E marte, 23.04.2024, 03:26 PM (GMT+1)

Kulturë

Tefik Selimi: Lufta dhe liria në veprën e Jusuf Bislimit

E marte, 21.10.2014, 07:24 PM


Botime të reja

Lufta dhe liria artistikisht të trajtuara në veprën e Jusuf Bislimit…

Nga Tefik Selimi

Poetët janë frymorë të çuditshme në jetë. Ata janë thërmi e kësaj bote, por me sytë e tyre të “mëdhenj”, shohin çdo gjë. Lapsi i tyre është paqë, liri, atdhe, gëzim, hidhërim, por është edhe dashuri, urrejtje, përjetësi, lumturi, por edhe armë për armikun... S’ka gjë më të bukur se lapsi! Kësaj here është fjala për librin “Shfryhem në frymën tënde, të Jusuf Bislimit, autor nga Gjilani. Një vepër e bukur arti, të cilën autori e ka botuar ditë më parë. Kjo vepër poetike në vete ngërthen disa këngë (poezi) që autori i ka ndarë në tre cikle: Vajevuajtje, Rrezengazëllimë dhe Lot i patharë. Një ndarje “tjetër” nga të tjerët. Vepra lexohet për një qast. Thënë plot gojë, këto poezi janë shkruar me një përkushtim të veçantë. Ato (poezitë), janë vlera të bukura artistike. Janë “grimca” historie, por edhe rrëfime të përjetuara të kohës së luftës, ngjarje këto të ndodhura jo aq larg kohës sonë. Këtu vargjet “flasin” e rrëfejnë një kohe të kaluar, luftën e fundit në Kosovë etj. Për këtë luftë (1999) kanë shkruar qindra autorë: poezi, proza e vepra të ndryshme dokumentare etj. Por, secili autor e ka pasqyruar këtë tragjedi sipas “shijes” së tyre. Jusuf Bislimi (1949), është krijues jo i sotit, por i një kohe më të hershme, i cili, herë pas here ka botur vjersha e shkrime të tjera në disa gazeta për fëmijë e për të rritur në Kosovë e Maqedoni. Autori, J. Bislimi është nga fshati Bukovik i Gjilanit. Gjer më tani ka botuar shtatë vepra të ndryshme letrare, e ato janë: “Kush e zgjon ditën” (2011), “Loti në qepallë” (2012), “Flakë në zemër” (2012), “Mbi krahët e lumturisë” - tregime për fëmijë (2013), “Dhimbja e dhembjes” - poezi për të rritur (2013), “Shprishja e ëndërrave” -  poezi e përkthyer në gjuhën rumune nga Baki Ymeri (2013), “Ferr apo Parajsë” -  libër dokumentar (2013) dhe ditë më parë botoi librin e tetë në fjalë me poezi “Shkrihem në frymën tënde” (2014). Jo vetëm kjo. Ajo që e dallon këtë vepër është fakti se, poezitë e kësaj vepre nuk kanë tituj të krijimeve letrare. Është poemë lirike. Poeti në ciklin e parë dhe në ciklat tjerë, e ndryshon “gjendjen” dhe, në vend të titullit të poezisë, ai poezitë i emërton Kënga parë, e dytë e tretë etj. Pra, kjo është ajo forma “tjetër” e autorit, i cili veprën në fjalë e dallon nga klishetë e zakonshme. Pra, libri na del një  poemë, e cila ka si ngjarje, rrëfimin e luftës, ngjarje kjo rrënqethëse dhe tronditëse për të gjithë. Autori, Jusuf Bislimi e ka të njohur këtë temë  të luftës së fundit. Ai, para do kohe, e ka botuar librin: “Ferr apo Parajsë”. Ky libër flet gjerësisht për ngjarjet e luftës së fundit 1999. Pra, nga kjo ngjarje, J. Bislimi është frymëzuar dhe ka shkruar librin në fjalë, i cili, pak ditë më parë, doli nga botimi dhe është një sihariq i befasishëm për lexuesit tanë. Janë vargje të lira, të cilat në vete ngërthejnë ngjarje trishtuese e tmerruese, të cilat, tek secili njeri kanë lënë gjurmë të pashlyeshme. Në poezinë e parë, të cilën e pagëzon “Kënga e parë”, poeti këndon: “Toka që më fali shpirt/ është më tepër se e shenjtë”, sepse kjo tokë (atdheu), e ka historinë e lashtë dhe e quajnë “dheu i pellazgve”. Pra, autori artistikisht e rrëfen historinë e lashtë të popullit shqiptar. Poeti me imagjinatë prej krijuesi, ka hapëruar lirshëm për të treguar e rrëfyer të tjerëve se atdheu ynë është i lashtë, i cili ka kaluar nëpër udhëkryqet e kohës. Ja si shton autori:  “Ky popull, me nëna e nuse/ me fëmijë e pleq/ mbetur horizonteve/ në udhëkryqe errësirash/ (f.7). Pra, poeti, nëpërmjet imagjinatës krijuese ka evokuar të kaluarën tonë të hershme, e cila u la me gjak. Poeti, shton: “shumë vajevuajtje krijuan”, pati “mundime, shkatërrime/ sa shumë këmbë të këputura/ ndanë duar nga përqafimet/ buzë të thara lanë/ e trupa coptuar me bajonera/ shumë puthje të përgjakura i lanë në gjumë”. E populli, në ikje për shpëtim, kaloi kufi, në ecje mortore, për të mbetur varre të hapura në tokën e djegur”. Ishte skenar i armikut ta quan vendin tonë, tokë e djegur. Ky armik solli tmerre, urrejtje, varre, dhunë gjer në pakufi, ku s’pat njerëzi, por armiqësi, të cilët “donin t’ia shkulnin edhe rrënjët/ ... në tokë të djegur” (f.9). Ky popull vuajti 78 ditë në pranverën e vonuar, ku ditët ishin të zymta, të errta, e netët me droje, e malet, si thotë poeti, tundeshin, ku shtërngata (armiku) rrëzonte lisa. Por, pas kësaj jete, “erdhi e lumja (kupto: Liria)/ çelën zambakët e bardhë/ doli ylberi/ fluturat gërshetuan/ në fluturime dashurie” (f. 11). Kjo këngë është pjesë e kësaj poeme, e cila i gjason poemës së F. Gungës, “Poema për ata”, në të cilën ka frymorë, ngjarje, vend e kohë. Poeti në një strofë, shton: “Dikur në një fushëbetejë/ shpatat u kryqëzuan/ vranë, prenë e grinë/ derisa toka/ u shdërrua/ në vërshimë gjaku” (f. 12). Poeti J. Bislimi ka bër lidhjen e ngjarjeve të veprës së tij. Ai në këngën e tretë, sikur e ndjen optimizmin e jetës, sepse, pas luftës 78 dite, ngadhjneu liria e fituar me gjak. Filloi të agojë drita. E, poeti, shton: ”Kur ylli i dritës/ zbriti mbi Bungishtë/ humbi rrezet/ nëpër rrugicat e errësuara/ unë braktisa vendlindjen me mendimin e tretur, (por) thirrja e nënës më zgjoi: “Ktheu sa ma parë/ në zemër/ të laleçelurave/ mbushe shportën/ me të gjitha ngjyrat e luleve/”. Populli ynë ka vuajtur nga përndjekjet e të huajve pushtues, të cilët e larguan popullin nga trojet stërgjyshore. E poeti e përjetoi këtë zezonë, e cila, në këto ditë të ngjarjeve tragjike, poeti do të shtojë: “Do të kthehem në vatër/ ku e lash vajin e përlotur/ së bashku me mallëngjimin” (f.19). Në këtë luftë tragjike u vranë shumë njerëz. Poeti e quan “Festë me duvak të zi”.  Nga kjo gjendje trishtimi, ka shumë vaje, e poeti shton: “mbi ty po fluturojnë zogjtë/ por nuk po këndojnë/, në kopshtet tua/ shumë lule po çelin/ por aromë s’po kanë” (f.22). Siç vërehet, në këngën e katërt, poeti e rrëfen vetvetën në largim nga atdheu. Ai në qytet të huaj thur ëndrra, e ato që i ëdërron, nuk e gëzojnë. Poeti, shton në vargje: “U nisa në kërkim/ të jetës përrallore, kalova fusha, pllaja, ograja e blinaja, male të thepisura e pellgje, pas udhëtimit të lodhshëm, edhe me neveri, nuk e dija a jam ëndërr apo zhgëndërr, një pamje e mjegullt mu afrua ngadalë për të më mbajtur mbërthyer”. Atje poeti takon njerëz me ngjyra lëkure, me besime e raca të ndryshme: “si unë në vend të huaj më” (f. 24). Këto janë dramca jete. Andaj, poeti kah endet, sheh ngjarje, varre, mure të shkatërruara, por sheh edhe gjak të derdhur rrugëve. Ai këndon: “Në njërën anë plot mure, e në tjetrën varre”. Apo: “Kur toka u vërshua me lëng gjakuk/ qielli u ndez flakë/ varret u mbushën krushq/ këndon në heshtje/ pas flamurit të kuq” (f.29). Në kaptinë e dytë me titull: “Rrezengazëllimë”, poeti Jusuf Bislimi e ndërron “gjendjen” e këndimit. Pas luftës, vjen liria. Tek secili shihej optimizëm i paparë. Ai dhe njerëzit e tij duan qetësi shpirti. Nuk duan hije të zeza, por të mos mbeten pa trashëgimtar e pa jetë, pa buzëqeshje. Ja si këndon poeti: “Zemra ime u bë e madhe/ vargut të poezisë/ iu kthye shkëlqimi/ me rrezet e arta/ të agimit” (f. 36). Ky autor u drejtohet të gjithëve duke i porositur të jetojnë si në çerdhen e gëzimit se ka filluar kënga e re, e ai këndon: “Tash ti ke trung/ e rrënjë thellë i lësho/ s’ka më lakuriq/ as korba zi/ lirshëm frymo” (f. 37). Kjo pjesë e këngës apo poemës të përkujton poemën e N. Mjedës “Vaji i Bilbilit” e ndonjë tjetër. Ajo që të bie në sy në poezinë e kësaj vepre, janë emrat e disa toponimeve të njohura për autorin. P.sh., Mali i Blisë, Molla e Kuqe, Bungishta, Kodra Mullake, Arra e Vjetër, Rrapi i Moçëm, Lugaja e Luleve  etj. Janë simbole, por edhe vende autoktone. Ja si shprehet poeti: “Kur gjethoi mali i Blisë/ më kaploi malli/ për shtëpinë e fëmijërisë” (f. 49). Poeti nuk i frikësohet ikjes nga kjo botë. Ai shton: “Një ditë do të ikim bashkë/ më prit o vdekje t’i kryej edhe ca punë, mos eja...” E autori i veprës s’nuk mund t’i ik vargut migjenian, “Pak dritë...”, kur shton: “ende natë, dielli nuk ka lindur/ gjelat si kam dëgjuar/ se kanë kënduar”. Ai e përkujton frymën e fundi të nënës që i mungon: “Sot shkrihem ëmbël me frymën tënde, preku ngjyrat e ylberit duke ta dëgjuar frymarrjen tënde” (f.59). Është ky mall i pashuar i tij, kur shton se, “ më mungon dora jote/, malli më djeg shkrumb/, mungesa e buzëqeshjes sate/ më plagose zemrën/ pa asnjë plumb” (f. 65). E redaktori i librit Hysen Kqiku, duke folur për librin e J. Bislimit thotë se, “metafora e kësaj vepre është gjetja dhe shtrirja e frymës krijuese në një rrafsh metaforik të stolisur dhe spikatur me figura të tjera stilistike dhe gjetje elementesh shprehëse me një gjuhë të begatshme e semantikë hulumtuese”. Me fjalë të tjera, kjo vepër është një poemë e një forme të veçantë krijuese, për faktin se, këtu gjejmë jo vetëm rrëfimin e ngjarjeve, por edhe trajtimin arstistik të luftës së përjetuar nga vetë autori i librit. Libri ka 72 faqe dhe është i botuar nga Shtëpia Botuese “Kurora” në Gjilan.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora