Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Forca e fjalës dhe fuqia e mendimit

| E diele, 26.10.2014, 01:23 PM |


FORCA E FJALËS DHE FUQIA E MENDIMIT

(Halil Haxhosaj, Nyjëtime letrare, Amanda Edit, Bukuresht 2014)

Nga Baki Ymeri

Halil Haxhosaj (Gjakovë, 1946), autor i 24 veprave  zhanresh të ndryshme letare (poezi për të rritur dhe për fëmijë, prozë, kritikë letrare, shkrime për teatër, romane, drama, skenar për film e televizion dhe shkrime publicistike), që nga libri i tij i parë (1992) e deri te ky i fundit, i jep prioritet ndjenjës, fjalës dhe mendimit. Në librin e tij më të ri („Nyjëtime letrare”), ballafaqohemi me refleksione mbi kulturën, civilizimin dhe vlerat e një varg krijuesish shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës që jetojnë dhe krijojnë në diasporë. Nga vetë përmbajtja e lëndës respektive, del në pah gjuha poetike si qendër semantike figurative, figura e kozmosit në veprën poetike, një vepër me figuracion të dhimbjes e mallit, malli, përjetimi e dashuria në vargje poetike, poezi të vargëzuara nëpër valët e kohës e të përjetësisë, dashuria me vargje, melodi e një jete, një vepër me jehona mërgimi dhe atdhedashurie, poezi me ritëm e thellësi të veçantë, poezi me zë malli e dhimbjeje njerëzore, valët e jetës të shfaqura artistikisht në vargje poetike, udhëtimet artistike të fantazisë në “Lumenj ëndrrash”, bota magjike e ëndrrave shqiptare.

Në këtë vepër vështrimesh kritike defilojnë edhe subjekte tjera mbi rrëfimin e dyfishtë romanesk, historia e kohës pasqyruar në roman, pasqyrimi i bëmave të kohës në roman, një vepër me dëshmi nga jeta e thyer, biografia e familjes dhe autobiografia e paraqitur në roman, historia e familjes në formë monografie. Pason analiza e një libri me antonime historike e autobiografike, e një vepre me rëndësi monografike dhe historiko-kombëtare, etj. Autori ka zgjedhur për deshifrim vlerat letrare të krijuesve tanë, madje edhe të një autori të huaj, si: Mihai Pascaru, Mazllum Saneja, Jeton Kelmendi, Neki Lulaj, Shpend Gjocaj, Liman Zogaj, Anton Marku, Xhenc Bezhi, Zef Mulaj, Arif Molliqi, Sulejman Aliçkaj, Kristina Rrasi, Luan Maloku, Pal Ndrecaj, Brahim Avdyli, Bilall Maliqi, Mustafë Ismaili, Arif Jahë Haxhija, Besnik Lajqi etj.

Përveç vlerave letrare, Halil Haxhosaj nxjerr në pah dashurinë e autorëve të përzgjedhur ndaj Kosovës martire, të cilën e kanë dashur, e duan dhe do ta duan, gjithmonë dhe deri në pakufi. Ai shkruan për thesarët kombëtare të mërgatës shqiptare në Suedi, për „lokomotivën” e kulturës shqiptare në diasporë, për makrokozmosin si figuracion poetik, për mikrokozmosin poetik dhe figurativ, për kredon poetike të dhimbjes dhe mallit, për intimat e dhimbjes poetike, për vargëzime me dimensione moderne e postmoderne, për atdheun, dashurinë dhe atdhedashurinë, për burimet e frymëzimit poetik, për metaforën, dashurinë dhe erotikën e saj.

Memorja e njerëzve është nganjëherë më e fortë se memorja e dokumenteve. Ekzistojnë vetëm kujtimet e njerëzve mbi disa ngjarje që i kanë përjetuar. Autori citon Shpend Gjocajn me fragmente për jetën e rëndë në Kosovë, “sepse aty jetojnë njerëz me qepalla të rënduara, me këpucë të shqyera, të parruar. Kosova sipas poetit është vend i mbushur plot varre si kopshtet në Evropë, sepse këtu varfëria është si acari i dimrit që t’i çanë buzët. Por, mbi të gjitha jeta frymon edhe këtu, sepse gjithmonë njerëzit e mirë, të fortë dhe të dashur e kanë përballuar furtunën kur dielli e hëna janë ngatërruar edhe kur shekulli është çmendur.”

Haxhosaj vjen para nesh me Anton Markun e vargjeve me ritëm imagjinar, me Liman Zogajn e mërgimin si një plagë e rëndë e shoqërisë, me Neki Lulajn dhe përkushtimet e tij për heronjtë, trimat, dëshmorët dhe luftëtarët e lirisë: “Oso Kuka, Isa Boletini, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Nënë Tereza, Ibrahim Rugova, Hasan Prishtina, Sali Çeku, Ilir Konushevci, Tahir Desku, por edhe për shkrimtarë dhe poetë që luftuan me penë si: Azem Shkreli, Din Mehmeti, Latif Berisha, Enver Gjerqeku, Teki Dërvishi, Ali Podrimja, e të tjerë.”

Duke impresionuar përmes cilësisë së analizave letrare, autori shkruan sporadikisht pak e për merak, rrallë e për mallë. Shkrimet e tij janë inventive, të kapshme dhe atraktive, duke krijuar një respekt të veçantë ndaj dashamirëve të kritikës letrare, duke qenë i sinqertë për fjalën e zhurritur në dobërën e letrës, atje ku ndriçojnë mendimet, inspirimet dhe shqetsimet e qenjes së tij. Ja pra me pak fjalë, analiza e shkurtë e një vepre me memorje të gjatë. Forca e fjalës dhe fuqia  e mendimit janë prezente që nga faqja e parë e deri te ajo e fundit. Autori, Halil Haxhosaj, u sjell lexuesve një vepër interesante dhe të këndshme, që vjen si një dritë e re në spektrin e kritikës letrare bashkëkohore në veçanti, dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi.