E merkure, 24.04.2024, 11:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Tarelli: Intervistë me akademikun Gjovalin Shkurtaj

E marte, 21.10.2014, 06:59 PM


INTERVISTË ME AKADEMIKUN GJOVALIN SHKURTAJ

Intervistoi Kadri Tarelli

I nderuar profesor! Kam vënë re se, herë pas here, në shtyp dhe media diskutohet problemi i dialekteve. Ju prej disa dhjetëvjeçarësh jeni marrë me studimin e tyre; jeni bashkautor në veprën “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe” dhe i shumë librave e studimeve për marrëdhëniet e dialekteve me gjuhën letrare të njësuar. Si fillim dëshiroj t’ju pyes:

1. Nga se rrezikohet më shumë sot gjuha shqipe?

Nga shpërfillja, nga mungesa e  kujdesit të organizuar e të drejtuar nga shteti, nga botimet e paredaktuara e të pakorrektuara, si dhe nga një farë ndjenje e përgjithshme nënvlerësimi ndaj saj. Shqetësimi bëhet edhe më i madh, kur bindemi se kjo ndodh jo vetëm nga padija, nga mosnjohja e normës, por më tepër nga pakujdesia, nga mospëfillja e rregullave dhe  normave të shqipes standarde, nga mbivlerësimi i së huajës dhe nga nënvlerësimi (ndoshta edhe përçmimi) i kulturës kombëtare në përgjithësi.

Të folurit dhe, sidomos, të shkruarit në gjuhën letrare kombëtare ka qenë, është dhe do të jetë kurdoherë shenjë e tregues kulture. Mbi të gjitha, sikundër e kam shprehur edhe herë të tjera, duhet të rikthehet me tërë seriozitetin e duhur lënda e gjuhës shqipe në shkollat e mesme.

2. Ju keni shkruar edhe për domosdoshmërinë e një Ligji për Gjuhën Zyrtare Shqipe.

Po, mendoj se  është e domosdoshme të  tregojmë kujdesin e duhur ndaj gjuhës së shkruar në përdorimet zyrtare, në zyrat e shtetit e në krejt praktikën shkrimore të vendit, duke qenë të bindur se kjo, ndërkaq, jep dorë edhe për mbajtjen gjallë  e shprehjen e njësisë kombëtare edhe në trevat shqiptare jashtë kufijve shtetëror të Republkës së Shqipërisë. Ka ardhur koha të tregojmë më shumë kujdes për gjuhën shqipe, si tipar themelor i njësisë dhe i njësimit  kulturor e kombëtar për gjuhën zyrtare të shtetit e të shkollës, natyrisht edhe të të gjitha institucioneve që varen ose lejohen nga shteti. Këtë të gjithë e pranojmë. Ka pasur edhe premtime për masa konkrete, si p.sh. vendosja e redaktorëve e korrektorëve gjuhësorë në të gjitha zyrat e adminsitratës shtetërore e publike etj, por koha kalon dhe nuk po shihen qëndrimet aktive, ndërsa duhen veprime konkrete për ta shëndoshur gjendjen. Të gjithë jemi dëshmitarë se sot shkollarët dhe pasuniversitarët janë të interesuar dhe, madje të drithëruar për dhënien provim e pajisjen me dëshminë e njohjes së anglishtes, pra për “Toeflin”, por askush nuk shqetësohet për gjendjen jashtëzakonisht të pamirë të shqipes së shkruar e të folur në zyrat e shtetit, në universitetet publike e private e kudo. Dhe kjo situatë do të vazhdojë nëse nuk do të kemi edhe ne zyrtarisht kërkesën me ligj të provimit dhe njohjes së gjuhës shqipe, si kusht për të pasur një vend të caktuar në administratë (vendore apo qendrore).

3.Çfarë përfaqësojnë dialektet në një gjuhë dhe cili është roli i tyre në pasurimin e gjuhës shqipe standarde?

Dialektet janë pjesë e gjallë e gjuhës dhe prania e tyre lidhet me larminë dhe pasurinë e ligjërimeve e të dallimeve gjuhësore simbas krahinave, porse ato, gjithmonë kanë qenë e mbeten pjesë përbërëse e gjuhës shqipe.

Ideja se gjuha shqipe na bashkon ka qenë dhe duhet të jetë edhe më tej, duke e lëvruar dhe begatuar atë në kahet e në dritën e kërkesave të reja, të cilat, natyrisht, në radhë të parë kërkojnë njohjen, zbatimin dhe mbrojtjen e gjuhës së shkruar, të njësuar e të njëjtë për të gjithë kombin shqiptar. ?shtë pikërisht kjo gjuhë jona e përbashkët, që ka treguar e tregon se kombi ynë shqiptar ka qenë dhe është një dhe i vetëm, qoftë edhe pse i ndarë në disa shtete në Ballkan e në gati të gjithë botën në formë diaspore. Sa kohë që edhe shqiptarët e “shprishur” nëpër dhera të tjera, vijojnë ta quajnë vetën të tillë, sa kohë që edhe ata, njësoj si ne në trojet tona të moçme, ndonëse janë larg me trup, përbetohen e shprehen për shqiptari dhe vijojnë t`i duan gjuhën dhe traditat shqiptare, e kemi për detyrë që t`i përfillim e t`i lidhim të gjithë sa janë në një fill të përbashkët të kumunikimit: në gjuhën shqipe të njësuar e të përpunuar sa më hijshëm. Gjuha letrare shqipe e njësuar (apo shqipja standarde) është fitore e pallogaritshme e përbashkësisë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve. Mendoj se zhvillimi i sotëm i të folmeve popullore apo përgjithësisht i dialekteve shqiptare nuk mund të  shihet i shkëputur nga rrjedhat e zhvillimit dhe kaheve të përgjithshme kulturore e mendore të bashkësisë shoqërore e shtetërore shqiptare e më gjerë. Në mënyrë të veçantë ka luajtur rol arsimimi masiv, shtimi i peshës së mjeteve të informimit masiv (shtypit, radio-televizionit) dhe i  lirisë së fjalës publike.

4. Ka zëra që shtrojnë tezën e dhunimit apo nënshtrimit të dialekteve nga gjuha e njësuar standarde dhe anasjelltas. Si e vlerësoni gjendjen aktuale të gjuhës standarde dhe të dialekteve? Si e parashikoni të ardhmen e tyre?

Jam i detyruar të përsëris një pohim që e kam shprehur edhe herë të tjera dhe që do të dëshiroja ta dijë mirë e ta pranojë çdo shqiptar. Baza e njëjtë dhe e përbashkët e shqipes së njësuar është e paprekshme dhe, si e tillë, ajo duhet mbrojtur, ruajtur e përkrahur edhe më tej, sepse përbën treguesin  themelor të përbashkësisë shpirtërore dhe kombëtare të shqiptarëve kudo që ndodhen,  brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, në trojet e veta ballkanike dhe në diasporat arbëreshe e shqiptare kudo në botë.

Kjo bazë e njëjtë dhe e përbashkët e të shkruarit dhe e të folurit shqip në situata formale (zyrtare) i ka të gjitha mundësitë dhe cilësitë për ta mbajtur edhe më tej peshën e komunikimit të shqiptarëve me shkrim e me gojë, duke u bërë vend edhe prurjeve pasuruese, përtëritëse që mund të sjellin bartësit e saj nga vise dhe mjedise të ndryshme shqiptare.

Dialektet e gjuhës shqipe janë shumë të afërta, në kundruallësinë si dy degëzimet më të mëdha: gegërisht-toskërisht, po edhe në kundruallësinë më të ulët ose ndërmjet nënsistemeve dhe ndërdegëzimeve, a nëndialekteve dhe grupeve të të folmeve që mund të identifikojmë në secilin prej dy dialekteve të shqipes. Ideja e kufijve, sidomos e kufijve “të prerë” ose “absolutë” midis dy dialekteve të shqipes, ka shpënë ndonjëherë në vlerësime të gabuara, sidomos të atyre që kërkojnë të shohin jo dy degëzime dialektore të së njëjtës gjuhë, por dy “idioma” të ndryshme, madje dy gjuhë të ndryshme. Koncepti ynë ka qenë dhe mbetet ky: shqipja është gjuhë e të gjithë shqiptarëve dhe, në të gjitha hapësirat shqiptare të trojeve kompakte ballkanike, këndej dhe përtej kufijve shtetërorë të RSh-së, atje ku i thonë bukës “bukë” dhe ujit “ujë”, banorët e etnikumit shqiptar, e quajnë veten shqiptarë dhe gjuhën e tyre shqipe. Kështu edhe në diasporat e moçme arbëreshe në Greqi, Itali, Zarë (Dalmaci), Ukrainë, kudo që është ruajtur gjuha e tyre e hershme, arbëreshët (ose arbneshët) flasin shqip, natyrisht në forma dialektore të dallueshme nga shqipja e Shqipërisë së sotme dhe e trojeve shqiptare ballkanike, por në thelbin e vet të njëjtë dhe etnikisht e kombëtarisht të cilësuar si të tillë: arvanit, arbëresh, arbnesh, arbanas, arnaut.

Zbatimi në masë të gjerë e pa asnjë mëdyshje i gjuhës letrare shqipe të njësuar në Kosovë e më gjerë në trojet shqiptare ballkanike në Maqedoni, në Mal të Zi etj, pas hapjes së kufijve dhe në kushtet e vajtje-ardhjeve e shkëmbimeve të gjithsfershme ndërmjet qendrave të mëdha me rrethinat, do të përbëjë një pikëmbërritje jo vetëm të lakmueshme e të tumirueshme, po edhe të vetmen që ka mundësi ta shpjerë gjuhën letrare shqipe në lartësitë e një standardi të njëjtë, të vetëm e të përbashkët për të gjithë shqiptarët në trojet kompakte ballkanike e në diasporë. Natyrisht, krahas dhe në konkurrencë me  standardin (apo gjuhën letrare zyrtare) do të ecin edhe variantet e tjera jostandarde, dialektet e të folmet krahinore si dhe diferencime e timbre karakteristike për bashkësi të caktuara shoqërore brenda bashkësisë etnike shqiptare.

5. Në shtyp po hidhen ide dhe opinione se është mirë të bëhet njohje zyrtare e dialekteve? Është kjo një tezë e pranueshme dhe shkencore?

Mirë është që shkrimet rreth vlerësimit e studimit të dialekteve e të marrëdhënieve të tyre me shqipen e njësuar, të jenë serioze dhe të mos mbjellin pështjellime. Jemi në demokraci dhe kushdo ka të drejtë të shkruajë atë që mendon, por ndonjë ligj a urdhër që ta ndalojë përdorimin e dialekteve nuk e di të ketë. Unë jam dialektolog dhe po të ishin ndaluar dialektet, do të ishte penguar e ndaluar edhe studimi i tyre, nuk do të kishim bërë botimin e tërë atyre monografive dialektore, nuk do të na kishin lejuar as për të hartuar “Atlasin dialektologjik të shqipes”. Përkundrazi, e vërteta është krejt ndryshe. Dialektet janë vlerësuar si pasuri e vyer e trashëgimisë gjuhësore të shqipes dhe, qysh nga krijimet e tij, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, për dhjetëra vjet radhazi, ka dërguar leksikologë e dialektologë për të mbledhur fjalë dialektore e krahinore, duke përfshirë në masë të gjerë edhe arsimtarët në aksionin kombëtar të njohur “Mbledhja e fjalëve të rralla”. Prej asaj pune shumëvjeçare e të organizuar janë sjellë vit pas viti qindra-mijëra fjalë e shprehje, të cilat kanë pasuruar fondet e Kartotekave Kombëtare të leksikut e të dialekteve të shqipes, si dhe janë pasur parasysh për t’u përfshirë në fjalorët e shqipes dhe në studimet leksikologjike e dialektologjike, tashmë të mirënjohura. Ajo punë mbledhëse duhet të vijojë edhe më tej, duke përfshirë sidomos pedagogët e gjuhës shqipe dhe studentët e degëve filologjike të universiteteve shqiptare.

Dialektet dhe gjuha e shkrimit kanë funksione të dallueshme dhe, qysh kur krijohen shtetet kombëtare, kudo në botë, janë krijuar gjuhët zyrtare, gjuhët e mbështetura e të përdorura kryesisht si gjuhë të administratës dhe të instucioneve arsimore, kulturore, duke zgjedhur e duke i dhënë përparësi një dialekti a varianti letrar më të pranueshëm. Në shtëpi, në mjedise shoqërore ose familjare, mund të flasim edhe në dialekt, sikundër edhe mund të bjerë rasti të flasim në gjuhë të huaja, por në punë, në zyrat e shtetit, në shkollë, në institucionet zyrtare, qofshin  publike a private, duhet të zbatojmë gjuhën letrare të njësuar, gjuhën shqipe të përbashkët. Atë që po e quajmë standarde, por që, mbi të gjitha, do kuptuar si gjuha e komunikimit të njësuar, të përbashkët e sa më të përpunuar e të kujdesur. Rilindasit e thoshin edhe më për së mbari: gjuha e përbashkme.

Për mua, gjuha dhe dialektet nuk janë dy ushtri që ndeshen dhe njëra do ta asgjësojë tjetrën, por ujëra të cilat nisen nga treva të ndryshme dhe shkojnë në të njëjtin det të përbashkët. Midis shqipes së shkruar e të njësuar (që po quhet “standarde”) vepron parimi i enëve komunikuese: dialektet marrin nga shqipja standarde terma, fjalë e mëynra të thëni dhe kështu zhvillohen e përparojnë; edhe gjuha standarde përthith e pranon vazhdimisht prurje nga krahinat e dialektet dhe, ndonëse në fillim duket se ato sjellin një farë turbullimi, me kohë vijnë e tretën, bëhen pronë e shqipes standard, por edhe mund të mbetën jashtë saj. Prurjet nga krahinat nuk e prishin gjuhën, ato vetëm e begatojnë dhe e përtërijnë forcën shprehëse e kumtuese të shqipes. Sigurisht, edhe ajo që vjen prej dialekteve, kur pranohet në standard duhet t’u përshtatet rregullave të drejtshkrimit të njësuar.

6. Mos ka një zbehje të  gjuhës artistike në romane, drama, poema e në  kinematografi? Po në publicistikë?

Mendoj se gjuha e letërsisë artistike, duke përfshirë aty edhe gjuhën e skenës dhe të ekranit ashtu si kudo në botën e qytetëruar, edhe te ne kanë luajtur rol me rëndësi për përhapjen normave të shqipes së njësuar, për rrënjosjen e drejtshkrimit si dhe në lëmin e drejshqiptimit, të diksionit dhe të intonacionit të bukur të shqipes.

Shkrimtari fut në vepër fakte gjuhësore të zgjedhura për të shprehur idenë e tij nëpërmjet figurash konkrete e nëpërmjet tablosh. Për atë, gjuha është një mjet që i lejon të bëjë pikturimin e realitetit, ashtu siç e shikon ai, sipas konceptimit të vet, po dhe për ta paraqitur atë në figura. Do të ishte e vështirë të gjesh një mjedis shoqëror ose profesional, ose një lloj të veprimtarisë që të mos shërbejë si lëndë e parë për shkrimtarët. Sipas mjedisit ose fushave të jetës të paraqitura nga autori, sipas qëndrimit të tij ndaj materialit që i jep jeta, sipas konceptimit të tij letrar dhe estetik, do  të gjinden në gjuhën e veprës së tij elemente të stileve të ndryshme. Bashkimi i tyre në të njëjtën frymë dhe përmbajtje, në kuptimin e gjerë të fjalës, është veçanti e stilit letrar.

7. A mos është zvogëluar pesha e fjalës shqipe për shkak të ndikimeve të gjuhëve të huaja dhe përdorimit të huazimeve të panevojshme?

Sot Shqipëria është një vend i hapur, ka një shtet që mban marrëdhënie me të gjithë botën; populli ynë është tashmë në lidhje e takime të drejtpërdrejta me miq të shumtë në botë. Me fjalë të tjera, jemi bërë një shoqëri e hapur. Edhe gjuha shqipe, e cila është e do të jetë edhe më tej “gjuhë e hapur”, ka marrë dhe do të marrë edhe më tej hua nga gjuhët e mëdha të Evropës, po edhe do të përtëritet nga gurrat vetjake. Kemi parasysh sidomos prurjet e mirëpritshme të elementit verior e verilindor gjatë dhe pas shndërrimeve në Kosovë e në viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Kam përmendur fjalët e shumta nga Kosova dhe trevat veriore në librat e I. Kadaresë, sikundër kam përmendur e vlerësuar lart prozën e hijshme e të begatë me mënyra të thëni aq të bukura të shkrimtarëve me origjinë nga krahinat veriore. Gjuha letrare e njësuar nuk i ka penguar asnjë prej këtyre shkrimtarëve për të sjellë gjithë hijeshinë e vrullet e këndshme të fjalëve e frazeologjizmave prej krahinave të Veriut e të Jugut. Secili, në mënyrën e vet e në përputhje me synimet e veta artistike, sa herë e kanë të nevojshme veprojnë ashtu si e ka thënë në mënyrë metaforike Dritero Agolli, sjellin “baltën e arave” dhe leksematikën e vyer prej krahinave e vendlindjes. Edhe shkrimtarët shqiptarë që jetojnë e punojn në diasporën arbëreshe po e zbatojnë me përparësi e zell të shkruarit në shqipen e përbashkët e të njësuar. Gjuha e letërsisë artistike ka qenë dhe vijon të jetë kryesisht në rolin e vet: gjithmonë në kërkim të artit të fjalës, përherë duke qëmtuar bukurinë e shprehjes shqiptarisht, ashtu si bleta që mbledh nekatin e ëmbël dhe e shpie në hojet e mjaltit.

8. Dikur keni shkruar se fjalët e huaja janë si miqtë e rremë. A mendoni përsëri ashtu?

Lidhur me këtë ide kam pasur dhe kam një shtysë të fuqishme e dorëmbarë të një thënieje të Gerasim Qiriazit, i cili në librin e tij  “Krestomaci”, qysh më 1902, shkruante: “Memecët, atyre që u është prerë gjuha dhe nuk flasin dot asnjë fjalë, janë më të vyer se ata që nuk i vënë fre gjuhës e flasin shpenguar”. Njerëzve të thjeshtë mund t’u lejohet të flasin edhe “larë e pa larë”, kurse atyre që përfaqësojnë shtetin, që punojnë e paguhen në zyrat e shtetit dhe në institucione kulturore e në mediat e shkruara e elektronike, qofshin publike apo private, u takon të kenë gjithmonë gjuhë zyrtare, sa më të zgjedhur e të kulturuar. Mania (a më saktë megalomania) e disa prej politikanëve shqiptarë për të folur me fjalë të huaja (të panevojshme e të pakuptueshme) është tregues i cektësisë dhe i përfryrjes së pamirë mendore dhe kulturore. Rendja pas anglezizmave e ka shëmtuar keqas gjuhën e politikës shqiptare, po kështu edhe të gazetarisë sonë. E keqja është se sot ka politikanë, si dhe jo pak gazetarë, artistë, njerëz të zyrave dhe të mjeshtërive të tjera, të cilët kujtojnë se pa fjalë të huaja nuk mund të quhen të mençur e të përgatitur. Gati të gjitha rubrikat e televizioneve shqiptare në Shqipëri emërtohen me fjalë ose sigla të huaja, kryesisht nga anglishtja: INSID, BIG-BRADHER, GAT-TALENT, TUNICHT etj. A thua se shqipja nuk ka asnjë gurrë pasuruese.

Dhe e keqja nuk përfundon me kaq. Vijon “fushata” e ethshme e kthimit të fjalëve shqipe ekzistuese në fjalë të huaja, si p.sh. ngjarja bëhet event ose eveniment, shfaqja bëhet performancë,  këndoj a kërcej thuhet përformoj;  zgjedhjet vendore i quajmë “lokale” etj. Prirja për të përdorur “pa doganë” fjalë të huaja është me të vërtetë një sëmundje ngjitëse, që mund të marrë përmasat e një epidemie gjuhëvrasëse.

9. Pavarësisht mendimit tim kundër, jam i detyruar të shtroj pyetjen: Është e nevojshme të mblidhet një Kongres i ri i Drejtshkrimit, për të ushqyer më tej gjuhën standarde shqipe? Cila është përvoja botërore në këtë drejtim?

Kongrese për gjuhën kemi bërë dhe dy prej tyre janë më të rëndësishmit e me vlerë madhore historike e kombëtare: Kongresi i Manastirit (1908), që zgjidhi përfundimisht problemin e njësimit të alafabetit të shqipes, dhe Kongresi i Drejtshkrimit (1972), i cili zgjidhi një herë e mirë dhe me baza shkencore njësimin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Në mbështetje të Rezolutës së atij Kongresi, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave ka botuar librat “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973) dhe “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe”, me 32 mijë fjalë (1974). Ato vepra janë ribotuar e përhapur edhe në Kosovë e në hapësirat e tjera shqiptare, si dhe në diasporën arbëreshe dhe kanë dhënë provën e plotë se janë të zbatueshme në ballë të gjerë dhe i kanë shërbyer edhe njësimit të mëtejshëm të shqipes së përbashkët e të njësuar në përdormin  e saj zyrtar e publik, si gjuhë e institucioneve shtetërore e arsimore kultuore. Pikërisht për këtë, duke u mbështetur në nevojat e në mundësitë reale të shoqërisë sonë të sotme, me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave (mars 1974), kërkohet që drejtshkrimi i njësuar të zbatohet detyrimisht në të gjithë veprimtarinë arsimore e botuese, si dhe në gjithë mjedisin shtetëror e shoqëror, që norma drejtshkrimore të shërbejë si bazë edhe për gjuhën letrare të folur në të gjitha fushat e përdorimit të saj. Theksoj se, ai vendim është në fuqi, nuk është hedhur poshtë, prandaj asnjë nevojë nuk kemi për të shpenzuar energji, mundim e të holla për kongrese pa nevojë. Problemi i drejtshkrimit dhe i njësimit të gjuhës shqipe të përbashkët zyrtare është tashmë i zgjidhur përfundimisht. Rregullat e drejtshkrimit dhe normat e shqipes standarde duhen parë gjithmonë si pronë kombëtare dhe karakteri kombëtar i tyre duhet ruajtur e pasur gjithmonë parasysh. Me këtë përspektivë dhe simbas orientimeve të Kongresit të Drejtshkrimit është krijuar dhe ka punuar dhe vijon të punojë edhe Këshilli Ndërakademik i Gjuhës Shqipe, i përbërë nga gjuhëtarë (akademikë dhe profesorë) nga Shqipëria e  Kosova, nga Maqedonia dhe nga diaspora arbëreshe.

10. Duke përfituar nga rasti që ju jeni një gjuhëtar i njohur dhe akademik, mund të na thoni se cilat janë disa nga veprat tuaja të kohëve të fundit në fushën e gjuhësisë? Ku synojnë ato?

Të viteve të fundit janë disa: “Pesha e fjalës shqipe” (Studime të zgjedhura për gjuhën e letërsisë artistike), UFO Press, Tiranë, 2009;  “Shqipja e sotme”, Kulturë të shkruari dhe të foluri, Baza të gramatikës së shqipes standarde, Tiranë, 2010; “Etnografi e të folurit të shqipes”, Botim i dytë, me shtesa, Tiranë, 2010; “Sociolinguistikë e shqipes” (Koncepte bazë të sociolinguistikës shqiptare),Tiranë, 2013; “Si të shkruajmë shqip. Baza të shkrimit akademik”, Botim i tretë, Tiranë, 2013.

Kam në dorë një libër tjetër të ri për problemet e kulturës së gjuhës, për gabimet e shumta të medias së shkruar dhe të botimeve zyrtare, si dhe për domosdoshmërinë që t’i vëmë fre trysnisë së fjalëve të huaja të panevojshme. Ministria e Arsmit e Sporteve, bashkë me Akademinë tonë të Shkencave dhe institutet albanologjike e fakultetet filologjketë universiteteve publike e private , duhet të marrin përsipër detyrën dhe detyrimin që në të gjitha shkollat shqiptare, që nga fillorja e deri në universitet, të ketë kërkesa të rrepta për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar në të gjithë praktikën shkrimore e botuese, në mediat e shkruara dhe botimet shkencore, letrare etj. Njëkohësisht të shtohet kujdesi edhe për ligjërimin e folur në mjediset publike e për funksione zyrtare. Të ndjekim shembullin e Francës dhe të vendeve të tjera të Evropës së qytetëruar, të cilat punojnë shumë për mbrojtjen e gjuhës amtare, si tipar i përbashkësisë dhe i njëjtësisë së kombit. Ashtu si veprojnë francezët për frëngjishten e për mbrojtjen e saj të organizuar nga shteti, ashtu duhet të veprojmë edhe ne për shqipen. Rregullat e drejtshkrimit dhe normat e shqipes standarde duhen parë gjithmonë si pronë kombëtare dhe karakteri kombëtar i tyre duhet ruajtur e pasur gjithmonë parasysh.  Në mënyrë të veçantë shtrohet detyra që me anën e teksteve shkollore sa më të mira, ta ushqejnë e ta gjallërojnë edhe më shumë këtë ndjenjë të shqiparëve tekdo që gjenden në Evropë e në mbarë rruzullin.

Tiranë më 04. 07. 2014

 

 

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora