E marte, 20.10.2020, 07:05 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Rreziqet ndaj euro-atlanticizmit

E merkure, 08.10.2014, 08:49 PM


RREZIQET NDAJ EURO-ATLANTICIZMIT

(Po Shqipëria dhe Shqiptarët?)

Nga Frank Shkreli

Javën që kaloi në Washington u mbajtë një konferencë e organizuar nga Qëndra për Analiza të Politikës Europiane ku morën pjesë akademikë, ekspertë të çështjeve dhe politikës europiane, diplomatë të huaj dhe amerikanë.  Forumi i gjashtë i këtij enti iu kushtua sigurisë në Europë, përfshirë rolit të NATO-s si dhe gatishmërisë së vendeve europiane, sidomos vendeve ish-komuniste, tani anëtare të NATO-s, për të luajtur rolin që u takon në këtë moment të historisë, e që u cilësua si periudha e "krizës më serioze të sigurisë në Europë në disa dekada."

Debatues të ndryshëm theksuan, sidomos politikën e ashpër anti-perëndimore dhe revizioniste që ka ndjekur Rusia e Putinit -- përfshirë edhe sulmin rus kundër Ukrainës -- që sipas ekspertëve, për arsye të ndryshme, por kryesisht ekonomike, ka shkaktuar tensione të mëdha edhe në radhët e Aleancës së Atlantikut.  Politika e Kremlinit, e cila përfshinë forcën ushtarake, propagandën, presionet ekonomike, diplomacinë dhe subversionin ndaj shteteve fqinje, sipas disa pjesëmarrësve në atë forum, po kërcënon sigurinë anë e mbanë Europës, me qëllim për të rivendosur hegjemoninë ruse në Europën Lindore ish-komuniste.  Konferenca vuri në dukje rolin e NATO-s në Europë gjatë  luftës së ftoftë dhe gjatë 25 viteve të fundit ç'rej shëmbjes së komunizmit, por u theksua gjithashtu fakti, se siç duket në Europën post-komuniste po zbehet kujtesa e luftës së përbashkët kundër komunizmit, si dhe e rolit që dikur luante Amerika në punët europiane.  Folës të ndryshëm, ekspertë të politikës dhe të marrëdhënjeve amerikano-europiane ngritën një numër çështjesh që prekin lidhjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Europës, si dhe rolin që duhet të luaj Aleanca e Atlantikut, NATO, në shekullin e 21-të.  Përballë kësaj situate të pasigurtë në marrëdhënjet europiane dhe ndërkombëtare, konferenca e Washingtonit, javën që kaloi, çka është edhe me keq, theksoi gjithashtu se ndjenjat anti-amerikane në Europë, për një numër çështjesh, janë në rritje e sipër.

Ekspërtë të ndryshëm, akademikë dhe përfaqsues të qeverive të ndryshme nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë, diskutuan mbi rolin që duhet të luajnë Shtetet e Bashkuara, NATO-ja si dhe vendet dhe popujt e Europës Qendore dhe Lindore, me objektivin për të përforcuar lidhjet strategjike transatlantike, ashtu që në të ardhmen të mënjanohet ndonjë krizë e mundëshme ndaj sigurisë në Europë, e shkaktuar qoftë nga politika e mbrendshme e shteteve ish-komuniste, qoftë nga politika hegjemoniste ruse, e cila gjithmonë peshkon në ujëra të turbullëta, përfshirë edhe Ballkanin perëndimor.  Europa Qendrore/Lindore u karakterizua si një front i ri-aktivizuar lufte, ky si rrjedhim i sulmit rus kundër Ukrainës dhe sepse Moska po bën ç'mos që të frikësoj ushtarakisht dhe të shantazhojë ekonomikisht vendet e rajonit.

Është e pamundur që edhe vizita e planifikuar e presidentit rus, Vladimir  Putin në Beograd të mos shikohet në këtë prizmë. Sepse ajo po bëhet në një periudhë delikate dhe që përputhet  plotësisht me politikën e re ruse të shantazhit dhe të frikësimeve ndaj vendeve të atij rajoni.  Dhe si e tillë, politika e Rusisë së Putinit jo vetëm ka për qëllim të minojë përparimin e bërë në Ballkan këto 25 vitet e fundit, por është një sfidë e drejtë për drejtë ndaj autoritetit dhe influencës së Bashkimit Europian, të NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor. Kujdes Ballkanin!

Atëherë, për ata që interesohen dhe ende dëshirojnë  një Europë të lirë demokratike, të begatë dhe të sigurtë, të tërë dhe të bashkuar -- çka duhet të bëhet përball këtyre sfidave ndaj sigurisë në Europë dhe si mund, dhe si duhet të përforcohen lidhjet transatlantike për të kundërshtuar rreziqet dhe sfidat e mbrendshme dhe të jashtme, që i kanosen sigurisë në Europë.

Një prej folësve në forumin e javës së kaluar në Washington ishte edhe Victoria Nuland, Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Punët Europiane dhe Euro-Aziatike.  Ajo u kujtoi të pranishëmve se këtë vjeshtë bie 25-vjetori i rrëximit të Murit të Berlinit dhe se dy dekada e gjysëm më parë, vendet e Europës Qëndrore, me shëmbjen e komunizmit, frymëzuan botën duke kapur atë “moment shprese” dhe duke e transformuar atë në liri dhe mundësi të reja për miliona veta  në atë vende dhe duke rivendosur, sipas saj, demokracinë liberale, me zgjedhje të lira, me institucione të pavarura  dhe me një liri të medias, anë e mbanë Europës Qëndrore dhe Lindore.

Zyrtarja e lartë e diplomacisë amerikane u tha pjesmarrësve të këtij forumi se, "Sot ne jetojmë në një botë më të mirë, sepse Europa Qendrore 25 vjetë më parë kishte zgjedhur rrugën e një Europe të lirë, të tërë dhe në paqë."  Por ajo theksoi se kjo alternativë e zgjedhur nga këto vende 25 vjetë më pare, "është nën kërcënim dhe në rrezik spese Europa Qëndrore gjëndet përsëri përball një fronti, të një lufte për të mbrojtur sigurinë dhe vlerat tona."   Këtë kërcënim, Victoria Nuland e karakterizoi si, "një luftë të mbrendshme dhe të jashtme."  Si kërcënime nga jashtë, diplomatja amerikane përmendi agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, si një rast kur një vend i madh shtyp vendet e vogëla, kur të dojë e si të dojë. Ajo u ndal edhe tek kërcënimi që paraqet grupi terrorist ISIL kundër sigurisë, begatisë dhe vlerave perëndimore-- kërcënim të cilin ajo e cikësoi si real dhe emergjent.  Ajo mirëpriti ndihmën e vendeve të Europës në luftën kundër këtij grupi terrorist dhe bëri thirrje shteteve që të bëhet më shumë për të ndaluar rekrutimin dhe financimin e këtij grupi në hapësirën transatlantike.

Ndërsa, Z.nja Nuland theksoi  kërcënimet e jashtme ndaj sigurisë dhe vlerave të vendeve  në hapësirën euro-atlantike, ajo njëkohësisht nënvijoi se në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, "kërcënimet e mbrendëshme ndaj  demokracisë dhe lirisë janë po aq shqetsuese sa edhe kërcënimet e jashtme".  Diplomatja amerikane përgjegjëse për çështjet europiane, vazhdoi duke thënë se "dy kancerët binjakë, mangësitë në përforcimin e demokracisë dhe korrupsioni, po kërcënojnë ëndërrën e shumë prej atyre të cilët kanë punuar aq shumë për realizimin e saj, ç'prej vitit 1989."  Në një kritikë të drejtë për drejtë  ndaj disa udhëheqsve të këtij rajoni, ajo tha se, "Ndërsa ata përfitojnë nga antarësimi në NATO dhe në Bashkimin Europian, ne mund të gjëjmë udhëheqës në këtë rajon të cilët sillen sikurë kanë harruar vlerat mbi të cilat janë ndërtuar dhe veprojnë këto institucione".   Ata, pohoi, ajo flejnë rehat gjatë natës, të sigurtë se mbrohen nga artikulli 5 i aleancës së NATO-s, ndërsa gjatë ditës, udhëheqës të këtyre vendeve ish-komuniste zbatojnë një "demokraci jo liberale", ndërkohë që i fryjnë nacionalizmit, kufizojnë lirinë e shtypit dhe kritikojnë shoqërinë civile.  Ajo kritikoi ashpër edhe ata të cilët "mbrojnë zyrtarët e korruptuar nga persekutimi" për krimet e tyre, ose "ata që anashkojnë parlamentin kur t'u teket e si t'u teket".  Zyrtarja e lartë e Departmentit amerikan të shtetit tha ndër të tjera, në fjalimin e saj duke theksuar se, nepërmjet antarësimit në organizmat euro-atlantikë, vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore duhet të jenë vigjilente, sepse, shtoi ajo, "Ne mund të jemi të fortë vetëm atëherë kur të mbrojmë pluralizmin politik, shoqërinë civile dhe të drejtën e individit për të kundërshtuar edhe mbrenda kufijve tonë shtetërorë sfidat ndaj lirisë dhe demokracisë".  Jemi të fortë, përfundoi diplomatja amerikane, atëherë, "kur qeveritë tona janë të pastra, transparente dhe të përgjegjëshme, por edhe llogaridhënse ndaj popujve të cilëve ato u shërbejnë."

Po vlerat, për të cilat foli diplomatja amerikane, vlerat pra të euroatlanticizmit, të lirisë dhe të demokracisë, të së drejtës të individit -- a janë kto vlera që zbatohen a po jo nga Shqipëria dhe shqiptarët, si vend anëtar i NATOs dhe si popull që aspiron antarësimin e plotë në organizmat euro-atlantike.  25 vitet e kaluara të sjellin dyshim.  Mos vallë edhe shqiptarët, 25 vjetë pas shëmbjes së komunizmit zyrtar e kanë harruar historinë e tyre kombëtare të shekullit të kaluar.  Cili ishte "momenti i shpresës", për kombin shqiptar apo kemi harruar, kur shqiptarët e donin Shqipërinë si e gjithë Europa? A mos janë edhe udhëheqsit shqiptarë në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan pa dallim, ata të cilët natën flejnë rehat nën umbrellën e sigurisë së NATO-s, e ditën praktikojnë politika shkatërruese ndaj njëri tjetrit, duke minuar demokracinë dhe lirinë, në dëm të së ardhmes së kombit shqiptar si anëtar në të gjitha organizmat euro-atlantike.  A e shohin udhëheqsit shqiptarë këtë lloj politike që ndjeket për një çerek shekulli tani si të dëmshme sa janë të dëmshme edhe kërcnimet e jashtme? Me të thënë të drejtën, janë shqetsuese tendencat dhe dukuritë e fundit në Shqipëri për të rihabilituar figurën e diktatorit komunist Enver Hoxha, gjë që të sjellë në mendë sistemin më të egër komunist në Europë dhe më anti-demokratik dhe anti-NATO dhe më anti-vlerave perëndimore  -- ndërkohë që udhëheqsit më të lartë të vendit dhe ministrat e qeverisë përulën para fugurës së tij dhe marrin pjesë në parakalime të periudhës së komunizmit.   A ndanë Shqipëria këto vlera perëndimore për të cilat u diskutua në forumin e Washingtonit javën e kaluar,  me organizmat euro-atlantike si NATO, anëtare e së cilës është, dhe me Bashkimin Europian, anëtare e së cilës dëshiron të jetë. A i ndanë  dhe ai i mbështet ky brez politikanësh, vlerat e lirisë e të demokracisë, të lirisë dhe pavarësisë së medias, të lirisë së veprimit të shoqërisë civile, të pavarësisë së gjykatave, të politikës së anti-korrupsionit, të dënimit të zyrtarve të korruptuar, të  pjesmarrjes në parlament dhe jo të anashkalimit të tij.  Sepse janë këto vlera të cilat kombi shqiptar, të pakën në letër, është angazhuar të ndajë me botën perëndimore,të cilës thotë se i përket dhe të cilës dëshiron t'i bashkohet,  dhe t'i mbrojë në hapësirën e tij -- në trojet e veta -- si pjesë e hapësirës së organizmave euro-atlantikë.

Janë këto vlera, jo të shekullit të kaluar, por janë vlera të cilat e janë provuar se forcojnë lirinë, pluralizmin politik, shoqërinë civile, dinjitetin njerëzor dhe të drejtat bazë të njeriut. Janë këto vlera të cilat e bëjnë më të lehtë dhe kontribojnë për një qeverisje të pastër, transparente dhe përgjegjëse ndaj popullit që duhet t'i shërbejë.  I takon kësaj gjenerate, që të ndahet njëherë e mirë nga një e kaluar e tmershme gjysëm shekullore, e që seriozisht të zbatojë këto vlera, duke ruajtur dhe duke mbrojtur bekimet e lirisë dhe të demokracisë, nëqoftse me të vërtetë ky brez politikanësh beson në këto vlera, si bazë e veprimtarisë së tyre politike. Ky është një angazhim që duhet të ritheksohet dhe të ripohohet nga ana e tyre, sidomos nga kjo klasë politike, nga ky brez, dhe jo vetëm me fjalë, por me vepra konkrete për të bindur popullin  vet, por edhe miqët e jashtëm me të cilët pretendojnë se I ndajnë vlerat perëndimore -- duke u larguar nga “vlerat” e diktatorit që përfaqsonte një sistem që jo vetëm nuk besonte në këto vlera, por i cili për pothuaj 50-vjetë i luftoi këto vlera, që ndajnë shtetet europiane me njëra tjetrën si anëtare të organizmave euro-atlantike, e që kombi shqiptar dëshiron tu bashkohet. O me vlera të botës moderne të dinjitetit njerëzor ose me kundërvlera të një regjimi antivlerë!  Shpresoj që mangësitë e vlerave demokratike të kësaj politike, të mos jenë “kërcënimi nga mbrenda”, për të cilin foli diplomatja amerikane, Victoria Nuland në Qëndrën për Analiza të Politikës Europiane, javën që kaloi në Washington.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Entela Binjaku: Denonconi dhunen kunder gruas


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora