E enjte, 28.03.2024, 08:26 AM (GMT)

Kulturë

Adelina Ismajli: Dua të shëroj plagët e të fluturoj përsëri

E shtune, 05.07.2008, 05:12 PM


Adelina Ismaili
ADELINA ISMAILI 
 
DUA “TË SHËROJ PLAGËT" E TË FLUTUROJ PËRSËRI!

Gjatë pauzës sime ishin thurur pa fund prapaskena për të më bllokuar çdo kthim në skenë.

Nga Fjodor Zotaj

Adelina Ismaili, pas një periudhe pauze në karrierën e saj artistike, rikthehet fuqishëm me një baladë rrëqethëse kushtuar dashurisë së saj që, fatkeqësisht nuk jeton më. Dëshira e mposhti dhimbjen, për t’i dedikuar një këngë dikujt që “e donte dhe më deshi”, shprehet ajo. Këngën, titulluar “Trimit tim”, nuk e cilëson zgjedhje, por nevojë shpirtërore për t’u shprehur. Gjithashtu, ajo ka nxjerrë në treg edhe albumin e ri që përmban 10 këngë të rrymave të ndryshme, kokteil mes popullores dhe modernes. Muzika për të është... opium kënaqësie, dhimbje dhe krenari, e cila lë pasoja të ëmbla... Më poshtë do mund të lexoni një rrëfim të ndjerë e të sinqertë të këngëtares së mirënjohur.

Adelina, pak kohë më parë keni nxjerr në treg një vidioklip kushtuar dashurisë tuaj që nuk jeton më. Aty vihet re një përjetim i jashtëzakonshëm dhe një rrëqethje për çdo njeri që e shikon. Pse kjo zgjedhje?

Ishte dëshirë e normë, e cila po e mposht dhimbjen, që të bëj një vepër për dikë që e desha dhe më deshi. Asnjëherë nuk do ia falja vetes që të mos e pyes tokën e Kosovës se a i ka dalë hakut një trimi... Nuk ishte zgjedhje... thjesht nevojë shpirtërore të cilën patjetër duhet ta bëja.

Do doja të pyesja për idenë e këngës e të videos, e kujt ka qenë, pasi rezulton ndër videot më të para në internet?

Ideja për melodinë ishte e imja;e realizuam bashkë me Nexhat Mujovin (Wirusin), të cilin dua ta falënderoj. Me gjithë përjetimin e rëndë, në të cilin po kalonte gjatë realizimit, arriti të bëjë një melodi që prek thelbin muzikor të asaj që unë e quaj dhembje dhe krenari shqiptare. Gjithashtu, ideja e klipit ishte e imja. Nganjëherë këmbëngulja në ekstrem me kokëfortësinë time që të bëhej siç kërkohej. Luftoja me veten. Njëra pjesë e imja ndjente dhembje. U përballa me diçka që, dhashtë Zoti të mos e përjetojë askush, ndërsa në anën tjetër një krenari e çuditshme  nuk më lejonte të dorëzohesha.Sfidova veten. Pa dashur ta përçmoj suksesin, për mua ishte e rëndësishme që të nderoja, së paku me një vepër artistike, dashurinë e Adelinës, si dhe kombin tim, i cili ende nuk e di a u ka dalë hakut gjithë atyre trimave që falën jetën për Kosovën.

Për rikthimin tuaj në skenë është folur gjatë, madje shpesh kemi dëgjuar edhe lajme nga më të çuditshmet, por përgjigjja e vërtetë për mungesën tuaj në skenë, e dalë nga goja juaj,  cila është?

Rikthimi është diçka që shihet dhe dëgjohet. E bëj unë dhe askush tjetër. Jam përgjigjur shumë shpesh për mungesën time në skenë. Megjithatë, përgjigjja është kjo: në fund të vitit 2006 m’u konstatua një ftohje në mushkëri, të cilën e kam neglizhuar pa vetëdije mbi një vit. E kisha të domosdoshme ta braktisja mënyrën e jetesës prej një këngëtareje, që të shërohesha.Gjatë kohës së kurimit po zbuloja një botë “të rëndomtë”, e cila ishte më e bukur dhe më hyjnore sesa çdo vezullim skenik. Fillova ta dua atë mënyre jetese, edhe pas shërimit. Ishte vendim imi që të jetoj për Adelinën pak, pas 23 viteve të dhuruara publikut. Ndodhi një tragjedi në jetën time, të cilën nuk parapëlqej ta reklamoj, sepse e shoh normalisht të pandershme të krijoj sensacione nga goditjet që të jep jeta. E di se në këtë botë ka njerëz që fitojnë shumë duke u viktimizuar, por unë e pështyj një popullaritet të fituar në atë mënyrë. Në skenë jam Adelina, që ka borxh t’i gëzojë ata që më admirojnë; në jetë jam ajo që pakkush e njeh në thelb. U ktheva,por nuk llogarisja që gjatë pauzës sime ishin thurur pa fund prapaskena për të më bllokuar çdo kthim në skenë. Edhe pse e kisha dhembjen në vete, gjeta forcën që të përballem me çmendurinë e përgatitur aq mjeshtërisht kundër meje. Ajo vazhdon, por unë ende luftoj me të,sepse kam ata që më duan. Tani e kuptoj plotësisht proverbin “Trimi i mirë me shokë shumë”. (Qesh).

Dalja e parë përballë publikut ka qenë pikërisht në një tubim elektoral të LDK-së. Mos vallë kjo ka të bëjë me një afeksion për politikën, gjë që herë pas here e keni futur dhe në këngët tuaj?

Në Kosovë edhe shëndeti varet nga politika, sepse kur nuk kemi drita, ne ftohemi dhe shkojmë në spital, ku përplasjet politike i bëjnë pacientet më të sëmurë sesa janë.E si mund ta neglizhoj një realitet në këngën time? Asnjë kosovar nuk mund t’i largohet politikës, edhe pse shpesh e ngushëllojmë njëri tjetrin,duke thënë: “Hajt bre, mos ta nij se bohet mirë!”. U rrita nën sundimin politik serb, përjetova luftën kundër politikës serbe, jetoj në një vend ku edhe çmimi i bukës varet nga ecuritë politike. Kthimi im në tubimin e LDKsë tregon që e kam të pamundur tandërroj qimen kah fryn era. Jam e lumtur që ky fakt ka bërë që anëtarë të partive anti-Rugoviste të më zgjasin dorën. Megjithatë, ëndërroj ditën kur jeta e fëmijëve tanë nuk do të jetë e udhëhequr nga politika, siç është jeta jonë tani.

Ndërkohë që sapo keni nxjerr në tregun muzikor një album të ri, sa këngë përmban,çfarë rryme dhe me kë keni bashkëpunuar?

"Albumi është në treg,ka 10 këngë të rrymave të ndryshme, kokteil mes popullores dhe modernes,balada të mrekullueshme, një rock, të cilin gjithmonëe kam dëshiruar, një parodi që të bën të qeshësh, si dhe, si në çdo album timin, një këngë që prek kombëtaren time."

Kam bashkëpunuar me më të mirët në botë, siç është Wirus, Florent Boshnjaku, ku me të dy bashkëpunoj që nga mosha ime 15-vjeçare. Risi është bashkëpunimi me Florjan Mumajesin, të cilin e falënderoj shumë që më dhuroi dy këngët më të mrekullueshme të tij, në momentet kur çdo gjë ishte aq e vështirë për mua.

Si e keni menduar lançimin e tij. E kam fjalën për ndonjë turne ose një gjetje e veçantë nga ana juaj?

Ëë të jem e sinqerte, lançimi nganjëherë edhe nuk është në duart e mia, por më shumë varet nga producentët. Por asnjëherë nuk kam pëlqyer marketingun e tepruar. Për mua mjafton të dalë në shitje, të ketë një apo dy ditë reklamë televizive,sa për ta kuptuar fansat që doli albumi, dhe pastaj gjërat rrjedhin vetë. Natyrisht që planifikoj një turne kudo ku ka shqiptarë, por më mire ia lë gjërat publikut në dorë. Ata duhet të diktojnë, duan apo s’duan,jo imponim nga ana ime. Jam në një stad të jetës ku sukseset në karrierë kanë arritur kulmin dhe më duket se më lart nuk kam ku të shkoj në show-biznesin shqiptar, pa modesti të rrejshme. Tash dua suksese dhe pak frymëmarrje të lirshme në jetën private.

Albumin do e shoqëroni me ndonjë video, nëse po, si do të jetë?

Ndoshta më vonë, por për momentin nuk kam në plan të bëj klip.

Ju mendoni që më mirë një punë e menduar mirë sesa një album ose këngë, thjesht për të qenë prezent në tregun muzikor?

Ouuu, patjetër kjo e para! Një këngë, album apo klip i mirë mbahet mend gjithmonë, përjetë. Dalja në TV, sa për të qenë, shpesh rezulton qesharake.

Në sondazhe të ndryshme të realizuara në internet ju keni fituar vendin e parë si këngëtarja më e bukur. Si ndiheni, kur i lexoni?

Kënaqem! Pse të gënjej? Nuk besoj se ka femër në botë që ndihet keq kur e vlerësojnë të bukur. Veçanërisht, pas një dekade kurorëzimi, si Miss Kosova dhe përfaqësimi të Shqipërisë në Miss Globe, mua më quajnë të bukur përsëri. A duhet të jem e shëmtuar, që të më shpallin këngëtare me  vlera artistike? Nuk e besoj! Ata që dëgjojnë CD-në time nuk më shikojnë, por më dëgjojnë. Për një kohë të gjatë ndihesha me faj që njerëz të caktuar çdo sukses të këngëve të mia ia vishnin pamjes sime. Pas një bisede të gjatë më të madhen dhe të bukurën Nexhmije Pagarusha, fillova ta ndjej veten mirë në lëkurën time. Dhe tash e di se pse Nexhmije Pagarusha është ende e bukur. Sepse bukuria është në shpirt! Harrojeni fizikun, e merr  graviteti! (Qesh)

Edhe pse jeni prezent prej më  shumë se 20 vitesh në skenë,përsëri jeni ndër këngëtaret më të preferuar. Si arrini ta mbani këtë magji kaq gjatë?

Ky është një kompliment, të cilin rrallë e dëgjon njeriu në këto kohëra të çuditshme. Ju falënderoj nga  zemra! Unë fal pafund dashuri në skenë, e them atë që e mendoj, propagandoj të vërtetën e fshehur, sakrifikoj për ata që më duan.Dhe kjo reflekton tek ata që të dëgjojnë e të shikojnë. Kam fatin se, atë që kam falur deri më sot më është shpërblyer, ashtu siç do ta ëndërronte çdo këngëtare shqiptare.Jam rritur në skenë, aty kam mësuar të dashuroj, dhuroj, qaj e të qesh,thuajse të gjitha. Kam mësuar që magjia më e bukur është të dhurosh ndjesi.

Është e vërtetë që ju keni deklaruar se pas një viti e gjysmë mungesë, ndihem si e rilindur për herë të dytë. Pse ky perifrazim?

Është e vërtetë! Askush që nuk e ka provuar nuk do të arrijë të kuptojë se si është pas një viti e gjysmë tentative që ta zhduk popullaritetin tim, i cili po ma rrezikonte jetën private, që të dal në skenë dhe të shoh te sytë e njerëzve që transmetojnë përkrahje, admirim,lot gëzimi, sinqeritet, ndjenjë. Gra,fëmijë e pleq që të puthin me lot, jo këngëtaren, pra mua, por njeriun Adelinë. Askush nuk do ta kuptojë ndenjën që të jesh këngëtarja, e cila ka pasur fatin me muaj të tërë të shikojë televizorin në shtëpi duke qarë nga ndjenjat që vendi im po bëhet shtet. Dhe në mbrëmje të dal e të këndoj, për t’u ballafaquar me një popull të tërë, i cili ma mbuloi këngën në ditën më të madhe historike të Kosovës me ovacione admirimi. Sot, po të vdes, ndjej që do të vdes e lumtur, që përjetova atë që as në ëndrrat më hyjnore nuk do ta shihja.

Fansat tuaj, si e kanë pritur rikthimin tuaj?

Në terminologjinë ligjore quhet “Ekzaltim situate”(Qesh). Pak shaka.Shtëpia ime është çdo ditë e vizituar nga dhjetëra fansa. Letra, lodra,dhurata kanë mbushur dhomën time. Lagjen time edhe taksistët e quajnë “Te Adelina”. Muret e ndërtesës sime janë të shkruara me grafite; kam një skulpturë dhuratë të Adelinës etj. Nganjëherë kam frikë se a do të arrij ta shpaguaj këtë dashuri, sepse kur shoh vajza që alivanosen kur më përqafojnë, ndihem njeri që patjetër duhet të mundohem me zemër t’ua dal “borxhit”. Vërtet rikthimi artistikisht ishte ëndërr fantastike. Nuk guxoj të dëshiroj më shumë.

Në botë artistët përfitojnë nga ngjarje të ndryshme, për ta rikthyer si reklamë dhe të qenit në qendër të vëmendjes. Për ju kjo mënyrë quhet...?

Neveri, turp, tmerr! Më shumë do e çmoj një prostitutë, që shet vetëm trupin e saj sesa ata që shesin ndjenjat... Më quani të prapambetur, idealiste, të çmendur,budallaqe, emotive, por, nëse kjo quhet trendi, atëherë asnjëherë mos i qofshim falë atij trendi.

Çfarë mendimi keni për muzikën që realizohet aktualisht? A jeni dakord me batutën se ka më shumë

këngëtarë sesa policë?

(Qesh) Është hera e parë që e dëgjoj ketë batute. Më pëlqeu jashtë mase. Muzikë të keqe për mua nuk ka, ka realizim apo interpretim të mjerë. Unë jam e lumtur që ka kaq shumë këngëtare, sepse sa më shumë këngëtarë “lindin”, publiku ka zgjedhje më të gjerë që të klasifikojë se kush është më i mirë. Me fjalët më lart, mundohem ta gjej pozitivennë këtë kolaps kulturor që na ka kapluar.

Sa e vështirë është për të rezistuar sa më gjatë në skenë,dhe ku qëndron sekreti juaj në këtë pikë?

Me besoni, 23 vjet qëndrim në skenë, ku nga mosha 8-vjeçare,4 deri në 5 minuta këngë sjellin kënaqësi, kurse 23 orë të tjera janë ballafaqim me xhelozi të paarsyeshme të njerëzve të ndryshëm. Pra nuk është aspak e lehtë. Por një thënie e të preferuarit tim, Friedrih Nietzche, thotë:”Shikoni një mbretëreshë që në pallatin e saj ka gjithë të mirat.Nëse është e pakënaqur me veten,asnjëherë e lumtur nuk do të jetë.Në anën tjetër, shikoni një fshatare të rëndomtë, e cila në borë del me fustanellë të hollë, asnjëherë nuk do të ftohet, sepse kënaqësia e saj karshi vetes i reziston edhe sëmundjes”. Pra, mua më bëri dikush që ta dua veten. Kjo është rezistenca ime ndaj negatives. Jo vetëm në skenë. Ky është rezistimi im!

 Sa e ndihmon pamja e jashtme një artiste dhe sa vlerë ka look-u?

Nuk mund të themi që nuk e ndihmon, por e përsëris: nuk është e thënë të jesh e shëmtuar për të qenë këngëtare e mirë. Asnjë skulpturë, as e Da Vinçit, nuk e paraqet njeriun të shëmtuar. Arti do estetikë! Ju betohem, në Mariah Carey-n (qesh), e cila ka një vokal fantastik dhe look çdo ditë më të perfeksionuar. Ka kohë që look-u është element i rëndësishëm i paraqitjes skenike, që nuk do të thotë edhe i suksesit të këngës apo albumit. Është një plus, për ata që dinë ta menaxhojnë look-un, unë do të thosha stilin. Por asnjëherë dukja nuk e avancon një këngë jo të pëlqyer. Në të kundërtën, look-u mund të shkatërrojë vlera, nëse një këngëtare fantastike e ndrydh potencën artistike për t’u bërë një “sexy mace”. Nuk janë në trend ekstremet, por as natyralja me tonelata artificialitet në kokë, fytyrë,trup.

Shpesh kemi vënë re këngëtare që ju kanë imituar në llok. Pse mendoni ju e kanë bërë?

Sepse jam me fat të jem e pëlqyer nga koleget. E pranuan, apo jo? Unë kur i shoh e di që më duan dhe filloj t’i dua më shumë sesa ato mua, kur vërej që ndonjë kolege kopjon stilin tim, strategjinë e punës, të shprehurit etj. Mos harroni se edhe unë kam kopjuar moskokëçarjen dhe prekjen e temave tabu të Madonna-s, por në look gjithmonë kam parapëlqyer “të shpik” nga vetja, shpesh edhe dukesha ashtu,sot qesh me lot kur e shoh veten.Por gjithmonë e kam pranuar që e pëlqej Madonën. Megjithatë,parapëlqej origjinalitetin. Asnjëherë nuk bën të harrojmë që nën diell ka vend për të gjithë.

Keni menduar ndonjë bashkëpunim tjetër me motrën tuaj Zanfinën?

Jam duke përpiluar kërkesën, lutjen dhe apelin (qesh).Varet edhe nga ajo, sepse me krijimin e identitetit të saj muzikor duhet të jem shumë e kujdesshme që t’i përshtatem,sepse ajo ka një stil mjaft të kundërt me mua, gjë që si motër e shoh sukses vetëm të saj. Pastaj fakti që për momentin është konkurrentja ime e vetme në shikueshmërinë e klipeve, dëgjimin e këngëve, shitjen e CD-ve, duhet ta përdor “influencën Familjare” që të bashkojmë forcat (qesh). E kam kolegen më të mirë në skenë dhe “bebushin” tim më të dashur në shtëpi.

Në turnetë tuaja në botë, cili ka qenë vendi që ju ka tërhequr më shumë?

Prisni përgjigje të tipit “Oh, nuk mund t’i veçoj, i dua të gjithë njësoj,bla bla bla”? E di që jo! Për mua Firenza, Ne York-u dhe Zurich 2008 mbeten ende të pazëvendësueshëm;po flas jashtë Kosovës dhe Shqipërisë. Me imponon kur shoh publik të kulturuar.

Po në Tiranë, a keni planifikuar ndonjë koncert?

Çdo muaj bëj plane në kokën time, si do ta bëja një koncert në Shqipëri. Por nuk e bëj dot e vetme,pa ndihmën apo organizimin e nikoqirëve. Më thërrisni, pra! (Qesh)

Cila është ëndrra që fshihni në sirtar, në lidhje me projektet tuaja muzikore?

Është zbrazur sirtari. E them me plot sinqeritet. Muzikalisht, jam realizuar më shume sesa e kam imagjinuar.

Muzika për ju është...

Opium kënaqësie, dhembje e krenari, e cila lë pasoja të ëmbla.

Një këngë që të bëhet hit duhet të ketë...

Një copë shpirt të realizuesit dhe performuesit.

Kohët e fundit vëmë re një “divorc” me festivalet, pse vallë?

Sepse është më e lezetshme të duartrokas kolegët sesa ta mbush dhomën ende me “hekurina”.

Ka shumë xhelozi në botën e muzikës. Si i keni marrëdhëniet me kolegët e tjerë këngëtarë,kë mund të cilësoni si mik a mike të mirë?

Harroje që do të them klasiken “I kam të gjithë miq”. Jo, ka edhe armiq që tani as nuk e fshehin këtë fakt më si dikur. Por vërtet kam aq shumë miq saqë ky botim nuk i zë, prandaj më quajnë këngëtare e suksesshme. Pa miq këngëtarë, nuk do isha as gjysmë këngëtare.

Në momentet e vështira që ju keni kaluar, kush ju ka qëndruar më afër?

Shumë. Shkurte Fejza, Remzije Osmani, Sony NRG, Genta Ismaili,që më ka befasuar me afërsinë e saj, Vesa Luma, Eliza Hoxha, Jehona Sopi, Gili, Sabri Fejzullahu, Shyhrete Behluli, gjithë anëtarët e Elita5. Janë shumë, o Zot! Le të më falin, nëse në këtë moment nuk më kujtohen, sepse isha e çorientuar. Por Zanfina ishte kolegia, personi, motra, e cila çdo lot e ka derdhur bashkë me mua.

Si mund ta cilësoni gjendjen shpirtërore, aktualisht?

Një zog i lënduar që po mundohet të shërojë plagët dhe duket që do fluturojë përsëri. Familja për ju është... Hyjnorja, ku gjej lumturinë, kur kjo botë e çmendur do të më falë dhembje.

Dhe së fundmi, çfarë do u thoni lexuesve të revistës “Spektër”?

Pa dashur të tingëlloj servile, sepse nuk është tipi im, unë vërtet ndihem me fat që pas kaq vitesh kam rastin,së pari, të jem e intervistuar nga një person i veçantë, bazuar në pyetje të mrekullueshme. Së dyti, më përulësisht dua të falënderoj revistën që më dha shansin të shprehem për publikun në Shqipëri. Së treti, të falënderoj të gjithë ata që në këtë moment po lexojnë këto radhë.

Ju faleminderit që më lejuat të jem pranë jush! Suksese dhe fat!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora