Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tefik Selimi: Një vepër me imazhe të bukura poetike

| E diele, 19.10.2014, 04:53 PM |


Një vepër me imazhe të bukura poetike...

Nga Tefik Selimi

Poetja nga Bujanoci, Diniela Lera – Vehbiu, është njëra ndër poetet më të reja që i shtohet artit të shkruar në Luginën e Preshevës, në Kosovë dhe Shqipëri. Diniela Lera -Vehbiu ka lindur në vitin 1985 në Tiranë. Me kohë ka përfunduar studimet e larta në Degën e Gazetarisë pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë me sukses të shkëlqyeshëm. Ajo është e re dhe, në këtë kohë njomake, pasioni i saj është i flaktë për të shkruar poezi e prozë. Këto nisjet e saja poetike janë nga mosha e vogël dhe vazhdon edhe mëtej në shkollën e mesme ku merr pjesë në konkurse letrare, në të cilat e nderojnë me çmime të para disa herë radhazi. Krijimet e saj poetike janë botuar nëpër revista me karakter letrat nëpër qytete të Shqipërisë. Ky vit i saj është vit i nisjes së saj kah krijimtaria letrare arstistike. Andaj, ditë më parë, ajo botoi veprën e parë me poezi: “Kur lulëzoi pritja”. Vepër kjo me një teknikë të bukur, e cila ka simbolikën e saj. Janë këto krijime poetike, të cilat kanë dalë nga etja e saj për të krijuar poezinë, e cila e ka frymëzuar në çdo kohë, në çdo vend, ku ka “ethe” të dashurisë, e cila dashuri është kudo: aty në takim, në pritje, në ndeja, në përqarim, në mbrëmje, në gjumë, në ëndërr, zhgëndërr, pushim, argëtim etj. Autorja, shton: “Mundohem të kem vendosur të kthej/ edhe një tjetër fletë të jetës sime/ ndjej që kam kaluar në botën e zanave/ në gjumin me ëdrra të bardha...” (f.7). Gati të gjitha poezitë janë frymëzime “rinore”, të kohës së diktatit të zemrës apo kohës së “bandilave”, sepse “mashkullit i duhen dy sy të bukur/ se formojnë qiftin ideal”. Pra, këto poezi janë inspirime njomake, të cilat kanë dalë jo nga “lodhja”, por nga lehtësia e shpirtërore e dy të rinjve, të cilët, në një kohë të tyre, e ëndërrojnë jetën: “E ëndërrova dasmën tonë/ të dy hipur mbi një kalë të bardhë!” Këto vargje dalin nga poezia “Ëndërrova dasmën tonë”, e cila poezi ka dy personazhe: djali e vajza. Ky krijim artistik të përkujtojnë vargjet e këngëve popullore. Aty e kanë burimin. Sepse, te dy janë engjuj. Janë bukuri e rrallë e jetës. Pse jo? Ja si është “ëndrra” e tyre të bardha: “Ti dukesh më i bukur se kurrë/ dhe ti me të bardha se unë/ apo: “Ata tek dy, si bandila enden dhe joshin natyrën me bukuritë e tyre” njomake dhe frymëzimi i poetes shtohet me sa vijon: “Në lëndinë s’mungojnë pijet, muzika/ torta jonë e stërmadhe/ s’mungon buqeta ime e luleve/ e hedh në ajër, dikush e kap, një vajzë/ lumturohet një djalë!” Dashurinë platonike, autorja e shpreh me vargje poetike, si: “M’u desht të të harroj”, ajo shton: “Thuamë se të ta them se të dua/ më shumë se jetën time/ se gati sa s’u çmenda/ kur iu shmange puthjes sime” (f.15). Poezia e Diniela Lerës është e afërme me të gjithë. Ajo e ka reflektimin e qartë. Nuk hapëron me iluzione, por është krijim spontan, i qiltërt, ashtu si është vetë jeta e poetja. Ajo (autorja), shton: “Aty jetoj unë, e dashuruara jote/ ti po deshe eja, do të  të qeras me një të puthur/ nga buzët qershi dhe me  të bukura fjalë/ do të kaloj male për ty” (f. 16). Kjo është dashuri e rrallë platonike. Një dashuri e sinqertë, e cila hyn dhe zë vend te dy të rinjtë, të cilët, njëri-tjetrit i besojnë në zemër-dashje. Vepra e Dinielës Lerës është plot ngrohtësi jete. Ajo u jep shpirt të jetuarve, të cilët dinë ta jetojnë jetën. Por, kur ata kanë zënka, sikur e shohin se vjen edhe e papritura - vdekja. Ja si shton poetja: “...unë dëshiroj me shpirt të jetoj”. Në këtë “lojë” të të rinjve, shkruhet edhe poezia. “Po luaj më do, s’më do/, ku kjo lojë bëhet “në një park të mbushur me qifte që puthen”. Në poezinë e Diniela Lera ka edhe pak dilema jete. Ajo thotë se bota po e han boton time me dhëmbë, e “prapë bota ime po e shemb me dashuri”. Pra, sa më e dhimbshme është jeta, ajo është edhe më e adhuruar me dashuri. Titulli i veprës “Kur lulëzoi pritja”, sikur rezonon për një pritje të të rinjve: pritja e vajzës, pritja e djalit, gjithnjë kohë në pritje, sikur nga këto pritje vie lulëzim i pritjtes (gëzimi). Është një aktualitet i qartë i kësaj kohe. Poezia e shënon edhe këtë pritje, sepse, autorja nuk ka vargje të mbylljes hermetike, por ajo është e hapur në vetvete, e cila zgjon ndjenja për pozivitet tek të rinjtë të kësaj moshe. Kjo poezi nuk ka klithje, nuk ka dhimbje për gjendje skamnore, por ka klithje për dashuri dhe ka dhembje për qaste të pritjes së njëri-tjetrit. Aty-këtu, në poezinë e kësaj vepre ka figura fjalësh të bukura poetike, por ka edhe figura mendimesh. Figurat janë të rëndomta dhe shprehin nyjen e frymëzimit të autores së veprës. Edhe në këtë  vepër poetike vërejmë xhelozinë e të rinjve, një fenomen i “keq” te të rinjtë, të cilët, kur e teprojnë në dashuri, pastaj pason xhelozia, ftofja... Ja si shton poetja: “Ishte inati im që kërkonte të të bënte xheloz/ duke kapur për krahu ndonjë shok klase”. Pra, femrat xhelozojnë kur shohin “skena” të tilla, kur në vargje poetja shton: “zemrën e mbajta në dorë, burrërisht ndryja lotët/ me zemër vuajta si femër” (33). E diku në vargje, Diniela Lera, shton: “Njerëzit vuajnë për dashuri”! Po i referohemi disa nga shprehjet poetike të kësaj vepre, si: “Sot gëzojmë ditët e jetës së re; pres të dashurohem; me ty është ndryshe; pranë teje orët janë kthyer në vite; ti puth bukur; dashuron fort; grua u bëra më vonë/ e flakur për ta shpëtuar botën e një mashkulli; (dilema): do e mbaj vëmendjen në detaje pa kuptim/ kur ende do shpresoj të jem e jotja; unë kam dashuruar shumë, shumë, më shumë se ty, bëhu burrë e tregomë dashurinë që ke për mua/ që të përvlon zemër e shpirt; nëse s’do kishe buzët e bukura/ vështirë se do të dashurohesha me ty, unë jam poete, e ti admirues i poezisë”, etj. Tek kjo vepër gjen edhe ndonjë poezi sociale. Aty ke lypsin, të sëmurin e qytetarin që kërkon lëmoshë për jetë. Ky “fenomen” poetik të përkujton poezinë e Migjenit, poetin e mjerimit. Ja si shton poetja: “Shihen lëvizjet, pleq/ fëmijë  që lypin/ ditë të trishta, lotë shirash/ të sëmurë pa krahë/ (f.42). Tek në poezinë “Mbetem vetëm”, autorja përsëri e vargnon në stilin migjenian: “thyhesh nga shikimi im i djegur/ shpërthen nga puthjet që kafshojnë deri në shpirt” (f.71). Por, poezia si poezi shpirti, ajo shpërthen në çdo qast. Është qast që të ndalë. Të lë pa frymë. Ja si shton autorja: “Ti je puthja ime/ me ty do i gdhija netët e s’do të ndihesha keq të nesërmen, të dua, të dua... kam dëshirë të të kem pranë tërë jetën”. Kjo është fuqia e artit poetik. Por, ka poezi që shtojnë edhe momente tjera. Poezia “U lamë”, ajo sikur ka “prekur” një ndarje të të rinjve. Ja si tingëllon: “Ti shkove në kërkim të fatit tënd/ E prisja s’isha unë/ nata e fundit, të fundit puthje/ qenë më të gjatat, më mashtueset”. Në poezi ka botë reale. Këto vargje shënojnë. Ja si thotë poezia: “Ne erdhëm në botë bashkë/ pa dhëmbë, pa flokë, lakuriq/  lakuriqësia na vrau të dyve/ dhëmbët tona kafshuan mishin që dashuruan”. Një vepër poetike, e cila në vete ngërthen botën shpirtërore të të rinje, ajo lexohet, sepse ka qaste, mbresa, kohë, pritje, takim, buzëqeshje, dhimbje, zhgënjim, por edhe qaste të tjera të zjarrit të dashurisë, së cilës autorja ia kushton me dhjetra poezi të lloj-llojshme. Kjo poezi ka zjarr fuqie nga brenda, që shpreh dufin dhe del në sipërfaqe si krijim spontan artistik. Ajo adhurohet.  E tillë është poezia e Dinielës nga Shqipëria. Diniela Lera – Vehbiu përpos që është gazetare, ajo tashmë është afirmuar dhe e sukseshme në profesionin e saj. Por, me veprën e saj poetike “Kur lulëzoi pritja”, ajo po tregohet edhe më e suksesshme në fushën e krijimtarisë letrare, ku siç thotë edhe vetë Diniela ky është vetëm fillimi në fushën letrare. Në një ambient të veçantë dhe në prani të shumë dashamirëve të librit, ditë më parë,  në Bujanoc, u promovua libri i parë  me poezi dhe prozë i shkrimtares, gazetares nga Shqipëria, Diniela Lera – Vehbiu. Ajo me një rast ka shtuar për librin e saj se: “Është një libër që ndoshta për dikend ka thjesht vetëm njëqind e ca faqe, por për mua është më shumë se kam lënë shpirtin në ato poezi e proza, është diçka më shpirtërore se çdo gjë tjetër”. Ndërkaq Nexhat Rexha, krijues nga Gjilani, tha se libri i parë i poetes Diniela Lera Vehbiu “Kur lulëzoi pritja”, shënoi fillimin e jetësimit poetik në rrafshin artistik si dëshmi  e konkretizim  të një akumulimi shpirtëror nëpër të cilin ka trazuar botën e brendshme të autores. Poezia artistike bart dhe ruan me vete skenat nga më të ndryshme,  krijon  mundësinë e shpalosjes edhe në imtësi të cilat  ruhen në imazhin e sugjestioneve të arkivuara në memorien e njeriut, ka shtuar mes tjerash, Nexhat Rexha, krijues nga Kosova.

Shkrimtarja  Diniela Lera – Vehbiu jeton në Tërnoc, komuna e Bujanocit. Veprën e ka botuar Shtëpia Botuese “Beqir Musliu” në Gjilan.

Gjilan, 17 tetor