E shtune, 20.04.2024, 10:13 AM (GMT+1)

Kulturë

Meri Lalaj: Një libër që të sjell në vete

E diele, 26.10.2014, 02:00 PM


Një libër që të sjell në vete

Nga Meri Lalaj

Shkrimtarin Sterjo Spasse e kam parë vetëm nga larg e sjell ndërmend portretin e tij me kokën lart dhe flokët e hallakatur. Librat e tij i kam lexuar pothuaj të gjithë.

Shumë vite më parë jam ulur për të pirë kafe me të birin, Ilinden Spasse dhe ai më dhuroi librin e tij “Im atë Sterjo”, një libër i shkëlqyer, ndonëse do të duhej një redaktim. Është një nga ata librat e rrallë kur një shkrimtar kundrohet edhe në prizmin si baba, si bashkëshort, si mik, si njeri i vërtetë. Këto ditë lexova librin e Ilindenit “Pavijoni i “filozofëve” Roman grotesk. Përmbi tryezë më ishte mbledhur një tufë me libra për të lexuar dhe librin e Ilindenit e hapa si me përtim (nganjëherë lexojmë edhe për mirëdashje, për të mos prishur qejf apo për t’i thënë dy fjalë shokut a mikut për atë që ka shkruar). Pra, unë e hapa romanin e Ilindenit në faqen e parë dhe nuk u ndala deri në faqen e fundit, një libër që ta ndryshon krejt humorin, ku realiteti ynë i përditshëm shqiptar kundrohet nga një këndvështrim tjetër me sarkazëm, ironi dhe humor të natyrshëm, të vetvetishëm, të shëndetshëm. Menjëherë m’u kujtua Harosllav Hashek me “Ushtari i mirë Shvejk” apo “Dymbëdhjetë karrige” të Ilin dhe Petrof. Ky libër është krejt i kundërt me çka shkruajnë gazetat apo përflasin stacionet televizive nëpër kronikat e zeza të tmerrshme. Nëpër faqet e librit, të shkruar me shumë kulturë, gurgullon e folura popullore, rrëfenja të ndryshme e gazmore të spikatura, madje edhe fjalë të turpshme të ndërfutura aty këtu, që kanë të bëjnë edhe me seksin, por me mënyrën e të rrëfyerit, autori i ngre në art bën letërsi të mirëfilltë e të vërtetë.

Në libër ngërthehen figura apo hije botuesish, të cilët pasurohen me gjakun dhe punën e shkrimtarëve të ndershëm, librareshitëse që shajnë shkrimtarët.. Servilë të llojllojshëm që nga ata që kërkojnë ndërhyrje të thjeshta deri tek ata që kërkojnë poste duke dorëzuar që nga shishet e rakisë deri tek zarfet plot me kartmonedha.

Fillesa e romanit është shumë e gjetur dy shokë të lindur në të njëjtën ditë, “ditën e shejtanit” shkruan autori, Malum Lumi dhe Bano Bile, jetojnë të dy në fshat kullosin tok dhitë e pas shkollimit fillojnë ca e ca të ngjitin shkallët e thepisura të karrierës partiake dhe shoqërore. Malumi, personazhi kryesor ua merr shpirtin të tjerëve duke i vënë të punojnë e duke përvetësuar punën e tyre përpiqet të fitojë lavdi duke vendosur emrin e tij në krye të enciklopedisë. Këto ndodhin kur Shqipëria ishte njëpartiake. Për atë Parti të dikurshme Malumi betohej “Marrç nga ditët tona... Jo nga të miat, ama!” E me të ndërruar sistemi politik në Shqipëri, ai qep disa flamurë të partive të ndryshme dhe ulërin si mijëra kameleonë të tjerë: “Unë, unë jam, kam qenë e do të jem demokrat! Shpirti im demokrat, zemra ime demokrate.”  Kështu, së bashku me mikun e tij të ngushtë të fëmijërisë Banon, punën e parë si demokratë e fillojnë duke fjetur larg grave të tyre në një motel jashtë qytetit.

Ndërsa, shoku i tij Banua bëhet ministër, Malumi, (emër i gjetur kaq përshtatshëm) nga ana e tij nuk e ha bukën thatë ku gjen shesh e bën përshesh. Përpiqet të përfitojë nga të gjitha anët. A nuk janë ca si të shumtë Malumët e këtyre viteve edhe gruaja e tij Malumja, e etur pas parasë nuk mbetet prapa tij. Në kohën e re Malumi përpiqet të bëhet shkrimtar prej vërteti, madje duke redaktuar librat e të tjerëve. Kulmi i librit kur këta “malukatër”, Malumi me gruan dhe Banua po me gruan shkojnë për pushime në Tajlandë... Një nga figurat më të spikatura dhe veçanërisht e realizuar artistikisht deri në mënyrën e të folurit është ajo e spiunit apo “shpiun” siç e shqipton ai. Njeriu që vijon të fitojë në çdo rrethanë, apo njeriu i dosjeve, njeriu që vijon të frikësojë e t’u bëjë presion psikologjik të tjerëve.

Dihet se fundi i lavdisë do ishte sigurisht në fund në një pavijon për të sëmurë.

Shumë urime Ilindenit që na dhuroi kënaqësinë e leximit të këtij libri.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora