favorshme, për të vazhduar bisedën e parë me tone humoristike:

- Nuk jam nëpunësja e gjëndjes civile, që më thua edhe emrin e babait, iu përgjigj ajo.

Kingu e vështroi drejt në sy, duke përballuar vështrimin magjepsës të saj. Tani i uli sytë vajza. E hipnotizoi vështrimi i Kingut. Ai në përgjithësi i hipnotizonte vajzat. Po ajo nuk rrinte dot pa folur me të:

-Ç’është ky emër “Fshati i Diellit”? –e pyeti, gjoja me kërshëri.

- Ashtu quhet fshati im.

-Po pse quhet ashtu?

-Se është i pari që e kap dielli dhe i fundit që e lë.

-Eshtë emër i vjetër apo emër i i ri, nga ata që kemi dëgjuar në filma: Sheqeras, Gështënjas, Blerimas, Mollas?

-Duhet të jesh korçare, se fshatrat që përmënde janë të gjithë të Korçës,filloi Kingu, por vajza e ndërpreu:

-Patjetër nga Korça. Por banoj në Tiranë. Atje kam farefis…O korçare, o hiç fare!-tha pas pak buzagaz.

Kingu nuk shprehu ndonjë ndjesi për sloganin e vajzës, “O korçare, o hiç fare!”, i bërë bajat nga keqpërdorimi dhe vazhdoi shpjegimin:

-Emri i fshatit tim nuk është emër i ri. Eshtë emër i vjetër sa bota.

-Sa i vjetër qënka ai fshati yt! Besoj se atje ka lindur dhe Eva e Adami! –bëri hoka vajza dhe qeshi me fjalët e veta. Qeshi dhe Kingu me të madhe. S’u përmbajt dot me lodrat çamarroke të tij dhe përgjigjet thumbuese të vajzës. Deshi të vazhdonte edhe ai me humor.

-Nuk të besohet se është shumë i vjetër? Përderisa e përmend edhe Homeri te Odiseja!

-Mos “Fshati i Diellit” ndodhet në Itakë apo në ishullin e Çirçes?

-Jo. Në një vend më të bukur. Në Rivierën e bregut jonian.

-Ua, sa vend i bukur! Sa romantike! Babi im e quan “Perla e Mesdheut” – vijoi bisedën vajza. Këtu Kingu pësoi lëkundjen e dytë. Babai i saj e quante “Perla e Mesdheut”. Kushedi ç’post kishte ai në hierarkinë e lartë të pushtetit! Po vajza vazhdoi pyetjet.

-Po pse Homeri ka qënë në brigjet e Rivierës tonë?

- Ka qënë patjetër, deri sa e thotë Poeti, shoku im. Shko e pyete!

-Ha-ha-ha! -Qeshi vajza përsëri plot hare.- M’u dashka tani të prezantohem edhe me shokun tënd!

-Eshtë shumë i këndshëm. Njihu sa më shpejt me të dhe do ta shikosh!–e mbylli replikën Kingu.

-Ku ta gjej? –tha vajza.

-Ta prezantoj unë, -u përgjigj Kingu.

-Ti s’je prezantuar ende për vete, -e ngacmoi vajza.

-U prezantuam, -tha Kingu dhe heshti pak. Pastaj tha pa pritur.

-Ky prezantim është një fillim, që nuk do të ketë kurrë mbarim.

* * * * * *

Muzika mbaroi dhe ata mbetën të befasuar, sikur koha t’u kishte ikur pabesisht. Instinktivisht kishin kapur duart e njëri-tjetrit dhe nuk e ndjenin se sekondat rrëshqisnin njëra pas tjetrës. Ishin të magjepsur, por vajza i tërhoqi duart ngadalë, duke e vështruar Kingun thellë në bebëzat e syve. Sikur kërkonte të shikonte diçka në fundin e një pusi. U ndanë  të emocionuar, thjesht me një “faleminderit!”. Vajza u ul në vendin bosh midis shoqeve dhe ato vunë re gjendjen e ngritur shpirtërore të saj, buzëqeshjen e dlirë dhe fytyrën e gëzuar, të rrethuar nga brerorja vezulluese e lumturisë. Ndërsa në gjoksin e Kingut harbonte zjarri i pasionit gjithëpërfshirës. Ai ishte nga ata njerëz, që pasioni përherë u shfaqet i fuqishëm, i stuhishëm, por lëvrin brenda qënies së tyre dhe nuk shfaqet me  simptoma të jashtme. Herë- herë pasioni te Kingu paraqitej në formë meditimi sentimental e ëndërrimesh, por jo me ofshama të përmalluara apo psherëtima të pikëlluara për pengesat e pakapërcyeshme.

Edhe Elsa, pas kuturisjes së shoqeve, për të zbuluar se çfarë kishte ndodhur mes tyre në atë vallëzim lumturues, u zhyt në dallgët e ndjesive të paprovuara. Mirëpo, në pritje të ftesës së Kingut për kthimin e vallëzimit, kur ai s’po merrte guximin, entusiazmi dhe gjëndja e ngritur shpirtërore po i fashitej.  Ndiente zhgënjim pas çdo vallëzimi. Arriti deri sa të zemërohej me djalin bukurosh të posaprezantuar. Mëndjemadhi, fodulli, i ledhatojnë egon me komplimente bajate ato studentet provinciale të Qytetit Studenti! I mungojnë dhe elementet fillestare të mirësjelljes!  Thoshte nën zë, por, brenda sekontës, qortonte veten për ato mendime të liga. Ama, kur drejtuesi njoftoi mbarimin e mbrëmjes, retë e zemërimit filluan t’i vareshin në vetullat e bukura gati për të shkarkuar vetëtima e bubullima.

AJo mbrëmje e magjishme zgjati pak, pasi Ndërmarrja e Punimeve Artistike “Migjeni” kishte shtruar një darkë për grupin e saj fitues të Dekadës së Majit në një nga lokalet më të mira të kryeqytetit. Vasjar Marko Bregu ishte ndër të paktët e ftuar nga grupi universitetar, që kishte zënë vendin e dytë. Kështu ata u ndanë pa u përshëndetur.  Elsa iku e shoqëruar nga një djalosh simpatik e gazmor. Kingut kjo nuk i pëlqeu dhe në çast iu turbulluan mendimet. Në këto momente ngriti krye ajo ndjenja fshatare e inferioritetit dhe i hipi në kokë se në kryeqytetin dyqind mijë banorësh nuk ishte veç një pikë ujë në oqean. Harroi iluzionet, Vasjar Marko Bregu! i tha vetes. Në provincë, veçanrisht në fshat, diferencat midis njerëzve, sidomos ato ekonomike, ishin të pandjeshme. Në to më shumë ndikonte shkollimi dhe shumë pak detyrat lokale në parti apo pushtet. Rrugët drejt famës ishin të papërfillëshme, gati të pamundura. Kurse në kryeqytet rrugë të tilla kishte me dhjetra. Vëmendja e njerëzve, veç njerëzve të politikës e pushtetit,  ishte e përthithur edhe pas figurave të njohura të artit, sportit, kulturës, shkencës… Dhe lufta për një pozitë të lartë në shoqëri bëhej më e fshehtë dhe më e rafinuar…Por Kingu kishte nevojë për iluzionin si për një ilaç.

Kaloi një javë pa u parë. Por tani për Vasjar Marko Bregun bota ishte në një anë, Elsa në anën tjetër. Ajo ishte i vetmi objekt në qendrën e vëmëndjes së tij gjatë njëzetë e katër orëve. Ndonëse kishte njohur shumë vajza bukuroshe në kryeqytet, të cilat e kishin simpatizuar, e kishin dashuruar dhe kishte fituar mjaft përvojë, për t’ua fituar zemrën, pas njohjes me Elsën, i dukej se dielli ishte ulur më pranë tokës dhe ndriçonte aq shumë, sa ia kishte zbehur ato dhjetra vajza, të cilat ishin robëruar pas tij. Ajo  që thoshte, Roza, kamarierja simpatike dhe elegante në Qytetin Studenti, se për Kingun vajzat ishin si yjet, kur lindte ylli i ri, i shndritshëm, i vjetri zbehej tutje në perëndim, nuk ishte e vërtetë. Por Kingu habitej edhe vetë se si ishte e mundur, që, vetëm për tri minuta, vajza pa emër i kishte zotëruar plotësisht zemrën e tij. Bukuria, aroma e trupit, eleganca dhe finesa e saj i mbushte gjithë hapësirën ku ai merrte frymë. Në çdo dritare, pas së cilës dukej një femër,në çdo derë që hapej para tij, pas çdo qosheje ndërtese, në çdo kryqëzim rruge i shfaqej vegimi i saj. Kjo tregonte padurimin e pritjes për ta parë sërish. Edhe kur i mbylleshin sytë ajo vraponte në ëndërrat e tij. Ndërsa Elsa gjatë atyre ditëve  mendonte vetëm si mund t’i sajonte ndonjë surprizë Kingut. Të dy loznin dhe ngërtheheshin me kujtimet e asaj mbrëmjeje të paharruar.

Papritur, ditën e prëmte të javës , Kingut i erdhi në dorë një zarf, mbi të cilin ishte shkruar  vetëm marrsi, por jo dërguesi. Pa se brenda ishte një fletë e trashë, si punë kartoline. Ndonjë ftesë nga ato të zakonshmet, mendoi, siç i vinin nga të katër anët e Tiranës, kudo ku organizatat e rinisë sajonin aktivitete kulturore apo argëtuese. Por, gati instinktivisht, çdo gjë e lidhi me Elsën. E hapi zarfin me duart që i dridheshin nga emocionet dhe vërtetë ishte një ftesë,  ku i komunikohej vetëm dita, ora dhe salla ku do të bëhej aktiviteti, por as kush e dërgonte dhe as kush e organizonte. Vendi ishte palestra e një shkolle të mesme. Ndjeu një siguri se pas kësaj ftese ishte vajza e adhuruar e tij.

Të shtunën pas dite u ndreq, siç dinte vetëm ai. Ishte fort i vetëdijshëm për vlerat e thjeshtësisë dhe lulëzimit, që, sipas tij përbënin magjinë e rinisë. Nuk do të më shoqërosh? Më tha, duke u veshur. Nuk mundet, i thashë. Kam shumë nevojë për ty, ma ktheu me një ton lutës. Ajo është një ftesë speciale dhe ti nuk duhet të jesh i shoqëruar, i thashë mendimin tim. Si i verbëri pas shkopit, pas asaj adrese mbriti ndër të parët dhe zuri një cep të palestrës, e cila ishte zbukuruar si për ditë solemne. Sa herë shfaqej hija e një pjesëmarrësi te dera e sallës, ai priste shfaqjen e vajzës së adhuruar. Më në fund ajo ndodhi. Vajza hyri e shoqëruar nga po ai djalosh plot hir e gaz, që dukej krenar në krah të saj.  Kingut iu zu fryma, merrte frymë me zor nga ankthi. Elsa qëndroi në këmbë pranë një radhe karrigesh të rezervuara, duke kërkuar me sy  gjithandej. Pasi kontrolloi disa herë cep më cep sallën, e gjeti dhe i buzëqeshi, por Kingut i kishte ngrirë buzëqeshja në buzë.  Një hije zymtësie ia kishte mbuluar fytyrën e hijshme të tij si një re e zezë që mbulon qiellin e kaltër. Pasi nuk mori asnjë përgjigje apo shenjë  emocioni, vajza u ul në karrigen e vet sikur u ul mbi një iriq me gjëmba. Ajo e humbi në çast gjallërinë dhe nurin e një ëngjëlli të qeshur…

Dy vallëzimet e para, që, si rregull, ua linin vajzave zgjedhjen e kavalierëve, Elsa nuk vallëzoi. Sa e morën fuqinë djemtë, e ftoi ai djali gëzimmadh, që ishte ulur në të djathtë të saj. Atëherë Kingu u zhyt në një gjëndje zemërimi dhe pikëllimi, mallkoi atë që i kishte dërguar ftesën dhe çastin fatal që u nis për në atë mbrëmje. Në pikëllim e sipër, mendonte se Elsa ia kishte dërguar, për t’i kumtuar se ajo  ishte e lidhur dhe të mos mbante shpresa. Domethënë t’ia vinte kufirin te thana. Kushedi i kujt është ky “zog kurve”, tha me vete në zemërim e sipër dhe ishte në dilemë, të qëndronte apo të ikte. Kur vallëzimi mbaroi dhe ai shoqëruesi simpatik e gazmor e mbante Elsën për dore, duke i buzëqeshur ëmbël, Kingu u  nis me vrull të dilte jashtë nga palestra. Elsa e pa dhe u sul drejt tij si ai tigri që ndien se po humbet prenë e lakmuar. E arriti te porta e hapur, për shkak të zagushisë në sallë dhe e kapi për krahu. Kingu ndjeu një valë të ngrohtë që ia përshkoi tërë qënien e tij. Me anë të syrit vështroi dorën e vajzës, që i shtrëngonte krahun, sikur donte t’i thoshte: ti je vajzë elite dhe kurajoze, por dora te krahu im është e tepërt. Vajza e hoqi dorën  sikur e kishte në zjarr, qëndroi ashtu e befasuar dhe mendoi të largohej, por, në çasetin e fundit, i tha me zë të butë:

-Ku po shkon?!

-Të marr pak ajër të pastër,- iu përgjigj Kingu.

-Pse këtu ajri të duket i ndotur? -ia ktheu vajza shumë e kthjellët. Kingu u zu shumë ngushtë nga fjalët dhe qetësia e vajzës. Ndjeu epërsinë e saj dhe u tërhoq:

-Jo, ashtu se si më erdhi,-u përgjigj, duke u sforcuar të dukej edhe ai i qetë. Ishte befasuese dhe e pabesushme ta shikoje Kingun para saj si një fëmijë i zënë në faj.

Elsa i futi krahun dhe e çoi drejt karriges nga e majta e saj, mbetur bosh që në fillim të mbrëmjes. Kingu u ul, por sa pa të afrohej shoku i Elsës, u ngrit rrëmbimthi dhe shkoi te karrigia e vet. Elsa e ndjeu se i adhuruari i saj ishte i zemëruar, por kjo sjellje e tij e zemëroi edhe më shumë atë vetë. Mundohej të gjente ndonjë arsye, por veprimi i Kingut iu duk një sjellje pa sens, për të mos thënë e shpifur. Kurrësesi nuk gjente arsye që objekti i zemërimit të tij të ishte ajo vetë.  Me gjithë atë diçka e brendëshme e shtynte drejt pajtimit me të. Sapo drejtuesi i mbrëmjes ua dha vajzave fuqinë, pa filluar ende muzika, Elsa u ngrit dhe, me një farë përskuqje, që veç ia shtonte bukurinë, përshkoi sallën diagonal. Një takëm djemsh i konverguan vështrimet te bukuroshja, në pritje se kë prej tyre do të preferonte. Por nuk u ndien mirë kur ajo shkoi direkt te Kingu. Me një buzëqeshje të ëmbël  e ftoi për vallëzim. Pa pritur, që i adhuruari i saj të çohej, ajo i kapi dorën. Djalit i vërshoi gjaku në faqe…  Stuhia mbaroi me një ylber të bukur.

Kingu nuk i bëri vajzës shumë pyetje. Veç pyetjes për emrin, i bëri  ca pyetje anësore, të parëndësishme dhe si me indiferecë, por gjithësesi të përzier me mirësjellje dhe delikatesë. Edhe vajza i jepte përgjigje të shkurtëra, por të sinqerta dhe në butësinë e zërit të saj ndihej një farë vuajtjeje, si zhgënjim. Pra, folën shumë pak. Aq sa Kingu mori vesh se Elsa studionte për gjuhë të huaja, dega frëngjisht dhe ishte në vitin e tretë. Ata e dinin se shfaqja e ndjenjave të dashurisë me një të parë, nuk ishte mënçuri, nuk ishte serioze për njerëz me intelekt. Por në të vërtetë ishte diçka tjetër më e thellë, një pushtet i brendshëm, domethënë i pasionit mbi arsyen, që i pengonte të flisnin si llafazanë të dehur nga pasioni. Ata dëshironin të dëgjonin frymëmarrjen e penguar të njëri-tjetrit, të thithnin aromat e njëri-tjetrit, të shijonin ëmbëlsinë dhe afshin e forcave tërheqëse të dy trupave. Të zhytur në një botë të panjohur për ta, nuk ekzistonte pjesa tjetër e sallës që kumbonte nga hareja dhe pasionet. Donin të ndjenin dhe vetëm të ndjenin praninë e njëri-tjetrit. Njerëzit në përgjithësi u japin shumë rëndësi fjalëve. Kanë iluzionin sikur ato sjellin rezultate të mëdha. Kurse fjalët në fakt janë pjesa më e përciptë e arsyetimit. Ato nuk mund të arrijnë veçse turbull stuhinë e ndjenjave dhe dëshirave që fshihen pas tyre. Dhe zemra fillon e dëgjon vetëm atëherë kur pushon së ndërhyri gjuha. Kur muzika ndali, Kingu ishte gati t’u thërriste orketrantëve: Ç’farë po bëni ju, të mallkuar?! Mos jeni marrosur të na ndani në çastin e emocioneve kulmore!...

Por Elsa e tërhoqi për dore dhe ai, si një manar që e tërheqin me një rryp për qafe, e ndoqi pas. Ajo e uli në karrigen midis saj dhe drejtuesit të mbrëmjes së vallëzimit. Një shok i ngushtë imi ia prezantoi Kingun shokut të vet, i cili mbeti disi i befasuar, pasi i njihte shokët e ngushtë të saj. Një shok i ri, thuaj, i ndërhyri ai Elsës. Por ajo vazhdoi, duke injoruar përgjigjen e shokut të vjetër. Berti, një shok i hershëm, që nga gjimnazi, ia prezantoi Kingut dhe vazhdoi: E kemi dhe përgjegjës të grupit të studentëve të frëngjishtes, pjesëmarrës në Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Francë. Vasjari u shkarkua disi nga dyshimi dhe mjegulla e xhelozisë iu përhap pak, si një zog që shkund nga krahët pikat e shiut të posarënë. Mirëpo tani ndihej i dërrmuar nga pesha e autoritetit që u jepte kuota e lartë shoqërore personave që e rrethonin. Aq më tepër prezantimi “shok i hershëm” nuk ishte aspak i mjaftueshëm për ta pastruar ndërgjegjen nga ndonjë dashuriçkë e atyre pinjollëve të shtresës, ku gjuha e huaj ishte një çek i paplotësuar në xhep. E vetakuzoi veten për ngutje në veprime të pa studiuara…

Kur kohës së programuar po i afrohej mbarimi, Elsa i kërkoi drejtuesit ta zgjaste ca mbrëmjen e vallëzimit, duke marrë përsipër pagesën shtesë të orkestrantëve.  Vallzimin pasuses radhën e kishin vajzat dhe Elsa priti pak, por kur pa një basketbolliste që mori turin drejt Kingut, e kapi menjëherë nga dora dhe e çoi në mes të sallës, si t’i thoshte basketbollistes: “Ky është imi”. Gjatë vallzimit e porositi që, sa herë ta kishin fuqinë djemtë,  të mos priste sa të mbrinin djemtë tek ajo. Në çdo vallëzim, deri afër mëngjesit, ata ishin në krahët e njëri-tjetrit, duke vallëzuar lehtë si zogj me pupla, pasi zemrat u lundronin në një det lumturie.

Në vallëzimet e fundit Elsa vendosi t’i tregonte me hollësi për veten. Kingu rrinte më i rezervuar. Pasi e mësoi që në prezantimin e parë se Elsa ishte nga Korça, tani mori vesh se ajo kishte edhe njerëz të rëndësishëm në Tiranë, deri në nivel ministri. Kingut sa herë dëgjonte rrëfimet e Elsës,  i thahej goja dhe maja e gjuhës nga emocionet.Gjykonte se Elsa ishte e paarritshme  për një student-fshatar të sërës së tij. Aq më tepër që kishte edhe një xhaxha në Amerikë. Në të vërtetë Vasjar Marko Bregu gjithmonë tregohej i rezervuar me vajzat që njihej rishtaz. Ngutja nuk i pëlqente fare. Kishte njohur edhe nga ato, për të cilat rrobat e bukura dhe bizhuteritë ishin përherë joshëse dhe bindëse. Vajza të tilla për të s’ishin as të mençura as pasionante. Ai pëlqente ato vajza që në gjykimin e tyre shfaqej edhe një stërhollim ndjenjash. Gjë që dukej e pranishme tek Elsa. Bile në mjaft gjëra ajo ndryshonte me të tjerat. Në bisedë dukej më e hapur, më e sinqertë dhe më xhentile. Sapo kishte marrë kontaktin e parë fizik me të, kishte filluar t’i vlonte ai pasioni i stuhishëm. Mirëpo sa herë Kingu prezantohej me vajza të shtresës së lartë aksionit erotik i kundërpërgjigjej reaksioni i paragjykimit dhe ndrojes fshatare. Pas vallëzimit të fundit ai ra në një gjëndje të thellë zymtësie dhe neverie morale ndaj dobësive e mangësive të veta fshatarake. Atmosfera e kryeqytetit, prezenca e të fuqishmëve shërben si reagent kimik, që gërryen ngadalë-ngadalë njerëzit inteligjentë e të ndjeshëm të provincës. Mirëpo, sinqeriteti, dlirësia dhe ndjenjat e holla, që shpalosi ajo vajzë, për ta qetësuar e zbuluar arsyen e trishtimit, ndryshe nga disa vajza të tjera, që i vardiseshin dhe shikonin vetëm bukurinë e rrobat amerikane të tij, mori një vendim të prerë: Asaj vajze nuk do t’i ndahej deri në kufirin e të pamundurës.

Ky pasion i stuhishëm dhe violent mbi shpirtin nuk kaloi pa pasoja për Vasjar Marko Bregun. Kishte filluar sezoni i provimeve dhe ai digjej nga një zjarr i brendshëm, sa nuk kujtohej fare për leksionet. Edhe kur bënte t’i hapte, mëndja i fluturonte gjetiu. Provimi i parë i sezonit ishte një goditje e rëndë për të. Rregjistroi të parën shtatë, i vetëdijshëm se nuk e meritonte edhe atë. Ai dëgjoi me veshët e tij pedagogun e seminareve, kur i tha pedagogut të leksioneve,”kuatro”. No, no, iu përgjigj pedagogu i leksioneve. “Çinkue”, tha pedagogu i seminareve. No, no, tha pedagogu i leksioneve. “Sei”, tha ai i seminareve. No, no! tha ai i leksioneve. “Sete”, tha ai i seminareve. Si, sete, sete, tha ai leksioneve. Shtata u vendos në procesverbal dhe në librezën e studentit. Kjo ishte disfata e parë e tij në provime, viktimë e një pasioni të çmendur. Atë çast u pendua që nuk e shtyu provimin. Ajo shtatë i vinte vizë “Diplomës së dalluar” dhe punës në kryeqytet. Ai mund t’i qepej një vajze nga ato të elitës, e cila do ta priste  krahëhapur, por do të ndeshej në murin rrethues të kësaj shtrese shoqërore, që edhe në se do ta kalonte, do t’i dukej e pështirosur. Ai donte të qëndronte në kryeqytet me meritë. Dhe aty për aty ndjeu zemëratë dhe neveri morale për veten, që ra si adoleshent në pusin e ndjenjave. Tërë atë ditë ishte i përmbytur nga brenga e paaftësisë për ta zotëruar veten dhe nga ankthi i zhgënjimit të shokëve të dhomë numër 28, godina 17 në Qytetin Studenti. Familjes vendosi të mos u tregonte. Studenti inteligjent dhe i vullnetshëm, që kishte regjistruar vetëm një nëntë, për kunjin e një padagogu buzëqumësht nga ata të përkëdhelurit, kishte rezultuar dështak. Por ai nuk mund të pranonte atë shtatë. Mori vendimin ta përmirësonte në sezonin e vjeshtës. Synimi i tij për “Diplomë të dalluar” ishte i pathyeshëm.

Ditën që Vasjar Marko Bregu dha provimin e parë, Elsa kishte sajuar diçka tjetër, të cilën e quante surprizë . Ftesa këtë herë qe për në hotel “Dajti”. Ishte aktivitet i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Francë. Kingu e fliste frëngjishten disi. Ia kishtë mësuar i ati, i cili kishte mbaruar shkollën tregëtare trevjeçare të Vlorës. Edhe vetë tri vjetët në universitet si gjuhë të huaj kishte zgjedhur frëngjishten.

Surpriza e Elsës ishte pranimi i Vasjar Marko Bregut si anëtar i kësaj shoqate. Në hollin e hotel “Dajti” Kinngu ishte ulur djathtas Elsës. Nga e majta e Elsës ishte ulur një punonjëse e ambasadës franceze dhe më tej Alberti, “shoku i hershëm” i Elsës. Te francezja Kingu zbuloi një fuqi tërheqëse të pazakontë. Nuk i dinte as moshën, por e gjykoi te të tridhjetat. Ai nuk gjeti asgjë të bukur tek ajo femër, por nuk e kuptonte ku qëndronte ajo forcë tërheqëse e papërballueshme. Francezja e pikasi këtë ndjesi të Kingut dhe iu ngjit. Elsa arsyetoi shpejt, pa e zënë ethet e xhelozisë. Kush nuk e simpatizon Kingun tim, tha me vete dhe mendoi se francezen s’e lidhte asgjë me atë djalosh në të ardhmen. Kur aktiviteti mbaroi dhe u larguan ambasadori e shokët e presidiumit, ata hipën në një veturë së bashku dhe çuan Kingun në Qytetin Studenti. Gjatë rrugës Elsa shpalosi ëndërrat për studime pasuniversitare në Paris. Kingut iu turbulluan të gjitha ndjesitë e bukura, që kishte provuar deri në ato çaste. Alberti mbante qëndrimin e njeriut që e kishte të sigurt jo vetëm Parisin, por edhe të ardhmen. Në atë takim Kingu kishte mësuar se Alberti ishtei nipi i një bllokmeni. Por Elsa tha se edhe Kingu do t’i vazhdonte patjetër studimet pasuniversitare në Paris, se kishte një inteligjencë e vullnet të shkëlqyer dhe i shkeli syrin, domethënë do të kishte ndihmën e saj. Francezja, e ulur në vendin e parë, duke pohuar me kokë,  u kthye përgjysmë nga Kingu. Kur u ndanë francezja e puthi Kingun, i cili u bë gjak i kuq në fytyrë. Atij i erdhi më shumë rëndë nga Alberti, tek i cili dalloi një ngërdheshje të neveritshme, se sa nga Elsa.

Që ditën kur Kingu u bë anëtar i Shoqtës së Miqësisë Shqipëri-Francë, ndonëse në sezon, ata i dëndësuan takimet. Elsa u njoh edhe me mua dhe e priti mirë që Kingu kishte një shok poet. Bile e merrte me romantizëm kur bënim xhiron e mbrëmjes së bashku. Por unë kujdesesha më shumë të mos merrja pjesë në një rreth kaq elitar, siç ishte grupi i Elsës. Ndodhte të ulesha me shokë të mi nëpër stola e bordure, për t’i kundruar tek kalonte grupi  i tyre, ku spikaste Kingu me Elsën, si një çift yjesh, duke garuar në sfilatën e mbrëmjes në bulevardin Dëshmorët e Kombit me çiftet më të bukura e më të mbajtura të Kryeqytetit.

Ditën, kur dha provimin e fundit, me rezultate maksimale pas asaj shtate tronditëse, Kingu shkoi tërë kënaqësi dhe respekt para Dekanatit të Institutit të Lartë të Arteve, për të takuar skulptorin, që e kishte përzgjedhur si model në kompleksin skulpturor “5 heronjtë e Vigut”. Duke pritur profesorin të dilte nga një takim në dekanat, para tij u ndal një makinë me targa CD. E vështroi me vëmendje, siç shikonim të gjitha makinat e ambasadave. Nga porta e makinës doli papritur francezja. Ai vetëtimthi ndjeu një forcë tërheqëse drejt saj, si një stuhi magnetike. Kryeqyteti ka plot kurthe të djallëzuara për një të ri 18-20 vjeçar, shumë më të mëdha se ato miklimet e vogla e njerëzore. Në të veprojnë forca të fuqishme, që të tërheqin e të bëjnë  për vete me ato joshjet e tyre magjepsëse të një kulture të stërholluar. Gjysmën e shthurrjes së shpirtit të dëlirë e naiv e sjellin kryesisht ato forca, të cilat nuk i ka në dorë njeriu. Francezia iu afrua  me një revistë në dorë dhe, pa u përshëndetur, i tha shqip: “Ti këtu?”. Kingu pohoi me kokë dhe mbeti i befasuar, pasi revista ishte franceze.  Ishte një foto e pesë studentëve simpatikë e të qeshur, dy vajza e tre djem, ku Kingu ishte vendosur në qendër, duke soditur një  mëngjes të bukur pranveror mbi Tiranë nga ballkoni i një prej godinave në Qytetin Sudenti. Foto e ATSH, e cila kishte zënë pak kohë më pare kopertinën e revistës prestigjioze “Ylli”. Këtë foto shumë të rinj e studentë e kishin vendosur në muret e dhomave, në faqet e garderobave, në kabinat e makinave e në studiot e artistëve të rinj. Francezia e tërhoqi si me magji brenda në makinë. Pimë një kafe? I propozoi ajo. Kingu nguroi, por e miratoi ftesën. Rrugës francezia mori dhe tre studentë të tjerë, të tre nga artet. Kingu priste të mësonte ku ishte kafja e preferuar e francezes, pasi ishin larguar nga qëndra. Kur iu afruan ambasadës franceze, Kingu filloi të shqetësohej. Gjë që nuk e vërente te studentët e tjerë. Makina nuk u fut në ambasadë, por në një lokal afër saj. Pasi zunë vend në një tavolinë të madhe, u afruan dhe dy punonjës të ambasadës, njëri prej tyre mjekrosh,  përshëndetën dhe u ulën rreth tavolinës. Atëherë Vasjar Marko Bregun u ndie i zënë në kurth. Deshi të çohej, por sedra nuk e lejoi ta bënte atë veprim të pamatur për etikë, por i nevojshëm për veten e vet. Në tavolinë mësoi  se fancezja quhej Zhaku dhe ishte me origjinë luksemburgase…

* * * * *

Nuk ishte mbushur ende muaji nga fillimi i vitit të ri universitar. Domethënë edhe një vit do të ishim banorë të Qytetit Studenti, bujtës të dhomës numër 28, godina 17. Ç’moshë iluzionesh e dëshirash përvëluese! Optimizmi plot shpresa po vërshonte si shatrivan në zemrat tona. Kryeqyteti në atë moshë të ngjallte shumë më tepër ambicie se provinca. Sa herë ne kishim folur për perspektivat që u hapeshin atyre, të cilëve u jepej mundësia dhe kishin mjetet për të jetuar në kryeqytet! Por ne, katër shokët e dhomës numër 28, godina 17, aspironim për ta krijuar këtë mundësi, duke u bazuar vetëm tek vullneti  dhe aftësitë tona. Ama ishim në një mëndje se më mirë këtë rrugë e kishte përvijuar Kingu. Mirëpo, vetë atij, kryeqyteti i ngjallte një lloj tmerri adhurues, me që atje ishte përqëndruar gjithçka që ai admironte dhe ëndërronte në këtë botë: vajzat e bukura, mirëqënia, fama, pozita shoqërore... Shumica e njerëzve të famshëm që pati njohur gjatë tri viteve, sidomos pas pozimit si model në Shkodër, pjesëmarrjes në Dekadat e Majit dhe njohjes me Elsën, punonin e jetonin në Tiranë. Kingu ishte i vetëdijshëm se bukuria fizike ishte një premtim për lumturinë, por nuk ishte e thënë të mbahej premtimi. Siç thoshte Peshkopi, ajo mund të ishte kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm. Veçanrisht për një shoqëri të shtrirë në shtratin e Prokrustit, ku gjymtoheshin të gjitha trungjet e lastarët e shoqërisë.

Realisht ambiciet dhe  ëndërrat e Kingut, pavarësisht nga paragykimet dhe paramendimet, rridhnin brinjë më brinjë me martesën.  Ai mendonte se hap i sigurtë drejt ëndërrave të tij, ishte martesa me një vajzë të elitës. Ishte e kuptueshme se Kingu kishte kaluar nga ajo ndroja provinciale dhe pesimizmi  dominues në fillim të studimeve universitare në ekstremin tjetër të ambicieve kryeqytetase. Por nuk mund të themi se kishte kaluar në eufori. Në të vërtetë Vasjar Marko Bregu nuk ishte aspak mëndjelehtë që të besonte verbërisht se kapitali fizik i tij ishte i mjaftueshëm për t’i joshur  vajzat e elitës e për të kapërcyer barrierat ndarëse midis shtresave shoqërore ekstreme. Ai e dinte se, për të hyrë në kalatë hijerënda të familjeve të parisë në kryeqytet, duhej të kaloje në ca filtra absurdë për të. Gjyshin në Amerikë e kishte gjëmb nën lëkurë, ndonëse shumë të rinj ia quanin privilegj, duke lakmuar dhuratat e shtrenjta, që i vinin nga toka e premtuar. Bile edhe vetë Elsa i kishte dhënë kurajo për këtë, kur i kishte thënë se në Korçë nuk kishte fise të dëgjuara, që të mos kishin njerëz në Amerikë. Edhe ca hije rreth babait të tij, i cili kishte mbaruar Shkollën Tregëtare 3-vjeçare të Vlorës, kishte qënë disa muaj në Itali dhe kishte punuar si llogaritar në një kompani italiane, mund t’ia errësonin rrugën drejt së ardhmes. Sidoqoftë ai ishte i vendosur për ta pushtuar kryeqytetin me armët që dispononte: inteligjencën dhe avantazhet fizike të tij. Në fund të fundit këto ishin dy vlerat më të qënësishme të njeriut.

Në arsyetimet e Kingut vajzat e elitës ndaheshin në tre grupe: bukuroshet naive, të cilat lakmonin në krahun e tyre një djalosh bukurosh, pa arsyetuar më tej, por që mund të ngulnin këmbë si mushka: o marr atë, o bie e vdes.  Në ballë të arsyetimit ato naivet i dukeshin si një varëse kallp e larë me flori nga jashtë në qafën e tij. Në grupin e dytë bënin pjesë shëmtaraqet inteligjente, të cilat mund t’i jepnin më tepër garanci, por që pështirosej ta bënte një sakrificë të tillë. Që të shkëlqente në shoqëri, që të mundëte të jetonte pak a shumë një jetë të hijshme dhe të arrinte një pozitë shoqërore,  sipas tij, kërkohej shumë më tepër kapital.  Një kapital i dyshimtë, por sidoqoftë kapital. Një vajzë e bukur dhe inteligjente ishte një kusht i domosdoshëm (sine qua non). Këtë ia përforcoi edhe më shumë një ngjarje e paparashikuar.

Sapo ishte regjistruar në konviktin e Qytetit Studenti, të nesërmen, i erdhi një ftesë nga Radio Televizioni Shqiptar. E pritën me ëmbëlsi dhe e vunë të bënte prova për spiker lajmesh. Që në provën e parë iu vlerësua shumë paraqitja, qëndrimi para mikrofonit e kamerave, por duhej të punohej me zërin.  Gjatë provave njohu lexuesin me të ri të lajmeve, një student i shkencave ekzakte, të cilin e kishte adhuruar, por në mjedisin e televizionit iu duk shumë fodull e mospërfillës. Mendonte se fodullëku nuk duhej të ishte në natyrën e studentit. Por, kur mësoi se ai ishte bërë dhëndërri i një anëtari të Byrosë Politike, uli kokën dhe tha me vete: ka të drejtë për të qënë kaq fodull. Mirëpo sapo u nda me dhëndërrin e byroistit, iu afruan dy vajza të reja, që merreshin me grimin, të cilat e përshëndetën me përzemërsi dhe u bëri përshtypje të veçantë sharmi i tij. Në thelb Kingu ishte natyrë pasive dhe ëndërrimtare, por me të posanjohurit tregohej sa më i gjindshëm dhe  fitonte menjëherë simpatinë e tyre. Në sjelljet me vajzat u dukën manierat e hijshme dhe të rafinuara, të cilat i kishte të kultivuara nga babai që në të ritë e tij, falë shkollimit dhe vajtje-ardhjeve në Itali që në moshë të re.  Kështu ndodhi dhe me dhëndërrin e byroistit.  Ai nuk mund të injoronte shprehitë e mrësjelljes së një djaloshi simpatik nga fshati, kur edhe ai vetë kishte një prejardhje më plebejane se Kingu. U afruan me njëri-tjetrin dhe disa herë kishin pirë pije freskuese sëbashku. Edhe një arsye tjetër e fortë që ftesa në televizion, për të lexuar lajmet e mbrëmjes, e entusiazmoi deri në delir dhe ia rriti optimizmin për realizimin e ëndërrave të tij. Vendbanimi i familjes në fshat nuk ishte më dekurajues, pasi gjithë ata që e afronin, e dinin se vinte nga fshati.

Një ditë spikeri i posanjohur i tha se e njihte Elsën dhe kishte mësuar për marrëdhëniet midis tyre. I foli për familjen e saj, të cilën e njihte mirë dhe kishte respekt për ta. I kishte treguar Alberti sa e donte ajo Kingun, por…kishte thënë dhëndërri byroist dhe kishte ndalur. Çfarë “por…”?  kishte pyetur Kingu. Pas hezitimesh kolegu i ardhshëm i Radio Televizionit Shqiptar i tregoi se xhaxhai ministër i Elsës, i cili nuk kishte vajza, lakmonte shumë lart për të, duke aspiruar ta bënte nuse në Bllok. Bile tahmahu i tij shkonte edhe më lart, deri te ndonjë djalë i Udhëheqësit. Ky pohim ishte një goditje e fortë e besimit dhe optimizmit të djaloshit simpatik të dhomës numër 28, godina 17 në Qytetin Studenti. Ndonëse Elsa çdo ditë i jepte prova të forta, mendimi i tij ishte se ajo nuk mund të ngrihej mbi dëshira dhe vullnete të tilla. Për të tashmë ishte fare e qartë se, se, edhe sikur Elsa të kapërcente mbi dëshira dhe vullnete të tilla, këmbëngulja përballë do të bëhej shkatërrimtare për të ardhmen e tij. Me spikerin karizmatik, dhëndërrin byroist, i hapën disi kartrat. Kingu mësoi se me vajzën e anëtarit të Byrosë Politike studenti nga fshati ishte lidhur vetë, pastaj ajo kishte ngulur këmbë tek i ati dhe, me kambialet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të familjes, kishte hyrë në familjen e byroistit.  Kingu mbajti  rezerva për familjen, por besoi në ato që i tha kolegu dhe shpresat iu ndriçuan sërish. Bile edhe më fort.

Entusazmi prej ftesës në Radiotelevizionin Shqiptar, nuk zgjati shumë. Ndodhi një ngjarje, që askush nuk mund ta mendonte se mund të përmbyste fate, që dukej se shkëlqenin deri  në zenit. Ajo ngjarje, punë minuti, gati sekondare, e tronditi besimin e studentit inteligjent e bukurosh tek e ardhmja rrezëllitëse në kryeqytetin e Elsave dhe Albertëve. Kjo ndodhi gjatë muajit të punës prodhuese, në aksionin kombëtar për ndërtimin e hekurudhës Elbasan- Prrenjas.

Një ditë të bukur fundshtatori Kingu punonte turni i dytë në tunelin e Librazhdit,në të cilin ishte përfunduar  shpimi dhe aksionistët bënin pastrimet e fundit. Brigada e Kingut kishte filluar në hyrje, kurse brigadat e tjera ishin rreshtuar deri në dalje të tunelit. Sapo kishte rënë errësira dhe punohej me prozhektorë, studentët krijuan një rrymë të lëvizëshme për në dalje të tunelit. Shumë syresh i kapi paniku, se mos kishte rënë ndonjë pjesë nga tuneli. Në të vërtetë ishte hapur fjala se në dalje ndodheshin dy djemtë e Udhëheqësit. Edhe ata aksionistë. Shumica e studentëve nuk ishin kryeqytetas dhe kureshtja është një nga tiparet e spikatura të njerëzve të periferisë. Por s’ishte fjala thjesht për kureshtje. Ishte një mit. Studentët u grumbulluan, duke u ngjeshur rreth grupit ku ishin djemtë e Udhëheqësit dhe turma ngjante me një gjeratore përpirëse. Midis turmës, që ngjishej, u gjënd dhe Kingu, të cilit studentët i hapnin rrugën sa e shikonin, duke i buzëqeshur, sikur të ishte edhe ai një djalë udhëheqësi. Jo se Kingu nuk i kishte parë djemtë e Udhëheqësit, por turma të merr me vete.  Disa ngjisheshin të afroheshin, disa zgjateshin vetëm për t’i shikuar, disa t’i përshëndesnin dhe ndonjërit i shkonte mëndja për ndonjë foto.  Djemtë e Udhëheqësit, në një  grup me 5-6 të rinj, ishin rrethuar nga një gardh civilësh vigjilentë, që me siguri ishin trup-roja e sigurisë. E papritura për Kingun ishte  prezenca e Elsës mes djemëve të Udhëheqësit dhe atij spikerit, që ishte dhëndërr i një byroisti. Elsa, e qeshur, e çlodhur, bisedonte me më të voglin, i cili ishte dhe më simpatik. Pranë tyre, sigurisht, ishte edhe Alberti, ai miku i hershëm i Elsës, të cilit i kishte vajtur buza te veshi nga entusiazmi. Ai vazhdimisht duartrokiste, në përpjekje për ta joshur edhe turmën për ovacione. Kingut iu ngjit një valë helmi nga stomaku në gjuhë, në qiellzën e gojës dhe një molisje ia përshkoi gjymtyrët.

Ishte një pamje e padëshiruar për të, por nuk mund të mos i bënte përhtypje qetësia, buzëqeshja e lehtë e djemve të Udhëheqësit, të cilën nuk mund ta gjykonte në ato çaste në se ishte dlirësi apo ironi. Dukeshin modestë dhe rrallë ngrinin sytë, për të vështruar turmën kureshtare. Do të duhej të ishin të bezdisur, por me siguri janë të lumtur, i shkoi nëpër mend Kingut. Në moment iu fiksua të çante turmën e të mbrinte pranë Elsës, të përshëndeste djemtë e Udhëheqësit dhe atë spikerin e televizionit. Kingu nuk ishte ndier ndonjë herë aq keq. E kuptoi sa e vështirë ishte përballja e një studenti të thjeshtë me fëmijët e parisë dhe aq më tepër me djemtë e Udhëheqësit. Bëri të largohej, por turma kureshtare ishte ngjeshur aq shumë sa nuk çante dot. Kishte mbetur në pozicionin fillestar, duke shikuar nga djemtë e Udhëheqësit. Për një çast Elsa e dalloi dhe ia bëri me dorë, duke i buzëqeshur. Kingu bëri sikur nuk e pa. Buzëqeshjen e Elsës ai e mori si buzëqeshje krenarie që ndodhej pranë djemve të Udhëheqësit.  Ndërkohë djali i vogël i Udhëheqësit vështroi në drejtimin e tij. Kingut iu duk se ai u vërenjt. Ai vështrim ia shndërroi furinë e helmit, që i ishte ngjitur nga stomaku në gojë, në një zjarr përvëlues. Paniku që e kapi ishte një shpërthim nga nënkoshienca provinciale e përunjësisë dhe frikës nga pushteti i prijsave. I dukej se tash e tutje një lukuni do ta ndiqte prapa, kudo që ai të ishte. Parandjeu se nga ai çast do të ishte nën vëzhgimin e grupit të sigurisë së djemve të Udhëheqësit. Dhe iu kujtua një grua e moshuar që i kishte thënë të birit, kur e pushuan nga gazetar: ke përmjerrë në kopshtin e Mbretit, o bir…

Pasi turma e studentëve u dhpërnda me urdhërin e komandantëve të brigadave, duke u kthyer në frontet e punës, Kingut as i punohej as i rrihej dhe as i dremitej, siç bënin shumë studentë në tunel nga fundi i turnit të natës. Tashmë i dukej se edhe ajo përshëndetja e Elsës donte t’i thoshte: E shikon me kë jam unë! Dhe sidomos ai Alberti, të cilit i dukej se pranë djemve të Udhëheqësit  rritej me shpejtësinë e barit në zonat tropikale.

Për tre vjet Kingu pati një trajektore në ngjitje, tani që dukej se po i afrohej majës, shpirti i tij ishte komplikuar keq. Që nga ajo ditë e deri sa mbaroi aksioni, u mbyll në vetvete, rrinte i menduar, i heshtur, i trishtuar dhe i distancuar nga masa amorfe studentore, bile edhe nga ne shokët e dhomës. Edhe mua vetëm një herë më ishte hapur, duke më thënë se diçka të keqe parandiente. Elsa bënte ç’është e mundur ta gjallëronte dhe t’i rriste optimizmin. Unë përpiqesha ta bindja se nuk gjeja arsye përse  të ishte pesimist. Por ai gjykonte dhe nga fakti se deri ditën e kontaktit me djemtë e Udhëheqësit, e kishin thirrur pothuajse çdo ditë në Radio-Televizion për prova. Pas asaj dite e thirrën vetëm një herë.

Edhe kur filluam leksionet Kingu nuk po e gjente atë gjallërinë e mëparshme, ndonëse jeta studentore vazhdonte njëlloj për të gjithë. Elsa dhe ne shokët e dhomës i rrinim pranë. Sigurisht ai vazhdonte të mbetej i llastuari i bukurosheve universitare. Një farë klime e ftohtë, për të mos thënë akullsirë e asaj vjeshte, pas Pleniumit IV të Komitetit Qëndror, ekzistonte për të gjithë. Bile, për ne që merreshim nga pak me krijimtari letrare, ngrica ishte më e ndjeshme, pasi kritikat e Udhëheqësit ishin shigjetuar kryesisht në fushën e artit, sidomos muzikës dhe të letërsisë. Paraliza që e kishte kapluar Vasjar Marko Bregun kishte ngurtësuar edhe projektet e tij për finalizimin e ëndërrave fluturake. As i shkonte më mëndja në përpjekjet për ta bërë familjen e Elsës që të pranonte dashurinë e pastër të tyre.

Rastësisht atë ditë tetori me zagushi kishim mbritur në dhomë njëkohësisht unë, Masazheri dhe Peshkopi. Bënim sikur prisnim Kingun, për të shkuar sëbashku në mencë. Por të tre, secili për vete, e dinim se atë drekë s’kishim për ta grënë së bashku. Unë isha shtrirë në shtrat me duart kryqëzuar nën kokë dhe vështroja llambën, që varej në tavan si një pendul fizik i kohës zero. Masazheri shikonte nga dritarja, kurse Peshkopi, si gjithnjë në punë, rregullonte garderobën. Mendova se Masazheri kishte parë Veronikën dhe u sul për ta takuar, kur u kthye papritmas nga unë, duke më vështruar shumë i shqetësuar. Filloi të më tregonte, sikur ta kishte harruar urinë:

-Në mes të seminarit, -filloi ai - erdhi sekretarja dhe diçka i tha në vesh pedagogut. Pedagogu vështroi nga unë dhe pohoi me kokë. Ndërkohë ajo m’u afrua dhe më ftoi të shkoja me të në sekretari. Dikush të pret, më tha. Mënyra si më vështruan të dy, më bëri të shqetësohesha se mos kisha ndonjë problem në familje. Hapi derën e sekretarisë, më futi brenda dhe u largua. Atje ishte një burrë, jo më shumë se dyzetë vjeç, mjaft i mbajtur, i cili më bëri me shenjë të ulesha pa më vështruar në sy. U ula dhe ia ngula sytë tërë ankth e kërshëri, por ai rrinte i zymtë pa folur. Kohëzgjatja e kësaj gjëndjeje më bëri të dyshoja edhe më tepër për ndonjë ngjarje të rëndë në familje, duke menduar se nuk dinte si ta fillonte lajmin e keq. Kishin kaluar pese minuta, që m’u dukën pesë orë, kur ngriti kokën, më vështroi me ngulm dhe më bëri një varg pyetjesh pa kuptim: Si më quanin, nga isha, ç’familje kisha dhe ku më punonin prindërit. Kur i thashë se babai ishte oficer kufiri, bëri sikur u çel dhe më tha: Domethënë qënke yni. Nuk reagova fare, se nuk e kuptova domethënien e asaj fjalie. Heshti pak dhe më pyeti për ju,shokët e dhomës. Pasi iu përgjigja, më tha: Domethënë e ke shok dhome Vasjar Marko Bregun. Po, iu përgjigja. E njeh mirë? më pyeti. Po, iu përgjigja. Si është ai? më pyeti. Shok shumë i mirë, iu përgjigja. Ku e ke njohur që përgjigjej me kaq siguri? më pyeti. Kam tre vjet, që e kam shok dhome në Qytetin Studenti, iu përgjigja. Familjen ia njeh? më pyeti. Po, iu përgjigja. Ç’familje ka? më pyeti. Ka babanë, nënën dhe dy motra, iu përgjigja. I ke takuar nga afër? më pyeti. Po, iu përgjigja. Po si? Ku i ke takuar? më pyeti. Kam qënë në shtëpinë e tij gjatë pushimeve, iu përgjigja. Si e ka gjëndjen ekonomike? më pyeti. Të mirë fare, iu përgjigja. Po gjysh, gjyshe, ka? më pyeti. Ka  gjyshin nga i ati dhe gjyshen nga e ëma, iu përgjigja. E ka të fortë gjyshin? më pyeti.  Nuk e di, se nuk e kam takuar, iu përgjigja. Nuk e takove, kur ishe me pushime? më pyeti. Jo iu përgjigja. Pse, ku ishte ai? më pyeti. Me sa di në Amerikë, iu përgjigja. Kush të ka treguar? më pyeti.  Vasjar Marko Bregu dhe të familjes së tij, iu përgjigja. Po çfarë thonë për të? më pyeti. Asgjë, nuk flasin për të, iu përgjigja. Po për Amerikën a flasin? më pyeti. Nuk i kam dëgjuar të flasin për Amerikën, as mirë as keq, iu përgjigja. Gjyshi i ndihmon besoj, më tha. Me sa di u dërgon ndonjë gjë, iu përgjigja. Çfarë përshembull? më pyeti. Ndonjë rrobë veshjeje të bukur, ilaçe për xhaxhanë e Vasjarit, se është i sëmurë, iu përgjigja. Po dollar a u dërgon?më pyeti.  Nuk e di, nuk i kam pyetur, iu përgjigja. Po pse u dërgon rroba e ilaçe deri sa ata kanë ekonomi të mirë? më pyeti. Gjyshi u dërgon dhurata se ka mallë, si çdo gjysh për nipat e mbesat e tij, iu përgjigja. Me pyetje të tilla më mbajti atje e më çau kokën më shumë se një orë. Humba dhe leksionin pas seminarit. Sa më shumë tregonte Masazheri aq më tepër revoltohej.

Unë doja të dija më shumë, por ishim të uritur dhe u thashë të shkonim në mencë. Mbyllëm dhomën dhe shkuam pa shkmbyer asnjë fjalë. Më hante meraku dhe vetëm arsyetoja. Nuk më durohej të dija sa më shumë. Sa mbaruam drekën, pyeta Peshkopin: Po ti, Peshkop, si e kalove ditën sot? E njëjta gjë më ndodhi dhe mua, m’u përgjigj i shqetësuar Peshkopi, duke patur parasysh  rrëfimin e Mesazherit. Më trego sa më shkurt e sa më qartë, çfarë të thanë! i thashë. Dhe ai filloi të tregonte:

Më pyeti si më quanin, për familjen, për emrat, arsimin dhe ku punonin. I ati, e ëma punojnë në kooperativë, i shpjegova. Mezi e mbajta gazin dhe m’u kujtua ajo që kishte thënë dikur Kingu për të “shejtan budalla”.  Por Peshkopi vazhdonte: Kur më pyeti për Vasjar Marko Bregun, iu përgjigja: eshtë djala shumë e mira. Fol shqip, më tha. Greqishtfolës jam, i thashë, mira flasa edhe kaq. Më vështroi me inat dhe, me sa duket e kuptoi se e bëja me djallëzi. Nuk duroi dot. Ti je grek i keq, më tha. Nuk jam grek i keq, jam grek i mira, iu përgjigja dhe u ngrita në këmbë, gjoja si i indinjuar. Ku shkon? më tha. Kam një leksiona të vështira, që nuk munda të mungoja, i thashë dhe ika. Më foli tërë nerva të kthehesha, por unë dola, e mbylli tregimin Peshkopi. Sa mirë i ka shkuar mëndja, mendova, me atë shqipen e shfytyruar. Bile na kishte trguar një ndodhi shumë qesharake nga zona e tij për këtë lloj të folure, që na kishte shkrirë gazit. Dhe ja ku e gjeti rastin ta përdorte.

Ajo që më bëri përshtypje nga dy tregimet e shokëve të mi, ishte fakti që as njërit as tjetrit nuk ua kishte zënë në gojë Elsën e francezen. Ndërsa me mua hetuesi e kishte vërtitur bisedën vetëm rreth takimeve të Vasjar Marko Bregut me Elsën dhe francezen. Bile, duke menduar se nuk i tregoja të vërtetën, më bëri presion: Shiko se ti shkruan edhe poezi. Më shpjegon dot ndonjë nga ato vargjet hermetike të ca poetucëve që imitojnë modernistët borgjezë? Nuk më kujtohen tani për tani, i thashë, i sigurtë se ai nuk kishte lexuar e jot ë mbante mënd ndonjë varg, për të më kërkuar shpjegime.Unë kisha bërë të paditurin për takime të Kingut me këto dy vajza gjatë pushimeve verore. E dija mirë se Elsa kishte rregulluar 15 ditë pushime në Rivierë, në disa kabina prej druri, tip nordik, siç thonin për to, ku pushonin kryesisht punonjësit e aparateve të partisë dhe ekzekutivit. Kingu ishte takuar pothuajse çdo ditë me të dhe shpesh kishte çuar prodhime fshati te çadra, ku familja e saj bëntë plazh. Por kurrësesi nuk dija për takime të tij me francezen symagjistare.

Sa u ktheva në dhomë, u shtriva përmbys në shtrat dhe vërtisja në mend situatën. Në këto e sipër fillova të dyshoja te Alberti, shoku i Elsës. Ashtu më kishte zënë gjumi deri në orën shtatë të mbrëmjes, kur më lajmëruan se kisha një lajmthirrje. Shkova në postën e Qytetit Studenti. Ishte Elsa. Më tha se kishte nisur dy lajm-thirrje për Kingun dhe nuk kishte marrë përgjigje. U tundova një çast dhe i thashë se kishte shkuar në Durrës te një tezja e tij. Fillova të dyshoja dhe te vetë Elsa. Ajo  Shoqata e Miqësisë Shqiptaro-Franceze, takimi me atë francezen dhe ai Alberti tinzar… Tërë natën nuk mbylla sy. Në mëngjes e lashë leksionin e parë dhe takova sekretarin e rinisë së universitetit. E pyeta në se dinte gjë pse e kishin thirrur në degën e punëve të brendëshme dhe pse nuk e kishin liruar. Sekretari hezitoi pak, jo se mbante sekrete nga unë, por e dinte se Kingun e kisha si vëlla. Nuk është vetëm, më tha. Janë edhe pesë studentë të arteve. Janë ngatërruar me ambasadën franceze. Më ngriu gjaku. U ndava me sekretarin dhe u nisa direkt për te gjuhët e huaja. Bëja  ecejake në korridor sa mbaroi leksioni i parë. E takova Elsën sa doli nga salla. Pa hezitim e shikova drejt në sy dhe e pyeta i nervozuar: Pse e kanë marrë Vasjar Marko Bregun në degën e punëve të brendëshme dhe e mbajnë atje 24 orë? Elsa u zgurdullua dhe më dha një kundërpërgjigje: Ku ta di unë! Pse ma kërkon mua këtë? Vura re si u zverdh menjëherë dhe u ftoh, u bë akull. Por unë këmbëngula: Ç’lidhje ka Vasjar Marko Bregu me ambasadën franceze, i fola edhe më ashpër. Vajzën nuk e mbajtën më këmbët dhe u mbështet në murë. E kapa për krahu dhe i thirra fort: Elsa! Elsa! U sulën drejt meje një grup vajzash, e morën për krahësh, e ulën në një katedër. Dikush solli një gotë ujë. Mezi e mblodhi veten. M’u coptua zemra dhe mallkova veten, sikur kisha bërë një krim të rëndë. Elsa u kërkoi vajzave të largoheshin se donte të rrinte vetëm me mua. Vajzat më vështruan  dhe u larguan. I përcolla me një buzëqeshje të lehtë, por i kuptova dyshimet e tyre. Po u keqësua, na thirr, këtu jemi, tha njëra prej tyre dhe më tregoi një sallë seminaresh.

I kërkova ndjesë Elsës për sjelljen time brutale, por ajo as e kishte mëndjen tek ato që i thoshja unë. Më pyeti për gjithçka që mendonte dhe i tregova gjithçka që dija. Ky durim, më tha, sa të gjej Albertin. Skërmita dhëmbët kur dëgjova atë emër. U kthye shpejt dhe më tregoi se Alberti nuk ishte i paditur, por nuk i kishte treguar asgjë më tepër. Do të njoftoj të atin, i thashë. Elsa u mendua pak dhe më kërkoi të mos nxitoja. E kuptova se do të vinte në lëvizje tërë miqtë e të njohurit. Më kërkoi të rrinim sa më afër, në se nuk mundesha ta shoqëroja. I thashë se edhe unë do të veproja, por do ta takoja sa më shpesh për të shkëmbyer të rejat… U ndava me Elsën shumë i penduar që kisha dyshuar në të. Ia thashë edhe Peshkopit, se doja ta shkarkoja nga vetja. Peshkopi m’u përgjigj atje për atje, se nuk duhej ta fshija me një herë dyshimin, pasi femrat fusnin shejtanin në shishe. I dija bisedat folklorike të shokut tim. Por Peshkopi më tha se kishte një kushëri të dytë brenda në degën e Tiranës. U sulëm për atje. Mu te porta gjetëm Masazherin. Ai kishte ndjekur një drejtim tjetër. Bisedonte me një oficer të ri e simpatik. Kishte qënë në një postë kufitare bashkë me babanë e tij dhe kishte ardhur në Ministrinë e Punëve të Brendëshme. Masazheri na u afrua dhe ne i treguam qëllimin e vizitës në atë grehinë të madhe. U informua ky shoku im, na u përgjigj. E ka fëlliqur punën. Ka rënë viktimë. E akuzojnë për agjenturë kulturore. Eshtë pleksur me ambasadën franceze. Janë edhe pesë studentë të tjerë. Ata janë të arteve dhe kanë dy vjet që bashkëpunojnë. Kingu ka tre-katër muaj. Eshtë takuar disa herë gjatë verës me një punonjëse të re të ambasadës. Ka shkuar ajo, për ta takuar gjatë pushimeve. Bile i ka shkuar edhe në fshat, në plazh. Ç’janë këto gjepura! Ç’lidhje mund të ketë Kingu me ambasadën! Ai thjesht njeh një femër.  I kanë pëlqyer sytë e francezes, thashë i vendosur se nuk kishte asgjë të vërtetë në këtë histori. Kingu më hapej për çdo gjë. Epo vdekja më vjen nga sytë e tu, tha Peshkopi, një varg të një poezie…

Peshkopi bëri punën e vet dhe na solli më shumë informacion. Bashkëpunimi ishte kryesisht në fushën e artit e të kulturës. Këta studentët kishin përkrahur ca rryma moderniste, ca izma dhe kishin filluar t’i propagandonin. Pikërisht te ato, ku ishte ndalur Pleniumi IV i qershorit. Mos, thashë me zë të lartë. Edhe tani pas Plenumit të Katërt të Komitetit Qëndror…Ika, u thashë Masazherit dhe Peshkopit. Shkova në PTT dhe i bëra lajm-thirrje urgjente babait të Vasjar Marko Bregut. E dija se ai kishte njohje me një ministër shumë të fuqishëm. Kishin mbaruar bashkë shkollën Tregëtare të Vlorës. Dija nga Kingu një rast që ministri e kishte shpëtuar ngë një situatë xha Gaqin. Pas gjysëm ore fola me të. Nuk i tregova asgjë, veçse i thashë të vinte urgjent në Tiranë. Edhe ai nuk kërkoi asnjë shpjegim më tepër. E dija çfarë burri i mençur dhe gjakftohtë ishte. Me vrap shkova të gjeja Elsën. Edhe ajo më kërkonte mua. Babai s’e kishte pranuar fare. Nëna kishte marrë kurajon dhe kishte folur me xhaxhanë ministër. Ai ishte lidhur me një zëvendësministër dhe kishte mësuar arsyen e mbajtjes në degën e punëve të brendëshme. Por u kishte kërkuar në formë të prerë të mos tregonin asnjë interesim e të mos flisnin me askënd për marrdhëniet me familjen e tij në plazh. Elsa kishte mbetur pa zemër. Ajo ishte pikëlluar aq shumë sa dyshoje se vuante nga ndonjë sëmundje e rëndë.

Në orën dhjetë të mbrëmjes mbriti xha Gaqi në Tiranë. Erdhi te dhoma. Me kujdes, butë e anash- anash i sqarova situatën. Pse nuk më thua që ka vrarë veten, më tha dhe e mbylli bisedën. Fli këtu me ne , xha Gaqi, i thashë. Nesër të shoqëroj unë. Mos e trazo veten me këto punë të pista të djalit im! m’u përgjigj ai. Ç’thua, xha Gaqi!... Vetëm kaq arrita t’i thoshja, se iku furtunë. Unë ula kokën, sikur më ra godina mbi krye.

Të nesërmen unë, Peshkopi e Masazheri i braktisëm leksionet dhe kërkonim xha Gaqin. Elsa më kërkonte mua. Donte një mbështetje. U takuam rastësisht. Mbështeti kokën në supin tim dhe u mbyt në lot. Tema e bisedave ishte vetëm një: Ç’do të bëhej me Kingun. Ndërkohë unë pashë xha Gaqin te sheshi Skënderbej. Nxitova drejt tij, bile i fola fort kur u afrova. E kuptova se më kishte parë, më kishte dëgjur, por s’donte të më takonte. Kjo më bëri shumë pesimist. Po ashtu edhe tre shoqëruesit e mi. Elsa hante veten që njerëzit e afërt të saj e kishin braktisur në këtë moment të vështirë për të. As e ëma nuk donte t’ia zinte emrin e Kingut në gojë.

Të ënjten në mbrëmje, bile vonë, kur qe errësuar fare, Vasjar Marko Bregu erdhi në dhomë. U hodhëm nga shtrati të tre të gëzuar, e përqafuam, por do të dukej më e gjallë dhe më e ngrohtë një statujë antike mermeri.  E pyetëm me delikatesë se si përfundoi ajo punë. Më pyesni si përfundova unë, na u përgjigj. Tani jam një kufomë, nuk jam më i gjallë. Në fjalët e sjelljen e tij kishte diçka ogurligë. Ne e afruam, i dhamë kurajo, i shtrëngonim shpatullat. Masazheri i bënte masazh me zor. Peshkopi ndihej shumë i ligështuar. Nuk dinim ç’të bënim me të. Deshëm t’ia zbusnim atë ndjenjë hidhësie. Porositëm kafe, i sollëm bukë me lëng mishi nga menca, oriz, djathë. Gjetëm dhe pak raki, por ai nuk donte të vinte gjë në gojë. Sado i ligështuar që ishte, e ndjeu se nuk mund të na e shpërblente në atë mënyrë miqësinë tonë të sinqertë dhe hëngri pak lëng mishi. E detyrova të pinte edhe një teke raki. Pataj i dhamë dhe kafen. Më në fund erdhi pak në vete. Filloi të ndjente në trup atë shkrehjen e ëmbël e kapitëse, që i pararend një gjëndjeje fizike më të rënduar.  Mezi na tregoi se vetëm ai ishte lënë i lirë. Më shkoi mëndja menjëherë te ndikimi i ministrit, mik me xha Gaqin. Por ato tri ditë e tri netë në birucë, Kingu ishte tretur, i ishte rritur mjekra sikur nuk ishte rruar dy muaj, ishte zbehur dhe i qenë mjegulluar sytë. Bile Peshkopi tha se i kishte parë dy-tri thinja. E lashë në duart e kujdesëshme të Masazherit e Peshkopit dhe shkova në PTT. Lajmërova Elsën se Kingu ishte kthyer në dhomë. Ajo brofi nga gëzimi. Si është? Më pyeti. Mirë, mirë, pak i tronditur, por shumë mirë, i shpjegova. Do të vij nesër që në mëngjes në Qytetin Studenti, më tha dhe më porositi për një mijë gjëra. E përqafova Kingun në emrin e saj. Atëherë ai u shtri në shtrat sikur të ishte fare i pandjeshëm.

Të nesërmen Elsa nuk erdhi në Qytetin Studenti. Mësova se nuk kishte shkuar as në leksione. Bile nuk u bë e gjallë disa ditë radhasi. Më vonë mësova se kishte shkuar me një delegacion rinie në Kongresin e Rinisë Marksiste-Leniniste të Brazilit. Kisha një bindje që ishte e sajuar.

Apatinë e pazakonshme të Vasjar Marko Bregut pas daljes nga hetuesia deri ditën e përjashtimit nga universiteti nuk kishim si ta shpjegonim ndryshe veçse me krizën morale të tij. Ai ishte lënduar tmerrësisht në krenarinë e tij, në karakterin pa njolla dhe lirinë e tij. Në fytyrën thellësisht të prekur pasqyroheshin qartë të gjitha trazirat shpirtërore. Nuk kishim më përpara syve tanë atë fytyrë të etur për lumturi, shprehja e së cilës përkonte me një mori gjëndjesh të ndryshme shpirtërore, e cila të linte mbresa herë si një këngë prekëse, herë si një tablo emocionuese, herë si një grimasë melankolike e herë si një fytyrë aktori gjenial, përfaqësuese e të gjitha dëshirave njerëzore. I dukej se gjithçka e tij: inteligjenca, bukuria fizike, imazhi dhe çdo vlerë e spikatur ishin zhelenosur. Pas asaj ngjarjeje të papritur e të pabesueshme, heshtja dhe çdo fjalë e nxjerrë si me grep nga goja e tij, kishin një nëntekst: jo vetëm që nuk e kishte gjetur atë derë, që do ta shpinte drejt lumturisë së përkryer, por kishte zgjedhur rrugën e gabuar, nëpër të cilën kishte ecur me nxitim djaloshar, i verbuar nga vetë drita e fatit mashtrues. “Admiroj Masazherin e Peshkopin, të cilët janë treguar të përmbajtur e të matur në aventurat rinore. Unë s’kam qënë syçelur. Ndodh që njeriu nxiton t’i amplifikojë meritat e tij, por, kur dështon, bën zili anonimët”, më tha një ditë papritur, sikur vetërrëfehej.

Marrja e tij në hetuesi dhe akuza për rekrutim nga diplomacitë e huaja në shërbim të agjenturave të shteteve kapitaliste, neve na dukej rrufe në qiell të kthjellët. Por edhe më befasues na dukej fakti që ai nuk e kundërshtonte fare akuzën. Dhe për këtë, duke e pranuar në heshtje, nuk na shikonte dot drejt në sy. Ndonëse ne kishim një besim të palëkundur në pafajsinë e tij, ai shqetësohej për ne, duke menduar se na kishte njollosur rininë tonë të pastër. Në një rast të pazakonshëm Masazheri  qortoi ashpër Peshkopin për një anekdotë që lëshoi në praninë e Kingut. Se gjoja, në një situatë të ngjashme, Nastradini kishte thënë: sa ta marrin vesh se unë nuk jam gomar, ma vunë samarin. Bile, në zemërim e sipër, e kishte quajtur idiot. Pikërisht në atë moment më erdhi një lajm-thirrje nga PTT-ja e Qytetit Studenti për bisedë telefonike. Shokëve të dhomës u thashë se më kërkonte në telefon kryeredaktori i gazetës “Zëri i rinisë” dhe dola menjëherë.

Sapo hyra në mjedisin e PTT-së, një punonjëse e re thirri: Hekuran Shkoza në kabinën 7 me Elsa Stefanllarin. Do të thoshte se ishte kthyer nga Brazili dhe sapo kishte zbritur në Aeroportin e Rinasit, më nisi me urgjencë lajm-thirrjen. E ndjeva shqetësimin e saj nga frymëmarrja e dendësuar. Dukej shumë e lodhur dhe e shqetësuar. Fjala e parë ishte për Kingun. Më tha se e kishte të vështirë të komunikonte me të  në telefon, prandaj më lutej ta mirinformoja si ishte gjëndja morale e tij dhe të bëja ç’është e mundur, për ta takuar sa më parë me të. Mundësisht të dilnim ta prisnim te vendi i zakonshëm. Mirëpo Kingu na kishte porositur, t’i thonim se kishte ikur disa ditë në familje, për t’u qetësuar. Dhe kjo kërkesë për ne ishte një enigmë:  nuk kishte kurajo e zemër të dilte para saj apo kishte ndonjë dyshim, sado të  zbetë. Ajo ngutja për ta antarësuar në Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Francë, ai Alberti dhe ajo francezja symagjepsëse, nuk ma linin të qetë ndërgjegjen. Mirëpo Elsa dukej seriozisht e shqetësuar dhe me këmbëngulje kërkonte të gjeja ndonjë mënyrë komunikimi me Kingun, kudo që të ishte. Iu përgjigja se zgjidhja më e mirë ishte ta linim të qetësohej deri sa të kthehej. Dhe Elsa nuk dyshonte kurrë në fjalët e mia.

Gjatë ditëve në vazhdim Kingu kishte frikë mos përballej me Elsën papritur, por kjo ishte gati ngjarje e pamundur, pasi Qyteti Studenti për Elsën ekzistonte vetëm me praninë e Kingut. Në mungesë të tij qyteti rinor i ëndërrave të gjithë të rinjve jashtë Tiranës ishte një geto zezakësh. Ishte ndikimi i nënës së saj, që rridhte nga një familje e borgjezisë tregëtare korçare. Por bukuria e saj proverbiale kishte rënë në sy të drejtuesve të pasluftës dhe familja e saj nuk mund t’i rezistonin ofertës së një drejtuesi të ri të shtetit të ri. Familja e një heroi të luftës kishte mundur ta mohonte origjinën e saj aristokrate. Por e bija e tregëtarit, në heshtje, ishte shumë krenare për origjinën e saj dhe ndiente përbuzje e neveri për ata varfanjakët e djeshëm, të cilët kishin në dorë frenat e fatet e shtetit. Këtë ua kishte kultivuar me shumë finesë edhe dy vajzave të saj. Për këtë arsye me vajzën e madhe kishte qënë gjithmonë në një konflikt të heshtur. Ndërsa Elsa, e cila kishte dalë disa herë jashtë vendit me grupe rinore, jo që nuk e kundërshtonte më të ëmën, por kishte filluar të pajtohej me të. Ama, kur Elsa kishte këmbëngulur për të prezantuar Kingun në familje, ajo kishte reaguar shumë ashpër, duke  i përmendur se vajza e saj s’mund të lidhej me një familje plebejane kooperativiste. E bija i ishte përgjigjur se nuk kishte zemër nëne t’ia mohonte lumturinë vajzës së saj dhe nuk kishte zemër femre t’i rezistonte bukurisë dhe karizmës së një mashkulli si Kingu, për ta bërë dhëndërrin e vet. Kur e kishte parë vetë në skenën e Dekadës së Majit, ish-borgjezja ishte kompleksuar shumë. Ajo ndërroi mëndje dhe, kur shkuan në plazh, ku   mësoi për gjyshin në Amerikë, shkollën e të atit dhe lidhjet në rininë e tij me Italinë, u bind plotësisht, ndonëse nuk mund t’i dilte përpara kunatit ministër në pëlqimet e tij për Elsën.

Ditën e parë të javës, domethënë të hënën ,Vasjar Marko Bregu u përjashtua nga universiteti. Të martën e la Qytetin Studenti një herë e përgjithmonë. Vetëm ne tre shokët e dhomës numër 28, godina 17 e përcollëm deri te autobuzi i linjës që në orën gjashtë të mëngjesit. Ishim aq të trazuar e të  hutuar, sa nuk dinim çfarë t’i thonim në përcjellje. Nuk guxonim ta pyesnim e të diskutonim për të ardhmen e tij. Cfarë mendonte të bënte? Me çfarë synonte të merrej në jetë? E të tjera si këto. Kingu po ishte bërë gurë varri edhe ishte e kotë ta pyesje. Heshtja në këto raste është arsyetimi më i mirë. Por ne nuk u ndalëm së dhëni kurajo deri sa zuri vend në autobuzin e linjës. E përcollëm me lotë në sy, kurse gjëndja e tij ishte e tillë sa organizmi nuk mundi të prodhonte as lotë. Kësaj i thonë të lësh parajsën e të shkosh në ferr, tha Peshkopi i hidhur. Por unë kisha një boshllëk të jashtëzakonshëm diku në kraharor. Kingu po largohej pa u takuar e pa u ndarë me Elsën. Unë vetë duhej të isha treguar më i hapur me të. Në të vërtetë , kur mësova se Elsa kishte përjetuar aluçinacione dhe një gjëndje makthi, sapo dëgjoi përjashtimin e të dashurit të saj të adhuruar nga universiteti, u ndjeva shumë i trishtuar dhe i dëshpëruar me veten. Si mund të vija në dyshim sinqeritetin e saj pa patur fakte kokëforte?  Unë isha bindur se në ato 4-5 muaj, që ishte e dashuruar me Kingun, bota i ishte dukur e trëndafiltë dhe tërë dritë. Po ashu edhe Kingut. Isha pothuajse i vetëdijshëm se lidhja e tyre ishte e pastër, e pacënueshme…

* * * * * *

Numri i biletës së porositur me autobuzin e linjës e uli Vasjar Marko Bregun pranë një bukurosheje sqimatare, që nga tualeti dukej se ishte e martuar. Kur djaloshi kërkonte sedilen me numrin 12, e cila i përkiste sediles pranë saj, bukuroshes mëndjemadhe iu duk se bashkudhëtari i rastit e vështroi ngultaz. Duke marrë një shprehje gjoja indiferente, ktheu ngadalë fytyrën e bukur nga dritarja. Por këtë nuk e bëri nga modestia e natyrshme e një të porsamartuare.  E bëri thjesht se krenaria e saj tashmë ishte plotësuar.  Kur Kingu ngriti pak kokën, për të na përshëndetur për herë të fundit, unë, veç ngritjes së dorës, i shkela syrin me djallëzi. Ky moment ishte shumë domethënës për mua. Reagimi i Kingut do t’më shërbente si barometër i gjëndjes shpirtërore të tij. Ishte e pamundur që Kingu normal të mos reagonte ndaj një bukurie të tillë si ajo që kishte fare pranë. Por nuk reagoi. Nuk i ktheu fare sytë nga gruaja. Bukuroshja e pa shkeljesyrin dhe ktheu kokën nga Kingu. Ajo duket e vërejti menjëherë ftohtësinë e bashkëudhëtarit dhe u përqëndrua aq shumë te portreti i tij i ngurosur, sa thoje se ishte magjepsur. Besova se, veç joshjes së padiskutueshme,  vajzën e martuar e nxiti edhe statizmi i atij mashkulli, sikur të kishte pranë bustin e ndonjë perëndie të antikitetit. Për atë bashkudhëtare mbetën krejt të panjohura kontrastet e forta në shpirtin e Kingut, që sado-sado pasqyroheshin në plastikën e ngrirë të fytyrës së tij. Madje ajo nuk arriti të kapte as hijen e trishtimit në sytë e tij.  Por habia e saj ishte e madhe, se, sado krenar të ishte ai për bukurinë e vet, ajo nuk mbetej prapa tij. Djemtë e rinj, sidomos kur ishte studente, lusnin që shorti t’i ulte në të njëjtën sedile me të gjatë udhëtimeve. Dhe bënin ç‘është e mundur të shkëmbenin ndonjë fjalë e t’i vidhnin ndonjë vështrim… Me gjithë atë vajza e posamartuar nuk e përballoi dot kureshtjen dhe hyri në bisedë më të. Kingu ishte nga ata që dinte të sillej me bashkëbiseduesit në çdo gjëndje shpirtërore të ishte…

Në ndalesën e Durrësit, ku zbritën disa pasagjerë dhe hypën disa të tjerë, në xhamin pranë sediles së vajzës dikush trokiti lehtë. Ajo ktheu kokën. Ishte një burrë i shëndetshëm dhe hijerëndë. Ai i tregoi  me gisht pasagjerin në krah të saj. Kingu u bë i gjallë vetëm kur vajza e preku lehtë te krahu i çveshur i tij. Reagoi sikur dikush e zgjoi nga një gjumë i thellë. I habitur vështroi nga dritarja, duke i dhuruar një buzëqeshje të sforcuar vajzës së mirësjellshme. Kur pa burrin përtej xhamit, e përshkoi një drithërimë, të cilën e shoqëroi një zbehtësi, që i bëri përshtypje të thellë gruas pranë tij dhe doli rrufeshëm jashtë. Bashkudhëtarja e ndoqi me shikim çdo veprim të tij. Kingu këmbeu disa fjalë me burrin që trokiti në xham dhe nxorri një çantë të madhe studenti nga bagazhi. Vajza nuk u ndie mirë që udhëtimi i saj me atë bashkëudhëtar simpatik qe aq i shkurtër. Vendi pranë saj mbeti bosh deri në Fier, ku u ul një grua moshatare, por vajzës nuk i hiqej nga mëndja portreti i atij djaloshi fjalëpak…

Vasjar Marko Bregu, bashkë me shoqëruesin e tij iu drejtuan stacionit të trenit. Vagoni ku zuri vend Kingu ishte i ri e i rehatshëm.  U vendos në një kabinë, ku të gjithë pasagjerët ishin familjarë. Ata kishin punët e bisedat e tyre dhe Kingu u zhyt në botën e vet. Nga Tirana në Fier ai vagon iu duk si arkivoli, që e shpinte drejt ferrit. E megjithë atë kishte çaste që zhytej në mendime e kujtime. Sa do t’i pëlqente të ishte vetëm fare në atë kabinë. Atëherë kujtimet mund t’i artikulonte me zë. Ai filloi të riprodhonte çdo detaj të jetës universitare që nga çasti kur shkeli në Qytetin Studenti.

Të gjithë studentët që e njohën Vasjar Marko Bregun gjatë tre viteve kishin menduar fillimisht se ai nuk shquhej si ndonjë inisiator i hedhur. Me gjithë atë, prirja për t’iu bashkangjitur rrymës së ndryshimeve jetësore, rrjedha e së cilës mund ta shpinte mjaft larg, ishte një aftësi thuajse karakteristike e tij. Tirana ushtronte një forcë të madhe tërheqëse mbi të. Ai nuk mund të harronte pjesëmarrjen në Dekadat e Majit, modelin për Pesë Heronjtë e Vigut në Shkodër, foton në kopertinën e revistës “Ylli”, ftesa për spiker në Radio Televizionin Shqiptar, pas të cilave kishte thënë: “Tashmë e arrita atë çka është më e mira”. Njohja dhe lidhja me Elsën, mbrëmjet e vallëzimit me të, veçanrisht shëtitjet mbrëmësore në bulevardin Dëshmorët e Kombit, që në ato vite ishte gjallëruar shumë, të cilat u ngjanin sfilatave të modës, e bënë të thoshte: “Tani jam i lumtur”. Me imagjinatën e tij kishte filluar të përfytyronte mrekullira, të cilat nuk ekzistonin, shihte imazhe plot dritë e hare, që nuk i gjeje as në tokë e as në qiell. Shpesh shkonte në kinema apo teatër me mjaft shokë e shoqe të rinj. Dhe pikërisht në ato çaste dhimbjeje të thellë, për habinë edhe të tij, në shpirt i jehonte butë kënga e dëshirave, e joshur nga pamjet e luksit kryeqytetas dhe bukurisë që kishte parë. Sido që ishte një djalë i kultivuar në një familje që kishte parë jetë me sy, ai vështronte me admirim ato qindra çifte të pispillosur, gra e vajza të bukura, djem e vajza elegante që kalonin pranë tij në bulevardin Dëshmorët e Kombit, duke lënë pas aromën e parfumeve të panjohura për të. Ku i gjenin e nga u vinin tërë ato rroba të zgjedhura e elegante, tërë ato zbukurime të papara, tërë ato stoli, kur në fshatra dhe në qytetet e vogla periferike zinin radhë e grindeshin për një copë stofi të zakonshëm, që shfaqej një apo dy herë në vit në banakët e dyqaneve, ku shitësat ordinerë e matrapazë spekullonin me to? Ku jetonin vallë ato krijesa të mrekullueshme? Me çfarë luksi orendish dekorative i kishin hyrjet, në çfarë qilimash e sixhadesh të mrekullueshme shkelnin ata?  Ku ndodheshin apartamentet e tyre të pajisura më së miri me gjithçka që të siguronte kryeqyteti dhe rrogat e larta?...Dhe mëndja i shkonte te Blloku, ku jetonin djemtë e Udhëheqësit, vjehrri dhe vjehrra e dhëndërrit byroist, ku mund të bëhej nuse edhe Elsa, Alberti-nipi i një bllokmeni  etj. Blloku i ngjante një nga ato serat ku rriteshin ata djelmosha e vasha të llastuara, me fytyra të pastra e shikime krenare. Iu kujtua koncerti përmbledhës i Dekadave të Majit. Pasi këndoi këngën e tij, rrinte i qetë në prapaskenë, shikonte herë pas here platenë e mbushur me të ftuar, që përbënin ajkën e popullsisë kryeqytetase dhe u përthith i tëri në atë botë të ëndërruar. Duke soditur publikun elegant e të pispillosur të radhëve të para e të llozhave, ai kishte perceptuar një ide të re mbi mundësitë e kryeqytetit. Dhe prapë ishte i sigurt se s’e kishte parë të tërin. Kryeqyteti i dukej  gati një tufan dëfrimesh dhe haresh. Dhe do të ndihej i lumtur sikur mos të kthehej më në realitetin e zakonshëm të Qytetit Studenti.

Pas koncertit Kingu pati privilegjin të ishte i ftuar në darkën e shtruar nga Ndërmarrja e Punimeve Artistike Migjeni, si fituese e asaj dekade dhe lokali, ku u këndua e vallzua, ku u shërbye ushqimi e pijet, iu duk si një tempull krenar i gastronomisë. Atë natë ishte i privilegjuari dhe i lakmuari i femrave pjesëmarrëse, të martuara e të pamartuara. Ndonëse nuk i kishte kaluar ende gjurmët e ndrojtjes djaloshare, atë natë u tregua kavalier i vërtetë. Nuk duhet pasur asnjë keqkuptim, se Kingu qe nga ata që u qepen grave pas. Në karakterin e tij duhej respektuar seriozisht lidhja martesore dhe ai mendonte vetëm për lidhje serioze me ndonjë vajzë të bukur nga ato të elitës. Në këto kujtime fytyra e tij qeshej e përndritej, sidomos kur në kujtesë i vinin ato çaste lumturie, që kalonte me Elsën, duke  humbur plotësisht vetëdijën dhe  duke mos menduar  çfarë kishte tej një lidhjeje pasionante e rastësore.

Kur doli nga kjo gjëndje përjetimesh të hareshme, Kingu u hodh përpjetë, sikur ishte në një ëndërr të frikshme, duke tërhequr vëmëndjen e pasagjerëve familjarë. Ç’pate, biro? i tha me dhembshuri gruaja më e moshuar në kabinë. Asgjë. Po dremisja pak dhe thashë mos e kisha kaluar stacionin, iu përgjigj Vasjar Marko Bregu. Pastaj ra në një depresion të thellë. Në atë çast çdo gjë e shikonte me vshtrimin e akullt e të frikshëm të një pitoni. Në kaleidoskopin e kujtesës tani shfaqej dueli me hetuesin në birucën e degës së punëve të brendëshme të Tiranës. Kujtonte shfaqjen tërë dinjitet e vetësiguri të hetuesit para tij. Ai bëri ca hapa nëpër birucë me një pamje krenare dhe përkrah tij rrinte i gatshëm një tip, sa despotik aq edhe i përulur ndaj eprorit, skllav apo ushtar i verbër, mendoi Kingu. Pamja e fytyrës së hetuesit bënte kontrast me gjëndjen e birucës, tavolinës e karriges ku mund të uleshin ai dhe ndihmësi, për të mbajtur shënim deponimet e agjentit të shërbimeve të huaja  përballë tyre. Sapo kishin filluar pyetjet ndaj tij, kishin filluar edhe gjestet e fryra provokuese, përbuzëse dhe  kërcënuese. Qetësia dhe qartësia e Kingut i kishte revoltuar dy-tri herë. Po aq herë ndihmësi  ishte bërë gati për ta goditur me shkopin e gomës, por me sa dukej eprori i jepte shenja për të mos e goditur.

Vizitorët e tij me detyrën e hetuesit ndërroheshin herë pas here. Disa paraqiteshin më të ashpër, ta gatshëm ta torturonin, disa shfaqeshin më të “njerëzishëm”, disa më injorantë  e ndonjë më i mprehtë. Sido që ishte fare pa përvojë nga punët e hetuesisë, Vasjar Marko Bregu kishte një farë habie dhe dyshimi për pelegrinazhin e shumë punonjësve të degës në birucën e ngushtë të tij. Bile dy ditë para se ta linin të lirë, e kishte vizituar një person shumë i mbajtur, i qetë dhe me mjaft njohuri nga fusha të ndryshme të dijes, të cilat bënte përpjekje të shumta për t’i evidentuar para viktimës së vet. Njeriu me “personalitet”, pasi i drejtoi mjaft pyetje për kulturën franceze, sidomos nga letërsia, artet figurative e muzikore, përballë të cilave Kingu shpalosi “injorancën” e tij, u ul në atë tavolinën e vjetër prej dërrase ahu. Pastaj i tha: e di se nuk je kaq profan sa shtiresh. E di mirë se të pëlqen letërsia, por unë desha t’ju pyesja për një gjini të veçantë. A ke lexuar dhe a të pëlqen romani policor. Kingu ngriti kokën, e vështroi drejt në sy(bashkëbiseduesi, bëri të kundërtën, i uli sytë) dhe iu përgjigj: nuk them se kam lexuar mjaft letërsi dedektivësh, për të mos thënë shumë pak, por nuk mund të themë se nuk më pëlqen. E çfarë ke lexuar, përshembull, që të ka pëlqyer? pyeti personaliteti. Kingu u mendua pak dhe i përmendi romanin “Një lodër në orarin e udhëtimeve”. Personaliteti tundi kokën në shënjë pohimi, duke thënë: Po, është i një autori japonez. Lexohet me një frymë… Personaliteti e zgjati mjaft bisedën, jo pa një farë talenti në komunikim dhe i dha frymëmarrje Kingut, për t’i zgjedhur më mirë përgjigjet. Mbase edhe për t’i shprehur më me kurajo.

Pas një pauze, personaliteti,  gjithnjë syunjur, ndryshoi temën dhe taktikën. Kingu ndjeu një erë të lehtë ofensive. Ti je një i ri me një fizik të admirueshëm, shtaderdhur, shumë i hijshëm. Mund të kishe një karrierë shumë të mirë, por iu fute jetës mbrapsht. Në ç’kuptim? e pyeti Kingu me një farë përskuqjeje  në fytyrë, pasi biseda me personalitetin mori një drejtim tjetër. U ngatërrove me ata studentët e arteve dhe të gjithë bashkë me ambasadën franceze. Çfarë kishe ndërmend të arrije? Do të shkoje në Francë? Apo të gënjeu mëndja se do të martoheshe me atë francezen? Kjo ishte një breshëri pyetjesh për Kingun, por zakonin e tij, për të mos u përgjigjur pa u menduar, nuk e harroi edhe në këtë rast. Pasi u mendu pak, ai mori një vendim të thjeshtë. Se sa i dobishëm do të ishte ai vendim, kjo ishte tjetër gjë. Ai vendosi të ndiqte fillin e pohimit të së vërtetës. Studentët e artit, për të cilët ju flisni, filloi ai, nuk i kam njohur fare. Jam gjendur rastësisht një pasdite në të njëjtën veturë me ta. Nuk kam folur e nuk jam prezantuar fare. Pimë një kafe së bashku në një lokal afër ambasadës franceze. Edhe atje nuk kam shkëmbyer asnjë fjalë me ta. Si është e mundur kjo që thoni?! ndërhyri personaliteti. Kingu u mendua pak. Se nuk i njihja dhe as isha prezantuar me ta. Dhe aq më tepër që e kuptova se u gjenda në vendin e gabuar me njerëz të panjohur, që tani mund të themë, të gabuar, iu përgjigj me qetësinë e një filozofi. Mos i dredho bisedës së sinqertë që patëm deri pak më parë. Nuk keni folur ju për kulturën e pasur franceze, për artin modern në Francë, i cili është inkubatori botëror i rrymave dekadente? Jo kurrë, iu përgjigj prerazi Kingu. Po me punonjësen e ambasadës franceze si u njohe dhe u miqësove?  pyeti personaliteti, duke u dhënë ngjyra sarkastike fjalëve. Unë jam anëtar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Francë. Sa herë mblidhemi për aktivitete të shoqatës kemi pjesëmarrje nga ambasada. Kështu u njoha ose më njohën me punonjësen e ambasadës, iu përgjigj Kingu. Po fotografinë e kopertinës së revistës kush ia dha Zhakut? pyeti personaliteti. Kur dëgjoi emrin e francezes, Kingut i kaloi një drithërimë në trup. Ky personaliteti ditka çdo gjë, tha me vete. Nuk mund të mohonte asgjë. Foton ma dha ajo mua dhe jo unë asaj, u përgjigj. Personaliteti u nxeh me përgjigjet dhe me tonin kurajoz të Kingut.

Tregohu i sinqertë, ç’mardhënie ke me francezen, se do të kalbesh këtu në birucë, bërtiti personaliteti. Nuk kam asnjë mardhënie me të veç njohjes dhe veprimtaria e shoqatës që na lidh. Mos na fol gjatë për shoqatën, pasi ti dje je pranuar në atë shoqatë. Ti je dashuruar me atë franceze dhe ajo t’i ka futur k… në darë, tha personaliteti. Kingun e kapi një panik i papritur, pasi ai nuk dinte se çfarë mund të kishte llapur ajo francezja për qëllimet e saj. Me gjithë atë e mori pak veten dhe iu përgjigj. Nuk e dashuroj francezen. Aq më tepër që unë dashuroj një studente shqiptare dyzetë mijë herë më të mirë se francezja. E dimë edhe atë, por ti nuk e përtyp dot atë mollë, ia ktheu me një ton ironik personaliteti dhe u largua nga biruca. Kuptohet se në çfarë gjëndjeje shpirtërore mbeti Kingu në  ferrin ku ndodhej. Pas personalitetit i vajti për vizitë një moshatar i thinjur, me një çehre të ëmbël dhe ia ngrohu pak zemrën me një farë fisnikërie që rrezatonte.

Te hyrja e degës së punëve të brendëshme ishin tre të rinj shumë të shqetësuar. Ata ishin studentë, shokët e tu të dhomës. Ti ke shokë të mirë e besnikë. Dhe kjo është një shënjë e mirë për ty. Studiova të shkuarën tënde dhe konkludova se ti je djalë serioz, inteligjent dhe me karakter të fortë. Gjithmonë je shoqëruar me djem e vajza të qëndrueshëm. Në rrethet shoqërore e ndjen veten më të pjekur se ata. Ata gangsterët i shikon me përbuzje. Në shpirt dhe në trup je i ri dhe të tërheq rinia e, me gjithë atë, komplimentet e disa vajzave mëndjelehta i merr për trashanike. Ke ëndërra e pasione… Kjo ligjëratë, si një monolog teatror e flokëthinjurit të njerëzishëm, i bëri përshtypje dyshuese Kingut. Kalimet nga një ekstrem në tjetrin po e torturonin. Pastaj “fisniku” tha ligjëratën e fundit: Inteligjenca, fiziku, vullneti, pasioni dhe karakteri i fortë janë tipare të njerëzve të dobishëm. Në qoftë se këto i vë pa rezerva në shërbim të atdheut, bëhej edhe i lavdishëm. Fisniku, ndryshe nga të tjerët, doli, duke i falur një buzëqeshje, pa pritur mendimin e të akuzuarit... Vizitori i fundit në birucë shkoi një shok shumë i rëndësishëm, i cili bëri një bisedë gati misterioze për Kingun, si ca fraza në Kapitalin e Marksit, që duhej shumë punë e shumë kohë për t’i komentuar…Këtë bisedë as unë nuk e mësova kurrë.

Në një stacion të vogël midis Rogozhinës dhe Lushnjës, Vasjar Marko Bregu zbriti nga treni. Me vonesë u kujtua të përshëndetej me bashkudhëtarët e kabinës së tij, të cilët e përshëndetën me përzemërsi. Atje e priti po ai person që e priti në Durrës, por tashmë ai hipi bashkë me të në një veturë më xhama të padepërtueshëm nga drita. Në sedilen e pasme, i përkundur nga troshitjet e rrugës,diku e asfaltuar e diku jo,  Kingu filloi të dremiste. Shoqëruesi, i ulur në sedilen e parë pranë shoferit, e vëzhgonte vazhdimisht nga pasqyra, me të cilën shoferi kontrollon rrugën prapa. Pa kaluar as një çerek ore, ai u hodh përpjetë, sikur ta kishte pickuar një gjarpër i ftohtë. Shoqëruesi e vuri re dhe qeshi me zgjimin e llahtarisur të tij. Kingu ndihej në një humnerë pa horizonte. Nuk dallonte dot as kahet e lëvizjes: ecte drejt jugut apo drejt veriut, drejt lindjes apo drejt perëndimit. Në çast iu kujtuan fjalët e vizitorit të fundit, ditën e fundit në birucë, pesë minuta para se ta linin të lirë: Për të dalë nga ky ferr, të pret një provë e madhe, e cila të hap dy perspektiva: ose hero ose qen i ngordhur, i djegur në flakët e ferrit. Ndërkohë shoqëruesi e pyeti se si ndihej. Mirë, iu përgjigj Kingu. Shoqëruesi vazhdoi bisedën për gjëra të përgjithshme, përshembull për shijet dhe parapëlqimet muzikore. Shoqëruesi ishte një dialogues i aftë. Dinte mirë çfarë thoshte dhe pse e thoshte, ndonëse të folurin e shoqëronte me një buzëqeshje babaxhani dhe me një impenjim të dukshëm për të krijuar përshtypjen, se preokupimi i tij i vetëm ishte bamirësia në favor të atij që e dëgjonte, i cili meritonte (sipas tij) një jetë krejt tjetër nga ajo që bënte.

* * * * *

Tetë muaj pas largimit të Kingut nga dhoma numër 28, tek po hyja në godinën 17 të Qytetit Studenti, në një terr të plotë, për shkak të një defekti në rrjetin elektrik, që shumë rrallë ndodhte në Qytetin Studenti, më kapi dikush nga krahu. I befasuar, mbase dhe i frikësuar, u hodha përpjet. Shshshëëëët! Ma bëri personi që më kapi nga krahu. M’u duk se ndjeva një prekje të njohur, një frymëmarrje të njohur, një aromë trupi të njohur, një zë të njohur, gjithçka si e tij. U hodha përpjetë nga një drithërimë. Po dëshiroja të pamundurën. Ma donte zemra që ajo dorë, ajo frymë, ajo pasthirrmë dhe ajo aromë të ishin të Vasjar Marko Bregut.

Çfarë befasie! Çfarë habie! Çfarë drithërimash! Ishte diçka krejt e papritur dhe e pabesueshme për mua. Gati e pamundur, fantazmagorike. Tetë muaj pa u parë, pa shkëmbyer asnjë fjalë, asnjë mesazh, asnjë telefonatë, asnjë foto. Asnjë pëshpërimë: as e pashë diku, as i dëgjova zërin apo emrin diku. Tetë muaj pa asnjë njoftim, asnjë dijeni, asnjë shenjë jete prej tij. Shqetësime, dhimbje, dyshime-këto e kishin mbushur atë boshllëk, që ai kishte lënë rreth meje. Edhe malli ishte ngurtësuar nga një klimë e akullt që ishte përhapur rreth emrit të tij.

Dy javë pas largimit të tij nga Qyteti Studenti  ishin përhapur gjithandej pëshpërima, opinione, thashetheme se ishte zhdukur pa gjurmë ose kishte humbur jetën në rrethana të panjohura ose ishte arratisur ose ishte fshehur diku, gjë që dukej e pamundur, pasi Sigurimi i Shtetit do ta kishte gjetur edhe  në sajë të ndihmës nga vetë populli. Kishte që miratonin secilin nga variantet që hidheshin. Miratime: Po, po. Ashtu fshihet armiku i klasës, pas bukurisë, pas mirësjelljes, pas dashurisë, pas lumturisë! Kundërshtime: Jo, jo, s’e bënte atë Vasjar Marko Bregu. Ishte djalë inteligjent, i kamur, i dashuruar, i lumtur, i kishte të gjitha të mirat! Shpreheshin habira: Uaaa! Si është e mundur! Ishte aq i sjellur, aq i bukur, aq i ëmbël, aq komunikues!  Shpreheshin dyshime: Lakmonte lart, ku ka shumë rivalitet, shumë lakmi e shumë bryla. Mbase ndonjë rival në dashuri! Ua! Ua! Ua!... Kishte dhimbje, keqardhje, cmirë, cinizëm. Po në fund të fundit, për ata të pa interesuarit për të, tashmë ishte një ish…Ne tre shokët e dhomës 28, godina 17, jo vetëm se nuk dinim asgjë nga e vërteta, jo vetëm se nguronim, por edhe sikur të ishim në dijeni për gjithçka, sido që të ishte,nuk zinim dot gojën e një turme njerëzish kureshtarë. Askush nuk merrte kurajon të shkonte në familjen e tij të pyeste, të ngushëllonte apo të jepte shpresë. Bëra vetëm një takim me xha Gaqin dhe ai m’u duk më i pakuptueshëm se të tjerët.

Pas gjithë këtyre erdhi çudia e një hijeje në errësirën e hyrjes së godinës 17! Çfarë të ishte? Fantazmë? Gjëndje aluçinante e imja? Po frymëmarrja, aroma, e prekura? Duhej të ishte diçka lëndore, njerëzore. Më në fund ma tha zemra dhe mëndja m’mbush top: Atje, para meje , duhej të ishte Vasjar Marko Bregu i vërtetë… Habi, dyshim, hezitim dhe u sula ta përqafoja. Ai qëndroi shtangur, pastaj u tërhoq prapa.  Mirë që më njohe, po si më pranove, pa më pyetur, të paktën, se ku kam humbur, nga vij e me se jam marrë para se të më përqafosh?! Nuk ke dyshuar tek unë? E ke humbur vigjilencën revolucionare? Unë jam një person i akuzuar për bashkëpunim me agjenturat e huaja, i përjashtuar nga universiteti, i humbur, i syrgjinosur, objekt opinionesh dhe urrejtjeje!... Po, po. Ishte vëllai im, Vasjar Marko Bregu. Këto ishin fjalët e tij pas tetë muajve shkretanë. Vëllai nuk pyetet dhe nuk pret përgjigje, se flet gjaku, që vlon nga malli, i thashë. U përqafuam e u shtrënguam fort  me trupat tanë, sikur do të mundeshim.

Dy fjalë sa më shkurt e sa më qartë,se nuk mund ta lëmë Qytetin Studenti pa dritë, më tha. E kuptova se fikja e dritave ishte vepër e tij, por se si, nuk e dija. Të themë se nuk m’u rrëqeth trupi, do të isha gënjeshtar. Por ligjërata e Kingut donte vëmendje, për ta dëgjuar e kuptuar. Ajo rridhte edhe shumë shpejt, për shkak të dritave. Kursi i jetës sime, vazhdoi ai, ka ndryshuar plotësisht, ndjek një kah tjetër, të mos themë kahun e kundërt të asaj që parashikoja unë. Tani mund të bëhem një çast hero dhe në tjetrin kriminel. Mund të urdhërohem të vras njerëz. Mund të detyrohem të derdh gjak shqiptari. Mbase të parin gjyshin tim, mbase një ditë mund të urdhërohem dhe për Poetin, vëllain tim dhe atëherë do ta kthej mjetin vrasës nga vetja ime. Jam në një repart stërvitor afër Tiranës, por bashkë nuk takohemi dot si miq. Mësoj e stërvitem për shërbime në Drejtorinë e Zbulimit të Jashtëm. Domethënë gjithçka ishte lojë, i thashë. Mbase ishte dhe ashtu, mbase lojë e imponuar nga rrethanat. Këtë s’e kam të qartë as unë. Në se puna ime do të jetë vërtetë në shërbim të Atdheut tim, siç më thuhet, do të ndihem mirë dhe nuk do të pendohem. Por, me sa kuptoj, puna ime e re, nuk është aq e pastër. Këtu trazohen shumë gjëra nga të cilat nuk del i qartë kurrë. Në se do të jetë kështu, do të mallkoj ditën që më lidhi me këtë shërbim. Nga pjesëmarrja e pakët imja, pjesëmarrje e provës, nuk dallohet qartë kush është miku e kush është armiku. Inteligjenc  Servisi, CIA, Sigurimi i Shtetit ngjajnë si një rrjet telash me gjëmba nëpër këmbë. Vetëm dy gjëra janë të qarta, që Shqipëria është Atdheu im dhe ti ke qënë dhe je vëllai im… Vëllai im, do të mbaj në dijeni. Do të jesh në mbrojtjen time dhe të shokëve të mi, sido që të ndodhë. Askush nuk e ka jetën të sigurtë. Në çdo çast mund të përfundosh kavje ose mish për top në duart e Sigurimit të Shtetit. Më vjen keq për Masazhierin e Peshkopin, më qan zemra për ta, por unë duhet të vazhdoj të jem i vdekur për ta. Përfundoj hero apo qen i ngordhur, ti në të ardhmen mund të shkruash një tregim me titull: “VDEKJA E STUDENTIT”. Por në se një ditë dëgjon se jam vrarë diku si qen, siç ndodhi para disa ditësh me Palushin, një djalë shumë i mirë e i përkushtuar ndaj Atdheut, ma bëj hallall.

U përqafuam përsëri, u shtrënguam fort dhe iku e më la. Pas pak erdhën dritat. Kjo ishte miqësia jonë, prova e saj. Truri merr flakë kollaj nga loja e përfytyrimeve. Pas kthjellimit tim, më erdhi në mëndje një merak: Cili ishte roli i Elsës në këtë histori? Nndërsa roli i ministrit të fuqishëm, i cili më vonë doli “armik”, tashmë ishte i qartë për mua. Pas shumë vitesh, me këtë tregim plotësova dëshirën e tij, të cilën e kisha si një amanet para Zotit.