E shtune, 03.12.2022, 03:55 PM (GMT)

Kulturë

Cikël me poezi nga Remzi Limani

E enjte, 23.10.2014, 05:46 PM


REMZI LIMANI

 

Cikël me poezi

 

ETJEN TIME SILLE ME VETI

 

Nëse merr udhë drejt meje

Eja së bashku me këngën e zogjve

Nën sqetull fshehe syrin e bukur

Mos ta hetojë Ujku i pranverës

 

Nëse e zë hapin drejt meje

Lulet e fustanit mos i zhvesh

Eja t`i shkundi me dorën time

Ta marr ngryk aromën Tënde

 

Nëse vërtet nisesh drejt meje

Eja me dritë hëne në ballë

Etjen time sille me veti

Ta shuaj mallin e kallur për Ty

 

 

PA TY

 

Pa Ty

Çdo gjë dukej e pështirë

Ora e zallit nuk rrjedh kohë

Ditët e vdekura palohen pa fjalë

Plima e zogjve të uritur

Tashmë është fshirë nga qielli

 

Pa Ty

Çdo motiv nate mbyllet i vetmuar

Kallëzimet e ditës s`çelin gojë

Kujtimet merendohen nën qepalla

Malli shkyen këmëshën e natës

 

Pa Ty

Netët çelin istikame plagësh

Ditët s`i zë syri i përlotur dot

 

 

PO TË ISHA NJË KOKËRR LOTI

 

Gjithandej shtigjeve te thyera

I ngarjuar me një thes mërzi

Mbi gjunjë të këputur kohësh

Mezi hiqesha drejt ëndrrës sime

 

E paramendoja natën me drita

Dhomën e shtruar me Ty

Një shtat nudo të njomë shpaluar

Trupin Tënd të dehur mrekullisht

Me aromë Bulgari Diamonds

Të shtrirë pa thënë asnjë fjalë

 

Nëpër vijat e bollshme trupore

Format Tua të çitura nxjerrnin frymë

Pa e thënë asnjë të vetmen fjalë

Shtangnin shikimin mbi gjokse

 

Eh, po të isha në një kokërr loti

Të rrogullisesha nëpër trupit Tënd

Deri tek mbivithet Tua të ngrohta

Ta zë gjumin që s`e kam

 

 

PAK STREHË DASHURIE

 

Errësira më vjen nga heshtja

Drita më vjen nga Ti

 

Andaj, me një zhuritje zemre

I shpërmendur pas hijes Sate

Kërkova pak strehë dashurie

Ama vetëm pak...

Të grimcoja pak troha jete

Nga verbëria e veshur syve

T`i prejë perdet e mykyra

Në buzët Tua të ringjallem sërish

 

Mbështetur në skiç të mendjes

I mbështjellë me heshtjen Tënde

Me teh të mendjes së ngulitur

Do t`i çeli gjithë udhët e dynjasë

Për të gjetur shtegun drejt Teje

 

 

BARRË DASHURIE

 

Me një thes fjalë dhelkash

Të mbushur dashuri deri në grykë

Mora udhë drejt Teje

Ta puthja dorën e nusës paluar

 

Me një thes, shpirt i shqyer

Të mbushur me etjen për Ty

Drejt teje e zura shtegun

Ta zë priten tek shtegu i luleve

 

Me një thes të arnuar vitesh

Të qepur me fije floku të thinjur

Drejt teje nisën hapat e etheve

Daullet e gjakut t'im të mërdhirë

Filluan të rrahin me zemrën Tënde

 

 

LOJË E HEDHUR...

 

Në kremtën e Ditës Mbretërore

Të ftova me Dorën e Vallëzimit

Me injorancë e shqeve ftesën

Më the se nuk e di gjuhën e mbretërve!

 

Çfarë ka lidhje vallëzimi me gjuhën?

Gjuha nuk të duhet as për shtrat

Trupi flet me gjuhën e ndjenjave

Loja e trupit flet me gjuhët e botës

 

I bëra ftesë shkëlqimit Tënd

T'i shoh gjithë buzëqeshjet rreth Teje

Por, ç't'i bëj lojës Sate të hedhur...!

Të mbeshtjellë me dredhi...!

 

Tashmë mbete Sy i Shqepur!!!

 

 

MOS LEJO

 

Mos lejo

Të të zhveshin erëzat e lakmisë

Stuhitë e natës të të rrëmbejnë

 

Mos lejo

Të lëpijnë qentë ëndrrën time

Bëhu nusja e natës sime

Hiqe duvakun prej letre

Sonte shtrydhe etjen e shpirtit

 

Mos lejo

Kafshimet e djallit të vulosen në Ty

Merre gjumin në prehërin tim



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora