Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Plagët tona: Ç’na mungon? Ç’duhet të kemi?

| E diele, 10.06.2007, 06:22 PM |


Mit’hat Frashëri

Një popull nuk rron dot pa ideal, pa një shtytje, pa një qëllim që e bën të ecë, të punojë, të përpiqet dhe të përparojë.
Njeriu lind natyrisht aktiv: lëvizja dhe tundja i janë të nevojshme; i sëmuri që mbërthehet në shtrat, i burgosuri që dënohet me të mos dalë jashtë odës, bien në mërzitje dhe në melankoli. Burgimi në vete është një nga më të rëndët e mundimeve. Njeriu duhet të ecë, të lodhet, të punojë, të flasë.
Po puna dhe aktiviteti i njeriut si individ, i një njeriu të vetëm, veç e veç, janë të humbur po që njerëzit nuk ditën të bashkojnë punimin dhe aktivitetin e tyre, ta drejtojnë në një qëllim, në një drejtim. Aherë dhjetë njerëz bëhen sa njëqind njerëz, mbase dhe sa një mijë.
Ky qok që dinë të ndjekin njerëzit e një kombi, bëhet ideali i atij kombi, bëhet fuqia e tij morale. Pa një fuqi morale, pa një pikë drejt së cilës duhet të rendin së bashku, njerëzit dhe popujt vdesin, shuhenë.
Vini re popujt e tjerë: Anglezi ka për ideal të rrojë mirë, i lirë dhe të sundojë botën: Ky ideal i jep bashkim dhe forcë, e bën me të vërtetë të zotin, se drejt këtij qëllimi venë fuqitë e njerëzve, e shkrimtarëve, e gazetarëve, e qeverisë, e gjithë politikanëve, e çdo anglezi që nga më i madhi gjer te më i vogli, që nga foshnjë në djep gjer te plaku që jep frymën e fundit, brenda në Ingliterë ose në Pol të Jugut.
Romanët e vjetër patën për ideal të zaptojnë botën, të jenë të zotër dhe urdhëronjës të popujve të tjerë. Kjo forcë e shpirtit, kjo dëshirë, i bëri që të formojnë imperatorinë më të madhe, më të pushtetshme të dheut, se punuan me besim në ylli i tyre, me vullnet, të bindur se fati dhe perënditë e kishin thirrur Romën të bëhet qendra e dheut.
Krishtërimi përparoi me të qetë dhe të butë, duke vuajtur dhe duke dhënë dëshmorë; qe një fuqi e madhe, thjeshtë shpirtore ajo që e bënte njerëzinë të ketë shpresë për jetën e qiellit, të sjellë besin ne predikonjësi i Nazaretit. Vuajtje mbi kryqin, shembëlla e dhënë prej Krishtit në Golgota, qe një fuqi, një ngushëllim për martirët, që vinin gëzimin dhe lavdinë e tyre në të rënë theror për Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë.
Arabët e Profetit Muhammed formuan imperatorinë e çuditshme të tyre, nga India e në Spanjë, shfaqën qytetarinë e lulëzuar, duke pasur besim se Perëndia i kishte fatuar të përhapin fjalën e Kuranit mbi gjithë faqen e tokës. Ky besim u dha fuqi lëndore, u fryjti frymën e madhe për të zaptuar botën dhe për të ngjallur një qytetërim të gjerë.
Turqit nisën si një çetë ushtare; ishin të bindur se islamismi kishte nevojë për krahun dhe shpatën e tyre. Edhe asgjë nuk u qëndroi dot përpara, që nga lumi Vollga e te lumi Tunë, nga stepat e Rusisë e në shkretinë të Saharës, nga mënga e Persisë e në Marok.
Kur humbet ideali, besimi te fati, kur venitet qëllimi dhe zhduket qoku, atëherë trupi bëhet si kufomë, i ka ikur shpirti, rrëzohet si thesi që i është derdhur mielli. Historia na rrëfen një tok shembëlla.
Po le të vimë më afër nesh: Greqia u ngjall nga robëria e Turqisë, pse populli grek besoi me të vërtetë se është stërnip i Elinëve, se kryqi ortodoks do të luftojë me krahun e tyre fuqinë e Muhamedit, se Perëndia i thëriste të ringjallin Bizantin, të bëhen të lirë e fatbardhë. Luftat e grekëve që më 1770 gjer më 1829 janë shembëlla për mësim për forcën që mund t’i japë njeriut ideali, puna plot shpresë dhe vullnet, besimi ne fati i tij.
Bullgarët dolën në dritë kur kujtuan Borisin dhe Shishmanin, kur besuan se Metodi dhe Kirili qenë paranikët e tyre, kur thanë se Bullgaria, Rumelia Orientale dhe Maqedonia duhet të formojnë një shtet të vetëm, të fortë dhe të begatë. Ky ideal i mbajti maqedonët bullgarë që të durojnë zgjedhën e Turqisë, të heshtin nën verigat e grekut dhe të Serbisë, të mos dëshpërohen kur u digjen dhjetë herë shtëpitë dhe fshatrat e tyre. Shpresa te një pritmë e shkëlqyer i bën të therorizojnë jetën dhe lumturinë e sotme…
Serbia u rrit dhe u madhua kur vërtet poetët dhe shkrimtarët e saj i inspiruan se do të ketë i tërë kombi fatin e një pasaniku të lumtur, Dushmanit. Kjo fe i bëri të shohin shesh të lirë përpara syve të tyre, të kenë kurajo përpara çdo reziku, si kalorësi i zoti që i hipën një kali të mirë dhe s’i trembet syri, as nga hendeku, as nga ledhi.
Shpresa mbahet me punë dhe me ideal. Ai që s’ka një qok, s’ka as fuqi, është i sëmurë. Entuziazmi vjen prej dëshirës së fortë, prej dashurisë, prej vullnetit dhe dëshirës. Ajo që na bën që të duam të rrojmë, të gëzojmë jetën. Ajo na bën, prapë që të therorizojmë jetën tonë për ëndrrën dhe qokun.

Cili duhet të jetë ideali ynë?
Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm.
Në qoftë se bindemi që duhet të jemi një faktor qytetërimi në Ballkan, që do ta bëjmë vendin tonë një kënd toke të lulëzuar, të pajuar me gjithë bukuritë morale dhe materiale, se do ta bëjmë kombin që të përmendet me nderim dhe lëvdatë, atëherë, padyshim, do të ecim, do të përparojmë të bashkuar, të fuqizuar, se do të kemi një dritë, drita që na jep dëshira e nderit dhe e madhërisë së përbashkët, dëshira që të zëmë një vend në histori, një vend nderi me një qytetërim tonin, me një literaturë, me një art, me një prosperitet lëndor, tonin. Fuqia e shpirtit, ideali kombtar, do të na japë hov edhe për lumturinë materiale. Mos reusitja personale nuk do të na dëshpërojë më, se do të mendojmë suksesin e përgjithshëm, do të kemi durim dhe metodë në punë, larg dëshpërimit dhe zemërimit.
Ahere, kur të jetë ndezur në zemrën tonë ky zjarr i ngrohtë, do të shohim se bashkimi i dëshirave dhe i fuqive, është një nevojë për ne, se therorësia e egoizmit vetiak është një qejf për ne, se ne të gjithë do të shikohemi si vëllezër e shokë për veprën e përbashkët, për të ngrehur godinën e shëndoshë të madhërisë sonë.

ABC nr.27-Faik Konica, Mit’hat Frashëri
09.03.2006