E marte, 27.09.2022, 09:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Babai

E marte, 28.10.2014, 08:22 PM


BABAI

Tregim nga Qazim D. SHEHU

Po vëreja nga stacioni i autobuzit ku rrinte në këmbë  Jovani dhe isha në një gjendje ankthi.Jovanit I kisha disa para borxh, dhe, më dukej se ai kishte ardhë për mua.Kaloi autobuzi i parë ,i dytë, dhe Jovani rrinte po aty.U sigurova, ai më priste mua, më kishte pikasur që isha në klub,mbase nuk donte të vinte aty, mbase s`dihej se ç`bluante në mendje.Kur hoqa vështrimin për një cast, vura re një burrë tjetër që nuk m`i ndante sytë.Ishte i vjetër, me një vështrim hetues që nuk thoshte gjë.Me siguri po më ndiqte Jovani dhe ai burri aty rrinte enkas duke iu bindur urdhrave të tij për të kontrolluar lëvizjet e mia.Befas burri nxori celularin dhe foli.Fjalët e tij, po këtu gjendet ,më futën drithma.Kontrollova sërish stacionin e autobuzit dhe pashë që Jovani nuk ishte aty.Me siguri do rishfaqej sërish.Ndërsa ai burri nëdy tavolina pak më tutje porositi një dopio raki dhe sërish vështrimin nuk e ndante nga unë.Më duhej të ikja përderisa Jovani nuk ishte më në stacion, të shkoja në shtëpi të thirrja në telefon dhe t`ia jepja borxhin  po u kujtova se nuk i kisha lekët e mjaftueshme dhe nuk mund të merrja tjetërkund para, pasi askush nuk më besonte.E kisha bërë baltë.Si do i vente halli kësaj pune,si nuk po nxija mend asnjëherë?Në lajme dëgjoja që vriteshin njerëz për borxhe, biznesmenë ,njerëz të thjeshtë.Borxhi të shet qostekun e sahatit ,më thoshte shpesh im atë …dhe ai burri nuk m`i ndante sytë.Ç`tip i bezdisshëm duhej të ishte ,por ai nuk kishte faj.Jovani e kishte vënë me detyrë dhe Jovani nuk të falta.U ngrita .U ngrit dhe burri.Kurth, desha të thërras, po pse nuk thirra nuk di ta them ,vetëm se në ato çaste duhej të ruaja qetësinë dhe të përballesha me të.Ai do më kërkonte borxhin e Jovanit.

Çuditërisht burri kishte një fytyrë paqësore dhe në vështrimin e tij nuk ndihej asnjë lloj kërcënimi.

-Ti duhet të jeshë Mark Tisi, tha ai.

Më njihka mirë ,fola me vete.Ndjesitë e mia nuk kishin gabuar.

-Po,po, tha ai , duhet të jeshë.Më ngjan me shembëllimin e babait tënd.Po të keshë kohë a mund të pimë bashkë diçka?

Ftesa ishte dashamirëse dhe në sytë e tij u ndje një dritë e butë ,e largët.Diku kisha lexuar se sa më shumë plaket njeriu aq më shumë i ngjet babait të vet.Këtë e shihja edhe vetë dhe ndihesha i lumtur.Ishte e vetmja lumturi që e ndjenja pastërisht ,sa për gjëra të tjera më dukej se isha larguar babait ,sikur ai të mos ishte babai im.Me hir apo pa e fshehur një ndjenjë largimi, u ula.Tjetri u paraqit me emër, mbiemër, tha se nuk ishte i këtyre anëve ,se vinte atë ditë në qytet për të takuar thjesht një mik për një mblesëri, kishte ndjerë nevojën për një gotë dhe rastësia është mbret i botës.Ai kishte pyetur për mua .Pra, atë nuk e kishte vënë Jovani për të kontrolluar lëvizjet e mia.U ndjeva disi i çliruar.Më zgjati paketën e duhanit dhe porositi për mua pa më pyetur.Ato çaste ndihesha i çliruar.E pyeta unë me një ndjenjë afërsie sikur ta njihja prej kohësh.

M`i tha të gjitha ,jetonte në fshat, ishte mirë ,djemtë punonin në Itali .Por ai u shpreh se nuk donte të fliste gjatë për veten, ai më kishte thirrur për të më thënë diçka për babanë tim.Babai jot ka qenë burrë i mirë dhe i besës, tha ai ,dhe e kam njohur vetëm një ditë.Njerëzit njihen vetëm për një ditë ,kështu ishte dikur, ndërsa sot nuk njihen fare.Është prishur njerëzia ,tha ai.Kishte dëshirë të fliste,ndonëse tipi im ,disi i heshtur ,nuk e pengonte fare.Ai kishte gjetur djalin e Filipit,thjesht si mall dhe kjo kishte rëndësi.Po çfarë të mire duhej t`i kishte bërë babai këtij njeriu më duhej të prisja që tjetri ta rrëfente vetë.Dhe babai që m`i tregonte të gjitha këtë s`ma kishte thënë.Ndoshta kishte harruar, ndoshta nuk i kishte dhënë rëndësi.Njerëzit po rralloheshin dhe gati në tavolinë mbetëm vetëm unë dhe ai.Shiko, tha ai, babai jot vërtet ka qenë burrë i mire;nuk e di pse duhej ta përsëriste këtë kur e dija, ose dinte diçka rreth meje dhe kërkonte të më gjykonte.M`u kujtua sërish Jovani.

-Ne dikur ishim të varfër,të varfër sa me iu dhimbs shejtanit, por e mbanim fjalën.

Ky njeri sikur donte të më bënte moral.Nuk më erdhi mirë për këtë.Babai jot, Filipi, erdhi një ditë në fshatin tonë.Ishte me një tjetër.Unë i takova në rrugë.Nuk i njihja.Ata kërkonin të blinin një dhi.Shoshitëm fjalën dhe ramë dakord për çmimin.Katërmijë e pesëqind lekë.Por Filipi tha se shoku i tij kishte vetëm katërmijë.U shtypa.Unë nuk i njihja ata njerëz.Por e pashë fytyrën e ndershme të babait tënd.Besova me intuitë.Gjithnjë nuk kam gabuar dke hetuar fytyrat e mira ose të liga.Babai jot më premtoi.E dhashë dhinë.Ishte një mbasdite e vonë kur ata ikën.Ishin udhëtarë të largët.S`di pse në buzëmbrëmje dola nga shtëpia dhe i gjej ,të dy, në një ndërtesë të braktisur të kooperativës.Dhinë e kishin lidhur diku.

-Po ju ?-pyeta.

- Do e kalojmë natën këtu.

-Kjo nuk bën,thashë,kemi shtëpi dhe ato që kemi.U bindën.Neatëhere ishim të varfër ,por bëra hall.Diku gjeta një shishe raki e nuk dua të them se çfarë shtrova.Kjo s`ka rëndësi.Di që atë natë jemi kënaqë më biseda e kemi ndenjur deri vonë.Në mëngjes  gabova.Pyeta nëse do më ktheheshin diferencat e parave.Babai jot u mvrejt qetësisht.

-Po ne të hëngrëm bukën si mund të mos e kthejmë?

-Hajt udhë e mbarë u thashë.

Të them të drejtën një ndjenjë dyshimi e kisha, një ndjenjë kot, por e kisha.Pas dy javësh,aq kohë sa e mbante fjala këtë kohë në hapësirën e vet për të mos u turpëruar, mëthërret postieri i fshatit.Babai jot me emrin e tij më kishte çuar pesëqindlekshin me postë.Më erdhi keq që mëndova dyshueshëm.Që atëhere nuk e kam parë më.Kam pyetur për të dhe më kanë thënë se nuk jeton .Burrat e mirë nuk jetojnë gjatë…

Në fjalët e tij ndihej një ndjenjë e hollë e pastër ,shprehur me fjalë të thjeshta.Duhet thënë se ai takim më la një mbresë të hellë, një mbresë që shkaktohet nga dyndjet e kujtimeve për një njeri që e ke dashur aq shumë.Nganjëherë rastësitë vijnë këndshëm dhe idhshëm ,ato na qepin një ëndërr të cilën nuk mundemi mos me e ndjerë e ta veçojmë si të shenjtë.Kur vajta në shtëpi isha si i trullosur.Por ndërsa kujtoja Jovanin të cilit i kisha një borxh të konsiderueshëm, njëherit më afrohej hija e babait dhe sikur më pëshpëriste:jepi borxhin, bir, burri nuk turpërohet! Kjo ndjesi më përcillte gjithnjë një turbullim teksa gjykoja veten se nuk duhej të veproja kështu, ndërsa e dija fort mirë që, po  të mos kisha qenë vigjilent dhe i kujdesshëm ,atë borxh duhej ta kisha qëruar me kohë.Jovani më kishte bërë nder në një moment tepër të vështirë ,ai nuk e kishte diskutur fjalën e parë , menjëherë  kishte nxjerrë portofolin duke më zgjatur shumën e kërkuar.Kur i pata thënë se duhej një shkresë, ai më qe përgjigjur:unë besoj tek besa ,jo tek shkresa.Diçka që e mbaja mend mire, qoftë për hir të rimës ,qoftë edhe të atij çasti që atëhere e vlerësova si solemn.Babai më thoshte gjithnjë se borxhin e jep me dorë dhe e kërkon me këmbë.Por ka njerëz që e kërkojnë me armë.Këtu ngeca.Ku duhej të gjeja shumën që t`ia jepja Jovanit.Mund t`ia likujdoja të paktën për tre, katër muaj, por afati ishte shtyrë aq shumë sa nuk mbante më ujë pilafi.Solla nëpër mend disa njerëz që mund t`u kërkoja paratë ,disa njerëz që më besonin,por e dija që ata nuk kishin, disa ishin pa punë, disa të varfër, copë e trokë.Ca të  tjerë  shokë që mendoja se ishin të kapur, nuk ishin të gjendshëm, madje ata pinin cigare nga paketa ime.

Isha futur në një rreth të tmerrshëm dhe ndjenja një prekje shpirtërore qe më mpinte gjymtyrët.Hija e babait më afrohej sa herë dhe sillja ndërmend gjithnjë portretin e tij me sy të kaltër, flokë biondë e fytyrë të mprehtë, atë vështrim të qetë që sikur donte të zhbirilonte botën për ta ndrequr.Gjithnjë i thosha se bota nuk ndreqet, baba, po ai më përgjigjej:botën e mbajnë burrat e mirë  dhe burrat e mirë nuk kanë mbaruar, ata i përkasin çdo kohe.Mirë ,baba, përsëdytesha në arsyetimin tim, po kjo koha jonë të cilën ti nuk po e jeton ,nuk ka fort burra të mirë, madje të këqinjtë janë shtuar shumë, pse burrë të mirë më quan mua,që nuk kam çarë kokën dhe paratë e Jovanit më janë dukur si të miat?Po Jovanin burrë të mirë e quan ti që ka aq shumë para , ku i mori ai paratë?

Hija e babait më afrohej dhe  sytë e tij të kaltër ndizeshin si një stuhi e hirtë:Mos u merr me punët e botës, laj borxhin! Diku kisha lexuar një tregim të Bertold Brehtit :”Mantel i heretikut”,ku Xhordano Bruno i mbetet borxh një terziu, dhe kjo për shkakun e  burgosjes  së tij .Terziu i shkoi edhe në burg për t`i kërkuar borxhin…Në borxh janë shtete,në borxh janë grupe shoqërore, biznesmenë ,marrin borxhe japin borxhe ,një zinxhir me hallka të vajosura nga pështyma e parasë…

Arsytimet e mia shkonin gjithnjë larg,vinin afër dhe mblidheshin e shpërndaheshin në kërkim të fakteve dhe ngjarjeve, po në fund çdo argument binte poshtë ,borxhi duhej larë.Ditët kalonin dhe Jovanin nuk po e takoja.Ai duhej të ishte diku duke kërkuar paratë e shpërndara, ndoshta radha ime vinte më vonë.Kjo më jepte shpresë dhe pakëz siguri, po sidoqoftë hija e babait nuk më linte.Një mbrëmje dëgjova një lajm që më tronditi.Jovani ishte kapur nga policia në tentativën për të vrarë një njeri për shkak borxhi.Aq u trondita sa gruaja duke parë fytyrën time të zverdhur kujtoi se isha i sëmurë.I thashë se nuk isha i sëmurë .Ajo nuk dinte gjë për borxhin.Po mendoja se sikur ai njeri të isha unë.Po nëse nuk isha tani, mund të isha në një kohë të ardhshme e ç`rëndësi kishte, borxhi duhej larë.

Nuk bëra gjumë atë natë duke u përpëlitur në shtrat aq sa e binda gruan time se vërtet isha sëmurë.Nuk e di a duhej t`ia thosha asaj,si mund të më ndihmonte ajo.Por sidoqoftë duhej t`ia thosha.Çfarë do që të ndodhte ,një njeri duhej ta dinte dhe njeriu që duhej ta dinte nuk mund të ishte veçse gruaja ime që e dua  vërtet.Të nesërmen ia thashë.Ajo më pyeti se për çfarë i kisha marrë paratë dhe si nuk i kisha thënë për këtë.Por kur vjen veza…atëhere kakarisim.Gruaja ime u ngrit dhe hapi një sirtar që ishte i saj.Unë kurrë nuk i kontrolloj sirtaret e saj.Edhe pse jam shkrirë intimisht me të më pëlqen t`i mbaj ca gjëra ndaras me gruan.Këtë e qua j vlerë.Gruaja nxori nga sirtari një shumë parashë,aq sa i kisha borxh Jovanit.Ishin kursimet e saj ,shkëputur nga rrogat tona, kursime me vite.Më erdhi mirë ,po edhe turp për veten time.Ajo jo vetëm u lartësua në veten time,por fitoi para meje edhe një pozicion tjetër.Pozicioni e babait.Dhe ia dija babait për falemnderit se këtë grua ma kishte zgjedhur ai.Merre gruan rracë të mirë, më thoshte gjithnjë.Njeriu nuk shihet nga shtati e bukuria ,ai është baltë e zotit ,po nga besa e shpirti.Atëhere rendja pas vajzave të bukura, po babai më disiplinonte e sot ku ta gjej babanë?Babai im është tek kjo grua, mendova ndërsa  i shihja paratë mbi tavolinë si një prag shpëtimtar që duhej ta kapërceja për tu hedhur në një hapësirë lumturie.

Tani duhej të gjeja Jovani. Pyeta një mik për të dhe më tha se ndodhej në burg.Jovani kishte dashur të vriste një njeri.T`i shkoja në burg për t`i dhënë borxhin siç shkoi terziu tek Xhordano Bruno në rol të kundërt,kjo nuk më dukej e drejtë ,gjithësesi vajta dhe e takova.Sa u trondit Jovani kur vajta .Madje atiji shkau një lot.Ai nuk e priste.I zgjata një paketë cigare.Duart i dridheshin.

-Ku je o mik më tha, vetëm  ti më qëllove kokërr miku.

I thashë se më vinte keq për të se i kisha një borxh dhe i kërkoja të falur.Nëse ai më lejonte, këtë borxh mund t`ia çoja tek shtëpia, se nuk dihej si i kishte hallet…

Jovani më pa mendueshëm ,ndoshta nuk e besoi këtë,ndoshta mendoi se unë po bëja një lojë që nuk i pëlqente ,por ai duhej ta kuptonte se unë e kisha seriozisht.Foli:

-Kur të dal nga burgu,s`dihet sa do dënohem,ti do ta japësh borxhin kur të duesh..dhe kur të duash.Të tjerë më kanë dhjetëfish më shumë se ti dhe si kam parë një herë tek dera e burgut.Madje as kushërinjtë e mi…

Kur po ecja rrugës po mendoja disa fjalë të babës , rahmet i pastë shpirti:mjafton një gjest dhe rregullon botën…



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora