E premte, 29.03.2024, 12:17 PM (GMT)

Kulturë

Selimi: Vargje që reflektojnë dhimbjen e mërgimtarit

E diele, 05.10.2014, 03:30 PM


Një vepër me vargje që reflektojnë dhimbjen e mërgimtarit…

Nga Tefik Selimi

Ditë më parë, Ilmi Arifi, qytetar nga Gjilani, por i ardhur nga ana e Preshevës, botoi librin e parë me vargje: “Vargje të mërgimtarit”. Është ky libër poetik dhe tërheqës për lexim. Libri i autorit në fjalë lexohet me një frymë dhe të lë përshtypjen e thellë për trajtimin e kësaj temaike të jetës së mërgimtarit ose gurbetçarit. Siç dihet, mërgimi, si fenomen shoqëror, i ka thadrruar e zbehur njerëzit tejmase. I ka bërë të jenë krejt “ndryshe” nga të tjerët. Pse jo? Dhe, nuk ka shkrimtar apo krijues tjetër të artit që nuk ka shkruar për këtë “plagë” rëndë të njerëzimit. Kjo “jetë” në vend të huaj është dhimbë që godet gjer në palcë. Është plagë më përjetuese e jetës. Andaj, vargjet e veprës së autorit Ilmi Arifit reflektojnë dhimbjen e rëndë të jetës së mërgimtarit. Mërgimi është vendi dhe buka e hidhur e njerëzimit. Si plagë e tillë, (kurbeti) i ka pjekur njerëzit para kohe. I ka bërë të shkuar në kohë. E fytyrat e tyre duken të hajthme e plot rrudha jete. Prandaj, kjo plagë i ka shtyrë krijuesit të hudhin në letër vuajtet e tyre larg atdhetut, vendlindjes e familjes. Janë vargje malli. Janë lot e vaje që dalin nga thellësia e zemrës. E, Ilmi Arifi (1953), i lindur në fshatin Ranatoc i Preshevës, plagën e mërgimtarit e ka përjetuar dhe e ka përjetësuar në letër. Këto vargje të tij janë plot reflektime të dhimbshme artistike për jetën e mërgimtarit. Tek këto vargje poetike, lexuesi gjen klithje, zymti jete, por gjen edhe fjalor të mallit të zhuritur të mëgimtarit, por djen edhe poezi atdhedashurie e poezi intime me reflekse të qarta jete. Këtu ka sa dhimbë, po aq ka edhe krenari. Krenari, për faktin se nipi i autorit, Skyfter Arifi vdes në Sllupçan për lirinë e Kosovës e Iliridës. Ai në vargje, shton: “Krenar jam për jetë e mot/ kam nderë që jam axha  jot/ krenar është e tërë Shqipëria/ që ka rrit këso  bij e bija” (f.12). Kjo është poezia e parë e kësaj vepre poetike. Poezitë tjera janë: “Kam dëshirë”, “Shkollës së fshati tim”, “Fëmijët e lagjës  sime”, “Kosovë”, “Ishe e bukur”, “Mos me dhunë”, “Baba plak”,”Barbarit”,”Rinisë së pranverës së ‘81”,”Adem Demaçit”,”Ma dëgjo zemrën”,”Sytë e tu”, “Malli për ty”, “Shokëve të mi”, “Gruas shqiptare”, “Dashuria”, “Më pritni”, “Nuk bën”,”Zë i ëmbël”, “Mësuesit”,”Kam një plagë”,”Me ata”, “Të urrej ty”, “Dëshmorëve”,” Pse o zot?”, Atë natë”, “Ti nuk u fike”, “Mërgimtarit”,”Do të vijë”, “Malli i mërgimtarit”, “Viteve të mia të kurbetit”, “Je bukuri”,”Unë fatziu”, “Vasalëve”, “Ushtrisë çlirimtare”,”Kur po të shoh”,”Të dua vendi im”, “Si erdhe”, “Vendlindjes sime të dytë”, “Po e ndjej”, Nënës sime”.”Vendlindjes sime”, “Vizita”,”Muajit mars”, “Atyre”, “Vendid tim”, “Të burgosurit politik”, “Fshatit tim”,” Dallëndyshes”, “Atdhetarit” e disa të tjera. Këto poezi janë përkushtime të thella poetike të krijuesit. Ato në vete sjellin “ngjarje” të hidhura jete. Autori, këto “ngjarje” i ka shpërfaqur me anë të fjalës së bukur artistike, të cilat, aty-këtu, nëpër vargje, sikur të përkujton ndonjërin nga poetët e Rilindjes Kombëtar Shqiptare, si: Çajupin apo F. Shirokën e ndonjë tjetër. Ja si shton poeti në poezinë “Kam dëshirë”, kur këndon “...të shkoj në fshatin tim të lindjes edhe njëherë/ të dal në lug të kroit ku kam luajtur mijëra herë/ ku i kam ruajtur aty qindra dele me të tjerë/ të dalë në kodër aty përmbi shtëpi e pak të rri” (f.13). Apo tek poezia “Shkollës së fshatit tim”, poeti këto vargje ia kushton mësuesit të klasë së parë dhe shton: “E falenderoj unë për sa të jam gjallë/ sepse ai ma ka mësuar germën e parë”. Poeti nuk i harron fëmijët e lagjës së tij, me të cilët ka lozur e është rritur, të cilët, si shton poeti “ata e kanë zemër e zhpirt të mirë/ e Kosovës i shtojnë gëzim përditë” (f.15). Poeti Ilmi Arifi, si shumë krijues të tjerë, edhe ai nuk e harron Kosovën, sepse, për poetin (Kosova) është vend krenar i lindjes. Ai këndon kështu: “Ti Kosovë më jep zemër e më jep nderë/ (këto vargje të përkujtojnë Naimin e Madh), Ti je krenaria që të mbajë përherë” (f.19).  Në këtë vepër poetike, lexuesi gjen edhe poezi dashurie, si: “Ishe e bukur”, ku shton: “Ishe e bukur moj ishe bel hollë/ Ishe e ëmbël ti moj porsi mollë”. Pra, këto vargje, burimin e kanë teek kënga popullore, për faktin se, autori, duke jetuar në kurbet, ai, si thotë populli, vaji është kënga e tij. Pra, disa nga poezitë e autorit I. Arifit e kanë hijezimin e hetuar nga letërsia popullore. S’do mend se, ky farë “zanati” nuk ia zhvlerëzon vlerën poezisë, përkundrazi, atë e bën më të kapshme dhe melodike. Ja si tingëllon vargu i tij artistik, i cili bazën e ka te kënga popullore, si psh: “A e din ti kur më thoshe mua/ Nëse s’mundemi bashkë me u martua/ a e mban mend moj ti si më ke pas thënë/ të parin djalë që do ta kam, emrin tënd, kam me ja lanë” (f.18). Sa bukur tingëllon artistikisht! Por, poeti di të “prek” pjesën e dhimbshme të “mikes”, kur shton: “Disa kujtime tuajat t’i ruaj/ bashkë me to këtu në kurbet po vuaj” etj. Në këto poezi ka edhe dramca hitorike të dhimbshme të së kalarës sonë. Poeti është rritur me gjyshin e të tjerë, ku thotë: “Baba plak me mjekër të bardhë/ Më ka pas thënë të jem krenar/ se i takoj  kombit shqiptar/ se jemi komb me zemër të bardhë”. E baba plak, nipave e mbesave u rrëfen: “Jemi më të vjetrit në Ballkan/ Jemi të gjakut Ilirian” apo: “Nëpër shumë shtete neve na coptuan/ shumë kufij në mes neve na vuan/ E për të gjithë jemi të betuar/ se me luftë e gjak, tokat tona kemi për t’i bashkuar” (f.20). Në vepër gjejmë edhe tema të tjera, si për demostratat e Pranverës së vitit 1981, për lirinë e vendit etj. Poeti këndon: “Ti je yll kurrë nuk do të fikesh/ Ti je lule që kurrë nuk vyshkesh/ Ti je krua që kurrë nuk shteron/ Gjithmonë nga ti forcë e re buron” (f. 23). Edhe gruan shqiptare poeti e çmon dhe e vlerëson. Ai thotë: “Juve dhe zoti ju bekon/ se pa juve as jeta nuk bën” (f.31). Në poezinë “Kam një plagë”, poeti i këndon dashurisë së atdhetut, si janë vargjet: “Populli ynë një fjalë e thotë/ vetvetës duhet t’i dalim zot” (f.37). Ne veprën e autorit ka më shumë vargje për jetën e mërgimtarit. Edhe vetë autori e ka përjetuar këtë plagë, i cili, si shumë të rinj të tjerë shqiptarë, u largua dhe  u gjend në Frauenfelt (Zvicër), më 17 mars të vitit 1986. Autori, mërgimin përherë e ka urrejtur, por edhe sot e urren, kur thotë se më “vrave në rini” dhe më la të vuajë dhe pa sy. Kurbeti autorin, por dhe  qindra e mijëra të tjerë, i la pa liri dhe, në zemrat e tyre la vërragë, dhembje e tragjedi jete. Në vepër ka vargje edhe për dëshmorët e kombit. Poeti u këndon atyre: “...se Kosova juve s’ju harron/ pë çdo ditë ju përkujton”. Një poezi autori ia kushton atdhetarit të madh të kombit, Kadri Zekës, ku thotë: “Ti nuk vdiqe, por u flijove për liri”. Ajo që na bie në sy tek kjo vepër është fakti se, e treta apo katërta poezi është për mërgimtarin. Pra, edhe vepra e tij është e kushtuar mërgimtarit. Ai (mërgimtari) në vend të huaj ndërton ura, qytete, rrugë, por i huaj i thonë, e askush nuk e falenderon. Mërgimtari e ka jetën  me “gazep”. Gjumin e bën, por vendin e vet e ëndrron. Pra, ai me trup punon në dhe të huaj, por me mendje e zemër është në atdhe të vet. Ai këndon si  F. Shiroka, kur shton: “Më ka marrë malli për ata gurë, fusha e therra/ se m’besoni kam harrua se vie  atje pranvera/ Ti qyqe vetëm në dy stinë këndon/ Pse bre asnjëherë nuk pushon?” (f. 48). Këtu është kulmi i vajit e i mallit, kur i mërguari as gjumin gjumë nuk mund ta bëjë. Ai shton: “Amanet po ua lë nëse vdes, këtu mos m’groponi/ M’dërgoni n’atdhe, e atje të m’varrosni”!  Ai më tutje vijon: ”Gjithmonë në kurbet e nëpër dhera të huaja/ Është më mirë të mos kishe lindur fare/ se t’jesh i gjallë me mall, e pa pare”(f. 49). Një poezi ia kushton Jusuf Gërvallës, atdhetarit të madh të kombit shqiptar, poeti në vargje, shton: “Të dëgjova edhe kur apelove/ që të jemi t’bashkuar e jo të ndarë/ Ti lexove artikuj që ti i shkrove si gazetar/ se nga pena e zemra jote dilte zjarr”. Në poezinë “Poezi”, poeti shton: “Sa herë që mbetem në vetmi/ Dua të shkruaj nga një poezi/ Unë nuk isha dhe s’jam poet/, por për të shkruar poezi, më shtyri jeta vet”. Pra, jeta e tillë e rëndë dhe me shumë sfida, e ka frymëzuar poetin të shkruajë për mërgimtarin. Poeti, nga kjo jetë e urrejtur, në disa vargje ka shtuar: “Kur vjen pranvera, çdo gjë është në blerim/ kurse unë tërë jetën e kaloj n’mjerim” (f. 72). Në vepër poetike ka edhe rebelim të autorit. Ai i urren të rinjtë që punojnë në botën e jashtme dhe pijnë raki, fyejnë, e këngëtares para i japin sa “ajo të dojë”/ për komb e për atdhe askush s’do t’mendojë”! Kjo është fatkeqësia jonë, ku këta “tipa” njerëzish asnjë frang për shkollë nuk investojnë, e as nuk u interesojnë për babë e nënë. Ajme! Dallëndyshen, autori e “vjedh” nga F. Shiroka, kur shton: “Dallëndyshe duke fluturuar kur të pash/ Një porosi ynë ty ngadal ta dhashë/ thash të shkosh në vendin tim/ ta shohish si okupatori (serbi) ka sjell mjerim/ etj. Andaj, vepra poetike e Ilmi Arifi “Vargje të mërgimtarit” shënon një pasqyrë sa të dhimbshme, aq reale të kësaj jete në dhe të huaj. Kjo jetë e tyre është skalitur mjaft bukur në vargjet e krijuesit, i cili poezitë e tij i dalin të lira, që qëndrojnë në mes të poezisë për fëmijë dhe për të rritur. Ajo që do të ishte më bukur është fakti se, edhe kjo vepër, por edhe shumë të tjera si kjo, do të ishte mirë të “preken” nga njohësit e poezisë, të cilën do ta bënin me më vlerë. E, Lasgushi ynë i madh, në një rast pati shtuar se, “vështirë e kam të bëj një varg, se sa një studim”! Pra, vargu poetik e do “mjeshtrin” e përsosur ku me pak fjalë, thuhet shumë. Kjo është bota magjike e poezisë artistike. S’ka më bukur se arti i të shkruarit! Lum kush shkruan bukur! Librin në fjalë ka 82 faqe me gjithsejt 65 poezi.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora