Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ramiz Dërmaku: Intervistë me mësimdhënësit Asllani

| E diele, 05.10.2014, 08:44 AM |


Intervistë ekskluzive me dy mësimdhënësit e shkollës shqipe të Stuttgart-it me rrethinë, çiftin bashkëshortor profesorët e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Zejnije & Zeqir Asllani.

Intervistoi: Ramiz DERMAKU

Ne sot nuk do të shkruajmë për njerëz të mëdhenj, lider politik, ministra, kryetar Shteti, kryeministra, rektor Universiteti dhe as kryetar Parlamenti, por do të shkruajmë për dy mësimdhënës,intelektual të përkushtuar të shkollës shqipe, Zejnije & Zeqir Asllanin, në Shtutgard të Gjermanisë.

Ne duhet të rikujtojmë Presidentin tonë historikë, Dr. Ibrahim Rugova, i cili nuk lejoi në asnjë mënyrë që armiqtë tanë të luajnë me Imazhin e Kosovës.

Pra, në mërgatën tonë kemi njerëz të flijimit, punës, sakrificës dhe dijës të cilët me punën e tyre të përditshme, por të palodhshme në mërgatën Shqiptare bëjnë orvatje për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve tanë si dhe ruajtjen e tyre nga asimilimi e cila mund të themi se është bërë një sëmundje e pa evitueshme e  cila po troket në çdo familje Shqiptare.

Ky çift bashkëshortor janë pedagog dhe mësues të mirëfilltë të gjuhës Shqipe, të gjithë e dimë se roli i mësuesit është i veçantë në çdo shoqëri, kohë dhe vend. Puna e mësuesit në Atdhe është e shenjët, por ajo ka një rolë të veçantë sidomos në mërgatën Shqiptare.

Mbrojtja e gjuhës shqipe këtu në mërgim është detyrë dhe obligim moral i çdo Shqiptari kudo që jeton dhe vepron në botë, sepse nesër do t´na gjykojnë brezat që do të vijnë pas nesh. Shkolla shqipe është një “Çerdhe e Diturisë” e cila po bënë një punë Kolosale për t´a gjallëruar gjuhën e ëmbël shqipe të Rilindësve tanë.  Kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës  shqipe. Dituria as blihet,as dhurohet, as konsumohet, por ajo vetëm se fitohet në shkollën Shqipe !

Kështu na thanë çifti bashkëshortor Zejnije & Zeqir Asllani.

“THEMELIN E DITURISË DHE TË ATDHEDASHURISË E PËRBËN GJUHA SHQIPE”

Sot diaspora e Kosovës përben një të tretën e qytetarëve të saj, pjesa më e madhe e të cilëve janë fëmijë dhe të rinj. Ky hulumtim apo kjo analizë, ka të bëjë me çështjen e mësimit plotësues për fëmijët tanë në mërgim, na thanë: çifti bashkëshortor,mësuesit e shkollës plotësuese në gjuhën shqipe Zejnije & Zeqir Asllani,në Shtuttgart,të Gjermanisë.

Shkolla plotësuese shqipe në Gjermani,ka krijuar një traditë të mirë për edukimin e fëmijëve tanë që kanë lindur dhe po rritën këtu në mërgim. Mësimi zhvillohet me Plan – program dhe me tekste shkollore të hartuara nga Ministria e Arsimit të Republikës së Kosovës. Edhe për kundër përpjekjeve të mëdha të mësuesve, prindërve, atdhetarëve, intelektualeve, për shkollën shqipe në Gjermani, nuk ka vend për kënaqësi thonë: profesorët, mësuesit, pedagogët tanë këtu në mërgim, Zejnije & Zeqir Asllani. Mësimi plotësues në asnjë mënyrë nuk është pengesë për mësimin në gjuhën gjermane,për nxënësit të cilët vijojnë mësimet në shkollën plotësuese shqipe. Këtë, ata e dëshmojnë me argumente ku ndër të tjera thonë: se nxënësit e tyre prej se vijojnë mësimin plotësues edhe në gjuhën shqipe, të gjithë nxënësit tanë kanë treguar rezultate më pozitive edhe në shkollën në gjuhën gjermane. Kjo është vërtetuar edhe nga ekspertet e arsimit se ata nxënës, që ndjekin mësimin plotësues edhe në gjuhën e origjinës së prejardhjes së prindërve të tyre kanë treguar rezultate më të mira në shkollën gjermane për 30%. Prandaj, është jo e drejtë kur thuhet nga disa bashkatdhetar tanë se fëmijëve po i´u përzihen gjuhët, kur ne dimë se fëmijët tanë në shkollë përveç gjermanishtes, mësojnë edhe anglishten, frengjishten, greqishten, latinishten e disa gjuhë të tjera. Vallë a thua pse po i pengon gjuha e ëmbël shqipe këta bashkatdhetarë tanë?  Ne me rastin e kremtimit të  100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ishim  prezent në parapërgatitjet e tyre dhe ne mbetëm të kënaqur me programin e  përgatitur nga çifti bashkëshortor. Në ditën kur ne i vizituam këta mësues,ishin duke e  përgatitur një program të pasur kulturo-artistik. Sot është ditë feste, ditë pushimi  e çifti  bashkëshortor, Zejnije dhe Zeqir Asllani, ishin në vlugun më të madh të punës, ata me seriozitet e përkushtim ishin  duke i kryer  provat e fundit me grupin recitues, vallëzues dhe muzikor për paraqitjen sa më të suksesshme të nxënësve të tyre para mërgimtarëve tanë. Këta mësues po u´a mësojnë  gjuhën, historinë, traditat,doket,zakonet, kulturën dhe po i mbrojnë fëmijët e mërgimtarëve tanë nga asimilimi si dhe po u´a shtojnë dashurinë ndaj prindërve dhe Atdheut. Gjatë bisedës ata na thanë:Kjo është ajo që e brengos secilin mësues në mërgim. Deri dje  këta fëmijë nuk dinin t´i shqiptonin mirë tingujt e gjuhës shqipe, kurse tani komunikojnë dhe lexojnë librat në gj. shqipe. Mësuesit,edukatorët, aktivistët,pedagogët dhe intelektualët e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe, Zejnije & Zeqir Asllani,të përkrahur nga nxënësit dhe prindërit e nxënësve të tyre, po arrijnë rezultate inkurajuese në të gjitha lëmit edukativo-arsimore dhe janë shembull, se si duhet të punohet e sakrifikohet për shkollën plotësuese shqipe dhe për çështjen Kombëtare! Këta dy arsimdashës dhe të gjithë mësuesit tjerë, këtu në BW. për punën e mësuesit që kryejnë në shkollën plotësuese shqipe,tash e sa dekada në formë vullnetare, pa paga mujore, sepse shteti ynë, Republika e Kosovës e as shteti i Rep. së Gjermanisë, këtu në Landin e BW, nuk i kompenson për punën e tyre si mësimdhënës. Shpresojmë se në të ardhmen e afërme, Institucionet tona t´a kenë parasysh rolin për punën e mësimdhënësit qysh sot, sepse nesër do të jetë vonë,kur dihet se edhe këta mësimdhënës të devotshëm dhe të përkushtuar kanë familje të tyre dhe lypset përkujdesja nga ta. Shumë herë është shkruar në shtypin tonë ditor,javor e mujor si dhe në mediat elektronike për rëndësinë e gjuhës shqipe si në vendlindje, ashtu edhe në diasporë,mirëpo roli dhe rëndësia e mbajtjes së mësimit në gjuhën shqipe jashtë trojeve etnike Shqiptare, ka një rolë të shumëfish për Shqiptarin mërgimtar! Andaj vlerësoni edhe ju ?

--Po bëhen 20-vite që jetoni në Gjermani Këtu thoni se zhvillohet një jetë tjetër, “një luftë“ tjetër,sepse ajo adrenalina e punës, e mbijetesës nuk është më. Çka mendoni ju?

Zejnije & Zeqir Asllani: Po këtu në Perëndim është krejt një jetë tjetër, kur krahasohet me jetën normale në trojet e Ilirisë, në trojet e etërve tanë,sepse duke marrë parasysh numrin e Shqiptarëve që jetojnë në mërgim,është shumë i madh,por kur përpjesëtohet me numrin e fëmijëve të tyre që ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe, me keqardhje e themi se është një numër(simbolik)shumë i vogël. Prandaj, ju të nderuarit: gazetarët, mediat e shkruara,elektronike dhe ato vizuale,luajnë një rolë të rëndësishëm për Shqiptarin mërgimtar,që ata të informohen sa më mirë që është e mundur për rolin dhe rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe,nga fëmijët e tyre,sepse nesër do të përballemi me një jetë tjetër,me “një luftë tjetër” a thua se cila do të jetë ajo “luftë”:është shumë e thjeshtë dhe e çartë se një fjalë e urtë thotë:Popujt që humbën gjuhën e tyre, shpejt u zhduken. Por,ne shpresojmë se të gjithë s´bashku do të jemi më të fort për zhdukjen e territ të kësaj lufte e cila po troket në derën e çdo Shqiptari në mërgim.

--Na tregoni se çka ju shtyri të punoni në shkollën plotësuese shqipe në mërgim ?

zonj.Zejnije & Zeqir Asllani:Nga vet fjala mërgim kuptojmë se ne mërgimtarëve na mungon gjithë çka nga vendlindja, duke filluar nga ajri i natyrës,Ujë i Bjeshkëve të Alpeve Shqiptare, blegërima e bagëtive,fushat, lumenjtë, kodrat, rrugët, shkollat, zhurma e fëmijëve nëpër oborret e shkollave ,ku edhe ne kemi kaluar fëmijërinë tonë para ca vitesh. Atje, ku kemi prindërit dhe familjet tona të cilat na edukuan dhe arsimuan se si duhet Atdheu. Duke marrë të gjitha këto për bazë, ne kemi obligim moral dhe Kombëtar,që të përmbushim kërkesat të cilat parashtrohen para nesh,për edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj,në shkollën shqipe këtu në mërgim. Të punosh në shkollën shqipe në vendlindje është një privilegj për secilin mësimdhënës, por të punosh në shkollën shqipe këtu në Perëndim ka peshë të dyfishtë dhe është krenari e çdo Shqiptari!

--Ju vini nga familjet  fshatare, por të përkushtuar për lirinë dhe çështjen Kombëtare ?

zonja.Zejnije & Zeqir Asllani: Natyrisht ne vijmë nga familje fshatare,por të frymëzuar nga prindërit tanë, në frymën Patriotike dhe Kombëtare,për Liri dhe Atdhedashuri !

--Na tregoni se cili është roli i shkollës plotësuese shqipe në diasporë ?

zonja.Zejnije & Zeqir Asllani, Roli dhe rëndësia e shkollës shqipe në diasporë është e veçantë, sepse fëmijëve tanë ju mungojnë njohurit për vendlindjen dhe prejardhjen e prindërve të tyre, për gjuhën,historinë dhe kulturën Shqiptare, doket dhe zakonet si dhe njohurit për pozitën gjeografike të trojeve Ilire,ku ne sot krenohemi që jemi pasardhësit e tyre! Roli dhe rëndësia e figurës historike të popullit Shqiptar, Gjergj Kastriotit. Në shkollën shqipe,fëmijët tanë mësojnë për rrugën e vështirë të popullit Shqiptar i cili kaloi nëpër shekuj deri te Pavarësimi i Shtetit Shqiptar, për Rilindësit tanë, të cilët ishin shtylla kryesore e formimit të Shtetit Shqiptar, Lidhja e Prizrenit. Pavarësimi i Kosovës, falë luftës heroike të UÇk-së dhe gjakut të dëshmorëve të lirisë, ne sot gëzojmë Shtetin e Republikë së Kosovës.

--Gjeneza e te mësuarit të shqipes  kur fillon ?

zojna.Zejnije & Zeqir Asllani:

Gjeneza e të mësuarit të gjuhës shqipe, përveç se fillon në familje, ajo fillon të rrënjoset në mësimin plotësues si dhe ushqehet nga vizitat në vendlindje. Në parim, fëmija në familje bën përvetësimin e të folurit tradicional shqip deri në një farë niveli. Në këtë fazë është më se i rëndësishëm mësimi plotësues; sado që është një herë në javë, ai e ndihmon dhe nxit mjaftueshëm  zhvillimin e më tejshëm të gjuhës amtare. Mësimi i shqipes në shkollë nuk është një çështje thjeshtë patriotike, ai ka karakter të theksuar shoqëror, psikologjik, edukativ, gjuhësor edhe më gjerë. Rëndësia e mësimit plotësues qëndron pikërisht në përkrahjen e gjuhës amtare që është e rëndësishme  për formimin  gjuhësor të fëmijës jo vetëm për të sotmen e tij, por edhe për të ardhmen e shoqërisë në tërësi.(Një studim nga Nexhmije Mehmetaj)

--Sa janë duke punuar organet kompetente; Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë - MASHT-i dhe Ministria e Diasporës për zyrtarizimin e  shkollës plotësuese shqipe në Gjermani, por edhe në të gjitha shtetet tjera ku jetojnë e veprojnë mërgimtarët tanë ?

zonja. Zejnije & Zeqir Asllani: Mësimi plotësues në gjuhën shqipe, këtu në Landin e BW. mbahet në formë vullnetare, falë gatishmërisë së mësimdhënësve të cilët ndajnë kohën e tyre nga familja, vetëm e vetëm që mësimi në gjuhën shqipe të zhvillohet normalisht. Mirëpo, ka kaluar koha e Migjenit, prandaj MASHT-i dhe Ministria e Diasporës duhet të ndërmarrin hapat e mëtejmë për zyrtarizmin e shkollës shqipen në këtë Republikë. Kemi pasur disa takime dhe shumë premtime por asgjë konkrete në këtë drejtim. Ne nuk besojmë se Ministrat tanë, të Ministrive përkatëse,do të mbanin mësim në shkollat shqipe pa pagesë,as edhe një ditë të vetme. Ju jeni zot. R. Dërmaku, ai që keni shkruar gjerë dhe gjatë në shkrimet tuaja, për zyrtarizimin e shkollës shqipe, por kjo me theks të veçantë është cekur më konkretisht në shkrimin tuaj me titullin: KUR DO TË ZYRTARIZOHET SHKOLLA PLOTËSUESE SHQIPE NË GJERMANI E DIASPORË ? !   Prandaj, Kjo pyetje kishte më qenë, më drejtë t´iu drejtohet Ministrave tanë të nderuar?!

--Mësimi plotësues  a i shërben integrimit të nxënësve ?

zonja.Zejnije & Zeqir Asllani: Mësimi plotësues i gjuhës shqipe, nxënësve tanë i´u ndihmon dhe i shërben integrimit. Një bazë e fortë e gjuhës shqipe e ndihmon nxënësin edhe në përvetësimin e gjuhës së vendit ku jeton ai nxënës, d.m.th. një hap drejt suksesit të përgjithshëm shkollor. Me mësimin plotësues nxënësi është më i suksesshëm edhe në shkollimin e përgjithshëm. Ne nxënësit e shkollës shqipe i kemi pjesën dërmuese të gjimnazit dhe janë mjaftë të suksesshëm si në shkollë shqipe, po ashtu edhe në gjuhën gjermane.

Vlen të përmendim edhe studimin empirik të albanologut zviceran prof. dr. Basil Schader ku shkruan: ”Nxënësit që e ndjekin mësimin plotësues shqip, arrijnë nota më të mira edhe në lëndën gjuha gjermane”.

--Para disa  viteve kur flitej për zyrtarizimin e shkollës plotësuese shqipe në Gjermani,të gjithë thonin, se  fajtor kryesor ishte regjimi serb. Por sot kur Kosova është çliruar nga Serbia, kur Gjermania Kosovën e ka njohur si shtet, ku qëndron problemi i mos zyrtarizimit të shkollës shqipe në disa republika të Gjermanisë?

zonja. Zejnije & Zeqir Asllani : Ne Shqiptarët jemi shumë mbrapa në politikë, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm, në premtimet dhe zotimet tona, sepse gjerat nuk zgjidhen vetëm me fjalë, por me punë dhe përkushtim,sinqeritet dhe maturi, por mbi të gjitha është ajo se sa ne jemi të besueshëm dhe të pranueshëm te miqtë tanë. Ne nuk dimë dhe nuk jemi kompetent për këto probleme, por sikur të kishin punuar Ministrat tanë në këtë drejtim ,besojmë se ky problem do të ishte zgjidhur me kohë. Mirëpo gjer më tani ka pasur vetëm biseda dhe jo kërkesa. Ky problem duhet të shtrohet në mënyrë Institucionale te pala gjermane respektivisht te Ministria përkatëse, të gjitha këto arrihen vetëm me punë dhe përkushtim. Poeti ynë i madh Bilbili i Gjuhës Shqipe,Naim Frashëri, ka thënë: "Pune punë, natë e ditë, që të shohim pakëz dritë". Por, kjo si po shihet institucionet tona nuk po lodhen shumë për fëmijët e mërgimtarëve tanë.

--Shumë shpesh është folur në mediat tona; radio e televizion, është shkruar në shtypin tonë ditor, javor, etj,për shtypjen e një Abetareje, unike në të gjitha trojet shqiptare por edhe në diasporë,a është shtypur kjo Abetare ?

zonja.Zejnije &Zeqir Asllani: Abetarja Unike, në një ceremoni solemne, më 17 Maj 2012, në Prizren, është bërë promovimi i Abetares unike Kosovë- Shqipëri,mirëpo kjo Abetare është duke u përdorur vetëm në Shqipëri dhe në Kosovë, kurse ne këtu në mërgim kemi Fletushkat e ciklit të parë,dytë dhe të tretit.

--Sa jeni të kënaqur me punën e Ministrisë së Diasporës dhe MASHT-it për përgatitjen e teksteve shkollore për fëmijët në diasporë ?

zonja.Zejnije &Zeqir Asllani : Tekstet mësimore janë të përshtatshme për nxënësit e shkollës shqipe, këtu në mërgim dhe kemi numër të mjaftueshëm. Me tekste mësimore ne çdo herë shërbehemi në Konsulatën e Rep. së Kosovës në Shtutgad. Konsuli, z. Faket Kajtazi & Konsuli, z.Kadri Dakaj,si dhe personeli i Konsulatës së Rep.së Kosovës në Shtutgad, kanë një respekt të veçantë për mësimdhënësit e shkollës shqipe dhe nuk kemi nevojë të presim për shërbimet tona,ne jemi mirënjohës ndaj tyre !

--Si po arrini që t´i kryeni të gjitha këto punë me sukses, kur dihet se të dy ju punoni, ushtroni detyrën e mësuesit, jeni në të gjitha aksionet; qofshin ato humanitare, kombëtare, arsimore, kulturore, sportive, muzikore, etj?

zonja.Zejnije & Zeqir Asllani : Nëse ushtron detyrën e mësimdhënësit duhet të jesh i përkushtuar dhe i sinqertë në punën tuaj. Ne ndihemi krenar që kemi rastin të japim kontributin tonë ndaj shkollës shqipe këtu në mërgim, sepse kemi obligim moral dhe Kombëtar ndaj Atdheut, për ndryshe, do të na gjykojnë brezat që do të vijnë pas nesh. Puna ekipore çdo herë ka treguar rezultate pozitive, kjo për fat të mirë,ne na ka buzëqeshur fati në këtë drejtim sepse jemi të kualifikuar për mësimdhënës, dhe është kënaqësi të punosh me gjeneratat e reja në shkollën shqipe. Në çdo vit shkollor në festat tona Kombëtare dhe shtetërore, paraqitemi me nxënësit tanë para publikut me programe Kulturo-artistike,sportive dhe muzikore,ku tani këta aktor të vegjël janë të njohur për publikun e gjer, sepse kanë pasur rastin t´í përcjellin shumë herë edhe përmes ekranit televiziv me paraqitjet e tyre të shkëlqyeshme,ku edhe ne ndihemi mirë.

--Ju pos që jeni mësues të mirë jeni edhe aktivist të mirë, ku e gjeni këtë forcë, këtë vullnet, këtë energji ?

zonja. Zejnije & Zeqir Asllani: Te ne Shqiptarët thuhet se shtylla kryesore e shtëpisë është femra Shqiptare. Kur femra Shqiptare është e arsimuar ajo është edhe edukatore e mirë. Prandaj, këtu qëndron çelësi i të gjitha sukseseve tona. Kurse forcën dhe energjinë e marrim nga nxënësit tanë të cilët janë të rregullt në mësimin plotësues në gjuhën shqipe dhe me përkushtim i kryejnë çdo herë detyrat që kanë para vetës. Interesimi i madh i nxënësve për gjuhën,kulturën dhe historinë e popullit Shqiptar, neve na motivon që të jemi çdo herë sa më të përgatitur,që ata të ndihen mirë dhe të vijojnë me dëshirë mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Përveç mësimit që mbajmë në shkollë, ne kemi edhe grupin recitues, vallëzues, muzikor dhe atë për aktrim. Programet që organizojmë me nxënësit tanë në festat tona Kombëtare,është shtytja kryesore dhe motivimi kryesor që ata vijojnë mësimin me dëshirë në gjuhën shqipe. Sidomos në programet Kulturo-artistike dhe sportive, kemi një bashkëpunim të ngushtë edhe me prindërit e nxënësve të shkollës shqipe, sepse pa një përkrahje të prindërve, nuk do të mund të realizoheshin të gjitha këto detyra që kemi para vetës, se vetëm të bashkuar do të kalojmë të gjitha vështirësitë në rrugëtimin tonë.

--Dihet se faktorët  kryesor për suksesin e nxënësve janë, mësuesi, prindi dhe shkolla, sa e realizoni ju këtë?

zonja.Zejnije & Zeqir Asllani: Ne e dimë të gjithë se me një lule nuk qelë Pranvera,por edhe nëse dëshirojmë që atë t´a kultivojmë lypset angazhimi i të gjithëve s´bashku,sepse për ndryshe fryti i saj do të vyshket. Në shkollën shqipe, duhet të funksionoj trekëndëshi në mes të prindërve, nxënësve dhe ne mësimdhënësve, sepse do të ishte shumë vështirë të realizoheshin synimet tona për edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja që po lindin dhe edukohen,këtu në mërgim.

Qëllimi i shkollës shqipe është, ruajtja e gjuhës, kulturës, historisë dhe traditave tona Kombëtare, si dhe të mësojnë për origjinë e prejardhjes së prindërve të tyre. Prindërit duhet t´i motivojnë fëmijët e tyre që të vijnë me dëshirë në shkollën shqipe,se pa përkrahjen e fuqishme të prindërve i cili është faktori kryesor,vështirë se do të realizoheshin synimet tona. Mësimdhënësi, ka obligim moral dhe Kombëtar që të përkujdeset,për ruajtjen dhe zhvillimin e Kulturës Kombëtare të cilën e trashëguam nëpër shekuj, brez pas brezi gjerë në ditët e sotme, si dhe ruajtjen e gjuhës amtare nga fëmijët tanë,i cili është i domosdoshëm këtu në mërgim. Gjuha është pasqyra më e qartë e një Kombi dhe Kulturës së tij. Ai që zotëron gjuhën e vetë e sidomos këtu në mërgim vlen më tepër se ai që pushton një qytet. I vetmi mjet kundër asimilimit dhe ruajtjes sonë në “Detin”e kulturës ku ne po jetojmë , është mësimi i gjuhës shqipe nëpër shkolla.

--Sa punohet në Gjermani – pikërisht në rrethin tuaj për përfshirjen e të gjithë fëmijëve  në shkollën plotësuese shqipe ?

zonja.Zejnije & Zeqir Asllani : Dëshira e çdo mësimdhënësit është që të përfshihen të gjithë fëmijët e bashkatdhetarëve tanë në shkollën shqipe, por realiteti është krejtësisht  ndryshe, këtë e themi me keqardhje,sepse numri i atyre që vijojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe është simbolik diku rreth 3-5 % i fëmijëve që jetojnë në qytetin e Shtutgardit me rrethinë. Ne mundohemi me aq sa kemi forcë dhe mundësi t´i kryejmë detyrat tona që i takojnë një mësimdhënësi,por çdo herë duke marrë parasysh se këtë detyrë të gjithë mësuesit e kryejnë me vullnetin dhe dëshirën e madhe të tyre që kanë për gjuhën dhe kulturën shqiptare këtu në mërgim,respektivisht në Gjermani.

--Falë punës dhe angazhimit tuaj radhiteni në mesin e mësueseve më të mirë, jo vetëm në Gjermani por edhe më gjerë ?

zonja.Zejnije & Zeqir Asllani : Detyrë jona parësore është që të jemi në nivelin e kryerjes së obligimeve edukativo-arsimore dhe pedagogjike që i takojnë një mësimdhënësi kudo qoftë ai, si në vendlindje ashtu edhe jashtë trojeve tona Shqiptare. Një gjë duhet ta dimë, se të gjitha rezultatet pozitive në shkollën shqipe janë të realizueshme,por ato janë evidente kur punohet me nxënësit në shkollë. Shkolla shqipe këtu në mërgim është një “Çerdhe e Diturisë” e cila po bënë një punë Kolosale për t´a gjallëruar gjuhën e ëmbël shqipe të Rilindësve tanë.  Rrënjët e edukatës dhe të arsimit tonë Kombëtar i gjejmë që në lashtësinë e hershme. Megjithatë,në historinë e zhvillimit të shkollave Shqipe dhe të arsimit tonë Kombëtar si pikënisje merret , Mësonjëtorja e Korçës, që filloi të punoj me 7mars 1887, me mësuesin e parë të saj Pandeli Sotirin. Ajo u bë vatër e rëndësishme për ngritjen e ndërgjegjes Kombëtare ! Ne ndihemi krenar,kur fëmijët tanë tregojnë rezultate pozitive,me çka ne do të krenohemi. Mësimi i gjuhës gjermane është primar, obligativ dhe i domosdoshëm për të ardhmen e fëmijëve tanë këtu në Gjermani, por krahas gjuhës  gjermane ,duhet t´a mësojnë edhe gjuhën shqipe.

--Tani gjendemi në prag të fillimit të vitit të ri shkollor 2014/15,sa jeni përgatitur dhe cilat janë planet tuaja për këtë vit shkollor ?

zonja.Zejnije & Zeqir Asllani : Ne presim me padurim fillimin e vitin të ri shkollor,sepse ne kur jemi në pushime verore, na mungon prezenca e nxënësve të cilët janë bërë pjesë e jetës sonë, por ne shpresojmë se edhe ata kanë nevojë për ndihmën dhe bashkëpunimin tonë. Mundësia më e mirë është gjatë pushimeve në vendlindje edhe ata t´a përvetësojnë  sa më mirë gjuhën shqipe, gjatë kontakteve që kanë me bashkëmoshatarët e tyre në Kosovë. Ne jemi përgatitur si viteve më parë.  Planet tona janë,që përveç mësimit plotësues të gjuhës shqipe,kemi parapërgatitur edhe materialin për programet kulturo-artistike për festat tona Kombëtare dhe ato shtetërore. Besojmë se edhe publiku do të ndahet i kënaqur me paraqitjet e fëmijëve të tyre,  ata janë mishëruar me skenën. –

--Porosia juaj për të gjithë bashkatdhetar të cilët, fëmijët  e tyre ende nuk vijojnë mësimin plotësues në  gjuhën shqipe ?

zonja. Zejnije & Zeqir Asllani : Ftojmë të gjithë bashkatdhetarët tanë në Gjermani, dhe kudo që jetojnë dhe veprojnë në botë,që t´i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollat shqipe dhe t´i përkrahin ata, që të vijojnë me dëshirë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës  shqipe. Fëmijët diturin e mësojnë në shkollë. Dituria as blihet,as dhurohet, as konsumohet,ajo vetëm se fitohet në shkollë,prandaj fëmijës mos i lërë pasuri por dituri. Mbrojtja e gjuhës shqipe këtu në mërgim është detyrë dhe obligim moral i çdo Shqiptari kudo që jeton dhe vepron në botë, sepse nesër do t´na gjykojnë brezat që do të vijnë pas nesh. Para ca ditësh lexova një artikull të një shkencëtarit amerikan ku thotë : “Se gjuha shqipe është njëra ndër tri gjuhët e para të botët”, kurse ne nuk i kushtojmë fare rëndësi për t´a mësuar këtu në mërgim. “Themelin e Diturisë dhe Atdhedashurisë e përbën Gjuha Shqipe”

--Për fund a keni për të shtuar  diçka ?

zonja.Zejnije & Zeqir Asllani: Ne jemi falënderues ndaj jush, zot. R. Dermaku, që i kushtoni një vëmendje të posaçme shkollës shqipe në mërgatën shqiptare. Dëshirojmë, që të gjitha mjetet elektronike,të shkruara dhe ato vizuale,t´i kushtojnë një rëndësi më të madhe, për sensibilizimin e gjuhës shqipe në mërgatën Shqiptare. Mbesim me shpresë se lutjes sonë do t´i bashkohen të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe veprojnë në botë!