E premte, 29.03.2024, 05:20 AM (GMT)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Ndjekësit e enigmave

E diele, 05.10.2014, 08:20 AM


ADEM ZAPLLUZHA

NDJEKËSIT E ENIGMAVE

Redaktor: Arsim Halili

Recensent: Mazllum Baraliu

Lektor: Arsim Halili

Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu”

Kastriot, 2014

 

Arsim Halili

PARATHËNIE

Hyrje

Në itinerarin krijues poeti  Adem Zaplluzha, pa dyshim  se tani më ka një formulë, për të cilën gjë mund të themi se   është me një polivalencë ndjenjash  krijuese. Ai niset në cakun  e duhur, jo për të kërkuar të pagjeturën, sepse tani më e ka të gjetur atë që është enigmë. Me ngulm kërkon ta modifikoj, si të  qenë, kur diç është abstrakte në kozmogininë e ideve të tij. Por tani mund të shtrohet edhe pyetja :

-          Kush është në kërkim të enigmës?

Poeti apo dikush tjetër. Sigurisht  se poeti Adem Zaplluzha , nuk është më në ankth për asnjë gjë tjetër, poeti në trajektoren e tij krijues riaktualizon dhe modifikon motivet , për të cilat edhe ai vet në këtë kapërcyell të moshës së tij  i ka nuancuar  me gjuhën poetike aq shumë lirika, ku secila veç e veç  thotë diçka, porsi tërësi thonë një gjë, se ai shpreh rebelim poetik  ku sinjifikatiteti i gjithë asaj që shkruan është gjuha e argumentit, gjegjësisht letrarizimi  përballë të përditshmes dhe të përhershmes, të imagjinatës dhe realitetit, të individuales dhe universales. Nga një kënd në tjetrin, ndjek me kujdes ligjërimin poetik, jo patetik dhe të absorvuar, por gjithnjë në konsistencë me të sotmen dhe të arsyeshmen. Lexuesit i ofron vargun në variacionin e  tij  shprehimisht të kapshëm me nuanca  figurative stilistike, gjithsesi këto lirika tek libri “ Ndjekësit e enigmave” i transponon me kulturë shprehëse  krijuese.

Rebelimi dhe racionalizmi i vargut

Kur e lexon librin “ Ndjekësit e enigmave”,  në një moment do të ndalesh dhe të pyesësh vetën, po në cilën situatë momentale është poeti. Komunikimi i natyrshëm por edhe divergjent mes hapësirës kohore dhe hapësinore e  që me ndjeshmëri e shfaq  me diskurs faktik, porse mund    të themi  paksa emocional, më së miri këtë e ndeshim tek poezia e  tij

Fq5  Ku interkomunikimi është dy vetor  në poezinë “ Ti qëndrove stoikisht”

“ Unë tani jam i moshuar

Thinjat po rëndohen si shirat

Mbi kokën time

Ti ende ke mbetur  lulebora

E paprekur deri në skajshmëri”

Natyrshëm dashuria mbetet prore e freskët, qoftë ndonjëherë edhe në ikje. Poeti  shihet se është mjaft dinamik dhe evoluese, ai drejton gishtin kah tjetri, jo për të marrë atë që nuk është e nevojshme, por që në parantezë e lidhë edhe dashurinë edhe marrëdhënien ndër shoqërore dhe kjo natyrisht është edhe dhënie edhe marrje, ndaj duke  qenë peng i fjalës së dhënë. Këtë distribuim e shpërfaq përmes poezive “ Ishte kohë e fjalëve”,“ Fol “.

“Me qindra herë

Deshëm të jemi vetvetja jonë

Dhe askurrë nuk u bëmë hije” …

 

Poetin Zaplluzha, në ekuilibrin kohor, sikur e tërheq partitura të diagonaleve të cilat shpërfaqen disi me sklerozë  të së djeshmes që deshëm ose  jo është një barometër  identitar të traditës nëpër kohë, dhe droja e poetit është e arsyeshme, sepse ai me ngulm kërkon të jemi vetvetja e jo imtues diçka të  huaj. Më së mirë poeti këtë e thotë përmes fjalës poetike tek poezia fq 21 “ Ishte dita”.Deri sa lexojmë  përmbledhjen poetike “Ndjekësit e enigmave “, vërejmë se poeti etablon narracionin e tij poetik, edhe për nga aspekti fabulativ  si p.sh tek poezia “ Mushkonjat “ose edhe tek poezia “ Te kambanorja” . e të ndonjë tjetër, gjithnjë duke qenë atakues me realitetin disproporcional me shpirtin poetik të tij dhe meditimin pozitiv kundruall kërkesës së një jete më ndryshe në bio-ritmet, jo vetëm në margjinat individuale por  universale. Siç edhe cekëm më lart poeti  duke qenë  i vetëdijshëm  se liria qiellore me atë tokësore  kanë disonanca, jo vetëm konfigurative, shprehimisht poeti implikon në fjalorin e tij poetik  figura  stilistike  të cilat i metaforizon  në kontest    metrik të vargut, por edhe artistik e estetik. Ajo çka më bie në sy  poeti ndjesinë e tij poetik përdorë variabla psikologjik, që qartëson rebelimin e tij ideo-emocional, por gjithnjë në kontest të racionalizmit  të asaj që për poetin  ka  ndonjëherë  edhe anën diskutabile me realitetin e krijuar.

Në vend të përfundimit

Nga gjithë ajo që mund të lexohet në përmbledhjen poetike “ Ndjekësit e  enigmave” shihet se është e ndërtuar  në bazë  të një parimi të ndërgjegjësimit, për të gjetur të pagjeturën, ose për të profilizuar shikimin ka një e vërtet ndryshe , që deshëm ose jo shpesh herë di të jetë lojale me jetën tone. Andaj poeti me shpirtin e tij rebelues, është edhe emocional sepse para së gjithash ai çmon dashurinë ndaj tjetrit , lirinë e të menduarit ndaj tjetrit, pa i cenuar  asgjë më shumë dhe më pak se ajo që është e  imja, e tij, ose e saj, kjo mbase edhe e racionalizon edhe vargun edhe mendimin e tij në vargun  e tij plotë elasticitet artistik.

Preshevë, 29 tetor 2013

Ecnin edhe yjet pas saj

Cikli i  parë

 

TI QËNDROVE STOIKISHT

 

Të kujtohet

Sa herë që kemi biseduar për dashurinë

Binte një shi imcakë

Te mjegullat e dendura

Një meteor e kishte humbur rrugën

 

Unë tani jam i moshuar

Thinjat po rëndohen si shirat

Mbi kokën time

Ti ende ke mbetur si lulebora

E paprekur

Deri në pa skajshmëri

 

Kjo jetë sa e rënd po aq edhe lumtur

Vrapon si dreni nëpër korie

Ti lule shiu në kujtesë

Asnjëherë

Nuk abdikove në fronin e dashurisë

 

Çmendurisht dashurove jetën

Të kujtohet fare mirë

Kur e mbollëm plepin e parë

Ishte një ditë

Që vetëm ashtu mund ta krijoj hyji

Ditë me shi të bollshëm

Në flokët e dendura të çasteve hyjnore

 

DEGËT U BËN SHPIRTRA PEMËSH

 

Ishte një rrugë e gjatë

Brenda nesh

Rritej një lloj bari mijë fletësh

Me të cilin

I shëronim zogjtë e plagosur

 

Atë ditë

Filluam prej një asgjëje

Që në fillim e mbollëm fjalën

Degët u bën shpirtra pemësh

Dhe lëshuan rrënjë

Në dunat prej ere

 

Patëm edhe vite të humbura

Prej përrallave

Dolën disa enigma

Dhe filluan të lëshojnë lastarë

Në shpirtin

E një peme të shenjtë

 

Dikur kah mbrëmja

Gjethet ranë për toke

Si brishtësia e viteve të mia

Ti qëndrove stoikisht

Asnjë furtunë nuk t’i shkuli rrënjët

 

ISHTE KOHA E FJALËVE


Me qindra herë

Deshëm të jemi vetvetja e jonë

Dhe askurrë nuk u bëmë hije

Një gur i rënd i fatit

Qëndronte mbi kokën e vrarë të gurit

 

Ishte koha e fjalëve

Kur u krijuan ato ne ishim

Diku në fund të vetvetes sonë

Kur dolëm në rrah
Më nuk binte shi në përrallat e fëmijërisë

 

Ecëm si somnambul

Kishte edhe ditë më të këqija

Kur nuk binte pikë shiu

Në dhembjen tonë

Si t’i shërojmë plagët

Kur ato

Akoma pikojnë trishtim

 

FOL

 

Mos rri ashtu e heshtur

Fol

Trego diçka

Për prejardhjen e pemës

Këto degë që çelin dashuri

Rrënjët i kanë diku në hapësirë

 

Ti hyre në mua

Si një mysafir i paftuar

Të kujtohet

Me ardhjen tënde erdhën edhe fjalët

Deri atë ditë

Unë i përngjaja arkivolit

 

Fol

Mos rri ashtu e heshtur

Më thuaj një fjalë

Që shëron dhembjen e gurit

 

2.

 

Më thuaj diçka

Që s’kam dëgjuar deri më sot

Pema e jote po lulëzon

Disa lloje të tjera pemësh

Ky shartim me barin

Po i ngacmon fluturimet bletëve

 

Mos heshtë

Më thuaj diçka të mençur

Të mos i përngjaj arkivolit

Prej shimshiri

fol të lutem mos heshtë

 

NJË TRËNDAFIL I ZI


Një milingonë e kuqe

Si një kafshë e madhe parahistorike

Rendte kalldrëmit tërmal

Rendnin si të çmendur

Edhe rreshtat e arkivoleve

 

Ky procesion i gjatë prej druri

Po i përngjan bishtit të një gjarpri

Dita e plagosur me nëntë plagë

Zvarritet udhëve të liga

Si zvarranikët e sëmurë ngjashëm buajve

Rrëshqasin njerëzit kalldrëmeve

 

Një trëndafil i zi

kush e di se nga kush

Kishte huazuar

Një ngjyrë tjetër alternative

Dhe shkërmoqej së qeshuri

Me gjethet që kalbeshin nëpër degë

 

Rrënjët mbetën pa metafora

Mbi qepenat e dyqaneve

Flinin zogjtë endacak

 

Një nënë sa e madhe

Po aq edhe moshuar

Këndonte një ninullë të lashtë

E cila për herë të parë

Dëgjohej në qytetin tonë

 

Prishtinë,04 korrik 2013

 

FURTUNA MBI NJË ARKIVOL

 

Për një gotë ujë

Përpëlitem nëpër ninullat e fëmijërisë

Një zog i vetmuar

Deri në ashtë ndjen dhembjen time

 

Nata këndon si qyqja

Nëpër shpirtin e degëve të braktisura

kalojnë kolonat e milingonave

 

Gjethet marrin frymë si të ishin të sëmura

Prej degëve të shkërmoqura

Pikojnë trishtimet e një nate

Kurse shiu si i çmendur troket

Në xhamat e gurit të dërmuar

 

Karvani nuk kishte të ndalur

Depërtoi deri te frymëmarrja e rrapit

Furtuna mbi një arkivol

Për herë të parë qante me ngashërim

Nën degët e lënduara të kujtesës

Ka kohë

Që digjet njomësia e barit

 

Mos iu afro vetmisë

Ky stol sot po qanë si një foshnje

Ikën njerëzit nga qyteti im

S’paska mbetur më askush këtu

Vetëm një grua e moshuar

I mëkon dhembjet e strallit

 

KUJTOVE SE IKJA E KUJTESËS

 

Mbase ece si pa kokë

Deri te ëndrra jote pagane

Në fund të rrugës

Befas doli një tjetër fund pa shije

 

Ngjyra e portokalltë e diellit

Ethshëm pi ujë

Në lotin e kristaltë të vesës

Një diell i ri sot po lind në qiell

 

Kujtove se ikja e kujtesës

Ishte vetëm një rastësi

Në rrathët e mjegullave

Asnjëherë nuk i pamë shirat

 

Kur erdhe t’i mëkoje kujtimet

Ti ishe diku shumë larg

Jetoje përtej rrugës së ylbereve

Dhe kurrë më nuk u ktheve

Në përrallën e gjelbërimit të vesës

 

Unë mbeta mes dy zjarreve

Dy fate prej kashte më ndiqnin

Deri te etja ime pagane

Dhe atë ditë erdhën zogjtë pretarë

M’i morën ëndërrt e ninullave

 

KUR ZBRITËN FLUTURAT

 

Ecëm deri në fund të rrugës

Asnjë flutur nuk fluturonte çative

Kur u pamë me rinjohjen

Nga komçat e këmishës së grisur

I këputëm të gjitha nyjat

E penjve të mëndafshit

 

Një krimb

Si një kafshë gjigande

Galoponte nëpër kujtesën e manit

Asnjë udhëtarë i vonuar

Nuk erdhi mbrëmë te hani

Ku çatitë këndonin një baladë të lashtë

 

Kur zbritën fluturat nga majat e lisave

Një diell i ri për herë të parë lindi

Prej ngjyrave të ylberit

Atë çast mbi gjelbërimin e paanë

Prej vesës së mëngjesit

Binte një shi i kristaltë

 

Një hije mbase ishte e padukshme

Por ne nuk pamë

Se si ajo rrëshqite nëpër mistikën e erës

Gjethet mishngrënës u shndërruan

Në disa lloje të kafshëve parahistorike

 

MË PRITNI

 

Brenda nesh si ajo fije kashte

E lindur nga legjenda

Lindin metaforat e shirave

Një dunë prej fjalëve

Herë zhduket

E herë çelë si lulja nga trishtimi

 

Ne do të vijmë një ditë

Do zbresim si shirat nga yjet

Ndoshta do i përngjajmë meteorëve

Ose fluturave të bardha

Por domosdo

Duhet të zbresim si jashtëtokësorët

 

kur të takohemi

Mos mendoni se asnjëherë

Nuk isha në mesin e juaj

Unë jam njëri prej jush

Që ecën me hapa të sigurta

Deri te portat e ringjalljes

 

Më pritni

Një ditë do paraqitem

Si një vegim i harruar

Kurse ditën tjetër

Ndoshta do i përngjaj gjelbërimit


KUR NJERËZIT I ÇELËN SYTË

 

Si vezët e ngjyrosura të pashkëve

Dola nga mistika

Një kambanë e harruar

Që s’i dihet as koha

Qante te murishtat e kambanores

 

Më duket se ishte një golgotë e madhe

Asnjë flutur e manave të kuqe

Nuk kishte çelur larvë

Mëngjesi atë ditë

Dëneste te një kryq i harruar

 

Pak më vonë një njeri i dehur

Mbase ishte endacak

Në lëndinën e lotëve i lante mëkatet

Dhe një kohë të gjatë

Bisedoi me një kryq prej gjaku

 

Më duket se ishte hera e parë
Kur njerëzit i çelën sytë

Mbase edhe u zgjuan nga letargjia

Dhe kurrë më

Nuk i zuri gjumi shpirtrat e lisave

 
KY BALSAM SHËRUES
 

Kjo siluetë e gjelbër

Që ecën nëpër lotin tim

Me sandale të kuqe

Sa shumë po i përngjan gjakut të erës

Sa që si fryma e mirë

Zhytet thellësive

 

Dje ishte një tjetër ditë

Nuk i përngjante ditës së sotme

Qeshte edhe deti i dehur te një varkë

E fundosur në shpirtin e peshkut

Një lloj vere të kuqe

Shtrydhte rrënja e barit

 

Ishte koha e një kohe kur lindën fjalët

Nga mollëzat e lisave pikonte rrëshira

Ky balsam shërues

Ose mbiu nga mjegullat

Ose nga shpirti i dehur i një meteor

Një kohë të gjatë

Po i shtrydh trishtimet e gurëve

 

ECNIN EDHE YJET PAS SAJ
 
Mbrëmë një errësirë e trishtë
Ecte trotuareve të katandisura
Prej xhamave të thyera
Ecte edhe mëkati me hapa somnambuli
Njërën këpucë e mbante në dorë
Kurse tjetrën në këmbën e djathtë
 
Ecnin edhe yjet si vargan milingonash
Një zog i verbër fluturonte prej një dege
Në tjetrën degë
Të lëshuar deri në tokë
Asnjë njeri s’dukej në horizont
Vetëm një qiri i kyçi të gjitha dritat e yjeve
 
Hëna mbi një varkë prej letre
I përngjante sfinksit të karbonizuar
Nëpër shpirtrat e mjegullave prej merimange
Me ngashërim dëneste kujtesa e një kafkulli
Dëneste si një kalama i trishtuar duna e rërës
 
Kur me zogjtë e ikur dolëm në rrah
Një freski gjethesh të njoma
Filloi të derdhet fushave të paanë
Lejlekët erdhën dikur vonë
Vjeshta veç kishte veshur
Pallton e gjatë të një trishtimi
 
UNË DHE TI JEMI AI
 
Unë vij deri te ti
Ti ikën si një zvarranik
Mbase atij tjetri
I mbetet vetëm kujtim
 
Sa herë që takohemi te delta
Një gotë ujë derdhet në misterin e honit
Unë vij
Ti ndoshta as që je nisur
Kjo rrugë e gjatë kurrsesi nuk përfundon
 
Unë dhe ti jemi ai
Që shkon deri te arkivoli
Hija kthehet në vetvete
Dhe tërë kohën mediton
Për një sekret
Që asnjëherë nuk ka ekzistua
 
Unë vij
Ti vjen ose ai shkon deri në Ferr
kështu në këtë gjendje
Të pakontrolluar
Nën urat e qytetit të zambakëve
Rrjedh e kaluara
Dhe e ardhmja e lëngët
 
ISHTE DITA
 
Sot nuk po më pëlqen
Trajtë e erës së mykur
Dje ishte një ditë
Pakëz më ndryshe se kjo
Ishte dita
Që nuk i përngjante asgjëje
 
Nga Bjeshkët e Nemuna
Dëgjohej zëri i një lahute
Ndoshta era këndonte një psalm të vjetër
Ishte koha e rapsodive
Për herë të parë kënduan vashat e malit
 
Sot sërish pa kurrfarë trajte
Po më duken duart e rrudhosura të lisave
Një baladë e vjetër prej gjetheve
I kishte humbur ëndrrat e rrënjëve
Që çelnin do zogj shpresash
 
Kur i humba fjalët në mua mbetën
Dhëmballët dhe gjuha e trashë e fjalës
Disa palë opinga mbaruan atë ditë
Mjeshtrit e sandaleve të kuqe
Dhe kurrë më nuk eca zbathur
Prishtinë, 05 korrik 2013
 
FLINIM SI KUAJT E LUFTËS
 
Po që se na del kllapia
Si mund të mos mendojmë  më esëll
Për ngjyrat e etjes
 
Pasi që u larguan shirat
Ne hymë në një tjetër kohë
Në kohën
Kur zgjoheshim
Si zogjtë e ikur nga mendja
 
Prej të gjitha atyre telasheve
Të uljes
Dhe të zbritjes së temperaturave
Kllapia si një alternativë e dytë
Rrinte ulur
Në stolin e fëmijërisë
Dhe na përqeshte
Derisa e ndjenin dhimbjen në asht
 
Ne asnjëherë nuk u përmirësuam
Ecëm prej një gabimi
Në tjetrin
 
Flinim si kuajt e luftës
Duke i kafshuar mëgojëzat
Pimë ujë te mjegullat e turbullta
Dhe askurrë nuk patëm kohë
Të mendojmë pak më ndryshe
 
TI I PËRNGJAN PEMËS
 
Ti zbret deri te vorbullat e përgjumur
Të rrënjëve
Kur të del përpara makthi
Nata i përngjan armikut
Si portat e urrejtjes
Hapen sytë
 
Hapet edhe ndërgjegjja
Asnjë deriçkë më nuk rri e mbyllur
Vetëm qepallat shndërrohen
Në pluhur plumbi
Ti i përngjan pemës
E cila i ka humbur
Të gjitha gjethet e njoma
 
TE FUNDI I BETEJËS
 
Mes ngjyrave të dritës
Një interval zmadhues rri te honi
Rri dhe përgjon sterrën
E cila i përngjan ushejzës
 
Dikush nga një thellësi e padukshme
I zgjatë duart
Bleta krahë thyer fluturon
Përtej dritës
Deri te syri i verbër
 
Kudo errësirë e pamat
Nën qepallat e breshrit
Një këndes i egër
Për herë të parë
E zgjon mëngjesin
Në kryqet e atdheut luten endacakët
 
Një trëndafil i zi mbeti pa aromë
Asnjë lule molle
Nuk çeli në mendjen e lëndinës
Kuajt e luftës i kafshuan dizgjinët
Te fundi i betejës
Për herë të parë filluan të duken
Ngjyrat inkandeshente të gjakut
 
KY DUET PREJ MJEGULLAVE
 
Një njeri
Mbante në dorë pëllumbin e egër
Kurse pëllumbi
Një zarf të kaltër prej lotëve
 
Era qante te mjegullat e plumbta
Hapësirave të paanë vraponin
Meteorët endacak
Si për çudi pran shatërvanit
Qante edhe një zog i vetmuar
 
Ky duet prej mjegullave
Dhe zogjve të egër
Mbase sonte do vallëzojë
Valsin e pa vallëzuar deri më sot
Te shatërvani
Sërish era pinë ujë
 
Kalaja ëndërrimtare
Me nostalgji të padëgjuar
Bënte pjesë në këtë kor
Gurtë dhe lisat
Si kurdoherë më parë
Hynë në procesionin e lotit
Dhe të këtij vallëzimi të lashtë pagan
 
SI YJET E VERDHA
 
Çdo gjë sonte po më duket
Si kjo hënë
Qenkan të largëta gjërat
Të pa prekshme
Si yjet e verdha
Mbase edhe si ëndrrat
E mija të paarritura
 
Më duket se akoma sot vrapoj
Si kukullat e grisura
Dhe me kalin tim prej druri
Tërë kohën e lume
Hingëlloj si shirat
Dhe dënesi
Tok me një kafshë të madhe
 
Sonte qenkan të pakapshme yjet
Asnjë serenatë
S’mund t’i zbres në tokë
Ky kor prej bretkosave
Kurrsesi të ndalet
 
Deri në rrënjë
Po kallen gjethet e shelgut të pikëlluar
Derisa zogj shtegtar
Dënesin si kalamajtë e braktisur
 
E PAMË EKLIPSIN E HËNËS
 
Në çastin kur parasheh
Se si pëllumbi i egër
Kthehet në çerdhen e vetë
Kurrë më mos pyet i habitshëm
Për itinerarin e zbritjes
 
Etjet edhe ashtu
I përngjajnë kërpudhave të egra
Mund të të mbysin
Akoma pa e përjetuar forcën e fjalës
 
Atë çast të paharruar
Kur binte ai shi i çmendur
Ti ishe i padurueshëm
I shikoje si një njeri i verbër
Stërkalat e gjymtuara
 
Habitshëm shikoje
Kah zbritnin nga shpirti i etjes
I shikoje dhe qeshje
Thua se çdo pikë shiu
Buronte
Nga egoja e jote e papërmirësueshme
 
2
 
Ne nuk deshëm asnjëherë
T’i ndalim buzëqeshjet e gjelbërimit
Bari i thatë i përngjante
Stepës së egër
 
Në vrapin e dehur të një kaprolli
E pamë eklipsin e hënës
Se si i përjetonte
Ikjet e zogjve rebel
 
Dielli i përskuqur qante atë ditë
Si një pegun i lënë peng gjarprit me zile
Qante edhe pellgu i kujtimeve
Përmbytja ishte e pashmangshme
Në degët e thyera të rrapit
 
MUSHKONJAT
 
Kur betohemi
I vëmë këmbët tona të rrejshme
Në rropullitë e zjarrit
Saçi i përskuqur buzëqesh
Me një ironi tinëzare
 
Pasi që humbim në mendimet personale
I zgjasim duart kah e ardhmja
Sepse të kaluarën e kemi futur
Në ingranazhet e oksiduara
Të një tjetër kohe të trilluar
 
Nën një presion të paparë shpirtëror
Këndojmë nën dush
Serenatën e një mbrëmjeje
Daullet e mërzitshme të lagjes
Për çdo ditë
Bien vetëm për të tjerët kur ikën era
 
Një kohë të gjatë
Nën çatinë e vjetër duruam
Atë muzikë të rrejshme të shiut
Mushkonjat e infektuara
Nga një sëmundje e re
Pa hezitim sulmuan prejardhjen tonë
 
NGA THASËT E DHIRTË
 
Kur nuk jemi në gjendje
Të bëjmë diçka tjetër të vlefshme
I mbërthejmë fjalët tona
Për dizgjinët e kalit të egër
 
Më pastaj qeshim
Qeshim derisa na shqyhen buzët
Nën orën e vjetër të qytetit
Me një shkop metalik
I ngacmojmë akrepat e orës së ndalur
 
Dielli lëviz më ngadalë se zakonisht
Ingranazhet e orës së diellit
Tmerrshëm kërcasin
Si kërcëllimat e një arabaje
Ngarkuar me tragjedi të vjetra
 
Nga thasët e dhirtë
Në kokën e një gjarpri të zi
Mbinë një lule e çuditshme
Ngjyra e së cilës i përngjan shiut
Dhe bukës së arave tona
Me sinor të kafshuar
Diku në horizont dëgjohen gjëmat e buajve
 
Ndjekësit e enigmave
Cikli i dytë


ZËRI YT

Zëri yt i but si një copë mjegulle
Që udhëton për në parajsë
Ka një shije molle të pjekur
 
Zëri yt si zëri i erës
Kur takohet me murrlanin
Vrapon udhëve të fëmijërisë
 
Një hënë në eklips
Fshihet pas ëndrrës së diellit
Yjet pagjumë vrapojnë hapësirave
 
Do të ngarendim sonte shtigjeve të bardha
Dhe nën hapat e kaprollit të egër
Do i zgjojmë milingonat e fjetura
 
KURSE ATO TË FUNDIT
 
Ecjet tona
I përngjanin trajtës së shiut
Sa herë që i kaluam udhët e gjata
Para nesh dilnin
Disa lloje zogjsh shtegtarë
 
I kapërcyem shtigjet e pa kaluara
Me një hap të vetëm
I shkelëm yllësit më të largëta
Para nesh si nga dheu
Mbinë në njëmijë ngjyra llojet e legjendave
 
Sa herë që deshëm të ikim
Na ndalte një dorë prej mjegulle
Për ta kapërcyer të pamundurën
U bëmë zogj prej yjeve
Dhe ikëm tejpërtejmes
 
Nënat tona përherë na bekuan
Fjalët e para na mësoi atdheu
Kurse ato të fundit
I mësuam nga trishtimi i jetës
 
KY XHAM
 
Ky xham mbi njëqind vjet
Qëndron këtu i ngjyrosur
Me vitrazhet e ylberit
Dhe me shijen e portokalltë të atdheut tim
 
Sa herë që pat dyndje ushtarësh
Me kryqe të tërbuara
Gjeneralët i mashtruam
Me nga një pulë të ngordhur
 
Kur u takuam me fundin e udhës
Ky xham prej mishi
I përbuzi pafundësisht
Të gjitha pasqyrat e botës
 
Dhe në fund të fundit
Ngadhënjeu mbi çdo vdekje
Ky xham i kristaltë prej mishi
Sa shumë po i përngjan
Qëndresës së gjyshërve tanë
 
PREJ NJË FJALE TË VOGËL
 
Fjalët nuk mbesin boshe
Ato edhe kur nuk kanë se çfarë të bëjnë
Kompozohen prej dhembjeve
I përngjajnë patave të egra
Ose korbave endacak
Dhe kurrë nuk i ndalin krakëllimat
 
Prej një fjale të vogël
Shumë të vockël
Ngjashëm me milingonën
Lindin gabimet e mëdha
Si bishat
Sa që askush në këtë botë
Nuk është në gjendje ta kontrolloj
Çmendjen e dallgëve të përroit
 
Nuk di athua lindi fjala para njeriut
Ose njeriu para formimit të fjalës
Mbase që të dy lindën njëkohësisht
Fjala dhe njeriu
I mbetën armiq njëri - tjetrit
Deri në asgjësim
 
SA HERË QË E PËRQAFOJ ERËN
 
Athua jam ose nuk jam më unë
Ku ta kërkoj vetveten dhe pasqyrën e ujit
Këto duar prej rëre
Po i përngjajnë ëndrrave të fëmijërisë
 
Asnjë përrallë nuk tregohet sonte
Kush po fshihet
Gozhduar në lagështin e murrit
Pas portretit të Lizës
Mos jam vallë unë ai njeri atje
Që është duke i matur rrugët
 
Një hije prej njeriu të mishtë
Po na kalon parasysh
Dhe tjetra vjen
Kush e di se nga cila udhë është nisur
 
Kah janë duke ikur
Zogjtë e fundit të atdheut tim
Të kujt janë këto lutje shpendësh
Që po qajnë te kryqet
 
Ju lutem më tregoni kush jam unë
Të kujt janë këto duar të metalta
Sa herë që e përqafojnë erën
Ajo shndërrohet në mjegulla të kristalta
 

IM ATË

Im atë i ndjerë
Mbase ishte pa sy
Sa herë që e shikonte diellin
I kujtohej Homeri
Këndonte me një lahutë të verbër
Edhe rapsoditë i kishte të verbëta
 
Skajshmëria e verbësisë dallohej
Vetëm kur qante mes dy kohërave
Zëri i tij prej basi i përngjante
Hukamës së erës
Dhe syve të një njeriut
I cili e kalonte detin
Vetëm me sandale të kuqe
 
Im atë
Sa herë që matej me vetëtimat
Përpara këmbëve të tij kryeneçe Gjunjëzoheshin mbretërit
Dhe perëndit
Më krenar të Olimpit
Po të mos ishte i verbër
Plaku im sykaltër
Me siguri do i përngjante Zotave
Prishtinë, 06 korrik 2013


TE KAMBANORJA

Në pluhurin e mëngjesit
Një zog rebel
I lante krahët e plagosura
Nga sqepi i thyer i fluturimit
Si trishtim i një jete
Çurgonte dita
 
Zogu dhe lisi
Si një duet i tmerrshëm antik
Hynë në teatrin e mendimit
Çfarë roli do luaj sonte
Kjo degë e thyer
E gjuhës sime të vjetër
 
Një zog rebel iku hapësirave
Pluhuri i një qiriu
I ndezi të gjitha dritat e botës
 
Njerëzit e mirë
U gjunjëzuan si asnjëherë më parë
Te kambanorja e qytetit
Një zog i bardhë
Papandehur doli
Nga lëvozhga e lënduar e erës
 

KUAJT E DEHUR TË LUFTËS

Sa herë që biem ngushtë
Na kujtohen psalmet e kënduara
Dhe ato balada të tjera
Që s’janë dëgjuar asnjëherë
 
Nëse rastësisht hija e jonë e verdhë
Vetmon te shirat
Ku mund t’i kërkojmë duart e lagura prej lotëve të një mjellme të ikur
 
Sonte zogjtë s’patën kohë të këndojnë
Asnjë serenatë të trishtuar
Në pluhurin e harrimit
Dëgjohen si meloditë e fundosura
Krakëllimat e disa arkivoleve
 
Më duket se ishte koha e meteorëve
Nëpër vranësirën e qiellit
Si hije dukeshin valëviteshin
Këmishët e grisura të yjeve
 
Mbase nuk kishte mbetur asnjë pikë loti
Në shuplakat e djegura të lëndinës
Kuajt e dehur të luftës
Ethshëm pinin etjen e trishtimit
 

TI MOS HARRO

Nëse vdes miku im
Ti mos hezito të këndosh
Sepse diku në shkrepat e atdheut
Më pret një pemë e vjetër
 
Me mua do vijnë edhe shirat
Unë asnjëherë në jetë
Nuk i kam mbyllur portat
Një zë prej baritoni
Më thërret nga lashtësia
 
Unë do vij miku im
Ose do shkoj te pema ime e egër
Ti mos harro të këndosh
Psalmet tona të pa kënduara


POETËT
(Kushtuar poetit Fatmir Terziu)
 
Poetët  janë në gjendje
Të flenë me hënën kur ajo ekzaltohet
Kurse të nesërmen pendohen
Dhe zgjohen me lugetër
 
Sa herë që u teket
Shndërrohen në kryengritës
E kur zbresin majave
Nga furtuna e shpirtit
Sa ora bëhen
Dashnorë tejet delikat
 
Herë janë burra
Që për një fjalë goje
Hi e pluhur bëhen për atdheun
E herë fëmijë të pafajshëm
Qe qajnë te fustanet e grave lozonjare
 
Poetët janë perëndi të përkryer
Që vijnë nga  lashtësia
Por askurrë Zotave të Olimpit
Nuk i mbajtën të ndezura qirinjtë
Këta jeniçer të fjalës
Sa ora
I përmbysën kazanët
 
NJË HËNË PAKËZ MË NDRYSHE
 
Rrimë dhe shikojmë duke bërë seri
Se si një pjesë e përskuqur
E diellit skizofren
Transformohet në një copë akulli
 
Duart e lagura të një libri
Ngjyejnë në dhembjen e mjegullave
Një furtunë prej ere
Po i thyen degët shtrembëruara të natës
 
Shirat kanë filluar të zbresin
Nëpër disa rrugë alternative
Të reve blu
Jashtëtokësorët  në grevë urie
Kafshojnë lëvoren e ajrit të tymosur
 
Kjo metamorfozë e dyshimtë
Ka filluar të zgërdheshet
Nga buzët e çezmës rrjedhin
Prekjet e panumërta të shirave
Një hënë pakëz më ndryshe
Se ajo ekzistuese
Po i mëkon mushkonjat vdekjeprurëse
 
NDJEKËSIT E ENIGMAVE
 
Si statuja të zgjuara sfinksi
Na dolën disa lloje labirintesh
Hymë në enigmën e kashelashave
Na kafshuan legjendat
 
Kudo na përcillnin përrallat
Për një fjalë goje
U bëmë shpirtra të mermerta
Disa lloje gurësh të murrmë
Na i thyen për kokën tonë
Ndjekësit e enigmave
 
Kur u pamë te librat e vjetër
Në maja malesh
Për herë të parë u fishkën
Shpirtrat e drurëve halor
 
Një kafshë e madhe
Hyri në shpirtin e njeriut
Dhe kurrë më
Nuk doli ballëhapur në rrugë
 
KRYQET E NGULURA NË TOKË
 
Më pritni edhe pak
Ndoshta nesër është koha
Të kërkoj falje prej të gjithëve
Nuk isha engjëll
Ama shumë larg isha edhe prej djallit të zi
 
Më kujtohen ditët
Kur në çdo të dytin hap
I bëja nga shtatë gabime
I tillë kisha lindur
Kryeneç si shkëmbi i stralltë
 
Pata edhe ditë të vështira në jetë
Por ato ishin si ingranazhet e ndryshkura
I dëgjoja serenatat
E netëve të trishtë të Ballkanit
Kur qanin gratë
Pranë arkivoleve të ushtarëve
 
Si sot më kujtohen
Kryqet e ngulura në tokë
Për të mbërri deri te rruga e golgotës
Duhej kaluar nëpër ferrin
E çafkave të egra
Duhej kaluar urrejtja e njeriut
Ndaj një njeriu tjetër
 
NGA NJË KËNGË E SAJ
 
Më duket se
Kur ishim të vegjël
Edhe dëshirat i kishim të vogla
Pa kurrfarë brenga për të nesërmen
Vraponim zbathur luadheve
 
Nuk na u dhimbseshin opingat
Kur i shqyenim duke lozur top këmbe
Lëkurë lopësh
Kishim me bollëk në fshatin tonë
 
Mbase kështu mësuam të jetojmë
Me këmishët e arnuara të pritjeve
Sa herë që i harronim trastat korijeve
Lopa e jonë e madhe jepte qumësht
Për tërë fshatin e braktisur nga ikja
 
Mëngjeseve të hershme
Kur zgjoheshin ullukët
Ne pikonim tok me shiun e vjeshtës
Pikonim ashtu të vetmuar
Në vendin tonë u bëmë
Asket prej mishi
Dhe asnjëherë nuk u rritëm sa duhet
 
Nëna plakë ishte një zonjë
Shumë e rënd
Sa herë që e milte hënën
I këndonte asaj disa lloje ninullash
Nga një ninullë e lashtë
Shiu i pranverës pa u ndalur askurrë
Derdhej fushave të bardha
 
AJO
 
Ajo ishte një grua delikate
Qante si një lule
Sa herë që binte shi
Në vazon e kristaltë të erës
Çelnin gonxhe pranverat e një shekulli
 
Ajo herë qante e herë qeshte
Me ndryshimet atmosferike
Tërë kohën i ushqente zogjtë e uritur
Dhe me kujtesën e saj
Ishte në gjendje t’i zgjoj nga gjumi
Të gjitha baladat e fjetura
 
Ajo ishte në gjendje ta end
Pëlhurën e rebelimit
Ashtu siç end merimanga
Rrjetin e rrathëve të zeza
Për ta zënë në kurth
Dritën e cila vuante nga lia e kuqe
 
Me etjen e kaktusit bisedonte hëna
Me lotët e meteorëve endacak
Qante qielli
Qante edhe ajo me ngashërim
Ky duet i paparë me qindra vjet jetoi
Nëpër teatrot më të mëdha të shekullit
 

DETI I TRAZUAR I SHPIRTIT

Kur nuk keni se çfarë të bëni
Me duart e juaja të mbërthyera
Për vegimin e hijes
Prekni shpirtin e një peme
Te e cila mugullon molla e ndaluar
Ku lexohen epitafet e një stine
 
Nuk di a jeni në gjendje
T’i vëreni këto rrudha që peshojnë
Sa një jetë qeni
Në rrugën e pakthyeshme të mëkatit
 
Nga ëndrra ime e trentë
Zbritën kalorësit e një kohe
Dhe kurrë më
Nuk pata mundësi t’i shalojnë
Dizgjinët e këputur të erës
 
Sa herë që dyshova në prejardhjen e ujit
Përjetova  përmbytjen e deteve
Një varkë diku në kujtesë
I shëron plagët e peshkatarëve
Deti i trazuar i shpirtit
Akoma ëndërron të mbyturit e Titanikut
 
NUK MË BESON ASKUSH
 
Nuk më beson askush
Por unë për çdo ditë trokas
Çmendurisht trokas në dyert e mendjes
 
Kur ndalem përpara pasqyrës
I trokas edhe mikut tim të dehur
Ai diku në një mur të tejdukshëm
Ëndërron se si është ulur
Në fronin e imagjinatës
 
Unë i kapërcej të gjitha shtigjet e durimit
Por më besoni or miq
Nuk mund të kaloj këndej pari
E mos ta shkallmoj deri në palcë
Atë pasqyre konkave te të çarat e murit
 
Nuk më beson askush
Por gjërat në këtë qytet të nakatosur
Asnjëherë nuk kanë pasur emra
Edhe vetë njerëzit s’dinë se si quhen
 
Çdo gjë këtu përbirohet si hija
Nëpër plasat e dyshemesë
Dhe si milingonat e zeza
I ushqejnë premtimet e kota
Prishtinë, 07 gusht 2013
 
KËTO ITINERARE TË DYSHIMTA
 
Mbrëmë një kohë të gjatë
Luftova me vetveten
I pyeta disa njerëz të panjohur
Por asnjëri  nuk e dinte emrin e vet
Mbase ishin silueta të padukshme
Që rrëshqitnin drejtë një honi në pasqyrë
 
Kur i dëgjuam lehjet e qenve
Na u duk se këto ulërima
Njerëzish të pafajshëm
Zbritnin nga një galaktikë
Ende të pazbuluar
Këto itinerare  të dyshimta
Të erës
Frynin pa mëshirë
Në shpirtrat e pemëve të lënduara
 
Ecëm edhe një kohë të gjatë
Atje përtej mendimeve tona
Flinin zogjtë e një tjetër bote
Mu ata zogj
Që i hanë krahët e veta
Etja ishte e madhe atë çast
Sa që u përmbytën të gjitha varret
Në brendinë e arkivoleve
 

SE SA TË JESH I HUAJI

Në të katër anët e botës
Me shekuj isha refugjatë
Por më besoni
O të dashurit e mi
Nuk ka trishtim më të madh
Se sa të jesh i huaj
Në shpirtin tënd të vetmuar
 
PËSHPËRISTE EDHE ERA
 
Sot herët në mëngjes
Ajo i pëshpëriti përroit
Disa fjalë sekrete
Dhe si një hije e zbehtë
Iku dhe u ngjizë te hija e saj
 
Në veshin e djathtë të barit
Qante jehona e gjelbërimit
Ajo iku ashtu siç ikin
Fluturat
Prej qirinjve të ndezur
 
Unë pashë edhe një pamje tjetër
Se si rrëqethej gjelbërimi
Në lotin e vesës
Kurse ikja e saj i përngjante
Ikjes së një pëllumbi të egër
 
Në përparësen e luadhit të pakositur
Qante era në përmasa detesh
Në korin e bretkosave
Këndonte edhe një bilbil i vetmuar
 
Sërish pëshpëritja e njëjtë monotone
Pëshpëriste edhe era
Mbas dyzetë vjetëve kuptova
Fshehtësinë
E atij mëngjesi të dikurshëm
Kuptova
Se për hir të asaj nate
Ajo më kishte krahasuar
Me kalin e paçjerrë të furtunave
 
NE ISHIM AQ TË VEGJËL
 
Po që se i afrohemi fundit
Mos harroni se fjala
Del përpara çdo vegimi
Dhe këndon me mallëngjim
Psalmet e përsëritura
Kush e di se për të satën herë
 
Më kujtohet fare mirë më kujtohet
Kur ishte mesha e madhe
Ne ishim aq të vegjël
Sa që humbëm vetveten
Mes kokrrave të pluhurit
Një zë baritoni vinte nga kambana
Mbase atë çast
Këndonte vetëm era
 
Ikën edhe stinët si njerëzit
Kjo dyndje zogjsh të egra
Nëpër kujtesën e lumit
Nuk paska të ndalur
 
Te rrapi i kallur ende këndojnë qyqet
Një elegji e trishtë
Shkundet
Nga degët e vjeshtës së pasosur
Prishtinë, o8 korrik 2013
 
ORA E DIELLIT TË KRISTALTË
 
Në çdo kohë
Ne jemi duke vdekur nga pak
Frymëmarrja e pluhurit konvertohet
Në uragan dhe na përpinë
Si gllënjkën e verës në Betlehem
 
Nëse vazhdojmë kështu ta matim kohën
Ora e diellit të kristaltë
Do të mbetet pa asnjë akrep
Në qepallat e zogjve endacak
Sërish këputen telat e një serenate
 
Më duket se ishte e kot thirrja ime
Zambakët e Prizrenit
Ndryshuan rrjedhën e Lumëbardhit
Një grusht ujë të kulluar
Nga mjegullat e maleve
Ishte nisur në një rrugë të gjatë
 
Shkuan edhe zogjtë e vendlindjes sime
Nuk mbeti asnjë përrallë
Pa u treguar fëmijëve
Dikur vonë
Kur u kthyen dasmorët
Atdheu i kishte shtruar për herë të parë
Sofrat e dashurisë
 
PO DËNES NJË FËMIJË
 
Me gjasë
Ëndrrat më paskan mbetur
Të sfilitura diku në shkrepat e atdheut
Kot jam duke ëndërruar ca ëndrra të reja
Vetmia e pudrosur me mall
Vajton në një mol të harruar
 
Nuk është hera e parë
Që e kthej kokën pas
Me qindra herë
I kam lënë sytë
Te rrugët e grisura të fëmijërisë
Dhe ja sot
Si dielli i verbër loton hija ime
 
Loton edhe një shpirt i braktisur
Asnjë zog i atdheut tim
Nuk fluturon këndej pari
Ky metropol vrasës
Kohë pas kohe
Është duke na i kafshuar eshtrat
Që thahen në erë
Dhe si shpirti i burgosur në liri
Po dënes një fëmijë
 
BURRAT E DHEUT
 
Isha ishe ishim
Dhe do të jemi denbabaden
Klithma të një guri
Që me shekuj lëshoi gjëmë
Në shpirtin e kësaj toke mëmë
 
Kur na mbërthyen të na i kafshojnë
Ëndrrat e zgjuara
Në shpirtrat tanë jehuan zërat gjyshërve
Një kobure e praruar
Si nga baladat doli në Londër
 
Drita e lirisë veç këndonte maleve
Si një zog i shenjtë
Në zemrën e një burri
Fluturonte udhëve të historisë
 
Një nënë plakë
I zgjoi ëndrrat e fjetura
Atdheu im
Kurrë më nuk i mbylli sytë
 
Si kaprojtë e Bjeshkëve të Nemuna
Dolën zanat e mira te korijet
Nga shpirti i pavdekshëm
I legjendave shqiptare
Zbritën gjelbërimit të paanë
Burrat e dheut
Që më shumë se jetën e deshën lirinë

 

MBI NJË GUR TË MURRMË

 

Si një engjëll ti vjen në ëndrrën time

Me zërin tënd kumbues

Ecën mes baladave të një enigme

Nën qerpikët e reve

I fsheh me xhelozi

Shirat e një vjeshte të irnosur

 

Shikoj me mallëngjim zbritjen e yjeve

Me ngashërim i përcjelli

Ikjet e zogjve

Asnjë flutur e larme

Nuk ndalet te lulet e mollës së çelur

 

Një arkivol ngjyrë are

Me ditë të tëra qante te varret

Vetëm një kryq i huazuar

Bisedon me trishtim

Për rrugën e gjatë të golgotës

 

Mbi një gur të murrmë

Dënesje vashash të virgjëra

Lisi i prerë në shtatë pjesë

Shtatë herë gjëmoi

Nën vrapin e çmendur të një patkoi

 

NJË SHI IMCAK

 
Si sot më kujtohet dora e jote
Si e bardha e kristaltë e borës
Dhe flladi i vjeshtës së ngrirë
Në përkundjen e djepit
Pikonte stina e plagosur
 
Një zonjë e moshuar
Kush e di se sa vite i kishte shkelur
Mosha e saj fatlume
Me një elegancë të paparë

I mëkonte meteorët e këputur

 

Te mollët e njoma

Një çift i ri këputnin kujtimet e një kohe

Dhe qeshnin si luledielli në verë

Dielli i dashuruar

Mbase shkëlqente për tërë botën
 
Isha shumë i hutuar
Vetëm duart e mia të akullta
Bisedonin me flokët e shprishura të erës
Një shi imcak
I përngjante fjalëve të ftohta të borës
Dhe tërë kohën i shqelmonte
Qepenat e mbyllura të dyqaneve
 
SI NË DEGË NJË MOLLË
 
Pse pohoni që një gjarpër
Përherë fle nën mollë
Jo ,jo aty është një vashë
Zonjë e rënd elegante
Si selvi e hollë
 
Në çdo vend të botës
Njeriu e do mallkimin
Gjatë tërë ditës së lume
Sterrën e shikon
Dhe në mbrëmje vonë
Fle me trishtimin
 
Ajo e gjatë  e bukur
Dhe e hollë
Për çdo ditë si fjala
Piqet  nga pak
Si në degë një mollë
 
TROKIT NËSE DUHET
 
Nëse nuk t’i hap portat
Ti sërish trokit te yjet
Që ty dy ju
I keni borxh njëri - tjetrit
 
Për një fjalë goje
Mos u konvertoni në bisha të mëdha
E as në djaj të zinj
Dashuria kërkon më shumë se sakrificë
 
Trokit nëse duhet
Edhe në portat e çelikta të Ferrit
Por kurrsesi mos harro
Të trokasësh te dyert e atdheut
 
Sa herë që të zihet fryma
Ai sa ora
Të bëhet frymëmarrja e jote
Atdheu është gjaku dhe shpirti i shpirtit
 
Trokit e mos u ndal askurrë
“Sa e do ti
Po aq edhe atdheu të do ty”
Trokit edhe në portat e qiellit
Do hapen një ditë
Si arkapitë e mbyllura të fjalëve
 
Kishte trajtën e një njeriu
Cikli i tretë
 
HINGËLLONIN KUAJT E ETUR
 
Si pa kokë hyra
Mes vargjeve të një libri të vjetër
Askund asnjë njeri
Vetëm një kafshë e madhe
Deri në asht e përtypte ditën
 
Si lehje qensh dëgjoheshin ca zëra
Nga palca e nëntokës
Galoponin ndjekësit e enigmave
Dielli nuk dukej askund
Një hënë e venitur qante te mjegullat
 
Nuk më besohet se aq e frikshme
Mund të ishte dita
Nga krifat e bardha të një kali
Shkundej trishtimi i një beteje
E lufta nuk kishte ndërmend të përfundoj
 
Deri në bark të kuajve të luftës
Notonte një shalë në gjakun shumëngjyrësh
Hingëllonin kuajt e etur
Hingëllonte beteja e papërfunduar
Një vashë me një testi të mbushur me lot
Shuante zjarrin e betejës
Prishtinë , 09 korrik 2013
 
THEMI SE ISHIM
 
Nuk di më se kush jemi sot
Kush ishim dje
Dhe kush do të jemi nesër
Themi se ishim
Pasardhësit më krenar
Të një shiu të kristaltë
 
Me mija vjet ndoshta edhe më shumë
Ecëm deri te golgota
Një kryq i ngulur te varret
Asnjëherë nuk i ndali thirrjet
Thërriste të pamundurën mes gurëve të etur
 
Ne i besuam vrapit të kalit të egër
Vrapuam me shekuj
Pa u ndalur pas dizgjinëve të frikës
E frika ikte
Ikte edhe era me kuajt e drunjtë
 
Një boshllëk të paparë nën dangën e gurit
Ndjente lëkura ime
Nuk lahen njollat e kuqe të vesës
Me këtë shi të hollë pranvere
Gjethet filluan të mbajnë zi
Me ngashërim të paparë dënesën degët
 
ZOTIN NUK E GJUAJTA ME GUR
 
Shikoni se si paskam mbetur sot
Bredhin hapat e mia të sfilitur
Nëpër trotuaret e metropolit
Eci si një somnambul
Pa asnjë lek në xhep
 
Sa e largët
Më duket kafeja në duart e kamerierit
E largët si atdheu im
Një njeri më shikon
Si bishën e zënë në kafaz
Dhe zgërdheshet me vetveten
 
Një hap përtej asaj udhe
Ndizen dritat e kuqe
Seksi reklamohet nëpër vitrina
Kalojnë njerëz me xhepa të shqyera
Dhe ata me xhepa të thella
 
Kalëroj nëpër mendimet e mia
Udhëve të pabrenga të fëmijërisë
Dritat e neonit
Ma ngacmojnë verbësinë e syve
Ky qytet ëndrrash
Më është bërë makthi im i fundit
 
2.
 
Ku të ulem
Çfarë të bëj me këto eshtra
Të moshuara
Të shkoj deri në atdheun tim
Nuk kam më fuqi e as mundësi
 
Zotin nuk e gjuajta me gur
Asnjëherë
Nuk di më o miq
Ku do të më varrosin
Nëse jo në atdheun tim
Atëherë me siguri në këtë kontejner
 
E KUR TË TAKOHEN
 
Ja kështu vdesin njerëzit
Të heshtur
Pa zë mbi një qivur
 
Një mur i plasaritur loton
Kurse era si përherë
Serenatën e saj këndon
 
Askush s’e di
Athua është udhëtimi i parë
Mbase i fundit as që ekziston
 
Kështu vdesin njerëzit
Të mërrolur si retë
Pa asnjë fjalë udhëtojnë drejtë ujit
 
E kur të takohen
Me bigëzimet e një lumi
Për herë të fundit sytë çelin trëndafila të zi
 
I DREJTOJNË SYTË NGA QIELLI
 
Qyteti im
Ka dhembje të fortë koke
I gëlltit tabletat për qetësim
Më së shumti e mundojnë
Problemet e përditshmërisë
Ngjan që fëmijët e tij të zgjohen të uritur
 
Ky qytet si çdo qytet tjetër
Ka shumë halle me kanalizimin
Kur rebelohen shirat
Nëpër korridoret e shpirtit
Furishëm derdhen ujërat e zeza
 
Një ditë zgjohet me muzikë
Të mirëfilltë
Kurse ditën tjetër
Nën tingujt e trishtë të fanfarës
 
Këto marshime milingonash
I trembin
gjeneralët në gjumë
Dhe këndesat nëpër kotece
 
2.
 
Ju thash pra
Kur ka dhembje koke qyteti im
Mashtrohet me aspirina
Si fëmijët endacak me lëpiza
Dhe më pastaj
Kërkon ndihmë në urgjencë
Ndjen nevojën e pastrimit të gjakut
 
Në qytetin tim
Njerëzit kanë nga një gjysmë vdekje
Sillen thua se janë plotësisht pagan
Si perëndive të dehur të Olimpit
U besojnë matrapazëve
 
Kur mbesin me xhepa të zbrazura
Instinktivisht
I drejtojnë sytë kah qielli
Dhe i luten në gjuhën e tyre pagane
Deri në lot
Një hyji të cilin askush nuk e njeh
 
KJO RRUGË E GJATË
 
Brenda nesh si lulja
Herë ëndërron
E herë qohet peshë
Një vrushkull gjaku
 
Kjo rrugë e gjatë
Që shkon përtej amshimit
S’kalohet për një natë
Nëpër të çarat e trishtimit
 
ky udhëtim pa zë
Po lëviz në ekran si një film i animuar
Lëvizin edhe hijet e padukshme
Pran nesh duke galopuar
 
KISHTE TRAJTËN E NJË NJERIU
 
Si nëpër rrjetin e merimangës
Hymë në gjumin e natës
Nga shtambat e thyer të qiellit
Derdhen përroit
Ciflat e kristalta të yjeve
 
Një hënë te malet
Mbi njëqind vjet qanë me qyqet
Asnjë korb i zi
Nuk mbeti në hapësirë
Fluturuan xhadeve fluturat e ngrira
 
Me çfarë kënge i mëkuat meteorët
Kur vraponin qiellit kuajt e egër
Lufta përherë ishte te ne
Shumë më e gjatë
Se sa jeta e një qeni endacak
 
Një pjesë e erës te korijet
Kishte trajtën e një njeriu
Muzika mortore
Nuk pushonte te varret
Një kryq i varur po qanë si fëmijë
 

VJESHTA VEÇ KISHTE FILLUAR

Prej një cope bryme
Për herë të parë sajuam
Një copë të ngrirë mjegulle
Rosat e egra
Ikën drejtë të panjohurës
 
Nga stërkalat e shiut
Në horizontin e paanë
Mbetën peng
Dizgjinët këputur të një balade
 
Një vijë e hollë si gjuhë gjarpri
Mbeti kujtim
Te flokët e mjegullave
 
Agullima prite te portat
Serenatën
E një vjeshte të harruar
 
Ikjet e kuajve
Ishin çastet e pashmangshme
Vjeshta veç kishte filluar të loz
Lojën delikate të gjetheve
 
SI NJË KALORËS I DEHUR
 
Këto mbeturina po më duken
Si skeletet e shirave të vdekur
Kush i varrosi sandalet e kuqe
Në ballinat e gazetave ditore
Luajmë tangon e fundit të vjeshtës
 
Një fërfërimë e pa definuar
Si një kalorës i dehur
Vrapoi rrugëve
Gjysmë të asfaltuara
Në fund të lagjes së evgjitëve
Dëgjohet kuisja e një qeni të zgjebosur
 
Mbase nuk ishte as fundi i tregimit
Por mbarimi i një tragjedie
Kjo pamje
E mbeturinave luksoze
Po m’i përkujton
Zonjat e rënda me taka të gjata
 
Te xhamat e një vitrine
Të thyer copë e grimë
Ka ditë
Që reklamohen filmat pornografik
 
Të moshuarit
Mezi qëndrojnë në këmbët
E tyre të drunjta
I lëpijnë buzët e rrudhosura
Si ato kokona të shtëpive
Me ngjyra të kuqe
 
DHE ADRESËN E SHTËPISË
 
Kur u nisa në kurbet
Me vete e morra vetëm një valixhe
Dhe adresë e shtëpisë
Një tren i çmendur i shkeli
Të gjitha rrugët e botës
 
Diku në fund të udhëtimit
I shtypi në kokë edhe ëndrrat e mia
Mbeta lakuriq rrugëve
Si miu i bardhë
Nën hambarët  e Evropës
 
Stuhishëm kaluan
Dhe ikën motet e pështira
Asgjë nuk më ka mbetur në kujtesë
Përpos hingëllimës së trenit
Të prishur
Me një valixhe pa adresë
Dhe plaf të grisur
 
Prishtinë, 10 korrik 2013


NJË ZOG VAJTUES

Ky shi që po bie sot
Mbase askund nuk i gjendet fundi
Megjithatë po bie
Ashtu siç bien flokët e mi
 
Po kalojnë stinët e erës
Dimri paska ardhur i zhveshur
Më herët sivjet po shkundën pemët
Nga gjymtyrët e rrënjëve binjake
Pikojnë ditët
 
Një zog vajtues
Është ulur mbi një degë
Dhe bisedon me meteorët
Ca rosa të egra
Humbin mes mjegullave
Lehjet e dimrit kurrsesi të pushojnë
 
Kjo shtrezë që po bie sot
Me lotët e shiut imcak
Po i mërdhinë zambakët gjysmë të vdekur
Te kambanorja e rrënuar
Po qanë si një foshnje
Shiu i rreptë i një dimri
 
TE MALET E NGRIRA
 
Nëse trokas mbrëmjeve të vona
Hapni portat
Jam unë hija e një nate
Që ka humbur rrugën
Mes gishtave të shiut
 
Erdha me dhembjen e dimrit
Acari rrinte në qoshe të dhomës
Dhe shfletonte një libër të vjetër
Sërish dimri
I humbi rrugët e bardhësive
 
Te malet e ngrira
Po dëgjohen ca zëra bishash
Qukapikët e zinj
Po ua prishin gjumin krimbave
Drunjtë halor ua shpojnë syt zogjsh
Nëpër qiellin e zi
Dëgjohen vetëm krakëllimat
E yjeve endacak
 
NUK NA I LAGI FLOKËT
 
Provo të lutem
Nëse mund të ndezësh zjarrin
Në mua
Kaherë janë shqimur luspat e diellit
 
Ishte ajo kohë kur ecnim
Mbi drurët e ndezur të fjalëve
Dhe këndonim serenata
Shiut të pranverës
Kohët e meteorëve
Kur binin në vjeshtë shirat
 
Megjithatë shtreza asnjëherë
Nuk na i lagu flokët
Deri në asht u zhytëm në kujtimet tona
Dhe në fund të itinerarit
I humbëm trenat
Te një udhëtim të imagjinuar
Pamë vetëm një pikëpyetje të madhe
 
Provo të lutem edhe njëherë
T’i ndezësh flakadanët e rinisë
Në qerpikët e këputura të natës
Sonte është hera e parë në jetën time
Që po ndjehem kaq i lumtur
 
DITËT ISHIN MAKTH
 
Me shekuj
Netët tanë ishin net qensh
Ulërimat i dëgjuam edhe në ëndrra
Ditët ishin makth
E makthet trishtim prej tmerri
 
Ecëm nëpër një rrugë të zjarrtë
Me shputa të djegura
I shkelëm copat e gacave
Dhembjet ishin të padurueshme
Në dizgjinët e kuajve të vrarë
Sfiliteshin kufomat e njerëzve
 
Me shekuj ecëm si sfilitjet e shpirtrave
Udhët ishin të stërzgjatura
Deri në pafundësinë e një balade
Shkonin edhe përtej ferrit
Nëpër urën e shpirtit
Të ngarkuar me gjëmë kalonte frika
 
Një nënë e shtyrë në moshë
Në vend të dhembjeve
Mbi shpatullat e saja të rrënuara
Kalonte ngarkuar
Me një kryq prej trishtimi
 
Qante era te lisat e prera
Thua se nata
Vetëm ajo sterrë e paparë
Kuiste si qeni i sëmurë në stele
 
Me shekuj i përjetuam
Netët e thikave
Në ashtin e thyer të një kafke
Me mall të pashuar po dënes
Një hartë e grisur e atdheut tim
 
Prishtinë, 11 korrik 2013

 

SHËNIME BIOGRAFIKE PËR AUTORIN

 

Adem Zaplluzha u lind në Prizren, më 1943. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prishtinë. Një kohë punoi si mësues nëpër fshatrat Studençan të Therandës (ish Suharekës) dhe Hoça e qytetit, afër Prizrenit. Ndërkohë punësohet si përkthyes në Korporatën Energjetike të Kosovës. Me shkrime filloi të merret kryesisht me poezi që nga mosha e fëmijërisë. Rrugën letrare e nisi me vjershën e parë për fëmijë të cilën e botoi në revistën “Pionieri”, më 1957. Si i punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës bashkë me shokët e punës dhe pendës themeloi grupin letrar “Lulëkuqet e Kosovës”. Në Kuadër të punës së këtij grupi letrar qe botuar përmbledhja “Ngjyra e kohës”, në të cilën u përfshi një numër i konsideruar i poezive të tij. Krahas krijimeve të publikuara në revistat për fëmijë, botoi edhe një serë shkrimesh nëpër gazetat e kohës që dilnin në Prishtinë dhe Shkup. Është anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës, prezent në disa antologji dhe në librin Kosova letrare të poeteshës Monica Mureshan. Është prezantuar në Leksikonin e Shkrimtarëve Shqiptarë 1501-1990, nga Hasan Hasani, në Leksikonin Shkrimtarët Shqiptarë për fëmijë 1872 - 1995 nga Odhise K. Grillo, si dhe në librin Portrete Shkrimtarësh nga Demir Behluli, Prishtinë, 2002Në maj të vitit 2013 Klubi i Artistëve dhe i shkrimtarëve të Durrësit ia ndau çmimin e karrierës për kontributin e dhënë në letrat shqipe. Jeton dhe krijon në Prishtinë ndërsa aktivitetin letrar e zhvillon në kuadrin e Klubit letrar “Fahri Fazliu”, në Kastriot.

 

BOTIME TË AUTORIT

 

1. “Puthje”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë,1974.

2. “Ecjet e viteve të mëdha”, poezi, “Jeta e Re”, Prishtinë 1995.

3. “Çamarrokët e Thepores”, poezi për fëmijë, “Shkëndija”,Prishtinë 1996.

4. “Muret”, poezi, “Jeta e Re”, Prishtinë, 1997.

5. “Morfologjia e dhembjes”, poezi, “Faik Konica”, Prishtinë,2000

6. “Ai vjen nesër”, poezi, Qendra e Kulturës, Klubi letrar“Fahri Fazliu”, Kastriot, 2oo7

7. “Letër nga mërgimi”, poezi, Klubi letrar “Fahri Fazliu”Kastriot , 2007
8. “Letër nga mërgimi 2 “ poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi

letrar , “Fahri Fazliu”, Kastriot 2007

9. “Udhëndarja”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi letrar ,“Fahri Fazliu”, Kastriot , 2008

1o. “Thirrje e gjakut”, poezi,”Qendra e Kulturës”, Klubi letrar, “Fahri Fazliu”Kastriot 2008

11. “Asgjë sikur molla”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi

letrar “Fahri Fazliu”, Kastriot, 2009.

12. “Vesa në lotin tim”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi letrar “Fahri Fazliu”, 2009,

13. “Puthja e gozhduar”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi

letrar, “Fahri Fazliu”, Kastriot , 2oo9.

14. “Kashelasha në vargje”, poezi për fëmijë,” Qendra e kulturës, Kastriot, 2oo9.

15. “Pema e bekuar”, E përkthyer, Rumani, 2o1o.

16. “Bajraktarët e vatanit”, poezi satirike, Klubi letrar, ”Fahri Fazliu” Kastriot , 2010.

17. “Hijet e ndryshkura”, poezi,”Qendra e kulturës”, Kastriot,2010.

18.”Stuhi në Kutulishte”, poezi,”Qendra e kulturës”, Kastriot,2010.

19. “Posa ikte nata”, poezi, “Qendra e kulturës “, Kastriot,2010.

2o. “Loja e myshqeve”, poezi,”Qendra e kulturës”, Kastriot,2010.

21. ”Lumëbardhi dhe gjëma”, poezi,”Qendra e kulturës”,Kastriot, 2o1o

22. “Metafora e heshtjes”, poezi, “Qendra e kulturës”,Kastriot, 2o1o

23. ”Hyji në Prekaz”, poezi,”Qendra e Kulturës”, Kastriot,2010.

24. ”Sinorët e hinores”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot 2010

25. ”Don Kishoti dhe Rosinanti”, poezi, Shoqata  e Shkrimtarëve, Kastriot, 2010

26.”Zjarri i dashurisë”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2010

27. ”Kur likenet vallëzojnë”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot, 2010

28. “Ditari në vargje”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 201O

29. “Tingujt që nuk përfundojnë”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve –Kastriot, 2o1o.

3o.  “Shtegu i mallit”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot, 2010

31. ”Korniza e thyer”’,Poezi, Shoqata e shkrimtarëve, -Kastriot, 2010

32. “Zgjimi i gjëmës”,Poezi, Shoqata e Shkrimtareve-Kastriot, 2010

33. “Vallja mistike”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2010

34. ”Merre kodin”,  Poezi për fëmijë, Shoqata e shkrimtarëve Kastriot,2011

35. “ Letër atdheut” poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2011

36. “ Tejdukshmëria e shiut”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o11

37. “ Përtej teje”,poezi, Shoqata e  Shkrimtarëve-Kastriot, 2011

38. “Sa afër e sa larg” , poezi, Shoqata e shkrimtarëve-

Kastriot, 2011

39. “Vallja e zanoreve”, Poezi , Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o11

40. “Ikja e eshtrave”, Poezi për të rritur, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o11

41.”Kalorësit e mjegullave”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot, 2012

42. “Hingëllimat e shiut”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot 2012

43. “Kur pemët i ndërrojnë këmishët”. Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot,  2o12

44. “Mirëmëngjes Imzot”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve – Kastriot, 2o12

45. “Kafshimi i mikut”, Poezi satirike, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2012

46. “Atje tej maleve”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve , Kastriot-2012

47. “Heshtja që del në shesh,” Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot -2o12

48. “Portat e shpresës”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve, Kastriot-2012

49. “Në dhomën time gjysmë të errët”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

5o. “Kinse Lojë Shahu”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

51. “ Për çdo dekadë nga një baladë “, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot, 2o12

52. “Fusha e mëllenjave”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

53. “E kujt është kjo vetmi”, Poezi, Shoqate e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

54. “Mos pyet për adresën e lumit”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot, 2012

55. “ Stoli në parkun vjetër” Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2012

56. “Urori i stralltë”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve –Kastriot, 2o12

57. “Po të mos ishte fjala”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve- Kastriot,2o12

58. “Thyerja e urave”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve –Kastriot, 2o12

59. “ Trokëllimat në gjumin e dallgëve”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

60. “ Në flokët e dëborës”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012

61. “Një grusht nostalgji”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2o12

62. “ Kur filluan të flasin njerëzit”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve- Kastriot, 2012

63. “Kur stinët kapërcejnë fshehurazi”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot,2012

64. “ Lisi në rrënjët e veta” , Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot 2o12

65. “Eca ecëm dhe do ecim”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot, 2o12

66. “Fëmijët e erës”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot 2012

67. “ Çast në fund të stinës”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot-2012

68. “Si të flas me drurët”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2012

69, “ Më pëlqejnë mendimet e tua”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot , 2012

70. ”Andej dhe këndej kohës”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot , 2012

71. “Zëri i heshtjes”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

72. “Kush i lexoi letrat prej erës”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2012

73. “ Fluturimi i korbave në netët pa hënë”, prozë poetike, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012

74. “Koha e ime dhe koha e jote”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot , 2012

75.” Diku te një baladë”, Poezi, Shoqate e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012

76. “ Sonte çdo gjë po i përngjan lotëve”,Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012

77 “ Ky def prej hëne”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2012

78.“Pyesni zogjtë në ikje ”,Poezi , Shtëpia botuese “Fahri Fazliu”- Kastriot 2013

79 “ Fërfërimë gjethesh”, Poezi, Shtëpia botuese “Fahri Fazliu”, Kastriot- 2013

80. “Refrene yjesh”, Poezi, Shtëpia botuese “Fahri Fazliu”- Kastriot, 2013

81. “Te delta e mjellmave”, Poezi, Shtëpia botuese “Fahri Fazliu”, Kastriot- 2013

 

82.“Rinjohja”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu”- Kastriot, 2013

83.“Diku në fund të një fillimi”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, “Fahri Fazliu”- Kastriot, 2013

84.“Makthi i hijes”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-“ Fahri Fazliu”Kastriot, 2013

85.“Një zog prej uji”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu”- Kastriot

86.”Asnjë fjalë nuk frymon”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, “Fahri Fazliu”- Kastriot, 2013-

87.”Daullet e një nate”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve “Fahri Fazliu”-Kastriot 2013

88.”Sytë e gurtë të erës”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu”- Kastriot, 2013

89. “Fjetëm njëqind shekuj”Prozë poetike, Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu”-Kastriot , 2013

90.”Kur dehen perënditë” , Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu”-Kastriot -2013

91.”Krakëllimat e natës”,Poezi, Shoqata e shkrimtarëve “Fahri Fazliu”-Kastriot, 2013

92. “Ndjekësit e enigmave”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu”-Kastriot -2013

 

 

 
PËRMBAJTJA
 
Ecin edhe yjet pas saj - Cikli i parë ................... 11
Ti qëndrove stoikisht ............................................. 13
Degët u bën shpirtra pemësh ................................. 14
Ishte koha e fjalëve ............................................... 15
Fol ......................................................................... 16
2. ............................................................................ 17
Një trëndafil i zi .................................................... 18
Furtuna mbi një arkivol ......................................... 20
Kujtove se ikja e kujtesës ...................................... 22
Kur zbritën fluturat ............................................... 23
Më pritni ................................................................ 24
Kur njerëzit i çelën sytë ........................................ 25
Ky balsam shërues ................................................ 26
Ecin edhe yjet pas saj ............................................ 27
Unë dhe ti jemi ai .................................................. 28
Ishte dita ................................................................ 29
Flinin si kuajt e luftës ............................................ 30
Ti i përngjan pemës ............................................... 32
Te fundi i betejës ................................................... 33
Ky duet prej mjegullave ........................................ 34
Si yjet e verdha ...................................................... 35
E pamë eklipsin e hënës ........................................ 36
2. ............................................................................ 37
Mushkonjat ........................................................... 38
Nga thasët e dhirtë ................................................ 39
Ndjekësit e enigmave - Cikli i dytë .................... 41
Zëri yt .................................................................... 43
Kurse ato të fundit ................................................. 44
Ky xham ................................................................ 45
Prej një fjale të vogël ............................................ 46
Sa herë që e përqafoj erën ..................................... 47
Im atë  ................................................................... 48
Te kambanorja ...................................................... 49
Kuajt e dehur të luftës ........................................... 50
Ti mos harro .......................................................... 51
Poetët ..................................................................... 52
Një hënë pakëz më ndryshe .................................. 53
Ndjekësit e enigmave ............................................ 54
Kryqet e ngulura në tokë ....................................... 55
Nga një këngë e saj ............................................... 56
Ajo ......................................................................... 58
Deti i trazuar i shpirtit ........................................... 59
Nuk më beson askush ............................................ 60
Këto itinerare të dyshimta ..................................... 61
Se sa të jesh i huaji ................................................ 62
Pëshpëriste edhe era .............................................. 63
Ne ishim aq të vegjël ............................................. 65
Ora e diellit të kristaltë .........................................  66
Po dënes një fëmijë ............................................... 67
Burrat e dheut ........................................................ 68
Mbi një gur të murrmë .......................................... 70
Një shi imcak ........................................................ 71
Si  në degë një mollë ............................................. 72
Trokit nëse duash .................................................. 73
Kishte trajtën e një  njeriu - Cikli i tretë .......... 75
Hingëllonin kuajt e egër ........................................ 77
Themi se ishim ...................................................... 78
Zotin nuk e gjuajta me gur .................................... 79
2. ............................................................................ 80
E kur të takohemi .................................................. 81
I drejtojnë sytë kah qielli ....................................... 82
2. ............................................................................ 83
Kjo rrugë e gjatë .................................................... 84
Kishte trajtën e një njeriu ...................................... 85
Vjeshta veç kishte filluar ...................................... 86
si një kalorës i dehur ............................................. 87
Dhe adresën e shtëpisë .......................................... 89
Një zog vajtues ...................................................... 90
Te malli i ngrirë ...................................................  91
Nuk na i lagi flokët ............................................... 92
Ditët ishin makth ................................................... 93
 

Katalogimi në botim – (CIP)

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës

 

 

821.18-1

 

Zaplluzha, Adem

Ndjekësit e enigmave / Adem Zaplluzha.

- Kastriot : Shtëpia botuese  “ Fahri Fazliu”, 2014. - 109 f. ; 21 cm.

 

Parathënie / Arsim Halili : f. 7-11. Adem Zaplluzha : f. 95-104

 

ISBN 978-9951-664-07-3

 




(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora