E enjte, 01.12.2022, 04:20 AM (GMT)

Kulturë

Bedri Tahiri: Atdhetari, shkencëtari e krijuesi...

E marte, 07.10.2014, 07:00 PM


Atdhetari, shkencëtari e krijuesi i palodhur i çështjes kombëtare

Nga Bedri TAHIRI

E nderuara familje Gjocaj, mësuesja Remzije, kolegë e bashkëpunëtorë të Profesor Zenun Gjocajt, që sot jemi tubuar ta përurojmë librin e tij postmortum ”Vështrime letrare”.

Të dashur vushtrrias, kolege e kolegë të profesor Zenunit e të mësueses Remzije!

I respektuari kryetar i komunës, z. Agron Kuçi dhe Ju junikas mikpritës!

Njerëzit e mirë kudo që shkojnë lënë gjurmë pavdekësie. I tillë qe edhe arsimdashësi, veprimtari, studiuesi, zemërmiri e profesori atdhetar, Zenun Gjocaj. I lindur e i mëkuar me këngën e Zanave te Kroi i ftohtë gurgullues i Livadhit të Madh, në Bjeshkët e Junikut e deri lart në Padesh e në Rrasë të Zogut, nuk mund të mos brumosej me vetitë e malësorëve plot besë, burrëri, bujari, mençuri, trimëri e atdhedashuri.

Profesori i “papërshtatshëm”, pas gjithë asaj golgote nëpër kazamatet serbe, ndërroi vendbanimin. Ai erdhi në Vicianën e lashtë, konkretisht në Novolan, tek e fejuara e tij, mësuesja Remzije, me të cilën u martua dhe iu kthye jetës intelektuale. Edhe pse atje pakkush e njihte, puna e tij sizifiane shpejt zbuloi portretin e veprimtarit të palodhur të çështjes kombëtare.

Fill pas kurorëzimit të luftës çlirimtare të UÇK-së, të cilën e përjetoi rëndë, hoqi të zitë e ullirit me babanë plak e të sëmurë e një vëlla, Agimin, ia fali lirisë, nisi punën në QMT “Marin Beçikemi”, në profesionin e shpirtit, që barbaria serbe ia kishte ndërprerë përgjysmë. Krahas edukimit dhe arsimimit të brezit të ri, u angazhua në mbijetesën e shkollës shqipe gjatë kohës që na dëbuan nga objektet tona shkollore dhe iu bashkua Lëvizjes për pajtimin e Gjaqeve, duke dhënë ndihmesë të madhe.  Në zgjedhjet e lira të vitit 2000, në bazë të meritave dhe aftësive profesionale KK e zgjodhi drejtor të Drejtorisë komunale të Arsimit, detyrë që  e kreu me profesionalizëm dhe me ndershmëri të pashoqe.

Mua më ra hise të punoj shumë më Prof. Zenun Gjocajn. Na lidhte profesioni i mësuesisë dhe i krijimtarisë. Prej punëve të Tij të mëdha që i kreu, që kur erdhi në Vushtrri, do i përmendi disa më kryesoret.

E para: Vazhdimësia me sukses e mbajtjes së Takimeve të Poeteshave Shqiptare, tashmë tradicionale, eveniment kulturor që e identifikon  këtë qytet të lashtë.

E dyta: Nisma dhe finalizimi i fazës së parë të ndërtimit të Kompleksit Përkujtimor “Azem e Shotë Galica” në Galicë që nis me formimin e Këshillit nismëtar, më 19. 11. 2003, dhe përfundon më 15 korrik 2004, në 80-vjetorin e Epopesë së Arbërisë së Vogël, kur u organizuan: Simpoziumi në Prishtinë, Tubimi në Galicë dhe Akademia në Vushtrri.

E treta: përpjekja për sjelljen e eshtrave të heroinës Shotë Galica nga Fushë- Kruja dhe rivarrosjen e tyre në Galicë, pranë bashkëshortit dhe bashkëluftëtarit Azem Galica. Ai, hartoi dhjetëra kërkesa e peticione, drejtuar organeve shtetërore të Kosovës e të Shqipërisë.

E katërta: ndihmesën për përgatitjen e librit “Azem Bejtë Galica”, përmbledhje me kumtesat e Simpoziumit kushtuar këtij heroi.

Zenun Gjocaj punoi, gjithashtu, me përkushtim,  në përgatitjen dhe botimin e veprës në disa vëllime “Feniksët e lirisë- Dëshmorët e UÇK-së”.  Përveç të tjerave ai i shkroi edhe biografitë e dhjetëra dëshmorëve, të rrethit të Vushtrrisë, si për: Isak Halilin, Adem Ademin, Ahmet Haxhën, Asllan  Cimilin, Lumni Surdullin, Mehdi Musliun, Safet Ajetin, Shahin Krasniqin, Hamdi Sheremetin, Basri Hysenin, Rrustem Hysenin, Blerim Zuçakun, Shemsi Ahmetin, Mehdi Zabelin, Sahit Avdullin, Shahin Sylën etj.

Duke qenë bashkëpunëtor i tij i ngushtë, pasi ai, papritur, na e la shëndenë, ndjeva obligim shoqëror, kolegial e moral që recensionet e botuara nëpër revista e gazeta të ndryshme t’i përmblidhja në një libër të veçantë (kështu e mendonte për të gjallë edhe autori, Zenun Gjocaj, ndjesë pastë). Kështu, më 5 prill 2013, mora materialin, të cilin e punova me përkushtim dhe e përgatita librin me titull “Vështrime letrare”. Atë e konceptova në dy pjesë jo të barabarta:

1.         Zenun Gjocaj për të tjerët dhe

2.         Të tjerët për Zenun Gjocajn

Pjesa e parë, që është më e gjerë, përmban shkrime të ndryshme kritike, analitike, studimore, eseistike, recensionale, publicistike, vlerësuese e referencuese, të botuara e të publikuara nëpër gazeta e revista shkencore, apo të lexuara nëpër sesione a simpoziume shkencore. Në to trajtohen e vlerësohen vepra e punime nga më të ndryshmet si: monografi, biografi, poezi, tregime, romane, studime gjuhësore e shkencore, shkrime publicistike etj. Autori përdor një metodë krahasimtare e analitike, duke i shkoqitur e zbërthyer gati në mënyrë shteruese, gjë që janë të vlefshme dhe të nevojshme si literaturë për nxënës e për studentë. Ai ka marrë në shqyrtim tridhjetë e dy vepra të gjinive, llojeve dhe zhanreve të ndryshme.

Në pjesën e dytë, që përbëhet nga shtatë punime kushtuar veprave të Zenun Gjocajt.

Libri “Vështrime letrare” përmbyllet me shtojcën Përkujtime, në të cilën janë përfshirë ca momente përkujtuese për autorin nga kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij.

Dorëshkrimi priti disa javë e muaj. Dhe, një ditë, në përkujtimin e 1-vjetorit të pavdekësisë se Prof. dr. Zenun Gjocajt, më 15 shkurt 2014, organizuar nga Kosova e Lirë, në Bibliotekën Kombëtare, i buzëqeshi fati. Kryetari i Junikut, z. Agron Kuçi, mori përsipër botimin e librit. Dhe, ja sot, librin e kemi përpara, andaj, edhe njëherë e falënderojmë kryetarin për këtë punë me vlera kombëtare, sepse, kështu mund të themi se kemi larë  një borxh ndaj kolegut, profesorit e atdhetarit Zenun Gjocaj. Një falënderim i takon edhe Radios Kosova e Lirë e drejtorit të saj, z. Ahmet Qeriqi, që ndihmoi realizimin e këtij Projekti.

Lavdi për jetë e mot njeriut që përherë do të shëmbëllej për brezat e ardhmërisë!



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora