E merkure, 24.04.2024, 11:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Faslli Haliti: Librin e parë e kam botuar më 1969. Kadare ishte recensent...

E premte, 04.07.2008, 06:05 PM


Faslli Haliti: Librin e parë e kam botuar më 1969. Kadare ishte recensent. Kjo e ndihmoi shumë botimin e librit

Ramiz Alia për poemën «Dielli dhe rrëkerat» tha se është e përshtatshme për gazetën «Le Monde».

Nga Albert Zholi

-Kur mosha kalon, njeriu i kthen sytë nga e kaluara. Dhe ashtu mendueshëm përcjell ato vite që nuk kthehen më. Si e përcjell jetën e tij fëminore dhe shkollore Faslliu.. .

Kam lindur në Lagjen Plug i Madh, lagje periferike e qytetit të Lushnjës, me karakteristika të plota fshati. Të gjithë, pothuaj merreshin me bujqësi e blegtori, me përjashtim të babait tim që ishte tregëtar mishi në qytet, së bashku me dy ortakë çame: Duro dhe Tefik Qerimi. Xhaxhai im merrej me bujqësi dhe unë në disa poezi dhe tregime të miat e paraqes atë ashtu siç e quanin të gjithë bujqit dhe siç ishte në të vërtetë: një bujk i rëndë që jo vetëm punonte si një traktor, por dhe e njihte me themel bujqësinë dhe merrte vesh si askush tjetër nga punët e bujqësisë. Kështu që familja ime ishte si një centaur: gjysmë tregtare dhe gjysmë bujkeshë.

Në poezitë e mia nuk e kam përmendur, pothuaj, asnjëherë emrin e lagjes Plug, por ajo është e pranishme në poezinë dhe në tregimet e mia. Udha e Vidhishtës dhe Përroi i Zi janë dy emra të lagjes sime, Plug i Madh, që hasen shpesh në poezitë dhe tregimet e mia. Në rrethin e Lushnjës kanë ekzistuar dy vendbanime me emrat Plug i Madh dhe Plug i Vogël. Plugu i Madh ishte lagje e qytetit të Lusnjës, kurse Plugu i Vogël,ishte fshat i rrethi  Lushnjë. Plugu i Vogël ishte një fshat buzë kënetës së Tërbufit, i banuar kryesisht nga bujqit e fisit Loshaj dhe Pirra. Për ditë vere ne shkonim për toli tomoli në Plug të Vogël dhe u binim këmborëve para dyerve të fshatarëve si mesagjerë të pranverës dhe fshatarët na i mbushnin shportat me vezë pulash e rosash që rriteshin me shumicë buzë kënetës së Tërbufit. Gjatë periudhës së socializmit, Plugu i Vogël u bë  sektor i Fermës Bujqësore «29 Nëntori» dhe kamp përqëndrimi për të internuarit politikë.

Udha e Vidhishtës ishte e gjerë dhe e gjatë sa një fushë futbolli. Për ne djemtë e lagjes Plug i Madh ajo ishte fusha ku ne luanim futboll me topa lecke në vitet pesëdhjetë. Fusha mbulohej nga një bar i blertë i errët, si të ishte e mbuluar me tapet. Kishte raste që mbasdite Udhën e Vidhishtës na e zinin barinjtë që kullosnin lopët në të. Ne pëlcisnim nga inati. Po barinjtë ishin më të mëdhenj dhe ne s’kishim ç’u bënim.

Përroi i Zi, ishte një dell apo mbeturinë e një përroi të tharë. Thuhej se aty ishte mbytur një vajzë që kishte mbetur shtatzënë dhe përroi nga dhimbja u nxi e më vonë përroi u tha krejt dhe si shenjë e tij mbeti një copë dell që ne e quanim Përroi i Zi. Flitej se këtu, në muzg, mes kashtës dhe kallamave takohej bariu D. me vejushën që ai e quante floçka e Përroit të Zi.  

-Çfarë veçon nga jeta shkollore. Keni qenë nxënës i rregullt apo zevzek. Si i ke pasur marrëdhëniet me mësuesit dhe me shokët. Je grindur.

Shkollën fillore e kreva në qytet në qershor të vitit 1950 në moshën 13-vjeçare, pasi në klasë të parë unë u futa në moshën nëntë vjeçe, kur fillorja u bë arsim i detyruar. Kur mësuesi Harun Sefa (sot Mësuesi i Popullit ), solli fletëthirrjen për t’u futur në klasë të parë, unë pashë të shkruar në të dy me lapës blu: emrin tim dhe emrin e djalit të xhaxhait, Fadilit. Kur unë lexova me zë emrat tanë, mësues Haruni u habit. Po ti ku ke mësuar të lexosh, më tha. Nga motra, i thashë që është në klasë të tretë. Mësues Haruni ngriti supet dhe tundi kokën.   Mësuesit e mi të fillores kanë qenë: Andon Billo, Melani Kiçi, Liri Dani ( Papa ) dhe Abaz Sinani të cilët jo vetëm s’i kam harruar kurrë, por edhe kam botuar ese për ta.

Nga shkolla fillore veçoj si të jashtëzakonshëm ditën dhe çastin, kur para gjithë shkollës, m’u dha Flamuri i Diturisë, në përfundim të një konkursi të organizuar nga Drejtoria e shkollës, në bashkëpunim me Seksionin e Arsimit të rrethit, drejtuar nga mësuesi pasionant Andon Billo. Gjatë gjithë shkollës fillore dhe shtatëvjeçare që e kreva natën, kam qenë nxënës i rregullt. Zevzek, kam qenë disi në shkollën e mesme, në Liceun Artistik të Tiranës të cilin e kam vazhduar pas mbarimit të detyrimit ushtarak gjatë viteve 1957-1961. Ndodhi kështu:

Në qershor të vitit 1953, aktori dhe piktori i Shtëpisë së Kulturës, Lushnjë, Ilia Shyti, më përzgjodhi midis disa anëtarëve të kursit të pikturës dhe më dërgoi në Tiranë që t’i nënshtrohesha konkursit të pranimit për në Liceun Artistik, në degën e pikturës me bazë fillore. Konkurrova dhe e fitova konkursin.

Pas mbarimit të shkollës fillore, 1950-1953, nuk e vazhdova shkollën shtatëvjeçare për arsye ekonomike dhe punova tre vjet si bujk. Kur më erdhi përgjigjja që kisha fituar konkursin për pikture dhe do të shkoja në Liceun Artistik, isha duke vaditur dhe në shtator, kur u nisa për në Lice, isha duke korrur misrin. Mbarova klasën e pestë, por në dhjetor të vitit 1954, por ndërsa isha duke vazhduar klasën e gjashtë, më morën ushtar. Në ushtri u njoha me Pjetër Arbnorin dhe Leka Totën. Këta kishin mbaruar gjimnazin. Pjetri kish qenë edhe mësues. Shoqëria me ta më ndihmoi shumë. Ata më jepnin libra të autorëve të mëdhenj dhe unë i përpija me etjen më të madhe. Me Pjetrin fillova të mësoj algjebër, me qëllim që kur të mbaroja shërbimin ushtarak, të vazhdoja klasën e gjashtë e të shtatë të shkollës shtatëvjeçare. Gjatë viteve 1956 dhe gjer në korrik të vitit 1957, vazhdova shkollën e natës, pa shkëputje nga puna dhe mbarova njëherësh klasën e gjashtë dhe të shtatë gjë që atëherë ishte lejueshme. Në shtator të vitit 1957 u ktheva përsëri në Lice për pikturë.

Marrëdhëniet e mia me mësuesit e Liceut nuk kanë qenë dhe aq harmonike. Unë isha një nxënës oponent me mësuesit dhe debatues me ta. Kur ata nuk tregoheshin të vëmendshëm gjatë përgjigjes sime në mësim dhe nuk më bënin vlerësimin e merituar, unë protestoja, i zgjoja, bëja që ata herë tjetër të ishin të vëmendshëm gjatë përgjigjes sime në mësim. Më shumë debatoja me profesorin që na jepte «Bazat fillestare të Marksizmit» dhe me profesorët e letërsisë në orën e komentit letrar dhe gjatë korrigjimit të hartimit. Qremal Xhomo, Thanas Shkurti dhe Ali Zela,  kanë qenë tre profesorët e mi të letërsisë që i kanë vlerësuar me shumë entuziazëm hartimet e mia dhe më jepnin libra të autorëve të mëdhenj.

Kam debatuar me mësuesit e mi të Liceut, kam kritikuar ndonjë prej tyre, por nuk jam grindur kurrë me ta. Edhe me shokët e klasës, kam bërë debate pa mbarim, por edhe pse nuk kam qenë shumë i afërt me të gjithë, edhe pse me ndonjë kam bërë dhe fjalë, e rëndësishme është se nuk jam grindur. Shumë shokë të Liceut unë i kam miq të paharruar. Vemë e vijmë te njeri-tjetri.

Nga jeta e shkollës veçoj edhe një rast që mund të më ishte kthyer në një dramë të tmerrshme fatale. Ishte viti 1957- 58. Isha  në vitin e dytë të Liceut, në orën e letërsisë. Në një orë të lirë letrare, diskutonim një artikull të gazetës «Komsomolskaja Pravda», botuar në gazetën «Zëri i rinisë». Bëhej fjalë se kush ishte më e rëndësishme për jetën, shkenca apo arti e letërsia. Kishte mendime pro e kundër nga lexuesit e gazetës «Komsomolskaja Pravda», po kështu dhe nga  nxënësit e klasës sonë. Kjo tregon se në Bashkimin Sovjetik ka filluar të ketë më shumë liri të fjalës e të mendimit, konkludoi profesoresha. Atje ka, po këtu te ne nuk ka liri të mendimit e fjalës, thashë unë, pa të keq duke iu referuar profesorëve që silleshin ashpër me ne; që nuk na linin të shpreheshim lirisht gjatë përgjigjes në mësim,por donin që ne të thoshim përpikmërisht atë që na kishin thënë ata gjatë shpjegimit. E dhe te ka liri të mendimit e të fjalës, tha profesoresha e zënë ngushtë. Partia na ka krijuar kushtet për t’u shprehur lirisht në mbledhje, shtoi mësuesja, me ton më serioz. Po, po, mund të flasësh lirisht por për ato që do Partia, thashë unë naivisht duke pasur parasysh drejtorin e shkollës, profesorin kujdestar. Profesoresha ishte komuniste dhe i duhej të mbante qëndrim, por edhe të më sqaronte. Këtë unë do ta kuptoja më vonë. Ajo kishte informuar organizatën bazë, kishte propozuar që të më denonconin në Degën e brendshme,por propozimi i saj nuk u pranua. Organizata bazë vendosi të punonte vetë për edukimin tim meqë unë vija nga një familje që kishte qenë bazë e Luftës Nacionalçlirimtare. Organizata ngarkoi pikërisht profesoreshën e letërsisë që të më mbante afër meqë unë kisha talent për letërsi dhe të punonte për edukimin tim. Këtë e mora vesh disa ditë para mbarimit të Liceut nga profesori i pikturës Guri Madhi i cili ishte zëvendës sekretar i Organizatës Bazë të Partisë për Liceun. Unë po flisja keq për Sofokli Budën, profesorin e marksizmit, po i thosha se ai ishte i keq. Jo, tha profesor Guri, ai është njeri i mirë, për ty ka qenë edhe më i mirë akoma. Ti nuk e di po ai të ka shpëtuar nga burgu. Ai, si sekretar i Organizatës Bazë kundërshtoi propozimin që  të të denonconim në Sigurim për agjitacion e propagandë. Si kështu, thashë, po ai me mua sillej…S’të besohet, tha, profesori  pikturës i cili më donte dhe e doja. Ke të drejtë, për të mos u besuar është, por ja që është e vërtetë, tha profesor Guri Madhi.

- Cila ka qenë dita më e bukur e shkollës

Dita më e bukur e shkollës ka qenë dita, kur profesori Qemal Xhomo i cili na jepte letërsinë në maturë, lexoi para klasës hartimin tim me thekse logjike, me tone dramatike dhe amplituda të tilla të zërit, sa edhe unë vetë s’po e dalloja dot se i kujt ishte hartimi. Pas leximit ai tha se mes hartimeve, kishte gjetur edhe një hartim që e kishte kënaqur me kolorin e tij.Një kënaqësi të tillë unë kisha ndierë vetëm kur profesori i letërsisë, Thanas Shkurti,kishte lexuar më me patos hartimin tim, kur unë vazhdoja klasën e gjashtë të shkollës shtatëvjeçare në Liceun Artistik të Tiranës, para se të shkoja ushtar në vitin 1954.

-Kur keni shkruar poezinë apo tregimin e parë.

  Poezinë e pare e kam shkruar që në shkollën fillore. Por poezinë e pare e kam botuar në Almanakun e Lushnjës më 1961, kurse poezinë e parë në shtypin qëndror letrar, e kam botuar në gazetën Drita më 22 prill 1963. Tregimin e parë e kam shkruar në vitin 1966 dhe fitova çmim inkurajues në konkursin kombëtar, organizuar me rastin e pesëmbëdhjetë vjetorit të themelimit të PPSH. Tregimin e dërgova në konkurs me emrin e një shokut tim, që në fakt ishte pseudonimi im. Këtë e bëra ngaqë isha kritikuar në gazetën «Drita» për poezinë «Shtergët» e cila u konsiderua e gabuar politikisht dhe druhesha se mos nuk do të ma pranonin në konkurs.              

-Arsimi juaj i lartë. Përse studiuat, ishte dëshira juaj apo ju detyruan prindërit

Kam mbarua UT për gjuhë dhe letërsi shqipe për shkollat e mesme, me korrespondence. Pasi fitova konkursin për në Institutin e Lartë të arteve Figurative dhe nuk u lejova nga pushteti dhe partia në rreth të vazhdoja studimet e larta për pikture, pas gjashtë vjetësh nga mbarimi i Liceut Artistik në vitin 1967, mu dha, më në fund, e drejta që të vazhdoja studimet për gjuhë letërsi UT me dëshirën time të plotë.

-Disa mbresa nga jeta juaj në profesion.. Si e keni përjetuar ditën e parë të punës

Mbresat nga jeta në profesion janë të shumta, por përvijimet e ditës së pare të punës janë nga më të çuditshmet, janë fillimi i një eksperience që do të vazhdojë gjatë, deri në pension.

Si tani më kujtohet dita e pare e punës në shkollë si mësues vizatimi. Si lëndë të djathta: vizatimi, muzika, fizkultura nuk kanë atë përkushtim si nga nxënësit dhe nga drejtoria, siç kanë për algjebrën, fizikën,kiminë etj. Djathtësitë nuk të lenë në klasë, ndaj dhe nxënësit neglizhojnë. Edhe ndaj mësuesve të djathtësive mbahet një qëndrim i diferencuar si nga nxënësit dhe drejtoria. Kur fillova orën e pare të ditës së pare të mësimit, nxënësit jo vetëm bënin zhurmë dhe lëviznin nëpër banka. Unë nuk u bërtisja, s’i qortoja, vetëm i shihja me vëmendje dhe prisja që ata të reagonin e të uleshin se cili në bagën e tij, por hiç. Ata vazhdonin të harboheshin. Kujdestari i klasës u ngrit e tha, profesor e di ç’duam ne? Ne duam dru. Me të urtë siç po silleni ju, ne nuk marrim vesh. Mësuesit e tjerë na zhdëpin në dajak. Si t’ia bëja, t’i zhdëpja  dhe unë? Kuptova se dajaku më i mirë për t’i shtruar nxënësit, ishte puna e vazhdueshme dhe sistematike. Po t’i mbaje nxënësit gjithë orën në punë, ata, jo vetëm nuk lëviznin andej-këndej, por, përkundrazi, shtroheshin mrekullisht në punë. Kështu bëra dhe puna nuk më eci keq. Gjatë gjithë jetës sime si arsimtar, kam punuar me talentet në pikturë dhe në letërsi. Kisha kënaqësi kur punoja me poetët e rinj të talentuar, të mençur e të kulturuar si  Fatbardh Rustemi, Visar Zhiti, Sherif Bali që sot janë bërë shkrimtarë e poetë të njohur. Besim Golemi kaq qenë nxënësi im me një talent të jashtëzakonshëm që kam zbuluar dhe, kam punuar me të, nga klasa e gjashtë, gjer në mbarim të Liceut Artistik dhe duke ju gjendur më pas në të gjitha peripecitë e tij për shkak të biografisë që e pengonte atë për të vazhduar studimet e larta për pikturë.         

-A keni pasur ndonjëherë rastin të takoheshit me ish udhwheqwsit e Partisw sw Punws dhe impresionet tuaja.

Jam takuar vetëm me Ramiz Alinë në shkurt të vitit 1973 në zyrën e tij për kritikën që më ishte bërë ato ditë për poemën «Delli dhe rrëkerat». Në këtë takim ishte i pranishëm Hamit Beqja, këshilltar i tij në atë kohë për kulturën. Më priti mire. Biseda ishte e lire disi liberale disi demokratike. Ai nxori nga sirtari gazetën «Zëri i rinisë», ku ishte botuar poema ime dhe gazetën «Shkëndija», ku ishte botuar kritika aktakuzë kundër poemës «Dielli dhe rrëkerat» e dhjetë gjimnazistëve të mbështetur nga komiteti i Partisë dhe personalisht nga sekretari i pare Rrapi Gjermeni, i prekur më tepër nga një poezi imja me titull «Djali i sekretarit», në revistën «Nëntori.» A bëjmë një diskutim, tha Ramiz Alia. për poemën dhe kritikën që i bëhet poemës? Bëjmë, i thashë unë. Poema është e gabuar ideologjikisht, më tha Ramiz Alia, po ne nuk jemi dakord me kritikën që të bëhet ty në plan politik e personal. Do t’u heqim vërejtje atyre shokëve të gazetës Shkëndija, tha dhe instruktorit që mbulon gazetën në komitet të partisë. Kështu?

U gëzova, por pas dy-ti ditësh Ramiz Alia në një mbledhje me punonjësit e shtypit tha se Zëri i rinisë, ka botuar poemën «Dielli dhe rrëkerat» e poetit Faslli Haliti që është e përshtatshme për t’u botuar në gazetën «Le Monde». Kaq deshi Rrapi Gjermeni, bëri shpejt e shpejt një mbledhje autodafe si ato të inkuizicionit mesjetar, më ndërseu gjimnazistët e indoktrinuar e të manipuluar nga ai vetë dhe më dergoi për riedukim ideologjik e politik orizore. Kadri Hazbiun e kam pare në një takim me shkrimtarët në sallën e Lidhjes së shkrimtarëve në vitet ’65: sikur të më shihnit të parakaloja me ushtarët e mi, ju do të më pështynit të gjithë; janë të gjithë, pothuaj, nga radhët e të deklasuarve dhe të internuarve politikë… Enver Hoxhën, Mehmet Shehun e gjithë të tjerët i kam pare vetën në fotografi e në televizor.

-Kush ka qenë dita më e vështirë në jetë.

Kam pasur shumë ditë të vështira, por më e vështira ka qenë dita kur u shpallën fituesit e konkursit të pikturës për në Akademinë e Arteve. Edhe pse në radhët e fituesve, edhe pse i nderuar me diplomë në ekspozitën e arteve pamore në Oslo të Norvegjisë, edhe pse me përkujdesjen e Kadaresë, djali im, Helidoni, nuk u pranua në Akademi. Hija e dënimit tim për gabime ideore në krijimtari, kishte vepruar në pikën më vulnerabile. Disfatën kaloje duke pikturuar, i thashë djalit, ai ma dëgjoi, dhe për  herë të tret tretë ai fitoi. Suksesin shoqëroje me punë, pikturo pa pushim, i thashë dhe ai përsëri ma dëgjoi këshillën. Ai tashmë është një piktor i njohur dhe i suksesshëm.  

-Kur e keni botuar librin e parë ?

Librin e parë e kam botuar më 1969. Kadare ishte recensent. Kjo e ndihmoi shumë botimin e librit. Për të shkroi Kadare në gazetën ’’Drita’’, shkrim pati shumë impakt te lexuesi shqiptar, por edhe ngjalli shumë xhelozi te disa krijues të qarqeve letrare. Libri titullohej ’’Sot’’ dhe fitoi çmimin e tretë kombëtar në konkursin e shpallur me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit.

-Çfarë shkruan më shumë prozë apo poezi

Poezi, natyrisht. Por shkruaj dhe prozë. Kam botuar shumë ese e tregime në shtypin letrar. Këta tregime dhe kam në proces botimi romanin «Dielli dhe rrëketë që s’u thanë.» Më pyeti një herë Kadare se a shkruaja prozë. Proza është e vështirë, tha ai. Kam shkruar i thashë, dhe i tregova subjektin e një tregimit që bënte fjalë për një Qiparis i cili e kishte shpëtuar gjeometrin nga pushkatimi gjatë Luftës, prandaj gjeometri s’e preu atë edhe pse Qeparisi futej gati një metër brenda rrugës së re që po ndërtohej dhe e shtrëmbëronte atë. Gjeometri, me urdhër nga lart u detyrua ta priste Qeparisin, shpëtimtarin e tij. Qeparis më shpëtoi nga pushkatimi dh ja unë po e pushkatova, u tha eprorëve të lartë, gjeometri i tëri në zi.. Shumë i bukur, tha Kadare. I entuziazmuar, unë i tregova Kadaresë edhe subjektet e dy tregimeve të tjerë. Artificial të dy, tha Kadareja prerë.

Veç prozës origjinale, kam botuar edhe tregime të përkthyer nga autor të ndryshëm. Kam  në proces botimin novelat «Kosma dhe banditët» dhe «Tabakaja prapa derës» të shkrimtarit Alberto Moravia. Sidoqoftë sunduese ka qenë dhe është krijimtaria poetike.sapo kam botuar librin poetik «Diellftohti» dhe së shpejti do të botoj një libër me lirika të titulluar «Lirika të reja të një shpirti që s’plaket».

-Ju keni qenë deputet çfarë force politike në çfarë zone dhe diçka nga jeta juaj si deputet.

Kam qenë deputet i propozuar nga PS e PSD në zonën 74.

Jeta ime si deputet, ka qenë e zakonshme; po ata shokë, po ato lokale ku e kisha pirë kafen, po ato rrugë ku kisha shëtitur me  gjithmonë me shokët, me vajzën dhe djalin emigrantë në Greqi me punë të rëndomta edhe pse me shkollë të lartë të dy: vajza diplomuar për biokimi dhe djali për Pikturë; gjithmonë po me ato debate për poezinë e pikturën. Mbase isha nga të vetmit deputet që nuk kisha makinë dhe që nuk shkova asnjëherë jashtë shtetit me ndonjë delegacion parlamentar edhe pse vetëm tre poetë ishim në grupin e deputetëve të PS. Dy kolegët e mi shkuan disa here gjatë legjislaturës, unë  jo. Nuk e fsheh, kjo më ka prekur shumë, por nuk jam ndier. Hera e pare që po e them publikisht.  

Flitet se deputetë janë të përkëdhelurit e shoqërisë.

Mbase. Unë për vete nuk kam qenë i përkëdhelur, po kështu dhe shumë nga kolegët e mi. Më të përkëdhelurit, për mendimin tim, janë ministrat, liderët partiakë, analistët, gazetarët, biznesmenët, këngëtaret që sundojnë ekranet televizive, revistat, gazetat dhe suplemente e gazetave dhe që andej kërkojnë që t’i përkëdhelim dhe ne lezuesit apo teleshikuesit.  Deputetët janë më të fokusuar në vëmendjen e popullit që i ka zgjedhur dhe që disa nga këta deputetë, nuk i zgjidhin hallet e zgjedhësve, kurse disa të tjerë nuk jetojnë sa duhet ose nuk jetojnë fare me hallet e popullit. Kjo i revolton votuesit.

Po tani a merreni me politikë dhe pse.

Jo, nuk merrem politikë, por e ndjek politikën sepse unë jam poet aktiv dhe jo politikan aktiv. Dhe kur duhet reaguar ndaj ngjarjeve, unë reagoj me  poezinë time.

-Çfarë i mungon politikës së sotme shqiptare

I mungon morali. Thuhet se  politika s’ka moral. Unë them se klerikët(liderët) e politikës, s’kanë moral. Politika eshtë art i drejtimit apo siç thotë Lenini, shprehje e koncentruar e ekonomisë. Janë politikanët e korruptuar ata që e bëjnë lesh e li politikën që tërheqin me shpatull, njri këtej e njeri andej, sipas forcës tërheqëse të interesave pragmatiste. Megjithatë njerëzit përpiqen, punojnë dhe kanë bërë edhe mrekullira në disa fusha, pavarësisht nga stërkëmbësit e politikës së vjetër. Tirana është modeli se si shkohet më shpejt e më me dinjitet në Evropë.Durrësi, Vlora, Korça gjithashtu kanë lëvizur e vazhdojnë të lëvizin mrekullisht me ritëm evropian. Instinkti popullor është më i mençur se sofistikimet e politikanëve.

-Sa kohë i kushton librit.

Gjithë kohën, pothuaj.

-A e ndiqni rregullisht shtypin

Po e ndjek rregullisht, por lexoj, kryesisht suplementet letrare dhe faqet e kulturës. Jashtë shkrimeve letrare, lexoj ato që më interesojnë dhe që janë të domosdoshme për t’u orientuar në jetën e përditshme. 

-Çfarë pëlqeni dhe çfarë kritikoni tek një njeri

Tek një njeri pëlqej sinqeritetin, thjeshtësinë, laborizitetin,dhe kritikoj mburravecërinë, autopublicitetin, kakarisjet e tij pretencioze se vetëm ai ka bërë dhe bën vezën e kuqe. Dëgjojmë që kakarisjet të shtohen, po atë vezën e kuqe të atij apo të këtij s’po e shohim ende..  

-Mendimi juaj për familjen

Familja për mua është edhe telash, edhe komoditet. Mungesa e familjes do të ishte bjerrakohë. Pas vetëdijes dhe të folurit, krijimi i familjes është arritja e dytë e madhe e njeriut që e dallon atë nga kafshët.

-Ushqimi i preferuar.

Mishi i pulës.

-Letërsia shqiptare ka inflacion botimesh. Mendimi juaj ?

Po, ka inflacion botimesh. Ky inflacion cenon cilësinë. Botohen libra shumë të dobët, për të mos thënë libra koti apo pseudo libra. Por më e keqja është se cilësinë e dobët ne e shohim vetëm te libri i tjetrit dhe jo te libri ynë. Libra të dobët boton secili nga ne. Cilësia e dobët s’duhet pare vetëm te krijuesit periferikë, por në radhë të pare te krijuesit e talentuar të cilët nuk duhet t’ia  lejojnë vetes të botojnë një libër të dobët nga ngutja apo tanskurimi i lexuesit. Mediokri, kritikon mediokritetin, pa përfshirë veten në të. Në radhë të parë, cilido nga ne, krijuesit, duhet të shoh, të kritikojë dhe të luftojë mediokritetin te vetja, në krijimtarinë e tij, sado  i pakët, sado në sasi minimale të jetë ky mediokritet në krijimtarinë e tij.. I talentuari nuk lufton për elimin e të talentuarëve, por lufton që të zërë vend e të radhitetet krahë tyre. Kadare, nuk i luftoi, Naimin, Migjenin, por i studioi, i vlerësoi ata gjer në shkallën më sipërane, prandaj u bë i barabartë me ta. Pa male, s’ka maja, thotë populli. Kadare është maja më e lartë e vargut malor të letërsisë shqipe.     

-I jepni rëndësi veshjes?

Po, për të qenë i rregullt dhe jo për manierizëm, snobizëm.

-A merreni me gjimnastikë?

Fatkeqësisht, jo, nuk merrem fare me gjimnastikë. Edhe në shkollën e mesme kanë dashur të më përjashtonin nga shkolla, ngaqë kisha bërë shumë mungesa në fizkulturë. Nuk më jepet fare për gjimnastikë. Jam dembel klasik.

-Hobet tuaja?

Përkthimi, krokitë, dizaini.

-Jeni supersticiozë?

Jo.

-Keni ndonjë peng në jetë?

Po, kam dy pengje:

Peng kam heqjen e ciklit të poezive të mia, për shkaqe politike,  nga antologjia poetike «Kadare dhe brezi i tij» e cila u botua në Francë në vitin 1974 dhe që nuk vazhdova studimet e larta si student i rregullt. 

-Çfarë ndiqni më shumë në televizion?

Dokumentarët, sidomos, dokumentarët për piktorët dhe poetët si dhe debatet për artin, letërsinë, politikën.

-Mendimi juaj për divorcet e shumta?

Kur jeta bashkëshortore bëhet e padurueshme, divorci është zgjidhje më imediate; po ashtu edhe kur një dashuri e re, e thellë dhe serioze e eklipson dashurinë e vjetër, divorci, gjithashtu është i motivuar. Po kur divorci bëhet për motive të dobëta, për interesa meskine, ky nuk është divorc, por aventurë. Divorcet më të shumta ndodhin midis çifteve të lidhur me interesa të dobëta, te çiftet pa dashuri ose me dashuri efemere ose me gjysmë apo çerek dashuriçkash.   



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora