E enjte, 25.04.2024, 10:51 PM (GMT+1)

Mendime

Rexhep Kasumaj: Pjelloria mahnitëse

E merkure, 29.10.2014, 08:11 PM


Berlin – Prishtinë, 2014

Triptik

PJELLORIA MAHNITËSE

(Një lehtësi lapidare sundimi)

Nga Rexhep Kasumaj

1. Analogjia trishtuese

Teksa një ditë zbrisja shkallët e banesës sime në Prishtinë (Kodra e diellit), do t'më binte në sy një lajmërim a ofertë e shkruar si parullë në xhamin e korridorit që, fillimisht, mu duk se thoshte: "Bëjmë dezinfektimin e udbashëve"!

Për një çast ndala hapin i habitur dhe, njëkohësisht, i mrekulluar. O Zot, thashë më vete, kur qenkësh gjetur një bar i tillë? Ja zbulimi që do ta njerëzojë njeriun, sidomos njeriun e popujve të shtypur apo të posadalë nga nata e gjate e robërisë!

Ndërkaq, me tu afruar, do të vëreja i zhgënjyer se ajo nuk paskësh qenë veçse ftesë për "dezinfektimin e bubashvabave". Por zhvendosja e gërmave nga avujt, rënja e ngjyrës dhe irnosja, e kishin deformuar atë në pamjen e arritjes madhore që do të emërtonte epokën tonë.

Megjithëse ngjan ende a, mbase, përjetë e pamundshme shpikja gjeniale, nuk do më shqitej një kohë përshtypja e një analogjie spontane mes insektëve të neveritshëm dhe spiunëve të pabotë. Dhe, natyrisht, në përballjen e ashpër të tyre për fronin e së keqes, do të fitonin këta të fundmit, urrejtësit e gëzuar të krijesës së vet!

2. Rrethi i mbyllur

“Kur humbet kuptimi i jetës, aherë humbet dhe e drejta për jetën”, shkruante rebelshëm Niçe, ky shpirt i shkumëzuar i Europës.

Dhe tani, qindra vjet më pas, e gjejmë të konformohet, ndoshta, mendimi i tij i pamëshirë në miljeun politik shqiptar: ndër dy Shqipëritë e jashtme përplot heronjë – të Ohrit që nëpërkëmbet dhe të Rambujesë që vetëpërtallet!..

Vërtetë, ç’kuptim ka jeta dhe e drejta për të, nën hekurat e pushtimit që shtrëngojnë me formulën klasike apo nën darët e dinastëve të mafiokracisë nacionale që, thuase, i kanë ndërruar të keqes veç petkun etnik?!

Imperialiteti nuk ngrihet gjithmonë mbi kontrollin fizik të një territori të huaj, por, shpesh, është i mjaftë kontrolli virtual i resurseve të tij. Këtë përskajim, në fakt, do ta bëj H. Münkler në „Logjikën e sundimit të botës”, tek jep mjeshtërisht panoramën dhe filozofinë e perandorizmit ç'prej Romës e këndej.

Ndaj, rrjedhimisht, vetëjetesa sovrane do të cilësohet e përmbaruar kur Instanca shtetërore të ushtrojë të dy kontrollet bashkë: edhe mbi tokën edhe mbi të mirat e saj. Natyrisht, duke presupozuar legjitimitetin demokratik të elitës dhe barazinë e të gjithëve në shansin për fat e lumni.

Ndërkaq, a bëjmë ne tutje? Përgjigja ngjan, ndonjëherë, deshpëruese, sepse, me gjasë, gjendemi ende brenda definicionit të sipërthënë. Në shpalesën e tij negative, mjerisht!

3. Lehtësia e padurueshme e sundimit

“ Papa Xhulio i dytë ishte aq i rrëmbyer dhe koha kur jetonte kje aq e përshtatshme për këtë sjellje, saqë ai realizonte gjithmonë qëllimet e veta”, shkruan Nikolo Makiaveli, një borgjez laik, diplomat e ushtarak fiorentinas në “Princin” e famshëm (1513), këtë libër të librave mbi moralin e politikën.

Që në hyrje, tek i drejtohet prijësit Lorenco de Mediçi, të cilit i kushtonte veprën e tij, thotë përvujtërisht se s’mund ti ofronte madhërisë princërore diç më të mirë, sesa mundësinë për të përfituar në pak ditë atë që ky kishte mësuar tërë jetën.

Pastaj, në hullinë e mendimit të sipërdhënë, nënvizonte më poshtë se është i suksessshëm, prandaj, vetëm ai Princ që i shkon për mbarë fryma e kohës. Rrjedhimisht, po të rronte dhe ca Papa i hallakatur e, njëherësh, koha të ndërronte trillet papritur, do të ndëshkohej rëndë prej saj...

Këto janë ligjet e historisë. Të kryehershme dhe eterne. Por a nuk njohin dhe ato vetë të drejtën e përjashtimit? Natyrisht! Kosova është prova e shquar e këtij urdhëri, këtij mallkimi të përjetshëm të dialektikës. Sepse, ndryshe, nuk shpjegohet dot përse koha e saj ka një pjellori mahnitëse për të ngjizur e fryrë kurorën e së Keqes!

Behnin këndej rend tufanesh të përgjakura Vali e Zhupan, Hazjajin e Komitetar, Vozhd e Mëkëmbës dhe, të gjithë e përherë, gjenin në motet e saj atë frymën ideale të Nikolos, për prishur e shprishur çdogjë: me doktrinë e mort, plaçkitje e dëbim biblik. Ata vinin e shkonin dhe kohët dukej se lëviznin shenjën, ornamentin a ideologjinë, por, sërish, secilit që fronsohej i dhuronin lehtësinë e padurueshme të sundimit që fatkeqësonte jetën e brezave të flijuar.

A nuk është kështu dhe sot? Republika e mosvarme vijon me një kurajo e bujari të askundparë përshtatshmërinë e përsosur: që frymën e fatit të vet ta bëj të shtruar e truar për guvernantët fillhumbur, tashmë, të stolisur me petkun joshës të mashtrimit kombëtar!

Makiaveli pohonte se kohët, duke ndryshuar, ndëshkojnë princat që vuajnë mungesësn e intuitës dhe marrëzinë e ndërkryer. Mirëpo, mjerisht, kohët e Kosovës shqiptare, megjithëse ndryshojnë shpesh, ruajnë me besë esencën, tharmin konstant ndër shekuj: pllenimin frytbartës për demonët politikë që, dhe në cikël perëndimesh të tyre, alternohen paprerë në role e misione të zinj, si vetë nata e saj!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora