Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Shehu: Zëra

| E enjte, 16.10.2014, 06:09 PM |


ZËRA

 

NGA QAZIM SHEHU

 

Në rroben e natës vijnë zërat e ditës.

Pika që nuk mundën me u shuar,

në shurdhërimë verbuese, ngjitëse,

Çajnë tej e tej dritaret ,shkojnë tek një grua.

Vijnë si një tufë me lule,harruar pa iu dhënë

Nga dashuri e munguar…

 

 

SHENJË E KEQE

 

Dashuria,

Peng i largësisë,

Largësi që endet në kufij të verbuar…

E vë një presje në mes të fjalisë,

Një pikë për ta mbaruar.

Nganjëherë harroj të vë pikën,

Atë që rëndom na mëson me mbarim,

Pa droje,pa trup ajo më ikën,

Dhe i vendoset fjalisë në fillim…

 

 

TRAJEKTORE

 

Kjo trajektore më çmend,

Një harku i ngjet që dot s`e tërheq,

Ti bie shkurt e të lidh drejtpërdrejt,

Rrugën e shkurtër në të si shigjetë.

Më parë ,çfarë me të të qëlloj,

Mos vallë fatin që më lodh,

Por edhe gjurmës së saj i bie të shkoj,

Gjatë,dhe veten në dënesë ta mikloj…

 

 

PËRFUND

 

Përfund shuplakave përplasur shalëve,

Zgjohet gjumë i ngjalave,

Dhe hyn fërkim i dëshirës në një krismë,

Që nuk dëgjohet.

Dashuria çel e buis, gjethe në lis, bar në plis

Drejt errësirës joshëse që mjerohet…

 

 

E KALUARA

 

Atje larg,lëvizin njerëzit mbrëmjeve, blirët

Përkëdhelin ëndrra dhe mbushin me aromë

Kujtimet.

E vetmja gjë e bukur që  mbeti nga e kaluara,

Gjithë të tjerat u tretën të sëmura…