Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Remzi Salihu: Fluturim në qiell të vrazhdë (4)

| E enjte, 16.10.2014, 07:27 PM |


GUGATJE E STËRZGJATUR NËPËR TURMË

4.

Pëllumbi nuk i kishte mbajtur tërësisht në kujtesë pasojat e ngritjes së tij të shpejtë në lartësi, ngase turbulenca e acartë kohore i përplasej pahiri në karrierë të shpejtë. Harresën e kishte vënë të rrezatohet në prehër të qiellit të nxehtë. Rrotullimin e improvizuar artistik e bënte me flatra e tij të amputuar keq në trup. Sqepin e kishte të stërvitur një kohë të gjatë për etje shtegtimesh përfituese, për fluturime të përkohshme në qiell të mugët, duke u imponuar rrotullueshëm gjatë kohë nëpër turmë, me gugatje të stërzgjatur refrenesh servile të gjata. Dhe krejt kjo aventurë shtegtuese e tij bëhej nga interesi i stimuluar mbrapsht për afirmim të rrejshëm e të shpejtë në sistem. Nga distanca e vëzhgimit permanent, këto skena të shpezëve të imponuara me zor në qiell të hapur vlerësimi, duken të vrazhdë nga profili vëzhgues i profesionistëve. Por mënyra e këtillë e veprimit konvencional i pëllumbit pëlqehej kalimthi nga soji i vet i përulur në çerdhe gugatjesh të pa evitueshme ditore. Ky shtegtim, pa busull e orar kohe, merrej si një ikje e dëshiruar dhe e pa pritur e tij matanë çastit të ndërsyer nga turma, që mendonin të tjerët se bënte fluturim paqësor serioz, me betim patriotik, të akorduar zhurmshëm, nëpër kufijtë e atdheut. Po, tanimë, kondicioni i tij fluturues ritmik, i përzgjedhur me strategji të veçantë, ishte zbehur nga lodhja dhe prapavija e vendimmarrjes së shpejtuar, ndaj shqetësimi kishte marrë anomali turbulencash të nëpërkëmbur nëpër këtë stërzgjatje maratonike të pakufishme, si prani kriteri të kërkuar, me çdo kusht, nga standardet fluturuese të kohës, sepse hapësira ishte përmbushur me këto lloje vardisjesh shpezësh të shumta antivlerash, të imponuara me dhunë në gjatësi vitesh marramendëse, nga tregu i lirë i kiçit të përshtatur në mëhallë. Po edhe ky pëllumb lakmoi këtë fluturim të gjatë në qiell të hapur konkurrencash. Oreksi i tij për dukje të tanishme ekuilibrimi mbërthente në brendi bredhje muskulore artistike monotone, me ndriçim të larmishëm pendlash të varura keq nëpër kraharorin e vet. Shpresën e kishte kurdisur mirë për vullnetin e pëlqyer të shkuarjes së largët, bashkë me egon e lirë e të dëshiruar kaherë në çerdhe. Tentonte të kërkoj qetësi mbi majat e larta të krekosjes së vet, mu në sfond privilegji të lakmuar elitar, për pushtimin e hapësirës së skaduar nga interesat e të tjerëve, të mbetur peng gugatjesh rrotulluese në monotoninë e refrenit të përditshmërisë së hidhur në Pension. Atij nuk i interesonte kurrgjë nga poshtë, madje, as edhe për shpezët tjera të mbledhura në turmë, që ndodhen rastësisht të lëshuara në hapësirë kërkimi, për interes të majm grabitjesh, ane kënd bukurisë estetike të vendit dhe shtegtimit të lakmuar përmbi eterin e madh të dëshirës fluturuese, për hulumtim shkencor të vrazhdë, pushtues hapësirash të huaja e të pa meritua. Nuk kishte llogaritur as për skifterët e gatshëm, grabitqarë, që presin mbi ozon helmues, gjegjësisht nëpër ambientin e ndotur, grabitjen kafshatës së tersit të tyre tematik të egër nëpër tymnajë, për shpezët e rastit të përhumbur në qiell hulumtimesh të njëanshme, që përpëliten të plogësht nëpër hapësirë kërkesash të reja afirmimi, duke bërë fotografi ‘’selfie’’, madje ‘’belfie’’ nga këndi i profilit të mburrjes personale në lartësi fluturimi, duke marrë  kraupët nga shija e shijshme e oreksit të adaptuar mirë në stinë të bukur përfitimesh jo reale. Për ta kultivuar në nënvetëdije humusin egos së rrejshme ekologjike të shkollimit të shpejtë për rrethin, bashkë me vlerat e dobëta që sot janë duke e përmbytur e trumhasur vendin nga llomi e bërlloku i shumëzimit politik kulturor në turmë. Nuk je i madh duke bërë fotografi të shumta, krah për krah, me njerëzit mëdhenjtë e vendit e botës. Por je madhërishëm në vete kur detyrat dhe veprat e mira lënë gjurmë madhështie pas teje. Me përmasa të caktuara divergjencash të hidhura dhe me plagjiat epigonesh e zërash shtresash të përsëritura nuk bëhet autoritet. Të ndërtosh imazh të rrejshëm është një lloj sikur të notosh me anie prej letre përmbi dallgët e mëdha të detit. Sot pëllumba të shumtë fluturojnë nëpër këtë qiell kërkimi shkencor të brishtë dhe mbajnë veten peng në fluturim të gjatë frymëzimi, me strehë flatrash të ngjitura dobët me dyllë në trup, për të marrë tani fuqinë e mundshme të pozicionit permanent rrotullues të rrejshëm nëpër këtë çast klisheu ekuivalent të preferuar nga turma në shoqëri. Mu në këtë kohë e hapësirë të nxehtë urie e fluturimesh të stërzgjatura nëpër kupën e thellë qiellore. Kjo maskara e kurdisur e rrotullimit të keq, në kohë e hapësirë përfitimesh të pa kontrolluara, bëhej me akrobacion të zhdërvjelltë, e ushtruar bukur një decenie të gjatë nga individë, përmbi kulte të larta grupesh interesash të caktuar enkas për këtë veprim antivlerash, për plaçka të papritura të çasteve të mirëseardhura në jetë nga injoranca e preferuar. Kështu, nga kjo lakmi e stimuluar e vardisjes, të gjithë shpezët donin të mbërrinin në thellësinë më të skajshme të qiellit të lartë enigmatik, në zenit turbo-shkollimi. Me diploma false të varura në sqep të art mburrjeve të pa qëndrueshme. Mundohen kot të fshihen rrejshëm në largësi hapësirash shkencore debatuese. Pa mesazhe të dhëna bindëse opinionit, sipas rregullores së standardizuar të sistemeve vlerësuese të pranuara në Pension. Tetëmbëdhjetë universitete u mbyllën ngase nuk i plotësonin kushtet përkatëse të studimit. Mbi 10 mijë student e profesorë duhet verifikuar diplomat e tyre. Arti i shkollimit të improvizuar mund të jetë i ngarkuar me prapështi edhe më rëndë se kaq, kryesisht të njollosur nga këto anomali individuale të lakmuara shkencore dhe improvizuese. Vërshimi i madh i kiçit e ka përmbytur vendin e mrekullueshëm që na e fali Perëndia. Dezinfektim ekologjik duhej bërë nga të gjitha anët. Lënxhira e ristrukturimit të keq mendor ka lëshuar metastazë nëpër të gjitha anët e trupit të Atdheut.  Gjurmët duken gjithandej kiçit dhe shundit të përhapur me përmasa tronditëse. Edhe bythën në zjarr ta vënë nuk u besohet! U mungon erudicioni i kultivuar sistemor për t’i kënaqur shpirtrat e etshëm për dije. Këto manipulues të kohës që erdhën rastësisht nëpër rrugëtimin e pa kontrolluar të tyre, përjashtojnë lexuesin e kultivuar me art të bukur alternativ. Ato kanë në refrenin e vet vetëm gugatje monotone për rreth çerdhes së tyre të improvizuar keq, por ja që kanë zënë hapësirën peng dhe kohën e mbajnë të ngujuar me forcë nga turma për të keq. Ato ngjishen në modë kohe dhe kuptohen tërësisht me devizën e tyre në mbrojte të njëri tjetrit me amputime mendimesh të huazuara nëpër komente dhe nëpër mjegulla fjalësh e frazash të huazuara ortodokse, bëjnë akrobacione me bubullima të rralla reminishencash të huazuara e të përsëritura nga elektorati i ngutshëm i verifikimit të fshehtë shkencor në klan. Ashtu të krekosur, me mburrje të skajshme, qëndrojnë në kulm të shoqërisë së pa kuptueshme provinciale. Larg vërtetësisë së realët të standardit të kërkuar të vlerave sistemore botërore, larg kuptimit të drejtë të domethënies simbolike të artit të vendosur elitar, për fluturim pa maska, dhe larg pranisë logjike të profesionistit adekuat për kapjen e hapësirës së vërtetë të vlerave ekzistuese shkencore, gjegjësisht të përmbushjes së kriteret adekuat antropologjik, të strehuar nëpër sy të përkufizuar idesh metafizike njerëzore, që shpjegimin historik të filozofisë moderne do ta trajtonin, si diçka pozitive, si mundësi e lirisë së përshtatshme të daljes së tyre nga shoqëria qytetare e njëmendësuar në subjektivitet të kapshëm elitar idealist. Kryesisht për përqendrim serioz e zbulues të suksesshëm gjatë hulumtimit personal, në kohë vlerësimi të drejtë e të bindshëm në Pension. Ata shkuan aq larg me fluturimet e tyre konfuze nëpër lirinë e fjalës së thënë në opinion, duke përhapur artin e tejkaluar të kohës, deri sa nuk dukeshin e dëgjoheshin më këtej pari, me gugatjet dhe kakarisjet e tyre të zhurmshme përreth këtij klubi të adaptuar këndshëm, në monotoni refreni politik përfitues individual për jetesë lokale bastarde, për bri turmës së manipuluar keq nga dukja e jashtme formale, e frontale, ku bëhej bajpasi politik klanor, i nxitjes së fluturimit nepotist të shpejtë dhe të vrullshëm në çerdhe strehimi, të atyre pëllumbthave dhe laraskave të stimuluar me flatra të brishta në trup nëpër hapësirën e këtij vendi. Këtu te ne, në vend që politikani ta ketë drojën e tij nga populli, mjerisht, populli ka drojë nga ai i përzgjedhuri i vet në mëhallë. Ndaj sot u ankohet mali drunjve më kot, se ia dhanë sëpatës bishtin nga trupi i vet, për të pësuar keq nga Ajo prerjen e tyre.  Dhe, kështu, duke i shikuar me kujdes të pranishmit e kësaj ane e jete të adhuruar kreative, të këtyre kërcimeve të papritura kulturore enigmatike të çastit, për dukje sprovash e konkurrencash bashkëkohore, tanimë, ne habitemi se si është e mundur gjithë ky shtegtim kaq i shpejtë, apo rrugëtim shumë i largët, i kësaj shakulline të shëmtuar, që na erdhi për krasitje vlerash për një kohë kaq të shkurtë shkencore, gjerë e gjatë hapësirës së pa fund të kërkimit, pa kondicion karriere të ushtruar mirë në bazë shkencore dhe në përgjegjësi vlerësimesh tradicionale të shqyrtuara gjatë etapave kohore. Nuk ka shkencë dhe civilizim përparimtar e të kulturuar, pa gjurmë stili të kapshëm e të mirëfilltë në ngjitje reale në lartësi të kthjellët meritash shkencore. Në rreth të pa kufizuar kërkimesh e kuptimesh të harmonizuara hulumtuese, që do të kishin efektin e vet ndikues e të bindshëm për gjeneratat e ardhshme që vijnë me rend në shoqëri. Fajet i ka koha dhe sistemi i improvizuar i rrotullimit akrobatik të skajshëm dhe të ngutshëm i përdhosjes së bredhjes kulturore ane mbanë kozmosit mendor. Dhe gjithsesi ky veprim banal përfitues, i rezistencës së grabitjes perfide të bërjes së karrierës së shpejtë hulumtuese rrënjët i ka të lëshuara thellë në Pension.

Tani për t’i kuptuar drejt këto rrethana të imponuara fenomenesh, që i solli koha e vrazhdë postmodertne, lexoni një ngjarje nga antika në fusnotë:

1.Daidoli ishte një njeri mjaft i talentuar. Ai jetonte në Athinë, në Greqinë antike. Atje vepronte si kryetar, skulptor dhe teknik i aftë. Me angazhimin e tij në këtë drejtim u bë një njeri mjaftë i njohur i vendit. Të gjithë njerëzit e kishin zili për punën brilante që bënte në rreth, por pasi ishte mendjelehtë dhe xheloz nga natyra, kështu, që nga karakteri i tij ambicioz u kthye në kriminel. Daidali kishte edhe një nip të quajtur Talos e që kishte prirje dhe talent më të madh dhe më shumë se ai vetë. Nga inati dhe xhelozia Daidali e mbyti nipin e vet. Me Siguri, gjatë ekzekutimit dhe varrosjes së tij, hetohet nga të tjerët dhe dënohet për vrasje.

Pastaj ju lexues të nderuar nëse doni të dini se çka ndodh më tej, me këtë njeri të çuditshëm, lexojeni fusnotën e dytë:

2.Daidali arrestohet në Atikë dhe për dënimin e marrë e vendosin të izoluar në ishullin Kreta. Ai atje shoqërohet me mbretin Mino. Mreti atje i jep atij një porosi të detyrueshme që ta ndërtojë një shpellë për përbindësha me emrin Minatours. Kështu, Daidali e bëri një labirint ku asnjë njeri nuk mund ta gjente shtegun e vërtetë të daljes. Përveç Daidalit që kishte mundësi ta diktonte rrugën e kthimit. Por pas një kohe të gjatë në internim, Daidali mërzitet dhe digjet nga malli për vendlindjen, prandaj i etshëm për kthim në vendlindje kërkon shteg se si të largohet nga Kreta. Më në fund pas shumë peripecive nga nevoja i erdh në mëndje një ide e jashtëzakonshme për shpëtim. Ai donte ta shfrytëzojë ajrin dhe qiellin e lirë. Kështu Daidali vendosi të fluturonte dhe ia ndreqi vetes dhe djalit të tij Ikarit pendlat e improvizuara për fluturim, të ngjitura me material dylli. Para se të nisen për fluturim Daidali e këshillon birin e vet të mos afrohet afër Diellit dhe afër ujit, se nga dielli flatrat e tij mund të zbuten e shkrihen, kurse nga uji mund të rëndohen dhe nga pesha e tillë e paparashikuar në deti mund të përmbytet. Kaluan gjysmën e rrugës, edhe Ikari veproi ashtu sipas këshillave të babait. Daidali përpara, e Ikari pas, fluturuan një pjesë të kohës dhe hapësirës, deri sa Ikari i ri, nga lodhja e lajthitja kishte harruar porosinë e prindit, ishte ngjitur lartë në qiell sa më afër diellit. Dylli zbutet nëpër flatrat e improvizuara nga afria  rrezeve të nxehta të Diellit dhe flatrat e ngjitura shkëputen nga trupi, posa e kuptoi këtë fatkeqësi babai, Ikari i papërgjegjshëm ishte rrëzuar në deti dhe kështu përfundoi jeta e tij tragjikisht në thellësitë e ujit.

Të nesërmen nga qielli u derdhën në tryezë komentimi shtëllunga leshi të përhirtë mjegullnajash dhe thashethemesh, për senzacion sakrificash e arrogancash të shumta në opinion, të cilat e ndrydhnin keq të imponuarën ndodhi tragjike e trishtuese të kohës, për ngritje e zbritje standardesh në hapësirë kulture, ashtu, si të tilla që ishin me alarmimin e vet të zëshëm, në arenë debati konfrontuar me pasoja, që tanimë janë të shtruar verbërisht,vertikalisht, me tollovi ngatërresash në shoqëri, ku përzihet objekti me subjektin, pa tejkaluar veten nga mangësitë e imponuara kohore. Kështu kjo përziere e rëndë kuptimore sjell vështirësi dite. Dallimet dhe ‘’thyerjet’’momentale, bashkëkohore, mbeten si plagë të rënda e të hidhura njerëzore, për çastet përjetuese të tyre të rënda, e që derdhen turbullt, nga dita në ditë, ane mbanë hapësirës shoqërore dhe kujtesës sonë të realët. Anomalitë shoqërore janë tërësisht veprime të hidhura e vdekjeprurëse të kohës. Ato janë fenomene që na atakojnë e helmojnë të gjithëve për çdo ditë e në çdo kohë. Ato madje dalin të tipizuara vrazhdë në realitetin shoqëror që kemi dhe me pasoja të mëdha civilizimi për të ardhmen. Me vërshime të këtilla divergjencash përmbysëse sakatohen filizat e pafajshme të kohës, që rriten keq nëpër lëndinat e kufizuara të atdheut. Ky Shekull kthesash është i yni, por përmbytet nga injoranca e mediokritetit. Mbetet vetëm një hap i vogël për t’u rinjohur me të vërtetën ekzistuese. Për t’u ndryshuar kjo anomali e vrazhdë duhet të hiqen ndasitë e improvizuara midis nesh. Para se të kërkojmë ndryshime nga të tjerët, duhet më parë ta ndryshojmë veten. Nga pavetëdija të mos vihen kritere të ashpra barrierash kufizimesh konfuze, të pa parashikueshme për të ardhmen e një vendi e rajoni. Të gjitha këto dëshmi ngjarjesh të shëmtuara, sot, nuk na përvidhen rastësisht në mendje dhe në sytë tanë këmbëngulës për verifikim të çështjes imponuese, të kërkimit të afrisë dhe ndasisë në shoqëri, për shpalimin e situatave të shumta, që janë të kodifikuara me dije në mendje, si një qasje të drejtë, shpaluese të kundërshtive të shumta, për njohje reale të rrethanave e fenomeneve të dukshme njerëzore. Këto anomali imponuese madje tiren, tiren errët rreth e përqark synimeve të ngutshme kureshtare, individuale, të interesit të mundshëm klanor dhe madje me pavetëdije subjektive përplasen keq në shoqëri, dhe përhapin si shtëllunga shtresash të fshehta mendimesh epidemike të zeza, të pasistemuara si duhet, në shesh të plaguar kohe. Prandaj këto lajthitje klishe idesh, të rrëmujshme shkencore, pa perspektivë, merren si fenomene të errëta në thellësi kuptimi të vlerësuar drejtë, dhe, kështu, qëndrojnë krejtësisht të çorientuara matanë kujdesit virtual mendor e moral, ku edhe varfëria e përditshme e shoqërisë shtohet, e shartohet keq, mu për shkak të flatrave të pa rritura sa duhet, të këtyre subjekteve të dalë në krye të vendit, me imponim të keq dite, për shkencë e politikë jo të mirëfilltë, në trup të këtyre pëllumbave, korbave, sorrave kureshtarë, që kishin marrë arratinë e ngjitjes së kërkimit, për ta shfrytëzuar kohën, me flatra të brishta shkencore, kryesisht për të pushtuar e uzurpuar vende institucionesh të posaçme, ku duhej mbrohej interesi shoqëror i përgjithshëm në lartësi, e këta të azdisurit manipulojnë me hije e hile të adaptuara vlerash të dobëta dhe me lakmi mburrjesh të rrejshme për fluturim të thellë privilegji në shoqëri, kah dielli i nxehtë, si Ikari i arratisur nëpër qiell të pa kontrolluar vlerash, për fluturim të njëanshëm e të shpejtë në kohë krekosjesh të avancuara së prapthi në hapësirë vendi. Pa një verifikim eruditë të pranuar drejtë dhe pa një standard paraprak të koordinuar mirë në sistem, kryesisht nga shkencëtar me dinjitet të bindshëm njerëzor.