Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Saro: Një “lutje” për institucionet shqiptare

| E marte, 07.10.2014, 08:16 PM |


Një “lutje” për institucionet shqiptare

(Me një nëntitull që vetiu shndërrohet në pyetje: Vetëgjyqësi apo demokraci?)

Nga Vangjush Saro

Është bërë e zakonshme; sapo ndodh ndonjë ngjarje e rëndësishme, njerëzit vihen sakaq në garë me njëri-tjetrin në lidhje me qëndrimet që duhen mbajtur, madje shpesh duke bërë edhe median, edhe gjyqtarin, edhe prokurorin; e kështu më tej. Ka një përfshirje të të gjithëve në të gjitha episodet që shoqërojnë jetën e vendit, për mirë a për keq. Nga njëra anë, kjo përfshirje dhe ky demonstrim etjeje për të shenjuar fajin, fajtorin dhe dënimin, është një trashëgim i kohëve të shkuara, kur ndëshkimi i njerëzve ishte një akt shumë i bujshëm, çka i shkonte për mbarë shtetit të asaj kohe, sepse në këtë mënyrë njerëzit rrinin sus. Nga ana tjetër, ngjarjet e rënda dhe me përmasa të frikshme (zhdukja e floririt, Gërdeci, 21 janari, vjedhja e Bankës së Shtetit, etj.) kanë qenë kaq flagrante dhe të shpeshta, saqë kanë krijuar te opinioni publik ndjenjën e asgjësë, të njëlloj fatalizmi, që ky vend nuk bëhet, që nuk ka drejtësi, nuk praktikohen ndëshkime, jemi Kalaja e Rozafës, etj.

Duke i dhënë deri diku të drejtë opinionit publik dhe gjithë qytetarëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit - sepse e vërteta është që e keqja ka zënë skorje - na duhet të gjejmë tragën e duhur për dy terma të rëndësishëm: vetëgjyqësia dhe demokracia. Pra, se çfarë duhet bërë me protagonistë të këtyre dukurive, shkelës të ligjit dhe të shpresave, këtë nuk e përcakton publiku i gjerë dhe as disa përfaqësues të tij në rrjete sociale e portale apo edhe në media të shtypura ose audiovizive, madje as kjo e fundit vetë. Më e shumta, media duhet të investigojë, gjë që rëndom nuk e bën, përkundrazi iu jepet thashethemeve dhe operon me fjalë të të tjerëve, më shpesh me deklarata shtypi. Mund ta përmbyllim këtë detaj, duke thënë se ata që zumë goje më lart, nuk janë assesi aktorët që mund të çojnë dikë prapa hekurave. Madje as edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, si edhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, nuk e kanë tagrin për të dërguar në burg shkelësit e ligjit e të limiteve. Ato verifikojnë dokumente e dukuri, realizojnë kallzime penale, por janë organet e drejtësisë ato që vendosin për fatin a ndëshkimin e shkelësve të ligjeve dhe limiteve.

Por ka edhe një arsye tjetër pse njerëzit (me fjalë) janë kaq aktivë dhe të interesuar për dënime e fajësime, përndryshe për vetëgjyqësi. Duke iu referuar termit tjetër, demokraci, duhet thënë se kjo e fundit ndërtohet mbi parime dhe realizohet përmes institucionesh. Këto të fundit, edhe pse në dukje e me të shkruar janë (duhet të jenë) të pavaruara, shpesh gjenden nën kontrollin e politikës e të politikanëve, të qeverive a instancave të tjera të shtetit; kështu, vendimet e tyre, jo rrallë herë të gabuara, të vonuara, të kontestuara nga komunitete të ndryshme, kanë ngritur tashmë malin e mosbesimeve dhe të dyshimit mbarëpopullor te vetë demokracia. (Le ta marrë lexuesi si t’i duket më mbarë: meqë po flitet shumë për vizitën e Papës, ndoshta një “lutje” për institucionet shqiptare nuk do të ishte e pagjetur.)

Sipas disa sondazheve në vite, besueshmëria e publikut te një sërë institucione, ka treguar shumë pak; për të mos thënë që në skandale të veçanta, ai besim ka rënë copë-copë, në mos është ringritur si perde vodevili. Por ndërkaq, asnjëherë zgjidhja nuk është vetëgjyqësia. Për fat të keq, në të gjitha fushat e jetës pothuaj, kjo e fundit ka marrë në dorë shtjellimin e pikëpyetjeve që kanë qytetarët shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve administrativë të vendit. Vendime e gjykime vetiake apo klanore, përherë arbitrare, kanë shoqëruar tranzicionin e zgjatur të Shqipërisë, si ndoshta askush nuk e kishte parashikuar. Nga episodet më intime e familjare, te ato të jetës shpirtërore dhe kulturore e më tej, deri e sidomos në çështje të historisë dhe politikës, vetëgjyqësia është bërë një alternativë e papranueshme. Nuk ka fatkeqësi më të madhe për një vend sesa kur vetëgjyqësia zëvendëson institucionet. Ndoshta sistemi është në krizë, sadoqë kriza jonë është edhe më e rëndë; shumë plagë i shkaktojmë me duart tona, që do të thotë përmes luftës së klaneve e për interesa ku shumica e publikut s’ka pjesë.

Duket se dora dorës kemi mbërritur në një argument deri diku përmbyllës, kur vjen fjala për shëndoshjen e institucioneve dhe të vetë shtetit. Por ja që sërish na duket vetëm pjesërisht e vërtetë, edhe pse në kufijtë e optimizmit që ne kërkojmë; që fundja edhe na mungon. Përmirësimi i institucioneve nuk bëhet me “Deus eks makina”. Që ato të rriten dhe të mëvetësohen realisht, kjo duket si një lojë me kungulleshka. Nëse drejtuesit kryesorë të PD-së kanë interpretuar në performimin e një sërë institucioneve, më e pakta ai i Presidentit të vendit, por edhe disa gjykata, prokurori, etj., këto instanca, të cilave shpesh iu tunden dosjet dhe favoret përpara syve, janë pothuaj të kapura. Nëse Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave apo edhe institucione të tjera, të ndryshuara pas zgjedhjeve të qershorit, janë njëlloj pëlqimi i PS-së, pamja e hutimit dhe e mosveprimit është po ajo. Të mos themi pastaj që në shumë raste klanet interpretojnë në mënyrë të përbashkët, edhe pse nën dhe e fshehtazi.

Pas kësaj, i bie që të kërkojmë jo thjesht një parrullë rilindjeje, që të jetë e një partie, e një grupimi dhe që të përmbushë disa interesa të premtuara, por njëlloj qytetërimi të të gjithëve, me të mirë dhe me ligj, sidomos me ligj. Le t’i tregohet pra, ligji: gjyqtarit që s’e përfill atë; politikanit që loz me kungulleshka; inspektorit që ka frikë partinë. Kaq aq shumë zyra e instanca të ngritura sipas shembullit të disa vendeve evropiane, saqë për askënd nuk mund të themi se është i përjashtuar nga kontrolli dhe vështrimet e zgjedhësve - shumë herë të zhgënjyer - ndërkohë që vitet e tranzicionit po mbushin një çerek shekulli; dhe kjo gjë, është zhgënjimi më i madh. Ndërkaq, nuk është as turp dhe as herezi të thuhet se ne vetë e kemi besuar dhe propaganduar këtë sistem si njëlloj përkryerjeje, duke mos pritur të mësojmë dy gjëra të rëndësishme: defektet e tij dhe pastaj tonat, si qytetarë të një vendi që vjen nga një prapambetje e thellë dhe prej së cilës nuk po del dot ende.

20/09/2014