E enjte, 18.04.2024, 09:09 PM (GMT+1)

Sport » Legjenda

Michael Ballack, zotëria i argjendtë

E shtune, 05.07.2008, 04:52 PM


Michael Ballack
Mikael Balak, zotëria i argjendtë

"Nënkampion i përjetshëm", kështu do të shkruante gazeta më e shitur gjermane "Bild", një ditë pasi gjermanët do të ktheheshin në shtëpi, por edhe kësaj radhe pa trofe. Balak është shndërruar në mbretin e pathyeshëm për sa u përket ndeshjeve të rëndësishme të humbura në gjithë karrierën e tij. Ylli i Çelsit dhe lideri i padiskutueshëm i kombëtares gjermane, mund të dhurojë gjithçka në fushë, por jo një trofe. Historia e nënkampionit të përjetshëm tashmë duket më tepër si një barsoletë që na bën për të qeshur sa herë që e dëgjojmë. Le t‘i marrim me radhë. Balak ishte nënkampion me Bajern Leverkusenin në Bundesligën Gjermane në sezonet 2000-2001 dhe 2001-2002. Një vit tragjikomedik ai i 2002-shit: mes majit dhe qershorit ylli i "bluve" londinez humbi edhe finalen e Kupës së Gjermanisë, atë të Ligës së Kampioneve (ku u mund nga Reali) dhe atë të Botërorit kundër Brazilit (edhe pse nuk luajti, për shkak të skualifikimit". Vendi i dytë, edhe në Ligën Angleze në sezonin 2006-2007, me fanellën e Çelsit. Por viti më i tmerrshëm për "zotërinë e argjendtë" është pikërisht 2008-a. Në katër muajt e fundit ka humbur një finale për Kupën e Ligës (ndaj Totenhemit), një tjetër kampionat (që iu rrëmbye nga Mançesteri në çastet e fundit), një tjetër Ligë Kampionesh (ku sërish ishte protagonist Mançesteri) dhe më e rëndësishmja finalen ndaj Spanjës për Kampionatin Evropian. Sigurisht që Balak edhe ka fituar, sidomos me fanellën e Bajernit të Mynihut, ku trofetë e çuar në shtëpi janë nëntë, por asnjë në nivel ndërkombëtar. Në 13 vite karrierë, dhjetë medalje janë të argjendta. Sigurisht në këtë klasifikim është para të gjithëve dhe zor se do ta mundë njeri. Ja disa nga sekretet e tij për Çelsin, Gjermaninë dhe planet pas karrierës së tij si futbollist.

Balak, një ndër drejtuesit e skuadrës kombëtare të futbollit, Oliver Bierof, ka thënë për ju se jeni i madh...

Besoj se e kishte fjalën për talentin?

Edhe për këtë, sigurisht. Bierof tha se ju luajtët një Kampionat Evropian të shkëlqyer, edhe pse nuk fituat. Është hera e dhjetë që ju humbni një finale?

Kjo nuk më ka bërë të dorëzohem, kam akoma ca vite të tjera për të luajtur. Deri tani më ka munguar fati në momentin e fundit, por ju siguroj se do ta fitoj edhe unë një finale. Kam shumë kohë përpara.

Kemi dëgjuar fjalë të mira për ju, që kur arritët në finalen e Ligës së Kampioneve me Çelsin. Të janë thurur shumë lëvdata nga mediat dhe fansat tuaj...

Është e rëndësishme të jesh në formë dhe të japësh më të mirën në fund të sezonit, kur kampionati ka përfunduar. Nuk luajta rreth gjysmë viti, për shkak të një dëmtimi në kaviljen e këmbës. Por, më pas e mora veten dhe ndihesha plotësisht i shëndetshëm dhe i motivuar. Kur ndihesh mirë e ndien detyrim të japësh gjithçka në fushë.

Ndonjë arsye tjetër që ndikon në performancën tuaj të shkëlqyer?

Ky është viti im i dytë në Angli. Nuk është e lehtë të bëhesh pjesë e futbollit britanik, sepse të duhet kohë të përmirësohesh në këto lloj skuadre.

Çfarë duhet të mësosh? Mos ndoshta sepse është luftë për mbijetesë për një pozicion në skuadër?

Këtu ka shumë lojtarë më të mirë se në Mynih, ndaj ka një luftë të vazhdueshme për rolet dhe pozicionet.

Je penduar për ardhjen tënde në Londër?

Jo, është pikërisht ajo që doja. Nëse vrapon i vetëm 5000 metra, do të ecësh shumë herë më ngadalë se të vraposh në grup. Sepse, dikush mund të përmirësohet dhe t‘ia dalë mbanë vetëm nëse ka pranë futbollistë të mirë dhe kur çdo ndeshje kthehet në një sfidë të vërtetë. Kur luaja me Bajernin, fitova kampionatin gjerman 3 herë brenda katër viteve, por nuk po arrinim të fitonim diçka në nivel ndërkombëtar. Nuk më pëlqente më ideja që të fitoja kampionatin gjerman sërish. Po kërkoja sfida të reja.

Kur ishit te Bajerni, njerëzit debatonin vazhdimisht se çfarë lojtari ishit ju. A mund të quheni tani një lider modern?

Jam nga ata që në Angli i quajnë "gaps". Qëndroj në mesfushë, bëj pasime, vrapoj pas topit, futem në zonën e penalltive. Njëlloj siç bënte Frenk Lampard përkrah meje. Moderne quhet kjo? Moderne është të fitosh.

Kjo është ajo çka Oto Rehagel ka thënë (ish-trajner i Kaiserslautern) për ju?

Nga çdo trajner mëson diçka.

Kur nuk po luanit, për shkak të dëmtimit, u përhapën zëra se Çelsi kërkonte t‘iu shiste?

Ka qenë një përshtypje e gabuar. Së pari më duhej edhe ta mbroja veten nga akuzat se operacioni në kavilje ishte i panevojshëm dhe se e bëra atë në Gjermani pa leje. Ishte një periudhë e vështirë, gjatë së cilës Çelsi humbi dy tituj. Kur je i dëmtuar jeton në vijën anësore të fushës. Nuk mund të bisedosh, apo të luash me skuadrën. Sa më shumë të zgjasë, aq më e vështirë është ta pranosh.

Ke frikë nga e ardhmja?

Pas tre apo katër muajsh do ta pyesni veten: pse kam ende frikë? Ngrihesh çdo mëngjes dhe shpreson se gjërat do të bëhen më mirë, qoftë edhe për pak.

Në moshën 16-vjeçare iu nënshtruat një operacioni në gju dhe doktori ju tha se ju nuk do të mund të luanit sport më. Ke menduar ndonjëherë për këtë?

Sigurisht. Por, nëse karriera ime do të kishte përfunduar atëherë, thjesht do më duhej ta pranoja. Kam kaluar 13 vjet duke luajtur si profesionist dhe e ardhmja ime është e sigurt. Futbolli është një sport ku kontakti nuk mund të evitohet dhe gjithçka ka rreziqet e tij.

Është e vërtetë se futbollistët i drejtoheshin Avram Grantit, ish-trajnerit tuaj, me nofkën "Average Grant" (Granti mesatar)?

E kam dëgjuar.

Klubet gjermane nuk kanë fituar asgjë prej vitesh?

Njëlloj si vitin e kaluar, tri skuadra angleze mbërritën në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve. Edhe sivjet finalja ishte mes dy anglezeve.

A i përcakton Anglia rregullat e botës së futbollit, apo bota e futbollit ndryshon Anglinë?

Të dyja. Lojtarët e huaj luajnë më mirë në Premier League, por gjithashtu luajnë sipas stilit anglez, më fuqishëm, më me shumë forcë dhe më me vendosmëri.

Performanca e dobët e Bundesligës mos lidhet gjë me paratë?

Për mendimin tim është e mundur të ndërtosh skuadra të mira vetëm duke punuar sistematikisht me metoda të veçanta. Por, për të luajtur mirë, duhen lojtarë të mirë, që sigurisht kushtojnë shumë para.

Por, Bajerni i Mynihut investoi më shumë se 70 milionë euro për të pasur Jurgen Klinsmanin si trajnerin e tij, ç‘mendim keni për këtë?

Mendoj se është diçka e mirë që ata ndryshuan mendim kaq shpejt, duke konfirmuar që yjet në skuadër janë të rëndësishëm.

Dëshiron të bëhesh pjesë e Bajernit tani?

Kjo pyetje nuk më takon mua, sepse luaj për një nga skuadrat më të mira të Evropës.

Pajtoheni me mendimin se jo të gjithë lojtarët kanë vazhduar të jenë në formë të mirë pas Kupës së Botës në 2006-ën?

Po, por nuk e kam idenë përse ka ndodhur kështu. Ndoshta është normale që të rinjtë të mos jenë në gjendje të mirë vazhdimisht. Një lojtar duhet të jetë në formën e tij më të mirë për një periudhë të gjatë kohe para se të jetë pjesë e kombëtares, por për një kohë të gjatë nuk ka qenë kjo çështja. Kur shoh se sa shumë ndeshje me kombëtaren kanë luajtur Bastian Shavjshtajger dhe Lukas Podolski mendoj se shumë shpejt kanë për të kapur rekordet e Lotar Matheusit.

Trajneri i kombëtares, Lëv, ka thënë se ju u jepni lojtarëve mbështetje në fushë. Si funksionon kjo?

Në mënyrë klasike. Duke luajtur mirë dhe me kujdes, duke u bërë një model për lojtarët e rinj jashtë fushe.

Pas disfatës në Kampionatin Evropian, do të jeni 34 vjeç kur të zhvillohet Kampionati Botëror në 2010-ën. Do të tërhiqeni tani që mbaroi Evropiani?

Do më pëlqente të luaja me Gjermaninë deri në 2010-ën. Ky është objektivi im për momentin.

Karriera në futboll mbaron shumë shpejt?

Mbaron shpejt sigurisht, por të mban të ri përgjithmonë.

Sa kohë të lirë shpenzon për t‘u kënaqur?

Jo shumë. Kur një sezon mbaron, ke dy ose tri javë të lira, pastaj nis të përgatitesh për tjetrin. Pastaj të duhet të luftosh për vendin tënd sërish. Nëse do të kisha më shumë kohë do të më pëlqente ta kaloja duke shijuar sukseset.

Ku do të jetoni, pasi t‘i jepni fund karrierës suaj si futbollist?

Pa dyshim në Gjermani dhe mundësia më e madhe është Mynihu.

Çfarë do të ndodhë pas kësaj?

Do të bëj diçka që më pëlqen.

Ndoshta trajner?

Kështu mendoj, por kjo është një tjetër çështje.

Do të ndryshoni klube sërish?

Kjo nuk është pjesë e planeve të mia. Vendimet një futbollist i merr nga 18 në 23 vjeç, tani nuk më falet më të bëj gabime.

A ke ndonjë atlet që e adhuron për mënyrën se si e ka përfunduar karrierën?

Mikael Shumaker. Ishte një pilot i madh, ose Marco Bode, kur u tërhoq qetësisht në moshën 33-vjeçare. Ajo ishte një lamtumirë e pa lajmëruar, e qetë dhe madhështore.

Karriera

Mikael Balak, 31 vjeç, ka lindur në Gjermaninë Lindore në qytetin e Görlitz në Saksoni. U rrit në zonën e Chemintz dhe nisi të luajë futboll për "BSG Motor Karl- Marx- Stadt" (ish-emri i qytetit në kohët e Gjermanisë Lindore). Më pas, luajti për "FC Karl- Marx- Stadt" (i cili më vonë u bë Chemnitzer FC), FC Kaiserslautern në Bundesligën Gjermane. Pasi luajti për Bajern Leverkusen më 2002-shin u transferua në radhët e Bajernit të Mynihut, ku e ndihmoi skuadrën të dilte e para e Bundesligës tri herë nga katër sezone që luajti aty. Tani luan për Çelsin e Londrës

Pas Evropianit të hidhur, ëmbëlsira e dasmës

Kapiteni legjendar, Mikael Balak, ka zgjedhur një jaht madhështor për festimet para martesës që do të zhvillohet në fund të muajit, raportojnë mediat gjermane. Mesfushori i "bluve" të Çelsit do të martohet me partneren që bashkëjeton prej shumë vitesh, 30-vjeçaren Simone Lambe, në një ceremoni që do të nisë me festimet në "Bavarian Yacht Club" në liqenin Starnberg në "këmbët" e alpeve gjermane. Mendohet se në pritje do të jenë të pranishëm rreth 400 të ftuar, parashikuar për t‘u zhvilluar më 14-15 korrik, sipas gazetës së Mynihut "TZ" dhe disa mediave të tjera. Çifti, që njihet prej dhjetë vjetësh dhe ka tre fëmijë, ka shumë mundësi që të martohet në Mynih, ku kanë aplikuar për të marrë licencën për dasmën para se të niste Kampionati Evropian i futbollit në qershor. Gjithçka mendohet se do të jetë gjermane, që nga muzika e deri te menyja. Balak dhe familja e tij jetonin afër liqenit Starnberg, kur ai luante për Bajernin e Mynihut para largimit të tij për te Çelsi.

Çelsi

Firmosi për blutë e Londrës më 15 maj të 2006-ës. Debutimin zyrtar me skuadrën e bëri në ndeshjen për superkupën angleze kundër Liverpulit, ndërsa debutimin në Ligën Angleze më 27 gusht të 2006-s, ndërsa golin e parë, me penallti e shënoi më 12 shtator të 2006-s në ndeshjen e Ligës së Kampioneve kundër Verder Bremit

Dasma

Mesfushori i "bluve" të Çelsit do të martohet me partneren që bashkëjeton prej shumë vitesh, 30-vjeçaren Simone Lambe, në një ceremoni që do të nisë me festimet në "Bavarian Yacht Club" në liqenin Starnberg në "këmbët" e alpeve gjermane. Mendohet se në pritje do të jenë të pranishëm rreth 400 të ftuar, parashikuar për t‘u zhvilluar më 14-15 korrik



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora