E merkure, 24.04.2024, 01:08 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Përjetime nga Monako

E diele, 12.10.2014, 06:13 PM


PËRJETIME  (NDJESI) NGA MONAKO

NGA PËLLUMB GORICA

Një udhëtim i vërtet nuk konsiston në kërkim të peisazheve të reja, por për të pasur sy të rinj. Marcel Prust

Më erdhi në mëndje kjo thënie e Marcel Prustit, teksa makina jonë kalonte plazhet e zhurmshme të qytetit Menton në Francë, dhe befas para nesh u shfaqën peisazhet e magjishme të njërit prej qyteteve më të bukura të botës, Monako. Një udhëtar si unë i duhet të mbajë frymën një çast, sepse takimi me këtë lloj mrekullie, është gati i papërballueshëm. Monako të magjeps që në momentin e parë të kontaktit me të. Aq më shumë përgjat një dite vjeshte. Një qytet i vjetër në brigjet e Riveriës Franceze, me histori shekullore dhe shkëlqim princëror. Monako ështe principatë, dhe shtet i pavarur në një hapsirë gjeografike gati gati sa një qytet provincial i Francës, por me një histori dhe kulturë të madhe rrezatuese në botë.

**      **       **

Duke u përballur me historinë e vjetër dhe të re të këtij qyteti, ndihesh vetvetiu edhe ti si i pushtuar nga fama, madhështia, format e larmishme të arkitekturës së ndërtesave, rrugëve, mureve të lashta, por edhe ndërtimeve të reja e modern që ky qytet i ka kaq karakteristike dhe imponuese njëkohësisht. Në labirinthet e qytetit ndesh dëshmi të etapave të ndërtimit, që flasin në heshtje për historinë e së kalurës.

Rrënjët e themelimit si vendbanim zbresin në shekullin e IV  para erës sonë prej fenikasve. E ky fakt nuk është pa rëndësi. Muret e ndërtuara si fortesë mbrojtëse në kohët e trazuara, në majën e shkëmbit thikë në det, të ronitur nga koha janë të ruajtura shumë mirë. Deti, përplaset e pluskon në muret e lashta  e vrundujt e dallgëve lëpihen shkëmbinjëve ku duket se këndojnë ninulla legjendash. Sipas miteve të lashta, “Herkuli kur kaloi këtu, u ktheu banorëve perënditë e lashta, duke ndërtuar këtu një tempull si shtëpia e tij. Për këtë shkak qytetin e quajtën Heracles Monoikos”. Në fillim të shekullit XII, Monako u bë pronë e familjes princërore Grimaldi nga Xhenova. Historia tregon se “François Grimaldi nga Xhenova, i maskuar si një murg me një ushtri të vogël pushtoi qytetin” duke u bër sundimtar i qytetit.  Udhëtimi i këtij qyteti herë në mjegullnajat historike të shekujve e, herë në kohëra të qeta apo pushtime, luftra, rrënime e paqe me epiloge ngjarjesh të rëndësishme, herë nën një protektorat e herë nën tjetrin prej marrveshjeve dhe interesave të sundimtarëve të atëhershëm të kohës, në shekullin  XVIII e më vonë u kthye në një nga principatat më të njohura të Europës. E ndikuar nga kultura italiane dhe franceze për shkak të vendodhjes në kufi të këtyre dy shteteve, duke ruajtur kështu mardhënie solide me ta ai mundi të shihte përherë ngjitje, sidomos kulmin e arriti kur u kthye në një dëstinacion turistik me një zhvillim të madh dhe veprimtari të pakrahasueshme tregtare. U zbukurua e u pasurua me ndërtime të reja e fuksionale që i shërbyen këtij zhvillimi, gjë që e ka bërë tepër tërheqëse për gjithkënd, si një qytet që më së shumti lulëzon nga turizmi.

***     **   **

Për t’i vizituar bukuri marramendëse të Monakos nuk mjafton një ditë e vetme. Ndonëse e gjetëm  atë në një ditë të përhimtë e me re inatçore, që sikur duan të sfidojnë magjinë e qytetit, ishte shkëlqimi i tij marramendës që na mrekulloi. Nga çdo kënd i qytetit me një vezullim mahnitës, deti i kaltër shfaqet madhështor si një pikturë gjigande dhe i pashembullt në një spektër të gjërë aromash, ngjyrash e ndjesish. Monako është qytet jashtëzakosht ekologjik, i shtrirë në një pozicion interesant përgjatë bregdetit, përzier me shkëmbinjtë gri të, Chemin des Revoires dhe malthit Mont Agel, që i rri si kurorë. Pasi ke shëtitur orë të tëra me kureshtjen e madhe për të njohur qytetin, lodhjen nuk e ndjen. Përshtypje të shumëllojshme përfton ngado që të hedhësh sytë. Monako me dimesionet impresionuese, të një qyteti ndërtuar në mënyrë tërheqëse, është shëndërruar një vend i lakmueshëm turistik. Kudo ku shëtit e ndjen lëvizjen, pulsimin e gjallërisë së turistëve nga e gjithë bota. Anijet turistike çdo ditë sjellin të tillë, duke e pasur këtë qytet si pikë të itenerarit të tyre. Këtë e shikon edhe në këtë ditë vjeshte, që zhurmon nga gjallëria dhe dyndja e tyre, të cilët sapo kanë zbritur nga një kroçiere e pushtojnë menjëherë qytetin, rrugët, sheshet, kazinot, muzeumet, plazhet.

- Kjo atmosferë ndjehet e përjetsohet në çdo stinë këtu në Monako - të thotë me një akcent italian një pronar bar kafeje.

Qyteti të buzëqesh dhe nën ca pika të rralla shiu që bien mbi asfalt. Të hedhësh fluturimthi një sy s’mund kurrsesi të mos tërheqin vëmëndjen anijet me vela e jahte me flamuj të ndryshëm, që lundrojnë përgjatë horizontit si pikëzime njollash përvijuese. Të tjera të ankoruara në portin e jahteve lëkunden nën ritmin e dallgëve. Është një port prej gati 1km, ku parkohen me mijëra jahte personalitetesh të artit dhe politikës. Ne vozitëm për një orë në një jaht të tillë, bregut të Monakos. Dallgët ngriheshin lart si kreshta puplore me oshtimën e një simfonie, teksa përplaseshin bregut nëpër shkëmbinj dhe shkërmoqeshin në mijëra kristale. Tufa pulbardhash klithin e flatronin mes hapsirës së dallgëve duke u zhytur me tërsllimë mes tyre. Një anije turistike, duke lënë pas një zhurmë të lehtë rrëshqitëse e një shkumë të bardhë, me sirenat e saj përshëndeti largimin drejt brigjeve të tjera. Sytë, të gëzuar nga imazhet mbresëlënëse  u lëbëtyrën nga ajri dhe aroma joshëse e detit që të freskonte fytyrën. Humbasin fjalët kur e ndjen në shpirt kënaqësinë që të dhuron mrekullia e papërsëritshme e Monakos. I përpirë nga magjia tek e kundron, nuk i shpëton dot dëshirës për të fotografuar, si kujtime nga ky qytet mrekulli. Së fundi e gjitha kjo për të ruajtur diçka të shtrenjtë nga pamja e tij.

**     **      **

Është e natyrshme, që çdo gjë e panjohur të të ngjall interes, por duke ecur në të provon emocione të tjera, të cilat e nxisin dëshirën për ta njohur me mirë këtë qytet. Një trashëgimi kulturore e pasur arkitektonike janë ndërtimet e vjetra, e të bukurthurura. Ato i përkasin periudhes së Rilindjes të stilit barok. Pallati i princërve, që të mrekullon me sharmin tërheqës, është universi historik i Principatës së Monakos. I ndërtuar së pari në shekullin XII e më pas i ndryshuar dhe restauruar në shekullin e XVII me stilin dhe afresket është vërtet për tu admiruar. Në sheshet, rrugët, parqet, si çdo vend turistik me të veçantën e tij, statujat simbolike, bustet e figurave legjendare spikasin mes dekorit vjeshtak në mjediset çlodhëse dhe argëtuese. Ato mbajnë emra interesantë. Por ai që bie më tepër në sy për madhështinë është statuja e François Grimaldit. Rrugët janë të mbushura me restorante, bare, botikë, kazino me vezullim të reklamave, nëpër vargjet e pafundme të ndërtesave. Qytetin e bën interesant pikërisht kjo dendësi e tyre. Të mbush me emocione shëtitja nëpër rrugët dhe tunelin ku Formula Uno njëherë në vit është festa më e madhe sportive në këtë qytet. Nën pushtetin e ndjesisë së kënaqësisive kërkon të mos shpëtojë asgjë, as kalldrëmet e vjetra që të kujtojnë epokën viktoriane as muzetë, teatrot, apo galeritë e pikturave me reklamat verbuese. Në Chateau Grimaldi viziton shtëpinë muze të piktorit të madh spanjoll, Picassos, në të cilin shkëlqimi  dhe vlera artistike e pikturave e bënte edhe më të vyer. E plot gjëra të tjera tërheqëse. Monako ndryshon çdo vit prej detit të ndërtesave e veprave të reja qiellgërvishtëse. Urbanistika ambicioze dhe e lakmueshme me fasada verbuese është pasqyrë e shkallës së lartë të arritjeve në lëmin e arkitekturës dhe shijeve estetike. Secila prej tyre me pamjen e veçantë dhe hijeshinë, e bëjnë tërheqës për gjithkënd. Vargu i makinave të gjithfarshme përshkon rrugët e shëmbëllen me një lum të rrëmbyeshëm degë shumë, ashtu siç gumzhijnë edhe njerëzit, që janë pjesë e mjedisit kakofonik. Monako frekuentohet nga njerëz të shtresës së pasur. Këto i konstaton pasi qëndron edhe pak çaste kur makinat luksoze, eskortat e tyre, veshjet luksoze janë të natyrshme. Monako është e njohur për kazinot, që shtrihen në gjithë qytetin dhe tashmë është qytet i të gjithë botës, aq sa edhe i vendësve. Janë me miliona turistë që shkelin këtë vend, duke i dhënë atij miliona e miliona euro, dollar. Veçori është se banorët e saj e kanë të ndaluar me ligj të futen dhe luajnë në kazinot. Janë shumë e shumë gjëra të tjera si këto që pershkova këtu, që e bëjnë këtë qytet marramendës e interesant.

**     **    **

Teksa shkruaj këto radhë, vazhdoj ende të përjetoj ndjesinë sikurse jam aty e po përshkruaj rrugët, sheshet, po prek dallgët  e larta. Sepse  është magjia e këtij qyteti, që t’i bën të gjalla imazhet e kujtesës dhe mbresat lënë gjurmë të pashlyera e entuziaste.



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora