E marte, 24.05.2022, 10:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Muska: Natë e pafundme

E merkure, 29.10.2014, 07:20 PM


NATË E PAFUNDME

TREGIM NGA QAZIM MUSKA

U zgjova nga një dhimbje e tmerrshme pas shpinës, në mes të shpatullave, mu aty ku lidhet trupi me kokën, në atë vertebrën e madhe, kryesore, që quhet “Atlas”. Ulëriva sa munda pasi ndjeva që diçka e ftohtë dhe e mprehtë po më hynte nën lëkurë. Nuk po kuptoja mirë në atë zgjim të beftë nga gjumi, por më dukej se po më rripnin lëkurën. Nga zhaurima e shqitjes prej mishit ulërija sa mundja dhe po bindesha se kjo që po ndodhte ishte e vërtetë. Lëkura po shkitej nga mishi me forcë dhe me mundim, si një lëvore limoni i pabërë ende. Ajri futej në hapësirën që krijohej dhe më drithëronte pa masë pjesën e avullt të mishit që mbetej tashmë pa mbulesën e vet të përhershme, të butë. Rrjepja kish filluar nga pas dhe jo nga përpara, aty te gryka, ku zakonisht fillonte për bagëtitë e zbriste pastaj poshtë e më poshtë, deri në fund të barkut. Ishte një rrjepje e çuditshme, jo vetëm nga mënyra e zgjedhjes së nisjes së procesit, por edhe sepse kishte filluar për së gjalli, ndryshe nga bagëtitë, të cilat, në fillim i ngordhin me një të rënë në lule të ballit, ose prapa kokës me vare. Kështu që unë ulërija sa mundja. Gjithsesi, ato duar të shpejta vazhdonin punën e vet të pashqetësuara nga vuajtjet e mia. Tashmë isha kthyer në një kufomë të gjallë, i pafuqishëm as edhe të nxirrja zë. Gjaku që kishte rrjedhur thuajse i gjithi, më kishte lënë të mpirë, me çdo venë e kapilar pothuajse bosh dhe ajo sasi e vogël që kishte mbetur kishte filluar të mpiksej. Nuk e kisha idenë cili ishte ai dikushi që po punonte me aq pasion mbi trupin tim, por kuptova se më njihte mirë. Kjo, ngaqë, kur erdhi te pjesa e përparme dhe filloi të çante gjoksin nga gryka, ashtu si fillonte kjo punë me kafshët, e të zbriste deri përfund barkut, nishanin tim, që unë e kisha aq të preferuar në mes të gjoksit, nuk e preu dhe nuk e shëmtoi duke e ndarë më dysh. Me shkathtësi bëri një zgjatim si një liqkë për të kopsitur kopsat, duke e lënë të paprekur në anën e majtë të pjesës së ndarë të lëkurës. Kjo do të thoshte se i dinte mirë dobësitë e mia dhe patjetër, me këtë, ka dashur të respektojë preferencen time, njësoj si të pushkatuarit që i kërkojnë dëshirën e fundit. Pasi mbaroi punën, në mënyrë të rrufeshme e tendosi lëkurën time me dy shkopinj të thatë në shpatullat dhe në pjesën e poshtme dhe e vari në murin përballë, si një kostum në kremastar, që të thahej. E hollë, e bardhë dhe e tendosur lëkura reflektonte nën dritën e vakur të një qiriri që gati po shuhej, e dukej si plastmasë e vendosur në vend të xhamit, në një dritare ndërtese të mjerë e të ronitur. Sakaq, ai njeri fantazmë, iku e u zhduk në errësirën e paskaj, kurse pjesët e mishta të trupit tim filluan të shkëputeshin prej kockave e të rrëshqisnin poshtë dyshemesë së ftohtë prej betoni. Dukej se po zbërthehej pjesë-pjesë trupi i një manekini nga ata që përdoren për nxënësit e shkollave në anatomi. Por rënia e tyre nuk kishte atë tingull bosh të plastikës, kur përplaset në dysheme. Ato rrëzoheshin duke u zvarritur nëpër trup të qullëta e të paforma, si ca vemje gjigante, duke bërë rreth skeletit tim, të mbetur tani si trung i bardhë plepi, një pirg të madh mishi e gjaku. U dëgjuan ca lehje nga thellësia e errësirës. Pastaj një rrëmujë nën një nxitim të madh. Ishin qentë rrugaçë të qytetit, të cilët, tërhequr nga era e gjakut dhe e mishit e të shtyrë nga uria dhe nepsi për ushqimin e majmë, me sytë xixëllues e gjuhë të jargavitur mes dhëmbëve të mprehtë, u sulën duke shqyer e duke kollofitur sa hap e mbyll sytë copat e majme të mishit që ende avullonte. Instinkti i vjetër i presë dhe dehma e gjakut i mblodhën në këtë lukuni. Mbasi asgjë nuk kishte mbetur më, filluan të largohen ngadalë në drejtime të ndryshme, secili në hesap të vet. Të nginjur paq, me shpinën e ngritur si hark nga kënaqësia, kthenin kokën pas në ikje e sipër herë pas here, si vrasësi që kërkon të sigurohet se puna vërtet ka mbaruar mirë. Lëpinin njollat nëpër fytyrat duke përzierë me gjuhë gjak e jargë bashkë , ndërsa xixëllimat e syve tashmë u ishin shuar. Humbën nëpër terr të qetë, pa zhurmë e bujë, duke u tretur dalëngadalë si hijet. Unë, shndërruar në skelet, qëndroja si mes një skene të braktisur e të ankthshme. Por nuk zgjati shumë dhe ca krrokama të çjerra zgjuan përsëri errësirën e ftohtë dhe drodhën ajrin që tashmë ishte e vetmja mbështjellë e trupit tim të kockët. Ca toptha puplash të zinj, u shfaqën duke ardhur drejt meje dhe qëndruan mbi supet, si mbi degë pemësh të thara. Skeleti dridhej dhe nuk dihej; nga e ftohta apo nga ankthi. Arsyen e ardhjes së atyre topthave të zinj puplorë e kuptova vetëm kur mbi sytë e mi ranë njëra pas tjetrës çukitje të çartura sqepash pa fund. Vetëm brenda atyre goglave të vogla kishte mbetur një imazh i rremë jete në atë strukturë të shkretuar. Në terrin që u rrënua edhe më, dëgjoheshin në thellësi të kafkës dhe në brendësi të kafazit të kraharorit çukitje të tjera, si çekiçë të vegjël pneumatikë, që thërrmonin dhe shfarosnin krejt çdo gjë që kishte mbetur aty brenda. Pasi çukitjet mbaruan, krrokamat humbën ashtu si erdhën, në terr. Por, ndryshe nga qentë rrugaçë, të cilët ikën të qetë e në paqe, ato toptha të zinj puplorë krrokatnin sërish në ikjen e tyre. Dukej si një e qeshur cinike mbas atij sulmi kjo krrokamë. E menjëherë heshtje. Një heshtje varri. E një varri gjigant bërë njësh me qiellin. Asgjë s’pipëtinte. Veç ndihej drithërima e kockave, si një fërshëllimë thëllimi mes shkurresh të zhveshura nga gjelbërimi. Mbështillte gjithë trupskeletin e ftohta e asaj drithërime. Veç, nuk zgjati shumë as kjo heshtje dhe, pas pak, u ndjenë ca hapa të lehtë e të butë që afroheshin.Ishin si mërmërima jehonash kur vë veshin të dëgjosh zhurmat që vijnë nga larg nëpërmjet tokës. Dhe menjëherë mes drithërimës së ftohtë ca si ngjitje të buta, të lagëta e të ngrohta mbi atë që kishte mbetur prej trupit tim. Nga mënyra se si ngjiteshin e shqiteshin me të shpejtë në të gjithë fyejt e kockave dhe nyjet me një epsh dhe zell të madh, kuptohej që ishin të lëpira; zgjatime gjuhësh që përdridheshin rreth kërcejve të kockave dhe më jepnin një si kilikosje, e njëjtë me ato në vende delikate të trupit, kur ky ka mish, gjak e nerv, aq sa nuk i duron dot e përpëlitesh e hidhesh përpjetë pa e kuptuar ç’ndjesi është kjo; kënaqësi, bezdi apo drithërimë prej diçkaje të papërcaktuar. Ishin lëpirje qensh të butë e të urtë, nga ata që rëndom i mbajmë nëpër shtëpitë e mjediset ku banojmë, pasi as nuk lehnin, as hungëronin si rrugaçët ne dyluftimin për të ndarë prenë, por veç lëpinin në heshtje. Pasi nuk lanë asnjë pikë prej gjakut të athët e yndyrës mbi të gjithë sipërfaqen e mbetur kockore, lëpirjet u ndërprenë. Hapat u ndjenë sërish, por tani duke u shuar si valëzimi i rrethit të ujit nga qendra drejt periferisë. Dhe ra sërish ajo heshtje varri në errësirën që shpohej vakët nga qiriu që po shuhej. Hija e dritës luhatej sa andej-këndej prej erës e dukej si kërcelli i një bimëze të vyshkur që s’gjente paqe mbi dysheme. Në çast, një si krisje e mbytur jehoi, prej atyre jehonave që vijnë nga çdo anë e nga askund e të ngjitin një makth të madh. Pastaj, një zhurmë po e mbytur e, më pas, një shakullimë gjërash që bien mbi njëra-tjetrën u dëgjua. Për pak sekonda, në mes të sheshit, aty ku drita e qiriut po linte frymën e fundit, u bë një grumbull kockash që reflektonin si të ishin prej fajance. Ashtu rrëmujshëm mbi njëra-tjetrën, të linin përshtypjen se mezi prisnin të kalleshin në dhe. Lëkura e nderur në murin përbri fluturoi nga era që fryu, e si një velë e nderë paq, ju hodh përsipër atij grumbulli të përzishëm, si një kapak arkivoli. Qiriu u fik menjëherë pas kësaj, duke bërë që përreth të mbizotëronte heshtje dhe errësirë aq e frikshme sa, mëngjesi, dukej se nuk do të zbardhte më kurrë.



(Vota: 5 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora