E merkure, 24.04.2024, 09:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhafer Martini: Libër me shumë vlerë për turizmin

E enjte, 09.10.2014, 07:38 PM


NJË LIBËR ME SHUMË VLERË PËR TURIZMIN SHQIPTAR  NGA XHELAL MARKU

Nga Xhafer Martini, shkrimtar

Kur më bie në dorë ndonjë libër i mirë, kam dëshirë t'ua bëj atë të njohur lexuesve dhe të interesuarëve, për vet faktin se sot është shumë e vështirë që, në morinë e botimeve, të zbulohen dhe të vlerësohen më të merituarit. Ndodh kështu, pasi kemi parë shpesh të promovohen me pompozitet dhe të ngrihen në qiell, për gjoja vlerat e tyre, libra që as nuk e meritojnë të quhen të tilla. Madje, kemi parë që këtyre paçavureve pa asnjë vlerë, t’u kushtohen edhe emisone televizive dhe t’u hapen faqet e shtypit të përditshëm, vetëm e vetëm se gjoja janë shkruar nga “personalitete” të njohura, ose nga njerëz që kanë para, të cilët kanë arritur ta shtrijnë sundimin e tyre edhe në një fushë kaq delikate, siç janë botimet.

Kur më ra në dorë libri “Turizmi shqiptar” me autor gazetarin e njohur Xhelal Marku, e lashë atë për një farë kohë në bibliotekën time pa e prekur. Por, kur në një ditë që e quajta të përshtatshme, fillova ta lexoj, mbeta i befasur nga përmbajtja shumë e pasur, stili i të shkruarit, objektivi i fiksuar i autorit për t'i shërbyer sado pak vendit të tij dhe, më në fund, qëllimi i tij i  përmbushur dhe detyra e kryer me nder, përkushtim e profesionalizëm të lartë para lexuesit. Mund ta filloj në dhjetëra mënyra shkrimin tim për këtë libër, por më duket se nuk mund të fillohet më mirë se sa thirrja plot pasion të përmbajtur, me anën e të cilës autori u drejtohet turistëve të vendit të vet dhe të gjitha vendeve të Globit, thirrje të cilën unë e quaj një prozë poetike, plot dashuri dhe krenari për Shqipërinë dhe  bukuritë e saj:

“Shqipëria turistike, vendi i mikpritjes, i qetësisë dhe i bukurive të rralla natyrore, i burimeve të shumta kurative, i klimës së preferuar dhe i ditëve të shumta me diell, i trashëgimisë së pasur historike e kulturore, i resurseve të pafundme turistike, pret krahëhapur dhe me bujarinë e saj karakteristike, vizitorë nga e gjithë Bota. Mirësevini në Shqipëri, ku do të befasoheni me mrekullitë, që i ka falur asaj natyra, por edhe të ndërtuara me aq pasion e dashuri nga vetë duart e shqiptarëve. Ndaj, kudo që të shkoni, në çdo cep të Shqipërisë, fushë, mal, apo bregdet, ju do të gjeni kënaqësinë dhe relaksin e munguar, sepse ajo tashmë konsiderohet “sekreti i fundit turistik  i Europës”, por edhe një konkurente e denjë dhe dinjitoze e tregut turistik të rjaonit e të krejt Globit. Mirësevini në Shqipërinë turistike, tashmë me imazhin e ri të saj, e cila vazhdon të qëndrojë në listën e dhjetë vendeve më të preferuara të Botës, që rekomandohet nga mediat më prestigjioze, si destinacioni i parë turistik për t'u vizituar nga pushuesit e huaj!”

Kjo është ftesa dhe thirrja e dashurisë për Atdheun, nëpërmjet të cilës autori i saj, jo vetëm për shkak të patriotizmit, por edhe për  shkak të dijeve të thella dhe të gjithanshme që ka, bëhet zëri i Shqipërisë. Ne që jetojmë në Shqipëri dhe e duam atë si nënën tonë, e dimë që Zoti i ka falur asaj shumë të mira dhe shumë begati, e megjithatë populli i kësaj mrekullie, me përjashtim të dy përqind të tij, jeton ende në mjerim dhe varfëri. Ne e dimë gjithashtu, që dora e njeriut dhe kujdesi i tij nuk i përshtaten kësaj Zonje të Madhe dhe të nderuar, se një pjesë e shqiptarëve, që fatkeqësisht në këto 24 vite të tranzicionit të zgjatur kanë qeverisur vendin,  nuk duan askënd veç vetes së tyre, që ata i shfrytëzuan bukuritë dhe begatitë e Shqipërisë vetëm për t'u pasuruar për vete. Por, Xhelal Marku është edhe poet, madje poet Rilindas, që nuk ia bën goja dhe nuk i thotë dora të bëjë pohime të tilla, sidomos pse u drejtohet të huajve, dhe se ai, nga dashuria që ka për Shqipërinë, ngre edhe njeriun shqiptar në nivelet e duhura dhe e vendos atë në raporte dashurie dhe mirënjohjeje, që duhet të ketë çdo njeri për Atdheun e vet. Ai e di se pyjet janë shkatërruar, se një pjesë e madhe e perlave shqiptare janë dëmtuar, se hekuri dhe betoni  janë futur në det, se pishat e mrekullueshme janë prerë për të “mbjellë” vila të pasurit, se detrat, lumejtë e liqenet janë të ndotur, se plehrat po na marrin frymën, por atij nuk i bën zemra t'i thotë këto. Ai  e do Atdheun edhe kështu siç është, kështu siç e kanë katandisur ata që e kanë në dorë ta ndërtojnë dhe ta lulëzojnë. Mua thirrja e tij më kujton vjershën e bukur të Çajupit:

“...E dashur Mëmëdhe,

Të dua edhe kështu si je,

Por kur të të shoh të lirë,

Do të dua dhe më mirë...!”

Ky libër nuk është një guidë turistike, por një vepër shkencore, një enciklopedi e vërtetë ku ka edhe histori, edhe kulturë, edhe gjeografi, edhe art, letërsi, gjuhësi, besime fetare, pasuri folkloristike e kulinare, faunë dhe florë, arkitekturë, civilizim dhe qytetërim të lashtë e të ri, pika turistike, male, relieve, vijë bregdetare dhe plazhe, muze dhe arkeologji, liqene dhe lumej, gjire dhe ishuj, produkte artizanale, pazare dhe ekspozita, rrugë dhe parqe natyrore, etj., etj. Është libri më i plotë për Turizmin Shqiptar shkruar me dashuri dhe profesionalizëm. Libri ndahet në tri pjesë, që autori i ka quajtur kapituj kryesorë: Pjesa e  parë ka të dhëna historike për Turizmin shqiptar në shekuj. Këtu trajtohen probleme të tilla, si: Turizmi shqiptar në shekuj, Potencialet turistike të Shqipërisë, Pozita gjeografike dhe resurset turistike të Shqipërisë. Njohuritë shkencore mbi popullsinë, klimën, kulturën, monedhën, ngjarjet më të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar Shqipëria, Flamuri, Emblema, Sistemi Politik, Kushtetuta, Mikpritja shqiptare në shekuj, figurat më të shquara historike dhe të artit e të kulturës, Kuzhina tradicionale, Pasuria folklorike, Arti, Letërsia, Besimet fetare dhe harmonia midis tyre, cilësitë dhe veçoritë dalluese të shqiptarëve, kalatë, arkitektura, Parqet kombëtare, Ujërat e Shqipërisë duke përfshirë këtu dhe ato kurative, sportet sfiduese, rrugët dhe monumentet e kulturës etj:, etj., jepen me masë, pa shkaktuar mbingarkesë dhe mërzitje tek lexuesi.  Meqë libri ka karakter njohës dhe promovues të vlerave kulturore, në këtë pjesë përshkruhen me një thjeshtësi mbresëlënëse, por edhe me saktësi dhe bukuri stili, pasuritë e trashëgimisë sonë kulturore, si: Kalaja e Ali Pashë Tepelenës, Kalaja e Bashtovës, e Beratit, e Borshit, Drishtit, Elbasanit, Gjirokatrës, Kaninës, Krujës, Lezhës, Lëkurësit, Margëlliçit, Elbasanit, Petrelës, Rozafës etj., të shoqëruara me pamjet e tyre mahnitëse, nëpërmjet fotografive me ngjyra të cilësisë së parë. Stili i të shkruarit është shumë i përshtatshëm për një vepër të tillë. Libri përshkohet nga dashuria për atdheun dhe krenaria kombëtare, por fraza nuk është pëlcitëse dhe patetike. Duke qenë se Xhelali, si gazetar i Medias për shumë vite, ka pasur rastin ta vizitojë shpesh natyrën dhe ta shijojë e njohë mirë atë, siç duket ka marrë prej saj ekuilibrin dhe harmoninë, aq shumë të nevojshëm në jetë, sidomos kur shkruan një libër si ky, që ruajtja e masës është domosdoshmëri.  Në vazhdim, krahas ndërtimeve të hershme, jepen edhe parqet kombëtare si ai i Dajtit, Thethit, Lurës, Divjakës, Llogarasë, Drenovës, i Luginës së Valbonës, i Qafë Shtamës,  Velipojës, duke vazhduar pastaj me plazhet kryesorë të Shqipërisë: Velipojës, Shëngjint, Gjirit të Lalëzit, Durrësit, Golemit,  Divjakës, Plazhet e Gjirit të Vlorës, Rivierës etj. Pastaj vijnë ujërat termale, vendet turistike ku mund të kalohen pushmet dimërore, sportet me të cilat mund të merresh në këtë stinë, siç janë: skitë, alpinizmi, trekingu (ngjitjet në vende të ndryshme), speleologjia (eksplorimi i shpellave), çiklizmi malor, aeronautika, peshkimi, raftingu (sportet ujore), hipizmi, etj. Për të gjitha këto sporte, autori jep shumë të dhëna interesante, por me masë dhe me cilësi shkrimi, që lexuesi mëson pa u mërzitur për të gjitha këto mrekulli të vendit të tij, që rrallëkush i di, sado i shetitur dhe me kulturë të jetë, ku çdo zë shoqërohet me fotografi artistike të cilësisë shumë të lartë.

Në këtë kapitull nuk mungon edhe një nënkapitull i tillë: “Informacion për shtetasit e huaj që duan të vizitojnë Shqipërinë”, ku jepen me hollësi rrugët ajrore, rrugët detare me portet përkatëse, pikat e ndryshme të kalimit të kufirit, distanca në kilometra në rrugë tokësore të çdo qyteti të Shqipërisë nga kryeqyteti - Tirana. Vend të gjerë zënë produktet artizanale në Shqipëri dhe tregu i tyre.

Në pjesën e Dytë të këtij libri, autori sjell për lexuesin disa nga opinionet dhe mbresat e turistëve të huaj për Shqipërinë, ku përfshihen: artikuj, vlerësime dhe publikime të mbledhura nga shtypi i huaj dhe vendas në vite dhe kohë të ndryshme. Autori ka bërë një punë të shkëlqyer shkencore duke mbledhur të gjitha të dhënat, intervistat, artikujt e deri librat që kanë botuar të huajt, që nga fillimi i shekullit XVII e deri më sot, duke i paraqitur ato në mënyrë tërheqëse për lexuesin shqiptar, i cili ka pak ose aspak njohuri për një fushë të tillë, që lidhet jo thjeshtë me krenarinë kombëtare, por edhe me të ardhmen ekonomike të Shqipërisë. Vendi ynë, me resurset që ka, begatohet vetëm me Turizmin, sikur ta ngrejë atë në rangun e Turizmit Botëror. Shqipëria Turistike ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen të huajve, të cilën, një pjesë e tyre, e kanë vështruar vetëm si vend ekzotik, me syrin e eksploratorit dhe të aventurierit kokëkrisur, siç ka edhe plot të tjerë, që tregojnë edhe rrugët dhe mundësitë që ka ky vend për të hyrë në turizmin modern, duke plotësuar ato kërkesa dhe duke përqafuar ato vlera që të integrojnë me Europën dhe vendet e tjera edhe në këtë fushë kaq të rëndësishme të jetës. Alpet e Shqipërisë janë bërë objekt jo vetëm adhurimi dhe poezie, por edhe studimi të një karakteri të thelluar, si burime shumë të mëdha për turizmin malor të këtij vendi të vogël. Në revistën prestigjoze “Buletin i Shoqërisë Gjeografike italiane”, më 1931, botohen dy shkrime shumë të vëllimshme, prej rreth 60 faqesh, që pothuaj zënë krejt revistën. Titujt e këtyre shkrimeve janë: “Vëzhgime të bëra gjatë një udhëtimi në Malësinë e  Madhe”, shkruar nga Batista Florida dhe “Gjurmë të periudhës së akujve në Malësinë e Pindit të Epirit”, shkruar nga Aldo Setini. Turistë të tjerë që kanë vizituar vendin tonë në të kaluarën, nuk kanë qenë thjeshtë njerëz që kanë ardhur për të vizituar një vend dhe për të kaluar disa ditë larg rrëmujës dhe rrëmetit, por kanë qenë studiues të pasionuar, që kanë lënë shkrime me vlerë të madhe për të sotmen e për të ardhmen, sepse japin ide dhe tregojnë rrugë të sakta për zhvillimin e Turizmit Shqiptar. Ja si shprehet njëri prej tyre: “Brigjet shqiptare, në pamjen e parë, nuk paraqesin ndonjë gjë tërheqëse, me përjashtim të bukurisë së egër të brigjeve të Jugut prej Vlorës dhe tutje. Por kjo pjesë e Shqipërisë që në pamjen e parë nuk duket interesante, fsheh brenda vetes pasuri të mëdha turistike, e ndoshta edhe ndonjë madem floriri, të cilin duhet ta vemë në lëvizje për shfrytëzim. Aty kemi edhe plazhet, të cilët më të bukur dhe më të mirë nuk i gjen të kërkosh tërë Detin Mesdhe, ndosha tërë Europën”.  Të huajt që kanë vizituar Shqipërinë në ato kohëra, kanë bërë studimin e tokës dhe të maleve, të fushave dhe të brigjeve, të detrave dhe lumejve, duke e vlerësuar bregdetin shqiptar si më të bukurin dhe më të përshtashmin për plazhe, me brigjet e cekta dhe të rrafshta, me rërën e  mrekullueshme, me një reliev, që i ndihmuar dhe nga dora e njeriut, bëhet konkurues në Botë. Vlera të mëdha, që të huajve nuk u kanë shpëtuar, janë edhe “gërmadhat e kohës së vjetër e të mesme”, të ruajtura në kulla dhe kala qytetesh, si: Butrinti, Pojani dhe shumë monumente të tjerë, veçanërisht ndërtimet artistike, siç janë në radhë të parë: xhamitë, kishat dhe objektet e tjera të kultit, që mund të kthehen në faktorë të fuqishëm të Turizmit Shqiptar. Megjithëse mbretin Zog, disa e kanë vlerësuar të prapambetur e anadollak, ai ishte i tillë që e vlerësonte shumë hapjen e Shqipërisë ndaj të huajve dhe bënte çmos që të huajt, sidomos ata të vendeve të zhvilluara, të njiheshin me Shqipërinë dhe ta propagandonin bukurinë dhe virgjërinë e natyrës shqiptare. Këtij qëllimi i shërbeu edhe vizita e 500 turistëve francezë në qytetin e Durrësit dhe të Tiranës, në vitet tridhjetë, të cilëve u janë vjelur mendimet dhe vërejtjet jo vetëm për t'i pasqyruar në shtypin e kohës, por edhe për t'i pasur si program pune për zhvillimin e Turizmit Shqiptar. Turistët francezë u veshën me kostumet tona kombëtare, që i pëlqenin aq shumë dhe ashtu, të veshur si shqiptar, qëndruan gjithë ato ditë, që vizituan Shqipërinë. Mesazhi i tyre ishte i thjeshtë dhe i qartë: “T'i ruani dhe t'i doni veshjet kombëtare, sepse ato janë një pasuri e madhe e këtij vendi, sepse ato ju lidhin jo vetëm me të kaluarën, por janë edhe dëshmitarë të historisë dhe të kulturës suaj, të identitetit dhe të krenarisë kombëtare. Veshjet tuaja janë të bukura dhe të shëndetshme, të bëra nga një popull jo vetëm me gusto dhe me shije, por edhe me një ndjenjë të hollë të përshtatjes dhe të harmonizimit me natyrën dhe klimën e vendit”. Tani, disa nga këto veshje, ndoshta nuk ekzistojnë më, një pjesë e tyre mund të kenë kaluar edhe në duart e ndonjë tregtari surrogat, që, përveç fitimit, nuk njeh asnjë vlerë tjetër. Ne, shqiptarët veshjen e kemi të bukur dhe krenare, por në disa raste, nuk e shfaqim këtë krenari për origjinën dhe të kaluarën tonë të mrekullueshme. Kam parë, fjala vjen në Austri, veshje popullore, kostume popullore në të gjitha dyqanet ku shiten rroba. Austriakët, vasha dhe djem, pleq dhe plaka, të rinj, por dhe me moshë mesatare, për festa, për dasma dhe për gëzime të tjera familjare, vishen me rroba kombëtare dhe ndihen shumë krenarë për veshjen që kanë. Kostumet tona kombëtare, qoftë për gra, qoftë për burra, janë të ndritshëm, plot ngjyra, plot dritë dhe vezullime, që nxjerrin në pah bukurinë e njeriut dhe i sigurojnë atij lëvizje të lira dhe harmonike.

“Shqipëria ka një të ardhme të madhe turistike”, shkruan një sportist gjerman, Karl Karolh,  që ka botuar një libër për vendin tonë me titull “Në thellësitë e Shqipërisë” (Durch Albaniens  Scluchten), që ndodhet në Bibliotekën Kombëtare, por që askush nuk e merr ta përkthejë. Libri është me përshtypjet e vetë autorit gjatë një udhëtimi aventuroz me kanoe përgjatë gjithë Luginës së Drinit të Zi, nga burimi e deri ku derdhet, në Detin Adriatik. Autori përshkruan Shqipërinë e viteve dyzet, duke përfshirë në libër edhe përshtypjet e një gruaje dhe të një  burri, që bënin pjesë në ekipin e tij. Libri i Karl Karolh, ish kampion i kanoes gjermane, i ilustruar me 54 foto të realizuara nga vetë sportistët, gjatë udhëtimit nëpër gjithë Shqipërinë, që nga Ulqini e deri në Shkup, vlerëson lart resurset turistike shqiptare, si: bukuritë natyrore, klimën e preferuar, mikpritjen shqiptare, traditat e hershme kulturore, etj.

Në kapitullin: “Opinione dhe mbresa nga të huajt për Turizmin Shqiptar”, një shkrim shumë interesant është edhe ai me titull: “Shqipëria, si ishte dhe vizioni i së ardhmes”, shkruar nga Jeremy Seal. Marisa Fumagalli në shkrimin “Shqipëria, tokë me bukuri të rrallë”, jep me saktësi dhe stil elegant  bukuritë e natyrës shqiptare, që i ka të rralla shoqet në Botë. Ky publikim bëhet në gazetën italiane “Corriere della Sera”, në seksionin online, ku flitet për Shqipërinë dhe mrekullitë natyrore, që ofron ky vend për turistët e huaj. Publicistja Marisa Fumagalli thotë që në Shqipëri mund të kalojë pushimet ai turist që ka shpirtin e udhëtarit, që është kurioz, i gatshëm për gjëra të reja dhe që nuk kërkon perfeksionin. Shkoni dhe zbuloni tokën që fsheh bukuri të rralla, shkruan ajo, shikoni një det transparent, plazhe të pandotura, pyje, lumej, male dhe vende të shumta arkeologjike.

Në shkrimin “Shqipëria, kjo parajsë e adhuruesve të historisë” me autor David Aronovitch, thuhet se Shqipëria dhe shqiptarët akuzohen shpesh me fjalë të rënda, si: “kriminel”, “tutorë”, “trafikantë qëniesh njerëzore”, ku thuhet se italianët kanë frikë nga shqiptarët, ndërsa grekët i urrejnë ata. Ndaj t'i lejosh vetes një udhëtim prej një ore, nga Korfuzi në Portin shqiptar të Sarandës, të duket në fillim një mision jo i lehtë. Por, në fakt, është një nga gjërat më të mira që mund të bësh”. Ashtu si ky autor, ka shumë të tjerë, që vijnë në Shqipëri me dyshime dhe me frikë, për shkak të mungesës së informacionit dhe të propagandës dashakeqe, që është bërë në vite nga të huajt për vendit tonë, por pastaj ata janë bërë miq të Shqipërisë dhe adhurues të saj. Natyrisht, siç mund ta kuptojë lexuesi, disa prej këtyre artikujve, si kohë, i përkasin asaj periudhe kur Shqipëria sapo qe hapur ndaj Botës; disa janë shkruar gjatë vitit të mbrapsht 1997, kur Shqipëria ishte në kaos, por edhe pse të shkruar në këto periudha të errëta për vendin tonë, prej tyre buron një dashuri e madhe dhe e sinqertë. Morali i këtyre opinioneve, në këto shkrime, mblidhet në një përcaktim: “Për të njohur natyrën e vërtetë të shqiptarit, mjafton vetëm t’i trokasish një natë si mik tek  porta e shtëpisë”.

Autorja Katerina Nikolas, Shqipërinë e shikon si një destinacion që po lulëzon në sytë e turistëve ndërkombëtarë. Organizata britanike Helium, e konsideruar si tryeza më e madhe elektronike e gazetarëve, shkrimtarëve, agjentëve turistikë dhe e pasurive të paluejtshme, shkruan se Shqipëria orfon male, lumej, bregdet të jashtëzakonshëm dhe mjedise shlodhëse e të rehatshme për vizitorët e huaj. Shkrimtarja Katerina Nikolas thotë: “Shqipëria apelon veçanërisht ata udhëtarë të pavarur, që duan të eksplorojnë një vend, që ndonëse nuk është futur akoma në epokën e modernes, përbën një gur të çmuar”. Përveç Turizmit, shkruhet nga këta autorë, Shqipëria ofron edhe shumë lehtësira dhe mundësi të arta në fushën e investimeve, sidomos në pasuritë e paluejtshme. Për organizatën britanike Helium, Shqipëria është destinacioni më i preferuar i radhës i investitorëve, sepse Shqipëria është një vend me bregdet të mrekullueshëm, por edhe me çmime të përballueshme...

“Francezë, investoni në Shqipëri!” – është një thirrje e bërë nga profesor Michel Godet, ish- ministër i Ekonomisë dhe Finanacave, që u bënë biznesmenëve francezë. Ndër të tjera, ky autor shkruan: “ Është për të ardhur keq, që Klubi i Mesdheut heziton të instalohet pranë Sarandës, në një gji rëre pranë qendrave të jashtëzakonshme të antikitetit, si: Butrinti, një vend unik, i cili është i lakmueshëm”.

Në publikimet që bëjnë për Shqipërinë “ Ekspertët e National Geographic” sugjerojnë turin që parashikon plazhe të rralla, kështjella dhe vende mesjetare. “Viti 2008 sapo ka nisur, - thotë autori, - por aventurierët më të njohur të botës kanë bërë gati listën e vendeve të tyre të preferuara, ku mund të shkojnë. Dhe për çudi vendin e dytë në listën e shteteve, që ia vlen për t’u vizituar këtë vit është Shqipëria. Këtë herë nuk jemi renditur si një vend që ofron turizëm postkomunist, apo frikën e një aventure në një vend të pasigurtë. Shqipëria këtë herë është vlerësuar si vendi më i mirë në Botë, ku mund të gjeshë ujëra të pastra dhe plazhe të virgjëra”. Në këtë publikim, Shqipëria klasifikohet si vendi i parë në Botë për cilësinë e ujërave, për malet renditet e para Kolumbia dhe  për pyjet Senegali, e kështu me radhë.

Po, mbase, shkrimi që të entusiazmon më shumë, është ai i revistës prestigjioze të Globit: “Lonely Planet”, që e rendit Shqipërinë si vendin e parë ndër dhjetë vendet më të zgjedhura të Botës, që rekomandohet për t’u vizituar gjatë vitit 2011. “Njëri prej themeluesve të kësaj organizate, i cili qëndroi për pak kohë në Shqipëri dhe vizitoi disa qendra më të rëndësishme turistike të vendit tonë, shprehet: “Të gjesh kënaqësi në Shqipëri, tashmë nuk është një betejë e vështirë. Por, të mos harrojmë se ky ndryshim i madh në këtë vend ndodh në një kohë të shkurtër, kur dihet se jo shumë kohë më parë, kjo pjesë e Ballkanit - Shqipëria, konsiderohej si një destinacion vetëm për njerëzit e guximshëm, ku mund të shkonin vetëm ata më trimat e trimave dhe jo kushdo tjetër. Mahnitja nga plazhet blu, vendet arkeologjike, kuzhina shumë e mirë, jeta e natës, siguria dhe qetësia, aventurat dhe mikpritja e banorëve, janë ende diçka e re dhe e panjohur për udhëtarët e huaj, që kanë rastin të vizitojnë Shqipërinë”.

Mbledhja e botimi i këtyre shkrimeve, mendimeve dhe vlerësimeve të të huajve për Shqipërinë dhe resurset shqiptare, është kontribut i madh dhe i veçantë i autorit të librit, Xhelal Marku, pasi nëpërmjet tyre, Bota ka mundësi të mësojë të vërtetën për vendin tonë, duke shpërndarë kështu ato mjegullnaja iluzive, që kanë përhapur në vite të keqinformuarit ose dashakeqësit për vendin tonë. Në shumë prej këtyre shkrimeve, nuk ka vetëm lëvdata për Shqipërinë dhe shqiptarët, por edhe kritika objektive, që lidhen me kujdesin që duhet të tregojmë për vendin tonë të mrekullueshëm, që ai të bëhet edhe më i bukur sesa është. Se mjaft prej tyre thonë se dora e njeriut në Shqipëri pak ndihet për mirë, kurse për keq ndihet shumë. Shqiptarët, thuhet në disa shkrime, kanë shkatërruar natyrën, kanë prerë pyjet dhe kanë ndotur mjedisin.

Pjesa e tretë e librit është me shkrime origjinale të autorit Xhelal Marku, i cili, duke ushtruar detyrën e specialistit të lartë të Agjensisë Kombëtare të Turizmit, e ka shkelur Shqipërinë në çdo pëllëmbë të tokës së saj dhe mrekullitë e saj i ka pasqyruar në llojë të ndryshme të publicistikës, duke u siguruar lexuesve jo vetëm një njohje të plotë e të gjithanshme të Shqipërisë dhe të resursve të saj, por duke dhënë edhe një ndihmesë të madhe për të hapur horizonte për zhvillimin dhe begatinë e vendit. Me dashuri dhe shpirt prej artisti, autori ka përshkruar kullën e Suf Laçit në Gjurrë Reç të Dibrës, e cila ka jo vetëm vlera muzeale, por edhe vlera përdorimi, ku shumëkush nga turistët e huaj do të dëshironte të ishte për disa ditë i strehuar, apo banor i përkohshëm i një ngrehine të tillë, që e ka kaluar me kohë shekullin, por mbahet e fortë e hijerëndë si ato kështjellat mesjetare. Shtëpia e Laçëve dhe të zotët e saj, të përmendur për bujari dhe mikpritje, tani, në kohën moderne, ndjenjën e mikpritjes mund ta shfaqin, thjeshtë duke krijuar kushte sa më të përshtatshme për turistët e huaj. Një shkrim me shumë vlerë mban titullin: “Nëpër kanionet e Osumit”, ku jepen me ngjyra të gjalla, me një përshkrim të saktë dhe realist bukuritë e Luginës së Osumit, duke u ndalur në atë ç’ka është më karakteristike për këtë lumë – kanionet, ku jepen edhe të dhëna shkencore me rëndësi për formimin e kanioneve, si dhe një cikël legjendash në lidhje me përfytyrimin popullor për to, që dëshmojnë se bukuria fizike është shkrirë me bukurinë shpirtërore dhe se ato, kanë ekzistuar tek njera - tjetra. Këtu lexuesi mëson edhe për historikun dhe aktualitetin e sportit të Rafting-ut, si sport i guximit dhe i kurajos, që gjenë vazhdimisht adhurues. “Një udhëtim drejt bjeshkëve turistike të Selitës, Mirditë”, është një hymn dashurie për këtë krahinë piktoreske, që ndonëse ka qenë e varfër, dy gjëra nuk i kanë munguar kurrë: bukuria e natyrës dhe bujaria e njerëzve të saj fsinikë. Ky shkrim është kaq i pasur me të dhëna historike e gjeografike, sa siguron një njohje shumë të mirë të kësaj krahine, e cila heret e vonë ka qenë në qendër të vemendjes së shumë dijetarëve, studiuesve dhe shkrimtarëve. Autori përshkruan me një stil dinamik dhe saktësi shpellat e Mërkurthit e të Shutërrisë, si dhe shpella të tjera, që janë të shumta në territorin e  Mirditës. Ngado që shkon dhe çdo përshkrim që bën, çdo objekt autori nuk e shikon si diçka më vete, si një bukuri të shterpëzuar, vetëm për ta soditur, por edhe si një burim biznesi, si një mundësi për zhvillimin e Turizmit. Kështu, si shembull, kur jep rrjedhën e lumejve dhe ujërat e kësaj zone, kur bën fjalë për lumin e Urakës, ai gjenë rastin ta informojë lexuesin se “Janë disa studime dhe projekte të kryera në këtë fushë, për të cilat pritet miratimi dhe më pas fillimi i investimeve, që këto burime ujore do t'i kthejnë në më shumë dritë dhe energji, në më shumë të ardhura për zonën e Selitës dhe banorët e saj”. Autori e vë theksin në krijimin e infrastrukturës si bazë për zhvillimin e Turizmit, duke theksuar sidomos nevojën për rrugë të mira dhe të asfaltuara, që do të shkurtojnë distancat dhe do të krijojnë mundësi për investime. Xhelal Marku është jo vetëm një gazetar i përpiktë dhe një publicist i klasit të parë, por edhe një njeri i angazhuar dhe i shqetësuar seriozisht për zhvillimin e vendit të tij. Me detyrën e specialistit të lartë të AKT-së, ai pothuaj nuk ka lënë vend pa shkelur në Shqipëri dhe kudo ku ka shkuar, siç është mahnitur nga arritjet që na i përcjellë me dashuri, ashtu edhe është shqetësuar për të metat e dobësitë, që frenojnë seriozisht zhvillimin e vendit dhe janë të karakterit subjektiv. Por, është shumë e çuditshme, që pikërisht ky njeri, me kaq horizont e kontribut të spikatur studimor për Turizmin Shqiptar, që ka hartuar një libër që e meriton plotësisht të përkthehet në anglisht me paratë e shtetit, për t'ua bërë të njohur turistëve kudo në Botë, të largohet nga puna krejt papritur dhe pa asnjë shkak e arsye, nga një ministër servil e i paaftë dhe një drejtoreshë injorante, që i përket një Media private. Edhe Zoti do t’i mallkojë këta njerëz të inkriminuar, xhelozë e inatqarë, që e larguan Xhelal Markun nga puna në kulmin e krijimtarisë së tij, në prag të pensionit dhe e detyruan atë, që kohën e tij të çmuar për studime e botime, ta kalojë nëpër gjyqe. Por, këto janë shfaqje të paradokësve shqiptarë, që i kemi ndeshur shpesh përgjat këtij çerekshekulli të tranzicionit. Derisa ne nuk do të flakim tej korrupsionin dhe paradokset, që edhe kjo është një shfaqje korrupsioni, ne kurrë nuk do të hyjmë në rrugën e zhvillimit. Të mos harrojmë se Shqipëria për dy, tre apo pesë përqind të popullsisë është bërë e lulëzuar dhe e begatuar, por për 95 për qind të shqiptarëve, ajo është prapë e varfër dhe e mjeruar, mbasi në hotelet luksoze, në plazhet e mrekullueshme dhe në pikat turistike mund të shkojnë vetëm të pasurit.

Si përfundim desha të them se libri “Turizmi Shqiptar” i publicistit Xhelal Marku, sjell një koncep të ri për Turizmin, i cili nuk konsiderohet vetëm i lidhur me bukuritë natyrore të vendit tonë, por edhe me larminë e trashëgimisë tonë historike e kulturore, me traditat dhe zakonet, me mënyrën tonë të jetesës, me konstitucionin shpirtëror të shqiptarit, me gjuhën, identitetin, vlerat e tij shpirtërore, ku, natyrisht, vendin e parë e zë mikpritja, por një mikpritje jo thjeshtë tradicionale, por e pajisur dhe e mbrujtur me elementë të rinj bashkëkohor, e aftë për të përballuar jo vetëm me shpirtin e madh, por edhe me kulturën e shërbimit dhe kushtet që kërkojnë turistët e huaj. Pjesë përbërëse dhe ndikuese në Turizëm janë edhe tregues të tjerë, si objektet e kultit dhe harmonia ndërfetare, klima e mrekullueshme, etj. Por të gjitha këto pa faktorin njeri, pa njeriun shqiptar, që i nxit ose i frenon resurset natyrore, Turizmi nuk do të kishte kuptim. Që turizmi të modernizohet, të krijohet ajo që quhet industri turistike dhe të veprojë me kapacitet të plotë si degë shumë e rëndësishme e ekonomisë sonë,  duhet të zhduken dhe të rrafshohen rrënojat e koncepteve frenuese, duke i zëvendësuar ato me bindje dhe koncepte të reja për një turizëm gjithëvjetor, të kudondodhshëm, në fushë dhe në malësi, në det dhe në plazhe, në male dhe në lugina, kudo ku ka jetë dhe natyrë, sepse çdo pëllëmbë tokë e këtij vendi ka të veçantat e veta dhe vlen të shikohet dhe jetohet. Imazhi i i ri për turizmin e  vendit, që shkon paralelisht me imazhin e ri për Shqipërinë, ka si bazë formimin e njeriut shqiptar me bindje dhe dashuri për progresin, sepse vetëm një njeri i tillë, mund të bëjë mirë menaxhimin e resurseve natyrore, mund ta kthejë natyrën në dobi të vetë. Krijmi i infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e Turizmit duhet të paraprihet nga krijimi i infrastrukturës shpirtërore, për të krijuar një mendim të ri për ruajtjen dhe pastërtinë e mjedisit, për ta shëndërruar atë në një vlerë kombëtare dhe në një veçori kombëtare. Një nga shprehjet më të drejtpërdrejta të njeriut dhe të çdo kombi është rregulli dhe pastërtia, estetika dhe kultura e të punuarit dhe të jetuarit. Unë kam jetuar për pak kohë në një fshat austriak, në rajonin e Salzburgut, ku ngrohja bëhej me dru dhe pranë çdo shtëpie kishte një turrë me dru. Por, kishe qejf ta shikoje turrën me dru. Ajo dukej e sistemuar bukur e me kujdes, si të ishte një vepër arti. Art dhe kulturë të lartë mjedisore, atje reflektonin edhe koshat e mbeturinave dhe merre me mend për gjërat e tjera. Në mes të fshatit ishte një kombinat druri, i cili nga jashtë dukej sikur ishte ndonjë spital, ose ndonjë institucion tjetër me shumë rëndësi, me një izolim modern xhamllëku, për të mbrojtur mjedisin nga zhurmat. E megjithatë, popullata e vendit, qahej për atë kombinat dhe donte ta largonte prej andej. Ndoshta edhe mund ta kenë larguar. Atje, mund të udhëtoje me orë të tëra nëpër pyje dhe të mos shikoje asnjë mbeturinë, asnjë. Një popull, që e kishte në gjak pastërtinë! Tek kjo shprehje përfshihen të gjitha vetitë morale, që ne i shprehim me një varg epitetesh dhe superlativash. Natyra është si rrobat që mbajmë veshur. Ajo është “rroba” që na mbështjell të gjithëve, që na mban ngrohtë ose na fut plevitin, kjo varet nga ne, sa e duam, sa e mirëmbajmë dhe sa kujdesemi për të. Shqiptarët përgjithësisht vishen bukur, bile edhe me luks. Por, atë kujdes që kanë për veten, nuk e kanë për natyrën, për mjedisin dhe për asgjë tjetër që i rrethon. Rrobat grisen dhe hidhen, natyra gjallërohet dhe përtërihet, por edhe ajo ka moshën e vet, pasi ligji i plakjes nuk përjashton asgjë. Gjelbërimi dhe pastërtia e Natyrës, “rinia” e përhershme e saj, në kuptimin figurativ, varen shumë nga ne, janë vetëm në dorën tonë.

Këto mendime dhe shumë të tjera të zgjon libri i Xhelal Markut “Turizmi shqiptar”. Ky autor është i prirur ndaj pozitives, për të gjetur dhe sjellë vlera dhe arritje në shkrimet e tij. Kjo të bën optimist dhe t'i shton shpresat për të ardhmen e Shqipërisë, ç’ka e dallon atë nga disa gazetarë të tjerë, që janë të prirur vetëm të derdhin  helm dhe t’i shikojnë problemet dhe fenomenet e jetës vetëm zi.



(Vota: 849 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora