E premte, 29.03.2024, 07:24 AM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Nga qielli zbret flamuri

E hene, 20.10.2014, 06:55 PM


NGA QIELLI ZBRET E KUQJA E FLAMURIT

Nga Xhelal Zejneli

Ndeshja futbollistike ndërmjet kombëtares shqiptare dhe kombëtares së Serbisë tregoi qartë se midis dy popujve të Ballkanit – shqiptarëve dhe serbëve, mbizotëron një armiqësi historike. Kjo armiqësi është e vjetër dhe daton që nga kriza e dytë lindore e vitit 1877, kur fillon dëbimi masiv - me dhunë - i shqiptarëve nga rajoni i Toplicës, mu afër qytetit të Nishit, 230 km  larg Beogradit. Armiqësia serbo-shqiptare thellohet në kohën e luftërave ballkanike (1912-1913), kur Serbia pushton pjesë të trojeve etnike shqiptare. Që atëherë, çështja shqiptare në Ballkan përkufizohet si çështje e territorit të pushtuar. Si pasojë e luftërave pushtuese të serbëve dhe të grekëve, trojet shqiptare në gadishull mbetën të ndara në gjashtë pjesë: Shqipëri, Kosovë, Kosovë lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), viset shqiptare në veriperëndim të Maqedonisë, viset shqiptare në Mal të Zi dhe Çamëria.

Kreu politik i përtashëm i Serbisë përbëhet kryetari Tomisllav Nikoliq, nga kryeministri Aleksandër Vuçiq dhe nga ministri i Punëve të Jashtme – Ivica Daçiq. Dy të parët deri dje kanë qenë bashkëpunëtorë më të ngushtë të Vojisllav Sheshelit. I treti ndërkaq, Ivica Daçiqi, është epigon i zjarrvënësit të Ballkanit – S. Millosheviqit. Udhëheqësit serbë të sotëm ndjekin me pedanteri politikën radikale dhe nacional-socialiste të pararendësve të tyre, të fajësuar nga Tribunali i Hagës  për krime lufte dhe gjenocid. Qëndrimet e tyre lidhur me ndeshjen futbollistike të dy kombëtareve janë irracionale, deklaratat ndërkaq - janë histerike.

*   *   *

Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes - Uashingtoni dhe Brukseli duhet të kenë parasysh fatin se:

- copëtimi në gjashtë pjesë i trojeve etnike historike shqiptare është i papranueshëm nga kombi shqiptar;

- kufijtë ekzistues në Ballkan nuk janë të pranueshëm për shqiptarët;

- rajoni i Ballkanit duhet t’i nënshtrohet ripërkufizimit të kufijve;

- kombi shqiptar në Ballkan dhe në diasporë, ka për ideal bashkimin kombëtar;

- ndarja e trojeve etnike shqiptare në gjashtë pjesë, për kombin shqiptar paraqet një dhimbje të përhershme;

- shqiptarët janë i vetmi popull në Evropë dhe ndër të rrallët në botë, që është i ndarë në gjashtë pjesë;

- shqiptarëve, të ndarë në gjashtë pjesë, u është bërë një padrejtësi tragjike dhe historike, që nuk i është bërë asnjë populli tjetër të kontinentit;

- pa u bashkuar kombi shqiptar, s’ka për të pasur paqe dhe stabilitet në rajon.

* * *

Politika e sotme serbe është produkt i kulluar i ideologjisë së Ilija Garashaninit, autorit të projektit kombëtar serb – Naçertanies (1844), me të cilën parashikohej krijimi i Serbisë së Madhe, duke i pushtuar trojet e popujve joserbë të gadishullit, e në veçanti territoret shqiptare. Për ironi, mbartësit e kësaj politike hiqen sikur synojnë integrimin evropian! Sidoqoftë, radikalët dhe nacional-socialistët serbë duhet ta dinë se për t’u integruar në BE, Serbia duhet:

- të ripërkufizojë ideologjinë kombëtare serbe;

- të heqë dorë nga ideologjia serbomadhe, e ndërtuar nga Garashanini, Jovan Cvijiqi, Vlladan Gjorgjeviqi, Vasa Çubriloviqi, Dobrica Qosiqi, si dhe nga akademikët e tjerë - hartues të Memorandumit famëkeq të vitit1986;

- të heq dorë nga politika anakronike dhe retrograde e Nikolla Pashiqit, e karagjorgjeviqëve, e Aleksandër Rankoviqit dhe e Sllobodan Millosheviqit;

- të heqë dorë nga ideologjia dhe politika e radikalëve serbë të Sheshelit.

 

Për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të plotësojë parakushte themelore të caktuara:

- Kuvendi Popullor i Serbisë të miratojë një rezolutë me të cilën do t’u kërkonte falje shqiptarëve për politikën kolonialiste të ushtruar në Kosovë, që nga viti 1912 deri në vitin 1999;

- për shfrytëzimin ekonomik dhe gjenocidin e ushtruar mbi shqiptarët në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare nën Jugosllavi, Serbia duhet t’u paguajë shqiptarëve dëmshpërblim;

- për shkatërrimet dhe për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës së fundit, Serbia duhet t’u paguajë shqiptarëve reparacion lufte.

- të pranojë realitetin e ri në Ballkan dhe të njohë pavarësinë e Kosovës.

*  *  *

Politika e përtashme e Beogradit, e udhëhequr nga Nikoliqi, Vuçiqi, Daçiqi dhe e mbështetur nga Vojisllav Koshtunica, është luftënxitëse dhe destabilizuese dhe ka për synim hegjemoninë dhe ekspansionin. Është një politikë irracionale dhe antihistorike, arrogante dhe megalomane, e bazuar në forcë, që aspiron kthimin prapa dhe dominimin në rajon.

Në ç’mënyrë pretendon integrimin në familjen e botës demokratike, një Serbi ksenofobike dhe jodemokratike, që:

-  e mbështeti pushtimin rus të Krimesë;

- e mbështet implikimin ushtarak të drejtpërdrejtë të Moskës në Ukrainë, për të krijuar një entitet fantomik prorus, siç është Republika Serbe në BH;

- vazhdimisht dërgon çetnikë serbë për të luftuar në Ukrainë në anën e prorusëve, për të krijuar aty një zonë proruse, e cila më pas do t’i bashkëngjitej Rusisë;

- refuzon kërkesat e perëndimorëve për saksione ndaj Rusisë, për shkak të pretendimeve territoriale të Moskës ndaj Ukrainës;

- e lejon Rusinë të ndërtojë gazsjellës nëpër territorin serb, në kundërshti me normat dhe me interesat themelorë të Perëndimit;

- e pret me paradë ushtarake në Beograd Vladimir Putinin, duke i ofruar Moskës krijimin e bazave ushtarake ruse në çdo cep të territorit serb.

Beogradi duhet ta dijë se nuk shkohet në Evropë duke djegur në një ndeshje sportive flamurin e NATO-s, mu para syve të kryetarit serb Nikoliqit.

Por, e vërteta është krejt tjetër: Serbia nuk e aspiron integrimin euro-atlantik. Politika e përtashme e Beogradit të përkujton kohën e luftës së ftohtë midis Lindjes dhe Perëndimit dhe ka për qëllim ringjalljen e Traktatit të vdekur të Varshavës, të përbërë nga Rusia, Serbia dhe Bjellorusia.

*  *  *

Organizuesi i ndeshjes futbollistike midis kombëtares shqiptare dhe asaj serbe, nuk tregoi kurrfarë kapaciteti profesional për realizimin dhe zhvillimin normal të një ndeshjeje me karakter ndërkombëtar. Kurrë s’ka ndodhur dhe në asnjë vend të rruzullit që:

- në një eveniment sportiv të mos respektohet himni kombëtar i skuadrës mysafire, siç ndodhi në stadiumin e Beogradit;

- mijëra spektatorë të brohorisin nga tribunat dhe në mënyrë histerike: “Vdekje shqiptarëve”, “Do t’i vrasim shqiptarët”, “Shqiptarin, vraje dhe there që të mos ekzistojë më” (Ubi, zakolji da šiptar ne postoji), “Shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur” etj. – siç ndodhi natën e së martës;

- policia të përdorë dhunë ndaj lojtarëve të ekipit mysafir, siç ndodhi atë natë në stadiumin e Partizanit;

- ruajtësit e rendit të sulmojnë sportistët e skuadrës mysafire, siç ndodhi atë mbrëmje;

- tifozët t’i bien me karrige në kokë lojtarit të skuadrës tjetër, siç vepruan atë natë çetnikët serbë;

- në prag të ndeshjes, të këndohen këngë serbe, me përmbajtje luftënxitëse dhe ksenofobie, si: “Atje larg, mu afër detit’ (Tamo daleko, daleko kraj mora)”, “Kush thotë se Serbia është e vogël” (Ko to kaže, ko to laže da je Srbija mala”) etj.

- organizuesi i një ndeshjeje futbollistike të ndalojë ardhjen apo hyrjen në stadium të tifozëve të skuadrës mysafire, siç veproi Lidhja Futbollistike e Serbisë ndaj tifozëve shqiptarë;

- të bastisen dhe të kontrollohen fizikisht lojtarët e skuadrës mysafire dhe valixhet e tyre, siç veproi policia serbe në aeroportin “Nikolla Teslla” të Surçinit në Beograd;

- të ndalohet, të shoqërohet apo edhe të arrestohet - pa asnjë arsye - vëllai i kryeministrit të një shteti sovran, siç vepruan pas ndërprerjes së ndeshjes, shërbimet policore serbe;

- për një ndeshje të këtij rangu të angazhohen 4000 policë për të ruajtur rendin apo për të parandaluar incidentet e mundshme, sidomos kur tifozëve të skuadrës mysafire iu ndalua ardhja në ndeshje.

Këtu kemi një paradoks: në një anë, ndalohet ardhja e tifozëve shqiptarë, e në anën tjetër serbët angazhojnë 4000 policë. Shtrohet pyetja: Përse dhe kundër kujt angazhojnë një numër kaq të madh policësh?! Vetvetiu rezulton se problem paskan qenë vetë tifozët serbë, ose më saktë - të gjithë serbët pa përjashtim. Nga kjo del se Serbia apriori e paska ditur se spektatorët serbë janë ata të cilët, duke qenë të helmuar ideologjikisht, ngjarjeve sportive u japin dimension josportiv. Midis tifozëve serbë dhe mbarë publikut serb që është i pranishëm në stadium, nuk ka asnjë dallim. Të gjithë janë njësoj.

Huliganizmi dhe ksenofobia serbe është dukuri e rregullt dhe normale e arenave sportive të Beogradit:

- dy skuadrat futbollistike rivale të Beogradit, Partizani dhe Zvezda, kanë një histori të bujshme të djegies së stadiumeve të njëra-tjetrës. Djegia e fundit është kryer më 2 nëntor 2013, me ç’rast tifozët e Partizanit e dogjën stadiumin Marakana të ekipit rival;

- në dhjetor të vitit 2012 u luajt në Beograd ndeshja futbollistike për të rinjtë, midis skuadrës futbollistike serbe dhe asaj angleze. Futbollistët e rinj anglezë ngadhënjyen me 1:0. Lojtarët serbë, të privuar nga çdo edukim sportiv dhe të ndihmuar nga tifozët çetnikë serbë, e shndërruan terrenin sportiv në arenë gladiatorësh, duke i sulmuar mysafirët në mënyrën më barbare;

- në ndeshjen futbollistike midis Italisë dhe Serbisë, të luajtur në tetor të vitit 2010 në Gjenova të Italisë, huliganët dhe çetnikët serbë shkaktuan incidente të rënda, me ç’rast një bastard dhe hohshtapler i quajtur Ivan Bogdanov dogji dhe flamurin shqiptar. Si pasojë, ndeshja u ndërpre. Ky farë patrioti serb dha kokë edhe në ndeshjen midis kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Serbisë.

Është për t’u habitur sesi UEFA e toleron në terrenet sportive egërsinë dhe barbarinë serbe, në Evropën e shekullit XXI. Deklarata e francezit Mishel Platini është absurde, qëndrimet e tij ndërkaq - të njëanshme dhe proserbe. Për fatkeqësinë e tij dhe të autoriteteve histerike serbe, droni me flamurin shqiptar nuk pati kurrfarë bombe. Qëndrimet e njëanshme të Platinisë nuk u shërbejnë tendencave të UEFA-së për të luftuar racizmin dhe ksenofobinë në fushat e sportit.

*  *  *

Me luftën speciale që zhvilluan mediumet serbe lidhur me ndeshjen me kombëtaren shqiptare, dy javët e shkuara, krijuan një atmosferë të tensionuar, duke i dhënë ndeshjes dimension politik. Serbët duhet ta dinë se ata që e politizojnë sportin, nuk luajnë. Pikërisht për këtë, ekipi serb përballë skuadrës shqiptare ishte inferior.

Serbët janë mjeshtër të mëdhenj të shtrembërimit të fakteve. Gjatë gjithë historisë së tyre, propaganda gebelsiane serbe, të zezën e ka paraqitur si të bardhë dhe vice versa. Propaganda serbe, duke e privuar sportin nga qëllimi i tij parësor – afrimi i popujve -  një ngjarjeje sportive me karakter ndërkombëtar i dha dimension politik. Pas kësaj, ndeshja Shqipëri – Serbi, i ngjante një lufte: luftë speciale, luftë psikologjike, luftë mediumesh, luftë propagandistike, luftë me gurë, me shishe, me çakmakë, me monedha, me shkopinj gome, me karrige, me grushte, me shqelma, me fyerje, me sharje, me kanosje, me zjarr etj.

Shtrohet pyetja: Ku ishin këta farë 4000 policë dhe qindra ruajtës të tjerë të rendit për ta parandaluar këtë albanofobi të shfrenuar, të paparë në Evropën e shekullit XXI.

*  *  *

Të verbuar nga obskurantizimi i së shkuarës, serbët nuk janë në gjendje të durojnë qoftë edhe një flamur të vetëm – simbolin kombëtar të popullit të skuadrës mysafire, madje në mesin e mijëra flamujve serbë.

Politika serbe e trimëruar nga Vladimir Putini është arrogante dhe megalomane. Një politikë e tillë e vjetruar e çon Serbinë në izolim. Qëndrimet e autoriteteve serbe janë radikale dhe në kundërshti të plotë me frymën e proceseve integruese. Prononcimet e tyre janë po aq histerike sa edhe të tifozëve çetnikë. Midis tyre s’ka dallim. Ata janë një. Serbia historikisht ka qenë shkaktare e të gjitha krizave në Ballkan. Ajo vazhdon të mbetet faktor i vetëm i destabilizimit në rajon. Ajo është kriza vetë. Serbisë garashaniniste që sot e kësaj dite jeton në me mite e legjenda, për të qenë shtet normal, i duhen shekuj.

A. Vuçiqi e di fort mirë se ka Serbi të Madhe dhe jo Shqipëri të Madhe. Shqipëria në territorin e vet nuk ka asnjë pëllëmbë toke të huaj, Serbia ndërkaq ka nën sundim të vetin Kosovën lindore, Sanxhakun e muslimanëve dhe Vojvodinën e hungarezëve, të kroatëve dhe të 26 minoriteteve të tjera.

Zëdhënësja e baroneshës Ketrin Eshton – Maja Koçijançiq, duke deklaruar se policia serbe u tregua profesioniste, dëshmoi qartë se fare nuk ka qenë e informuar për atë se ç’ka ndodhur para ndeshjes, gjatë ndeshjes dhe pas saj. Pas deklaratave të turpshme të autoriteteve serbe, Brukseli duhet t’ia mbyllë Serbisë dyert e integrimit. Të ushtrohet trysni mbi Tiranën që Kryeministri i Shqipërisë ta shkojë  Beograd, do të thotë ta shndërrosh politikën në teatër burlesk. Për një vizitë të tillë nevojiten parakushte dhe rrethana normale.

*   *  *

Serbët dhe e gjithë bota e panë se bijtë e shqipes, flamurin e Gjergj Kastriotit e mbrojnë me jetë. Shqiptarët kurrë s’do të lejojnë që flamuri i Vlorës së Ismail Qemalit të shtrihet për toke dhe të nëpërkëmbet nga hordhitë e egra barbare. Dhjetëra mijë shqiptarë në Tiranë, në Prishtinë, në sheshin e Skënderbeut në Shkup, si dhe në shumë qytete të tjera shqiptare, përfshi dhe shqiptarët në Evropë dhe në SHBA – e ndoqën ndeshjen në frymën sportive, pa fije urrejtjeje e ksenofobie.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora