E premte, 03.12.2021, 10:03 AM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Atdhetarë shqiptarë...

E premte, 31.10.2014, 08:07 PM


ATDHETARË  SHQIPTARË

  LUFTUEN  PER  UNITETIN   KOMBTAR

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...

Nga Fritz RADOVANI: Pjesa IV.

Nëse dishroni me pa një popull pa t’ ardhme, “shkatrroni shkollat”(F.R.)

Prof. Namik Ressuli, nga Berati, shkruen në librin “Shkrimtarët Shqiptarë” volumi I, viti 1941, tek Kaptina II, me titull “Shkrimtarë të vjetër të Veriut”, këto fjalë: “Prodhimin letrar shqiptar, që nga shekulli XV e gjer në ditët t’ona, për lehtësi studimi e veçanërisht për arësye historike, e kemi ndarë në dy grumbuj të mëdhenjë: a) Prodhim letrar shqiptar përpara Lidhjes së Prizrenit dhe b) Prodhim ...pas Lidhjes së Prizrenit...

Pa dyshim ky prodhim Verior është më i rëndësishmi i prodhimit të pjesës së parë të letratyrës shqipe, si nga pikëpamja e sasisë dhe gjërësisë si dhe nga pikëpamja e lëndës dhe mbrëndisë. Këta shkrimtarë të vjetër të Veriut nuk janë vetëm të parët që filluan një farë lëvizje kulturore në vëndin t’onë, nuk janë vetëm të parët që i dhanë shqipës një alfabet – alfabetin latin – po janë edhe të parët që mendojnë e punojnë për Atdhenë e gjuhën e tyre, për Shqipen e Shqipërinë. Madje nga kjo pikëpamje kombtare ky prodhim munt të lidhej drejtë për drejtë me atë që erdhi pas Lidhjes së Prizrenit, po t’ishte ma e madhe vlera estetike e qellimi i përbashkësisë shqipëtare. (fq. 10, 12.)

...Po shkrimtarët e vjetër të Jugut në veprat shqipe që na kanë lënë nuk dëftëjnë as doktrinën, as vlerën dhe as ato pakë ndjenja atdhetare që dallojnë vëllezërit e tyre gegë. Ata janë vërtetë, të parët toskë që shkruajnë gjuhën t’onë, po nuk e përdorin këtë si qëllim në vetvete, po si mjet, me anë të së cilës donin të përhapnin njohunit e fes orthodokse.” (fq. 70.)

Mustafa Kruja: “Gjuha letrare nuk trajtohet me ligjë e me dekret, por me nji punim racjonal, të vazhdueshëm, të bashkrenduem e të harmonizuem të njerëzvet kompetenta. ...Se gegnishtja asht e folun prej dy të tretash dhe tosknishtja vetëm prej nji të trete të popullit shqiptar. Thom të popullit shqiptar e jo të Shqipnis.” (1942)

Hafiz Ibrahim Balliu në vitin 1946, afër të 80-tave, dënohët mbasi deklaron në hetuesinë e Tiranës: “... Kam dëgjuar ndër stacionet e Amerikës dhe të Londrës lajmet anglisht, mbasi dëshroja që ata të zbarkonin në Shqipëri ... Né nuk kemi asnjë lidhje me Lindjën as të afërme dhe as të largët. Nga turqit né kemi marrë vetëm besimin. Për tjera nuk ka çka na duhët Anadolli... Shqipëria është shtet që i përket vetëm Europës. Me Europën na lidhë pozita gjeografike, mardhenjet shtetrore, ato kulturore e të gjitha tjerat që vijnë pas, për një jetë më të mirë dhe të begatëshme të popullit tonë ...” (Dosja I. Balliu)

Prof. Idriz Ajeti shkruen: “Shqiptarët mund të krenohën që ndër popujt e Ballkanit ishin ata që të parët përqafuan fenë e krishterë.”

Dr. Avokat Muzafer Pipa...Kur po e torturonin kriminelët Zoi Themeli e Vaskë Koleci e pyetën: Pse e more për ta mbrojtur priftin reaksionar At Gjon Shllaku...?

– Avokati i Nderuem Muzafer Pipa u përgjegjë: “E kam pasë Profesor dhe e dijshe mirë se asht i pafajshem, prandej e mora!”... Me hekur të skuqun e mbytën Avokatin Hero!..

Drita Sokoli, studente në gjimnazin e shtetit në Shkoder, në vitin 1946 kur po zhvillohej gjyqi i grupit “Bashkimi Shqiptar”, dhe disa agjentë sigurimi dilnin e pështynin klerikët e lidhun me pranga tek Kafja e Madhe, Drita ua përplasë përballë Çiril Pistolit me shokë:
“Turp për ju, se as në mesjetë nuk janë pështy të burgosunit rrugëve si tashti...”

Prof. Arshi Pipa ka thanë kur At Mëshkalla asht ridënue në 1967: “Po, 25 vjet burg në burgjet staliniste peshojnë ndoshta ma randë në kandarin e martirizimit se pushkatimi”.

Një i burgosun në qeli e pyet Hafiz Dërgutin, se cila, asht arësyeja që e torturonin aq shumë, Ai u përgjegjë: “Më kërkojnë dëshmi për priftën, kërkojnë me na përça e nesër me thanë, se u pushkatuen priftnit me dëshmitë e rrême të hoxhallarëve. I kam thanë, bani shka të dueni se këtë punë nuk e baj kurrë pasha Allahun!”(1947)

●E nderuemja zj. Drita Kosturi më tregonte, si e kishin lidhë në një shtyllë druni At Frano Kirin në oborrin e Burgut të Fretënve në 1947, e kishin nxjerrë në pishën e diellit në piskun e vapës në verë dhe të veshun trashë. Kur i kërkonte ujë ose me krye nevojat përsonale, e lironin shtyllën e mbajtun me litar dhe i shkreti At Frano, përplasej me fëtyrë përtokë, gjakosej, shpesh humbiste ndjenjat, e lagnin me ujë dhe e ngjitnin prap shtyllën nalt... Disa ditë e kishte pa Ajo vetë me sytë e saj derisa ishte ba që nuk njihëj ma cili ishte...Një tmerr të vertetë tregonte për At Palë Dodaj, kur e sillnin pa ndjenja.

Prof. Adem Bazhdari, tregonte: “Nuk e harroj kurrë Imzot Gjinin të varun në një pemë, po e torturonin. Erdhi Zoi Thëmeli dhe Pjerin Kçira, monsinjori u lypi pak ujë. Pjerini mori një tas dhe ia mbushi me urinën e vet aty mbas një peme dhe ia dha t’a pijë Monsinjorit, që kishte mashumë se dy ditë pa pi ujë. E zgjidhën, Ai ra për tokë, nuk ecte, e sollën me dy policë në dhomë dhe mbas pak minutash erdhën e na morën të dyve, sa mërrijtëm në krye të shkallës së gurit ndër fretën, Pjerini holli poshtë At Matinë... mendueme se e mbytën por jo, ishte gjallë i gjakosun fëtyrët, - E shihni? -Na pyeti Zoi, - kështu do ta pësoni dhe juve, mos flisni po deshët!.. Krahët, kambët dhe shpinën i kishte me plagë të qelbëzueme Monsinjori, ia mjekonin vetëm me krypë e ja lynin me pezhgëve të nxehtë, stjetullat i kishte gjithmonë të hapuna tue kullue qelb nga vezët e zieme dhe të ngrohta që i vinin gjithnjë derisa, e pushkatuen mbas një viti vuejtje në hetuesi”...(1947)

Ingjenjer Fahri Rusi ishte 28 vjeç djalë kur e çojnë me e pushkatue në Zallin e Kirit. Kur hypin mbi dheun e gropës ku do ti vrisnin, At Mati Prennushi i thotë Fahriut: “Fahri, je më i riu, qëndro si burrat dhe mos i turpëro të Parët e familjës sate!” - Fahriu i përgjigjet: “Nuk besoj se kush nga fisi im ka pasë këtë fat, me dhenë jetën mjedis dy shejtënve, për çfarë me u tremb?” (Dëshmi e Dr. Papavramit, mjek ligjor. 11 Mars 1948)

Dr. Farmacist Elez Troshani thonte: “Lum ata që kanë qenë në një dhomë me Monsinjor Gjinin dhe At Mati Prennushin ndër ata dy muej para se me u ekzekutue se, asnjeni, nuk e kuptonte ku po i çojnë, a po i çonin në piknik, apo me u pushkatue. Biseda dhe humori i tyne të largonte frikën e vdekjes...mënyra sesi shpjegonin vdekjen Ata, e bante të riun dhe plakun mos me u tutë nga plumbi.” (1948).

●Një ndër të nderuemit e familjes Meta, Ragip Meta më tregonte, sesi një ditë Shyqyri Qoku dhe Alush Bakalli, zagar të rijë aso kohe, kishin hypë mbi dy klerikë në oborrin e burgut. Në dorë kishin nga një kamxhik dhe u binin dy priftënve, tue vrritë: “Kush mërrinë i pari tek muri sot nuk rrahët, hajt, ecë, kush po del i pari?” Asnjeni nga priftnit nuk ecte, asnjeni nuk donte me lanë mbrapa shokun me u rrah. Asnjeni pothuej nuk njihej në fëtyrë. Priftënt ishin ba me mjekrra deri në bel, ndërsa hoxhallarëve ua kishin pré mjekrrat. Asnjena palë nuk dëshmonte për palën tjetër, një mirëkuptim i veçantë!

●“Dhimbje”, një liber me vuejtje e dhimbje nga zj. Fatbardha Saraçi...Bij e Mulletëve të Tiranës, po koha e solli me provue Dhimbjet e zemrës së Shkodrës së masakrueme... Shkodranët e njohin me emnin Bardha... Se vertetë, ashtu ka zemren e vet... Në librin e Saj do të gjeni gjyshat e stërgjyshat tanë, plakat e kalbuna ndër kampe interrnimi, bijtë e bijat e groposuna nder këneta, Nanën, motrën, vllaun e pse jo, klerikun dhe hoxhën e nderuem, që n’ errësinën komuniste kryente shërbimet fetare... Kjo më shtyni me veçue në liber një frazë: “Kombi ynë, kombi Shqiptar, është një popull me vlera të mëdha shpirtërore derisa nga toka e Tij, lindi një Bijë e madhe, Shenjtorja e njerëzimit...”

Prof. Sadedin Hoti... Asht kenë një Mësues me pikëpamje europiane, i kulturuem dhe shumë modern në Shpirtë, ashtu si kishte paraqitjën e jashtme të Tij. Jemi transfërue me 9 gusht 1962, e tue zbritë së bashkut nga shkallët e Komitetit më tha: “Kujtojnë se tue na trasferue na demoralizojnë, po këta kanë harrue se unë jam ba mësues se nuk më kanë dhanë punë tjetër e jo, se kam pasë dëshirë me edukue fëmijët me frymën e tyne. Sot kjo punë asht vetëm për shegërtat e pazarit dhe jo për né. Ata që vodhën xhepat e tregëtarëve deri dje... per me “ndihmue” partizanët injorantë, sot janë drejtorët tanë. Nuk asht aspak çudi që këta drejtorë, ndonjë ditë,... me ardhë në shkollë me nalla!”

Hafiz Ali Tari: “Një amanet po Ju la ju djelmëve të mij: Edhe mbas vdekjes s’eme, me ndihmen e të Madhit Zot, Pader Mëshkallës, përsa të vazhdojnë me kenë i burgosun, keni me i çue prap nga 1000 lekë(të vjetra) në muej, me njeriun që ia kam dergue vetë...”

●Më tregonte z. Xhemal Alimehmeti, bashkvuejtës i At Pjetër Mëshkallës në Burrel: “Drejtori i burgut të Burrelit, njëfarë krimineli i regjun Njazi Tunxhi, po u fliste të burgosunve për disa rregulla në lidhje me rininë... P. Mëshkalla nga rreshti i kërkon me hapë shkolla në burg për të rijtë, por drejtori e ndërpret: -Të qanë zemra ty për rininë, ké për ta parë sonte shkollën atje poshtë në birucë! P. Mëshkalla qeshet. Ai nervozohët dhe i thotë: - Ç’e ké atë buzëqeshje, or jezuit i poshtër?....P. Mëshkalla i thotë: - Unë po qeshi me ty! Endè nuk e keni kuptue, se unë do të ishe i lumtun  me vdekë i kryqëzuem si Zoti  em, Jezu Krishti! Endè nuk e keni kuptue? E çka ké me më ba ti ma shumë se aqsa i kanë ba shokët tuej Krishtit?... Kështu qëndronte P. Mëshkalla para bishave të tërbueme me dhambët e tyne shkyes e të gjakosun të Sigurimit komunist!” (Dëshmi 1995)

Prof. Sami Repishti shkruen: ”Shqiptarët katolikë janë përpjekë për shekuj me radhë të sjellin në Shqipni frymën civilizuese të Evropës, mendjet e ndrituna të kontinentit, arritjet e pakrahasueshme në fushën e mendimit njerëzor, të krijimtarisë letrare artistike, të shkencës dhe të teknologjisë dhe të organizimit politik të shtetit modern, që siguron zhvillimin e përparimin e njeriut të lirë.” (Përshëndetje në përurimin e Kishës Shqiptare në Harstdale, New York, më 25 prill 1999).

●Historiani Agim Musta, bashkvuejtës i Padër Mëshkallës, shkruen: “Padër Mëshkalla ishte kthyer në një mësues shpirtëror i të gjithë bashvuajtësve të çdo Feje. Atë e respektonin të rinjtë, pleqtë dhe e adhuronin të gjithë për forcën e Tij shpirtërore”.

●Edhe bashkvuejtësi z. Leka Toto, shkruen: “Ai të tëra gjërat që kishte, i ndante me të burgosurit e varfër, pa bërë asnjë dallim. Ai i ndante ato, siç do t’i ndante vetë Jezusi!”

●Nga z. Riza Kuçi, kujtojmë: “Në vitin 1972 ra një epidemi e rëndë gripi në kampin e Ballshit. Në një moment, tek shtrati ku lëngoja unë, u afrua P. Mëshkalla dhe më dha një gotë çajë të ngrohtë, të përgatitur nga Ai vetë. Mund të merret me mend se çfarë emocionesh shkaktoi në përsonin tim vëprimi njerëzor i Padër  Mëshkallës...”.

●Kur At Mëshkalla po jepte Shpirtë në 1998 dhe nuk ngrihej nga shtrati, ishte pikrisht bashkvuejtësi i Tij Xhevat Meta, që i shërbente gjithë natën për të gjitha nevojët e Tij...

Prof. Sami Rrepishti përcakton: “Krimet komuniste në Shqipëri, pasojat e të cilëve i vuejmë akoma sot, janë njohë nderkombëtarisht si “krime kundër njerëzimit.” Vetë Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në vitin 1993, deklaroi se ajo që ka ngja në Shqipëri nuk ka ngja në asnji vend të Europës, dhe Europa duhët ta dij këte. Me çfarosjen fizike të klerit katolik shqiptar, krimi komunist ka ba edhe nji hap tjetër në zbritjen poshtë drejt ferrit: Gjenocidin! Teorikisht, ky Gjenocid asht planifikimi dhe ekzekutimi qellimisht në zhdukjen fizike të nji pakice të caktueme (këtu Kleri Katolik Shqiptar) vetem sepse kanë qenë kundërshtarë të vendosun të sistemit, jo thjeshtësisht si indidividë, por si nji grup shoqnor në vete, që kishte pranue vullnetarisht misionin e përhapjes dhe ruejtjes së fesë katolike në Shqipëri. Pak peshë çonte fakti që ky grup ka përba kolonën vërtebrore të organizimit të nji shoqnie të mobilizueme për qendresë në kryengritjen e Skenderbeut, krenaria e Historisë sonë kombëtare. Pak peshë çonte fakti se ka qenë pikërisht ky grup i veçantë që ka mbajtë të gjallë shqiptarizmin për mashumëse pesë shekuj robni otomane.

Myfit Q. Bushati, 17 vjeç në 1946, u arrestue me Organizaten “Bashkimi Shqiptar”...

Ishte nxanës tek Jezuitët. Pyet: “Po cili ishte ky profesor? – Ky qé At Daniel Dajani, që ma vonë do të lagte tokën Arbënore me gjakun e Tij, për t’u ba flij për Atdheun... kishte kalue sa kohë, më njohu menjëherë dhe m’u drejtue me dashamirësi: “Myfit, a ké qenë nxanësi im?” E unë iu përgjegja: “Po, At, ashtu asht, por fati i zi na solli në duert e këtyne bishave.” – “Mos u merzit, djalë i dashtun, ti vërtetë jé shumë i rij, por duhet të kesh kurajo, se për një qellim të mirë jé këtu e Zoti i madh do të dijë si t’ ju shpërblejë të gjithëve për rininë që po sakrifikoni!”...At Gjon Shllaku holli poshtë akuzat pa bazë se ishte bashkëpuntor me At Dajanin e At Faustin, tue u shpreh tekstualisht: “Këto akuza nuk i pershtatën së vërtetës...por nga ana tjetër, pranoj me burrni se grupi i Tij nuk ka kenë nji grup që do të ngjallte dasina fetare, por përkundrazi, bashkimin e tyne në luftën kundër komunizmit, gja që e verteton se në këte grup bante pjesë edhe një antar i besimit musliman”. (E Ky ishte i nderuemi Myfit Q. Bushati, i cili mohoi kenjen në këte Organizatë të klerikëve që akuzoheshin në drejtim e që u pushkatuen pafaj. F.R.)

●Këte kujtesë për Këta Atdhetarë, do ta mbylli me veprën e paharrueshme të burgosunit politik nga Malësia e Reçit Caf Jonuzi, i cili ishte një nxanës i Don Luigj Picit, prift në Reç në vitin 1946, kur agjentët e sigurimit komunist Asllan Lici e Pal Mëlyshi, e vrane tradhëtisht... Cafi dinte vendin ku e varrosën Mësuesin e Tij Don Luigjin. Kur ishte tue vuejtë dënimin i çoi fjalë At Konrrad Gjolaj për vendin ku ndodhet trupi i Don Luigjit... Cafi bani 23 vjetë burg... Ishte bash Ai Burrë, Ky Caf Jonuzi, që mbas vitit 1991 jo vetem, tregoi vendin ku ndodhet trupi i Don Luigj Picit, po edhe organizoi ceremoninë mortore të Rivarrosjes së Tij ndër varrezat e Rrëmajit, ku mbajti edhe fjalën e rastit para arkës me Eshtnat e Mësuesit të vet të mbulueme me Flamurin e Shqipnisë!..

●Ndryshimi i rrugës së gabueme për edukimin Atdhetar e kulturor të Rinisë sonë asht urgjent dhe i domosdoshëm. Ky ndryshim duhet fillue nga programet dhe tekstet që janë në përdorim, ku vendin kryesor duhet ta zanë e Verteta Historike shkencore Kombtare.

Sigurisht këta ndryshime rrajsore duhet të përfshijnë edhe diasporën, që vazhdon me mësue edhe sot me programe të gjymtueme dhe të përgatituna me kahun krahinor.

Vetëm atëherë, Shqipnia do të sigurojë një Unitet Kombtar, bazë e një Pajtimi Kombtar, per një t’ ardhme të shëndoshtë të Rinisë sonë ma të Përparueme dhe Europjane!



(Vota: 12 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora