Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Hysi: Sa bukur është kur ke të dashur!

| E marte, 21.10.2014, 06:30 PM |


Sa  bukur është kur ke  të dashur !!!

Tregim

Nga Përparim Hysi

E di  që qysh në titull do filloni dhe do më  paragjykoni. Po unë e kam hedhur kryqin mbi shpinë. Pra, nuk tutem nga paragjykimet. Dhe para se sa ta mbroj veten nga këto paragjykime, shtroj pyetjen fare të thjeshtë: cilit apo cilës prej jush nuk i  hahen "hudhrat"? Po. E them me gojën plot: sa bukur është kur ke të dashur!  Unë që e them  këtë, jam femër, por thënia është e vlefshme dhe për meshkujt. Për këta, elbete:  ca më shumë? Se kush ua prish ajkën atyre! Ata janë pak si një "rracë superiore", krahasuar me ne, femrat. Tek shkruaj kështu, mos kujtoni se kini përpara një adoleshente që, porsa e ka zënë qymyri dhe zë mban leksione për dashurinë. Jo. Tanimë unë jam një grua e pjekur dhe me përvojë në këtë fushë. E martuar dhe me fëmijë. Parë nga kjo anë, dukem sikur më janë liruar burgjitë. Ose siç thoshte plaka Qeriba, me famë në fshatin tonë, për ndonjërën ( të liruarën nga burgjitë, de!): - Këtë,- thoshte,- burgjia e bishtit e mban. E thoshte plaka Qeriba se  ishte nga ato "drutë" e para, të rritura në hije dhe nuk kishin parë diell me sy. Kurse unë, tamam-tamam, jam e një prerje tjetër. E kur them "prerje", u futa në ullukun e plakës Qeriba. Kjo  dhe rrobaqepsit i thotë: terzi! Shkurt: është me kohën e babaqemos!

*    *    *

E martuar jam dhe bërtas:- Sa bukur kur ke të dashur! Tek e lexojnë, e di që njëzëri do thonë: ka shkarë ose është cipëplasur! E thonë me zë të lartë: si meshkujt dhe femrat. Se të gjithë janë të n d e r s h  ë m !!!  Ndodh si me atë sentencën aq të njohur: ta ngrejë gurin ai që nuk ka bërë mëkate. Para kësaj alternative, të gjithë stepen. E dini pse? Se janë të n d e r s h ë m !!! Po jam e martuar. Jam familjare  e mirë dhe kam dy fëmijë si drita. Por ja që ndodh dhe  kështu: kam dhe një të dashur! Ky, i dashuri, ma rrit adrenalinën e gjakut dhe, pothuaj, është si një fllad freskie në jetën time. Martesën dhe jetën bashkëshortore unë e quaj si një detyrë shtëpie. Si ajo detyra e shtëpisë që mësuesi u jep nxënësve. Dhe kush nuk u mërzit nga një detyrë shtëpie, vallë? A nuk ka nevojë njeriu (mashkull a femër qoftë) që të relaksohet në momente të ndryshme të jetës? Pasqyrat janë përpara. Bota sikur ecën me galop dhe shoqëria jonë me ritmin monoton të gaforres. Asnjeherë nuk jam grindur me timshoq. Kam tridhjetë vjet që jetoj me të dhe, pse u mërzita nga ajo "detyrë e shtëpisë" familjare, sikur ndërrova mjedis.  Mos më kujtoni si ndonjë femër të harlisur që  kam marrë frerin  nëpër këmbë. Jo. Po për çdo tregoj, ndodhi si vetvetiu.

*    *    *

Unë punoja  në një  zyrë me të. Me të: me atë që tani është i dashuri im. Është i dashuri im, por jo burri. Burrin e kam dhe e dua. Njësoj siç e kam dashur dhe më parë. Si është e mundur?- do pyesni. E mundur që çke me të. Epo të rrish me burrin e botës me një zyrë tetë orë të mira, nuk është dhe aq e lehtë. Se prej hekuri nuk është as ai dhe as unë. Hë një kafe, hë një çaj dhe, pak nga pak, si punë e asaj farës së grurit që ca prej ujit dhe ca prej dritës, vjen duke u rritur ditë pas ditës, ndodhi dhe me ne. U bëmë aq të afërt, sa as që patëm fare zor kur u puthëm për herë të parë. Puthja qe si një prelud dhe, mandej, të tjera e të tjera që i mirrin vet me mend. Që atë ditë unë sikur u përtëriva dhe u bëra tjetër. Ju them dhe jam shumë e saktë: në se  ndodh një lulëzim tek një grua e moshës sime,  ndodh se ajo ka një të dashur. Ja, më shihni mua:- Përse unë vishem kaq bukur? Përse vesh atë fustan me ngjyrën që i pëlqen atij?  Imshoq kurrë nuk ka vënë re se çfarë vesh dhe se ç'ngjyrë e vesh. Kurse ky, e do si pak të hollë ku të dukem sikur jam  lakuriq. E do ky dhe fjalën as që ia bëj dy.

Kur dalë nga shtëpia, tani që kam të dashur, mend i zbres shkallët dy e nga dy që të nxitoj për t'u parë me atë. Njësoj si ai zogu që, sa ka lënë puplat, tani është bërë me krahë. Sa mbrrij në zyrë (unë e di: ai ka ardhur para meje dhe mezi më pret), ku ka më mirë se sa kur zgjatet një dorë mashkulli që më kap nga supet dhe më tërheq nga vetja. Po. Po. Kështu ka ndodhur as mos tundni kokat tuaja të  n d e r-

s h m e!!! Zgjaten ato duar të tij dhe ku ka më ëmbël si oksigjen për mushkëritë dhe zemra çelet e bëhet maj. Mbushesh  me energji dhe je gati t'ia marrësh këngës. Se muzikë është dashuria. Këtë muzikë e duan të gjithë, por bëjnë sikur nuk e "duan" dhe e "dëgjojnë". U ka mbetur ora në  mesjetë. Si ora e plakës Qeriba. Ora e plakës Qeriba? Po ajo dhe orës i thotë: sahat ! Pra, "sahatçinjtë" nuk e duna atë lloj muzike. Për të qenë më e drejtpërdrejtë me ju: në se ajo "dhoma" jonë e femrave ka një "dritare", unë e bëra me dy. Tani shtroj pyetjen për të gjithë: kur "ajëriset" më mirë dhoma me një dritare apo me dy? Moralistët (gjithmonë bërtasin më shumë të pamoralshmit) e di që do më vënë në  kryq si  Krishtin, por unë flas për njerëz me gjykim të kthiellët.

*    *   *

Malli ( e kam fjalën për dashurinë) është erozion që grryen shtratin e shpirtit. Krahas burrit zë e do atë, tjetrin, sipas mënyrës tënde. Dhe aq e do këtë, të dashurin, sa nuk vë re ndonjë të metë tek ai. Aq "verbohesh" pas tij sa dhe "thinjat" ( epo ky, "imi", sikur ka ca thinja), nuk i vë re. Të duket se ai nuk do plaket kurrë dhe do jetë po aq vital, sa ç'qe kur shkëmbeve puthjen e parë me të. Vitet  tek ai sikur bëjnë invers dhe shpirtin e ka të tërin blerim. Ky "blerim" i tij është  si punë "virusi" për mua se zë dhe më indukton. Tek shkruaj për të, me mendje  vjen dhe më afrohet ajo këngëtarja e madhe franceze, Edit Piaf që thoshte:- Mungesa e një mashkulli në jetën time i ngjet një dite me shi. Mashkulli,- thoshte Piafi,- është dita me diell. Kur  e lexojmë këtë thënien e Piafit (asaj "harbaeles" së famshme), të gjithë e pëlqejmë: burra dhe gra, kurse , kur e them unë, del si një harlisje që prish moralin   e atyre të " ndershmëve". Vetminë as që e dua. Këtu, tek tregoj, mos kujtoni se unë jam një heroinë nga ato telenovelat dhe aq. Jo. Jam një femër e moshës së mesme që kam një "rinim" të dytë. Ky "rinim" ka dhe burimin e tij: kam një të dashur. Dhe nuk  ka më bukur! E vetme nuk jam, sigurisht. Mëkatare  do ta quaja veten sikur ta mbaja të fshehur. Kështu më duket sikur e shijoj më mirë dashurinë  time. Hë, si thoni?!!!