Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Avzi Mustafa: Ali Vishko - Shën Hieronimi

| E premte, 31.10.2014, 09:15 PM |


KONTRIBUTI I PROF. ALI VISHKOS NË PROFILIZIMIN E SHËN HIERONIMIT SI PEDAGOG

Nga Avzi MUSTAFA

Emri dhe veprat e Prof. Ali Vishkos zënë një vend të merituar në historiografinë dhe kulturën tonë kombëtare. Në veprimtarinë e tij shkencore ai ka publikuar punime të ndryshme shkencore, shumica e të cilëve i takojnë sferës së historisë së popullit shqiptar. Në punimet e tij historiografike, autori trajton aspekte të ndryshme mbi zhvillimin e Rilindjes Kombëtare, sidomos në ndriçimin e disa figurave të lëvizjes kombëtare shqiptare. Në këtë kuadër, me interes janë botimet mbi Kongreset e ABC-së shqipe, studimet mbi Harabati Baba Teqen, trajtuar edhe nga aspekti historik dhe kulturor, si dhe punime të tjera, nga të cilat një pjesë janë ende në dorëshkrime.

Prof. Ali Vishko me veprat e botuara dhe të pabotuara na dëshmon se posedonte njohuri të thella faktografike. Për këtë, në veçanti i ndihmonte dhe njohja e disa gjuhëve të huaja, si osmanishtja, italishtja etj. Gati të gjitha punimet e këtij historiani iu referohen dokumenteve arkivore të proveniencave të ndryshme, dhe për rrjedhojë ato janë një kontribut i rëndësishëm në zbardhjen e ngjarjeve dhe fenomeneve konkrete historike.

Prof. Aliu pati në qendër të vëmendjes edhe qytetërimin ilir, sidomos veprimtarinë e atyre mendimtarëve të mëdhenj ilirë që i dhanë kontribut qytetërimit evropian e botëror. Në këtë kuadër,  me vlerë të dalluar është edhe vepra “Letërsia e kohës Ilire – Shën Hieronimi”, ‹1› e botuar në vitin 2009. Kjo është një vepër që hedh poshtë mendimet e pabaza të disa historianëve sllavë për rolin e një veprimtari të shquar si Shën Hironimit ose, siç e quan prof. Aliu, “eruditi i madh ilir i penës dhe i dijes evropiane” ‹2›.. Në të vërtetë, në fillim kjo vepër u nis si një reagim ndaj një akademiku serb me emrin Jovan Deretiq, i cili trumbetonte në gazeta dhe mediume elektronike “se një Papë me emrin Damas nga Portugalia – gjoja Euzobija (e ka fjalën për Hieronimin) i ka shkruar Papës në gjuhën serbe dhe kjo ishte dëshmi se ai ka folur gjuhën serbe. “Euzobie ka shkruar me shkronja serbe, që sot gabimisht quhet “qirilicë”, ndërsa në kohën e tij është quajtur “bukvica” Ky shkrim, thotë akademiku, ishte shkrimi standard serb me disa ndryshime”‹3›.

“… dummodo uno corde, unoque symbolo simul cum Bohemis, Polonis, Dalmatis, ceteroque illyricis populis (qui a me in brevi Dissertatione has enumerate sunt) laudent Dominum nostrum.”‹4›.
Ky artikull ishte botuar në javoren “Danas”. Prof. Aliu e kishte lexuar dhe në margjinat e revistës kishe shënuar diçka. Në fakt, ky shkrim ishte botuar pas vitit 1981, kur filluan kryqëzatat ndaj shqiptarëve, me çka politika e serbomadhe e Beogradit dëshironte ta mjegullojë historinë dhe t’i përvetësojë kulturat e tjera, duke kërkuar që t’i nxjerrë shqiptarët jo si pasardhës të ilirëve, por si një popull pa kulturë, primitivë dhe të ardhur nga Lindja.

Këtyre marrëzive me plot guxim iu kundërvu prof. Ali Vishko. Ky intelektual e punëtor i palodhur ia filloi punës duke mbledhur libra, revista, gazeta e enciklopedi njësoj siç e citon punën e Qamil Veqilharxhit, kur ai punonte në librin “Mendime filozofike”, i cili në parathënien kishte shkruar:

“Janë mbledhur nëpër këndimet,

Siç mbledh zogu thërrimet”

Po kështu edhe profesori Ali Vishko veproi duke shfletuar mbi 130 zëra bibliografikë në gjuhë të ndryshme. Ashtu siç ishte i qetë nga natyra, korrekt dhe me plot profesionalizëm, ai ia doli në krye që ta mbarojë studimin, duke e botuar së pari si fejton në gazetën “Flaka” – nga 5 korriku i vitit 2002, me titull: “Krijuesit shqiptarë që i kontribuuan qytetërimit botëror – krijimtaria e letërsisë së epokës ilire – Shën Hieronimi”, kurse si monografi u botua në vitin 2009.

Në këtë monografi, që ka karakter poliedrik, filozofik, letrar, fetar, pedagogjik e historik, Prof. Aliu iu qas këtij dijetari dhe përkthyesi ilir, i cili iu rrek punës përkthimit të Biblës nga hebraishtja në gjuhën latine, ndërsa Kisha e pranoi pa hezitim përkthimin e Librit të Shenjtë me emrin“Vulgata”. Dhe, kështu, me të drejtë Hieronimi konsiderohet si një ndër intelektualët me të ndritur të racës ilire të epokës romake.

Në kapitullin e katërt të kësaj monografie Prof. Ali Vishko i kushton një vend të merituar veprimtarisë pedagogjike të Shën Hieronimit. Duke kërkuar të dhëna nga enciklopeditë, si dhe botime të ndryshme, ai na jep të dhëna interesante nga jeta dhe veprimtaria e këtij dijetari. Shën Hieronimi rridhte nga një familje e shkolluar. Në vendlindje nga i ati i mori mësimet fillestare, pastaj shkoi në Romë, për të studiuar filozofinë, retorikën e gramatikën. Pastaj gati 20 vjet bëri udhëtime në shumë vende të Evropës, si në Gali, Greqi, por edhe në Lindje, në Palestinë. Ndërkaq disa vjet qëndroi në Jerusalem, ku e mësoi gjuhën hebraike .

Në vitet 380 në Romë e ushtroi veprimtarinë edukative-arsimore si mësues feje. Në Romë, në kodrën Aventin, në shtëpinë e zonjës aristokrate Marcella, ai hapi një shkollë për edukimin e murgeshave të klasës aristokrate për ngjalljen e dashurisë hyjnore. Në këtë shkollë mësimet i ndiqte edhe vajza e zonjës, e cila lejoi që në shtëpinë e saj të hapet shkolla. Hireonimi, pas disa viteve, e braktisi Romën dhe u vendos në Bethlehem, ku themeloi një manastir dhe një shkollë për burra, “kryesisht për studime biblike”‹5›.

Me inteligjencën si dhe me përvojën që kishte fituar gjatë studimeve, por edhe me kontaktet e, sidomos, komentet, kritikat dhe udhëzimet e predikimet biblike, Shën Hieronimi e kishte fituar famën e njërët ndër më të diturit në Evropë. Ai kishte fituar një formim të thellë e të plotë, që më vonë në punën e tij edukative-arsimore të ecë në përmasa të çuditshme në rrafshin intelektual, ku ishte e pamundur që një personalitet i këtillë i modeluar mbi Krishtin të mos ketë respekt dhe sukses në arritjen e synimeve të tij. Fama e tij e madhe erdhi vetëm pas dy viteve qëkur ishte shuguruar si prift. Peshkopi Paulin i Antiohisë e ftoi Hieronimin ta marrë detyrën e këshilltarit në Koncilin e Konstantinopojës ‹6›. kurse me vonë papa i Damasit e ftoi si sekretar në selinë e Papatit

Gjithë puna e tij ishte orientuar kry‹7› esisht në edukimin fetar të krishterë dhe në përgatitjen e klerikëve për të shërbyer në kishat e ndryshme të Perandorisë Romake. I ndikuar nga oratoria e filozofit Ciceron dhe nga fjalimet e tij, Hieronimin e kuptoi se ato fjalë ishin bindëse, sepse te çdo i ri Fjala duhej të bëhej forcë tërheqëse. Po kështu edhe Shën Hieronimi dëshironte që besimtarët e tij t’i ngrejë në kulmin e besimit e të dashurisë ndaj besimit të krishterë dhe të edukatës morale sipas kanunit të besimit katolik nëpërmjet forcës së fjalës. Ky pedagog me fjalën dhe me shkrimet e tij dëshironte ta zgjojë dashurinë e vërtetë ndaj Jezu Krishtit, një dashuri e cila nxiste në aktivitet, vepër, punë dhe sakrificë.

Prof. Aliu për këtë dijetar nuk ndalet vetëm që të na tregoj punën e tij si përkthyes i Biblës ose si themelues i shkollave, por na e zbardh atë edhe si didakt, i cili me punën e tij si ligjërues i lëndëve fetare në manastirin e Bethlehemit na tregon edhe format e punës së tij në procesin mësimor. Ky pedagog e mësues i devotshëm e ngre procesin edukativo-mësimor fetar nga aspekti metodik në një nivel më të lartë. Këtu është me rëndësi të përmendim se në ligjëratat e tij si forma mësimore përdorte ligjërimin ngushëllues, atë të nënshtrimit e të përkuljes dhe formën e devocionit”. 8

Dashuria ndaj Krijuesit, sipas Hieronimit, buron nga frika, dashuria dhe respekti. Dhe, e tërë puna e tij mbështetej në përpjekje që nxënësit ta fitojnë dashurinë dhe kënaqësinë e Krijuesit. Ata të cilët ndejnë dashuri, frikë e respekt, sipas metodës së nënshtrimit, fitojnë dashurinë dhe kënaqësinë. Të gjithë ata që kanë frikë nga Zoti dhe ndjejnë respekt ndaj Tij, gjithsesi do të tregojnë ndjeshmëri dhe do t’i zbatojnë urdhërat e tij.

Nëpërmjet fjalës magjike që e posedonte, Hieronimi nga besimtarët e krishterë kërkonte nënshtrim, robërim, përkulje, frikësim dhe këtë e kërkonte nëpërmjet karakterizimit të ndejave të kënaqësisë, egos e dëshirës, duke e shikuar veten secili nga procesi i bindjes.

Njeriu bindet ndaj Krijuesit aq sa e njeh dhe sa e do me të gjitha cilësitë e Tij. Sa më shumë që bindemi ndaj urdhrave të Tij, kjo shkon në të mirën tonë. Për t’i formuar këto cilësi te nxënësit e tij në shkollë, Hieronimi zbatonte ushtrimet shpirtërore, që ishin një hap shumë i madh në procesin mësimor në shkollat e atëhershme. Të gjitha ushtrimet shpirtërore ishin rigoroze, ashtu që nxënësit i angazhonte me tërë trupin, zemrën dhe mendjen e tyre në drejtim të devocionit për të ardhur kështu deri te vullneti i lirë, ku me “fuqitë e veta intelektuale dhe shpirtërore mund të arrijnë shpëtimin ose shëlbimin dhe lumturinë e tyre”‹9

Me qenë se nuk janë përkthyer të gjitha veprat në gjuhë shqipe, ne nuk mund të që hyjmë më thellë që të flasim mbi aspektin e tij pedagogjik, por një gjë është e ditur – se përvoja e tij, si dhe metodat, të cilat i përdorte në procesin mësimor u përdorën si metoda bazë në pedagogjinë Inacijane në shkollat jezuite.

Kontributi i Ali Vishkos është një shembull frymëzimi për të gjithë brezin e ri, për formimin e tyre me traditat e shquara të kombit shqiptar.

Interesimi i Ali Vishkos për figurën e Hieronimit në suazat historiko-letrare, është interesim për vetveten dhe për kulturën tonë. Edhe sot ilirët, siç shprehet Aleksandër Stipçeviq, “janë brenda nesh.” ‹10

Referencat:

[1] Shën Hieronimi rrjedh nga një familje ilire. Është i lindur në vitin 345 në Stridon të Dalmacisë. Këto të dhëna Shën Hireonimi i jep në veprën “De viris ilustribus liber...”(CXXXI), ku përveç të tjerash shkruan: “Unë Hieronimi, i biri i Esusebit, nga qyteti Stridon,i cili dikur gjendej në kufi mes Dalamacisë e Panonisë dhe që e shkatërruan nga gotët deri në këtë vit (393) dhe pikërisht më të 14–tin vit të sundimit të perandorisë Teodos, shkrova këto letra....” (Visko, f. 42)

2.Letërsia e kohës Ilire – Shën Hieronimi. , Tetovë, 2009.

3..www.istorijabalkana.yuku.com/

4.A. Vishko, pa aty, f, 53

5.Po aty, f. 18

6.A. Vishko, f, 53

7.Po aty, f. 47

8. Po aty, f. 54

9. Po aty, f.47

10.. Buzhala, P.10 Tetor, 2011 , Prishtina press, lexuar ne takimet e Gjeçovit, 1997)) (Për këtë ilir të dhëna na jep edhe Daniel Gazulli, në Zemrën Shqiptare)