Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Driton Gashi: Na mungon shumë, Shaban Cakolli!

| E enjte, 16.10.2014, 07:13 PM |


Na mungon shumë, Shaban Cakolli!

Nga Driton Gashi

Gjithnjë me buzë në gaz, gjithmonë dashamirës, përherë me respekt të veçantë dhe me një qasje pozitive ndaj çdo njeriu. Kështu e mbajmë mend të gjithë ne artistin e fjalës së bukur shqipe, shkrimtarin dhe aktivistin e shquar në mërgim, Shaban Cakollin.

Këtë verë na la shumë herët. Të gjithë ata që e kanë njohur dhe padyshim që e kanë çmuar, akoma nuk e besojnë faktin se Shabani nuk gjindet më në mesin tonë. Kur i takuam familjarët e tij më të afërt për ngushllime në Prishtinë dhe na pritën aq zemërhapur, aty dukej sikur edhe Shabani ishte prezent, pranë të birit, vëllait, kushërinjve e njerëzve të tjerë.

Qenka shumë e vështirë ndarja nga një mik i vërtetë, pa hile, pa interese, mik me plot kuptimin e fjalës.

Shabanin e kam njohur që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta, kur shumë kosovarë erdhën refugjatë në Gjermani. Megjithë preokupimet si azilkërkues, me përpjekjet ditore për t’u ambientuar në vendin e huaj, ai nga fillimi u kyq në organizimet shqiptare të asaj kohe. Me fëmijët shqiptarë të qytetit Gladbeck Shabani mori pjesë në shume aktivitete kulturore, ku me sukses të madh e përfaqësonte kulturën tonë para publikut vendas. Pa u lodhur kurrë ai vazhdoi rrugën e tij prej krijuesi, të cilën e kishte filluar qysh në moshën e re në Kosovë.

Kontribut të veçantë Shabani ka dhënë në hapjen e shkollës së parë shqipe në Gladbeck. Për t’i informuar dhe bindur prindërit shqiptarë mbi nevojën e mësimit të gjuhës amtare dhe mbajtjes gjallë të kulturës sonë nga brezat e ri, ai shkonte shtëpi për shtëpi ku kishte shqiptarë, trokiste derë për derë, bile ku ndodhej edhe një fëmijë i vetëm. Mësuesja Feride Gashi, e cila hapi shkollën shqipe në Gladbeck dhe punoi mbi dhjetë vite aty, e kujton Shabanin dhe bashkëshorten e tij si përkrahësit kryesorë dhe më të vyer në mesin e të gjithë prindërve. Ajo e veçon një rast, kur ata lanë anash obligimet familjare dhe erdhën pa hamendje në një aktivitet të shkollës shqipe.

Edhe me komunitetin shqiptar në Gelsenkirchen Shabani ka kultivuar përherë kontakte të mira. Në çdo manifestim ishte prezent, merrte përgjegjësi organizative, shkruante dhe mbante fjalë rasti, raportonte për mediat e atëhershme etj.

Më kujtohet me emocione të thella vdekja e poetit tonë të madhe Azem Shkreli në vitin 1997. Atëherë ai një javë më parë ishte mysafir special në hapjen solemne të qendrës kulturore shqiptare në Gelsenkirchen. Pas një jave na erdhi lajmi se kishte vdekur papritmas në Prishtinë. I gjithë komuniteti shqiptar e ndjente si përgjegjësi mbajtjen e një takimi komemoracioni në lokalet e shoqatës. I ftuam edhe familjarët e Azem Shkrelit, na erdhën mysafirë nga e gjithë Gjermania.

Shabani aq shpesh e kujtonte këtë takim, çdo vit në kuadër të manifestimit letrar „Azem Shkreli” në Ennepetal e permendte publikisht këtë ngjarje, duke nënvizuar edhe njëherë respektin dhe mirënjohjen që ju bë poetit tonë të madh në ato kohë të vështira për të gjithë ne.

Me shkrimet e shumta Shabani ka përkrahur edhe poetë tjerë, ka përcjellur aktivitetin e shkollës shqipe në Gjermani, ka recensuar madje disa botime për mësimin plotësues. Dua t’a kujtoj edhe kontributin e tij në përmbledhjen me këngë shqiptare, të cilën e kam botuar para tri viteve në Prishtinë. Aty ai përpiloi një artikull për mjeshtrin e madh të këngës shqiptare, Qamilin e Vogël. Për këtë respekt ndihem shumë i nderuar dhe i privilegjuar.

Vendi i Shaban Cakollit nëpër manifestime kulturore të mërgatës sonë do ngelet bosh. Por ne do t’a kujtojmë me mall dhe me kranari që patëm fatin të bashkëpunojmë me të.

 

15 tetor 2014, Recklinghausen, Gjermani