Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fjalimi i rilindasit të madh, Ilia Dilo Sheperi

| E marte, 28.10.2014, 07:39 PM |


(Gjirokastër, më 28 Nëntor, 1920)

‘’Shqipëria  divine! Dheu klasik i trimërisë, kremton sot një nga më të shënjtat ditë të historisë së saj kombëtare:  Ditën e Rilindjes së pagëzimit në jetën e re të Lirisë!   Ditën e venies mbi krye të kurorës së Independencës!

Pas pesëqind vjet jetë t’ashpërt  të robërisë dhe në një kohë tragjike, kur arushet e Ballkanit u vërsulën t’a shuajnë pa mëshirë  gjallërinë e kombit shqiptar, në orizontin e Shqipërisë ndriti Ylli i Mengjezit, mbi Kathedralin e Vlorës shkrepëtiti  Diell’i i Lirisë!    U ngreh Flamuri madhështor i Skënderbeut dhe Perëndia e Lirisë së Kombeve dekretoi shpëtimin e Shqipërisë!

Ajo e drejtë e shënjtë  q’u ka falur natyra kombeve të botës  ju njojt edhe kombit  t’onë që ruan karakterin  dhe traditat e Ilirëve,  u dha edhe popullit tonë heroik që ka vaditur  me gjak gjithë Sinisinë ballkanike dhe, së fundi, për t’u shpëtuar dyndjeve të valeve të barbarëve, gjatë shekujve, ka qenë shtrënguar të lerë Alltarin e Atdheut të vet dhe të kapërcejë male e dete dhe të përhapet nepër gremina të huaja.    Në këtë vend legjendar, që është shkretuar dëndur nga kataklizmat e luftrave të parreshtura dhe mbi gërmadhat e 70 qyteteve të bukura bërë pajë e zjarrit të legjioneve  romane, vajtojnë zogjtë sot e kësaj dite!

Të tëra këto ngjarje, të gjitha këto tradita e kanë vleftën e kujtimit të naltë, të heroizmës  shqiptare. Dëshmojnë therorësitë e pashembullta të fisit arbnor.   Pasqyrojnë jetën morale të shtërgjyshërve dhe udhëheqin shpirtin e energjisë e të therorisë së brezit t’onë të ri.

Ja!  Këjo është dita simbolike në të cilin kombi shqiptar hyn në radhët ee popujve të lirë dhe zë vendin që i përket  historisë së tij.

Traditat e mbetura nga Pellasgët e Mitollogjisë, trimëri e trashëguar nga stërgjyshërit t’anë, përmënden sot në kronollogjinë e qytetërimit.

Himni i Indipendencës t’onë këndohet nepër oborret e kombeve të rinjë e të lirë.   Te Deum-i i paradisit të fesë s’onë meshohet sot nëpër Kishërat e botës ideale!    Na përshëndesin, na përgëzojnë, na urojnë kombet e lirë!  Na kanë zili e na falen popujt që përpiqen të harrijnë një ditë të bardhë!

Ideali që kanë  ëndërruar stërgjyshërit,  ay ideal i shënjtë që kanë profetizuar heronjtë, protagonistët e luftrave të lirisë s’onë, u realizua sot.  Qëllimi i naltë për të cilin kanë luftuar ata burrërisht nepër malet e ashpërt dhe kanë derdhur gjakun e vlefshëm të tyre: u harrit, u krye!

Intrigat e huaja dhe komeditë e mbrendshme që u lojtën një kohë mbi kurizin e Atdheut nuk e lanë popullin shqiptar të jetonte i lumtur në këto tetë vjetët e para të jetës së re.  Krijuan një situatë të rëndë dhe rrezikuan njëment  tërësinë dhe Independencën e Atdheut.

Gjatë këtyre kohërave të vështira duallën në shesh apostoj të rremë duke predikuar ungjillin magjik të një bese fatale.   Një maqavelizmë që synonte t’i mësonte popullit shiqptar disiplinën e skllavërisë dhe të ç’këputte nga trup’i Atdheut vendin më të shëjntë: VLORËN bujare që e ka falur natyra për të qenë vend i pelegrinazhit të Shqiptarëvet.

Forca ideale, energjia  virgjine dhe patriotizmi i naltë i popullit shqiptar i kapërcyen, gjithë rreziqet që kërcënonin Atdheun.

Dita e 28 Nëndorit  1920 ësht e para që kremton sot plot enthusiazmë Shqipëria  redente, sbukuruar nga Stili gjer në Shkodër me trendafile dafine!

Mblidhuni bijt e Shqipërisë përpara këtij Alltari  të madh t’Atdheut.  Faluni!  Përunjuni përpara këtij Senotafi të shënjtë!   Adhuroni shpirtrat e Deshmorëvet!   Dhe lavduroni këtë ditë madhështore!

Gëzohuni o Shqiptarë t’arratisur në çdo anë të botës.   Këndoni ju zogjt’e bukur që fluturoni në qiellin e Shqipërisë!   Lulëzoni ju fusha!   Gjëmoni ju male!  Buçitni ju, lumnejë dhe dete të Shqipërisë!   Bekonani ju o Dëshmorët e shënjtë t’Atdheut!   Kurajo, durim dhe shpresë, Ti  o Shqipëria  iredente!’’