Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Muharremi: Surealizmi dhe qëllimi i tij

| E diele, 19.10.2014, 04:33 PM |


Surealizmi dhe qëllimi i tij

Nga Dr. Ilir Muharremi

Surealizmi ishte një mosnënshtrim total, lëvizje kulturore, humor, përqeshje, lojë ekstreme ndërmjet realitetit dhe absurdit, por prapë sfidë e reales me ëndrrën. Për qëllim kishte rifillimin dhe më këtë nënkuptohej refuzimi i gjithçkaje mbi bazën e provokimit. Marrë nga fusha e psikanalizës kemi pavetëdijen, por nëse marrim nga aspekti artistik kemi rifillimin e përmbysjes ideale të shpirtit. Fillimisht ishte si lëvizje pasuese e dadaizmit që përmbyste nocionin e artit të hershëm modernist.  Dada-të e vërtetë e kuptonin joartistiken si shndërrim në artistiken. Kjo bëhej vetëm nëse shkëputej nga konteksti, pastaj renditej kuptimi origjinal i joartisktikes. Por, në surrealizëm ka diç më të pastër më substanciale, rikonsiderim irracional që shprehet përmes subkoshiencës njerëzore. Dukshëm kemi shmangie të logjikës strehim në liri totale të shprehjes. Nëse e analizojmë surrealizmin me artin figurativ, përmbledhim shkrirjen e reales dhe ëndrrës me ribashkimin e materialeve të ndryshme me përbërje onirike dhe vizione inkoshiente. Bretoni refuzonte çdo shpresë të përtejme. Kishte të drejtë. Jeta e papranishme krijon armatosje ndaj refuzimit të asaj që është. Aftësia e tij nuk i rezistonte fatit të kësaj bote duke e quajtur si “sfidë të drejtësisë”. Por, shpirti mënjanon një sfidë nënshtrimi të rrejshëm ngaqë klithja është edhe kundër vetes. Surrealizmi proteston kundër vdekjes dhe ekzistencës së përkohshme. Kemi “ligjin” e padurimit. Bënë jetë në dëshpërim të papranuar nga vetja në raport me realen. “Surrealizmi, ky ungjill i jorendit, që nga origjinat e tij ishte i obliguar për të krijuar një rend” thotë Camus. Cilin rend? Rendin e shkatërrimit sidomos në poezi që ishte çekiç i vërtetë. Bota reale e përpjesëtuar nga ëndërrorja kaloj në fazën e krijimit. Duke u nisur nga e zakonshmja dhe përshkruesja, ekzistenca i hap rrugë imagjinatës në përputhje me dialektiken Hegeliane. Ideja krijon forcën e pafajësisë të lindur nga dëshpërimi si qëllim i lartësimit të ndryshueshmërisë. Jeta mund të ndryshoj vetëm nëpërmjet poezisë, kështu mendonin surrealistët. Jeta nuk mund të ndryshoj duke abstenuar totalisht nga ajo. Jeta bashkëvepron me ëndrrën, kjo duhet të ishte një më e vërtetë. Në këtë pikë, surrealizmi gjen lehtësinë dhe klithmën e G. Durozoit : “Poetët surrealistë nuk bëjnë poezi, por i jetojnë ato”. Surrealizmi mbështetët në jetën dhe kjo arsyeton tronditen shpirtërore.

Surrealizmi është lodhur nga letërsia sidomos aty ku besonte në vrasjen dhe vetëvrasjen. Vetëvrasjen e shihnin si zgjidhje. Këto janë veprime që imponon ekzistenca e pafajshme njerëzore. “Të vdesësh me dashje parakupton që e ke zbuluar qoftë instinktivisht, karakterin qesharak të këtij zakoni, mungesën e çdo arsye të thellë për të jetuar” thotë Camus. Por, cila është pra kjo ndjenjë që i largon shpirtit gjumin aq të nevojshëm për jetën? Është një botë e afërt. Cili është akti më i thjeshtë surrealist? Sipas Bretonit, të dilet në rrugë me revole të shtihet mbi grumbullin e njerëzve. Ky akt përqendrohet në lirinë absolute. “Ideja surrealiste e frymëzimit”, shkruan Octavio Paz, shpërfaqet si shkatërrim i imazhit të botës, ndonëse deklarojmë përbërësit e saj si halucinacione. Esencialisht klithmën për një botë të re nga shpërthimi i pavetëdijes. Për të përfunduar, çfarë kuptimi ka liria nëse përshtatet me vetminë egoiste? Thelbi është tek mohimi i sfidave penguese dhe të arrihet irracionalja absolute. “Çka do të thotë kjo apologji e vrasjes, kur në botën pa domethënie dhe pa nder, vetëm dëshira për të qenë, me të gjitha format e saj, është legjitime” thotë Camus. Shpërthimi i pavetëdijes nga mos arsyeja e të jetuarit janë të vetmet të vërteta.  “Surrealizmi eksperimenton, trupin dhe mendjen e tij që shkatërrohet, dhe për këtë arsye rruga e surrealizmit është e shtruar me kufomat e përfaqësuesve të tij” vazhdon Nikolaos Kalas. Sigurisht, eksperiment i vetvetes nga distanca mbi veten. Kuptojmë akomodimin me krimin dhe dhuna është mënyra më adekuate për shprehjen e artit surrealist. Si arrihet çlirimi i forcës së dëshirës? Me vrasjen e shoqërisë. Ata janë shërbëtor të revolucionit kohor. Surrealiteti shkruante Aragoni, është horizont i përbashkët i feve, magjive, poezisë ëndërrore, çmendurisë, dehjes dhe jetës. Nga Salvador Dali e deri te Sade-i surrealistët sipas Camus, studimi i marksizmit i ka quar në revolucion. Patjetër, surrealistët pajtoheshin me marksizmin dhe dihen parimet e Bretoni-t të një autoriteti të rreptë. Rrënimi i njeriut pa neglizhencë duhet të trajtohet i dobishëm. “Deri në atë moment më mungonte besimi dhe kisha frikë se do të vdisja pa shkuar në parajsë”, ilustron Dali këtë frazë në një pikturë që paraqet figurën e një njeriu përpara një kishe të periudhës së rilindjes, me dorën e majtë të ngritur drejt qiellit që përpiqej të mbante një kryq, sikur të priste një iluminim ose një shenjë hyjnore. Fizionomia e ëndrrës me realitetin sublimohet duke ilustruar etjen për misticizmin e vonuar jetësor. Ose misticizmi lartësohet  nga Dali si etje e revoltuar për absolutizëm. Zjarri i dëshirës, rrëzimi i mureve të vdekjes, magjia primitive naive e një guri laik, ilustron simbolikën e pikturës mbi mitin. Këtu ma kujton kthimin e miteve nga një Greqi hijezuese, zotëruese. Poshtërimi i vetës për një botë të padukshme të mesnatës kurorëzohet tek Dali. Bretoni e ka kuptuar që jeta e tij ishte e dhuruar. Pjesa mohuese zbehej tek ai ndërsa, rreptësia zëvendësonte heshtjen. Nëse qëllimi i surrealizmit është për krijim të një morali të ri, atëherë përse Bretoni është kthyer moralit tradicional? “Ndoshta aty ka një pauzë” gjykon Camus për të vazhduar se kjo është pauzë e nihilizmit.

Nëse thellësisht analizojmë surrealizmin, aty nuk gjejmë politikë, fe, Zot por, rehati imagjinative. Rehatia shpie drejt horizonteve të pamundësisë, nëse flitet për një botë objektive, e cila dikton të jetuarit në të njëjtën kohë me të mohuarit. Këta shfrytëzues të ekzistencës si qëllim refuzimi revolucionar kanë synim ruajtjen  historike. Sipas Camus, Marksistët e shfrytëzojnë atë për ta legjitimuar revolucionin, nga kjo na del krijimi i një situate tjetër historike. Por, nëse e analizojmë më thellë, të dy palët  lozin tragjedinë njerëzore për qëllime të veta. “Breton-i e shfrytëzonte revolucionin për ta përfunduar tragjedinë dhe në të vërtetë, përkundër titullit të revistës së tij, e vinte revolucionin në shërbim të aventurës surrealiste”. Marksizimi pushtonte surrealizmin për qëllime të unitetit. Surrealizmi synon të tërën ose asgjënë, por krejt kjo prapë në universalen. Dali, nuk ndjente nevojë për realitetin, synimi ishte tek mbirealiteti, ky mbirealitet tek uniteti që arsyetohej me nënvetëdijen. (ëndërrimet, trishtimet, tmerret, halucinacionet, ankthet.) Edhe nëse ka tentuar të çlirohet ka vuajtur në të njëjtën kohë.  Qëllimi ishte eliminimi i pengesave dhe strehimi në irracionalen. Çka më tej? Prapë kthim në tradicionalen e cila për një kohë harrohet me braktisje. Dali bashkohet me veten duke jetuar në krim, vuajte, ekstremitet të cilin askush nuk e ndjente më mirë dhe nuk arriti ta paraqiste në pëlhurë. Fjala Zot lehtësonte ilustrimin e veprave të tija. “Është kërkim i majës së greminës e familjarizuar nga mistikët” bërtet Camus. Misticizmi këtu jeton pa Zotin duke e zëvendësuar me absoluten. Përse duhet ta kthejmë vështrimin kah Zoti dhe përse do kishin nevojë për të? Kjo bëhet për të arritur të pamundurën. Nëse kërkojmë të mundshmen njerëzit dhe artistët ia dalin mbanë vetë. Nëse njeriu do të zbuloj të pamundurën, do të klith sikur Shestovi “ja Zoti”, derisa Camus do vendoste “ja absurdi”. Duhet ta shmangim çdo keqkuptim të mundshëm dhe madhështia e surrealizmit dhe Zotit është në ikonosekuencë. Kërkimi për të pamundurën do të vazhdoj...