E enjte, 28.03.2024, 07:52 PM (GMT)

Mendime

Shefik Shkodra: E pakuptueshme mos zgjedhja e ...

E diele, 26.10.2014, 12:30 PM


E pakuptueshme mos zgjedhja e institucioneve shtetërore

NGA SHEFIK SHKODRA

Edhe të fiktë edhe të korittë

Për shkak të gjendjes së përgjithshme do të duhej që të ndërmerret diç lidhur me institucionet e vendit. Nuk ka mbetur më që të shprehet habi për rastet e kriminalitetit dhe të korrupsionit. Sikur që gati fare nuk interesohet askush për ardhmërinë e këtij populli. Por, është  edhe një si pafytyrësi para opinionit të qytetarëve tanë e atij botërorë për një ngecje jo aq të vogël në formimin e shtetit të ri, për të cilin të gjithë po themi se janë dhënë viktima e viktima për një shekull e më tepër. Prandaj, në vend se do të arsyetoheshim me një ngritje të vetëdijes qytetare, duket se kemi bërë gabime të shumta, duke i mësuar të devijojnë në çdo pikëpamje. Duke mos mundur t’i vihet rreth gjithë këtyre sjelljeve amorale e duke vënë në dyshim veprimin tonë para opinionit të qytetarëve dhe atij botërorë, shfaqen skenë pas skene me dramatizime po thuaj të të gjithë resorëve shtetërorë. Së fundi edhe një anarki për shkak të mungesës së institucioneve.

Ndoshta nuk janë veç shqiptarët fajtorë gjithmonë

Meqë shqiptarët ndodhën në Evropë, atëherë gjithsesi duhet që sa më shpejt të zgjidhet problemi i tyre një herë e gjithmonë. Qytetarët duhet të jenë të njoftuar tashmë se, nuk janë të huajt që ne na përkëdhelin. Përkundrazi, në KB dhe në botë ka mjaft jo veç sllavofilë, por edhe kundërshtarë të drejtpërdrejt. As kjo nuk duhet të na habit asnjëherë. Po për këtë duhet punë me përkushtim e vendosmëri. Si ngjashëm më duket edhe veprimi politik e ekonomik i evropianëve në bashkimin e tyre. Si duket edhe atje ka kuadro jo aq të perfeksionuar me dije e politikë fleksibiliteti. Edhe te ata ka interesa gjithashtu të grupeve. Dhe më duket për këto vite se, shumë pak ose fare nuk ka ndonjë personalitet me një kredibilitet të mjaftueshëm, që të ndikoj në pikëpamjet e një Bashkimi Evropian të vërtetë. Fjalën e kam më parë për ato shtete që i thonë vetvetes se janë të bashkuara për qëllime të përbashkëta, të organizuara për një politikë të drejtë në mes tyre, për një ekonomi të fortë e të qëndrueshme ndërshtetërore e kontinentale. Prej nga do të bënin edhe një influencë të mirë e të dukshme në shtetet e Ballkanit; te popujt ende të turbulluar në kokat e tyre me nacionalizëm të theksuar dhe me një urrejtje që mbetet herë-herë patologjike, në mënyrë që të bënin ndryshime esenciale juridike, ekonomike, kulturore e politike në përgjithësi. Këta do të duhej të emëronin fajtorin kryesor me ambicie të një hegjemonizmi të përhershëm. Nuk ka më arsye që të sillen në rreth me të njëjtat mjete politike – vetëm Serbia është fajtori kryesor. Kush thotë se duhet të përkëdhelet aq shumë Serbia, se, paska humbur kaq e kaq km2. Kosova s’ka qenë e Serbisë. Ajo ka qenë e kolonizuar. Nuk mund të mohohet puna dhe ndihma që është bërë në Kosovë nga BE dhe të tjerët. Dhe me gjithë investimin e tyre material e ideo-politik në këto terrene, e duket se nuk është i paktë, edhe kur bëhet fjalë për Kosovën – shtet i ri, nuk doli deri më tash rezultati i kënaqshëm. Nuk është bërë kthesë e duhur. Me një popullsi shumë vitale që do të kishte mundësi edhe për një eksploatim të profileve të reja në lëmenj të ndryshëm të sferës shkencore e kulturore. Apo, me mos suksesin e tyre në këtë vend të vogël, ka diçka që të bën të dyshosh. Ka diçka që nuk po kristalizohet si duhet që të marrë këmbët  ky vend, por edhe i gjithë rajoni.

Korrupsioni dhe kriminaliteti – Kosova dhe Evropa

Shqiptarët, duke menduar se në gjithë botën e edhe në Evropë ka korrupsion dhe kriminalitet, po mendojnë se s’është gjë e keqe që kjo të ndodhë edhe në Kosovën e lodhët  (nuk flasim për ata të Maqedonisë e të Shqipërisë),  të vuajtur qe sa kohë e shumë të varfër. Nëse evropianët përpiqen ta plaçkitin njëri-tjetrin, ta zëmë, apo ndonjë individ të keqpërdor pozitën në institucione, qytetarët e atyre vendeve i mban shpresa se, nesër pasnesër, me ligjin që e respektojnë të gjithë do të munden t’ia nxjerrin edhe ato që ka futur në bark. Madje cilido qoftë e i çfarëdo hierarkie publike. Edhe, nëse diku në ndonjë resor rrjedh nga arka shtetërore në dëm të qytetarëve të një vendi, nuk mbeten automatikisht të tërë të korruptuar. Ka shëndetësi, ka gjyqe, ka ekonomi dhe forca tjera shtetërore. Kosovës i thonë që të bëhet gati për një lidhje e edhe për anëtarësim (kush di kur), por realiteti tregon diçka tjetër. Këtu u frymëzuan njerëzit nga dikush prej dika që ta rrjepin vendin e vet e të mos përgjigjet askush për “cirkuset” që ndodhin për çdo ditë. Tashmë, nuk mund të fshihen, por askush nuk skuqet (ata që duhet të ndihen fajtorë). Shfaqen afera të ndryshme në privatizim të ndërmarrjeve shoqërore, klani nuk e prish fare lezetin. Bëhen plaçkitje në tenderë të ndryshëm, tregohen haptas, zyrtarët tanë deri te ministria nuk u vjen turp fare, afera mbulohet me një aferë tjetër të një hiq gjëje. Për të gjitha aferat (s’më ka shkuar mendja se do të vepronin njerëzit tanë kështu) që kanë ndodhë deri më sot, maksimumi i dënimit të zyrtarëve (atyre më të vegjël) u jepet nga një muaj burg. S’ka vend për të burgosur më. Duhet veç burgje të ndërtohen te ne. Pra, këtu është poenta kryesore, pse po dëshiruakan të udhëheqin institucionet grupe e parti të ndryshme te ne. Sepse, në anarki mund të depërtosh si të duash. Duhet të lidhesh me grupe që e kanë këtë zanat dhe vija është e gjatë, por ti nuk do të trembësh nga ndonjë përgjegjësi. Evropianët vendosën gjyqe, duke shpresuar se do të ndërmarrin masa ligjore ndaj atyre keqpërdoruesve (meqë ne nuk po e dëshmojmë ta qeverisim vetveten me ligje), por edhe këta nuk bën gjë. Nuk vunë ndonjë rregull, pos disa skenave me kamera, që të duket sikur po xhirojnë filma kriminel. Ndoshta çdo krim po u lejohet zyrtarëve tanë nga mbikëqyrësit me qëllim që të vetëfundosen. Ndoshta edhe kështu dikush e ka bërë planin për një kthim prapa. Na s’po marrim vesh më shumë. Tash po shihet se Serbinë s’guxon kush ta qortoj për asnjë delikt. Për asnjë obstruksion që vazhdimisht merret e vepron kundër shqiptarëve!

Mjetet e informimit  dhe analistët – gërdi nga termat

Nuk mund të krenohemi gjithherë edhe me mjetet e informimit, sikur që nuk mund të pajtohemi disa herë me shumë punë tjera. Të gjitha mediet (që duhet të jenë veshi dhe syri i qytetarëve), të shkruarat e elektronike, kush më shumë e kush më pak janë të lidhura me “patronin” e vet, përkatësisht partinë, donatorin. Dhe, mbrapshtë e mbarë,  pak ka mbetur gjë pa u thënë për të gjitha të këqijat, madje edhe për personazhet e këtyre dramave që po luhen para syve të opinionit publik. Disa prej këtyre medieve, qofshin edhe publike, mezi presin të gjejnë ndonjë aferë që të ndikojnë në publik, por gjithsesi për ta njollosë palën e kundërt. Kundër asaj palës që është rekrutuar. Por, shumë pak për realitetin objektiv kah do që vjen.  Të shumtë janë bërë këta analistë, sigurisht nga disa OJQ, të pavarur e më shumë të varur, po prej tyre vetëm llafe ka. Më pëlqeu njëri prej profesorëve një natë në fb, dua ta parafrazoj, kur shkroi se si ishte “gërdit prej emrave intelektual, profesor, magjistër, inxhinier, politikan...” etj. mund të shtojmë edhe gërdi prej disa shkrimtarëve, poetëve, publicistëve... dhe gërdinë e madhe na kanë sjellë edhe përsëritja e fjalëve: “ngërçi”, “gërçi”, ngërçi politik”. Secili spiker i mjeteve audio-vizuale, por edhe i  atyre të shkruara. Secili krekoset se çdo gjë e di, në realitet i përsërit të njëjtat. E analistët tanë, me përjashtime, janë një asgjë hiq veçse duhet të përmbushet vakuumi në emisionet e televizioneve e faqet e bardha të gazetave. Një pjesë e tyre, bashkë me mediet, është për ta topitë majën e tehut. Gjithsesi, analistë po, por ata që janë profesionistë e me përvojë...të paanshëm e shumë refleksiv. Të kujdesshëm e shumë të prajshëm. Ndoshta pak janë të ndikuar nga ata të Shqipërisë, veç me do “potera” e të shara. Çfarëdo të thotë kjo, kur iks personi çdo ditë shan e anatemon të gjithë ata që flasin kundër këtij, a atij  grupi e personaliteti...veç ky e këta kanë të drejtë dhe ju të tjerët jeni tradhtarë! E i lexojmë ato copë letra dhe kujtohemi, për çfarë arsye të tjerët  (s)janë tradhtarë?!

Lodhet opinioni publik me interesat e grupeve për pushtet

Kemi  thënë edhe ndonjë herë tjetër se, këta njerëz që po votohen pre qytetarëve, pozita po i emëron kandidatët cilët do vetë, e këta më shumë po vetëkënaqen për pushtet se që do të mendojnë, sa punë të mëdha ka për t’i shërbye këtij vendi po të donin. Asnjëra prej partive të mëdha nuk ka bërë kurrfarë reformimi të brendshëm. Asnjëra prej tyre nuk janë imune ndaj krimit, korrupsionit e të një pasqyre jo aq me reflektim të mirë. Që të tri partitë me zë (ldk, pdk, aak) i kemi provuar në qeverisje të këtij vendi. Nuk mund t’i krenohen as njëra tjetrës, por as nuk kanë ndonjë zgjidhje të planifikuar për ta nxjerrë nga gjendja e sotme këtë popull në të gjitha pikëpamjet, e sidomos për shpejtimin e zhvillimit ekonomik. Jo të pritet kaq kohë si një lojë e fëmijëve për zgjedhjen e institucioneve të reja, krejt kjo ka shkuar në shpinën e qytetarëve e të këtij vendi. Lodhet krejt Kosova nga interesi i grupeve dhe individëve! Pse nuk mund të vendoset se kush do të qeverisë në institucione? Patjetër duhet dikush ta qeveris këtë vend. Ne kur ka përfunduar lufta, e kemi menduar se me Serbinë nuk është kryer krejt puna. S’është aq rehati me të...por se do të bëhemi kaq rivalë ndaj njëri-tjetrit, madje në mënyrë të pakuptimtë, kjo s’është menduar. Populli ka pasë vullnet dhe nuk është kursyer e nuk ka dështuar. Me siguri që nuk duhet të shkohet me parullën, “për  inat të resë, më vdektë djali!” Mendohet në këtë rast, le të vdes i gjithë populli, le ta braktis vendin, le të falimentoj edhe shteti i sapo nisur “pa mua”! Në vend se të zhvillohet ekonomia, të përparoj arsimi e shëndetësia, të rritet standardi i qytetarëve, të zbutet shkalla e papunësisë, të pakësohet shkalla e ulët sociale, të respektohet ligji e të riparohet edhe aq sa është përmbysë qe sa kohë.

Partia (koalicioni) në pozitë

Asnjëra palë nuk janë pa gabime. Të njëjtat kanë veprime gati njësoj. Ndoshta, duhet të përkrahet mendimi i gjykatës – kushtetueses. E pastaj, le të mendojnë secili do të vijë në pushtet si duhet të sillet. Por edhe opozita nuk mund të bëj çfarë të dojë. Dhe të sillet sikur nuk ka kurrfarë barre.

Të emërohen nëpër institucione, qofshin ekonomike e administrative, arsimore e shëndetësore, në gjyqësi e kulturë njerëz me integritet profesional e moral. S’ka vend për ata që nuk e bëjnë shërbimin në interes të shoqërisë. Duhet të hiqet hipoteka e klietelizmit e meritokracisë pa bazë profesionale dhe morale. Në interes të Kosovës, të braktiset hipokrizia në mes njëri-tjetrit. Secila parti që vjen në pushtet zgjedh kuadro qofshin më të dobëtat për qeverisje institucionesh, se është i partisë dhe i është premtuar, qoftë edhe ndonjë gjysmë analfabet. Nuk dua tash t’i numëroj e as t’i emëroj.  Kjo do të thotë sipas asaj fjalës popullore:  “Pas meje, hu ngulur mos mbettë!”  Do të ishte parulla më e keqe e s’është devizë në zhvillimin e një shoqërie! Sepse jeta vazhdon me gjeneratë pas gjenerate. Një herë luftohet. Një herë shuajnë jetën njerëzit për atdhe. Niset me disa shteti dhe vazhdohet me të tjerët.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora