E premte, 29.03.2024, 03:08 PM (GMT)

Kulturë

Violeta Manushi

E premte, 10.06.2005, 06:59 PM


Flet aktorja e njohur, Violeta Manushi
Manushi: Humori im vjen nga drama

Blerina Goce

Violeta Manushi - Zonja nga Qyteti

Edhe këtë radhë u shfaq si një nënë. Nuk ishte plaka Nicë te "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", as Ollga tek "Zonja nga qyteti", por nëna shqiptare që vuan për fëmijën e vet. Energjike si dikur, Violeta Manushi, edhe pse në moshë të thyer, arriti të sjellë një interpretim vital tek "Streha e të harruarve". " Si asnjëherë tjetër, në momentin kur unë u ngjita në skenë më rrihte zemra më fort. Publiku më ka mbajtur gjallë, ai nuk të harron, por të duartroket, të jep energji dhe emër", thotë në një intervistë për "Tirana Observer", aktorja Manushi. "Nëse do krahasoj emocionet që kam pasur në fillimet e mia në teatër, pikërisht atëherë kur unë isha e paformuar profesionalisht, kjo forcë emocionesh u përjetua edhe tek "Streha e të harruarve", shton ajo.
Çfarë ndjesish provon artistja Violeta Manushi, kur pas kaq vitesh heshtje, ngjitet në skenë në Teatrin Kombëtar?
U lidha me skenën qysh në moshë të re dhe nuk mund të shkëputem dot pa menduar dhe pa vuajtur për atë. Gjatë viteve të tranzicionit u ndjeva e këputur. Mbas 13 vjetëve, me regjisorin Kiço Londo mora pjesë në komedinë "Profesioni më i vjetër", në rolin e një prostitute që vdes në skenë nga varfëria. Më vonë mora pjesë në një dramë, satirë të shkruar nga Ruzhdi Pulaha, ku rolin e gjyshes e kishte ndërtuar për mua. Çdo rol që kam interpretuar ka bërë që të bie në dashuri me të. Për hir të roleve kam sakrifikuar edhe nga jeta ime private. Tashmë u angazhova në pjesën e Ruzhdi Pulahës "Streha e të Harruarve", ku pata rolin e një nëne, të cilës i ka ikur vajza pa e pyetur me një shok që ka njohur, por ai e ka nxjerrë prostitutë. Shfaqja u dha me rastin e 60-vjetorit të Teatrit Kombëtar dhe vazhdon të jepet përsëri.
Ndonëse ke kaq vite në skenë dhe në sheshet e xhirimit, ç'kujton nga fillesat drejt rrugës së artit?
Kur u ngjita në skenë kam qenë 20 vjeç. Rinia ime është në kohën e Zogut. Me qenë se punoja tipografe, që andej u thirra për të luajtur në teatër. Por kuptoja se të punosh në një institucion të tillë duhet të kesh kulturë. Shumë gjëra më mungonin, por kishte artistë që vinin nga lëvizja amatore si Loro Kovaçi e Pjetër Gjoka, por kishte edhe nga ata që kishin mbaruar shkollë si Andon Pano. Isha shumë e ndrojtur, se jam rritur me varfëri të paparë. Ka pasur raste që kam ngrënë drekën me pak lakër dhe kripë. Ishte viti 1945, kur po festohej 1 Maji. Artisti Gaqo Avrazi drejtonte Ansamblin e Ushtrisë. Do të luhej një dramë e shkurtër "Ankimi" e Viktor Eftimiut. Na morën nga tipografia 10 vajza. Unë s'ua mbusha syrin fare, sidomos regjisorit Sokrat Mio, i cili kishte mbaruar Akademinë e Arteve jashtë shtetit. Ai ia vuri syrin njërës prej vajzave, por ajo ishte shumë e ndrojtur. Edhe unë fshihesha prapa vajzave dhe thosha ishallah s'më provon mua të luaj…. Por kur dola në skenë fillon tragjikomedia ime. Skena mu duk si varrezë, sepse skenat atëherë i ndërtonin origjinale. Dëgjova: "Shpejt profesor se ka ardhur qeveria"?!.. Unë sa dëgjova këto fjalë ia mbatha me vrap, por më kapën dhe më ulën me zor. Kur filloi të hapet perdja duke bërë kër..kër, më bërtisnin fillo, fillo, dhe unë hiç. Seit Boshnjaku, i cili luante rolin e Qahjait i thanë: "Vepro". Seiti më qëllon fort me kamxhik dhe unë u hodha përpjetë se filloi të më dhembë shumë shpina nga kamxhiku e fillova të qaj nga dhimbjet. Por për çudinë time salla duartrokiste. Pas mbarimit më kërkonin, por unë hodha shaminë e kokës në qoshe të skenës dhe dola. Ata më takuan dhe më uruan. Një vit të tërë më kërkuan për në teatër. Vëllai im, Llambi Manushi, ma mbushi mendjen. Më 1 prill të vitit 1946 fillova punën në Teatrin Kombëtar.
Përse të pëlqen humori?
Unë humorin e kam nga jeta. Humori del nga drama e personazhit. Kam luajtur në shumë drama e tragjedi, përveç komedive që janë tepër në natyrën time. Ka pasur raste që kam interpretuar tri role në një dramë. Drama e parë ka qenë "Nëna e tradhtarit". Them se dramën e kisha më të lehtë se komedinë. Në drama kam luajtur shumë nëna si: Nicën apo Sofën.
Vite më parë ke luajtur në komedinë "Zonja nga qyteti". Si e ke përjetuar rolin e Ollgës?
Desha të them se kur shkrimtarët dhe dramaturgët shkruajnë për artistët nderojnë veten dhe artistët. "Zonja nga qyteti" është shkruar për mua. Unë s'e njihja fare Ruzhdi Pulahën, por një ditë e pashë të dilte nga radioja ku punonte si gazetar, ku shkonte nëpër rrethe e ndiqte edhe problemet e gruas. Kështu kishte ndjekur problemin e një nëne që shoqëronte vajzën e vet në fshatin që e kishin çuar me punë. "Kam shkruar një komedi për një zonjë nga qyteti, por kjo do të inskenohet po e luajte ti rolin e zonjës", më thotë Ruzhdiu, "pasi te kjo komedi jam mbështetur te ti si figurë", vijoi ai. Unë iu përgjigja se do ta punoja me respektin më të madh. E mora komedinë, e lexova dhe të them të drejtën, rashë në dashuri me të.
A do të vazhdojë të luajë në skenë dhe në sheshet e xhirimit artistja Manushi?
Me kohë kam shfaqur dëshirën që të vdes në skenë. Kjo do të jetë një nga ëndrrat e mia. Unë iu dedikova skenës kur u lidha me të që në moshë të vogël. Mua shtëpi mu bë skena, familje kolektivi, dhe fëmijë mu bënë rolet e mia. Dua që shpirti të më mbetet në skenë, përpara atij publiku që më admiron.

Pasaporta

Emri: Violeta
Mbiemri: Manushi
Ditëlindja: 5 mars 1926
Vendlindja: Korçë

U ngjit në skenën e Teatrit Popullor në vitin 1946, ku ka interpretuar mbi 100 role në teatër dhe mbi 30 role në kinematografi. Ka interpretuar në rolin episodik në filmin "Tana", por dhe Ollgën te filmi "Zonja nga qyteti", ku ka shkëlqyer. Me këtë rol u nderua me medaljonin e dytë të filmit shqiptar. Po në lartësinë e duhur artistike ka qenë edhe në interpretimin e filmave të tjerë si: "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Plagë të vjetra", "Zemra që nuk plaken", "Përtej mureve të gurta", "Një shoqe nga fshati", "Përse bien këto daulle", "Orët e Kremlinit", "Profesioni më i vjetër", "Streha e të harruarve" etj.

Intervista në 80 vjetorin e lindjes së Artistes së Popullit, Violeta Manushi

Hyrja me detyrim në teatër

Më 6 mars Violeta Manushi-Artiste e Popullit mbushi 80 vjeçe. Me këtë rast ajo nderohet edhe me titullin “Qytetare Nderi” e Tiranës. Të gjithë ata që e kanë ndjekur në skenë apo në ekran e urojnë nga zemra për gjithçka ajo ka bërë me artin e saj në shërbim të argëtimit dhe fisnikërimit të shpirtit njerëzor.

“Kam Dëshirë të vdes në skenë. Unë u lidha me skenën. Skena ishte shtëpia ime, rolet ishin fëmijët e mi, ndërsa kolektivi–familja ime”. Kështu është shprehur herë pas here ajo nëpër biseda e intervistat që ka dhënë.E identifikuar me emra të ndryshëm personazhesh, jo rrallë atë e thërrasin Teto Ollga, Zonja Olimbi, Rita, Sofka, Tana e plotë të tjerë …

Zonja Violeta, si e keni arritur këtë?

Ndeshja ime me jetën që në moshë shumë të vogël më dha mbresa, të cilat pastaj i shfrytëzova nëpër rolet e mi. Që në moshën 12 vjeçare u futa nëpër dyert e atyre që më thërrisnin për ndonjë shërbim, nëpër punishte të ndryshme, duke dhënë edhe unë kontribut ekonomik në familjen time shumë të varfër. Jo lypse, por të varfër.

Ku keni lindur ju?

Kam lindur në Korçë në vitin 1926. Ëndrra e babait tim ishte të më bënte mësuese.

Kur dhe si erdhët nga Korça në Tiranë?

Motra e madhe u martua këtu në Tiranë. Për të hequr një gojë nga sofra e babait, ajo mori me vehte edhe atë motrën e dytë. Pastaj ata më gjetën edhe mua punë. Kishin biseduar me pronarin e shtypshkronjës “Dielli”. Erdha dhe unë tipografe, në pedalinë.

Deri në ç’kohë?

Deri në Çlirimin e Shqipërisë, derisa më urdhëruan të vete e të mar pjesë në një shfaqe. Më urdhëruan dhe do ta zbatoja, se unë isha e re komuniste që në Korçë. Në 1945-ën do të festohej për herë të parë në mënyrë të organizuar festa e Një Majit dhe përgatitej një pjesë e V. Eftimiut, “Akimi”. Pjesën e vinte Sokrat Mio, regjisor i talentuar, i vjetër e me kulturë. Ato vajzat partizane që qenë, dikush u largua, dikush tjetër shkoi me detyra dhe këta nuk kishin vajza. Meqë dola mirë aty, ngulën këmbë për të më marrë. Nuk desha të shkoj por më detyruan.

Po në Teatrin e Shtetit ose Teatri Kombëtar që i thonë sot, kur keni filluar?

Ka qenë një prilli i 1946-ës. Më pritën me zemër të hapur, se ishte një kolektiv shumë i vogël. Nga shoqet gjeta aty Behije Çelën, Liza Vorfin, Ana Kçirën edhe një Ollga Shuraja, një ish partizane që i bënte mirë rolet e nënave, por që kishte një djalë që e deshte dhe ky i nxirte pengesa. Edhe pse e la teatrin, ai nuk e mori dhe ajo iku në Përmet ku u martua dhe lindi fëmijë.

Domethënë, ju keni shkuar në teatër me detyrim?

Me urdhër. Por është e çuditëshme. Megjithëse vajta me urdhër, hëngra edhe dru, pa e ditur se pse, magjia e skenës të bën për vehte. Pastaj edhe dru të më jepnin unë nuk ikja. U lidha shpirtërisht. Në 1947-ën erdhi regjisori i parë. Se Qeveria preokupohej që të na arsimonte e të na kulturonte, se ne s’kishim ardhur asnjëri nga bangat e shkollës. Dikush nga fshati, dikush nga puna. Unë isha me pesë klasë fillore të kohës së Zogut. Qenë nja dy-tre me të mesme, si Prokopi, Sandri, që erdhi më vonë më 1949-ën. Andon Panua po, ai ishte i arsimuar, ndërsa të tjerët jo. Prandaj sollën pedagogë, të cilët na bënin teori në mëngjez dhe praktikë me ato pjesët që filluan të vënë. I tërë brezi ynë i asaj kohe e bëri atë kurs, të cilin mund ta quajmë një universitet pa diplomë. Unë plotësova arsimin e mesëm, mësova shumë gjëra që nuk i dija. Bëja edhe turnetë e asaj kohe, që zgjatnin nga një e nga dy muaj dhe kur të gjithë pushonin, unë veja jepja provime. Bile merja edhe nota të mira. Kam qenë nxënëse e mirë e asaj kohe dhe rrija gjithënjë në tabelë të nderit.

Ju patët fatin që punuat me regjisorë të njohur.

Me regjisorë të mëdhenj dhe me dramaturgji të madhe botërore, klasike dhe kontemporane. Pastaj, ne kemi ushqyer njëri-tjetrin me punë. Ne nuk ndaheshim. Kishim apo s’kishim rol, ne rrinim aty dhe shihnim njëri-tjetrin. Kishim dashuri të madhe për njëri-tjetrin.

Me cilët aktorë keni qenë më shumë partnere?

Viktor Gjoka, Naim Frashëri, Drita Pelingu, Marie Logoreci, Besa Imami, Prokop Mima…me të tërë. Edhe me më të rinjtë.

Ju ishit si një ansambël, që u rritët me njëri-tjetrin, u lidhët, jetonit, madje shkëmbenit edhe vizita me njëri-tjetrin.

Edhe vazhdojmë. Ne që kemi mbetur gjallë, vazhdojmë. Ndërgjegja për punë ka qenë e madhe dhe ne u bindëm që fëmijë, se pa punë s’jetohet. Unë s’kam bërë kurrë fjalë, merja kryerol, merja figurant apo statist, kur duhej, gjithmonë mundohesha që të sillja diçka të re në skenë, nëpërmjet asaj figure, me fjalë apo pa fjalë. Pra, çdo gjëje i jepja rëndësinë e duhur. Po ju sjell një shembull. Unë, pothuajse fëmijë, kurse Mihal Popi, baba me një rreth fëmijësh. Kur bënte sakrificë ai ose Loro Kovaçi, që erdhi më pas, unë dhe të tjerët rrinim sus. Ata kishin njëqind halle dhe atje i prisnin fëmijtë, por përpara punës nuk vinin asgjë. Ata, me këshillat e tyre na edukuan edhe ne me disiplinën, me dashurinë për punën. Shto këtu edhe teorinë dhe praktikën që bënim me pedagogët që erdhën më vonë.

Zonja Violeta, si keni punuar ju përgjithësisht për realizimin e një roli?

Unë s’kam bërë kurrë fjalë, merja kryerol, merja figurant apo statist, kur duhej, gjithmonë mundohesha që të sillja diçka të re në skenë, nëpërmjet asaj figure, me fjalë apo pa fjalë. Pra, çdo gjëje i jepja rëndësinë e duhur. Po ju sjell një shembull. Unë, pothuajse fëmijë, kurse Mihal Popi, baba me një rreth fëmijësh. Kur bënte sakrificë ai ose Loro Kovaçi, që erdhi më pas, unë dhe të tjerët rrinim sus. Ata kishin njëqind halle dhe atje i prisnin fëmijtë, por përpara punës nuk vinin asgjë. Ata, me këshillat e tyre, na edukuan edhe ne me disiplinën, me dashurinë për punën. Shto këtu edhe teorinë dhe praktikën që bënim me pedagogët që erdhën më vonë.

Sa femra kishte teatri kur vajtët ju?

U bëmë gjashtë gra, po seicila kishte planin e vetë dhe bukuria e trupës sonë kjo ishte, se qëlluam të gjithë në plane të ndryshme. Rolet e Dritës nuk i bëja dot unë, ashtu si ajo nuk bënte dot rolet e mija ose të Marie Logorecit. Dhe seicili kishte çiftin e vetë, si në balet. Për një kohë të gjatë Behija ishte partnere me Mihalin, se ata e kishin filluar punën që me lëvizjen amatore. Unë isha me Viktorin. Ai e kapërxente një çikë masën dhe unë e detyroja të më përgjigjej direkt, pa e lejuar të kalonte. Më vonë, kur erdhi Sula, mbeti ai partneri im. Me Sulën kemi qenë çift i mirë, se shkonim edhe si trupa. Ai ishte edhe i humorit, edhe i dramës. Njeri me kulturë, që shkruante. Ishte një partner shumë i mirë.

Pra ju u profilizuat, për të luajtur disa karaktere.

U profilizuam. Duheshin luajtur edhe nënat, edhe gratë, dhe unë këto i kisha më kollaj, megjithëse isha 20 vjeçe. Nënat dhe gratë, por jo vajzat. P.sh. si dashnore kam dalë vetëm një herë në skenë dhe atëhere nuk i ngrita sytë kurrë. Qe një pjesë e Gorkit, “Mikroborgjezët”, ku kisha Pavlinën, atë shërbëtoren, me të cilën bie në dashuri ai djali i adoptuar. Por nuk i bëja dot këto, kisha shumë siklet. Ndërsa këto të tjerat ishin më të lirëshme dhe i bënin.

Ju keni qenë vazhdimisht aktore kryesore e komedisë. Ajo gjallëria juaj, vitaliteti, potenca aktoreske kanë buruar gaz e mirësi në skenë dhe publiku ju ka pristur vazhdimisht me duartrokitje. Ku e keni patur sekretin?

Se unë jam munduar që për seicilin rol të sjell detaje të veçanta. Nuk është vetëm fjala. Atë duhet ta mbushësh me emocionet e përshtatëshme, me detajet e përshtatëshme në rrethanat që ka dhënë dramaturgu. Nuk mund të sjellësh gjithmonë vetvehten. Duhet ndarë karakteri nga karakteri, se njerëzit mund të kenë halle të përbashkëta, por reagimet janë të ndryshme.

Si u ngjit vajza e pa arsimuar Violeta Manushi në nivelin e Artistes së Popullit?
Rolet e Nicës, Olimbisë, Ollgës
Zonja Manushi, ju keni interpretuar një mori rolesh, nga dramaturgjia jonë dhe ajo botërore. Ku e keni ndjerë vehten me të vërtetë rehat?

Më shumë në rolet e popullit tim. S’ka kënaqësi më të madhe se sa kur të thonë: “E mo, e di që ke patur parasysh filankën”. Domethënë se unë kam sjellë një figurë reale në skenë. Unë e njoh Çajupin nga letërsia, e dashuroj si poet për ato që ka thënë:

Burrat nënë hije, qeshin, kuvendojnë, Pika që s’u bie, se nga gratë rrojnë…

Kur kam luajtur “14 vjeç dhëndërr” unë e mendova atë si një grua të ngarkuar, me këpucë të mëdha, me dy gërsheta të hollë, siç i mbajnë ato andej, dhe nxora një Tanë që mu pëlqye atëhere, kur e luajta në skenë. Kishte ardhur një doktor që është andej nga ana e Çajupit, nga Gjirokastra, edhe më thotë: - Më qafsh, ku e njeh ti atë filankën? - Nuk e njoh,- i thashë. - Jo, po ne e kemi patur në mëhallë, - tha. - Faleminderit. Domethënë se paskam sjellë një figurë të vërtetë të asaj krahine, - i thashë. Po kështu edhe me Olimbinë. Me të gjithë. Pra, bazën e kam patur gjithmonë te njohja e jetës. Kam nënë Nicën (Gjenerali i ushtrisë së vdekur). Nicën e halleve të mëdha, të cilat i kujtonte pas kaq vjetësh në atë gjendje shpirtërore. Në skenë Nica ka tingëlluar jashtëzakonisht mirë. Atë e bënë edhe film. Dhe unë i bëj vërejtje Vladimir Priftit, se nuk ka punuar me dashuri për Nicën. Nuk ishte e nevojëshme ëndrra e gjeneralit fashist, se si i mendonte ai të vdekurit. Populli duhej të shikonte Nicën se si i zhvarros, i sjell ato dhe ua hedh turinjve atyre. Ajo është sa për njëqind tablo.

Si erdhi ky personazh tek ju?

Kishte kohë që regjisori Piro Mani më thoshte: Violeta, të pret Nica. E kishte dramatizuar vetë ai. Një herë, dy…I thashë: Ore Piro, ti tallesh me mua, apo?…Se, me sa kam lexuar në roman, nuk jam unë për atë. Ajo është një nënë e mbledhur, e pakët…E ke gabim, tha. Pamvarësisht nga romani, ne do ta japim Nicën me karakter të fortë, që e thotë fjalën e vetë si bombë. Dhe kjo je ti. Kështu mu dha Nica. Por mua më shqetësonte prishja e dasmës. Ta jepje si të ikur nga mendja prej fatkeqësisë, nuk justifikohej. Ishte normale kundërvënia, po pse të prishte dasmën, ku ishte mysafire? Dhe unë mendova t’ia mar këngës. Në duf e sipër, pasi prish dasmën, ajo mbledh vehten dhe justifikohet kënga. Edhe shumë këngë që këndohen atje, në fillim i kam provuar unë me Nicën, që nga “Filloi babai dasmën” e deri te vallja “O ju vajza shqipëtare”. Unë kam patur miqësi me një familje labe dhe ajo e zonja e shtëpisë kishte mbetur shumë e re. I qe vrarë burri në luftë dhe fëmijtë i thoshin nën-o. Ai ishte dëshmor, por kjo kishte idenë se sahatin e të shoqit ia kishte parë dikujt me të cilin kishin fërkime. Dhe thoshte: “Duhet ta ketë marë plumbi nga mbrapa, ma ka vrarë hasmi”. Domethënë kishte dyshime. Kishte mbetur me një vajzë dy vjeçe dhe me një djalë tre muajësh. Nuse e re. I thashë:

- O nëno, sikur të vinte në dasmën e djalit tënd ai hasmi, që ti e urren aq shumë, ç’do të bëje? Do t’i suleshe? Do ta prishje dasmën?

- Unë të prishja dasmën e djalit!? Unë do t’i kërreja sytë atij me thonj dhe do t’u thosha atyre: Vazhdoni dasmën, se e mora hakën. Dhe do të merja një këngë, - tha. Ia tregova Piros këtë dhe kështu e bëmë.

Ju keni luajtur Olimbinë te “Karnavalet e Korçës”, e vënë në skenë në vitin 1946, kur ishit vajzë e re. Keni luajtur edhe Ollgën te “Zonja nga qyteti”, e shkruar nga Ruzhdi Pulaha dhe e vënë në skenë në vitet ’70? Ku ndryshon Ollga nga Olimbia?

Për “Karnavalet e Korçës” më erdhi Spiro Çomora aty te klubi, ku është Bingo sot, edhe më thotë: “Kam një komedi, të lutem lexoma, se kam dëshirë të ma luash ti”. E lexova dhe më pëlqeu. Olimbia është një grua borgjeze, që kërkon ta martojë vajzën me prikë, me mall, për të ruajtur famën e familjes. Kurse Ollga është një grua e ditëve kur është shkruar pjesa, e cila ka dhënë kontributin e saj në ndërtimin e kësaj shoqërie. Edhe kjo ka një vajzë, të cilën kërkon ta martojë dhe disa njerëz menduan se këto do të ishin të njëjta, kurse unë nuk mendoja kështu. Unë nuk e njihja Ruzhdi Pulahën kur më ndali në rrugë e më tha: “Kam çuar një komedi në teatër dhe kam dëshirë të ma luash ti”. E pashë këtë djalë të imët, të verdhë, se vuante nga stomaku, edhe i thashë:”Faleminderit more djalë dhe paç fatin që të të aprovohet. Se unë, edhe e njëqinta të jem, do ta luaj, nëse ti ke menduar vërtetë për mua”. E lexova dhe rash në dashuri. Mua s’më ka bërë vaki në jetën time që, edhe duke interpretuar Olimbinë, të cilën e desha shumë dhe që më pritej çdo batutë me duartrokitje, të më rrinte mendja te skenat e kësaj tjetrës. Kurrë s’më ka bërë vaki. Kam patur halle, gëzime, unë jam përqëndruar tek ajo që bëja në skenë. Kurse për Ollgën më ikte mendja, d.m.th. jetoja me të në gjumë, në rrugë edhe në skenë.

Mesa duket, Ruzhdiu e kishte shkruar vërtetë për ju atë rol.

Po, po. Bile e thotë Bakua, atje në një vend: “Po ti je edhe e shëndoshë, moj Ollgë”. Kishte parasysh edhe fizikun tim.

“Zonja nga qyteti”, pra Ollga më pas u bë edhe film.Meqë e kishit luajtur në skenë, ju e kishit të lehtë edhe për ekran, apo jo?

Kur filloi xhirimi, unë pash që këta, regjisori me operatorin diçka bisedonin për mua. I thash: Më fal Piro. E mira është të ma thoni edhe të mirën, edhe të metën në sy. Se që të dyja vlejnë. E meta do të më bëjë të mendohem për ta rregulluar, kurse e mira do më verë në pozita pune për të ecur më tej.

- Mirë, mirë, - tha Pirua. Piro Milkani është djalë i mirë, i qetë. – Je pak teatrale, - tha.

- Dëgjo këtu, - i thashë. – Nëse Ollga nuk mbledh buzët kur vjen në fshat (në fillim), nuk hyn në valle në fund. Unë e kam të ndërtuar këtë rol, - i thashë. Edhe aktorët e tjerë, ata të Korçës, e kishin gati atë, se e kishin realizuar në teatër, dhe hynin lehtë në planin e vetë. Pra, nuk kishte nevojë për shumë plane dhe ai film u bë me kursime shumë të mëdha. E, nejse, bëra edhe një plan ashtu, me indiferentizëm.

- Jooo, - tha Pirua. Pastaj m’u dha kartabianka dhe e bëja rolin siç e mendoja unë. Bile, kur xhiruam atje te uji në fshat, më vunë një dërrasë për të kaluar, ngaqë ishte pak e lartë.

- Pse e keni vënë? – i pyeta.

- Se mos biesh, - më thanë.

- Po kjo është komedia, se unë nuk e njoh terrenin dhe bie,- u thashë. Mirëpo, ata që më favorizonin, ishin fshatarët. Ata punonin natën, se ishte verë, korrnin grurin, ndërsa ditën rrinin si spektatorë. Kur qeshnin ata, merja aprovimin unë.

Xhirimet e atij filmi janë bërë të gjitha në Tushemisht, të Pogradecit?

Në Tushemisht.

Ai film ka momente interesante dhe me humor. Sidomos skenat me Koçin të cilat Vasillaqi i ka realizuar mrekullisht.

Eh, Koçi…Është mirë si figurë. Dhe ishte njeri që i përshtatej kolektivit Vasillaqi, i këndëshëm, me humor. Njeri shumë i mirë.

Po skena e hedhjes së postjerit në ujë si është realizuar?

Ajo qe një shaka, por mbeti në favor të rolit. I shkreti Hasan… Ishte kaq i dashuruar me punën, por nuk fliste dot. Ai e kishte me pasion artin. Por edhe e shfrytëzonin figurën e tij. Nejse. Tani, ai një plan qe, dy fjalë kishte.

- Nisu, Violeta, - më thoshin këta. Ky bënte muhabet atje mbrapa dhe nuk më vinte në kohë.U thoshte atyre fshatarëve:

- E keni parë filmin? E, mo, atë ballistin që e hanë qentë…Ai jam unë, - thoshte.

- Ky plan do të hiqet, - thosha unë, që ta dëgjonte ky. Se vdiste, po t’i hiqje ndonjë gjë.

- Pse, pse do ta heqin? - pyeste.

- Po ç’më kap mua ti! Mos më kap kur të këmbehemi te ura, se do të mbahem unë tek ti, - i thosha, që të kisha mundësi ta hidhja. – Mos më kap, se do t’u them që ta heqin fare skenën…

- E, mirë, mirë, se e bëj unë, - thoshte. I shkreti, ishte me tension dhe më i moshuar se unë. Kur erdhi aty tek ajo ura e ngushtë, unë një të shtyrë i bëra dhe ra. Të betohem që u bëra pishman, se qe një ditë e ftohtë dhe ai me zi i nxori ato fjalët: Po ç’më bëre, moj, ç’më bëre…Hasani i gjorë, qe njeri shumë i bindur, njeri që mbante shaka. Unë atje kam qeshur me të madhe, por ata e kanë prerë.

Zonja Violeta, me punën tuaj ju u bëtë një ndër aktoret më në zë të skenës, ekranit dhe mikrofonit të Radios, një aktore me individualitet e aftësi të veçanta, me fuqi, me zë, me plastikë e temperament të admirueshëm. Si i keni përpunuar këto cilësi të domosdoshme për aktorin?

Unë kam bërë një jetë të kufizuar dhe e kam ruajtur çdo gjë për të bërë syrprizë në skenë. Nuk kam abuzuar, as me duhan, as me pije. Se i shoh këto vajzat e reja, që sapo hyjnë në shkollë edhe fillojnë me tualete, me cigare, me gotën e konjakut përpara dhe u prishet zëri që pa filluar akoma. Unë jam 75 vjeçe, por le të vijnë të konkurojnë, po të duan. Sidomos për ato që i venë detyrë vehtes të bëhen artiste, unë ndjej dhembje, kur i shoh kështu, se dua që të jenë të sakta, ta thonë fjalën siç duhet në skenë, siç i takon artistit, e jo të jenë gjysmake.

Kjo e keqe nuk është vetëm e këtyre vajzave të fushës së artit.

Po të ishim në moshën e tyre, ndoshta edhe ne mund të na rrëmbente kjo gjë. Por, në moshën tonë, ne nuk u rrëmbyem, edhe pse në çdo kohë ka patur degjenerim.

Dhe ju hytë në art në një kohë që nuk ishte e lehtë, pasi duhej të ndesheshe me një opinion konservator e të pa zhvilluar.

Jo, ai të duartrokiste, por nuse për djalin nuk të merte. Janë ato të skenës, thoshte. Bile, mua më thoshin shoqet. Sa mirë për ty që i ke rolet e ndershme, meqë luaja rolet e nënave etj. Kurse ato të shkretat duhej të luanin edhe ndonjë çapkëne, edhe ndonjë të përdalë…

-Zonja Violeta, për punën e madhe që keni bërë ju keni marë vlerësimet dhe duartrokitjet e publikut, të cilat e stimulojnë dhe e mbajnë gjallë artistin. Po, përveç këtyre keni patur vlerësime të tjera?

V. Manushi:- Jam dekoruar zyrtarisht me rastin e pesë vjetorit të Teatrit, me Medaljen e Punës, se kështu fillonin atëhere. Mihal Popi, më duket se mori Urdhëri i Klasit të Tretë, si më me eksperiencë që ishte. Po teatri nuk ka marë shumë dekorata. Pastaj, vonë, kur gjërat po bënin “bum”, kam marë Urdhëri ”Naim Frashëri”. Më 1969-ën kam marë titullin Artiste e Popullit, direkt. Nga kolektivi isha propozuar Artiste e Merituar, por më erdhi Artiste e Popullit. Unë, Kadri Roshi dhe Mentor Xhemali jemi bërë Artista të Popullit në një ditë, me rastin e 25-Vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Pastaj kam marë Çmimi i Parë i Republikës, për figurën e Ollgës.

Bisedoi: Xhelil Aliu - TemA


Një tjetër çmim për Violeta Manushin

Violeta Manushi aktorja që aq shumë i dha skenës shqiptare dhe artit në tërësi, mbushi në 5 Mars 80 vjeç. Por ditëlindja e saj nuk mbaroi aty, miqtë dhe dashamirët i kanë premtuar asaj një ditëlindje të gjatë kësaj here. Festimet për 80- vjetorin do të vazhdojnë edhe këto dy ditë sepse aktores nesër i akordohet nga Bashkia e Tiranës çmimi “ Nderi i Qarkut”. Megjithëse u mundua që këtë ditëlindje ta kalonte në fshehtësi dhe pa praninë e mediave ndoshta për të mos i bezdisur më miqtë e saj siç shprehet ajo vetë edhe këtë herë ajo nuk mundi ta festonte vetënm, por e rrethuar nga të gjithë ata që e respektojnë dhe e duan, miq e shokë, nxënës dhe dashamirë për të festuar një jetë të tërë përkushtuar aktrimit.Plot personazhe solli ajo në ekranin tonë, personazhe që i vuri në skenë me mish e me shpirt për tju skalitur publikut në mendje. Në këtë ditë të mbushur plot me gëzim dhe emocion për të ajo është shumë e emocionuar dhe ulur në krye të tavolinës pret urimet e përzemërta që i dhurojnë miqtë. Dikush i uron pleqëri të mbarë ndërsa dikush tjetër mos u plaksh kurrë apo mos vdeksh kurrë. Përveç urimeve Violetës i vijnë shumë falenderime në emër të punës së saj të gjatë dhe si një prej aktorëve të parë që bënë teatrin në Shqipëri. Falenderime nga nxënës të frymës së saj, që u ushqyen me dashurinë për personazhin që vunë në skenë duke e bërë atë pjesë të çdonjërit prej nesh. Plot dhurata për Artisten e Popullit në këtë përvjetor, dhurata që ajo i çmon shumë jo për nga madhësia apo vlera e tyre monetare por nga respekti që ato mbartin brenda tyre. Në fakt Violetës po i përgatitej një tjetër vlerësim siç është ai i Nderit të Kombit por burokracirat që duhet të kaloj, do tja sjellin pak me vonesë dhuratën që i bëhët nga shteti në emër të gjithë popullit shqiptar.

Sot

Vetëm pak kohë më parë regjisori Londo e shndërroi në "prostitutë" ndërsa tani Grabocka në "fallxhore". U mërzit në fillim kur e pa veten brenda këtij roli. Pastaj kuptoi se edhe pse nuk ishte brenda "ujrave të saj" duhej të kënaqte publikun e saj, kuptoi se brenda atij spektakli gjithçka shkonte për mrekulli

Violeta Manushi…si u shndërrua në fallxhore

Zefina Hasani

Një zë i largët i kërkonte që të bëhej fallxhore. Nuk e kishte njohur në fillim atë zë këmbëngulës. Pastaj e kuptoi se nuk kishte se kush të ishte tjetër, veçse Vera Grabocka. Nuk i kishte dhënë asnjë përgjigje, për së pari, por regjisoria nuk hiqte dorë nga kërkesa e saj. E kishte ndarë mendjen që në spektaklin e saj të radhës do ta bënte fallxhore, Violeta Manushin dhe askënd tjetër. Ndaj telefoni tringëlliu përsëri…por jo ai i shtëpisë së aktores. Ishte një telefonatë e largët, që bëhej mes Tiranës dhe Kajros. Në kohën kur regjisorja kërkonte personazhet e spektaklit të saj "Rokoko", aktorja ishte në Egjipt, në festivalin e teatrit eksperimental që zhvillohej atje, si e ftuar nga aktorët e Teatrit Kombëtar. Violeta Manushi vetëm pak ditë kishte që kishte zbritur në vendin e largët (ndoshta dy-tre ditë) kur Grabocka ia gjeti menjëherë adresën dhe nisi ta bindë pak e nga pak (përmes telefonit) për rolin që po i propozonte. E çoroditur nga ai zë këmbëngulës që mundohej t'ia shpjegonte me detaje pozicionin që do të kishte në atë spektakël, Manushi tha "Po e pranoj". Nuk e refuzoi regjisoren, edhe pse në mendjen e saj nuk e kishte aspak të qartë se ç'rol do të luante këtë herë para kamerave televizive. Pas dhënies së asaj përgjigjeje, pothuajse "kuturu", Vileta Manushi nuk e kishte mendjen aq në ditët dhe netët e festivalit teatror atje në Egjipt, sesa në netët e spektaklit në Shqipëri. Ndërsa dhe telefoni vazhdonte të tingëllonte nga Tirana në Egjipt. Këtë herë Grabocka këmbëngulte që aktorja të nisej sa më parë drejt Shqipërisë sepse duhej të ishte e pranishme që në natën e parë të spektaklit. Por, këtë Manushi nuk mund ta bënte kurrësesi. I tha "Jo" Grabockës sepse gjithë çka kërkonte ajo ishte krejt e pamundur. Kështuqë nata e parë e spektaklit, deshi- s'deshi Grabocka, u hap pa praninë e Violeta Manushit.
* * *
Në të enjten e dytë të "Rokoko"-së, Violeta Manushi u shfaq e ulur pranë tryezës së mbushur me letrat e saj të fallit e sajuar si fallxhore, nën paruken bjonde. Në fillim, kur kishte parë veten ashtu përballë pasqyrës, vetja nuk i kishte pëlqyer aspak. Roli që kishte pranuar, aq më pak. Mendimet me veten po shkonin drejt pendimit pse i kishte thënë "Po" asaj oferte…por më pas nuk ndodhi kështu. Kishte ndjekur me kujdes gjithë spektaklin ishte ndier mirë. "Kuptova menjëherë se ky spektakël ka marrë përsipër të transmetojë shumë gjera njeherësh…këngën, humorin, informacionin e nevojshëm për teleshikuesit. Pesë persoanazhet e ideuara për këtë spektakël ishin të gjetura. U binda për këtë që në herën e tretë të spektaklit ndaj dhe mërzitja që më kapi në fillim, më iku. Ndaj fillova të punoj me seriozitet që ta justifikoja sa më mirë veten brenda atij roli. Me tekstin që më përkiste mua, isha njohur që në Egjipt sepse sapo i dhashë përgjigjen pozitive, Grabocka ma dërgoi menjëherë materialin"-Manushi tregon se asnjëherë më parë nuk kishte luajtur një rol të tillë…të shtinte fall me letra e të parashikonte të ardhmen e të tjerëvë-"Eh po artisti ku nuk futet e çfarë nuk bën. E mua tani në pleqëri po më takon të luaj role të çuditshme. Pak kohë më parë, regjisori Kiço Londo më bëri "prostitutë" në verpën që vuri këto kohët e fundit në skenë "Profesioni më i vjetër. Ndërsa tani Vera Grabocka më bëri fallxhore",-pohon duke qeshur Manushi. Shton më pas se kur u shndërrua në prostitutë, e kishte pasur më të lehtë sepse nuk ishte e vetme në atë skenë. Bashkë me të "prostitutë" u bënë edhe Tinka Kurti, Drita Pelingu, Ermira Gjata e Zamira Kita. Ndërsa tek "Rokoko"-ja, aktorja ishte e vetmja fallxhore, ndaj dhe e pati paksa të vështirë shndërrimin. Ndoshta sepse e ndiente mungesën e emocionit që i jep skena. Ndoshta sepse thellë brenda vetes kërkonte diçka tjetër-"Do të doja të kisha një rol karakteri, të kisha një dialog. Kështu gjithçka bëhet me interesante brenda meje".
Gjithsesi, edhe pse nuk e ndieu veten brenda ujërave të saj, roli i ri i hyri në zemër. Ndoshta jo aq sa rolet e tjera që janë shënuar në karrierën e saj artistike. "Megjithatë po mundohem që teto Ollga t'i pëlqejë popullit edhe kështu si fallxhore",-qesh duke e ngatërruar veten me mëdyshjen nëse ka mundur të realizojë ashtu si duhet apo jo rolin e fallxhores. "Përderisa i hyra kësaj pune, besoj se kam arritur të bëj diçka për të qenë". Edhe pak kohë i ka mbetur, për t'u shfaqur e tillë, si fallxhore. Pas pak ditësh, spektakli mbaron kështuqë Violeta Manushi do të heqë paruken bjonde, për të mos e vënë më kurrë. Do të mbyllë kështu të fundit ofertë, përgjigjen e së cilës e dha në telefon, nga Egjipti i largët, pa e ditur mire se ç'rol ishte ky i fallxhores.

Dritare
Lodhja e moshës që mposhtet nga pasioni
Kishte mbetur plot 13 vjet larg skenës dhe kamerës televizive kur regjisori Kiço Londo i kishte trokitur në derë e i kishte lënë në dorë tekstin e një komedie. Ndërsa lexonte "Profesionin e vjetër", Viloleta Manushi ishte çoroditur e tëra. E kishte hedhut mënjanë tekstin me bindjen se nuk do pranonte kurrësesi të luante rolin që ishte në atë tekst. Nuk donte kurrësesi që të luante rolin e një prostitute. Pastaj kur regjisori i shpjegoi idetë dhe mesazhet, Manushi u bind që të pranonte, me një kusht…që të hiqeshin nga teksi ca fjalë banale. Dhe kështu u bë. Manushi u shfaq pas 13 vjetësh mungese në skenë e emocionuar dhe e lumtur. E harroi në ato kohë sëmundjen që e kishte mbërthyer në kolltukun e kuzhinës së saj për ditë e ditë me radhë. Shkonte çdo ditë në prova dhe nuk e ndiente më lodhjen aq sa e ndjente kur lëvizte nëpër shtëpi, nga njëra dhomë në tjetrën. Kënaqësia që i ngjallte skena, e bëri që të ndihej edhe një herë si dikur…kur nuk kishte asnjë thinjë mbi krye.
Kështu u ndie edhe këtë herë, kur ngjiste shkallët e TVA-së çdo të hënë e të martë, për të ndjekur provat e javës së spektaklit "Rokoko". Po kështu edhe të mërkurë e të enjte kur shkonte tek amfiteatri "Calvin" për të realizuar provat gjenerale. "Të gjitha ditët e javës kalonin me këto angazhime dhe të them të drejtën për moshën time ishte pak e lodhshme sidomos kur më duhej të rrija me orë të tëra tek "Calvin" ndërsa muzika buçiste pa pushim, ndërsa dhe vajzat e reja qeshnin dhe flisnin me zë të lartë. Të gjitha këto zhurma më lodhnin dhe kur përfundoja në shtëpi në orën 12 ose 1 të natës nuk i ndieja më as këmbët e as kokën. Por ç'ti bësh pasionit. Ai të qetëson e të mban gjallë"-tregon Manushi-"Edhe pse lodhesha shumë, përsëri ndieja kënaqësi që isha e angazhuar në të gjitha ditët. Tani që spektakli po mbaron nuk e di se si do të duken ditët." Manushi krijon një pauzë të shkurtër në rrëfimin e saj, e pastaj thotë si me gjysmë zëri-"Do të dëshiroja shumë një rol në teatër ose në film fundja"-Vetëm kështu ajo do të mund të mposhtë plakjen, sëmundjen dhe mërzitjen.

Shekulli 28 Tetor, 2002



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora