E enjte, 25.04.2024, 05:53 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Ëndërrimet universale të një poeti

E marte, 07.10.2014, 07:32 PM


ËNDËRRIMET UNIVERSALE TË NJË POETI KOSOVAR

NGA BAKI YMERI

Kur ëndërron, njeriu shndërrohet në hyjni. Kur mendon, transformohet në lëmoshtar. Kështu theksonte Friedrich Holderin në kohën e tij. Në vargjet e Qerim Zogajt, ëndrra shndërrohet në një thesar të fshehur meditimesh interesante: “Në ëndërr më erdhi/ Sërish letër e kaltër/ Katrorët e zinj në të kaltër/ Vinin si zjarr shfarues./.../ Duart e mia në lum/ Mbështetur  për muri,/ Etjen e diellit pija dhe/ E  kuptova shqip–toka ime/ Se vija  prej zërit tënd/.../ Ëndrra ime e trazuar.” Jetojmë në një botë ku distanca mes ëndrrës dhe realitetit zvoglohet me një shpejtësi të mahnitshme: “Gdhendur në flakë/ Emrin e saj të copëtuar/ E nxjerrin ëndrrat.” Ëndrra e atyre që e kalisin lumturinë për njerëz, është një instrument efikas, njësoj si njohja. Të ëndërrosh, don të thotë të ekzistosh. Sipas një mendimtari të huaj, po qe se i merret njeriut kapaciteti për ëndërrim, do të degdisej një nga forcat më të fuqishme që impulsionojnë kulturën, artin dhe shkencën. Poeti shkruan për kryqëzim qepallash, për bekimin nostalgjik, për lëvizje ironike, për lumenj të harlisur. (Kalitja).

Mendime të shëndetshme, ide të pjekura, metafora të qëlluara. Autori është avokat vjen nga Lladroci i Malishevës. Në Uviversitetin e Prishtinës kreu Fakultetin Juridik, duke vijuar edhe studimet pasdiplomike, drejtimi Kushtetues-administrativ. Gjatë studimeve ka qenë i angazhuar në aktivtetet studentore dhe ka ushtruar detyra të rëndësishme, mirëpo, duke qenë përkrahës i veprimtarive djathtiste të rinisë, etiketohet si “ekstremist” dhe shpallet i padëshiruar për politikën e ditës. Vëllimi i tij i parë (Erërat e natës së largët), e pa dritën o botimit gjatë këtij viti në Prizren (2014). Në kuadrin e parathënies, Skënder Zogaj thekson: “Poezia është pasion shpirtëror spontan (i lindur) apo i kushtëzuar (i nxitur) nga kushtet dhe rrethanat e veçanta të cilat pikasin në jetën e njeriut dhe që e shtyjnë qenien emocionale për të reaguar e për të shfaqur ndjenjat e saja, dhe, kjo shfaqje është krijimtari artistike, sepse artikulohet si “prodhim” shpirtëror dhe quhet art.” Dhe, vazhdon parathënësi: “Meqë është kështu, atëherë, çdo përpjekje krijuese është veprim i shenjtë, siç edhe më të drejtë konsiderohet krijimtaria artistike.”

Qerim Zogaj posedon një imagjinatë të bujshme. Sipas tij, “Duhet të kalohet nata,/ Të kalohet dielli,/ Të kalohet hëna,/ Të kalohet hapësira.// Në udhëtim/ Harresa kishte rënduar/ Kujtesën…// Cila është rruga/ Që duhet të kalohet/ Deri te ti? (Udha e panjohur). Po kthehemi pësëri te ëndrrat si një instrument psikologjik që ndërlidhet me njohjen, respektivisht me kujtesën: “Më bëhet së s’të kam njohur fare/ Ngadalë të gjitha i harroj/ Edhe shirat dhe ëndrrat/ Që prapa më vijnë me kujtimet për ty. (Ka ditë). Ka ditë që poeti kërkon kuptimin e jetës, kur bënte kohë e mirë, kur qyteti i vjetër, i duket i huaj dhe i largët. Ëndrrat dhe frymëzimet vijnë vetëvetiu, herë pas here, e jo siç porosit filozofi rus, Prishvim: “Duhet të ëndërrojmë sa më shumë, të ëndërrojmë sa më intenzivisht, për ta shndërruar ardhmërinë në tanishmëri.” Autori degdis nëpër gjurmë hijesh, mediton për bëlbëzime fëmijësh dhe rikthimin e purpurtë që vjen nga largësia, “Që ëndrrat e syrit tënd të kaltër/ Të bëhen puhi ajrore.”

Libri i zt. Zogaj me 80 njësi poetike, strukturohet në gjashtë kapituj: Udha e panjohur, Ajo që vdes nuk është dashuri, Stina e frymës së trëndafiltë, Asgjë më i vërtetë se dyshimi, Shtëpia e fëmijërisë dhe Përkushtimet. Vetë titujt e kapitujve dëshmojnë se kemi të bëjmë me një lirikë të mirëfilltë inspirimesh adekuate. Kritika letrare thekson se autori “reflekton botën e tij poetike, emocionet dhe ndjenjat e qasjes së përkushtuar krijuese, ndaj fenomeneve dhe ngjarjeve jetësore të realitetit shqiptar të Kosovës, brenda harkut kohor prej 4 dekadash.” Dhe më tej: “Si e këtillë kjo vepër është njëfarë “ditari poetik” i autorit, i cili artistikisht skicon autoportretin brenda botës që e rrethon, duke rrëfyer ngjarje e fenomene, zhvillime e përjetime dhe sidomos duke qenë këmbëngulës i zbërthimit të enigmës jetësore të ecjes në drejtimin e duhur.” (S. Zogaj). Ja edhe një spektër vizionesh të reja lirike ku del në pah imagjinata: “Të premten udhëtove/ Pas perëndimit të diellit.// Re të copëtuara binin/ Nëpër gishtërinjtë e akullt/ Mesnata më zuri në qytet.” (Të premten). Duke i realizuar ëndërrimet më fisnike, njerëzimi ka mundësi të shkojë më tej. Autori mediton për depërtim në gjysmë dritë errësire, për gotën e zbrazur, kur ikte heshtja, ikte dhe ikte. Imagjinata përsëri del në pah, duke na njohur me “Udhë të panjohura para e pas/ Kudo çmenduri/ Nëpër fije kujtimesh tretet shikimi.” Dhe më tej: “Erërat e natës së largët/ Sjellin aromë shkretëtire,/ Buzëqeshja thërret agimin/ Në shiun me diell/… pres ardhjen tënde.” (Të premten).

Asgjë nuk është e mundur pa vullnet, pa sakrifica dhe pa punë. Këmbëngulja është forcë që bazohet mbi unitetin ndërmjet vullnetit dhe arësyes. Njeriu ka nevojë për formimin e karakterit, për të edukuar vullnetin. “Njeriu pa vullnet është një lojë në duart e çdokujt.” (Krupskaja). Mund të krijohet karakteri, vullneti dhe arësyeja pa fjalë? Assesi! Si e justifikon Qerim Zogaj këtë? “Fjala ime e pa thënë/ Në kujtesë stinë.// Fjala ime dritë errësire/ Në heshtje guri./ Fjala ime forma gjeometrike/ E njësive të kuptimeve pa fund./ / Fillim e fund/ Në fjalën time/ Vetvetja ime.” (Fjala ime). Pasojnë poema tjera ku defilojnë valë e dallgë dhe detra; puhi e zjarr dhe diell; ëndrra, dhembje e dashuri: “Nuk ka më mirë,/ Të jesh, ëndërr, dhembje,/ dashuri.” (Variacione). Dhe vijnë kujtimet me vuajtjen e pafund në dimrin e gjatë, harta e coptuar dhe kockat e shpuara “nga fjalët dhe erërat”, harresa e shpresa dhe heshtja, “Kur të gjitha do ikin një ditë/ Si një ëndërr/ Iluzioni do rrënohet deri në fund,/ Do mbetët vetëm kujtimi.” (Hapësirë në shikim e në fjalë).

Dashuria është porsi lufta. Ajo fillon me një deklaratë, apo me një poezi, ku kris “lufta” e ndjenjave. Dy ciklet e fundit, sipas vlerësimeve kritike, kanë të bëjnë me Kosovën e çliruar që feston pas shekujsh robërie, me një varg poemash ku përkujtohen me dashuri figurat e kombit, por ku, “krahas dhembjes personale, poeti shpreh dhembjen artistike për fenomenin e vdekjes, si kategori filozofike, duke pikasur simbolikën e dhembjes atdhetare për dëshmorin e kombit, për artistin e kombit dhe për personin e familjes.” Përfundimisht mund të themi se autori është i mirëseardhur dhe mirëpritur në spektrin magjik të letërsisë shqipe.



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora